E shtune, 27.04.2024, 02:42 AM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Një portret tepër...(e pa...kush e pa?!)

E marte, 06.05.2014, 08:05 PM


Një portret tepër...(e pa...kush e pa?!)

Nga Elvi Sidheri

Në mënyrë të përpiktë, data 5 maj këtij viti, nuk u arrit dot (ose nuk u dëshirua) që t’i shmangej si rëndom kohët e fundit, nderimeve të turpshme të figurës së ish diktatorit Hoxha.

Skenat e llojit të minorenëve të pavetëdijshëm në varrezat e dëshmorëve të Përmetit, që ngrejnë grushtat drejt tëmthave të tyre, duke mishëruar prapë 24 vjet pas përmbysjes së regjimit komunist, sërish simbolin e devotshmërisë truasgjësuese ndaj Partisë dhe Udhëheqjes, të lenë një shije të hidhur për të thënë pak, por njëkohësisht edhe të venë në mendime.

Kaq prapa të jemi vallë?

“Dum Babën” do gërthasë gjithmonë ky popull?

Kaq thellë brenda hapësirave të trurit të atrofizuar, pa aftësi vetëmenduese të shpëlarë me themel të gjindjes shqiptare, të ketë hyrë figura e shokut Enver dhe 200 petritëve të Nënës Parti, saqë as dy dekada e gjysëm demokraci, nuk kanë arritur që t’a çlirojnë shqiptarin/shqiptaren nga hija e ndyrë e atij 45 vjetëshi totalitar?

Duket se po!

Diku tjetër, jo shumë larg Përmetit ku qenë detyruar kalamajtë që të lenë mënjanë lojrat tipike për moshën e tyre, facebook-un apo shkollën dhe ishin dërguar me grusht përpjetë, për të përkujtuar merhumin gjakatar dhe shokët e tij në krim e asgjësim të kulturës, traditave, ajkës së inteligjencës, klerikëve, fisnikërisë dhe të ardhmes së këtij vendi, degë të qeverisë përkuleshin përballë një alamet portreti të “xhaxhit”...

Një zyrtaruc lokal i njërës prej dy partive të qeverisë, na kujtonte prapë (se mos e harronim...”përsëritja nëna e dijes dhe babai i mërzisë”!)...se “shoku shpati” na paskërka patur edhe do merita sipas tij, të pakundërshtueshme lidhur me të ashtëquajturin drejtim nga ana e tij, të Luftës Nacionalçlirimtare në vitet 40-ë.

Kurse si qershi mbi tortë, duan të thonë se edhe një ish kryeministër i respektuar, na e pati ngritur edhe ai grushtin lart e më lart (...”flamujt e kongresit”-siç thoshte një këngë soc-realiste dikur), në shenjë përunjie të përdëllyer ndaj udhëheqësit tonë legjendar, të pagabueshëm, sypatrembur, shpatullgjerë (edhe pak dylber thonë gojët e liga), vetullhark etj. etj. etj.

Urime të gjithëve pra!

Më mirë se kaq prishet!

Unë them që tani, pa i rënë kështu anash “si nga Kina” siç thotë populli i urtë dhe mjaft i ditur, t’a marrim një bust të shokut Enver, se nëpër magazina apo kopështe shtëpish të ndonjë nostalgjiku të ngratë të ish sistemit, çoç kanë mbetur disa syresh...dhe t’a vendosim sërish në mes të ndonjë sheshi, se u zgjat pak si shumë kjo çështje.

Pastaj padyshim, me iniciativë dhe vetëveprim, me propozim nga lart dhe iniciativë nga poshtë, kuptohet, të rishpallim si ditë feste edhe 16 tetorin, pse jo dhe 8 nëntorin e themelimit nga shokët e nderuar jugosllavë të Partisë sonë.

Pse more, ç’faj kanë bërë të gjorët komunistë të vonuar që dergjen cepave duke shpërndarë trakte tinzash porsi ilegalët e dikurshëm, apo teksa marrin mbi supe me gjoksin lart dhe këngët e partisë në gojë (...neve jemi, komunista, shokët e Enverit) portretet e udhëheqësit, duke u rrekur varrezë më varrezë, për 29 nëntor e 5 maj, që të nxjerrin para kamerave televizive imazhet e “Kumandarit”?!

T’i  lemë enveristët e shkretë që lajthitjen e tyre (për të cilën do pranuar se në mënyrë shumë të admirueshme, janë tejet krenarë)...t’a demostrojnë botërisht, pa u infiltruar nëpër ceremonira shtetërore si minjtë në hambar...dhe pa e lënë veten e tyre të keqpërdoren nga ata që veprimet publike Enver-dashëse, pasi i bëjnë me ndërgjegje të plotë, më pas rregullisht ua shkarkojnë ekskluzivisht partiçkave komuniste ose të punës të reformuara dhe militantëve të tyre qesharakë.

Kjo është një lojë të cilës tashmë i ka dalë plotësisht era!

Mënjanë këtij aspekti më tepër të pështirë sesa gjë tjetër (jo më pak fyes dhe provokues për ata shqiptarë të shumtë, që regjimi komunist dhe përfaqësonjësit e tij më të spikatur, me në krye shokun Enver, i mori në qafë kolektivisht për gati 50 vjet, duke ua kthyer jetën në një skëterrë të pahasur më parë e më pas në Europë), sidoqoftë të tjera pikëpyetje legjitime lindin nga nderimi i përsëritur i portretit dhe figurës së diktatorit për 5 maj.

Ky 5 maji, ka të bëjë vetëm me Qemal Stafën, me të dhe gjithë të rënët gjatë Luftës NacionalÇlirimtare kundër okupatorit nazifashist, apo me të tërë dëshmorët e kombit?

Se po të jetë për Qemal Stafën, pakkush mund të ketë edhe sot e kësaj dite ndonjë lloj kundërshtimi.

Djalë i ri idealist, trim, me një botë të pasur dhe të gjerë intelektuale, një nga të parët komunistë të vërtetë të Shqipërisë së viteve 30-40, i influencuar si shumë të tjerë, nga utopia e bukur në parealizueshmëri (përveçse si diktaturë)...komuniste.

Kujt i bëri keq Qemal Stafa me rininë, karakterin e çiltër dhe idetë e tij utopike për një botë të barabartësh, pa skamje apo varfëri?...

Askujt!

Kush i bëri keq Qemalit ndërkohë, kush sipas të gjitha gjasave e shiti tek pushtuesit vendndodhjen e tij “sekrete”, kush e konsideronte atë si një rival potencial, njeri me staturë dhe aftësi tejet më të theksuara drejtuese dhe intelektuale?...

Nuk do shumë mend për t’a kuptuar ndërkohë.

Vendosja e 5 majit si dita e dëshmorëve, është prova e madhe se jo gjithmonë vrasësi nuk kthehet në vendin e krimit!

Ky i joni (merhumi) u kthye që ç’ke me të!

Për më tepër në librat e tij të vona (andej nga fillimi i viteve 80-ë) shkonte e tregonte legjenda e përralla me mbret, ndërsa hidhte ndonjë kujtim në kartë, që synonin t’i tregonin lexonjësve dhe vegjëlisë shqiptare, se Udhëheqësi ynë, na e kishte bërë edhe gjumin e fundmë, ngjitur me Qemalin, natën përpara se ai të vritej.

Më pas kur i kishte ardhur lajmi i kobshëm, na i pati vënë edhe duart në kokë nga dhimbja!

Lëre mos e pyet më!

Shprehja “të vrasin natën e të qajnë ditën” këtu gjen vend vendosmërisht.

Gjithësesi, po të jetë se 5 maji është dita kur kujtojmë me nderim dhe përulje, sakrificën dhe veprën e Qemal Stafës, atëherë kjo nuk është kurrësesi diçka e keqe.

T’a përkujtojmë këtë djalë të ri me shumë ëndërra të parealizuara dhe një jetë të këputur në mes nga plumbat e armikut.

Problemi është që nuk është se pashë me datë 5 maj 2014 ndonjë portret të Qemal Stafës as në Varrezat e Dëshmorëve të Tiranës, as në këmbët e atij monumentit për dëshmorët në Berat (o Berat ç’e pate fat, Udhëheqësin nderove prapë, o Berat more!)...ku ndërkohë nuk mungoi fare një foto e shokut diktator, para së cilës përkulën kurrizin një tufë me zyrtarë të shtetit “pluralist” dhe mbi të gjitha “demokratik” shqiptar.

Shtet që në qershor pret edhe statusin e vendit kandidat për në BE, teksa nderon rregulllisht figurën e një maniaku kriminal që Europa e konsideron njëzëri si një figurë delirante simbol të shtypjes izoluese më brutale ndaj popullit të vet.

Jemi pikërisht në rrugën e duhur drejt BE-së kështu!

Këto janë padyshim vlerat më të mira me të cilat do të paraqitemi së shpejti përpara dyerve të Brukselit.

Të mos harrojnë që herë tjetër kur të venë në Bruksel, të marrin me vete edhe ndonjë prej këtyre portreteve të mëdhenj të merhumit, t’i nxjerrin nga stivat ku i paketojnë midis një 29 nëntori dhe 5 majit të rradhës e bashkë me to t’u dalin njëherë përballë po të kenë guxim, zyrtarëve europianë!

Aty do t’a shohin se çfarë mendon Europa e qytetëruar për nostalgjinë diktatoriale enveriste, sidomos kur diçka e tillë merr edhe trajta apo për më keq, bekim zyrtar...

Po të niset e të shkojë një zyrtar gjerman largqoftë në Bruksel me foton e Hitlerit në xhep apo me nën sqetulla një portret të tij?

Po sikur dikush, aq më tepër zyrtar nga Italia, të duket në Bruksel me portretin e Musolinit?

Do të bëhej një skandal marramendës, një gjëmë e vërtetë që do të shkundte nga themelet kryerësit e një akti të tillë të ulët dhe provokues!

Në Spanjë ende në ditët e sotme afërsisht gjysma e vendit, nuk ndjen ndonjë kundërshti të theksuar ndaj figurës së ish diktatorit Francisco Franco, njeriut që mundi Republikën socialiste me prirje anarkike dhe komuniste, bashkë me aleatët e tyre të brigadave ndërkombëtare gjatë Luftës Civile Spanjolle e që qeverisi vendin deri në mes të viteve 70-ë.

Por nëse dikush, sidomos jashtë sferës private, do të bënte marrëzinë që të dilte në ndonjë ceremoni shtetërore me një foto të Franco-s, atëherë sigurisht që një dënim ligjor do të pasonte.

Kështu ndodh në botën demokratike të qytetëruar, aty ku ligji funksionon dhe ku vlerat e lirisë, nuk e pranojnë, e refuzojnë me përçmim, përdëllimin dhe himnizimin e figurave diktatoriale.

Kaq, kjo çështje duhej mbyllur njëherë e mirë këtu!

Nostalgjikët e regjimit, enveristët e rinj apo të vonuar, kanë të drejtën e tyre që të adhurojnë, të idhullojnë, të derdhin lot e të përkulen përballë diktatorit mëngjes-drekë-darkë po deshën!

Por këtë nevojitet t’a bëjnë privatisht.

Jo se nëpër Europë nuk qarkullojnë ithtarë të nazistëve, fashistë të ndryshëm, ekstremistë të majtë e anarkistë, por në publik nuk para i lejon kush që të dalin sidoqoftë!

Dita e 5 majit, për vetë faktin se lidhet pazgjidhshmërisht me emrin dhe veprën e Qemal Stafës, duhet respektuar nga të gjithë për ato vlera të luftës dhe lirisë kombëtare, që ajo ngërthen në vetvete.

Qoftë edhe sikur shumëkush këtë ditë t’a lidhi vetëm me gjakun e atyre që luftuan okupatorin nazifashist gjatë Luftës NacionalÇlirimtare, gjithësesi kjo është një arsye mëse e respektueshme, për t’i bërë çdo vit nderimet e përshtatshme këtyre njerëzve që dhanë jetët për atdhe, pa ditur shumica e tyre, se çfarë mënxyre do të përfshinte atdheun që po çlironin, kur klika moniste do të merrte pushtetin pas 44-ës.

Po qe se kjo ditë ka të bëjë me gjithë heronjtë e atdheut, atëherë rëndësia e saj, do të thotë se është shumë më gjithëpërfshirëse.

Por në asnjërin rast, kurrësesi, kjo ditë nuk mund të shërbejë si rast për të kërrusur kurrizin para Enver Hoxhës, as për të ngritur grushtin lart, as për t’i rreshtuar fëmijët e pandërgjegjshëm anës varreve si pionerët e dikurshëm, as për të na çarë dërrasat me respektin për gjasme rolin e “xhaxhit” gjatë luftës (ore, po nuk ishte Spiro Moisiu që drejtonte “ushtarakisht” luftën në terren realisht?...Edhe shoku Mehmet Shehu çoku e shkrepte pushkën nganjëherë!).

Për t’a mbyllur, lavdi të gjithë heronjve të atdheut dhe veprës së Qemal Stafës!

_________

Nganjëherë kthehen:




(Vota: 20 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora