E shtune, 27.02.2021, 06:04 AM (GMT)

Kulturë

Odise Plaku: Ardhja e një fëmije në jetë

E shtune, 10.05.2014, 04:49 PM


Ardhja e një fëmije në jetë

Tregim nga Odise Plaku

Është natë. Korriku ka hyrë në ditën e tij të pestë me një vapë të tmerrshme që të shtrëngon me thonjtë e vet mbytës. Ajo, edhe tani që ka kaluar mesnata, të nxjerr currila djerse nga balli dhe nga sqetullat që djegin. Nëpër natë maten të ecin rryma ajri të freskët, por nxehtësia e madhe që vjen nga toka, i shkatërron pa arritur tek ne, por edhe, kur vijnë, kuptohet, që gjendja e tyre është e mekur.

Qyteti fle. Mesnata ka kaluar prej kohësh. Nga ballkoni shikoj bulevardin, pushtuar nga boshësia e njerëzve që, nën petkun e dritës së neoneve, duket më i shkretë. Tek-tuk vrapon nëpër asfalt ndonjë mace që afrohet turravrap poshtë neonit për të mbërthyer në thonjtë e saj fluturën e rënë apo ndonjë karkalec të verbuar a trullosur nga drita a nxehtësia e llampës. Degët e rrapit zgjaten në atë qetësinë e tyre dhe duket sikur po nxjerrin lodhjen e ditës. Më kujtohet ky rrap këtu e para njëzet vjetësh. Sa i vogël, i brishtë! Ai, edhe pse hoqi shumë nga fëmijët trazovaçë, pati fuqi të rritej, të ngjitej lart. Dhe u rrit shumë shpejt. Ndoshta, si për të shpëtuar nga fëmijët harrakatë. Kur filluan rregullimet e bulevardit dhe po ndërtohej një bordurë, rrapin s’e prekën. Bordura u bë me një hark. Tani nën hijet e degëve të tij duket sikur zhvillohen turnetë e pushimeve, të çlodhjes, pastaj njerëzit iknin, vazhdonin shëtitjet, por të tjerë ulen poshtë tij, tek bordura. Dhe ai rritet si një fëmijë i mbarë.

Fëmija.

Nga dhoma e gjumit zëri i tim biri ka heshtur. Ndoshta edhe gruan e ka zënë gjumi. Është lodhur me atë sot. Im bir ka ditën e parë të të jetuarit në shtëpinë e tij, ditën e katërt të ardhjes së tij në jetë. Paradite, një çast, iu afrova krevatit të tij. Ai flinte. Fytyra ishte e kuqe si e lyer me gjak. Ishte gjaku im ky fëmijë. Vendosa buzët mbi hundën e vockël, e putha. Lëvizi. E putha përsëri. Në çast hyri nënëmadhja. Qeshi, pastaj më kapi nga krahu dhe më hoqi nga vetja.

-Mos ma trazo djalin kur fle. I thashë dhe nuses, kur fle mos më shikoni djalin, se m’i merrni bukurinë.

Vazhdonte të më tërhiqte lehtë nga krahu. Dolëm të dy nga dhoma.

- Ç’po bënte? - pyeti gruaja. - Fle?

Tunda kokën.

- E do? - më pyeti nëna për djalin.

E kuptova ku donte të dilte.

- Jo, - iu përgjigja me të qeshur.

I hodha krahun sipër supeve. Afrova kokën dhe e putha në gushë. Pastaj edhe ajo mua.

- Duhet, djalo, duhet. Është gjaku e mishi yt, prandaj të thërret që ta duash. Të thërret gjaku yt.

Tani edhe ajo po fle. Kurse unë qëndroj në ballkon dhe thith cigare.

Të thërret gjaku yt...

Në atë krevat ai dukej fare i vockël.

- Më mirë në djep,- kishte thënë nënëmadhja, kur kishte parë krevatin. - Djepi ia lidh shtatin, kurse këta e çaftërrosin fëmijën.

Gruaja ishte skuqur në fytyrë, por nuk kishte folur.

Nënëmadhen, pra gjyshen time, e mora kur lindi gruaja.

Kështu kishte bërë edhe motra për të rritur fëmijët. Kështu edhe vëllai tjetër e shumë nga të afërmit tanët. Kështu edhe unë. Dyzet ditë qëndronte ajo, pastaj ikte. Për dyzet ditë fëmijët ndërronin në duart e saj, bëheshin buçko.

Veç t’i shikoje kur i lante!

Gruaja ishte trembur, pasi mamitë e kishin porositur të mos i bënte banjë për një javë, deri sa t’i binte kërthiza.

Nëna tundi kokën dhe urdhëroi:

- Vëre ujin të ngrohet!

Pastaj m’u drejtua mua:

- Më gjen një pendë ti?

Bëri gati ujin dhe, sapo zhyti pendën në ujë, mërmëriti dhe futi djalin brenda.

Ai filloi të qante me të madhe. Ashtu e përkulur, nënëmadhja i fliste, sikur ai ta dëgjonte e ta kuptonte. Ajo i shkumoi duart e nisi t’ia hapte ngadalë. Po ashtu edhe shputat e këmbëve, tendinët...

- Tani dua të më ndihmosh,- iu drejtua nuses, tek e nxori nga uji dhe filloi ta fshinte.

- Shikomë, - e urdhëroi tek e lidhte në pelenat e bardha të qëndisura me lloj-lloj lulesh e figurash të tjera. Dihaste nga lodhja.

- Kujdes krahët, mos ia zërë ters. Edhe këmbët shtrija. Tek koka lëri pak mbulesë t’ia pijë avullin.

Më në fund ia vendosi në krahë.

- Jepi të pijë tani.

U ul. Fshiu duart ende të lagështa, djersët e ballit dhe sytë.

- S’jam më e para, - u ankua. - U plaka. Më lanë fuqitë.

Pastaj, sikur të ishte penduar që e tregoi dobësinë, m’u drejtua:

- E po edhe një çupë do të ta rrit ty.

- Kur e do ti? Që nesër e bëj, - qesha.

- Jo, jo, tutje, pas tre-katër vjetësh.

Ata tani flinin, kurse unë, i vetëm në ballkon, i pagjumë. Gjumi më ishte larguar. Kishte filluar pak fresk. Ndoshta afrohej ora e agut të ditës. Edhe im bir flinte në shtratin e madh pranë nënës së tij.

- Ë, ë, qerrata pushove tani.

Gruaja e vendosi mes nesh. Ai papritur e pushoi të qarën.

- Ku vete?

- Në ballkon. Dua të freskohem pak. S’kam as gjumë.

Ishte nata e parë e tim biri në shtëpi, dita e katërt e ardhjes së tij në jetë.

Drita e dhomës së kuzhinës u ndez. Ishte ngritur nëna. U futa brenda. Në jastëk kishte mbetur shamia e zezë, gjysmë e mbledhur. U shtriva në shtratin e saj. Ai mbante ende ngrohtësinë dhe aromën e kurmit të saj. E njihja atë aromë prej vitesh, që nga fëmijëria ime, kur futja kokën në bluzën e hapur e më zinte gjumi. “Kur të martohem, ty do të të fus në mes, kurse nusen në anën tjetër, - i kisha premtuar dikur.”

Ajo qeshte. Më puthte flokët dhe më pyeste përmes zërit të ulët se mos harroja.

- Për kokën tënde! - betohesha unë.

Ndjeva fëshfëritjen e fustanit. Ajo ishte kthyer nga banja. U ngrita ndjenjur. Ora shënonte katër e gjysmë. Sytë e saj kishin vënë një qeskë të stërmadhe. M’u dhimbs. Me të linjtat dukej akoma edhe më e plakur.

- S’ke fjetur mirë?

- Sa të mësohem. Ndërrova edhe vendin.

- Do një kafe?

- Bëmë një gotë me ujë me sheqer njëherë.

Lëngu i ngrohtë, teksa preku faqet e filxhanit,  lëshoi një fishkëllimë të hollë. Hapa edhe derën e ballkonit.

- Lëre të flamosurin. Helm është. Apo tani u bëre tamam burrë. U bëre edhe baba,- më qeshi.

- Jo...pse… - fola kot.

- Eh, more djalë, kështu është prindi. Harron gjumin e tij, që të flejë i vogli. Tani që po e provon, duhet të kuptosh se ç’është prindi, ç’është dashuria e tij. Ai po fle, - bëri me kokë nga dhoma, - kurse ti dhe ajo jeni zgjuar. Mos kujto se nëna fle. Jo. Edhe ajo rri zgjuar së brendshmi.

Nga dhoma tjetër erdhi zëri i tij. U mata të ngrihesha, por nëna më ndaloi.

- Ulu. S’ka gjë. Është punë grash.

Në zërin e saj dallova një lloj mësimi, një këshillë për të nesërmen.

- Dëgjo, more djalë. Nusen do ta ndihmosh aty ku është për t’i dhënë një dorë, se dhe ajo shpirt ka, por mos u bëj ti grua. Kur qan fëmija, nëna e pushon, e qetëson me fjalën e dorën e saj. I kam inat ato gra që e lënë fëmijën të qajë, u kalojnë pranë e u hakërrehen: “E more zanat tani. T’u shqye goja nga të pëlliturat.”

Pastaj m’u drejtua sikur më pyeste:

- Hë, si thua, gra janë ato? Kam rritur shtatë dhe asnjërit s’iu dëgjua zëri. Të shtatë për bukuri, si pëllumba, kurse sot…Sot, me një dhe ju vini kujën , me dy vilanoseni, me tre vdisni fare. Duhet fëmija, biro, duhet. Nuk i dihet si merr kjo qëne. Deri në tre. Tre janë mirë për prindin.

U mata t’i ktheja përgjigjen, kurse ajo s’më la të flisja.

- E di, e di ç’do të thuash, - tundi gishtin e saj të tharë e gati skeletik. - Më dëgjo tani.

Hapi gojën.

- Dreq! Gjumë s’më vjen, e goja më hapet.

Mblodhi këmbët nën vete dhe u rregullua duke u mbështetur në krah.

- Të thashë që kjo jetë virane nuk dihet s’i merr. Do të tregoj dy gjëra që të bindesh. E mban mend atë shtëpinë buzë kanalit të madh që kishte dy mëna të mëdhenj, njeri i zi e tjetri i bardhë? Ja, për atë shtëpinë do të tregoj. E shoqja e Likos, që ti i thërrisje nënë Kate, bëri dymbëdhjetë frymë, tetë çupa dhe katër djem, por njëmbëdhjetë ia mori sëmundja brenda dy javësh. Dhe jo të vegjël. I mbeti vetëm një djalë, por edhe ai s’qe e thënë. Ia zuri korenti. I la gruan me dy fëmijë. Gruaja u martua. Ata ngelën vetëm. Nuk u qasej njeri për t’i ndihmuar. Plaku vdiq nga marazi. Plaka mbeti e vetme. Një ditë e gjetën të vdekur. Kishte zënë erë, bir. Besoj e mban mend.

Nuk mund ta kundërshtoja. Ajo fliste, kurse sytë i mbante gjysmë të mbyllur. Nuk mund ta trazoja. Më dukej sikur ishte në atë fazë, kur gjumi të pushton ngadalë.

- Dhe ishte nënë e dymbëdhjetë fëmijëve. Jo pak, por kaq herë kishte luftuar me vdekjen. Kurse ajo vdiq e vetme...Po Gjenën e mban mend?

- Ajo plaka që kishte atë shtëpinë e vogël…?

- Çfarë shtëpie? Shtëpi kishte i biri, kurse ajo kishte kotec. E mbake mend. Një djalë ka, po pse e ka! Kur mori buzëkuqen, filluan të gjitha sherret. Nëna e babai të bëjnë për nuse, jo nusja të bën me nënë e baba. Pse deshi nusja, e nxori të ëmën në kotecin e pulave. E di atë historinë e zemrës së nënës. Zemra e nënës, edhe e lënduar, thotë “bir”, nuk të mallkon e të hedh poshtë. Dhe si e ka rritur ajo atë djalë! Me gjak, me gjakun e saj. Më pyet mua për atë grua. Ajo që luftoi në të ri, u përpoq të rriste si s’ka më mirë atë kërthi, ajo pati fatin më të hidhur që mund të ketë një nënë. A mund ta qash fëmijën për së gjalli? Jo, thua ti? Ajo e zeza e qante të birin e ulur në buzërrugë. I njihte çapat tij dhe u merrte erë. Ah, nëna është qëne nga shpirti. E ke dëgjuar të thonë kështu?

Fliste përsëri, po me sytë gjysmë të mbyllur. Dukej sikur hakërrehej brenda vetes me dikë tjetër. E vështroja në fytyrë dhe ndiqja hapjen e ngadaltë, por jo të përtueshme të gojës, prej nga po dilnin fjalë energjike.

- Ja pse them që duhen deri në tre fëmijë. S’i dihet jetës, djalë. Të paktën njëri do të bëhet shtrojë. Unë kam shtatë shtroja dhe dhjetëra shtrojëza si kjo ku jam këtu.

Rregulloi shaminë e zezë. E lidhi atë xhufkë, por një tufë i ra lehtaz nga shamia. E ndjeu fshikjen e tyre. I futi ngadalë me gisht. U shtri ngeshëm. Hapi gojën.

- M’u duk se të lodha me fjalë.

Mëngjesi po vinte i vakët. Ora donte dhe pak të shënonte gjashtë.

- Shtrihu edhe ti pranë nuses, por mos e ngacmo, - qeshi.

Iu afrova shtratit të nënës. U ula në gjunjë pranë saj. Sytë tanë u vështruan një çast. E putha në ballë. Nuk e di çfarë ndjeva. Ndoshta një keqardhje për moshën e saj, për rrudhat e saj, nuk e besoja se do të plakej akoma dhe më shumë.

- Nesër do të flesh mes meje dhe nuses,- i pëshpërita.

I qeshën sytë. Zgjati dorën e saj të hollë. Prekja e saj s’di pse  ma shtoi atë dëshirë për të derdhur lot.

- Mes teje dhe nuses s’ka njeri. Çdo gjë e ka ndarë zoti. Ka lënë vendin e gruas, të motrës e vëllait, të prindërve e të fëmijëve. I ka ndarë vetë zoti, bir. Po të jemi sipas vendeve, jemi të lumtur ne, por edhe ju.

Mbylli sytë dhe humbi në gjumë. Më erdhi keq. Ndoshta e lodhja me fjalë. Ndërsa u mata të dilja në majë të gishtave, ajo foli si në mërmërimë:

- Vër pak ujë të ngrohet, se, zëre, është zgjuar yt bir.

Qesha. Vërtet, ai filloi të qante. Ishte mëngjesi i parë në shtëpinë e tij. Dëgjova edhe zërin e nuses që përpiqej ta qetësonte me fjalë.

Ndjeva gëzimin të më rrokte kraharorin. Qante im bir.

Ishte mëngjesi i parë në shtëpinë e tij...



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora