E premte, 26.04.2024, 02:40 AM (GMT+1)

Mendime

Adnan Abrashi: Flamuri i flamurit dhe himni kosovar...

E premte, 20.06.2008, 05:37 PM


Adnan Abrashi
Flamuri i flamurit dhe himni kosovar...

(Reagim ndaj artikullit të Flamur Krasniqit me titull “Tifozët fyen himnin kosovar!”, të botuar më 17 qershor 2008, në të përditshmen “Express”)

Nga Adnan Abrashi

Duke lexuar me vëmendje artikullin e z. Flamur Krasniqit, me titull: “Tifozët fyen himnin kosovar!”,  të botuar më datën 17 qershor, në po këtë gazetë, pa ndonjë qëllim të keq, vendosa ta bëj këtë reagim. Në mes tjerash, si më cytëse për këtë veprim, ishin dy elemente të fillimit dhe mbarimit të artikullit në fjalë.
Pas titullit, figuronte emri i artikullshkruesit, ndërsa pas mbarimit në fund, ishte konkretizimi i shkurtë se autori është një tifoz i reprezentacionit të Kosovës. Pra, sikur unë e konceptova, një sportdashës i pasionuar.
Për fillimin, gjëja e parë që menjëherë më ra në sy, ishte emri i juaj i mrekullueshëm FLAMUR. Në qytetin tim njoh shumë fëmijë me këtë emër të bukur dhe të gjithë këta rrjedhin nga një familje tradicionale me ideale patriotike shqiptare. Aspak nuk dyshoj që edhe ju, z. Flamur, keni një prejardhje të tillë.
Edhe pse nuk e di çfarë moshe jeni, kur keni lindë dhe kur prindërit e tu të nderuar ju kanë pagëzuar me këtë emër madhështor, athua për çfarë flamuri kanë pasur asociacion apo nostalgji ata atëbotë? 
Ju lutem, vetëm mos më thoni për këtë flamur të kaltër me 6 yje të Kosovës?!!
Të vazhdojmë më tutje me atë konkretizim në fund  të artikullit ku e përmbaroni me prezantimin tuaj si tifoz i reprezentacionit të Kosovës. Dihet se, shumica që mbahen si adhurues të flaktë të sportit kudo në botë, zakonisht me bindjet e tyre janë kozmopolit, dhe, përveç asaj të përciptës sipërfaqësore, fare pak kanë njohuri për politikat më të thella analitike. Si një simpatizant sporti, me këto prirje, unë ju kisha konsideruar edhe juve z. Flamur (kuptohet, gjithnjë lavdi përjashtimeve). Sido që të jetë, ju në këtë artikull, fund e krye, tregoheni si përkrahës i kosovarizmit që po na krijohet  (lexo:imponohet) si komb në shtetin e ri të Kosovës.
Menjëherë të jem shumë konkret! Unë nuk pajtohem me këtë qëndrime tuaja dhe aspak nuk ndjej nevojë që për këto divergjenca tona, në vazhdim më gjerësisht të ballafaqohem me ju, dhe ato, do t’i konsideroj si e drejtë e pacenueshme e shprehjes së lirë të bindjeve dhe orientimeve tuaja personale politike. Fundja, kjo është demokracia, a po? Por, t’i quani “huligan” dhe “injorant”  të tajerët të cilët  i fishkëllejnë një melodie me zhurmën e së cilës veshi dhe shija e tyre e kultivuar gjatë kombëtare nuk është mësuar t’i absorboj akordet e saja të imponuara, vërtet është jokorrektësi
Si individ, nuk jam assesi ithtar i çfarëdo skandaleve publike  me prapavijë politike që ndodhin nëpër stadiumet tona sportive, por, pranoj se jam një racionalist i cili në çdo pasojë të veprimit e shikon edhe shkakun e saj.
Nëse më lejoni, edhe juve, z. Flamur,  ju këshilloj të veproni ashtu. Këta djelmosha, sikur i cilësuat “huligan” dhe “injorantë”, vepruan ashtu si vepruan, dhe ndoshta, në shikim të parë, bënë keq, por unë të preferoj  të thellohesh pak më me përsiatje në motivin, në shkakun, në atë se çka i shtyri ata të bënë një gjest të tillë? Dhe, sipas meje, përgjigja duhet të jetë tejet e thjeshtë dhe kuptimplote: kur është aprovuar ajo “copë lecke”, thuaja flamur, dhe ajo “xhurullti tingujsh me instrumente”, thuaja himn, askush nuk i ka pyjet ata. Ta zëmë, a ju ka vet kush juve për këtë? Sigurisht jo! 
E di! Ju i besoni përzgjedhjes së tyre sipas procedurës demokratike zyrtare, a po?  Por, a thua, ende ju mendoni se flamuri dhe himni i jonë është zgjedhur me procedura demokratike? Ende ju jeni të bindur se kriteret e dizajnimit të flamurit dhe kompozimit të himnit kanë qenë vullneti i përfaqësuesve tanë legal të dal nga vota e lirë e popullit? Jo, jo, dhe jo, miku im!
Fundja , nëse këta të përzgjedhurit e popullit të legjitimuar nga ana e 40 përqindëshit  të dalë nga zgjedhjet e fundit, kanë të drejtë të marrin vendime për himnin dhe flamurin e një populli me dy milion e gjysmë banorë, atëherë, me njëfarë logjike thuaja të “mbrapsht” që vlen vetëm te ne në Kosovë, edhe këta 60 për qind që nuk kanë dalë në zgjedhje dhe nuk kanë votuar për këta himn-aprovuesit dhe flamur-aprovuesit, kanë të drejtë të reagojnë në format e veta specifike.
Kosova është rast “sui generis” dhe te ne çdo gjë duhet merret ashtu, miku im.
Më tej, diku në vazhdim të artikullit tuaj konstatoni dhe duke u çuditur pyeteni:  “Dhe pastaj, për të qenë edhe më bizare pas ca minuat pa pikë fytyre (këta “huligan” dhe “injorantë”, sh.a ) filluan të brohorisin “Kosova, Kosova...” Cilën Kosovë ata e përkrahin?
Të them unë i dashur Flamur! Thjesht, Ata i brohorisin asaj Kosove historike fatin e së cilës, përmes drejtës për vetëvendosje të shprehur në referendumin gjithëpopullor, një ditë patjetër do ta zgjedhin vetë. Dhe, sinqerisht! Jam tejet optimist se kjo do të ndodhi shumë shpejtë!
E, sa për shpresën tuaj se një ditë reprezentacioni i Kosovës do të luaj një ndeshje ndërkombëtare të vërtetë ndoshta edhe kundër Serbisë, menjëherë do t’ua  heq atë “vesvese”.
Kurrë Serbia nuk do të pranoj  një gjë të tillë. E përsëris, kurrë!
Por, një gjasë e vogël ekziston. Atëherë kur kjo ndeshje të luhej me Kosovën në kufitë natyral të Shqipërisë etnike. Atëherë, ju garantoj se, sado që në atë stadium do të ketë “huliganë” dhe “injorantë”, askush nuk do t’i fishkëllejë atij flamuri dhe himni që do të ngrihet dhe intonohet në atë moment...

P.S. Ku reagim nuk u botua ende në të përditshmen EXPRESS. Si duket ai nuk përshtatet me politikat redaktuese të kësaj gazete.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora