E shtune, 27.04.2024, 01:42 AM (GMT+1)

Faleminderit

Mark Bregu & Lekë Luma: Luigj Gurakuqi shembull model atdhetarizmi

E shtune, 14.06.2008, 07:53 AM


Luigj Gurakuqi
Në 124 vjetorin e lindjes
 
Luigj Gurakuqi shembull model atdhetarizmi

Nga Mark Bregu & Lekë Luma

"Jeta dhe vepra e Luigj Gurakuqit, janë "pasqyra" e një Populli me tradita të shquara Atdhetarizmi, janë pararendës të Europianizimit të Atdheut të shenjtë të Gjergj Kastriotit, janë "balsam" për edukimin Atdhetar të brezave dhe për lulëzimin e Arbërisë së re."

 Nuk ka figurë më të ndritur, më të pastër dhe më patriotike për shekullin e njëzetë (me përjashtim të Nënë Terezës) se sa figura burrërore e fisnike e të pavdekshmit Luigj Gurakuqi.
Jemi munduar të shkruajmë për veprën madhështore të këtij atdhetari të papërsëritshëm dhe idealisti të pakrahasueshëm, por duhen volume dhe pendë fishtiane për të përshkruar madhështinë e këtij "shën Françesku". Në këtë vit jubilar në 124 vjetorin e lindjes së tij, menduam të rifreskojmë ato "pak" mendje, ku vlon gjaku i patriotizmit dhe ku idealet kombëtare, "gëlojnë" ende të pashuara.
Martiri e Mësuesi i Popullit Luigj Gurakuqi është një nga figurat më të shquara të kombit Arbër, e zë një vend të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë të çerekshekullit të parë të shekullit XX. Me të vërtetë është pohuar se me luftën e tij për çlirimin kombëtar e demokratizimin e vendit ai ka vulën e vet të pashlyer në analet e historisë tonë. "Nuk ka ngjarje të mëdha politike, shoqërore e kulturore në këtë çerekshekull, ku të mos ketë qenë prania e tij, ku të mos jetë ndjerë fjala, urtësia e vullneti i tij, ku të mos ketë spikatur patriotizmi e demokratizimi i tij. Kjo figurë e shquar ngrihet akoma më madhështore në piedestalin e historisë, po të kemi parasysh armiqtë e shumtë që duheshin përballuar, vështirësitë e mëdha që duheshin kapërcyer, komplotet dhe intrigat e panumërta që i kanoseshin jetës së tij në çdo hap". (S. Pollo, "Luigj Gurakuqi - demokrat revolucionar i shquar" në: "Studime historike", 1979, nr.2, fq.18)
Shkodra, e njohur që nga kohët më të lashta, në fund të shek. XX, ishte një nga qytetet më të zhvilluara të Shqipërisë në të gjitha vështrimet: politike, shoqërore, kulturore e veçanërisht ekonomike. Qyteti kishte afërsisht dyzetepesë mijë banorë, çka tregon se ai kishte një popullsi relativisht të madhe për kohën.
Udhëtari i mirënjohur Evlija Çelebiu, në vitet 1661-1662 e gjeti qytetin e Shkodrës me 1800 shtëpi, ndërsa aty nga gjysma e dytë e shekullit XIX, ajo vetëm dyqane kishte rreth 3500 dhe afro 50 firma të mëdha. E njohur për prodhimin e mëndafshit, artikujve artistikë të argjendarisë, për përpunimin e lëkurëve e të veshmbathjes, qyteti i Shkodrës ruante ende (megjithë konkurencën e jashtme) një pozitë mbizotëruese si në tregtinë mbrenda vendit ashtu edhe në disa krahine kufitare të Ballkanit. Rreth 130 firma tregtare të Shkodrës kishin agjensitë e veta në Venedik e gjetkë. Këta e zhvilluan dhe zgjeruan shumë veprimtarinë e tyre mbrenda dhe jashtë vendit dhe u bënë ndërlidhës të tregtisë në disa krahina të Ballkanit me vendet e ndryshme europiane. Për zhvillimin e gjithanshëm të qytetit flet dhe ky fakt: Në Shkodër në fund të shek. XIX, kishte disa farmaci, të cilat mund të krahasoheshin edhe me farmacit më moderne të qyteteve të Europës Perëndimore, Ref.: Dr. K. Kërçiku, "Zhvillimi i shëndetësisë në Shkodër gjatë shek. XVIII-XX". Tiranë 1962, fq. 232. Kronistja dhe studiuesja e shquar angleze Edith Durham, ndër të tjera thotë: "Në Shkodër ishte përfaqësuar e tërë Europa, jo me ministra, po me konsuj. Duke ardhur nga vende të tjera të Ballkanit, asaj s'kishte si të mos i bënte përshtypje Shkodra, që ishte një qytet relativisht i zhvilluar dhe me një ndryshim thelbësor nga viset që ajo kishte vizituar më parë. Në njërën nga lagjet katolike të këtij qyteti gjendet edhe sot një rrugicë që mban emrin e Gurakuqëve. Në një nga shtëpitë e para të kësaj rrugice u lind më 19 shkurt 1879 , Luigj Gurakuqi, djali i dytë dhe i fundit i Pjetër Gurakuqit. Pjetri qe një njeri që gëzonte respekt dhe autoritet në të gjithë qytetin e Shkodrës. Si mjaft tregtarë të këtij qyteti, bënte tregti me qytete të Italisë, si me Venedikun e Milanon. Kjo tregon më së miri se Luigj Gurakuqi vinte nga shtresat tregtare, dhe ato familje me nivel kulturor të admirueshëm, gjë kjo që hedh poshtë çdo hipotezë se Luigj Gurakuqi kishte mendësinë komuniste. Ai, ndonëse vinte nga shtresat e pasura, i mbrojti dhe i ndihmoi të varfërit. Në qoftë se kjo mendësi "majtiste" e bën atë "komunist", kjo "ndihmon" komunistët!...
Të gjithë ata që sulmojnë Gurakuqin me etiketën aq të pagjetur "komunist", nuk janë asgjë tjetër veçse përfaqësues tipikë të "kapitalizmit të kuq vulgar". Në këtë përvjetor të lindjes së Gurakuqit, menduam që figurën e Tij të shquar, shumëdimensionale dhe me theks të spikatur patriotik, ta trajtojmë në spektrin e intelektualit: Luigj Gurakuqi duke qenë Ministër i parë i Arsimit në Qeverinë e Ismail Qemalit (pas 450 vjet pushtimi osman), ai dha një kontribut të madh në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare. Ai nuk erdhi rastësisht në këtë funksion. Në Kongresin e Manastirit, në moshën 29 vjeçare ishte n/Kryetar i Komisionit të Alfabetit shqip, përkrah Fishtës, Mjedës, Doçit, Logorecit etj. Ai ishte drejtor i të parës shkollë Normale në Elbasan (1909). Drejtor i Arsimit në vitet 1916-1918 dhe në Kryesinë e "Komisisë Letrare" në Shkodër, gjatë këtyre viteve.
Gurakuqi u detyrua të ballafaqohet me Xhonturqit, të cilët filluan një luftë sistematike kundër përdorimit të alfabetit të miratuar në Kongresin e Manastirit, të cilët nxitnin përdorimin e një alfabeti me germa arabe. Me një guxim qytetar për t'u admiruar, autori me anën e një ironie të hollë i vë në lojë kaq bukur Ministrin turk të Arsimit, që hiqet si i ç'interesuar në këtë çështje kur shkruan: Unë nuk i kam besë që Ministri i mësimit mos të jetë izoti të kuptojë se kombi shqiptar nuk mund të zgjohet ndryshe veç me anën e Gjuhës së tij, të shkruar me shkronjat e veta." Kjo ironi bëhet akoma më therëse dhe arrin kulmin kur vë në lojë dhe vetë Vezirin e Madh, që kishte deklaruar se "ai si vezir do të mbahej i paanshëm ndonëse si njeri është anëtar i shkronjave arabishte". A ka ku të shkojë më tej? Miratimi nga ana e Parlamentit Turk të ligjit se, për muslimanët nuk ishte nevoja të "shënohej kombësia", ishte një manovër djallëzore e Xhon-turqve, që pajtohej me traditën turke të bizantizmit të kombësisë sipas fesë, të mohimit të kombësive sipas gjuhës dhe të pohimit sipas fesë, (siç e thamë më lart), prandaj dhe autori e mbyllte këtë artikull me një paraljmërim që është për t'u vënë re: "Lypset, pra, të bashkohemi e të përkujdesemi me sa të na mundet, si e si të gjejmë mënyrën e udhën që të kërkojmë edhe na ato të drejta që kombet tjerë i kanë".

Luigj Gurakuqi - Gjergj Fishta - Ndre Mjeda
Shtypjes dhe terrorit të egër që shpërthyen turqit e rinj, shqiptarët iu përgjigjën me kryengritje të armatosura, të cilat kanë gjetur pasqyrimin e tyre edhe në faqet e shtypit të kohës. Kryengritja e Kosovës në verën e vitit 1910 e përshkuan zemrën e Martirit-Gurakuqi, me "nji shigjetë të helmueshme", siç pohonte vetë, nga kthesat e papritura që ato morën nga egërsia me të cilën ato u shtypën. Këtyre kryengritjeve ai u kushtoi tre artikuj të mprehtë polemizues me shtypin turk ku e demaskon me armët më të preferuara të tij, (ironinë e sarkazmën) qeverinë reaksionare turke.
Gurakuqi me këtë rast na ka dhënë një kuadër mjaft prekës e tronditës të kësaj kryengritjeje: "Ushtima e topave, e përzier me gjëmimin e të plagosurve, me vajin e grave e me psherëtimat e të varfërve, arrin sot në veshët tonë më e ashpër e më e tmerruar se kurrë nga ato male të larta, nga ato vise të mjera, që janë nji nga pjesët më të çmueshme të Atdheut tonë: në Ipek e në Prishtinë, në Cernalevë e në Kaçanik, në Rekë e në Jakovë, tymi i barotit ka mbushur rreth e rrotull qiellin si një mjegull "sëmundjesjellëse e fatzezë". Dhe Gurakuqi, jo pa njëfarë ironie, i drejtohet qeverisë: "A thua qeveria kujton me të vërtetë se vetëm me pushkë e topa mund të rrëfehet fuqia?"
Këtë politikë dritëshkurtër të saj ndaj vendit tonë, autori do ta demaskonte rreptë edhe në artikullin e tyrë, sidomos do t'i çirrte maskën Mahmud Shefqet Pashës që në mënyrë të paturpshme e cinike i kishte deklaruar një korespondenti të huaj si një mburravec: "Unë do ta shuaj domosdo e gjer në rrënjë kryengritjen e Kosovës". "Shtrëngohem të them, - theksonte Gurakuqi, - se fjalët që tha Mahmud Shefqet Pasha nuk më duken të pëlqyeshme". Pastaj, autori godet rëndë me një sarkazëm të hollë edhe deputetët reaksionarë shqiptarë të Parlamentit Turk, kur shkruan se "nuk jam nga ata që duan të ngrihen si gjykonjës të drejtë e të lartë të historisë e të politikës, por nuk dua të jem as prej atyne shqiptarëve që gëzojnë e përplasin duart mbi kobet e mjerimet e fisit të tyne". Në këtë shkrim menduam që figurën e Gurakuqit ta trajtojmë kryesisht në pozicionin specifik të intelektualit të formuar. Dhe në këtë drejtim ka se çfarë të mësohet prej tij. Ai ishte ndër njohësit më të mirë (të kohës së tij) të Homerit e Virgjilit, i Tirteut dhe i Horacit, i Pindarit dhe i Timbulit e deri tek Danteja. Është një meritë e madhe e Gurakuqit, se duke patur një shembull të tillë të madh e të shkëlqyer të kulturës botërore, nuk e pa atë si diçka të paarritshme, por mbështetur në traditën kombëtare iu vu punës me mish e me shpirt për krijimin e zhvillimin e kulturës nacionale, që sipas Gurakuqit do të ishte pasqyrë e ndërgjegjes kombëtare, shkalla e zhvillimit të tij politik, kulturor e shoqëror. Dhe natyrshëm kjo kulturë, (sipas tij), do të shprehte aspiratat e popullit shqiptar, zakonet e doket e tij, veçoritë e tij dalluese nga kombet e tjera. Duke luftuar për një kulturë nacionale, Gurakuqi, nuk mendonte t'ia kundërvinte atë kulturës botërore, ose që ajo të zhvillohej jashtë saj. Përkundrazi ai mendonte se edhe kultura jonë me arritjet e saj më të mira, do të mund të kontrubuonte në thesarin e saj. Këtë raport, Gurakuqi jo vetëm e kishte kuptuar drejt, por edhe e ka interpretuar nga pozita fare të qarta. Gurakuqi, gjithashtu, ishte njëri nga stilistët më të mirë të kohës së tij dhe "që ka lënë modë të prozës fletorare dhe të gojtarisë", ("Historia e Letërsisë Shqipe", vëll.II, fq.390, 1959), një stilist plotësisht me karakteristikat e veta të veçanta, që e dallojnë atë edh nga stilistët e tjerë të kohës, si Fan Noli etj. Stili i tij i këndshëm spikati që në shkrimet e para e erdhi duke u përkryer në sajë të një kulture të gjerë që ai asimiloi me shumë përfitim dhe që e vëmë re në personalitetin e tij të shumanshëm. Mendimet e tij të mprehta, të çdo karakteri qofshin, na jepen me një frazë të qartë, të këndshme e të rrjedhshme. Dhe duhet të theksojmë se Gurakuqi, është një nga publicistët e oratorët e pakët që përdori me shumë sukses në stilin e tij frazën tepër të gjatë. Por megjithatë është e bukur, e lidhur, e ngjeshur, tepër dinamike dhe e kuptueshme për të gjitha kategoritë e lexuesve. Në rast se fjala e Nolit rrjedh e rrëmbyeshme dhe kumbuese, përkundrazi fjala e Gurakuqit rrjedh e qetë dhe e shtruar. Tipar i rëndësishëm i shkrimeve të tij është karakteri përgjithësues i tyre. Mjaft prej tyre shprehin idetë e vetë lëvizjes tonë kombëtare për krijimin e unitetit politik të popullit për ta bërë atë më të ndërgjegjshëm në luftën e tij. Dhe padyshim kjo është ana më e rëndësishme e tij si publicist. Shtojmë se, pikpamjet e tij politike, Gurakuqi i ka paraqitur si në oratori, ashtu edhe në publicistikë me mjaft shije, e nga pozitat e një esteti të përparuar dhe largpamës. "Mjaft i lakmueshëm për ditët tona të turbullta kur politika rrokulliset sa majtas-djathtas dhe kur për fatin tonë të keq mungon një qendër e fuqishme për zbutjen e ekstremeve dhe daljen nga kolapsi." Gurakuqi qëndron krenar në sheshin kryesor të qytetit të tij që aq shumë e deshi. Si simbol i çdo gjëje të bukur e të pastër dhe "sfidë" ndaj korrupsionit dhe pandershmërisë.
Jemi të mendimit se, Gurakuqi nuk ishte një idealist "utopik", por një mbrojtës konseguent i idealeve të shenjta kombëtare, me një karakter të fuqishëm dhe të pakrahasueshëm me bashkëkohësit. Ai mund të "taksohet" për intransigjencë, por në periudhën tepër të vështirë që po kalonte kombi ynë, i porsadalë nga "nata" e gjatë osmane, kompromiset ishin baraz me tradhëti. Studiuesit dhe historianët, deri më sot nuk kanë arritur të gjejnë asgjë negative në figurën e këtij "Portreti" të mbuluar me kurorën e "Artë" të Lavdisë që i dha shërbimi i Tij ndaj intersave të larta të Kombit.
Askush nuk e ngriti më lart zërin në Parlamentin Shqiptar të viteve 1921-1924, se sa Gurakuqi, ndaj masakrave serbe, që bëheshin mbi vëllezërit kosovarë. Dhe ishin pikërisht serbët që e sollën në fuqi Ahmet Zogun. Tepër qesharake tingëllon parulla e legalistëve: "Atdheu mbi të gjitha", dhe që kjo parullë i artibuohet pikërisht atij, që i solli shpindën Atdheut në momentet më kritike... "Sa më shumë "sulmohet" figura e të Madhit Gurakuq, aq më tepër zmadhohen dimensionet e saj".



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora