Kulturë
Përparim Hysi: Fëmijëria nëpër vargjet e mia
E hene, 12.01.2015, 07:08 PM
Fëmijëria nëpër vargjet e mia
Nga Përparim Hysi
Fëmijëria
Fëmijëria më gjeti dhe këtu, në Tiranë,
Sikur prapa të më ketë ndjekur me shkop
-Hajde, se po na prishin mushanë!*
Pa ngrihem hopa nga krevati
Errësirë dhe asgjë: xhin-xhan?!!!
Pak sikur më zuri inati
Se dimër është dhe hiç nuk ma mban.
S'ma mban, po ndahet fëmijëria
Jorganin zu e ma hodhi për tokë
Pse ç'më pandeh? Mos jam çamarrok?
Opo lëri nazet se je bërë si mullar
Qafa të është trashur si dem
Kanë dalë e po të presin plot moshatarë
Dhe thirrjes sime po i bie me shqelm?
Eh, fëmijëria! O moshë trazovaçe!
Unë nuk lija kurrë dy gurë bashkë
Pse më trazoni tani , o ju çaste?
Ku kam gjunjë më të dalë mushasë?!
* mushaja- qe tokë e askujt dhe kullotte tërë fshati.
Dy shkarpa
- Pa gjej dy shkarpa që të ndezim zjarr,-
Më tha nëna mua. (Sakaq ia dhashë në duar)
-More, po paske qenë budalla
Duhet të paktën të mbledhësh një krah.
Eh, moj nënoke, po unë qeshë fëmijë
Ti kujtoje se isha "gjeni"
Portreti i nënës zë më shfaqet
Dhe dy pika loti varen përmbi faqet
Mes shokësh
I kam hipur pelës çile
Moshatarët ftoj në garë
Veri bëhem. Garoj pa hile
Gjithmonë unë në vend të parë.
Mandej me ta zëmë lozim fshatçe
O cingël. o dokërr, o kollonekas
Uria na grryente se bëheshim "esull"
Pa ndiznim pastaj një zjarr bubulak
Bukën pranë zjarrit e theknim.
Me njëri-tjetrin jepnim-merrnim.
Eh, sa lezet e shije na kishte
Ajo bukë e thekur me kripë e qepë
Ajo kohë ishte, si ishte
Tani pleqërisë vjen dhe më "mek"
Se thinjat m'i rrëzon nga koka
Dhe bëhem prapë i vogël
Fëmijëri! Je e bukur sa bota!
Të dua aq, sa mendjen ma sjell rrotull.
Tiranë, 4- 6 janar 2015
Deti i pistë i kohës
Në detin e pistë të kohës
Nuk kam hyrë asnjëherë
I jam shmangur tërë jetës ndotjes
Se kam erz dhe nder.
Kanë tentuar t' më blejnë me para
A kokën të ma zënë me derë
Shpirtin s' e shita dhe mbeta fukara
S' u komprometova asnjëherë.
Mundësitë i pata të mbushja xhepat
Dhe koka mos më dhimbte brezash
Por unë nuk jam nga ata që veshin xhaketat
Pazare xhambazësh a jargavitje hijenash.
Kurrë në jetë nuk shkela vijat e bardha
Të gjithë mund t'i shikoj drejt e në sy
Jam nga të parët që shlyej, ç'më takojnë taksa
Dhe jetoj i qetë, sado që më nuk kam as shtëpi.
Gjumin e bëj të qetë: si të jem pasha?!
Askujt nuk i kam borxh
As që i kam zili ata që pa djersë vunë para
Jeta e tyre? Katran e blozë...
6 janar 2015
Dafina e lavdisë
Dafinën e lavdisë ia vë popullit tim
Që faqen e ka të bardhë historikisht
Po kurrë unë nuk këndoj për biçimë
Që e heqin veten si shënjt apo Krisht.
Kurrë nuk këndoj për mite të rreme
Nga ato soj që kraharorin e bëjnë gropë.
Të tillët, për mua, janë vemje
Kam qejf që nga pushteti t'i përzë me shkop.
Nuk bëjnë shtet, por duan veç pushtet
Karriken e pushtetit as që duan ta lëshojnë
Sikur t'i lësh, duan të qëndrojnë për jetë
Duan si monarkët: brezash ta trashëgojnë!
Pak, po panë që i zbresin nga kali,
Zënë e jargaviten sikur do mbrrijë kiameti
Nuk ka më keq, kur ëngjëll hiqet djalli
Makiavelistë të kulluar: Qëllimi është pushteti!
Dhe mezallla s'e ngopen.Na marrin si dele
Që kur nuk kemi "sanë", zëmë e hamë bar
Pushtetarët që s'punojnë për popullin, janë vemje
Dhe kurrë për të tillë, nuk kam për të kënduar.
10 janar 2015
Një stafetë që duhet të vdesë.
Po. Është një "stafetë" që duhet të vdesë
Të zhbëhet dhe të ikë pa nam e nishan
S'ka më të turpshme (nga brezi në brez)
Shtet! A ke llogaritur sa janë bërë "kurbanë?"
E kam fjalën për "stafetën e zezë"
A ndryshe siç quhet ajo e hakmarrjes
Mesjeta u rikthye: për faqe të zezë
Pushtetarët rrinë si "jashtëvalles"
Sikur ç'ndodh,as që u prish punë
Të vrasësh e ngujohesh në shekullin njëzet e një?!!!
Tek shoh të ngujuarit, mua më zë me shkumë
Dhe mallkimin lëshoj mbi pushtetarët, pa veçuar asnjë.
7 janar 2015
"Puplat" e pushtetit *
"Puplat" e pushtetit nuk i dua
Jam "ngrohur" prej tyre dikur
S'ka dreq që më ndryshon mendjen mua.
Pushtet nuk do pranoja kurrë.
Se është një kalë që më hipën
Ka peshë të rëndë:si elefant!
Halleve të njerëzve nuk u përgjigjem
Këto "pupla" më mbushin me inat.
"Pupla" të tilla ma shpojnë trupin me gjemba
Dhe veten hiç nuk e ndjej rehat
Për këto "pupla", kurrë nuk më shkon mendja
Kam aq alergji,sa bërtas:- Larg prej meje! Larg...
* Kam qenë kryetar i pushtetit të parë pluralist në vitin 1991 dhe kam dhënë dorëheqjen e parevokueshme. Që atëherë as më shkon mendja për pushtet. Pak qëndrova vërtet, po ndava tridhjetë hyrje në qytet dhe dhashë rreth 100 truaje në zonën më "palcë" të Fierit. Përfaqësoja PD (unë jam i djathtë) në zonën "Qendër" ku sapo dy fshatra(Sheq i madh dhe Sheqi i vogël) iu atashuan qytetit.
16 mars 2003
Tiranë, 12 janar 2015