E premte, 26.04.2024, 03:43 AM (GMT+1)

Mendime

Arbën Xhaferi: Shtetformimi VS kombformimit

E shtune, 31.05.2008, 07:13 PM


Arbën Xhaferi
Shtetformimi VS kombformimit

Nga Arbën XHAFERI

Ideologët serbë, në paçin pasur të tillë në kuptimin e plotë të fjalës, shpeshherë në konferenca, debate, libra, flasin për fenomenin e shtetformimit, por jo për ta zbërthyer, analizuar këtë dhunti të popujve të ndryshëm, por për t’i anatemuar popujt e tjerë që mëtojnë të krijojnë shtetin e tyre. Madje në kampin socialist, kryesisht në federatat sllave, në Bashkimin Sovjetik, në Jugosllavi, deri diku edhe në Çekosllovaki, popujt radhiteshin në hierarkinë statusore sipas kapaciteteve, aftësive të shpifura shtetformuese. Në fakt, këto aftësi trilloheshin për të krijuar një sistem të sofistikuar segregues. Së këndejmi të gjithë popujt sllavë, pa marrë parasysh kapacitetin e tyre , sipas këtij projekti fitonin statusin e popullit shtetformues që legjitimonte vendosjen e relacioneve hegjemoniste, koloniale në shtetin e përbashkët. P.sh. në Jugosllavi, statusin e popullit shtetformues e gëzonin të gjithë popujt sllavë, pavarësisht se në cilën republikë apo krahinë autonome jetonin si dhe përqindjes së tyre. Po kështu, edhe në Bashkimin Sovjetik dhe në Çeko-Sllovaki. Në Sllovaki jeton një komunitet i madh hungarezësh josllavë, pra popull i kategorizuar si joshtetformues. Pikërisht, për këtë shkak Sllovakia refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ajo përpiqet ta arsyetojë këtë qëndrim me respektimin e normave ndërkombëtare, me një demagogji banale që torturon intelektin. Ngjashëm sillet edhe Rumania me Moldavinë, të cilat po ashtu refuzojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës si pasojë e telasheve të brendshme: rumunët me komunitetin e madh hungarez, ndërkaq moldavët me okupimin rus të një pjese të territorit të Transdniestrisë.

Me kategorizimin artificial të popujve në shtetformues dhe joshtetformues në Jugosllavi, jo vetëm që dhunohej realiteti, por nxitej edhe lufta. Shqiptarët, që në numër ishin popull i tretë më i madh në Jugosllavi dhe hungarezët si një komunitet autokton dhe tradita të larta kulturore, sidomos shtetformuese në fillim u kategorizuan si pakicë kombëtare dhe pastaj si kombësi, ndërkaq popujt e tjerë sllavë, pa identitet historik, si malazezët dhe maqedonasit kategorizoheshin si kombe. Burimi i të gjitha fërkimeve etnike, kryesisht ndërmjet shqiptarëve me serbët, maqedonasit dhe malazezët ishte ky kategorizim i padrejtë. Këmbëngulja e shqiptarëve, pikërisht kapacitetet e tyre shtetformuese nxitën shpërbërjen e Jugosllavisë, duke treguar se këto kapacitete të shqiptarëve ngadhënjyen mbi ato të sllavëve të jugut, aq shumë të përfolura dhe të mitizuara.

Kategorizimi i serbëve si popull shtetformues, pa marrë parasysh përqindjen e tyre në republikat e tjera të Jugosllavisë shërbeu si pretekst për luftë. Kur kroatët dhe boshnjakët shpallën pavarësinë në bazë të rezultateve të referendumeve, serbët përmes armatës jugosllave, plotësisht të serbizuar, e ngritën çështjen e statusit shtetformues të serbëve, përkatësisht idenë se pa pëlqimin e tyre këto republika nuk mund të pavarësohen. Kështu filloi rebelimi i serbëve, fillimisht në Kroaci, pastaj edhe në Bosnje-Hercegovinë, që gazetarët, për shkak të bllokimit primitiv të rrugëve me drunj e pagëzuan “Balvan revolucija”. Pra, një skemë që ishte shpikur për t’i segreguar të tjerët u shndërrua në kurth ku rënë vetë shpikësit.

Duke parë se dënglat e tyre për Kosovën, si Jerusalem serb nuk arritën të bindin askënd, atëherë qeveria e fundit serbe u mundua që nëpërmjet turit diplomatik të hapë një faqe të re të argumentimit, atë të paaftësisë së shqiptarëve për të bërë shtet. Ata, krahas argumenteve të vjetra, spikatin fenomenin e korrupsionit, krimit të organizuar, të prostitucionit, të tregtisë me njerëz dhe kohët e fundit, atë të tregtisë me organet e robërve të luftës. Argumentet për këto pohime ata i gjejnë edhe në burimet shqiptare, në analizat e intelektualëve të ndryshëm shqiptarë që çdo vlerë kombëtare e shpallin si romantizëm anakronik. Por, sado që tregohen të zellshëm në këtë drejtim, ata nuk mund të mbulojnë një varg faktesh që i qorrojnë sytë: shqiptarët, në dallim nga serbët nuk e vrasin kryetarin e dikurshëm të shtetit (Ivan Stamboliqin), nuk vrasin kryeministrin (Zoran Gjingjiqin), nuk vrasin gazetarët hulumtues (Slavko Çuruvia), nuk i vrasin ministrat, shefat e policisë, nuk kanë klane të tipit të Zemunit etj.

Nëse analizohet dhe krahasohet veprimtaria, vendimmarrja e elitës politike të qeverive të ndryshme të Kosovës, të negociatorëve shqiptarë me sjelljen, jo vetëm të elitës serbe, por edhe të asaj maqedonase, malazeze, çuditërisht do të shohim se shqiptarët i zgjidhin problemet e vështira më kollaj, gjithnjë në funksion të ideve të shtetformësisë. Elita kosovare i zhvilloi dhe i përfundoi negociatat në Rambuje, me guxim dhe përgjegjësi mori vendimin për transformim e UÇK-së në TMK, në Kosovën e shtypur me dekada, organizoi pa probleme një varg zgjedhjesh të suksesshme demokratike, dhe më pas në bisedimet me ndërmjetësuesin Ahtisaeri tregoi sens të jashtëzakonshëm për bashkërenditje brenda ekipit dhe në raport me faktorin ndërkombëtar. Brenda një afati rekord nxori ligje në përputhje me paketën e Ahtisaerit, pa manifestime dramatike mori vendimin për ndryshim të flamurit dhe të simboleve të tjera shtetërore, me lehtësi, pa taktizime të kota, pa zvarritje u pajtua që t’u jepen serbëve të drejtat maksimale, tashmë të shndërruar në fetish. Të gjitha këto vendime ishin të rënda, ngaqë ndërhynin në sferën e identitetit, qenies, traditës historike, kombëtare të shqiptarëve, e lëndonin atë kontinuitet me të kaluarën, me amanetin e të parëve të kombit.

Për ta kuptuar më mirë këtë aftësi shtetformuese të shqiptarëve, duhet krahasuar me atë të serbëve dhe maqedonasve. Për interesa joreale, hegjemoniste nacionale, madje edhe për ato partiake, klasa politike serbe arriti ta shformojë Jugosllavinë, që ishte themeluar me shumë mund, sakrifica dhe ishte zgjidhja më optimale për çështjen serbe. Nga ana tjetër maqedonasit, qoftë për shkak të ambicieve joreale, apo mungesës së kapaciteteve shtetformuese, deri më tani nuk kanë arritur t’i zgjidhin asnjërin nga problemet brendshme apo të jashtme. Ata, çuditërisht besojnë se bota do ta ndryshojë mendjen, do të lodhet dhe nuk janë në gjendje të shohin se dita- ditës, ata vetë janë duke i humbur betejat strategjike, siç ishte ajo e Bukureshtit. Problemet e ngjashme në Kosovë, pra kërkesa që nocioni Kosovë të mos identifikohet etnikisht u zgjodhën pa dramatizime, ndërkaq i njëjti proces në Maqedoni thellohet gjithnjë e më shumë saqë bie në kundërshtim me realitet dhe të vërtetat e pandryshueshme etnike dhe historike.

Manifestimi i kapaciteteve shtetformuese të elitës kosovare ka marrë aq shumë revan, saqë kanë filluar t’i dëmtojnë, t’i zvetënojnë ato kombformuese. E gjithë lëvizja politike e shqiptarëve të Jugosllavisë ka pasur intencë, kod kombëtar: identitetin e përbashkët kombëtar, flamurin, himnin, historinë e përbashkët, festat kombëtare, gjuhën. Projekti ndërkombëtar që çështja e Kosovës të zgjidhet racionalisht, jashtë parametrave nacionalë, ia ka marrë ose thënë më mirë ia ka ndaluar Kosovës, përkatësisht shqiptarëve të gjitha atributet, simbolet kombëtare, përveç gjuhës. Elita politike dhe intelektuale kosovare dhe shqiptare në përgjithësi, me një përqindje të madhe e pranoi këtë imponim të hidhur, vetëm e vetëm të lirohen nga sundimi serb. Pas heqjes dorë nga ideja e bashkimit kombëtar, pas pajtimit me idenë që Kosova të jetë shtet i pavarur, modern evropian, dekodifikimi nacional i Kosovës ishte i pashmangshëm.

Pas pavarësimit të Kosovës, intensifikimit të rolit të besimeve në shoqëritë postkomuniste ka filluar procesi i ripërkufizimit të identitetit kombëtar. Ky proces zhvillohet në mënyrë tinëzare, ngaqë kundër tij nuk kundërvihen projekte të organizuara kombëtare.

Hë për hë për shqiptarët i vetmi ind koheziv kombëtar ka mbetur gjuha standarde shqipe. Mirëpo, kohët e fundit edhe ajo po sulmohet nga njerëz jokompetentë, të pavetëdijshëm për pasojat e veprimeve të tyre. Siç thotë gjuhëtari dr.Ferid Rustemi gjuha e standardizuar shqipe ka mbet pa zot, veçmas në Kosovë. Pas çlirimit të Kosovës, pas ekzaltimit të natyrshëm me idenë e pavarësisë së Kosovës janë shtuar zërat për kodifikimin e një gjuhe të re, që do të ishte bazë për krijimin e identitetit të ri kombëtar, ashtu si ndodhi kryesisht me sllavët. Pjesa dërmuese e mediave elektronike kosovare tolerojnë të folmet lokale në dëm gjuhës standarde. Është e habitshme sesi gazetarët i japin rëndësi gjuhës standarde angleze dhe sa pak respekt tregojnë ndaj gjuhës standarde shqipe. Ky është fenomen i ri, që nuk përputhet as me interesin as me përcaktimet kombëtare më të hershme ose të sotme të elitës politike dhe intelektuale kosovare.

Në këtë betejë të rrënimit të indit të vetëm koheziv kombëtar, të gjuhës standarde shqipe më të zëshëm janë sidomos ata që nuk kanë kompetenca shkencore gjuhësore, as kapacitete politike vendimmarrëse. Kjo kategori e njerëzve tradicionalisht kanë vuajtur nga sëmundja e egzoglosisë. Për ta gjuha shqipe nuk ka qenë asnjëherë e mjaftueshme për t’i shprehur mendimet apo mesazhet e tyre “të thella”. Në kohën e Jugosllavisë ata shpeshherë përdornin gjuhën serbe për t’i shprehur opinionet e tyre, ndërkaq sot shërbehen me anglishten. Argumenti kryesor i tyre kundër gjuhës standarde është konstatimi se kjo gjuhë është imponuar nga sfera e politikës duke mos ditur faktin elementar se çdo gjuhë standarde dhe e kodifikuar është projekt politik që quhet planifikim gjuhësor. Çdo popull modern në botë për ta rritur kohezionin e brendshëm dhe për ta lehtësuar komunikimin e ndërsjellë e standardizon gjuhën, në përputhje me interesin kombëtar dhe përmes vendimmarrjes politike.

Popujt më modernë të botës kanë arritur t’i standardizojnë gjuhët e tyre duke filluar nga anglishtja, gjermanishtja, italishtja, frëngjishtja, spanjishtja, përfunduar me greqishten dhe hebraishten. Këta popuj, ndonëse jetojnë në katër anët e botës, ndonëse kanë të folme të ndryshme, dallime të mëdha kulturore, megjithatë kanë arritur që ta imponojnë përdorimin e gjuhës standarde në administratë, në mediume dhe në sfera të tjera publike.

Në këtë mënyrë këto kultura kanë krijuar një strumbullar të përbashkët, që e forcon identitetin e tyre kombëtar.

Refuzimi i respektimit të gjuhës standarde është në fakt mbulimi i injorancës gjuhësore si dhe projekt me elemente antikombëtare.

Popujt modernë, anglezët, francezët, gjermanët, hungarezët etj, kanë krijuar komisione shtetërore, që kontrollojnë procesin e planifikimit gjuhësor, procesin e depërtimit të huazimeve dhe të zhvillimit gjuhësor në përgjithësi.

Nga ky përcaktim bën përjashtim vetëm bota sllave, e cila në funksion të ekspansionizmit ka zbatuar procesin e disperzionit gjuhësor, krijimin e kombeve me veçori artificiale gjuhësore, saqë janë krijuar konteste të ndryshme, siç është rasti ndërmjet bullgarishtes dhe maqedonishtes.

Nga aspekti gjuhësor, çdo dialekt, çdo e folur mund të kodifikohet dhe të standardizohet. Kjo varet nga përcaktimet politike dhe kombëtare. Në Kosovë ekzistojnë tendenca të ndrojtura për një aventurë të këtillë që nuk përkon me traditën, interesat dhe përcaktimet e shumicës së qytetarëve të Kosovës. Fatmirësisht, në Maqedoni ku shqiptarët janë të liruar nga idetë, projektet shtetformuese, tendenca të këtilla nuk ekzistojnë. Në kushtetutën e Maqedonisë shqiptarët janë të kategorizuar si pjesë e popullit shqiptar, kështu që ata vazhdojnë ta ndjekin me fanatizëm rrugën e kombformimit. Në mediumet elektronike shqiptare në Maqedoni nuk vërehen fare tendencat për mosrespektim të gjuhës standarde shqipe. Madje, është arritur që në Maqedoni zyrtarisht të festohen datat historike të rëndësishme për shqiptarët, siç është 22 Nëntori dita e miratimit të alfabetit të sotëm të gjuhës shqipe.

Procesi i shtetformësisë në Kosovë duhet të ketë një limit të caktuar që parandalon dëmtimin e mëtejshëm të vlerave kombformuese.

Ka ardhur koha që përdorimi i gjuhës unike, standarde shqipe të mbrohet me ligj, të formohen komisione shtetërore që do ta mbikëqyrin zbatimin e tij. Është momenti i fundit që Kuvendi i Kosovës, ai i Shqipërisë t’i dalin zot gjuhës standarde shqipe, indit të vetëm koheziv kombëtar. Këtë gjithsesi do ta bëjë edhe Sobrania e Maqedonisë...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora