E premte, 26.04.2024, 01:14 PM (GMT+1)

Mendime

Me therrisni Tani!

E diele, 25.05.2008, 10:14 AM


Tan Hoxha
Me therrisni Tani!

Nga Ylber Lili

1.

Vdekja e parakohshme dhe tragjike e Dritan Hoxhës ka shokuar familjen, miqtë e afërt të tij, bashkëpunëtoret, sikundër ka pikëlluar të gjithë hapësirën panshqiptare. Në këto rreshta, krahas ngushëllimit tim personal, dua të sjell në vëmendjen e opinionit të gjerë tronditjen e madhe të studentëve të dy universiteteve të Tetovës dhe Shkupit. Telefonata shokuese e Rudina Xhungës në mëngjesin e së premtes, u pasua me dhjetëra telefonata studentësh, të cilët me gjysmë zëri më thoshin: profesor e more vesh, ka vdekur Tani i "Top Channel". Nga i gjithë rituali i telefonatave, njëra ishte e veçantë: Më ka ardhur shumë keq dhe nuk më besohet se ka ndërruar jetë Tan patrioti. Pasi e mbylla bisedën e shkurtër, aty për aty ktheva shiritin e kujtesës prapa në kohë. Studentët shqiptarë të Maqedonisë e njihnin Dritanin më mirë se shumëkush, jo përmes profilit të tij nga distanca, por nga një miqësi që lindi në një nga restorantet e Tiranës dhe hodhi shtat në studiot e "Top Channel". Rrugës në kthim më habiste fakti që studentët më shumë risillnin copëza bisede me Tanin, sesa fokusoheshin te dalja e tyre publike në "Top Show". Flisnin me admirim, debatonin me njëri-tjetrin, saqë të jepej përshtypja se Presidenti i "Top Media"-s perceptohej nga studentët si idhull. Në fakt nuk ishte e vështirë për të kuptuar se prej nga studentët krijuan një simpati të veçantë për Presidentin e "Top Media"-s, themeluesin e krijuesin e "Top Albania Radio"-s, "Top Channel" dhe "DigitAlb". Gjithçka rrodhi në mënyrë spontane, që më pas erdhi natyrshëm. Ai kishte dhunti të veçantë për t‘i bërë të tjerët që të ndihen komodë, sidomos të rinjtë.

2-

21 prill, 2008; Bashkë me 40 studentë të universiteteve të Tetovës dhe Shkupit, u nisëm drejt Tiranës. Stacioni i vetëm i këtij udhëtimi ishte "Top Channel", për saktësi, pjesëmarrja në një debat ekskluziv për të rinjtë shqiptarë të Maqedonisë në emisionin "Top Show" të Dudushit. Më kujtohet që në hyrje të kryeqytetit i pyeta studentët: preferoni të shkojmë të çlodhemi në hotel, apo të ndalemi te studiot e "Top Channel"?! Të gjithë si në kor refuzuan çlodhjen dhe preferuan vizitën në ambientet e "Top Channel". Të impresionuar nga teknologjia e paparë, të mahnitur nga mënyra sesi funksiononin gjërat në ato ambiente, studentët harruan rezidencën e pushimit. Direkt nga studiot e "Top"-it, përfunduam në një nga restorantet pranë bllokut. Aty, mbretëronte një qetësi absolute, thuajse restoranti ishte bosh përjashtuar dy apo tri tavolina, në njërën prej të cilave ishte një politikan i njohur. Për të qenë transparentë, në një cep të lokalit thuajse puthitur me hyrjen kryesore, shkarazi më rroku syri Presidentin e "Top Media"-s, bashkë me disa të tjerë. Bindja ime që studentët nuk e njihnin numrin një të "Top Media"-s rezultoi paragjykuese. Nuk e di, por edhe sot e kësaj dite më kujtohet sesi një grup studentësh trokitën gotat dhe u fotografuan me Dritanin. Por, di që ata nuk arrinin të ambientoheshin me mënyrën e prezantimit: Unë jam Dritani, shkurt me thërrasin Tani, kërkoj edhe nga ju të më drejtoheni në këtë mënyrë. Kështu e nisi filli i bisedës së studentëve shqiptarë nga Maqedonia, Ikona e transformimit mediatik në Shqipëri, i cili duke shtuar tha: "Mos më shikoni sikur kam zbritur nga qielli, përkundrazi, jam rritur me shumë brenga, vetëm me punë arrihet gjithçka". Duke u uruar studentëve mirëseardhjen, ai tha: "Ju jeni brezi që mund të bëni mrekulli për veten tuaj, familjen dhe kombin". Dialogu me studentët u bë interesant. Tani, edhe pse tregohej më tepër sesa duhej modest, nuk e fshihte kënaqësinë, kur studentët pohonin se "Top Channel" është bërë mik i pandashëm i rinisë dhe i të gjithë popullit shqiptar të Maqedonisë. Krahas modestisë, thjeshtësisë dhe komunikimit të natyrshëm, "Presidenti i Topit" krijonte përshtypjen se kishte alergji nga natyrat mburravece, nga profilet që e konsiderojnë veten të paprekshëm dhe të pamatshëm. Ai fliste shumë pak për arritjet e tij në fushën e informacionit, për teknologjinë e përsosur, për revolucionin e botës mediatike, apo për armatën e madhe të punonjësve. Argumenti i tij ishte: "Nuk kam pse flas për diçka që nuk ka nevojë për reklamë". "Top Media" tashmë ka hyrë në çdo qelizë të shqiptarëve. Ky është realitet dhe nuk përbën ndonjë skup.

3-

Qasja e Tanit në atë bisedë me studentët ishte përtej rolit dhe peshës së tij në industrinë me të fuqishme mediatike në Ballkan dhe më gjerë. Studentët flisnin me sy me njëri-tjetrin kur Tani e orientonte bisedën në flakët e atdhetarizmit. Ky është vetëm fillimi, përgjigjej Tani sa herë që studentët donin në shenjë dashamirësie të ngrinin në piedestal "Top Channel". "Unë jam atdhetar, e dua vendin tim dhe për të ndërtuar imazhin tonë në botë, duhet të gjithë të kontribuojmë. Sado që të ushqehemi me optimizëm, kemi ende rrugë për të bërë. Synimi im mbetet që përmes ‘Top Media‘-s të injektoj te çdo shqiptar, kudo që ndodhet, ta ndiejë veten shqiptar dhe krenar pse është i tillë. Për mua Kosova, shqiptarët e Maqedonisë, Çamërisë, Malit të Zi e deri në Ukrainë, janë pjesë e identitetit tim", thoshte Dritan Hoxha. Në ekranin e vogël të "Top Channel" gjen hapësira të pafundme, çdo gjë që identifikohet me identitetin tonë kombëtar, me qenien tonë si qytetarë me vlera civilizuese. Ju mendoni se kam arritur majat, ndërsa unë ende jam në gjysmë të rrugës, kam strategji dhe projekte për të kontribuar që këtë vend ta nxjerrim përfundimisht nga tranzicioni dhe bota të krijojë tjetër imazh për ne… Nëse arrijmë të prodhojmë vlera të mirëfillta dhe nëse vendosim standarde bashkëkohore në çdo fushë, të gjithë jemi të fituar.

Nata e 21 prillit i gdhiu studentët në shoqërinë e Presidentit të "Top Media"-s, z. Dritan Hoxha, në një lokal. Kujtim i bukur dhe mbresëlënës! Dritan Hoxha para madhështisë preferonte thjeshtësinë, prandaj dhe shkrimi është i tillë. Në këtë kuptim do të ishte e tepërt të shtoja më shumë sesa Arbën Xhaferri në mesazhin e tij të ngushëllimit: "Për mua ishte emblemë frymëzuese e optimizmit, e suksesit të rinisë shqiptare të kohëve të zymta të tranzicionit", thuhet në mesazhin e Xhaferrit.

Forca e gjeniut

Nga Mentor Nazarko

Shumë prej atyre protagonistëve të jetës publike që shkruan dhe folën këto ditë për Presidentin e "Top Media"-s, bashkohen në një pikë ndërsa e përkufizojnë: Dritan Hoxha ishte një gjeni. Këtu bashkohesha dhe bashkohem dhe unë, sa kohë që mjerisht ai nuk na dëgjon: ai ishte një gjeni që kapërceu brezin e tij, kohën e tij, hapësirën e tij.

Kjo shprehje duket një tautologji: Gjeniu sipas fjalorëve është dikushi, apo entiteti abstrakt, të cilit i blatohet aftësia për t‘u paraprirë ngjarjeve të jetës njerëzore, apo për të frymëzuar vendimet e saj. Sipas një përkufizimi tjetër, për antikët ishte "shpirti i mirë që drejton njerëzit në jetën e tyre, apo mbron një qytet, një territor, një popull". Sipas një tjetër përkufizimi akoma, gjeniu është një qenie imagjinare apo një person real që është në gjendje të ndikojë disa ngjarje të jetës. Akoma dhe më: është një aftësi; një talent, një predispozitë natyrale!

Thuajse të gjithë përkufizimet kanë diçka të përbashkët që mund të identifikohet në personin e Dritan Hoxhës, themeluesit të një perandorie mediatike, që me humbjen e tij vendoset para sfidave të mëdha. Ai ka shumëçka të përbashkët me historinë e gjenive në fusha të tjera edhe jashtë Shqipërisë: pasionin, krijimtarinë, pamatshmërinë e fushës ku lëvizte mendja e tij, origjinën nga një familje e thjeshtë, ngjashmërinë në mbështetjen për projektet e tij mediatikë apo të biznesit te shokët e klasës, të fëmijërisë etj. Dhe ja disa arsye të tjera, pse ai ishte gjeni, apo pse ai ishte dikush që kapërceu brezin e vet, kohën e vet, hapësirën e vet.

Pse Dritan Hoxha kapërceu brezin e vet?

Dritan Hoxha i përkiste një brezi 40-vjeçarësh që janë duke zënë vende kyçe në jetën shoqërore, ekonomike të vendit e që në fushën ku luajti, ku ushtroi veprimtarinë e vet, realizoi vepra që ishin më të mirat në llojin e tyre. Më të paarritshmet. Të matshme apo më të mira se gjetkë, d.m.th jashtë Shqipërisë. Nuk ka njeri tjetër të brezit të vet që të mburret me suksese të krahasueshme: ka pasur kryeministra më të rinj, por që nuk mund të pretendojnë se kanë lënë gjurmë të pashlyeshme, apo vepra me aq ndikim në të gjithë jetën kombëtare si Dritan Hoxha. Mediat e krijuara falë Hoxhës nuk ndikuan vetëm mediat e tjera, por të gjithë shoqërinë!

Merita e Hoxhës ishte se ai arriti të krijonte një ndërmarrje të shkëlqyer mediatike drejtuar kryesisht me brezin e vet, ama që mobilizoi energjitë krijuese të të rinjve, edhe më të rinjve si ai. Nxiti ëndrra, motive jete te brezat e rinj me masivitetin e programeve që frymëzoi, cilësinë e shkëlqyer të tyre, garën e vërtetë që instaloi në to etj. Bash për këtë arsye, Arbën Xhaferri e quajti "emblemë të optimizmit dhe suksesit të rinisë në ditët e zymta të tranzicionit shqiptar."

Suksesi i mediave të Hoxhës u detyrohet jo thjesht ideve, por dhe aftësive të shkëlqyera të tijat në identifikimin e menaxherëve luajalë, intuitivë, besnikë të ideve, por dhe besnikë dhe në planin njerëzor. Falë tyre ai arriti të krijonte stafe administrimi plotësisht me të rinj, ndërmarrje të stilit perëndimor që funksiononin në mënyrë të përsosur dhe pa praninë fizike të tij, krejt ndryshe nga kompanitë tipike shqiptare. Ky grup menaxherësh të brezit të tij, shpesh shokë klase, fëmijërie, apo lagjeje, diti duke pasur pranë frymëzimin e përhershëm, aftësitë krijuese të tij, orientimin e tij të pandërprerë kah më e mira, më e bukura që vinte nga Perëndimi, të krijonte stafe gazetareske, artistike etj., që e bënë "Top Media"-n kompani lider në vend dhe në rajon. Njerëz që rrallë e braktisin anijen që konstruktoi dhe drejtoi ai. Ai dallonte nga të tjerët, sepse intuita e tij ishte e pakrahasueshme jo thjesht në media, por dhe në biznes! Dhe ndërsa kërkoheshin imazhe për ta përkujtuar, duket se nuk kishte shumë pamje televizive të Dritan Hoxhës: ai nuk e shprehte as në mediat e veta, kënaqësinë për atë që kishte bërë. Apo ekzaltimin për idetë e veta si të tjerë bosë mediash.

Idetë dhe projektet e Hoxhës të realizuara në praktikë mundën konkurrencën në nivele tronditëse. Ai i tërhoqi konkurrentët e mundur në këto projekte si aleatë. Ai mposhti skepticizmin e njerëzve të tjerë të biznesit, financës, që u bënë partnerë të projekteve të erës së re, duke i besuar pa kushte atij dhe ideve të tij. Me primatet e audiencës, teknologjisë, besueshmërisë, që shohim sot!

Dritan Hoxha kapërceu kohën e tij si të gjithë gjenitë. Vepra e tij kryesore, grupi mediatik që ngjizi apo konceptoi jo në mënyrë konvencionale, është një vepër që kapërcen kohën për fushën ku operon ajo, në media. Nuk ka media shqiptare që të ketë standarde teknologjike, në imazh, në informacion, në spektakël, si të tijat dhe për këto standarde atë e sheh të rreshtuar në vijë të parë bashkë me mediat apo emitentët më të mirë televizivë perëndimorë. Mund të gjendet në internet shprehja e ekzaltimit të kompanisë "Thomson", që pikërisht në telefoninë mobile shqiptare falë Dritan Hoxhës arriti të aplikonte për herë të parë teknologjitë më të fundit, me kosto më të ulët. Askush, asnjë subjekt, asnjë ndërmarrje, asnjë biznes në një fushë tjetër të veprimtarisë ekonomike, mediatike, politike, shoqërore, nuk mund të pretendojë një sukses të ngjashëm me të tijin. Pra, ai kapërceu kohën jo vetëm në biznesin e mediave, por në biznes në përgjithësi.

Ai detyroi politikën të bënte ndryshime legjislative, të miratonte ligje që pa të, pa veprën e tij mund të dukeshin të parakohshme, ndërsa vendi vuan mungesën e dritës, ujit, apo dhe shumë mungesa të tjera banale tipike për fillim shekullin e 20-të dhe jo të 21. Ai e detyroi politikën të përkulej para forcës së tij, pavarësisht luhatjeve të përkohshme në marrëdhëniet me shtetin. Me gjithë këto luhatje, pasojë e goditjeve politike, më absurdet, më të fortat, më të rëndat prej qeverive të ndryshme, marrë në tërësi programet e "Top Channel", reflektuan gjithnjë pavarësi. Pavarësinë e fuqisë së madhe mediatike, për të cilën kanë nevojë të tjerët, pra dhe politika. Kundërshtarët e tij prej politikës nuk arritën të vërtetonin asnjëherë akuzat e bëra ndaj tij, me gjithë dëshirën e paepur për ta bërë këtë dhe thjesht simuluan indiferencë ndaj kolosit që ai krijoi.

Dritan Hoxha kaloi me veprën e vet, hapësirën e tij. D.m.th hapësirën e Shqipërisë politike, por pse jo dhe të rajonit. Ishte diçka vërtet emocionuese të testoje sot këtë pikërisht te mënyra si kanë reaguar për vdekjen e tij, shqiptarët kudo që janë. Ndërsa mund të imagjinoje reagimet e politikanëve të kësaj hapësire, reagimi për vdekjen e tij prej qytetarëve të thjeshtë, i ushtarakëve të TMK, i intelektualëve të klasit të parë në Kosovë, Maqedoni ishte vërtet konfirmim i veprës së madhe në hapësirë të Dritan Hoxhës. Ishte një vepër e jashtëzakonshme kombëtare, në favor të unifikimit të gjuhës, të kulturës, aq shumë të rëndësishme për një komb të vogël të ndarë në disa pjesë, apo me një emigracion të konsiderueshëm, që kërcënon zhdukjen e thelbit kombëtar. Falë "DigitAlb"-it fëmijët shqiptarë jashtë vendit mund të mësojnë shqip, të mendojnë njëlloj si moshatarët e tyre kudo nëpër atdhe e të ndihen krenarë për kombin e tyre. Asnjë ndërmarrje qeveritare nuk mund të bëjë atë që bën kjo platformë, madje dhe me programe të mirëfillta për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqipe, të frymëzuar pikërisht prej tij. Ai tërhoqi në jetën kombëtare atë pjesë të kombit që përkohësisht ose jo është larg kufijve zyrtarë, por që ndihet e përfshirë falë veprës që quhet "Top Media". Kjo nuk ishte rastësore: Dritan Hoxha krijoi me vetëdije një media që reflektoi para së gjithash, e më shumë se të gjithë, karakter kombëtar, po aq sa dhe bashkëkohor. Mediat e tij ishin dhe mbetën në mënyrë unikale bartëse të kauzave kombëtare, krahasuar me mediat e tjera audiovizive. Ai ngjalli interesin dhe të operatorëve ndërkombëtarë të biznesit për atë që krijoi.

Për të gjitha këto arsye para veprës së këtij njeriu që kapërceu kohën, brezin, hapësirën e tij, nderimi në rastin e vdekjes ishte i jashtëzakonshëm. Funerali i tij ishte diçka unikale. Ai reflektonte dhimbjen dhe respektin e të gjithë punonjësve pa përjashtim apo bashkëpunëtorëve të "Top Media"-s, që në një mënyrë ose në tjetër janë të lidhur me "Top Channel"-in, të armiqve apo rivalëve të tij, të njerëzve të thjeshtë që ndaleshin për ta duartrokitur arkëmortin që ecte ngadalë në bulevardin që ka parë shumë funerale. Por jo si të njeriut që i parapriu kohës së shqiptarëve me veprën e tij.

Lamtumirë!

Nga Ada Heqimi

Ashtu e kisha përfytyruar rrugëtimin tënd të fundit, pasi mendja nuk ka gëlltitur të vërtetën; me duartrokitje. Ashtu duhet të ikje, si hero, i vetmi për fat të keq… Të njoha shumë pak, se të pakta më duken vitet që punoj te "Topi", por m‘u duke mburoja më e mirë. Kur thosha Tani, ndihesha e sigurt, sepse ishe ti; me energjinë, me shpirtin tënd rebel, të papajtueshëm me askënd që ushqehej e përkundej nga ëndrrat e mëdha. Ti do t‘na ruaje të gjithëve. Sot, nuk e di, dua t‘i ngre një dolli jetës, ashtu siç bëjë përherë kur na mblidhje dhe festonim ditëlindjet e "Top Media"-s. Për jetën, sepse me të gjithë shpejtësinë, ditët u përplasën, jeta dhe vdekja u shkëmbyen.

Na bërë të ndihemi krenarë, sepse i tillë ishe dhe Ti! Na thoshe shpesh; "Jeni më të mirët" dhe ne ashtu ndiheshim vërtet. Na shoqëronte një energji e çuditshme kur mbërrinim te "trau"- siç quhej hyrja e "Top Media"-s, pavarësisht ritmit e përplasjeve, debateve e konflikteve dhe në fund sukseseve - ishim ne të tutë e Ti… i yni. E çuditshme kjo lidhje, disa fije të padukshme ushqenin respektin, vlerësimin e madh dhe shpeshherë të cilësonim "të paarritshëm". Ndihem kaq e vogël sot, përballë fatkeqësisë, të gjithë miqve e kolegëve të tu, që të njohën ditë pas dite, u rritët dhe bëtë realitet të paimagjinueshmen.

Si një pjesëz e vogël e ndjeva fort ikjen tënde, megjithëse ende më duket një film me xhirim të shpejtë. U fundosa brenda një dite, por nuk ia gjeta kuptimin vdekjes. Përqafova Vjollcën, nënë Zyranë, ndërsa arkëmorti yt qëndronte përballë tyre…. Mbështeta dorën dhe të thashë për herë të fundit… (shpresoj shumë t‘më kesh dëgjuar): "Lamtumirë "Big Boss". Ti je më i miri".

Një homazh nga larg për Dritan Hoxhën

Nga Robert Goro

Dritan Hoxhën, "Tanin e Topit", nuk pata rastin ta njoh personalisht. Por që nga e premtja në mëngjes, kur u kumtua lajmi i humbjes tragjike të tij, ndihem si të kem humbur një njeri tepër të afërt, nga ata që robi e di se në çdo moment të vështirë, dhe thjesht nëpërmendja e tij, të bën të ndihesh më mirë. (Madje, dhe fëmijët tanë, duke bërë lidhjen midis sekuencave të dhimbshme të televizionit dhe fytyrave tona të trishtuara, më pyesnin mua e time shoqe, "Ishte shoku i babit"?

Si unë, ndihet - besoj-, shumica e shqiptarëve an‘e mbanë globit, gjithë ata që 24 orë në ditë e kanë Shqipërinë brenda në shtëpitë e tyre, sado larg që të ndodhen gjeografikisht. Dhe kjo, falë "DigitAlb"-it, një biznes i mirëfilltë vërtet, por që në rastin konkret ka marrë kaherë përmasat e një pune të madhe kombëtare dhe humane. Sepse vlera e vërtetë e një biznesi të madh nuk qëndron te fitimi që i sjell pronarit të vet, por te kontributi social që ky biznes ofron.

Familja e madhe e "Top Media"-s, sot ndodhet në zi. Por në zi mendoj se duhet të jenë të gjithë shqiptarët. Dritan Hoxha, me punën e tij dëshmoi se ishte biznesmeni më vizionar; i vetmi, ndoshta, që jo thjesht e afroi, por e "aterroi" Shqipërinë, mjedisin që çdo shqiptar aspiron e ëndërron: në mjedisin e botës së përparuar e të qytetëruar. Që dëshmoi se kjo Shqipëri e këta shqiptarë kanë brenda shpirtit një vitalitet e dëshirë të rrallë për të arritur të pamundurën. Dëshmoi se në këtë Ballkan, ku për shkak të sjelljes së politikanëve, fjala "pavarësi" është përherë ambiguitive; dëshmoi pra se megjithatë, ka në këtë Ballkan njerëz "të krisur" që përplasen ballas me sistemin, pikërisht pse e nderojnë pavarësinë si një vlerë konkrete e konstante; që as blihet, as shitet e aq më pak shantazhohet.

Gjithë këto pak fjalë që rreshtova më sipër, s‘di pse më duket se i mendojnë të tërë: Edhe miqtë (e shumtë) të Dritan Hoxhës, edhe kundërshtarët apo armiqtë (e paktë, kam përshtypjen) të tij.

Edhe ata që u gjendën në varrimin e tij, edhe ata që nuk mundën të merrnin pjesë në ceremoninë mortore.

Madje edhe ata që nuk u gjendën, ndonëse mundnin...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora