Editorial
Shukrije Bunjaku - Mani: Halil Xani, tungjatjeta, me dekada nëpër gazeta!
E premte, 23.05.2008, 07:30 PM
![]() |
Ju paraqesim krijuesit tanë
HALIL XANI, TUNGJATJETA, ME DEKADA NËPËR GAZETA!
Nga Shukrije Bunjaku - Mani
Halil Xani u lind më 1952 në fshatin Polac të Skenderajt: nga babai Ferat (1900-1967), i fisit Krasniqe, ndërtimtar, ka qenë shumë i respektuar, të gjithë fëmijët e lagjes i kanë thënë- baba, e kryeplak ka qenë i vellai i tij, Sadriu në kohën e Shaban Polluzhës, kurse vëllai i tretë, Syla, ka qenë korrier i Shabanit; dhe nga nëna Afije Maloku- Xani (1905-1999), amvise, nga Shallci i Vushtrrisë; të vetmin vëlla, Bajramin, në Luftën e Dytë Botërore, partizanët e kanë hedhur nga ura e Sitnicës!
Në këso atmosfere u rrit dhe u brumos krijuesi ynë Halil Xani. Shkollën fillore e mbaroi në Polac e Skenderaj ku e kreu edhe gjimnazin. Studioi në degën e Gjuhës dhe të Letërsisë shqipe në Fakultetin Filologjik në Prishtinë.
Nga viti 1974 e deri në vitin 1976 punoi arsimtar i gjuhës shqipe në shkollën fillore të Qirezit, kurse në shkollën fillore të Polacit nga viti 1976 e deri në vitin 1983. Nga viti 1983 e deri në vitin 1990, punoi gazetar në Radio Mitrovicë, deri atëherë kur policia serbe i dëboi punëtorët shqiptarë nga puna dhe mbylli programin shqip.
Pas luftës së fundit, nga një vit punoi gazetar në të përditshmet “Dita” dhe “24 orë” në Prishtinë si dhe dy vite drejtoi programin e radio Drenicës.
I martuar që nga viti 1975 me bashkëshorten e tij të devotshme zonjën Zahide. Kanë tre bij e dy bija: Arbeni, Ekremi, Fisniku, Merita dhe Qefsere.
Katër fëmijët e martuar i kanë 6 bij e dy bija, pra gjyshërit kanë 8 nipa e mbesa!
Tash pesë vite është i papunë. Jeton dhe vepron në Polac të Skenderajt.
Pos vjershave për fëmijë të cilat i botoi që nga viti 1971 e këndej në gazeta e revista të ndryshme që dilnin në Prishtinë e Shkup, shkruan edhe humor.
Në vitin 1996 botoi përmbledhjen e parë me titull “Ndal Drenushë”, librin e dytë me titull “Unë e babi mjeshtër” e botoi në vitin 2005, ndërkaq ka në dorëshkrim dy libra me mahi të ndryshme, një libër me titull “Qyfyret e Nastradinit”, një tjetër libër me titull “Vargje me gjemba” si dhe librin e tretë po ashtu me vjersha për fëmijë.
Fëmijëria ime ( në vargje)
Isha fëmija i tretë,
që prindërit më sollën në jetë,
isha i vogël sa zerrja,
andaj s`mbaj mend
a pat krisur mauzerja,
mbase kam kërkuar qumësht
por jo edhe bukë,
nëna nuk ishte police,
por më lidhi më bëri tamruk.
Unë reagova besa edhe qaja shumë,
kurse nëna me nina, nina, nina,
më vuri në gjumë.
U rrita ngadalë duke lozur nëpër hi,
dikur nisa të dal edhe nëpër komshi.
E di se rrallë hanim mish,
kurse natën e madhe e për bajram,
hanim edhe çervish.
Vëllai më i vjetër shkonte
në shkollë fillore,
unë isha kureshtar të shihja
se ç`shkruante ai në fletore.
Nuk kishim radio, televizor, as kompjuter,
me top leckash luanim në verë.
Bënim qerre me kunguj e me talla,
nga zhurma jonë gjëmonte mëhalla.
Një pranvere kur mugulloi mali,
babi tha të lumtë ne na u rrit djali,
më bleu opinga me “baskija”
e një palë pantallona me vija,
një fyell të mirë e brisk,
dorezën të shkruar me lara,
më tha këto janë armët tua të para,
m`i lëshoi lopët në lëndinë,
kujdes më tha në drithë të huaj mos të hyjnë,
se është gjynah e bëhemi gazi i botës,
të pimë qumësht haram prej lopës.
Në mëngjes hijen e matnim me këmbë,
kur prenim thupra i matnim me pëllëmbë,
në drekë pas kulaçit kur i hanim edhe qershitë,
nëpër oborr i rrokullisnim tepsitë.
E mbaj mend mirë kalin kur e shalova,
një ditë në kokërr të shpinës u rrëzova.
Babai s`e mori vesh, kurse nëna mjeroi,
me ujë të valë e me krunde më mjekoi.
Kur u bëra i madh ihiiii-
në moshën shtatëvjeçare,
babai m`i bleu dy-tri fletore
më bleu dhe abetare,
nëna më përcolli më tha udhë e mbarë,
më uroi: u bëfsh o bir gazetar e shkrimtar!
Kur hyri në klasë mësuesi Hamit,
nuk e harroj kurrë,
thoshim vetë më vete
as han as flenë ky burrë.
Pa humbur kohë ia nisëm mësimit,
A e madhe shtypit, A e madhe e shkrimit,
a, a, a, e b, b, b, b,
arritëm deri në zh.
Vërtet atëherë s`kishim lidhje
ç`është çipi a moduli,
ishim të barabartë të gjithë
njehsonim me kokrra fasuli.
Dimrit nëpër shi e borë,
me rroba të holla,
por asnjëherë
nuk ndaheshim nga shkolla.
Atje e gjenim xha Aliun e Marinës
që na i mbushte tasat me qumësht të Amerikës.
Pritnim në rresht për një gotë ujë,
ai vajzat i thërriste Bardhokë, Sykë, e Ftujë.
Më kujtohet kur pat ardhur një xhip nga qyteti,
ishte shoferi vetë i treti,
na thanë fëmijë mos u frikësoni,
sot një film do ta shikoni,
u errësuan dritaret ne u bëmë sy e vesh
tanket i pamë në mur,
na u duk vinin drejt nesh.
Atëherë si fëmijë në vitin gjashtëdhjetë
pata kontaktin e parë me gazetë,
në shkollë na i solli një njeri,
e lexonim Rilindjen për fëmijë…
ALFABETI I DËSHMORËVE
Ju fëmijë nëse doni
A-në në mend t`a mbani
Thoni A, Adem Jashari
Thoni A, Agim Ramadani.
Kur ta mësoni A-në
Mbani në mend në daçi
Mos thoni A-aeroplani
Thoni A, Abaz Thaçi.
Kur të shkoni te B-ja
Mos thoni bujku a bisha
Thoni B, Bedri Shala
Thoni B, Bekim Berisha.
Dhe lavdërohet F-ja
Thotë unë jam në flamur
Jam te Fehmi Lladrofci
Që nuk harrohet kurrë.
Mos thoni H, H, Hëna
Kur H-në e takoni së pari
Në mend e mbani më lehtë
Të thoni H, Hamëz Jashari.
Kur do ta mësoni I-në
Mos u thoni I- kuajve lodra
S`do ta harroni kurrë
Kur thoni I, I, Ilaz Kodra.
Unë po ju tregoj
Mos thoni nuk e diti
Se me Z të madhe
Është Zahir Pajaziti.
Ju lus fëmijë të dashur
Në qytet e katund
Këtë alfabet që e nisa
Ta çoni deri në fund.
Maj, 2006
NËNA IME
Kur dola nga shtëpia
Më përqafoi me mall
M`tha ma bën hallall
Se nuk më gjen gjallë.
E pashë i fshiu lotët
Me cep të shamisë
Qaja prej mërzisë
Kur dola prej shtëpisë.
Dëgjova se ka vdekur
Nënëlokja ime e mirë
Me shpirtin e dëlirë
Larg jam sa vështirë.
Gjumi kur më zë
Ëndrrat atje më çojnë
Fëmijët që më rrethojnë
Dot nuk më ngushëllojnë.
UNË E BABI MJESHTËR
Babi me çekiç e daltë
Gdhendte një gur
Unë me penë një fjalë,
Ai kryente një rresht
Në mur të shtëpisë
Unë një strofë të poezisë.
Ai kryente një kat
Unë një vjershë.
Babi me pe
Të ngjyer në blozë
Lëndëve iu bënte vi
I drejtonte si qiri
I vente në çati.
Unë fjalë pas fjale
Strofë pas strofe
Vjershë pas vjershe
Bëra një libër
Për fëmijë.
Ai me qerpiç e gurë
Bëri shumë shtëpi,
Unë fjalë pas fjale
Bëra dy libra për fëmijë,
Babi ishte mjeshtër
Unë jam biri i tij.
PARA VARRIT TË KOMANDANTIT
(Një ushtar i batalionit “Atlantiku”)
Larg në Amerikë ishim
Mendjen n`Kosovë e kishim,
N`jug t`Evropës plakë
Kosova digjej flakë.
Formuam “Atlantikun”
Kaluam Atlantikun,
Të veshur me barot
Kosovës t`i dalim zot.
Rezezat i shporrëm qiellit
Për rrezet e ngrohta të diellit,
Erdha në Prekaz o trim
Edhe sot je komandanti im.
Buza më dridhet në vaj
Mos më qorto pse qaj,
Deri në fund të kësaj bote
S`harrohet lavdia JOTE.
MË THANË…
Më thanë lulet
Na merr në vjershë
Vjersha do behar,
Më thanë bletët
Ç`bëjmë ne pa lulet
Vjersha do nektar.
Më thanë fëmijët
Na merr edhe neve
Vjersha do rritë,
Më tha dielli
Lulet, bletët, fëmijët
Nuk bëjnë dot pa dritë.
Më tha shiu
Edhe unë do të vi
Pa stuhi e erë,
Si do të rriten lulet
Si do të rriten fëmijët
Kur s`shohin ylbere.
Ua hapa derën
Luleve, bletëve
E fëmijëve përnjëherë,
Hyri edhe dielli
E mora dhe shiun
Vjersha u bë ylber.
Më tha trimi
Me pushkën time
Edhe unë do të vi,
Ju asnjë pa mua
Fare s`keni vlerë
Po s`patët liri.
FJALA
Ka fjalë të shkurta
Ka fjalë të gjata
Ka fjalë të mprehta
Që presin si shpata.
Ka fjalë që dalin fushës
Do janë për kuvend
Por është më e mira
Ajo që pret në një vend.
Ka fjalë si pelini
Ka fjalë nektarplot
Ka fjalë që vrasin
Si armët me barot.
Ka dhe fjalë si era
Që s`peshojnë hiç
Ka fjalë si plumbi
S`ngrihen as me vinç.
Fjala do gdhendur
Fjala do latuar
Të mos ketë gjemba
Njerëz për të lënduar.
Drenicë,16.12.2007
VARGJET E MIA
Vargjet e mia të ngrohta valë
Ia dhashë ”xhaxhit” internet
Si babadimri fëmijëve t`ua falë
Kudo janë, në secilin kontinent.
Vargjet e mia me aromë Kosove
Nuk i mbaj dot në kompjuter
Tek ju i nisa me shpejtësinë e dritës
Te ju gjejnë gëzuar shend e verë.
Anembanë botës ju që keni tretur
Shumë gjuhë të tjera do të mësoni
Por gjuhën shqipe n`maje gjuhe ta mbani
Se do t`ju mallkojë po qe se e harroni.
Drenicë, 16.12.2007
KUSH KË E DO MË SHUMË
Besomëni kemi i rënë në dert
E assesi more nuk është punë
Dikush drejt të na e pleqërojë
Dhe ta mbyllim këtë punë
Cili e duam tjetrin më shumë
Mua nipi -apo atë unë.
Ai më thotë- të kam zemër
Unë i them- të kam llokum
Ai hap krahët-të dua kaaaq
E unë i hap edhe më shumë.
Ai prapë më thotë të kam zemër
Unë i them të dua sa diellin
Ai matet nga koka në themër
Gjysh ta kalova të dua sa qiellin.
Ai më shtrëngon fort, fort, fort
Unë i them- Drin më kënaqe
Oh sa i mirë më thotë je o gjysh
Kur rruhesh e s`ke therra në faqe.
Unë i them të dua shumë, shumë
Ai më thotë shuumë me dy “u”
I them të dua më shumë unë
Ai ma kthen jo të dua uuuuuunë.
Kemi pyet e burra e pleqnarë
Kemi pyet juristë e hoxhallarë
Të gjithë na thanë ju kot e keni
Kandar dashurie askund nuk gjeni.
18 maj 2006
GJYSHI E KËLYSHI
Nipi gjyshit i thotë gjysh
Gjyshi nipit i thotë këlysh
Prandaj mos pyet si e qysh
Në odë tok gjysh e këlysh.
Nipi është djalë me fat
E ka gjyshin avokat
Kur e bën ndonjë sherr
Gjyshi n` mbrojtje nipin merr.
Nuk ka mjekër ka mustakë
Dyzet euro ka pension- pak
Në avokaturë është pa orar
E mbron nipin me honorar.
Gjyshi shtrihet te koftori
Nipi e ngjesh si doktori
Uron gjyshi rrofsh or bir
E marrësh një nuse të mirë.
Drenicë, 24.12.2007
PREJ NGA ËSHTË
DALLËNDYSHJA
A s`më thua lum gjyshja
Ku e ka vendlindjen
E ku Dajt dallëndyshja?
Nga jugu kur vijnë
Këtu bëjnë folenë
Dhe rritin fëmijët.
Prindër në jug e veri
Janë zogj Kosove
Apo me dyshtetësi.
Njerëzit në diasporë
Shkojnë “përkohësisht”
E vijnë rrallë e më rrallë,
Zogjtë andej e këndej
Në dy vendet njëjtë
Shkojnë e heqin mall.
Nuk kanë valixhe
Asgjë për doganë
As pasaporta s`kanë.
Nuk bartin libra
As hartë e busullë
Se nuk kryejnë shkollë,
Fluturojnë hoooopaaa
Nuk i pengojnë retë
S`çajnë kokën për gropa.
Larg e ndiejnë motin
Me sy krejt të mbyllur
Kaptojnë horizontin.
Pa hartë e pa busollë
Kështu gjithherë
Vjeshtë e pranverë,
Ikin e prapë vijnë
Ia shtojnë stinës
B U K U R I N Ë.
Maj, 2006
PSE…PSE…
Pse, pse, pse…
Se, se, se se…
Eeeeeeeeeee...
Pse natën nuk ka ylber
Pse kripa s`bëhet sheqer,
Pse kungulli s`është si shalqiri
Pse çdo lis nuk ka aromë bliri,
Pse në xhep nuk futen retë
Pse lumi nuk rrjedh përpjetë,
Pse në qiell rrufetë shkrepin
Pse dhe kush e kripos detin,
Pse aq shumë yje ka në qiell
Pse aq shumë ka zjarr në diell,
Pse lulet kanë aq shumë ngjyra
Pse aq shumë kodra ka natyra…
PSE…PSE…
Pse, pse, pse…
Se, se, se, se…
Eeeeeeeeeee…
Pse në rrugë kaq shumë gropa
Pse për lojë s`kemi mjaft topa,
Pse fabrikat bëjnë armë të gjata
Pse s`bëjnë më shumë çokollata,
Pse dikush ka pallate-më thoni
Pse tjetri s`ka as tendë najloni,
Pse s`ka banane në Qyqavicë
Pse kaq vetëvrasje në Drenicë,
Pse popullin e mbyt varfëria
Pse aq shumë xhipa ka qeveria,
Eh, vogëlush ke nisë të mërzitesh
Po përgjigjet i gjen kur të rritesh.
Më 3 qershor 2006
LETËR AHTISAARIT
(Bën edhe udhëheqësve tanë)
Radioja në mëngjes
Më ushqen me status
Gazeta në drekë
Më ushqen me status
Televizioni në darkë
Më ushqen me status.
Unë, jo tri herë në ditë
Po njëqind herë në ditë
Ha ngapak bukë me status
Dhe ende ka mjaftë
Ka sa të duash status
Ka status-quo plus.
Mua më dhemb barku
Mua më dhemb koka
Gjumi nuk më merr
E ata më japin status
Pa afat nëpër terr
Në dritë të qiririt
Nganjëherë edhe me pishë
Me pishë, hej sa tmerr
Se reduktimet janë
Dy me dritë-tetë në terr
Ferr, o ferr, o ferr.
Me status më ushqejnë
Ata që hanë mish viçi
Po, ani, si në lashtësi
Në këtë botë çervish
Ashtu është më mirë
Ta kemi mesataren
Status-quo plus mish.
Ata,tri herë në ditë
A njëqind herë në ditë
Në çdo racion
E saherë të donë
Hanë korrupsion
E mua më thonë
Përmes radios
E televizionit
Thuaj:
JO KORRUPSIONIT!
E nesër a pasnesër
Në mot a tjetrin mot
Kur të bie statusi
Kryengul n`fund pusi
Këta prapë do të thonë
Na i leni neve kolltukët
Na i leni xhipat e mishin
E ju tash ushqehuni
Me PAVARËSINË
Mund ta hani edhe çervishin
Polac, 8 nëntor 2006
NJË NATË PA GJUMË
( Migjeniane)
Pak dritë! Pak dritë! Pak dritë, o KEK, o vëlla
Pak dritë në këtë natë kur shpirti vuan, o KEK
Kur të dhemb e di ç'të dhemb, e syri gjumë s`ka,
Urren dhe din çka urren, Qeveri, ministri e Çek.
Pak dritë! O KEK! O KEK me veshë në lesh
Firmë që prodhon terr vetëm terr sërish!
Pak dritë vetëm, të lutem, mëshirë të kesh,
Se po çmendem përnatë pa gjumë pa pishë.
Oh! ta kisha pishën të madhe ta ndezja vetë!
Me flakën e pishës në qiellin e kësaj nate
Ta ndriçosha qiellin e Kosovës së shkretë
Do të shihja dritat në fshatra, kodra, shpate.
Por pishë nuk kam e në terr jam përnatë
Dergjem n'errësirë pa gjumë dhe pa dritë...
Askush s'më dëgjon, çirrem kot fillikat
A heshtet ore, kur njeriu vuan me shpirt.
Gjeli këndon dhe thotë se është afër drita
- Gjel, a din ç`përmban pakoja e Ahtisarit?
Ka kohë që ti këndon e unë mjaft të prita.
Si duket dita s`po vjen me ardhjen e beharit.
Polac, 17.01.2007
BAQICA NË INTERNET
Sot as fshati s`është si dikur
Hovshëm ka hyrë në kulturë
Femra s`është bareshë në male
Por gjithë ditën këqyrë seriale.
Nuk pjek bukë me saç në gurë
Por shpesh pitet i djeg n`furrë
Kurse lopa në ahur bërtet
Baçica ka hy në internet.
Ka hy n`Google kërkon botën
Mos gjen robot t`ia mjel lopën
Se i ka thënë një grua n`komshi
E paskan shpikur në Japoni.
Tha në ditë e shoqja Selimit
Ia pashë hairin privatizimit
Burri im pa punë është sot
S`kam nevojë unë për robot.
DIKUSH, DIKUR...
Dikush në palestra organizon dasma mbretërore
Dikush për fëmijën nuk ka të blejë një akullore
Dikush nuk skuqet e aspak s`ka marre
Pse dëshmorët s`kanë as gurë në varre
Dikush, dikur rrihte gjoks se ishte trim
Tash nga lart nuk i vëren fëmijët jetimë
Dikush, dikur kënaqej me një shtëpi
Tash i duken pak që i ka njëzet e tri
Dikush, dikur kulloste lopën me kërpesh
Tash i rrethuar nga truprojat-kalavesh
Dikush, dikur punonte me zanatin murator
Tash sa çil e mbyll sytë na u bë profesor
Dikush, dikur jo, por tash e shtrembëron plisin
Sepse nëpër ministri ka punësuar farefisin
Dikush, dikur punonte me zell në bujqësi
Kurse tash me tender, ku-ku, po bën kërdi
Dikush, dikur premtonte pavarësinë
Tash ai status-quon e do si fëmijën
Dikush, dikur kërkonte rregull
E tash si ujku, do vetëm mjegull...
Polac, 29.05.2007
TELEMUHABETI
Tash ka ndërruar moda
në fshat më s`ka oda
s`ka lojë me kapuç
jo huqe jo nuk huq
s`ka biseda- mesele
i kanë qitë n`çetele
njerëzit me internet
bëjnë telemuhabet.
Dikush nga çarshia
dikush nga shtëpia
flasin për fëmijë
flasin për dashuri
flasin për dhenë
flasin për qenë
flasin për bujqësi
flasin për gjueti
flasin për vetura
flasin për aventura
flasin për muzikë
flasin për politikë,
disa për futbollin
disa për Stambollin
t`gjitha i bëjnë lodër
me Shkup e me Shkodër
flasin për argëtim
e më pak për mësim.
Andej është një djalë
"çikës" i çon fjalë
njëherë butë e butë
nga ana tjetër e lutë
oj zemër pash nderën
a ma lëshon kamerën
e kamera si kamera
qet rrenën te dera
n`atë anë e n`këtë anë
të dy meshkuj janë
pastaj normal, babëlok
njëri ia bën bllok
ai barkun e mbanë
ky ia nisë e shanë
me nënë e me motër
me çka ka në votër.
Unë që jam më plak
me miq flas ngapak
por edhe qeshi shpesh
me shkrimin përshesh
në këtë lloj shkrimi
s`ka shenja pikësimi
askush nuk mërzitet
pse gjuha çoroditet
nuk qajnë kokën fare
për gjuhën letrare
më tha një mik qebesa
interneti lidhë fejesa
por edhe bën ngatërresa
se në një kompjuter
s`i zë dy përnjëherë
Drenicë, 5.6.2007
Nastradini në kufi
Në dalje të Kosovës, Nastradinit, polici i flet shqip.
Në hyrje të Shqipërisë tjetri polic prapë i flet shqip:
-Heu, sa bukur - nisi t`i fërkojë sytë e veshët,
- po pse nuk rrinë në një vend këta policë, po
rrinë kështu ndaras- pyeti Nastradini plak.
Deti shihet nga ballkoni
Te Rrota e Kuqe, posa u nda nga gratë që ziheshin se cila ta
merrte më parë, Nastradinit një durrsak ia mori çantën dhe
e kapi për krahu duke i thënë:
-Eja me mua, kam banesë të lirë. Ja këtu e kam edhe makinën.
-Mos është larg banesa nga deti more jahu e unë jam plak nuk
mund të eci.
-Jo, jo, mos u bën merak, nga ballkoni i shtëpisë sime duket deti.
Kur shkuan, vërtet nga ballkoni dukej deti që kish disa kilometra
larg prej aty.
Artikujt ushqimor në gjuhë të huaj
Ditën e parë Nastradini u afrua në shitoren më të afërt
për të blerë artikuj ushqimor për mëngjes.
E mori në dorë një litër qumësht, por nuk e kuptonte
ciriliken e Beogradit.
E bleu një litër ujë mineral dhe duke shikuar a ka afat,
nuk e kuptoi greqishten.
I la që të dyja dhe doli duke bërtitur:
-Ooooooo Nastradin, ku jeeeeeeee moreee a po e din?
Kufijtë
Gjatë tërë javës Nastradini kishte paguar nga 300 lekë
për çadrën. Një ditë nuk e mori çadrën, kurse ai njeriu
që kujdesej për çadrat, as mirëmëngjesi nuk i tha por e
urdhëroi që të dilte jashtë një litari që e kishte vendosur
si kufi.
-Si bre nuk po të vjen turp, Evropa po i heq kufijtë e ti
po na qet kufi në mes të plazhit-i tha Nastradini.
Penda u bë plug
Pas vërejtjes së një deputeti lidhur me një ligj që duhej
të miratohej në Parlamentin e Kosovës, Sabri Hamiti u
ngrit dhe sqaroi:
-Zotërinj të nderuar deputetë, propozimligji është i njëjtë
vetëm se në versionin e parë është parmendë, kurse në
të dytin, plug.
-Mirë- tha kryeparlamentari-kush është për plugun,
le ta ngritë dorën.
LDDDDDDD
Pasi Daci ia vuri emrin partisë së tij të re,
Shoku-shokut i thotë në MSN:
-Urime LDDDDDDD!
-Nuk po të kuptoj- i përgjigjet ai.
Pastaj shoku sqaron kështu:
Unë jam nga Lidhja Demokratike e Dardanisë së
Dacit, Dega në Dobrashefc të Drenasit të Drenicës.
Më mirë Numani se Selmani
Duke i dëgjuar deputetët e Parlamentit
të Kosovës si diskutojnë, njëri tha:
-Sa bukur flet Numani.
-Po, besa më mirë po flet Numani
se Selmani-ia ktheu tjetri.
Projektligji i kopjuar
Një deputete, kur po diskutohej për projektligjin
mbi bujqësinë organike, tha se ky projektligj ishte
një kopje e marrë nga shtetet e Evropës.
-Mirë që ministria nuk akuzohet si profat e
UP-së për plagjiat-thashë.
Inspektori
-Çka i keni grumbulluar këto goma, a nuk keni dëgjuar
se është e ndaluar ndezja e tyre!
Merrni largoni prej këtu se përndryshe ua dhashë flakën!
-Zotëri inspektor, a e doni shkresën apo e keni të huajën!
KËRKONTE GJUMIN
E takoi Nastradinin xhandari i mbretit
Një natë me hënë rrugës së qytetit
Je në vete or plak ç`kërkon këndej
M`ka humbur gjumi s`po mund ta gjej.
MË DUKET UNË JAM TI
Hoxha takohet me njërin, sy më sy
Ti s`më njeh mua, unë s`të njoh ty
Nga kapela ti më dukesh jam unë
Sa keq jam ngatërruar o dreq o punë.
AMANETI I HOXHËS
Para se të vdiste, hoxha la amanet
Ta varrosin vertikal me këmbë përpjetë
Kur bota t`përmbyset në çdo pëllëmbë
Unë tha do të ngrihem drejt në këmbë.
NATALITETI
Njëri e pyeti hoxhën për natalitetin
Aiii, ia ktheu hoxha ia nxore lezetin
Kjo punë do të shkojë sikur jep e merr
Derisa të ketë vend në parajsë e n`ferr.
EPIGRAME
Shumë nuse duan t`i kenë vjehrrat, si jo
Me kusht që të mos takohen kurrë me to
Vjehrrat duhet të punojnë sipas nevojës
Por edhe kërkohet t`i vënë kapak gojës.
…
Dikur fëmijët me ëndje ruanin bagëtinë fushës
Tash pleqve ua lanë në dorë këmbët e arushës
Mos thoni pleq vajhalli e ku-ku çka na gjeti
Është shekull i ri, epokë teknike dhe interneti.
…
Thonë Kosovën varfëria po e mbytë
Ngrihen pallatet sa çel e mbyll sytë
Gratë me dimi kanë celularë
Edhe fëmijët që nga klasa e parë.
…
Në shtetin tim të pavarur
Nga shumë vende të përkrahur
Vijnë e shkojnë kuaj e gomarë
Edhe do XHIÇA - SAMARË.