Shtesë » Lajme
Arbana Xharra merr çmimin “Rexhai Surroi”
E hene, 23.12.2013, 03:17 PM
Kryeredaktorja e “Zërit”, Arbana Xharra merr çmimin “Rexhai Surroi” për gazetari
Nga Laura Hasani
Grupi KOHA ka ndarë shpërblimet “Rexhai Surroi” për letërsi e gazetari.
Kryeredaktorja e gazetës “Zëri”, Arbana Xharra është shpërblyer me çmimin “Rexhai Surroi” për gazetari për serinë e shkrimeve “Kosova alarmohet nga ekstremistët konservatorë”, ndërsa gazetari i Kohes Ditore, Vehbi Kajtazi u shpërblye për shkrimet hulumtuese rreth korrupsionit e krimit të organizuar në shëndetësi, me titull “Klinika e vdekjes”.
Ndërsa Ag Apolloni ka marrë çmimin për letërsi me romanin “Ulurima e ujkut”.
Çmimi për Vepër Jetësore iu nda ish gazetarit të “Rilindjes”, Nehat Islami.
Në gjashtëvjetorin e këtij manifestimi, që njëherësh shënon edhe 25 vjetorin e largimin nga jeta në rrethana tragjike të Rexhai Surroit, u promovua edhe vepra e Bensik Mustafajt “Autoportret me teleskop”, botim i “Kohës”.
Kjo ceremoni, tashmë tradicionale, u zhvillua në ambientet e hotelit “Emerald” në periferi të kryeqytetit, në prani zyrtarësh të lartë politikë, personalitetesh të kulturës dhe krijuesish letrarë e gazetarë.