E premte, 26.04.2024, 10:00 PM (GMT+1)

Mendime

Maks Velo: Çfarë krimi! “Qemal Stafa” pushtohet nga kafenetë

E merkure, 09.07.2008, 11:55 PM


Çfarë krimi! “Qemal Stafa” pushtohet nga kafenetë

Nga Maks Velo

I kam ndjekur të gjitha ndeshjet e Evropianit. Veç spektaklit emocional një nga kënaqësitë e mëdha janë stadiumet. Por sa jepen imazhet e para shoh menjëherë çfarë mbulese ka, si është forma olimpike (edhe për atletikë) apo vetëm për futboll (pa pistat e vrapimit), si dhe kapacitetin, me një dy apo tre, kate. Arkitektura më ka dhënë një nga kënaqësitë më të mëdha të jetës.  Dhe sfidat më të mëdha për arkitektët e gjithë kohëve janë mbulimi i hapësirave sa më të mëdha. Kjo është arritur në bashkëpunim me inxhinierët konstruktorë dhe teknologët e materialeve. Që në antikitet dy ishin institucionet që grumbullonin popullin, teatrot dhe stadiumet. Zgjidhja për shumë shekuj ishin shkallët masive të gdhendura në shkëmb, apo të ndërtuar me gurë masive. Më vonë, shkallët u mbivendosën edhe mbi harqe guri. Një nga sfidat e botës antike që nuk është kaluar akoma në kohët moderne është kapaciteti i KOLOSEUT prej afro 300.000 vendesh, që nuk e ka arritur asnjë stadium. Me shpikjen e beton armesë filluan që shkallët të bëhen me kapriata të shkallëzuara. Shekulli i 20-të në Evropë dhe në Amerikë ishte shekulli i stadiumeve. Dhe kjo në sajë të masivizimit të sportit dhe të celebrimit periodik të Olimpiadave, si dhe daljes së një loje të re, futbollit. Kujtoj shpesh lojërat Olimpike të Mynihut më 1973, dhe kjo për dy arsye: E para se mbulesa e projektuar nga Frei Oto solli zhvillimin masiv të mbulesave të varura, dhe se ngjau masakra ndaj sportistëve Izraelitë dhe me të fillon era e terrorizmit. Stadiumet e Zvicrës dhe Austrisë më kanë plotësuar kuriozitetin dhe njohuritë në këtë fushë. Janë stadiume Olimpike por edhe stadiume katërkëndore vetëm për futboll. Vjena e ka stadiumin Olimpik me mbulesë eliptike me kapriata metalike, kurse Insbruk ka një stadium të veçantë futbolli, sepse e ka asimetrik me mbulesë gjysmë të ndriçuar nga sipër. Mbulesa e stadiumit të Zyrihut mbahet nga shtylla të holla elegante të pjerrëta nga mbrapa që me kavo mbajnë mbulesën e lehtë. Në pjesën e sipërme të shtyllave është vendosur sistemi i ndriçimit. Kështu edhe gjithë stadiumet e tjera… Tani pres gushtin për të ndjekur Olimpiadën Botërore të Pekinit, që do të çelet dhe zhvillohet kryesisht në stadiumin e ri ÇERDHJA E ZOGUT, e cila është konceptuar dhe realizuar me tre membrana, e jashtmja guaska metalike si një strukture e një skulpture gjigante, e mesit e aparaturave, dhe e brendshmja e tribunave. Në çdo stadium të ri kam parë ecjen përpara të arkitekturës moderne. Stadiumet, mbulesat e terminaleve të aeroporteve dhe urat janë bërë sfidat më të mëdha për arkitekturën dhe inxhinierinë bashkëkohore. Këto vepra gjigante mbasi ndërtohen kërkojnë mirëmbajtje dhe miradministrim. Dhe kjo është e padiskutueshme, sepse shpesh ato janë krenari kombëtare.

TË SHKATËRROSH NË VEND QË TË PËRMIRËSOSH

Çdo shtet ka një kryeqytet, i cili medoemos duhet të ketë Kryeministrinë, ministritë, dhe pastaj disa institucione qendrore si Teatri dhe Opera Kombëtare, Radio dhe Televizioni Kombëtar dhe Stadiumi Kombëtar. Është detyra e çdo qeverie dhe e çdo shoqërie (që të quhet e emancipuar) që këto institucione t'i ruajë dhe t'i përmirësojë. I vetmi vend që ka shpërfytyruar stadiumin e vet kombëtar jemi ne. Rasti ynë është unikal. Prej disa vitesh jam duke analizuar një fenomen të çuditshëm se si defektet sociale dhe vonesat historike reflektohen në arkitekturë. Një nga këto simptoma është tjetërsimi dhe përvetësimi i objekteve me rëndësi të veçantë me tituj kombëtarë. Rasti më flagrant dhe më i shëmtuar është ai i Stadiumit Kombëtar "QEMAL STAFA". Stadiumin na e ndërtuan Italianët në vitet dyzet. Projekti ishte shumë i mire, sepse ishte një skemë e aplikuar shpesh në stadiumet e qyteteve të vogla në Itali, në kohën e fashizmit. Stadiumi është një ndër objektet e mbylljes së bulevardit projektuar nga grupi i punës i Bosios. Ai është i lidhur stilistikisht dhe funksionalisht me sheshin, universitetin dhe kolonadën. Krijimi i një sheshi të dytë, më të vogël, mbas sheshit kryesor është një zgjidhje perfekte për turmat që hyjnë e dalin në stadium. Gurët e veshjes (gati ciklopikë) janë të njëjtë me ato të fasadave të universitetit. Punimi është i një cilësie të lartë dhe nuk ka lëvizur asnjë gur. Koloncinat e parapetit janë me seksion U. Në vitet '70, qeveria komuniste vendosi të shtojë kapacitetin në shkallët karshi dhe kjo u realizua me një sistem kapriatash beton arme. Në këtë gjendje e kapi stadiumin viti i famshëm '90. Tani nuk kemi më një stadium sportiv, por një qendër picash, kafesh, dyqanesh, lavazhesh, exchange, ku bëhet edhe futboll për mëshirë. Kjo është evidente po të bësh bilancin financiar të lokaleve josportive. Pronarët e lokaleve i urrejnë turmat sportdashëse, se u prishin punë dhe urojnë që një ditë mos ketë fare stadium, por vetëm kafe dhe fusha të bëhet një picë gjigante që ta ndajnë dhe ta hanë gjithë mafiozët shqiptarë (që janë edhe sportdashës). Zotët e vërtetë të stadiumit tani janë pronarët e lokaleve dhe jo populli sportdashës. Jo vetëm është shpërfytyruar funksioni por është transformuar tërësisht edhe forma e jashtme. Stadiumi i vjetër nuk ekziston më. Secili lokal ka bërë një trajtim të jashtëm të fasadës sipas dëshirës dhe kjo, jo vetëm në sipërfaqe por edhe në volum. Më skandalozja janë dy kafetë në hyrjen kryesore. Stadiumi të prezantohet si KAFE. Dhe kjo që në pikë të mëngjesit. Tavolina ku pihet kafe janë mu para HYRJES, dhe ti nuk mund të futesh në fushë pa kaluar nga banaku. Sporti është e kundërta e dembelizmit kafexhi, por ja që stadiumi kombëtar "Qemal Stafa" na mëson se sporti nuk i duhet këtij kombi, se sporti ynë i vetëm është parazitizmi dhe qendrat tona sportive janë kafenetë. Se ja ku e keni parlamentin e sportit shqiptar, stadiumin që është i tillë. Sigurisht që mund të kishte një rishikim të projektit të vjetër, por kjo duhej bërë nga një grup pune me specialistë, arkitektë dhe konstruktorë, por me një kusht të vetëm, që ambientet të ishin vetëm në shërbim të sportit. Duhej parë me kujdes funksioni dhe pamja e jashtme. Kjo nuk u bë  dhe me qëllim tani çdo gjë është përçudnuar. Hyrja kryesore nuk njihet, korridori i gjatë lart majtas dhe djathtas, që të shpinte në tribunat janë zënë me materiale plastike dhe ti nuk sheh asgjë. Por gjëja më qesharake është hyrja VIP, një portë hekuri e ulët dhe e ngushtë. Mafia ka mënyrat e veta për të poshtëruar dhe edukuar politikanët e korruptuar; kalimi në këtë portë(sepse më kujton portën e ferrit) është leksioni më perfekt dhe efikas. Dy shkallë anësore jashtë, janë zënë përgjysmë nga privatët, dhe publiku duhet të hyjë nga mbrapa në ca tunele të pista, ku flenë të pastrehët. Në kohën e diktaturës frymën perëndimore në Tiranë e mbante gjallë arkitektura italiane. Tani frymën e diktaturës e mban gjallë, shpërfytyrimi i stadiumit kombëtar.
Stadiumet në gjithë botën kanë periudhat e tyre të qetësisë. Qetësia e stadiumeve të vërteta është shenja e respektit që shoqëria ka për to. Por edhe qetësia e tyre është olimpike. Kështu është caktuar që në antikitet. Sepse është një pritje për ngjarje të mëdha. Ngjarje të përmasave kombëtare, ndërkombëtare, bile evropiane dhe botërore. Dhe kjo pritje nuk është arsye që stadiumi të copëtohet dhe ndahet si torta në dasmën e një mafiozi. Stadiumi Kombëtar "QEMAL STAFA", duhet t'i kthehet publikut dhe sportistëve.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora