E premte, 26.04.2024, 07:48 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Emigracioni dhe vlerat shpirtërore

E shtune, 05.08.2006, 07:30 PM


Studiues, sociologë, organizmat e ndryshëm joqeveritarë, gazetarë por edhe politika i kanë kushtuar fenomenit të emigrimit rëndësi të veçantë, duke i trajtuar etapat, shkaqet, si edhe mënyrat e emigrimeve të shqiptarëve gjatë në periudha të ndryshme kohore. Është shkruar dhe folur shumë për llojet e emigrimeve, qoftë masive edhe për ato individuale të shqiptarëve, për burimet historike dhe aktuale, si edhe shkaqet që e kanë nxitur këtë fenomen të hershëm. Fakte të tilla, vetëm sa do të freskonin kujtesën e njerëzve, do t’u sillnin në mendje ngjarje të lexuara, të dëgjuara, por edhe ato të përjetuara. Pra, ngritja e çështjeve të emigrimit të shqiptarëve nuk përbën risi, nëse do t’i referohemi evidentimit të kësaj dukurie, por ajo që për mua është e re ka të bëjë me mënyrën e konceptimit dhe trajtimit të kësaj çështjeje sociale. Historikisht, popujt e varfër dhe të shtypur, ndër ta edhe shqiptarët, janë përballur me këtë “zgjedhje” dhe nevojë, faktikisht të imponuar nga faktorët politikë dhe socio-ekonomikë. Por edhe sot e kësaj dite, kur ky fenomen do të duhej të ishte zbutur, shifrat tregojnë qartë se ne vazhdojnë të ndiejnë nevojën e të emigruarit në vendet më të zhvilluara.

Janë të pakta ato familje shqiptare të cilat nuk e kanë provuar emigracionin në rrugë të ligjshme apo të paligjshme, por edhe më të pakta në numër ato familje që i kanë shpëtuar tundimit për të provuar të paktën një herë të vetme rrugën e emigracionit.
Fluksi i njerëzve para dyerve të ambasadave, aplikimet për bashkime familjare, zgjedhjet e mënyrave të ndryshme, qoftë edhe të paligjshme, vetëm e vetëm për t’u larguar jashtë tregojnë se një fenomen i tillë nuk është rrudhur aspak.

Duke qenë se emigrimi për shkaqe ekonomike është edhe më i rëndësishmi në raport me numrin e të larguarve, duke pasur qëllim të tillë, domosdoshmërisht ka sjellë edhe rritjen e të ardhurave e të standardit të jetesës së emigrantëve dhe të familjeve të tyre. Sipas të gjitha studimeve të bëra në këtë drejtim rezulton se të ardhurat nga emigracioni janë faktori kryesor i përmirësimit të gjendjes sonë ekonomike. Pra, edhe pse askush nuk është në gjendje të mohojë treguesit pozitivë, do të ishte i ekzagjeruar mbivlerësimi që u bëhet vlerave monetare të fituara nëpërmjet tij, në raport me humbjet sociale që po kalojnë familjet tona, sepse ky “shtegtim”, veç të përfitimeve të tjera mbart me vete edhe pasoja lënduese e të pandreqshme për to.

Sadoqë ky konstatim vlen në përgjithësi për të gjithë emigrantët shqiptarë, për ta ilusturar atë do t’i referohesha kryesisht një pjese të konsiderueshme të të emigruarve shqiptarë të ish-Jugosllavisë, të cilët për arsye të lehtësirave të lëvizjes pa viza që prej viteve ‘60-të e kanë njohur rrugën e emigrimit, përpara bashkombasve të tyre nga Shqipëria. Fillimisht, pjesa dërrmuese e tyre e kanë marrë vetëm rrugën e emigrimit, pa pjesën tjetër të familjes, duke u vendosur kryesisht, në Zvicër, Gjermani, Itali, në vendet skandinave etj. Kryefamiljarët kanë zgjedhur si të vetmen mundësi rrugën e emigracionit, për t’u mundësuar në këtë mënyrë familjeve të tyre mbështetjen ekonomike që u mungonte. Por edhe pse pas shumë vitesh punë në një vend të huaj, jo të gjithë emigrantët mundën të gëzojnë të gjitha të drejtat dhe përfitimet, në raport me dokumentacionin, lejen e punës, lejen e qëndrimit, edhe aq më tepër bashkimin familjar me pjesën tjetër të familjes.

Pikërisht, këtu zë fill edhe trajtimi i kësaj çështjeje nga pikëpamja sociale.
Kjo ndarje e përkohshme e familjes, e cila për ne konsiderohet tepër e shenjtë ka krijuar boshllëqe në vlera tepër të rëndësishme. Duke qenë se kjo kategori vazhdon të jetë e shkëputur nga familja pjesën më të madhe të kohës, nga vetë fjala “ndarje” kuptohet se lind distanca në kohë dhe hapësirë mes bashkëshortit dhe babait, me bashkëshorten edhe fëmijët, gjë e cila mund të shoqërohet edhe me një varg problemesh. Problemi kryesor nis nga mungesa e pranisë të të parit në familje, sidomos kur ajo zgjat për vite me radhë.

Një mungesë e tillë sa fizike, me kalimin e kohës kthehet edhe në mungesë shpirtërore e cila krijon boshllëqe të mëdha në marrëdhëniet familjare. Dihet që për funksionimin sa më të shëndetshëm të një familjeje është shumë i rëndësishëm të qenit aktiv në të ku secili merr rolin e tij dhe se prindi drejton “timonin” për funksionimin e saj. Përgjegjësia prindërore është kushti themelor në këtë rol që kërkon para së gjithash praninë në familje, për të inkurajuar fëmijët në orientimin dhe zgjedhjet që duhet të bëjnë në jetë, për t’u dhënë atyre sigurinë dhe mbështetjen e nevojshme, për t’i uruar për sukseset, ose për t’i ngushëlluar për humbjet sado të vogla qofshin. Do të përmendja këtu vlera që kanë të bëjnë me kënaqësitë dhe emocionet që në familje ndahen bashkë: tryeza e ngrënies, emocionet e forta për datat e shënuara qofshin të gëzueshme, apo të hidhura, pjesëmarrja në ceremoni të ndryshme, solidariteti në momente të vështira, vlerat afektive, intelektuale, menaxhimi dhe përdorimi i parasë. Dhe ndërsa mbështetja duhet të jetë e përditshme, në këto raste ndodh e kundërta, mungesa dhe largësia thellohen më shumë.

Përveç kësaj gjërat bëhen më problematike, kur emigrantët vënë në plan të parë rendjen pas pasurisë, në kurriz të humbjeve më të rëndësishme se paraja: familjes dhe krizës së identitetit dhe të vlerave që iu ndodh pa e hetuar, sepse jetesa në një vend tjetër krijon tek ata edhe transformimin e vlerave, zakoneve, interaksionit, kontradiktën mes botëkuptimeve të ndryshme.

Të bie në sy fakti se në disa raste ka një mospërputhje në mënyrën e projektimit të kapitalit të tyre, i cili duhet të jetë në funksion të së ardhmes së familjes dhe brezave pasardhës. Një tjetër fakt i rëndësishëm lidhet me një tjetër brez të moshuarish të cilët edhe pse jetojnë prej shumë vitesh jashtë nuk ngurojnë që paratë e tyre t’i investojnë për ndërtimin e xhamive dhe mirëmbajtjen e tyre, duke lënë pas dore projekte të tjera shumë të rëndësishme me karakter arsimor, edukativ dhe kulturor, sportiv, të cilat do të ndikonin në formimin, përparimin dhe ushqimin shpirtëror të të rinjve.

Një prirje e tillë është shembulli më i dukshëm i krizës që ekziston tek ky brez i cili e mbivlerëson dhe e dogmatizon fenë si vlerën më sublime, duke ua imponuar edhe fëmijëve atë si vlerën parësore, në raport me edukimin, arsimin, artin etj. Mungesa e investimeve dhe projekteve për hapjen e kopshteve dhe çerdhve private, librarive, institucioneve kulturore private është një mangësi, pasojat e së cilët do t’i ndiejnë më së shumti brezat e ardhshëm.

Edhe pse hapja e aktiviteteve private familjare nga emigrantët përmirëson anën financiare, duhet menduar edhe për vlerat shpirtërore të një mjedisi më të gjerë, sadoqë frytet duan më shumë kohë për t’u gëzuar.

Përveç këtyre fakteve është shqetësuese edhe tendenca që po shfaq gjinia femërore, kryesisht gratë, të cilat duke ndjerë se gjendja e tyre materiale është përmirësuar nga të ardhurat e emigracionit (nga bashkëshorti ose djali) duket se po akomodohen me këtë lloj jetese, duke u mjaftuar me komoditetet materiale dhe duke lënë pas dore prioritete të tjera të pazëvendëshueshme.

Duke e kthyer përditshmërinë e tyre në shtëpiake dhe telespektatore të telenovelave, kjo gjendje vetëm sa do t’i shtonte mungesave të lartpërmendura të tjera situata dhe do t’a zbehte rolin e saj në shoqëri. Duke i vëzhguar të gjitha këto fenomene, nuk mendoj se trajtimi i kësaj çështjeje mbaron këtu dhe se faktet e përmendura janë të vetmet. I mbetet kësaj kategorie emigrantësh të reflektojë mbi këto probleme dhe të tjera që lidhen me të ardhmen e sigurtë të familjeve të tyre, por gjithashtu edhe qeverive të hartojnë politika inkurajuese edhe tolerante për rikthimin gradual të emigrantëve në vendin e tyre duke shmangur barrierat administrative dhe fiskale, që shpeshherë bëhen pengesë për nismat e tyre.

Në anën tjetër janë edhe mediat edhe organizmat joqeveritarë të cilat duhet t’i sensibilizojnë qeveritë përkatëse dhe këtë shtresë për ndërtimin e së ardhmes së tyre në vendin e origjinës. Nga ana tjetër, qeveritë duhet të marrin masat e nevojshme për lidhjen e marrëveshjeve me vendet ku jetojnë emigrantët shqiptarë, në mënyrë që ata të kenë mundësi t’i transferojnë kontributet e tyre shoqërore në vendlindje, ndërsa vetë emigrantët të kontribuojnë me derdhjen e këtyre kontributeve në fondet e vendit të tyre. (Bie fjala buxheti i Greqisë pasurohet nga kontributet shoqërore që derdhin shqiptarët, ndërsa ai i Shqipërisë shteret nga mungesa e tyre).

Ndërkohë, që nuk duhet lënë pa përmendur edhe mungesa e ndikimit që ka arti dhe letërsia jonë rreth kësaj teme. P.sh. vënia në skenën e shfaqjeve, ose produksionet kinematografike rreth kësaj drame shoqërore do të krijonin një tjetër impakt psikologjik, më të prekshëm edhe më emocional tek njerëzit, në raport me studimet ose shkrimet gazetareske.

Përpjekjet për këtë duhet të nisin që tani. Masat edhe hapat pasues duhet të jenë sa më të shpejtë dhe duke i pasur parasysh humbjet, të kuptojmë se e ardhmja varet nga e tashmja. Çdo emigranti shqiptar duhet t’i vlejë thënia e Winston Churchill: Mund të jetosh nga fitimet materiale, por jeta ndërtohet me ato që i jep asaj.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora