E premte, 26.04.2024, 11:09 AM (GMT+1)

Kulturë

Skënder Hoxha: Karvasari i Malishevës

E premte, 22.08.2014, 07:19 AM


E KALUARA DHE E TASHMJA E FSHATIT KARVANSARI I MALISHEVËS

Nga Mr. Skënder R. HOXHA

Rreth emrit të vendbanimit dhe banorëve të parë

Fshati Karvasari i takon komunës së Malishevës. Informatori*)  ynë thotë se ky fshat është i vjetër dhe se gjithmonë është quajtur kështu. Banorët e këtij vendbanimi, herët e vonë, kanë qenë dhe janë shqiptarë, të gjithë të fisit Bytyç. Ndërkaq, banori më i hershëm i Karvasarit kishte qenë Kuk Ndreu, i ardhur këtu nga Zherka e Tropojës. Në traditë thonë se emri i fshatit të tyre kishte mbetur sipas rrethanës së Kukë Nndreu ishte vendosur këtu, afër rrugës që quhej KARVANI I SARAJIT, ku edhe sot kjo rrugë quhet UDHA KARAVAJAVE. Ky emërtim, me të cilin lidhet edhe prejardhja e emrit të venbanimit të sotëm, kishte mbetur ngase dikur aty kishte pasur saraje dhe se nëpër atë rrugë kalonin karavane me njerëz dhe bagëti. Këto dëshmojnë se aty edhe më herët të ketë qenë vendbanim (?).

Katundi Karvansaria (dëgjohet edhe Karvasaria), gjendet në Për Korub, komuna e Malishevës. Pothuaj të gjitha emërtimet e toponimeve e mikrotoponimeve të territorit të këtij vendbanimi janë të gurrës shqipe. Vendi ku është ky vendbanim është quajtur Karvani Sarajit, sipas rrugës që kalon nëpër lugjet e Karvasarisë, ku  në kohën otomane nëpër këtë rrugë kanë rrugëtuar, ndoshta tregtarët, me vargun, apo karvanet,  e qerreve tërheqëse të drurit, të qeve, të buajve, kuajve etj.,  prej Rrafshit të Gjakovës në drejtim të Ferizajit, apo për në Shkup e Shkodër (?) dhe udhëtarët i ka zënë nata  dhe kanë buajtur në këtë lokalitet. Konsiderohet se sipas kësaj rrethane, kësaj rruge i ka mbetur emri Udha e Karavajave. Kur është formuar vendbanimi, e kanë quajtur KARVASARI, emërtim që ka dalë nga togfjalëshi Karvani i Sarajit.

Banori i parë i katundit Karvasari është Kuk Ndreu, i fisit Bytyç. “Kuk Ndreu vjen këtu nga Zherka e Bytyçit, Malësia e Tropojës. Nuk ka shënime  se në cilin vit apo shekull ka ardhur këtu, por sipas gojëdhenave dhe asaj që është ruajtur në traditë, kur Kuk Ndreu me familje ka dalë nga Zherka, janë ndalur për pak kohë në Krushë për të hulumtuar vend që të vendosen 3 familjet. Njëra familje kishte gjetur vend në Shën Gjergj të Hasit (tash Karashëngjergj), e tjetra familje ka gjetur vend te Rruga e Karavanit Sarajt – Karvasari i sotëm, ndërsa tjetra familje vendoset në mes të Tërpezës dhe Arllatit dhe tash quhen Bytyçt e Arllatit. Kjo gojëdhënë përcillet brez pas brezi për banorët e parë të katundit Karvnasari.”1)

Ekzistojnë edhe të dhëna të tjera për krijimin e këtij fshati. Popullata e këtij fshati ishte e besimit të krishterë, çka dëshmohet me themelet e kishës së vjetër afër oborrit të shkollës, që gjendet 200 m. larg kishë së re e ndertuar në vitin 1937. Ekzistojnë edhe varrezat e kishës, toponimi Arat Mas Kishe, etj. Sipas disa gjetjeve arkeologjike, p.sh. të tjegullave në vendin Lugi Ngjalës, mund të supozohet që lokaliteti i këtij fshati ishte i banuar mjaft herët.2)

 

Emri i këtij katundi në dokumente të vjetra

  Defterin e Sanxhakut të Shkodrës i vitit 1485, fshatin në fjalë nuk e kemi gjetur me këtë emër. Kjo jep të kuptohet se në atë kohë nuk ka ekzistuar ose ka qenë i braktisur.

Në një shkresë të arqipeshkv Pjetër Karagiqi të vitit 1725, shkruan se në Prizren famullitar dhe misionar apostolik ishte studenti i Kolegjit Ilirik të Loretos, don Pjetër Bytyçi. Këtij misioni i takon edhe fshati Carvasatria me 2 shtëpi me 10 anëtarë besimtarë të krishtërë.3)

Me emrin Karvasaj është e regjistruar në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të viteve 1893 (1311 h),  1396 (1314 h) dhe 1900 (1318 h).

Sipas një burimi arkivor në vitin 1913, fshati kishte 60 shtëpi. Në atë kohë trupat serbe kanë djegur 10 shtëpi dhe kanë vrarë 6 banorë të këtij fshati.4)

Ndërkaq, të dhëna nga terreni tregojnë se në vitin 1914 në Karvasari u dogjën 3 kulla nga ushtria e xhandarmëria jugosllave, për arsye se i kishin bërë rezistencë pushtetit të atëhershëm dhe nga këto familje kishte pjesëtarë në Lëvizjen Kaçake.5)

 

Konvertimi nga feja katolike në fenë myslimane

dhe toleranca ndërfetare.

Deri kah fundi i shekullit XIX, kah viti 1895, katundi ka pasur 20 shtëpi, ndërsa banorët kanë qenë të besimit katolik dhe të gjitha ceremonitë, të gëzimeve dhe të hidhërimeve, i kanë bërë bashkë. Aty e kanë pasur kishën dhe si Ditë e Kishës ka qenë  data 20 janar – Dita e Shmasjanit. Këtë e dokumenton edhe Kisha e Shën Gjergjit të Hasit, ku edhe ajo e lut po atë datë. Dikund kah viti 1890 – 1895, thuhet se kanë ra në një lloj presioni të asaj kohe dhe është detyruar krejt katundi të kalojnë nga besimi katolik në besimin islam (?). Me këtë konvertim të fesë disa nuk janë pajtuar, ndër të cilët përmendet një Nezir Avdia. Ai kishte thënë: “Merrne djalin, të vetmin, Elezin, e banne mysliman, e unë me vëlla, me Çunin, do t’rrimë katolikë”. Pra, Nezir Avdija e Çun Avdija janë mbet sikur ishte edhe Coli i Selimit. Të tjerët janë deklaruar kinse e ndërruan fenë e në anën tjetër të gjitha festat i kanë lutur në fsheh-tësi. Ashtu kanë vepruar edhe disa katunde , si: Llapushniku, Lladroci, Berisha, Katundi i Ri, tërë vargmalet e Berishës deri në Bllacë, ndërsa lidhjet miqësore kishin filluar t’i bënin më së shumti me Llapushnik, vetëm e vetëm se “nuk kemi se shka me u rujt’ ndërveti se, sipas tregimeve, këto katunde kanë pas të njëjtin tretman: Fe të deklarume – islame, fe e fshehtë – katolike.”6)

Popullata e Karvasarisë deri në vitet e ’50-ta kryesisht ka jetuar nga bujqësia e blegtoria. Pas viteve të ’50-ta kanë filluar të punësohen jashtë vendit: në Maqedoni, Serbi, Kroaci, Bosnje, Slloveni, e më vonë edhe në Gjermani, Zvicër, Austri etj.

Sipas disa shënimeve statistikore del se Karvansari në vitin 1879 kishte 35 shtëpi shqiptare (Jastrebovi i quan shqiptare katolike); më 1913 me emrin Karfo-Sarije kishte 434 banorë; më 1918 – 45 shtëpi shqiptare me 276 banorë; më 1921 - 40 shtëpi me 281 banorë; më 1948 – 64 shtëpi me 449; më 1953 70 shtëpi me 479 banorë’ më 1961 – 68 shtëpi me 499 banorë (495 shqiptarë, 2 serbë, 2 të tjerë);  më 1971 – 65 shtëpi me 621 banorë shqiptarë; më 1981 – 64 shtëpi me 620 banorë shqiptarë.

Në vitin 1998 fshati kishte 89 shtëpi me 776 banorë shqiptarë në fshat dhe 240 jashtë kosove7)

Nga ky katund ka pasur edhe shpërngulje të banorëve, si: në Turqi, sidomos gjatë viteve 1953 – 1956, pataj në Prizren, Ferizaj, Therandë, Pejë, Prishtinë e në vende të tjera të Kosovës.

 

Lënda toponimike e territorit të katundit Karvansari

Lënda toponimike e katundit Karvansari, që mban muajin dhe vitin e shënimit (Prill 2003),8)  më erdhi, në formë të shkruar, më 22 dhjetor 2013.9), lëndë të cilën, me informatorin tim, e kemi shqyrtuar e sqaruar.

Me propozimin e këti informatori, për të treguar vendndodhjen e toponimeve dhe mikrotoponimeve të këtij vendbanim, për pikë orientuese morëm mikrotoponimin Vorret e Katunit10) që, përafërsisht, gjenden në mes të territorit të katundit Karvasari.

Më poshtë, emërtimet toponimike të mbarështruara sipas rendit alfabetik:

 

Arat:

- Ara e Shabanit (vl.).- Kishte qenë arë dikur dhe pronë e Shabanit. Tash është djerrirë.

- Arat e Gata (jl.).- Emri iu mbeti kështu sipas formës që kanë – janë të gjata.

- Arat e Hysenit (jp.).- Ara që morën emrin sipas një Hysenit të dikurshëm, pronar i tyre.

- Arat e Minollit (p.).- Informatori nuk ka ide pse iu mbeti ky emër?

- Arat e Tropoj’s (vp.).- Thuhet se emri iu mbeti kështu ngase dikur kanë ardhur njerëzit (kushërinjtë) nga Tropoja për t’iu ndihmuar në punë fushe, këtu në Karvansari, sidomos në këto ara.

- Arat Mas Kishe (j.).- Është aty kisha katolike shqiptare, e këto ara shtrihen pas kishës, ndaj iu mbeti ky emër.

- Arat Mas Lam’ve (l.).- Këto ara gjenden pas një vendi ku dikur kanë qenë lamët,(lamë  = vend për të shira), ndaj edhe u mbeti ky emër.

- Arat Smonicë (p.).- Emri iu mbeti sipas llojit të tokës – dhe i zi, smonicë, që e quajnë këtu dhe në shumë zona të tjera.

- Arza  e Gatë (vl.).- Arë e dikurshme. Ishte e gjatë e sipas kësaj i kishte mbetur edhe emri.

- Arza e Shkurtë (vl.).- Ka qenë dikur arë, e vogël, ndaj e kanë quajtur kështu.

- Ledinat (j.).- Iu mbeti ky emër sipas rrethanës se dikur kanë qenë lëndina, por, më vonë i kanë shndërruar në ara.

- Kuqlinat (j.).- i quajnë kështu do ara që kanë tokën e kuqe, pra, emri iu mbeti sipas ngjyrës së dheut.

- Qestet (j.).- Ara që dikur kanë qenë mal i shpeshtë (i dendur) – qestak, ndaj i quajnë kështu ?

- Rrahishta (v.).- Ara dhe lëndina që  dikur kanë qenë mal dhe i kanë çelur. Janë tokë e ligë – jopjellore. Emri u mbeti nga r r a h – Rrahishta.

 

Kodrat:

- Bregu i Llomit (jl.).- Një breg (kodër) , mal me drunj që nuk rriten shumë. Këtu kufizohet territori i katundit Karvasari me territorin e katundit Temiçinë. Rreth prejardhjes së këtij emërtimi informatori nuk ka ide ?.

- Gurina (l.).- Kështu e quajnë një shpatinë me gurë dhe ndonjë shkurre. Aty kullosin bagëtia.

 

 

 

Krojet:

 

- Kroni i Ftoft’ (j.).- Krua që ka ujin e ftohtë. Rreth këtij kroi kanë mbjellur edhe ngapak bahçe – perime. Emri i mbeti sipas ujit të ftohtë.

- Kroni i Kolës (j.).- Krua që, mbase, do ta ketë hapur një Kola i dikurshëm, ka qenë në pronë të tij, apo të jetë përkujdesur për të?

- Kroni i Katunit (l.).- Krua i mirë, me ujë të mirë. Është i katundit, ndaj e quajnë kështu.

- Kroni i Shkozave të Bardha (jl.).- Një krua, ku përreth tij ka pasur Shkoza të Bardha (Shkoza - lloj druri) e për këtë i mbeti ky emër.

 

Lagjet:

- Alaj.- Sipas familjes Alaj.

- Fazlidaut’t.- Sipas familjes së Fazlidautve.

- Kodrajt.- Kjo lagje është në kodër, ndaj e quajnë kështu.

- Muçaj.- Sipas familjes Muçaj,

- Nezaj.- Sipas familjes Nezaj,

- Ramaj.- Sipas familjes Ramaj.

 

Lëndinat:

- Fusha Madhe (jl.).- Lëndinë e madhe, kullotë. Mere e katundit.

- Fusha Rekës (l.).- Lëndinë, fushë, nëpër të cilën kalon lumi i vogël, Reka, praj nga i mbeti emri edhe lëndinës.

- Fushëza (vl.). – Janë lëndina të vogla të katundit, ku përpara bashkoheshin barinjtë , e për të vazhduar pastaj me bagëti nëpër kullota. Nga rrethana se janë të vogla, i quajnë Fushëza.

- Guri Kërrshit (vl.).- Sipërfaqe, kryesisht e zhveshur, me ngapak shkurre, ku kullosin bagëtia bagëtia. Ka gurë dhe shkëmbinj, ndaj e quajnë kështu.

- Podi Rekës (l.).- Quhet kështu një lëndinë e rrafshët, pod, afër lumit Reka.

- Reka Poshtë (j.).-  E quajnë kështu një lëndinë afër Rekës, vend ku edhe përkufizohet territori i katundit Karvasari, në këtë krah, dhe fillon territori i katundit Nishor.

- Roga Gajrakut (l.).- Lëndinë – rogë, ku kullosin bagëtia. Gjendet në kompleksin që quhet Gajrak, ndaj edhe kjo lëndinë quhet kështu.

- Roga Madhe (vl.).- Janë disa lëndina të mëdha, me male, me drunj të vegjël (shkurre). Mbase janë çelur më herët, janë bërë  r o g a  e në sipërfaqe të madhe, i quajnë kështu.

- Roga Tahirit (l.).- Një rogë, lëndinë, që është afër Malit të Tahirit, prej nga i mbeti edhe emri.

– Rudinat (v.).- Lëndina të zhveshura, me bar të thatë, ndaj i quajnë kështu.

- Tepishta (l.).- Lëndina (pronë e Vakufit) dhe disa ara që punohen. Mbase, m und të ketë pasur dikur pisha aty dhe emri t’iu ketë mbetur sipas emrit të kësaj bime drunore (?).

 

Lugjet:

- Lugi Os (l.).- Quhet kështu një lug i vogël, në të cilin thuhet se thyheshin oset e qerreve tërheqëse.

- Lugshtina (v.).- Kështu quhet një luginë, mal, ku ka edhe ngapak kullota për bagëti.

- Lugu i Ajshës*) (l.). Është një lug i mveshur me mal. Ky emër i mbeti sipas një rasti kur tregtarët , duke shtegtuar nëpër këto anë, në livadhet e Timeçinës shohin një vajzë duke mbledhur sanë, ndërsa familjarët e tjerë ishin më rarg, gjithashtu duke mbledhur sanë.

Ata i thonë vajzës: “Eja me ne” dhe e marrin me dhunë. Sapo nisen, e lëshojnë rrugën kryesore, për të humbur gjrmë. Shijaku i Temeçinës, kur shohin se ua grabitën vajzën, qesin pushkë dhe vrapojnë pas vajzës.

Të bijtë e Kuk Ndreut dalin të dëgjojnë se çka janë këto krisma. Kur i takojnë këta që e kishin plaçkitur vajzën, i ndalojnë dhe u thonë: - “Ku shkoni ju kështu?” Ata u përgjigjen: - “Në drejtim të Dugagjinit.” Këta u thanë: “U pamë se e kini deviju rrugën dhe krismat e pushkës që vijnë pas jush, tregojnë se ju keni ba dishka. Gjatë kohës që i ndalojnë, Shijaku ja mbërrijnë dhe djemtë e Kukut e pyesin Shijakun: - “Çke”? – “Tregtarët ma murën vajzën n’livadhe.” Këta i thanë se “Na i kemi nalë, sipas pushkëve të juaja, se e kemi ditë se diçka ka ndodhur. Marrëveshja përfundon pa u vra kush. Shijaki e mur vajzën, ndërsa për hir të kësaj ndere, Shijaki ja fail Kuk Nreut një territor fushor e malor: prej burimit që quhet “Vrellë” e deri te kodra Bregi i Llomit.

Sipas kësaj ngjarjeje të dikurshme i mbeti emri këtij lugu.

- Lugu i Fellë (j.).- Një lug i ngushtë e i thellë.

- Lugu i Ngjalës (l.).- Në këtë lug mund të ketë pasur ndonjë prroskë a lumë, e të ketë pasur ngjala aty.

- Lugu i Rufaqës (l.).- Në këtë lug shtrihet mali me shkurre , therra etj., të dendura. Kur kanë hyrë nëpër këtë mal janë gërrithur në fytyrë, në faqe. Informatori ka idenë se: “Thuhet se emri i ka mbetur sipas asaj që dikur kishin thënë: “Ruaji faqet!”, gjoja, që të mos gërvishten. (?)

– Lugjet (l.).- Në këtë luginë ka pasur male dhe ara. Nëpër këto lugje është edhe Udha e Karavajave.

 

Malet:

- Bigat (jl.).- Mal me drunj të mirë, për mjeshtëri. Dikur, me ata drunj, kishin ndërtuar biga të qerreve tërheqëse, ndaj këtë mal e quajnë kështu.

- Dubrava (l.).- Sipërfaqe me male – “mal i shpeshtë “(i dendur) , thotë informatori.

– Frashnicat (jl). Mal me drunj të vegjël të Frashnit (lloj druri), sipas të cilit e mori emrin ky mal.

- Gredalla (dëgjohet edhe Gërdalla), (jl.).- Do lisa të mëdhenj që i kanë pre dikur në këtë mal, për ndërtim, i kanë quajtur greda, e nga kjo fjalë ka mbetur emri i këtij mali, Gredalla, thotë informatori.

- Gropa e Qitakut (l.).- Mal i rrallë, ku gjendet një gropë aty, ndaj edhe malin e quajnë kështu.

- Gjiksinat (l.).- Mal i mirë, kryesisht me llojet e drunjve Qarr dhe Bung. Informatori thotë se nga rrethana që “janë djegur dikur, u ka mbetur ky emër.” Mbase nga: djeg – gjeg, (gjegsinat – gjiksinat, për djegsinat (?)

– Hamallishtat (j.).- Mal i dendur që shtrihet në një shpat të rrëpijshëm. Informatori nuk ka ide pse e quajnë kështu.?

- Is Beg (jl.).- Është një mal i rrallë. Informatori nuk di pse i ka mbetur ky emër. Mbase, sipas ndonjë Isë Begut (?).

- Lugshtina e Qarrave (l.).- Mal i mirë me qarra i cili shtrihet në një lug, ndaj e mori këtë emër.

- Lugu i Firit (jl.).- Mal i mirë që shtrihet në një lug ku ka fier shumë, ndaj sipas kësaj bime barishtore e mori emrin edhe mali.

- Shullajat (j.).- i quajnë kështu do male që u bie hija më tepër.

– Zabelet (l.).- Zabele (male të mira),pronë e katunit.

- Zabeli i Arifit (vl.).- Mal – (zabel) , pronë e një Arifit të Dikurshë.

- Zabeli i Elezit (vl.).- Sipas një Elezit të dikurshëm, mbase ky zabel ka qenë pron e tij, ndaj i mbeti edhe emri.

 

 

Rrugët:

- Shkallëza (l.).- Një rrugë që ka formën e shkallëve e quajnë kështu. Kjo rrugë lidh lagjen Kodra me lagjet e tjera të fshatit. Nëpër këtë rrugë shkonin edhe bagëtia për në mal, në kullota.

- Udha e Hanit (vl.).- Rrugë e dikurshme (këmbësore) që lidhte katundin Karvasari me katundin Banjë, në këtë krah. Mbase do të ketë pasur dikur h a n (bujtinë) dikur aty, e që kjo rrugë të ketë çuar aty ?

- Udha e Karavajave (vl.). – Është rruga më e moçme që njihet në këtë territory. Kjo rrugë dikur ka lidhur Rrafshin e Dukagjinit me Ferizajin e më tej edhe me Maqedoni. Emri i mbeti sipas rrethanës se dikur nëpër këtë rrugë kishin qarkulluar karavanet me bagëti, me qerre tërheqëse të drunjta (të qeve, buajve, kuajve). Thuhet se këtu edhe kishin pushuar e buajtur tregtarët gjatë udhëtimeve, meqë ishte edhe si vend në mes të udhëtimeve të gjata të karavaneve.

 

Ujërat:

- Prroni (vl.). – Është përrua i vogël që formohet nga të reshurat atmosferike. Bjen përbri katundit. Meqë gjatë stinës së verës shteron, nuk përdoret për asgjë.

- Prroni Vilqorit (jl.).- Përrua i vogël që mban ujë gjatë vjeshtës dhe dimrit. Gjatë verës thahet. Nuk shfrytëzohet për ujitje as amvisëri, vetëm bagëtia pinë ujë në të.

 

Varret:

– Vorret e Katunit.-  (Këto varre janë në qendër të katundit – i morëm si pikë orientuese për shënimin e toponimeve dhe mikrotoponimeve të territorit të Katundit Karvasari. Informatori thotë se “Janë varret më të vjetra në këtë fshat. Në to varrosen: Nezajt, Muçajt, Fazlidautët, Alajt, Jasharajt.

- Vorret e Kish’s (j.).- Janë varre të moçme, të pagjurmuara. Janë afër kishës së fshatit.

- Vorret e Kodralive (l.).- Këto varreza janë në kodra, ndaj quhen kështu. Në to varrosen: Kodrajt dhe Gërdallajt.

- Vorret e Ramajve (v.).- Në këto varre varrosen Ramajt dhe Çerkinajt.

 

 

 

Të tjera:

- Brija Bardhokut (l.).- Shpatinë, mbase e një Bardhokut të dikurshëm sipas të cilit i ka mbetur edhe emri.

- Bunari  Lugjeve (jl.).- Një gropë që dikur ka qenë bunar. Ndonjëherë mbushet ujë nga shirat e nga bora dhe prapë shteron. Është në toponimin Lugjet (krye Lugjeve), ndaj e quajnë kështu.

- Bunari  Lugjeve (jl.).- Një gropë që dikur ka qenë bunar. Ndonjëherë mbushet ujë nga shirat e nga bora dhe prapë shteron. Është në toponimin Lugjet (krye Lugjeve), ndaj e quajnë kështu.

- Fusha Kronit (l.).- Kështu e quajnë një sipërfaqe fushore që shtrihet përreth mikrotoponimit Kroni i Katunit.

- Guri Kanës (vl.).- Vend shkëmbor, ku gurët kanë ngjyrën si të kanës

- Gurt e M’dhaj të Gajrakut (vl.).- Një varg gurësh të mëdhenj që dallohen nga të tjerët më të vegjël përreth. Sipas kësaj rrethane i quajnë kështu.

- Gurt e Vogjël të Gajrakut (vl).- i quajnë kështu ngase janë më të vegjël në krahasim me të tjerët përreth.

- Guri Muqës (l.). Vend me gurë, emri i të cilit lidhet me emrin e një Muqës së dikurshëm, apo mund të kenë qenë në prona të tij?

- Guri Madh (jl.). E quajnë kështu një gur të madh.

- Gropat e Dhelpnave (l.).- Vend shkëmbor ku janë gropat në të cilat strehoheshin dhelprat.

- Guri Çobanit (l.).- i kishte mbetur ky emër ngase dikur në këtë gur ulej bariu (çobani), pushonte dhe i binte fyellit, kavallit etj.

- Guri Kaqylyrit (jl.).- Një vend me gurë, ku ka edhe kaça… Informatori nuk ka ide pse quhet kështu ky vend? Mbase, sipas gurëve dhe kaçave që ka aty?

- Guri Vrellës (l.).-  Është një gur i madh sipër një burimi që quhet Vrella, ndaj e quajnë kështu.

- Kisha (j.).- Kishë e ndërtuar në vitet 2006 – 2006.

- Kulla Bardhokut (vl.).- Një si kullë në shkëmbinj, ku janë srehuar barinjtë për t’u mbrojtur nga shiu dhe moti i lig. Thuhet se e kishte mbaruar një Bardhoku i dikurshëm, sipas të cilit i mbeti ky emër.

- Lisi Garravaqit (vl.).- Ka qenë dikur një lis i moçëm të cilin e kanë quajtur kështu. Na duket se emri i ka mbetur sipas fjalës Garravaç,-e, që e ka kuptimin: i mbledhur kruspull, i kërrusur. (Shih, FGJSSH, Tiranë, 1980, f. 536). Mund të ketë qenë një lis i kërrusur nga vjetërsia, ndaj edhe ta kenë quajtur kështu?

– Mrizet (v.).- Mrize (hijesina) bagëtish. Pronë e fshatit.

- Mrizet e Lop’ve (jl.).- Hijesinë ku kanë mrizuar lopët.

- Mullini Ali Bajrës (jl.).- Mulli me ujë që dikur ka funksionuar, ndërsa tash nuk ekziston. Është i shkatërruar, ku kanë mbetur vetëm gjurmët e tij.

- Mullini Fazli Dautit (j.). Kishte qenë mulli i moçëm, me ujë, pronë e Fazli Dautit (i Fazlidautve), ndaj e quajnë kështu. Tash janë vetëm gjurmët e ekzistimit të dikurshëm të tij.

- Mullini Haxhve (l.).- Mulli i fshatit, i rindërtuar rreth viteve 1963 – ’64.. Ndërkaq, në këtë vend kishte qenë mulliri edhe shumë më herët, pronë e një Rexhë Muratit. Më vonë këtë vend e kishin blerë familja e haxhve dhe emri i mullirit është sipas pronarit të tashëm.

(Të gjithë mullinjtë e Karvasarit që ishin dikur, kishin qenë mullinj me nga një gur. Po ashtu, edhe ky që ekziston tash, ka një gur.

Më herët, kur kanë kanë funksionuar këta tre mullinj, gjatë verës kanë pasur probleme për mungesë të ujit.

- Qafa Gajrakut (vl.).- Kështu quhet vendi, si qafë, ku përfundon një kodër, e njëherit këtu përkufizohet edhe territori i katundit Karvasari, në këtë krah.

- Rrasat (l.).- Vend me rrasa, ndaj e quajnë kështu.

- Rrasat e Qupit (l.).- Vend shkëmbor ku kanë nxjerrë rrasa dikur. Emri i këtij vendi ka mbetur sipas një Qupit të dikurshëm, mbase ka filluar i pari të nxjerrë rrasa aty?

- Shkolla (j.).- Shkollë e ndërtuar në vitin 2003. Shkollë moderne, nëntëklasëshe, me kabinete etj.

- Thanat e Halitit (l.).- Vend me thana (Thana – bimë drunore frutore.) dhe janë pronë e Halitit.

- Vneshtët e M’dhaja (jp.).- Dikur kanë qenë vreshta të mira, në një sipërfaqe të madhe, por, sot nuk i punon askush

- Vrella Jasharit (l.).- Një burim i përhershëm, në pronë të një Jasharit, ndaj i ka mbetur ky emër.

- Xhamia (v.).-  Gjendet afër Vorreve të Katunit, në qendër të fshatit.

- Zuqi (j.).- E quajnë kështu një vend, ligatinë, me shumë baltë, nuk kalohet nëpër të.

 

Pasojat e Luftës së Kosovës në Karvansari

Sikurse në të gjitha anët e Kosovës, lufta e fundit la pasoja tragjike, si në njerëz ashtu edhe në djegie e shkatërrime të vendbanimeve etj.

Po paraqesim një raport për gjendjen e fshatit Karvansari në prag të luftës si dhe pasojat që la lufta.

Në vitin 1999 fshati kishte 92 familje me 780 banorë shqiptarë. Nga ofensivat serbe në vitin 1999, në fshat u dëmtuan 76 shtëpi ose 85% (kat. i-rë 54, kat. II-të  6, kat. III-të 9 dhe kat. IV-të 7 shtëpi).

Shkolla e fshatit dëmtohet. Një ushtar i UÇK-së nga ky fshat është vrarë. Më 1 e 2 prill 1999   449 banorë të fshatit deportohen në Shqipëri, ndërsa 317 mbesin në fshat e gjetiu.11)

Fshati ka shkollën fillore nëntëklasëshe, paralele e shkollës amë në Banjë, ambulancën  dhe disa shitore.

______________

Referencat:

1) Këto të dhëna ia dha autorit Sahit (Hajrullah) Bytyçi (1952), nga Karvansaria, më 19 dhjetor 2013, në Pejë.

2) Dr. Jusuf O s m a n i, Vendbanime të Kosovës, 19, Malisheva, Prishtinë, 2006, fq. 121.

3) Frok Zefi, Arqipeshkvnija Shkup-Prizren në shekullin XVIII, Osjek, 2000, fq. 239.

4) Dr. Jusuf O s m a n i, Vendbanime të Kosovës, 19, Malisheva, Prishtinë, 2006,  f.122.

5) Kallëzim i Sahit (Hajrullah) Bytyçit nga Karvasaria, më 15 janar 2014, në Pejë.

6) Informatori i referencës 1 dhe 5, më 22 dhjetor 2013, Pejë.

7) Dr. Jusuf O s m a n i, Vendbanime të Kosovës, 19, Malisheva, Prishtinë, 2006, f. 122.

8) Informatori, Sahit Bytyçi më informoi se këtë lëndë toponimike e kanë shënuar: 1. Zeqir Gredalla (1924), nga Karvasaria, i cili di shkrim-lexim, ka qenë i burgosur politik. (Mbiemrin Gredalla (dëgjohet edhe Gërdalla) e kishte marrë sipas lokalitetit Gredalla, nja 1 kilometër në periferi të katundit, ku jetonin familja e tij.; 2. Ahmet (Hamit) Bytyçi (1930), bujk nga katundi Karvansari.; 3. Xhemajl (Shaqir) Bytyçi (1950), nga i njëjti fshat, mësues në shkollën fillore “28 Nëntori” në Karvansari; 4. Izet (Avdyl) Bytyçi (1930), nga Karvansaria, di shkrim-lexim.

9) Këtë listë me 79 emërtime toponimike të territorit të katundit Karvansari të komunës së Malishevës, të shkruar në kompjuter, ma solli miku im Sahit (Hajrullah) Bytyçi (1952) nga Karvasaria, më 22 dhjetor 2013, në Pejë. (PS: Me Sahitin, edhe më parë kishim pasur disa kontakte, ku kishim biseduar për shtrirjen dhe degëzimet e banorëve të fisit Bytyç nëpër zona të ndryshme të Kosovës).

10) Sipas informatorit Sahit Bytyçi, më 7 janar dhe 11 janar, në Pejë.

11) Dr. Jusuf O s m a n i, Vendbanime të Kosovës, 19, Malisheva, Prishtinë, 2006, f. 122.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora