E enjte, 02.07.2020, 11:09 AM (GMT+1)

Aktualitet

Halil Matoshi: Është dashur të arrestohen imamët

E hene, 11.08.2014, 07:35 PM


Intervistë me Halil Matoshin: Është dashur të arrestohen imamët që predikojnë islamin politik

Analisti politik Halil Matoshi thotë se aksioni i sotëm i arrestimit të 40 personave, është më shumë një reaksion i klasës politike për t’i larë faqet para Perëndimit. Sipas Matoshit, koalicioni i dikurshëm PDK –AKR dhe vet PDK’ja janë thellësisht të implikuar në rritjen e islamit politik duke koketuar me Myftiun Naim Tërrnava dhe imamë si Shefqet Krasniqi e Irfan Salihu. Matoshi konsideron se para së gjithash është dashur të arrestohen imamët të cilët me lejen e Bashkësisë Islame të Kosovës predikojnë islamin politik dhe antisemitizmin nëpër xhami. Analisti Halil Matoshi flet për Express.

Express: Si e vlerësoni arrestimin e 40 personave, që sipas Policisë së Kosovës dyshohet se kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak? A është marrë ky aksion në kohën e duhur?

H.Matoshi: Aksioni policor në rrafshin shoqëror dhe politik më duket i vonuar dhe spektakël i paqëndrueshëm, kurse në rrafshin kohor dhe ideologjik më duket reaksion sa për t’i larë faqet para Perëndimit. Kosova ka nevojë për dialog, (për debat shoqëror) me shtetasit, të rinjtë e këtij vendi, për rehabilitimin e tyre shoqëror, për t’i fituar ata e jo për t’i humbur, pra kurrqysh për fabrikim të një armiku të brendshëm.

Express: A mjaftojnë sipas jush këto arrestime apo duhet të vazhdohet ende më veprime të tilla?

H.Matoshi: Klasa aktuale politike – posaçërisht koalicioni qeverisës PDK-AKR por edhe koalicioni i PDK-së që garoi në zgjedhjet e 8 qershorit është e implikuar thellësisht në rritjen e islamit politik në Kosovë, sepse ka koketuar gjatë me imamë që kanë kryer studime islame në botën arabe dhe posaçërisht me Myftiun e Kosovës Naim Tërnava, por edhe me imamë tjerë ekstremistë si Shefqet Krasniqi, Irfan Salihu e dhjetëra të tjerë. Arrestimi pompoz i rreth 40 të rinjve druaj se mund të ketë efekt të kundërt, nga ai i dëshiruari. Pra këto spektakle të shtetit po e martirizojnë një shtresë shumë të mjerë, naive dhe injorante të popullsisë, sepse tek një pjesë e publikut kosovar (tek besimtarët islamë) po e krijojnë idenë se po persekutohen besimtarët islam në favor të ndonjë feje ose ideologjie tjetër. Pra veprimet e tilla janë kundër produktive! Ideja ime e kamotshme ka qenë që këtyre personave të mos u lejohej kthimi në atdhe – pra përmes marrjes së shtetësisë me privim – sepse nëse ata kanë marrë pjesë në luftërat në Siri, përkatësisht në Irak – krimet eventuale të tyre do të mbesin të pa zbardhura dhe ndjekja dhe dënimi i tyre eventual tingëllon thjesht në ndjekje politike!? Fundja Kosova nuk ka ende një ligj me të cilin mund të dënohen këta persona, pos nëse nuk provohet veprimtaria e tyre klasike terroriste, e cila, për bindjen time është vështirë e dokumentueshme – sepse veprat eventuale terroriste nuk janë kryer brenda Kosovës, ku edhe mund të sigurohen provat, porse në vende kaotike që gjenden në vlugun e luftërave civile. Pra Prokuroria e shtetit pos spektaklit nuk do të mund të sigurojë prova të mjaftueshme për ngritje aktakuzash, kurse gjyqësori nuk do të arrijë kurrë t’i vërtetojë provat që mund të shpijnë në ndëshkimin eventual të këtyre të rinjve kosovarë.

Express: Cilat janë veprimet e ardhshme që duhet t’i bëjë shteti ndaj njerëzve që dyshohet se po luftojnë në Siri dhe Irak?

H.Matoshi: Për këtë duhen analiza të sakta të shkaktarëve, që janë disa: Rrënimi i hierarkisë së vlerave morale e kulturore nga paslufta e këtej dhe vrapi pas pasurimit përmes pushtetit politik dhe moskrijimi i një hierarkie të re të vlerave; Pastaj papunësia e madhe dhe shkollimi i dobët; Izolimi i kësaj shtrese të rinjsh nga burimet kombëtare të te mirave materiale dhe shpirtërore; Pa-perspektiva dhe fukarallëku i skajshëm; por edhe veprimtaria e disa organizatave kinse bamirëse islame që kanë vepruar dhe vazhdojnë të veprojnë në Kosovë që nga paslufta e këtej duke bashkëpunuar ngushtë me BIK-un... E thash më përpara, Kosova ka nevojë për një debat të madh ndër shoqëror, ndër qytetar e ndër akademik. Kosova s’ka njerëz për të humbur, ajo duhet ta fitojë këtë betejë kundër islamit politik me edukim dhe emancipim, me perëndimorizim të shoqërisë dhe me mirëqenie, e kurrqysh me masa represive.

Express: Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, ditë më parë ka mbledhur krerët e institucioneve të sigurisë, po ashtu është deklaruar disa herë kundër shkuarjes në luftë. A mendoni se është meritë e saj edhe arrestimi i ditës së sotme?

H.Matoshi: Jo, jo ajo vetëm është alarmuar dhe ka dashur që të shfaqet në publik përmes një kinse suksesi – kur dihet se ajo nuk është duke e ushtruar detyrën e saj kushtetuese në rrafshin politik-publik, sepse nuk ka garantuar funksionimin e institucioneve demokratike në vend dhe sidomos nuk e ka mirëmbajtur unitetin e popullit që nga zgjedhjet e 8 qershorit e këtej. Dhe marrja e stafetës “anti-terror” nga ajo dëshmon se Zonja Jahjaga, po synon ta zhvendosë vëmendjen e publikut kosovar nga ngërçi politik dhe institucional që i ka kontribuuar për t’u marrë kinse me krye lëngatën e Kosovës, grupet terroriste islame, që sipas bindjes sime të thellë janë vetëm flokula të lojërave pushtetare, sepse besoj thellësisht se në Kosovë mund të shfaqen individë ekstremistë por nuk ka truall për shfaqje të tilla masive, sepse këtë vetë populli, shoqëria kosovare nuk do ta lejojë. Presidentja ka të tjera punë – ajo nuk ka guxuar të shndërrohet në ndëshkuese para se ndonjë gjykatë ta thotë verdiktin e saj, sepse Presidentes është dashur t’ia bëjë me dije dikush prezumimin e pafajsisë. Mirëpo, kjo zonjë u shfaq kinse po e godet një armik – i cili, sipas meje - në masë të madhe është fabrikuar në Kosovë – nga vetë klasa politike, për ta zhvendosur vëmendjen e publikut kosovar nga kriza politike, morale dhe e vlerave në vend!?

Express: Policia e Kosovës ka paralajmëruar se janë duke u hetuar edhe disa imamë për nxitje të të rinjve që të shkojnë në luftë. A mendoni se edhe këta e kanë një barrë për këtë fakt dhe a duhet të merren masa edhe ndaj tyre?

H.Matoshi: Po natyrisht, secila çështje e hapur duhet trajtuar nga koka jo nga bishti. Organet e ndjekjes duhej që më parë të hetonin shumë imamë (kinse dijetarë islamë të proveniencës xhihadiste) e disa prej tyre duhej arrestuar – sidomos ata që predikojnë islamin politik dhe antisemitizmin në disa xhami kosovare...

Express: Ku e shihni përgjegjësinë e BIK-ut në tërë këtë situatë?

H.Matoshi: BIK-u i ka mbështetur në vazhdimësi tendencat e tilla, të një islami burimor – duke toleruar predikime fashiste – nën petkun e islamit nëpër disa xhami kosovare dhe duke i luftuar imamët e moderuar shqiptarë të Kosovës, të cilët thirreshin në mënyrën tradicionale të praktikimit të fesë islame në këto hapësira. Dihet botërisht se Myftiu Tërnava është i afërt me PDK-në dhe Hashim Thaçin sepse këtij grupacioni politik i ka shërbyer më tërë kapacitetet për të mbledhur votat nga ‘xhemati’, nga besimtarët e fesë islame. Prandaj publikisht, partitë politike dhe institucionet e shtetit duhet kërkuar dorëheqje kolektive nga kreu i BIK-ut (veçmas Myftiu i Kosovës) si dhe duhet hartuar me urgjencë ligji për bashkësitë fetare dhe duhet hartuar një rregullore që eviton propagandimin në xhamitë kosovare të disa ajeteve kur’anore që mund të interpretohen si thirrje në dhunë (siç është p.sh. Sure 2: 191.) Imamët kosovarë duhet të insistojnë tek ana paqësore e Kuranit, duke u bërë më shumë jehonë sureve dhe ajeteve kuranore që e promovojnë paqen mes njerëzve e popujve siç janë Suret 4:171 (ku Jezusi është quajtur fjala e Zotit), dhe Sura 44:23, (ku “fëmijët e Izraelit” janë lavdëruar); Ose 9.29. "Kurse robërit e të Mëshirshmit janë ata të cilët nëpër tokë ecin qetë (lehtë), ndërsa kur u drejtohen injorantët, thonë: “Paqe e qetësi!”

Mendoj se pjesët e vajtueshme të Kuranit – pjesët e vajtueshme të çdo dorëshkrimi fetar – nuk kanë shumë rëndësi, prandaj duhet të mënjanohen nga predikimi!?.

Si p.sh. Sure 2: 191: “Ata luftoni (mbytni) kudo që t’i gjeni, përzini prej aty prej nga ju kanë përzënë ata juve. Dhe shpifja është më e rëndë se vrasja. Por mos i luftoni ata kur janë në tempullin e shenjtë, derisa ata të mos ju sulmojnë aty. Nëse ju shpallin luftë, atëherë luftoni edhe ju ata! Ashtu është shpërblimi për mosbesimtarët.” Pra duhet mënjanuar nga predikimet. Së këndejmi duhet prerë rrënjët e kësaj doktrine të rizgjimit islam - për t’i lënë hapësirë besimit në islamin tradicional – evropian.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora