Kulturë
Mehmetali Rexhepi: Si të vola
E enjte, 28.08.2014, 06:26 PM
Si të vola
Nga Mehmetali Rexhepi
pas mjegullës
rrjedh thesari
i përsëritur
i së pa çelurës
të pa velurës
bukurisë
*
në emër të zymtësisë
i vë kazmën pemës
vurratën e kohës lëkurës
i hedh qindra lopata dheu
e mbulon për së gjalli
tej për tej atë zgot vertikali
*
thesarit të brishtë të djalërisë
e qeshura iu prarua
në një kornizë portreti të galerisë
erdhi karafili i buzëve
lotët e purpurit muzgjeve
diçka që s’dukej në pasqyrë
dhe i shartohej më e njoma
më e vezulluara fytyrë
fijet e tingujve
përdredhur spikatur
njëri- tjetrit
erë ëndjesh spërkatur
lartësisë së dehjes
ngjyrave të tingujve dhe penës
andaj grishja e jetës
pasja brenda vetës
miklime fëshfërima rreshkësh
bistak puthjesh violine
pikime pianoje
rrëqethje të sigluara
mbi një korube
ku lëpiheshin derdhjet
lozonjare të ( F)loçkës
*
puthjet e prekjeve skofiare
fërguan kumbimet e luleve
sigluar në laurë telash
duke u fryrë melodive
thellësisë së honit të shpirtit
tingujt kishin nxjerr
thesarin e fisnikëruar
diçka e mrekulluar
përmasë e flluskuar
nga dehja buruar
*
kaltërsia e pemës
ia thithte ngjyrën penës
*
po të vjelja
do të më vyshkeshe në dorë
*
pse të mos vyshkesh
në tëndin ishull
në tënden orë
*
se gjithçka mbetet
hiri yndyror
i rizgjimit tjetër