E premte, 26.04.2024, 04:55 PM (GMT+1)

Editorial

Ismail Kadare: Si u bëra agjent i përëndimit

E enjte, 29.05.2008, 11:32 PM


Ismail Kadare
Ismail Kadare në ''The Times''

SI U BERA AGJENT I PERENDIMIT

Alice Fordham flet me shkrimtarin e nderuar shqiptar rreth jetës së tij nën regjimin komunist

Vepra e tij mund të mos jetë kritikë e drejtpërdrejt e totalitarizmit por është pazgjidhshëm e lidhur me të.

Ismail Kadare gjatë dekadave ka shkruar nën regjimin brutal komunist të Enver Hoxhës në Shqipëri dhe ka qenë i dyshuar për spiunim dhe i kërcënuar me ndëshkim për shkrime armiqësore. Pavarësisht nga e tërë kjo, në moshën 72 vjeçare, ai është gjakftohtë. I ulur në një divan ngjyrë kremi në apartamentin e tij të dashur në Paris, çehrja dhe gjallëria e tij arkitekturale dhe frëngjishtja e theksuar i japin atij pamjen e tij autoritare. Por, vetëbesimi i tij ka lindur gjithashtu nga njohja ndërkombëtare. Fitues I çmimit International Man Booker Prize, ai është i adhuruar në Shqipëri dhe i lexuar nëpër Europë, veçanërisht në Francë. Tani, më në fund, vepra e tij është duke depërtuar në vetëdijen anglofone. Vitin e kaluar u botua përmbledhja “Vajza e Agamemnonit”. Tregimi titullues ka marrë temën greke të sakrificës dhe i ka dhënë rezonancë freskuese brenda regjimit totalitar. Tani romani “The Siege” (Rrethimi, titull me të cilin është përkthyer “Kështjella”) është botuar në anglisht, duke iu falënderuar pjesërisht punës së palodhshme të përkthyesit David Bellos. I shkruar në vitin 1970, tregon për një rrethim fiktiv kundër një kështjelle shqiptare nga ushtria otomane. Njëri interpretim – ai patriotik – është se Shqipëria është aq e pathyeshme sikurse kështjella në tregim, por tjetri (I dhënë se turqit përfundimisht e kanë pushtuar Shqipërinë) është se është vetëm çështje kohe para se forcat e mëdha të mposhtin ato më të vogla. Çka është më e habitshme, janë nuancat e mënyrës së si gjenerali otoman e kontrollon ushtrinë – ai i dërgon elementët subversive të rrëmojnë tunelin, ngjashëm sikurse Hoxha i dërgon disidentët në minierat e kromit. Dhe libri u është dukur thirrje ngacmuese njerëzve të rrethuar nga forcat e tiranisë; madje edhe kur janë të brutalizuar nga rrethimi, ata janë bindshëm kundër tij. Por, Kadare fuqishëm nuk pajtohet me idenë se libri është vepër drejtpërdrejtë disidente. “Ky është libër pothuajse përgjithësisht i pastër në lidhje me këtë”, thotë ai. “Nuk pohon e as nuk synon të kritikojë vetë regjimin”. Por, pavarësisht nga kjo, thotë ai, është armiqësore në një mënyrë tjetër: “Nëse shkruan letërsi të vërtetë... normalisht, letërsi autentike, atëherë ke bërë tashmë diçka që nga fakti i të qenit atje është kundër regjimit totalitar. “Për shkak se të gjitha regjimet totalitare, në veçanti ato staliniste, nuk janë normale, ato janë të çmendura”, shton ai. “Prandaj nëse mendon të bësh diçka normale, atëherë ti tashmë je kundër regjimit vetëm nga fakti se po e bënë këtë. Për mua, letërsia e madhe është vetëm gjenetikisht, nga natyra e saj, kundër totalitarizmit. Nëse një libër është i punuar mirë, jo të themi i madh apo diçka – por është i mirë, libër vërtetë i përkryer, atëherë automatikisht është kundër regjimit totalitar”. Ideja e shprehjes artistike si liri në vetvete ka qenë me sa duket pamasë e rëndësishme për Kadarenë kur e ka shkruar librin. “E kam shkruar në thellësitë e natës totalitariste”, thotë ai. “Dhe kam qenë shumë i lumtur kur e kam botuar, për shkak se nuk ka pasur absolutisht asgjë të bëjë me sloganet ditore komuniste apo tërë bagazhin ideologjik që është pjesë e kulturës së shoqërive staliniste. Të jesh në gjendje të shkruash gjëra të lira në rrethana që nuk janë të lira është vërtet e mrekullueshme”. Ai më tregon se si, në vitin 1981, djali i Kryeministrit, mik I tij, ka shkuar te ai për t’i treguar se qeveria ka dyshuar në të për spiunim dhe se duhet të jetë I kujdesshëm. Por përgjigjja e Kadaresë ishte të tentojë ta harrojë këtë, t’i injorojë autoritetet dhe pikëpamjet e tyre ndaj tij. Sepse, thotë ai: “Në një vend të këtij lloji, gjëja e parë për një shkrimtar është më e rëndësishmja, më thelbësorja, e ajo është: mos e merr seriozisht regjimin. “Ti je shkrimtar, ti do të kesh një jetë shumë më të pasur sesa ata, ti je në një mënyrë apo tjetër, i pavdekshëm në krahasim me ato lloje njerëzish dhe në shqyrtimin e fundit, nuk ke nevojë të shqetësohesh shumë për ta”. Ai qeshet. “E lehtë për t’u thënë”, thotë ai, “por kur je vërtet atje, nuk është aq lehtë të bëhet”. Ai nënvizon paralele me Danten në Ferrin, kur shtrëngata bëhet e dallueshme. Virgjili, udhërrëfyesi i tij në nëntokë, e siguron atë se nuk ka nevojë të shqetësohet sepse është është shtrëngatë e vdekur dhe nuk mund ta lëndojë. “Nëse shkrimtari ia mbush mendjen vetes se shtrëngata është e vdekur”, thotë Kadare, “ai është i shpëtuar”. Dhe ndonjëherë shtrëngatat në Shqipëri ishin mjaft të patundshme. Ka pasur dhunë dhe shtypje të vërtetë. Absolutisht, thotë ai, por vdekja është e parëndësishme në krahasim me veten si shkrimtar. Të shkruarit është terapi. “Si shkrimtar, kjo është mënyra se si ditët e mia ishin të ndërtuara. Në pjesën e parë të ditës kam punuar në shtëpi, unë, si shkrimtar, pranë oxhakut, dhe kam shkruar. Isha brenda universit tim letrar; isha krejtësisht në paqe dhe plotësisht i lirë. “Pasdite kam dalë, kam shkuar në kafene, kam takuar miqtë dhe ngrohtësia e mëngjesit fillonte të zbehej. E ndjeva se isha qytetar I një bote tjetër. Do të dëgjoja thashetheme, shumica jo të këndshme, njerëz që frikoheshin, njerëz që arrestoheshin, dhe po i afrohesha realitetit, dhe isha ligështuar. Por dita e re do të vinte dhe unë do të filloja prapë terapinë time”. Kadare ishte, në një masë, I mbrojtur nga regjimi për shkak se filloi të bëhet i njohur në perëndim. Po të ishte burgosur apo ndëshkuar për shkrimet e tij, do të tërhiqte vëmendjen. Por fama e tij e gjerë ndodhi rastësisht. “Ishte shumë e thjeshtë”, buzëqesh ai. “Të gjitha shtetet komuniste kanë pasur shtëpi botuese të veçanta që kanë botuar vepra të përkthyera për eksport. Ka qenë fati im i madh që Jusuf Vrioni doli nga burgu. Ai mu prezantua dhe më tha: ‘Unë jam përkthyes; a do të më lejosh ta përkthej romanin tënd “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”?’ Vrioni ka qenë person i cili ishte i papranuar dhe unë nuk e kam pasur autoritetin e të qenit një shkrimtar i provuar sepse ende isha i ri. Kështu që e dorëzova dorëshkrimin në shtëpinë botuese të gjuhëve të huaja dhe ai qëndroi aty në tavolinë për disa vite. Por një ditë ata e kuptuan se ishin pa material, prandaj e botuan, pesë vite më vonë, më 1968, si një rishqyrtim. “Ka qenë shkëndija ime e fatit. Një gazetar francez e kishte vërejtur, e kishte lexuar, e kishte pëlqyer, dhe ia kishte dhënë një botuesi parisien. Pa autorizime, pa të drejta, asgjë fare. Shqipëria nuk ka besuar në pronën intelektuale, ishte shfuqizuar, në fakt e tërë prona personale ishte shfuqizuar. Prandaj romani u botua në Paris. Të gjithë ishin të habitur, ata erdhën duke kërkuar libra të tjerë dhe kështu filloi”. Qeshet ai. “Dhe kështu u bëra agjent i perëndimit”. Vetëbesimi i tij në fuqinë e përjetshme të veprës së madhe është i patundur. Është, në të vërtetë, një lloj i tiranisë me të cilën ai mund të ecë përpara. “Në jetën sociale”, thotë ai, “diktatorët janë të neveritshëm; Stalini, Lenini, Himmleri, Hitleri të gjithë janë kryekëput të padurueshëm. “Por shkrimtarët e mëdhenj dhe kompozitorët e mëdhenj nuk janë të tillë. Shakespeare dhe Homeri janë tiranë që sundojnë për dy, tri mijë vite. Letërsia është vetëm diçka tjetër, është e ndryshme dhe rregullat janë ndryshe. Një shkrimtar i madh mund të bëjë më shumë të mira sesa njëqind mijë shkrimtarë mediokër”. Çfarë ka arritur Kadare ka pasur nevojë për trimëri. Ai e braktisi Shqipërinë vetëm në fund të regjimit të Hoxhës dhe tani ai është komentues i zhurmshëm I çështjeve ballkanike. Vepra e tij mund të mos jetë kritikë e drejtpërdrejt e totalitarizmit por është pazgjidhshëm e lidhur me të. Liria që erdhi me injorimin e kërcënimit të së sotshmes ka prodhuar një sasi veprash që, për miliona që kanë jetuar nën Hoxhën, duhet të kenë ndriçuar errësirën e asaj nate totalitare. Për të tjerët nga ne, librat e tij qëndrojnë, siç thotë ai për letërsinë që e do, “të patundshëm dhe të përjetshëm”, por ata gjithashtu na kujtojnë miliona jetë të manipuluara nga autoritarizmi.

The Times
Përktheu: Alfred Beka



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora