E diele, 05.04.2020, 02:36 PM (GMT+1)

Komente

Luan Rama: Kadare-Dyran, të jesh mik me autorin

E enjte, 29.05.2008, 04:37 PM


Kadare-Dyran, të jesh mik me autorin 

Shkruar nga Luan Rama

Botuesi francez i veprave të Kadaresë, Claude Durand, hap sot konferencën “Refleksione rreth Kadaresë”, të organizuar nga “Qendra e Kërkimeve të Letërsisë dhe të Poezisë së Krahasuar” në Universitetin 10 të Nanterre-s në Francë. Në këtë kolok ku marrin pjesë studiues francezë, amerikanë, si dhe studiues shqiptarë, ai do të flasë për veprën e shkrimtarit tonë të madh dhe padyshim, ai është nga njohësit më të mirë të letërsisë së tij.

Biografia e botuesit të veprës së Kadaresë është pak e njohur nga intelektualët tanë dhe aq më tepër nga lexuesit shqiptarë. Vite me radhë, nga një dhjetëvjeçar në tjetrin, jemi gëzuar me botimet e Kadaresë në Francë dhe shpesh kemi dëgjuar emrin e botuesit të tij, Klod Dyran, (Claude Durand), por përsëri kjo figurë ka mbetur në hije dhe rrallë kemi menduar për të, vlerën e tij, komplicitetin e tij në krijimtarinë e Kadaresë, për këtë pikëtakim kaq të rëndësishëm për letërsinë shqiptare dhe vetë emrin dhe krijimtarinë e Kadaresë. Vallë sa ka bërë kritika jonë letrare për ta rilevuar këtë fakt? Sa kanë bërë vetë shkrimtarët? Emrin e Dyran herë-herë e gjejmë në ese të ndryshme të Kadaresë, impresione takimesh, pa mundur të arrijmë në refleksionin se ç’është në të vërtetë botuesi për një shkrimtar të madh, siç është Kadareja, dhe aq më shumë për një shkrimtar të një vendi të vogël si Shqipëria.

Botuesi nuk është thjesht një ent, një tregtar apo biznesmen i një krijimtarie artistike. Botuesi është një “komplis” intim i shkrimtarit, ai e shoqëron atë, e inkurajon, e vë në evidencë, bëhet një mbështetje morale për të. E padyshim, për Kadarenë ishte një fat që u pikëtakua me Dyran, drejtuesin e “Fayard” që veç romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (botuar nga “Albin Michel”), 1970 dhe të “Tamburet e shiut” apo “Kështjella” në shqip, botuar nga “Hachette Littérature”, 1972, ai të botojë pothuaj tërë veprën e shkrimtarit.

Një punë e palodhshme, pasionante, më shumë se tridhjetë vjeçare. Veç Kadaresë ai ka botuar Rexhep Qosen, librin e Bashkim Shehut “Vjeshta e frikës” (L’Automne de la Peur), si dhe një roman të fundit të shkrimtarit dhe poetit kosovar Eqerem Basha, etj. Të tjerë autorë po trokasin në dyert e “Fayard”.

E pse jo, një botues si ai, veç bujarisë ka dhe kërkesën mjaft të lartë të cilësisë së letërsisë apo esesë që kërkon t’i prezantojë publikut francez e atij botëror, pasi, siç dihet, janë pikërisht përkthimet e Vrionit, mbi të cilat bazohen dhe përkthimet e romaneve të Kadaresë në gjuhë të ndryshme të botës. Klod Dyran ka në dorë të drejtat e autorit tonë më të madh shqiptar të shekullit XX.
   
Atë burrë simpatik e kisha parë shkarazi në Tiranë dhe më vonë, nga vitet ‘80 në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve, në hollet e hotel “Dajtit” dhe më duket, dhe në studiot e Kinostudios “Shqipëria e Re”. Lidhja e Shkrimtarëve i rezervonte botuesit francez një pritje të veçantë edhe pse shumë shkrimtarë e shihnin me xhelozi këtë lidhje të fortë të shkrimtarit me botuesin e huaj, që aq më tepër ishte një premierë në Shqipërinë e epokës totalitare. Madje hamendësitë ishin të shumta. Realisht do ta njihja atë pasi zbarkova në Paris dhe më konkretisht në librarinë e “Fayard”, në Rue de Saints Pères apo një mbrëmje të vitit 1992, kur Ismaili me të ktheheshin nga një konferencë letrare në Belgjikë dhe zbrisnin në stacionin e trenave të Gard du Nord bashkë me Helenën dhe Karmenin.

Me makinë, përmes shiut, së bashku u drejtuam për në shtëpinë Kadaresë. Klodi të bënte menjëherë për vete me mirësjelljen, buzëqeshjen dhe dashamirësinë e tij. Atëkohë nuk njihja asgjë nga jeta e tij: Cili ishte? Nga vinte? Çfarë pëlqente në këtë botë? Cilët shkrimtarë ishin të preferuarit e tij? A i pëlqente teatri, muzika klasike, kinemaja, ç’dinte ai për Shqipërinë?

Dyran ka lindur më 9 nëntor 1938 në rrethinat e Parisit. Në rini të tij ai ndoqi shkollën normale të mësuesve në Versajë dhe shpejt dashurohet pas teatrit. Në këtë kohë të rinisë ai bëhet një nga përkrahësit e politikës së një prej evropianëve të mëdhenj francezë, Mendes France. Filloi të botojë pjesë të shkurtra dhe jepet pas letërsisë, duke punuar pranë shkrimtarit Jean Carol. Në atë kohë ai botoi “Menuja e ditës” dhe morri çmimin “Feneon” për romanin e tij të parë “Bregu i detit”, duke bashkëpunuar njëkohësisht me revistën e njohur letrare “Lettres Françaises”. Më pas ky djalosh mjaft simpatik, me fytyrën e një aktori kinemaje, punon për filmin e Jean Cayrol “Goditja e fundit”.

Pas bashkëpunimeve të para me Gabriel Gracia Markez dhe Solzhenicin, në momentin kur drejtuesit e shtëpisë botuese “Seuil” kërkojnë të tërhiqen, ai vendos të punojë në shtëpinë botuese “Grasset”, dhe më 1979 merr çmimin “Medicis”, për romanin e tij “Nata zoologjike”. Në këtë periudhë ai caktohet drejtor i përgjithshëm i botimeve “Fayard”, duke kërkuar të zgjerojë dimensionet e saj dhe duke u orientuar rreth botimeve të tjera si ato për histori, muzikologji, shkencat humane, letërsi e huaj, etj., dhe duke thithur drejt botimeve “Fayard” personalitete shkencore e politike si Mitterand, ish-kryeministri francez Eduard Balladure, Lens Walensa, shkrimtari Julien Green, akademikë si Helene Carrere d’Encausse, Andre Frossard, Alain Peyrefitte, Erik Orsena, Michel Serres, Rene Raymond, apo së fundi Helbecque, etj., autorë të shquar të letërsisë dhe mendimit të sotëm francez e botëror. Në vitin 1990-1992 ai u zgjodh presidenti i institutit “Memoire de l’Edition contemporaine”. Nga 1991-1998, pasi drejtoi dhe shtëpinë botuese “Stock”, ai kërkoi të krijojë një konstelacion botimesh rreth “Fayard”, pra departamente të reja si botimet “Le Pommier”, “Pauvert”, “Mazarine”, “Mille et une nuits”, etj. Më vonë ai u nderua me titullin “Officier de la Legion d’Honneur”(«Oficer i Legjionit të Nderit») dhe më pas me “Commandeur des Arts et Lettres”, (Komandër i Arteve dhe i Letërsisë”).
   
Kur ai filloi në botimet e shtëpisë botuese “Seuil”, që drejtohej nga Paul Flamand, ky i fundit i kërkoi të merrej me letërsinë e gjuhës spanjolle dhe ruse. Atëherë ai nuk e dinte se ç’ishin botimet. Kështu i ra në dorë dorëshkrimi i Garcia Markez “100 vjet vetmi”. Askush nuk e njihte Markezin në atë kohë në Francë. Ky roman i pëlqeu menjëherë dhe ai i bleu të drejtat e botimit në Francë. “Nuk është turp të them, por atë kohë pagova veçse 5 mijë franga.

Gruaja ime Karmen, atëherë ishte shtatzënë. Do ta përkthejmë gjatë kohës së barrës, - i thashë asaj, dhe kështu e përkthyem romanin gjatë 9 muajve... Gabo, (pra Gabrieli), ishte supersticioz. Ai më qortonte se e kisha bërë tekstin në një gjuhë të thjeshtëzuar dhe më shtynte të gjeja apo shpikja fjalë për ato fjali që ai kishte sajuar. Ai ishte shumë frankofon. Kur ishte gazetar këtu, gati një moment kishte vdekur urie dhe Francën e shihte si një vend ksenofob dhe jo mikpritës. Megjithatë, ai e donte Francën, por francezët jo gjithmonë. Nga ana komerciale Flamand nuk besonte dhe aq nga romani “100 vjet vetmi”. Letërsia e gjuhës spanjolle nuk kishte pasur ndonjë, “best sellers” të vërtetë.

Tirazhi i parë ishte 3 mijë kopje. Në “Le Monde” u botua veç një shkrim në një të katërtën e faqes, në Nouvel Observateur veçse një kolonë e vogël. Vitin e dytë, duke folur andej këndej për vlerat e këtij romani u shiten 3500 kopje. Më pas romani mori çmimin si vepra më e mirë letrare e huaj. Më vonë, u botuan 1 milion kopje në serinë “livre de poche” (libër xhepi). Për Francën, “100 vjet vetmi” filloi botimin e letërsisë latino-amerikane.

Shija për Amerikën Latine më bëri të interesohem për gueriljet e asaj kohe. Kjo dhe më shtyu të lançoja në janar 1968 koleksionin “Combats”, për t’ju dhënë të drejtën e fjalës atyre që luftonin. Si social-demokrat që isha, unë mbështesja e mbroja si revolucionarët e Amerikës Latine ashtu dhe disidentët e Evropës Lindore. Pikërisht, kur botoja një libër për “Pranverën e Pragës”, tanket ruse hynin ne Çekosllovaki. Po atë vit botova një tekst të vogël të Solzhenicinit, i cili sapo ishte përjashtuar nga Lidhja e Shkrimtarëve, ç’ka ishte dhe fillimi i persekutimit të tij.

Me 1970 botimet “Seuil” fituan të drejtat e vëllimit të parë të veprës së tij “Rrota e kuqe”, e titulluar “Gusht 14”. Në shkallë botërore të drejtat e Solzhenicinit i kishte në atë kohë një botues gjerman. Më 1979 ai na propozoi një vepër të re, “Arqipelagu Gulag”. Në atë kohë, në Francë askush nuk e njihte fjalën “gulag”. Kopja e parë e dorëshkrimit na u konfiskua nga KGB. Gruaja që e ruante “vari veten”. Por më 25 dhjetor libri doli në Paris në gjuhën ruse dhe më 1 janar në frëngjisht. Sozhenicini u përzu nga Bashkimi Sovjetik, duke iu hequr madje dhe kombësia e tij ruse. Klod Dyran ishte nga ata botues të njohur evropianë që diti të vlerësojë shkrimtarët e Lindjes evropiane, disidentët që po afirmonin tashmë kërkesat e tyre në drejtim të të drejtave të njeriut. Kjo eksperiencë e tij u përsërit edhe me autorë të tjerë latino-amerikanë, si me kubanezin Reinaldo Arenas, të cilit i dërgonte ilaçe dhe që një ditë, ai i kërkoi t’i dërgonte një kompleks kombinezoni zhytësish, pasi donte të arratisej në anën tjetër, drejt brigjeve të Floridës. Dyran ishte gjithashtu ndër të parët që botoi në Francë kujtimet e Lens Walensës, në një kohë që ai përgjohej e survejohej nga policia sekrete e Polonisë komuniste.
 
“Me Kadarenë”

Të paktë janë letrarët e mëdhenj që kanë hyrë në thellësi të jetës së Dyran. Këta janë Kadare, Garcia Markez dhe Solzhenicin. Tri shkrimtarë të natyrave të ndryshme, dy “nobël” dhe një pretendent prej kaq vitesh; një i “realizmit magjik” të Amerikës Latine, tjetri disident i shquar i botës staliniste dhe denoncues i gulagut totalitar, i treti shqiptar, ballkanas, me një krijimtari tronditëse, ku mithet e legjendat, bëmat e rapsodëve dhe dramat tragjike kombëtare, janë aureola e tij. Në shkrimet e tij, herë pas here Kadareja flet dhe për Dyran, veçanërisht në udhëtimet e tij në Paris, shkuarje e ardhje mjaft të tendosura e plot mister, i ndjekur gjithnjë nga dyshimet se dikush po e përgjonte gjer në thellësi të qenies së tij, atmosferë që e gjejmë mjaftë mirë në romanin e tij “L’Ombre” (Hija).

Klod si të thuash ka qenë dëshmitar i pamundësisë së lirisë së shkrimtarit në atë kohë, të atij romancieri që më pas ai do ta konsideronte si “një ndër pesë apo dhjetë shkrimtarët më të mëdhenj të botës që jetojnë aktualisht”. Në një darkë në shtëpinë e poetit dhe kritikut Alain Bosquet, ku do të ftohej Kadareja në prezencë të tij, duke pritur për një kohë të gjatë që të shfaqej shkrimtari shqiptar, botuesi e kuptoi se ambasada shqiptare në Paris e kishte detyruar shkrimtarin të mos shkonte atje. Madje dihet fakti se kur atasheu i “kulturës” së ambasadës i kërkoi atij të botonte në frëngjisht “veprën e mrekullueshme të shokut Enver Hoxha”, “Krushovianët”, ai i ishte përgjigjur: “Nuk besoj se më intereson”. “Pata përshtypjen se po më binte tavani mbi kokë”, - do të shkruante për këtë episod Kadareja në “Pesha e Kryqit”. Mund të thuash se pikëtakimi dhe kompliciteti i Kadaresë dhe Dyran, puna e bërë së bashku, takimet në selinë e “Fayard”, në “Rue des Saints-Pères”, mbrëmjet në “Lipp”, “Flore” apo në “Les deux Magots”, udhëtimet, ethet e një pune pasionante për më shumë se dy dekada, duke bashkuar këtu përkthyesin e famshëm Jusuf Vrioni, gjithçka përbën një libër më vete, madje dy: Një i shkruar nga vetë Kadareja dhe tjetri që duhet shkruar nga Dyran. Një ditë të afërt të dy ata do të kenë dëshirë e nostalgji t’i shkruajnë këto dy libra, por me sa duket ata presin ende, nuk nxitojnë, pasi së bashku kanë ende një copë udhë të gjatë për të bërë.

Ata të dy u takuan së pari në vitin 1981, atëherë kur Dyran po kujdesej për botimin e romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, (L’Hiver de la grande solitude), dhe kur siç kujton Dyran, “ai ishte rrethuar nga njerëzit e ambasadës «Për të dëgjuar atë ç’ka ne thoshim” “Me vdekjen e Enver Hoxhës, Ismaili kërcënohej të arrestohej, - kujton ai në një intervistë në revistën pariziane “L’Oeil de Boeuf”, - dhe kur sulmohej me kritika të shumta në shtyp apo në gjirin e Lidhjes së Shkrimtarëve”. Ishte urgjente të ndërhyhej.

Kur shkova bashkë me gruan në Shqipëri u prita në kushte të vështira dhe ishim pothuaj të izoluar në një kat të hotel “Dajti”, ku askush s’mund të merrte kontakt me ne, veç njerëzve të regjimit. Por megjithatë nga prezenca dhe deklaratat e mia, ky udhëtim ndihmoi në mbrojtjen e Ismailit... Autoritetet shqiptare e kuptuan se ne ishim mjaft të vëmendshëm ndaj asaj ç’mund t’i ndodhte atij”.
Më 1990, në kohën kur Ramiz Alia nisej për herë të parë në krye të një delegacioni shqiptar në mbledhjen e Këshillit të përgjithshëm të OKB-së, në New York, ai e ndihmoi Ismailin në largimin e tij drejt Francës, me idenë se kjo do të përshpejtonte procesin e ndryshimeve politike edhe në këtë vend. “Në bagazhet e mia transportova një pjesë të mirë të arshivës së Kadaresë: Trembëdhjetë valixhe… Në Orly, ekipi ynë ishte i sikletshëm në sytë e doganierëve francezë”.

Më kujtohet pranvera e vitit 1991 kur erdha në Paris me detyrën e diplomatit. Shumë miq më kishin transmetuar përshëndetje për të. U takuam në fillim një mbrëmje vonë, në shtëpinë e kitaristit klasik Ehat Musa dhe disa ditë më pas në një apartament të Klod Dyran, diku në Bulonge, në periferi të Parisit, pranë një kishe në avenynë Jean Jaures. Në mbrëmje, në interfonin e derës, ku duhej kërkuar emri i tij, ishte në fakt emri “Mozart”. Kadareja ruhej ende nga frika e një reprezaljeje të ardhur nga forca të errëta s’dihej nga. “Botuesi im Klod Dyran, - shkruan Kadare në “Printemps albanais”, (apo në shqip “Nga një dhjetor në tjetrin”), të cilit i kisha kërkuar të vinte në Tiranë, mbërriti me gruan e tij më 11 shtator. Pasi kaluam bashkë darkën, duke e çuar në hotel “Dajti”, i fola për ikjen time nga Shqipëria. Ai më dëgjoi qetësisht. Ashtu si dhe Michel Piccoli, ai asnjëherë nuk më kishte inkurajuar për një ndërmarrje të tillë. Si mik i vërtetë që është, pa më kundërshtuar, ai më vuri në dukje vështirësitë që mund të më dilnin. Ditën tjetër, ne shkuam të shëtisnim, duke folur në shkretëtirën e plazhit të Durrësit. Duke ecur në rërën e qullët, i thashë: Mbrëmë, duke u zhytur në shtratin tim, urova me gjithë shpirt që dita të mos agonte më”. “Të kuptoj shumë mirë”, më tha ai. Të nesërmen më 13 shtator i shoqërova të dy deri tek avioni bashkë me vajzën time të madhe, e cila nuk dyshonte në asgjë. Unë dhe Helena i kishim biletat për 27 shtator. Në pistën e avionit, ku më lanë të shkoja, i pëshpërita Klodit atë që i kisha thënë:Nëse ekzistenca e vajzës sonë atje, pengon ardhjen time, ma dërgo atë urgjentisht! Atëherë do të detyrohem ta lë këtu, në momentin e fundit, - i thashë duke evituar fjalën “ta sakrifikoj”. Ai tundi kokën në mënyrë hijerëndë dhe ne u ndamë”.
   
Në broshurën e librave të botuara së fundi nga “Fayard”, me titullin “Veprat e plota” (Oeuvres complets), të Ismail Kadare, në vëllimin 7 dhe 8, shkrimtari dhe botuesi i prezantojnë ato me titullin “Les temps des querelles”, (Koha e zënkave) një diptik ku vëllimi i shtatë i përket romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, ndërsa vëllimi 8-të, “Concert en fin de sakson”, (Koncert në fund të stinës). “Dimri i vetmisë së madhe” dhe “Koncert në fund të stinës” formojnë një diptik të pakrahasueshëm në gjithë veprën e Kadaresë.

Dy romane simotra që kanë shumë gjëra të përbashkët, pa qenë ndërkohë binjakë. Me hapësira tepër të mëdha ndryshe nga veprat e tjera të tij, këto “megalithes” që në dukje mund të shihen si romane historike, ngrihen në një sfond konkret: Në të parën, prishja me bllokun sovjetik, 1960-1961 dhe në të dytin me Kinën në vitet ‘70. Me to Kadareja nënshkruan dy inkursionet e tij në historinë shekspiriane të botës komuniste. Dhe ai nuk do të rikthehet më pas, veçse me një tregim mbi Kosovën dhe në një mënyrë më “flu “si tek “Hija” dhe “Spiritus”. Ajo që e afron më shumë “Dimrin” dhe “Koncertin”, në fund të fundit është ndoshta gjerësia e tyre planetare, është thelbi i tyre i “Romanit total”, ky kompozim polifonik që spikat dhe shfaqet në forma të ndryshme: Mediat, spiunet satelitore, vëzhguesit, sipas funksionit që zinte kori dhe korrifejtë në tragjeditë greke. Të trajtosh ndarjet ideologjike, duke bërë njëkohësisht një portret të shoqërisë shqiptare të viteve ‘60 – ‘70, ishte për autorin tepër e rrezikshme.
   
Më 1995 Klod Dyran ndërmori një hap të guximshëm në një hapësirë kur vete ai mund të cilësohej si “një mbrojtës i irredentizmit shqiptar”, duke botuar “Çështjen shqiptare”, (La question albanaise) të Rexhep Qoses. “Çështja shqiptare”, - shkruan ai në pasthënien e këtij libri në gjuhën frënge, - troket fort në portën e politikës botërore, por ajo godet akoma më fort në portën e ndërgjegjes evropiane, veçanërisht, të shteteve evropiane që lejuan padrejtësinë, e cila është në themel të dramës shqiptare. Qëllimi i kësaj vepre është që të kontribuojë në zgjimin e ndërgjegjes, në sajë të të dhënave historike aktuale: Si u bë ky krim kundër popullit shqiptar?! Si ky popull po e pëson ende këtë krim, si të eliminohen pasojat tragjike apo me saktë se cila do të jetë zgjidhja e çështjes shqiptare në ditët tona”. Pas kësaj nisme, do të vinte botimi i kronikës së “Luftës së Kosovës”, “Ra një mort dhe u pamë”, (Il a fallu cet mort a nous retrouver), që do të plotësonte tek publiku evropian e botëror tablonë e fatit tragjik të Kosovës.

“Njeriu orkestër”

Kështu e kishte quajtur një gazetar i gazetës “Liberation”, kohë më parë botuesin e Kadaresë. Padyshim që ai e kishte cilësuar “njeriu orkestër”, sepse ai ka aftësinë të orkestrojë në harmoni një punë të jashtëzakonshme mes bashkëpunëtorëve cilësorë e besnikë. Rreth tij janë një sërë miqsh që e konsultojnë dhe e këshillojnë për dorëshkrime e botime të ndryshme. Por për gjithçka është gjithnjë ai që vendos në fund.
Sigurisht cilësia e shkrimtarit brenda tij e ndihmon në një drejtim aq sa dhe ç’mund ta pengojë atë. Dihet që botuesit e mëdhenj nuk kanë qenë shkrimtarë, por të dashuruar pas letërsisë, botimit, shkrimtarëve. Ç’është letërsia e vërtetë për Dyran? Realizëm, “verizëm”, “realizëm magjik? Letërsia për të është “fiksion”, pra trillim, krijim i pandashëm nga realiteti dhe jeta nga buron. Shkrimtari, thotë ai, është ai që shton diçka mbi realen, atë ç’ka në nuk e gjejmë tek “verizmi”, i cili i përmbahet një interesi sociologjik që nuk na intereson dhe aq. Etimologjikisht, autori është ai që shton mbi realitetin. Ja pse “realizmi magjik”, p.sh. nuk është një nder i letërsisë latino-amerikane. Prej shumë vitesh Dyran, është përpjekur ti japë një fytyrë të vetën botimeve “Fayard”. Ja pse në të spikasin autorë të zgjedhur dhe së fundi biografi të njerëzve të mëdhenj, si dhe libra që lidhen me shkencat humane, filozofi, sociologji, etj. Në krye të botimeve rreth muzikës mund të lexosh biografi te mrekullueshme për Mozart, Bach, List, Mahler, Çajkovski, Bethoven, Brahms apo Berlioz, nga figurat historike gjen Saint-Simon, apo Aleksandri i Madh, Franko apo Hitler, Cezar apo Neron, Seneka apo Ciceroni, Stalin, Trocki...
   
Klod Dyran i njohur politikisht më shumë si “miterandist”, është padyshim një nga botuesit më të njohur të letrave franceze, por njëkohësisht, ai është bërë referencë e rëndësishme edhe për lexuesin e popujve të tjerë. Kështu, ai është njëkohësisht dhe një mik i çmuar i shqiptarëve, një intelektual me zëmër të madhe që e do Shqipërinë, që e çmon historinë e shqiptarëve, që e ka përjetuar tragjizmin e tij dhe që në shpirtin e tij, mitet shqiptare kanë zënë një vend të denjë, atë të epikës legjendare. “Mënyra më e mirë të jesh mik me autorin është të punosh me të”, shprehet ai. Dhe ky është koncepti që ai ka për botuesin. Ky botues që e ka shoqëruar shkrimtarin tonë të vyer për më shumë se tri dekada, meriton shumë më tepër se një shkrim gazete, dhe autoritet shqiptare, që nganjëherë vlerësojnë e dekorojnë autorë që s’kanë ndonjë lidhje të madhe me Shqipërinë, duhet ta rivlerësojnë kontributin e këtij botuesi, ndër më me emër në botën letrare evropiane e botërore.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT