E marte, 19.03.2024, 07:08 AM (GMT)

Mendime

Adnan Abrashi: Baca Adem - Edhe këtë herë ja ka qëlluar!

E premte, 23.05.2008, 07:28 PM


Adnan Abrashi
BACA ADEM - EDHE KËTË HERË JA KA QËLLUAR!

 

Nga Adnan Abrashi

 

Pas gjithë këtij cirku që po na ndodh këto ditë me futjen apo mos futjen në Ligjin si festë shtetërore, edhe të 28 NËNTORIT, në vazhdim, po jua prezantoj në fragmente, një shkrim tim të cilin e kisha botuar në fillim të dhjetorit 2007, nëpër disa medie dhe WEB faqe të ndryshme shqiptare të internetit. Artikulli mbante titullin  “FRIKA NGA NJË PROFECI E BACIT ADEM”

 

                                                              * * *

 

“Në një televizion lokale të Prizrenit (televizioni OPINION) , si producent i saj, për nder të festës tonë të madhe kombëtare 28 Nëntorit, morra përsipër që të organizoj një program tërë ditorë kulturo-zbavitës - LIVE. Ishte një përgjegjësi e madhe kjo, por, meqë kaherë kisha filluar t’i bëja përgatitjet e duhura për këtë spektakël televiziv, para veti kisha në dispozicion shumë materiale interesante, si nga muzika me përmbajtje patriotike, e deri tek dokumentarë tematik. Edhe përpos materialit të bollshëm, ndjeja si nevojë që mozaikun e këtij skenari festiv ta pasuroja edhe me një mysafir adekuat, i cili, në këtë ditë të madhe historike për shqiptarët, si një analist i mirëfilltë, me analizën e tij retrospektive, do ta pasqyronte më së miri aktualitetin politik në Kosovë dhe më gjer në gjithë trojet etnike shqiptare.
Isha në dilemë të madhe se kush mund të jetë ky personalitet aq meritor, që do të jetë njëkohësisht shumë i mirëpritur edhe nga shikuesit tanë, që këtë ditë festive, sigurisht me shumicë do të qëndrojnë pranë ekraneve të tyre televizioneve.

“Adem Demaçi”- brohorita në vete. S’ka tjetër kush më të përshtatshëm dhe më meritor për mysafir të nderit në festën e ditës së flamurit. Meqë isha informuar se Baci, këto ditë, sigurish qëndronte në Prishtinë, e ftova, dhe ai me kënaqësi të madhe e pranoi ftesën time.
Nuk ka dyshim! Gjatë vijimit të gjithë emisionit të drejtpërdrejtë, biseda me Adem Demaçin ishte më tepër se e këndshme, bindëse, atraktive dhe me një nivel të lartë logjik dhe profesional të vlerësimit të ngjarjeve aktuale që e karakterizonin arena e brishtë shoqërore-politike kosovare dhe gjithëshqiptare.
Ndoshta e zgjata pak me këtë si hyrje, por, tani dua të dal aty ku edhe e kam qëllimin. Kur në mesin e shumë temave interesante, kah fundi, moderatori ynë e pyeti se si ai e sheh Kosovën në 28 Nëntorin e vitit 2008, pasoji një përgjigje e prerë e tij:
“Bazuar në disa veprime politike dhe gabimet të njëpasnjëshme që po i bënë në vazhdimësi lidershipi aktual kosovar, nuk është çudi se në vitin 2008, ne si shqiptar, as që do të guxojmë ta kremtojmë këtë festë tonë të madhe dhe tradicionale kombëtare të 28 Nëntorit...!?”
Meqë, nga njëra anë, unë përherë i besoj vlerësimeve të Bacit Adem, sepse ato gjithnjë më janë treguar si të sakta, dhe nga ana tjetër, pranoj se nuk më konvenoi edhe aq ky parashikim i tij i befasishëm. I nxitur nga kjo përgjigje e papritur dhe të befasishme, me shumë hamendje në vete, fillova të analizoj me përsiatje një mundësi të tillë...

...Edhe nëse do të ariet çfarëdo pavarësie sipas Pakos së Ahtisarit, duhet ta kemi të qartë se, më pas, sipas saj ne nuk do të trajtohemi si  shtetas shqiptar por shtetas kosovar; do ta kemi flamurin tonë dhe himnin e dizajnuar nga miqtë tanë, kurse ai i vërteti i Skënderbeut, fillimisht do të jetë si paralelizëm i së parës, e më vonë do të filloj gradualisht t‘na shndërrohet në nostalgji.
Ne” kosovarët”, ndoshta së shpejti, do ta kemi njëfarë shteti dhe ndonjë datë të shtetësisë, andaj, nuk është edhe për çudi pse ma nuk do të na nevojitet kremtimi i 28 Nëntorit, festë kjo, që ka të bëj me një shtet tjetër fqinje për ne.
Fundja, nëse që nga viti 1999, e deri më sot, e analizojmë mënyrën e kremtimit zyrtar të kësaj feste të madhe kombëtare nëpër shumë komuna dhe në nivelin qendror, pompoziteti institucional i shënimit të saj ka treguar rënie rapide.
“Katundi që shihet kallauz nuk do” - thotë populli. Edhe pse gjitha parakushtet flasin “pro”, parën herë po i lutem Zotit që kjo profeci e Bacit Adem t’mos realizohet fare, dhe, ai, së paku këtë herë, të dështoj me këtë vlerësim...?!”

 

(Dhjetor 2007)

                                                          * * *

 

Fatkeqësisht, Zoti nuk e pranoi lutjen time dhe vizionariteti i pakontestueshëm i Bacit Adem edhe një herë erdhi në shprehje.

“Çdo ligj që e krijojnë njerëzit për njeriun, hedh poshtë grurin e mirë dhe e ruan të dobëtin, atë të pavlerë “ - një urtësi ky ndoshta i qëlluar për këtë rast. (O. Uajlldi). E neve, për fund, na metët që ende të pyesim veten: Deri kurë më do të mbetemi të shurdhër dhe injorantë para paralajmërimeve të zërave të vërtetë dhe të dëshmuar të kombit tonë...??!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora