| E shtune, 14.06.2008, 07:53 AM |
Në 124 vjetorin e lindjes
Luigj Gurakuqi
Luigj Gurakuqi shembull model atdhetarizmi
Nga Mark Bregu & Lekë Luma
"Jeta dhe vepra e Luigj Gurakuqit, janë "pasqyra" e një Populli me tradita të shquara Atdhetarizmi, janë pararendës të Europianizimit të Atdheut të shenjtë të Gjergj Kastriotit, janë "balsam" për edukimin Atdhetar të brezave dhe për lulëzimin e Arbërisë së re."
Nuk ka figurë më të ndritur, më të pastër dhe më patriotike për shekullin e njëzetë (me përjashtim të Nënë Terezës) se sa figura burrërore e fisnike e të pavdekshmit Luigj Gurakuqi.
Jemi munduar të shkruajmë për veprën madhështore të këtij atdhetari të papërsëritshëm dhe idealisti të pakrahasueshëm, por duhen volume dhe pendë fishtiane për të përshkruar madhështinë e këtij "shën Françesku". Në këtë vit jubilar në 124 vjetorin e lindjes së tij, menduam të rifreskojmë ato "pak" mendje, ku vlon gjaku i patriotizmit dhe ku idealet kombëtare, "gëlojnë" ende të pashuara.
Martiri e Mësuesi i Popullit Luigj Gurakuqi është një nga figurat më të shquara të kombit Arbër, e zë një vend të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë të çerekshekullit të parë të shekullit XX. Me të vërtetë është pohuar se me luftën e tij për çlirimin kombëtar e demokratizimin e vendit ai ka vulën e vet të pashlyer në analet e historisë tonë. "Nuk ka ngjarje të mëdha politike, shoqërore e kulturore në këtë çerekshekull, ku të mos ketë qenë prania e tij, ku të mos jetë ndjerë fjala, urtësia e vullneti i tij, ku të mos ketë spikatur patriotizmi e demokratizimi i tij. Kjo figurë e shquar ngrihet akoma më madhështore në piedestalin e historisë, po të kemi parasysh armiqtë e shumtë që duheshin përballuar, vështirësitë e mëdha që duheshin kapërcyer, komplotet dhe intrigat e panumërta që i kanoseshin jetës së tij në çdo hap". (S. Pollo, "Luigj Gurakuqi - demokrat revolucionar i shquar" në: "Studime historike", 1979, nr.2, fq.18)
Shkodra, e njohur që nga kohët më të lashta, në fund të shek. XX, ishte një nga qytetet më të zhvilluara të Shqipërisë në të gjitha vështrimet: politike, shoqërore, kulturore e veçanërisht ekonomike. Qyteti kishte afërsisht dyzetepesë mijë banorë, çka tregon se ai kishte një popullsi relativisht të madhe për kohën.
Udhëtari i mirënjohur Evlija Çelebiu, në vitet 1661-1662 e gjeti qytetin e Shkodrës me 1800 shtëpi, ndërsa aty nga gjysma e dytë e shekullit XIX, ajo vetëm dyqane kishte rreth 3500 dhe afro 50 firma të mëdha. E njohur për prodhimin e mëndafshit, artikujve artistikë të argjendarisë, për përpunimin e lëkurëve e të veshmbathjes, qyteti i Shkodrës ruante ende (megjithë konkurencën e jashtme) një pozitë mbizotëruese si në tregtinë mbrenda vendit ashtu edhe në disa krahine kufitare të Ballkanit. Rreth 130 firma tregtare të Shkodrës kishin agjensitë e veta në Venedik e gjetkë. Këta e zhvilluan dhe zgjeruan shumë veprimtarinë e tyre mbrenda dhe jashtë vendit dhe u bënë ndërlidhës të tregtisë në disa krahina të Ballkanit me vendet e ndryshme europiane. Për zhvillimin e gjithanshëm të qytetit flet dhe ky fakt: Në Shkodër në fund të shek. XIX, kishte disa farmaci, të cilat mund të krahasoheshin edhe me farmacit më moderne të qyteteve të Europës Perëndimore, Ref.: Dr. K. Kërçiku, "Zhvillimi i shëndetësisë në Shkodër gjatë shek. XVIII-XX". Tiranë 1962, fq. 232. Kronistja dhe studiuesja e shquar angleze Edith Durham, ndër të tjera thotë: "Në Shkodër ishte përfaqësuar e tërë Europa, jo me ministra, po me konsuj. Duke ardhur nga vende të tjera të Ballkanit, asaj s'kishte si të mos i bënte përshtypje Shkodra, që ishte një qytet relativisht i zhvilluar dhe me një ndryshim thelbësor nga viset që ajo kishte vizituar më parë. Në njërën nga lagjet katolike të këtij qyteti gjendet edhe sot një rrugicë që mban emrin e Gurakuqëve. Në një nga shtëpitë e para të kësaj rrugice u lind më 19 shkurt 1879 , Luigj Gurakuqi, djali i dytë dhe i fundit i Pjetër Gurakuqit. Pjetri qe një njeri që gëzonte respekt dhe autoritet në të gjithë qytetin e Shkodrës. Si mjaft tregtarë të këtij qyteti, bënte tregti me qytete të Italisë, si me Venedikun e Milanon. Kjo tregon më së miri se Luigj Gurakuqi vinte nga shtresat tregtare, dhe ato familje me nivel kulturor të admirueshëm, gjë kjo që hedh poshtë çdo hipotezë se Luigj Gurakuqi kishte mendësinë komuniste. Ai, ndonëse vinte nga shtresat e pasura, i mbrojti dhe i ndihmoi të varfërit. Në qoftë se kjo mendësi "majtiste" e bën atë "komunist", kjo "ndihmon" komunistët!...
Të gjithë ata që sulmojnë Gurakuqin me etiketën aq të pagjetur "komunist", nuk janë asgjë tjetër veçse përfaqësues tipikë të "kapitalizmit të kuq vulgar". Në këtë përvjetor të lindjes së Gurakuqit, menduam që figurën e Tij të shquar, shumëdimensionale dhe me theks të spikatur patriotik, ta trajtojmë në spektrin e intelektualit: Luigj Gurakuqi duke qenë Ministër i parë i Arsimit në Qeverinë e Ismail Qemalit (pas 450 vjet pushtimi osman), ai dha një kontribut të madh në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare. Ai nuk erdhi rastësisht në këtë funksion. Në Kongresin e Manastirit, në moshën 29 vjeçare ishte n/Kryetar i Komisionit të Alfabetit shqip, përkrah Fishtës, Mjedës, Doçit, Logorecit etj. Ai ishte drejtor i të parës shkollë Normale në Elbasan (1909). Drejtor i Arsimit në vitet 1916-1918 dhe në Kryesinë e "Komisisë Letrare" në Shkodër, gjatë këtyre viteve.
Gurakuqi u detyrua të ballafaqohet me Xhonturqit, të cilët filluan një luftë sistematike kundër përdorimit të alfabetit të miratuar në Kongresin e Manastirit, të cilët nxitnin përdorimin e një alfabeti me germa arabe. Me një guxim qytetar për t'u admiruar, autori me anën e një ironie të hollë i vë në lojë kaq bukur Ministrin turk të Arsimit, që hiqet si i ç'interesuar në këtë çështje kur shkruan: Unë nuk i kam besë që Ministri i mësimit mos të jetë izoti të kuptojë se kombi shqiptar nuk mund të zgjohet ndryshe veç me anën e Gjuhës së tij, të shkruar me shkronjat e veta." Kjo ironi bëhet akoma më therëse dhe arrin kulmin kur vë në lojë dhe vetë Vezirin e Madh, që kishte deklaruar se "ai si vezir do të mbahej i paanshëm ndonëse si njeri është anëtar i shkronjave arabishte". A ka ku të shkojë më tej? Miratimi nga ana e Parlamentit Turk të ligjit se, për muslimanët nuk ishte nevoja të "shënohej kombësia", ishte një manovër djallëzore e Xhon-turqve, që pajtohej me traditën turke të bizantizmit të kombësisë sipas fesë, të mohimit të kombësive sipas gjuhës dhe të pohimit sipas fesë, (siç e thamë më lart), prandaj dhe autori e mbyllte këtë artikull me një paraljmërim që është për t'u vënë re: "Lypset, pra, të bashkohemi e të përkujdesemi me sa të na mundet, si e si të gjejmë mënyrën e udhën që të kërkojmë edhe na ato të drejta që kombet tjerë i kanë".
![]() |
Luigj Gurakuqi - Gjergj Fishta - Ndre Mjeda |