E premte, 26.04.2024, 11:05 AM (GMT+1)

Mendime

Kadare: Vitet e mia në Moskë dhe dashuria e humbur me vajzën Larisa

E enjte, 15.05.2008, 09:37 PM


Ismail Kadare
Shkruar nga Vasilij Tjuhin

Një intervistë që e kërkon çdo gazetar shqiptar

Ismail Kadare ka dhënë me qindra, në mos me mijëra intervista. Nga SHBA e deri në Japoni. Nga Anglia e deri në Australi. Por kurrë deri më sot, nuk kishte folur për një media ruse. Për një vend ku ai studioi për dy vjet me radhë në Institutin e Letërsisë "Gorki". Ku shprehu talentin për herë të parë dhe ku e theku atë për të shpërthyer pas kthimit në Tiranë. Ja që po sipas rregullit që Kadareja përcjell në librat e tij, edhe më e paimagjinueshmja në jetë ndodh një ditë.
Një gazetar me emrin Vasilij Tjuhin ka zbuluar se romancieri më i mirë në botë është një shqiptar, që studimet e larta i ka kryer në Rusi. Madje edhe librin e tij të parë e ka botuar atje. Madje akoma, mbështetur edhe në direktivat e Hrushovit, libri është shoqëruar me një parathënie ku shkruhej troç: Shtëpia botuese e cilëson librin paksa dekadent e modernizues. Dhe gazetari rus i ka prekur telat Ismail Kadaresë. E ka pyetur për gjithçka të mundshme që një rus kërkon të dijë nga gjeniu i letrave. Madje për ca gjëra na ndihmon edhe ne shqiptarëve, që nuk dinim dhe shumë për ta pyetur në lidhje me vitet e tij në Moskë. Dhe intervista na zbulon pothuajse një roman më vete me jetën e Kadaresë nën borën ruse, nën letërsinë madhështore ruse, nën terrorin komunist rus, por edhe për dashurinë me një vajzë të cilën e ndërpreu në mes ajo që quhet prishja e marrëdhënieve mes dy vendeve. Një dashuri, për të cilën Kadare për herë të parë tregon gjithçka. Larisa, ose Lora siç e thërriste shkurt, me të cilën nuk arriti të mbante as korrespodencë. Pa flet edhe për ndikimin tek shkrimtarët rusë. Por edhe për shokun e ngushtë që në mënyrë tragjike mësoi pas shumë vitesh se përfundoi në vetëvrasje. Por edhe për letërsinë në Shqipëri dhe në Rusi. Dhe që çuditërisht Kadare mëson nga gazetari që librat e tij ishin të ndaluar në Rusi. Një intervistë e jashtëzakonshme, që na sjell fakte të jashtëzakonshme. Dhe që botohet enkas në gazetën "Tirana Observer". Dhe për këtë ne falënderojmë personalisht zotin Ismail Kadare për këtë mundësi, bashkëshorten e tij Helena, por edhe botuesin e njohur Bujar Hudhri, që me "Onufrin" e tij nuk bën të mundur vetëm botimin aq cilësor të veprave të Kadaresë por përcjell një kulturë tek ne dhe brezat e rinj për të cilën ne e nderojmë.

Roland QAFOKU

Kjo është e para intervistë juaja për lexuesit e Rusisë. Ju keni studjuar në Moskë, në Institutin e Letërsisë dhe e flisni lirisht gjuhën ruse. A keni pasur rastin kohët e fundit të flisni rusisht?

Po, kjo është e para intervistë imja dhe nuk e fsheh se më ka emocionuar shumë. Unë kam dhënë me qindra, për të mos thënë me mijëra intervista, në vende nga më të ndryshmet, që nga SHBA e deri në Japoni, por asnjëherë deri më tani nuk i jam drejtuar lexuesve të vendit, ku kam qenë student. Kështu mund të kuptohen përjetimet e mia.
      Po, në vitet e rinisë unë kam studiuar në Moskë, mirëpo për shkak të pamundësisë për t'u shoqëruar me rusë, tashmë flas me vështirësi rusisht, megjithatë, lexoj dhe e kuptoj mirë atë. Hera e fundit që kam folur rusisht më ka ndodhur në Veri të Italisë, në pranverën e vitit të kaluar, gjatë ceremonisë të dorëzimit të çmimit Grincano Kavur. Atje ndodhej një vajzë përkthyese nga Sankt-Petërburgu, kurse disa vite më parë, në dy takime ndërkombëtare të shkrimtarëve, si në Lisbonë ashtu edhe Londër, më ka rastis të bisedoj rusisht me Brodskin.

Si e përfytyronit Moskën para vajtjes atje? Deri në ç'masë përfytyrimi është përputhur me realitetin dhe si u ndjetë kur ju desh ta braktisni atë, për shkak të përqkeqësimit të marrëdhënieve midis BRSS-s dhe Shqipërisë? 

Moska mua më ka pëlqyer shumë më tepër, në krahasim me atë që prisja. Siç e kuptoj unë, kjo ka ndodhur për shkak se propaganda sovjetike e kishte zbukuruar atë pamje të Moskës, që asaj i dukej më interesante, kur në realitet ajo ishte sterile dhe e zymtë. Por aspektet më intime të jetës të qytetit të madh, pasurinë e jetës shpirtërore të njerëzve rusë, bukurinë e vajzave të tyre dhe shumë gjëra të tjera, unë munda t'ia zbuloj vetes, pikërisht pasi mbërrita atje. Kjo ishte Moska jo edhe aq pompoze, por shumë më e përzemërt. Pikërisht për këtë Moskë më vonë do të ndjeja mall, por jo për atë, që pasqyronte propaganda e realizmit socialist.
     Unë u largova shumë i tronditur dhe jam i mendimit se studentët shqiptarë, të cilët mësonin në vendin tuaj, në përgjithësi e përjetuan me vështirësi domosdoshmërinë e largimit, pas prishjes së marrëdhënieve.   
     Njëra nga poezitë e mia, mbase njëra nga ato më të bukurat lirike, të shkruara nga unë (nuk e di, nëse jeni i të njëjtit mendim me mua), ka marrë emrin e një vajze ruse, "Lora" (që do të thotë Larisa). Poezia i përket pikërisht asaj periudhe, kur nisi konflikti dhe unë u ktheva në Tiranë, duke qenë i detyruar të ndahesha prej saj. Pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike, përgjithmonë humba mundësinë, madje edhe për të mbajtur korrespondencë me të.

A do të kishit dëshirë që përsëri të vini në Rusi? A ndjeni nostalgji për Moskën?

 Kur kthimi në Moskë u bë i pamundur, unë provova një nostalgji të padurueshme. Në librin tim "Kthim në studio", shpesh e kam përshkruar ëndërrën e përjetuar: papritur u ndodha në Moskë, në konviktin e studentëve. Me trolejbusin Nr. 3 po udhëtoja nëpër buevardin e Tvjerit drejt Institutit të Letërsisë, ku studjoja, por trolejbusi mezi zvarritej. Më pas në rrugën time u shfaqën disa kanale, pellgje dhe unë në asnjë mënyrë nuk po e gjeja dot rrugën për në sheshin "Pushkin". Me një fjalë po provoja një makth të vërtetë, i cili vazhdoi derisa u zgjova.
      Më vonë, pas rënies së komunizmit, kur mundësia për të udhëtuar u bë plotësisht reale, sado e çuditshme që të duket, në një farë mënyre, nostalgjia m'u dobësua. Megjithatë, me kënaqësi do ta vizitoja përsëri Rusinë dhe veçanërisht Moskën, në se më krijohet një mundësi e tillë. Unë shpresoj se kjo do të ndodhë.  

A keni ndonjë dijeni për ata studentë, me të cilët keni studiuar bashkë në institutin e Letërsisë? A mbani kontakte me ta?

Ka kaluar shumë kohë dhe për asnjërin nga bashkëstudentët e mi, që mund të jetë bërë i përmendur, nuk kam dëgjuar gjë. Në vitin 1989 u gjenda në Suedi, ku takova një shkrimtare nga Riga, të cilën e pyeta për një shok të kursit, për poetin Jeronim Stulpanc. Për fatin tim shumë të keq, ajo më tha se kishte përfunduar në vetëvrasje. Atë e kisha pasur shok të ngushtë dhe, para se të mësoja se ç'kishte ndodhur, e kisha përshkruar në romanin kushtuar viteve studentore, madje, duke e pëmendur me emrin e tij të vërtetë. 

Mos e keni fjalën për romanin "Muzgu i perëndive të stepës"?

 Pikërisht për të. Sapo u ktheva në Shqipëri, në vitin 1960, nostalgjia për vitet studentore moskovite më nxiti të shkruaj për ta. Romanin e fillova ta shkruaj në vitin 1962, por me vështirësi nunda ta publikoj në vitin 1978, në përmbledhjen "Ura me tri harqe". Unë nuk dëshiroja të tërhiqja jashtë mase vëmendjen, përderisa çështja ishte shumë delikate. Gjithçka kishte lidhje me Rusinë, për shumë vite u shndërrua në tabu, aq më tepër historia e dashurisë së një djaloshi shqiptar me një vajzë ruse. Në qendër të romanit është fushata kundër Pastërnakut, që u zhvillua në vitin 1959. Atë unë pata mundësi ta përjetoj ditë pas dite, sepse shumë ngjarje të kësaj fushate kishin lidhje me Institutin e Letërsisë, që mbante emrin e Gorkit. Në librin tim përshkruhet shkrimtari Pastërnak, që u ndodh në izolim të plotë, kundër të cilit shteti sovjetik u vërsul me tërë forcën shurdhuese të propagandës së vet. Tanimë do të më dëgjoni me vëmendje: ndërkohë që Shqipëria zyrtarisht ndodhej në armiqësi me Bashkimin Sovjetik, unë ia lejova vetes që ta përshkruaj këtë shtet në mënyrën më negative. Si pasojë e këtij qendrimi, me dashje apo pa dashje, shkrimtari Pastërnak u shndërrua në një hero pozitiv. Këtu edhe qëndron paradoksi i pabesueshëm: në një vend me një regjim të egër stalinist, siç ishte Shqipëria, dënohej fushata kundër Pastërnakut. Së bashku me shtetin unë demaskoja edhe shkrimtarët sahanlëpirës, duke vënë në lojë veprat e tyre dogmatike, hipokrizinë e tyre, parrullat e realizmit socialist si dhe spiunimet që i bënin njëri-tjetrit. Madje, njëri nga personazhet jepet me pseudonimin "spiuni", që përveç të tjerash, këtë fjalë e shkrova në shqip, ashtu si edhe shqiptohet "spiun".
     Ndërtesa gjashtëkatëshe në hutorin (fermën) Butirsk, ku jetonin shkrimtarët dhe studentë të Institutit të letërsisë, unë e përshkova të ngjashëm me ferrin e Dantes, me gjashtë rrathë. Në secilin rreth shkrimtarët e rinj dhe të vjetër personifikonin njërin nga mëkatet. Kështu, sipas kateve ishin vendosur konformistët, dogmatikët, duke vazhduar dei në katin e fundit, ku jetonin spiunët. Ju mund të më thoni mua se edhe vetë unë kam jetuar në këtë konvikt. E vërtetë është, edhe unë kam jetuar atje. Romani është shkruar në vetën e parë dhe në të menjeherë e pohoj se jam student i këtij instituti. Madje, në njërën nga skenat e romanit, njëra nga heroinat (mikesha ime moskovite), së cilës ia kisha fshehur se isha shkrimtar, kur e mori vesh të vërtetën do të klithte me tmerr, sikur po demaskonte një kriminel: "Edhe ti qenke shkrimtar?" Dhe unë i përgjigjem: "Ehë, ashtu është! Për më tepër, akoma më keq, nga ajo që mendon ti: jam shkrimtar i njohur!" Ç'të bëja tjetër, unë isha njëri nga bujtësit e këtij ferri gjashtëkatësh? Por isha i ndërgjegjshëm për këtë fakt. Ja ku qendronte ndryshimi. Unë isha i ndërgjegjshëm, prandaj e përshkrova këtë ferr, që ta mësonte bota mbarë. Pikërisht këtu qendronte edhe përparësia ime.
      Në fakt, të tëra ato që unë i godisja, ne i kishim vetë në Shqipëri. Aq më tepër që tek ne gjithçka ishte akoma më e egër. Po të kishte qenë në vendin tonë, Pastërnakun do ta kishin pushkatuar. Kështu kishte ndodhur: duke shfrytëzuar armiqësinë zyrtare kundër Bashkimit Sovjetik, unë kalova plotësisht në pozita liberale. Kritika në Shqipëri ishte e çorientuar dhe mbante një heshtje të plotë, që për mua pati tepër rëndësi. Në kohën kur tashmë kjo vepër ishte botuar në Perëndim, një kritik komunist italian, një farë Xhanroberto Skarsia, i cili i shërbente komunizmit sovjetik, e vuri në dukje këtë paradoks dhe në mënyrë publike më akuzoi se e kritikoja Bashkimin Sovjetik, nisur nga pozita "atllantike" (domethënë tepër perëndimore).
      Ja si ishte ndërtuar bota jonë. Sikur nuk na mjaftonin spiunët tanë, por duhej që edhe kritikët perëndimorë të bënin çmos për të na spiunuar.

Ju, natyrisht, që keni njohur shumë shkrimtarë rusë edhe në atë kohë, por edhe më vonë. Cilin do të kishit dëshirë ta përmendnit? Çfarë ndikimi ka pasur tek ju letërsia ruse?

Nga koha e studimeve në institut më kujtohet Bella Ahmadulina, natyrisht edhe Jevtushenko, që tashmë e kishte pas kryer institutin, por që shpesh vinte tek ajo. Pastaj, David Samojllovi, i cili më ndihmoi të botoja librin e parë(1). Në Jalltë, në shtëpinë e pushimit të shkrimtarëve, u njoha me Konstantin Paustovskin dhe shpesh bisedoja me të. Atje ndodhej edhe një dramaturg me mbiemrin Arbuzov, që e përmend, jo për veprat e tij, por sepse i mori gruan Paustovskit, apo e kundërta, Paustovki ia mori atij, tashmë nuk më kujtohet mirë. Atje kishte edhe të tjerë, nga të cilët më vjen ndër mend një shkrimtar me mbiemrin Lladonshçikov, një komunist i thekur, për të cilin thuhej se gjurmonte Paustovskin… Më kujtohet se në Rigë jetonte Ermillovi, kritik, që nuk më pëlqente, saqë më dukej se edhe të tjerët e urrenin atë. Përveç Brodskit, në Paris kam takuar edhe Sollzhenjicinin. Veprat tona i botonte e njëjta shtëpi botuese, "Fajar". 
   Me që e përmendëm Pastërnakun, mua m'u dha rasti të njihesha në Paris me Irina Emeljanovën, vajzën e së dashurës të Pastërnakut, e cila gjithashtu ndiqte studimet në Institutin e letërsisë, por në një grup tjetër. Më kujtohen fare mirë sytë e saj si bajame, të cilat gjatë tërë asaj histerie, shpesh me dukeshin të përlotur.
     Përsa i përket ndikimit të letërsisë ruse, është e kuptueshme se ajo ishte tepër e madhe. Në rini isha magjepsur pas fantazmave të Shekspirit, pas baladave të zymta gjermane, si edhe pas "Ferrit" të Dantes. Siç ndodh shpesh me adoleshentët, mua nuk më tërhiqte letersia realiste. Më vonë, krahas "Don Kishotit' dhe letërsisë antike greke, u njoha edhe me letërsinë ruse, e cila në shumë aspekte orientoi formimin tim si shkrimtar. "Don Kishoti" dhe letërsia ruse nga ana e tyre më shërbyen si një lloj ekulibrimi. Grotesku i shkrimtarit spanjoll dhe gjërësia e tingëllimi i ëmbël i letërsisë ruse, sikur më ekuilibruan, në kuptimin e mirë të fjalës. Ndërkohë tragjizmi shekspirian nuk më lejoi të bëhesha një shkrimtar i zymtë, i cili gjithçka e koncepton me tone bardhë e zi.

Sa është e njohur në Shqipëri letërsia ruse? A mësohet atje gjuha ruse?

Letërsia klasike ruse njihet shumë mirë në Shqipëri. Pas prishjes së marrëdhënieve në vitin 1960, kur Shqipëria u shkëput nga blloku sovjetik, ndodhi ajo, që është e pamundur të besohet: sa hap e mbyll sytë u zhdukën flamujt sovjetikë, këngët ruse, botimet sovjetike e, në të njëjtën kohë, nëpër shkolla u kufizua studimi i gjuhës ruse. Ne shqiptarët kalojmë kollaj në ekstrem: nga një miqësi e madhe me popullin sovjetik, kaluam në një armiqësi po aq të madhe. Presionit armiqësor i rezistoi vetëm letërsia klasike ruse. Ajo vazhdoi të lexohej, madje edhe të ribotohej. Por edhe pas rënies së komunizmit, situata pothuajse nuk ka ndryshuar.
    
Nga e tërë letërsia ruse, të cilën në përgjithësi e vlerësoj lart, për mua kulmin e përbën vepra "Shpirtrat të vdekur" të Gogolit. Mbase, kjo mund të duket pakëz subjektive, por unë shpresoj se do të më kuptoni përse më pëlqen pikërisht kjo vepër. Sekreti qendron  në përzierjen e Dantes me Servantesin (me sa mbaj mend, subjektin Gogolit ai ka dhuruar Pushkini, së bashku edhe me ketë ide gjeniale). Udhëtimi i Çiçikovit, në vetvete është udhëtimi i djallit, që mblidhte shpirtrat nëpër stepën ruse, të mbushur plot me don Kishotë. Kjo tashmë është një mrekulli e vërtetë, apo jo?

     Letërsinë ruse e njoh mirë: që nga klasikët e mëdhenj e deri tek dekadentët dhe avagardistët e shekullit XX, si Bjellovi, Andrejevi, Sollogubi; që nga Mandelshtami e deri tek Bullgakovi, por nuk i njoh shumë mirë shkrimtarët bashkëkohorë. 
    
A e dini Ju se veprat tuaja kanë qenë përfshirë në programin mësimor të universitetit të Petërburgut (Leningradit), madje edhe në ato vite, kur midis vendeve tona nuk ekzistonin marrëdhënie diplomatike, ndërsa publikimi i romaneve tuaj ishte i ndaluar në Bashkimin Sovjetik?

Jo këtë nuk e kam ditur, prandaj mund t'u them se kjo më emocionon pa masë. Ju më kujtuat se librat e mi kanë qenë të ndaluar tek ju. Për ne, shkrimtarët e ish bllokut Lindor, ky fakt përbën një kujtim plotësisht të veçantë. Ne jemi formuar, duke lexuar libra të ndaluar. Në fillim të tillë quheshin librat e autorëve perëndimorë, të atyre që emërtoheshin "dekadentë borgjezë". Pastaj kemi shfletuar shkrimtarët tanë të vjetër, të etiketuar të dëmshëm. Më vonë na erdhi rradha edhe neve, shkrimtarëve bashkëkohorë. Një herë njërit e një herë tjetrit, iu ndalua botimi i ndonjë libri. Unë kam pasur katër apo pesë raste të tillë. 
     Dhe të tëra këto ndodhnin pikërisht në vendet tona. Veprat tona ndaloheshin në vendet tona. Por kur ato ndaloheshin edhe në vendet e tjera, kjo ishte e pamundur të merrej me mend. Të paktë ishin ata shkrimtarë të ish-Evropës Lindore, veprat e të cilëve konsideroheshin të ndaluar në vendet e tjera. Kjo është një dukuri e rrallë, saqë të krijohet përshtypja se një diçka e tillë as që mund të merrej dot me mend. Krahas hidhërimit, që gjithmonë ngjall ndalimi i veprave, për këtë veprim duhet të ketë edhe shkak. Kjo do të thotë se ky shkrimtar për dikë paraqet rrezik, apo dikë mund ta ketë frikësuar. Por, kë mund të frikësojë, përveç tiranisë? Kur ai paraqet rrezik për tiraninë, kjo do të thotë se në veprat e tij ka diçka demonike, në kuptimin e mirë të fjalës.
     Mbase duket se në këtë që unë po pohoj ka diçka të shtrembëruar, por, siç e kam përmendur tashmë, kjo është intervista ime e parë për lexuesit rusë dhe më lejohet të shfaq një farë origjinaliteti.       
      Përveç vendit tim, Shqipërisë, veprat e mia janë ndaluar edhe në dy vende të tjera: në Jugosllavi dhe në Bashkimin Sovjetik. Në Jugosllavi arsyeja është e kuptueshme - për shkak të Kosovës. Atje jam mjaft i njohur dhe momentalisht librat e mi janë shpërndarë. Mirëpo jugosllavët mua më konsiderojnë armik të Jugosllavisë, përderisa isha njëri nga ata që kam kërkuar hetim të krimeve të luftës, të kryera nga ushtria jugosllave ndaj shqiptarëve, që banojnë në Kosovë. Kështu që jugosllavët kishin plotësisht të drejtë të mos më donin.
   Për sa i përket Bashkimit Sovjetik, gjithçka u zhvillua ndryshe. Unë kisha studjuar atje, kur isha student. Rusia ishte vendi i parë ku ishte botuar libri im i parë, i përkthyer qysh në vitin 1960. Për fjalë të nderit, madje, më duket e pabesueshme që veprat e mia janë botuar në Moskë më parë se në Paris, ku vepra ime e parë është publikuar dhjetë vite më vonë. Por ja që në Rusi, ku veprat e mia u botuan më herët, ata u ndaluan.  

A e keni vrarë mendjen, përse u veprua në atë mënyrë? Kishte arsye politike, apo ishte thjesht një keqkuptim?

Patjetër që ka pasur edhe shkaqe politike (ndërperja e marrëdhënieve midis vendeve tona), por në thelb të tyre, ato ishin thjesh keqkuptime. Madje, edhe më tepër, keqkuptime tepër dramatike. Mua më duket ata lindën nga publikimi i romanit tim "Dimri i vetmisë së madhe"(2). Në këtë roman përshkruhet prishja e marrëdhënieve të Shqipërisë së vogël me tërë vendet e kampit socialist e në rradhë të parë me Bashkimin Sovjetik. Ashtu si për shumicën e shqiptarëve, edhe për mua ishte një dukuri pozitive, përderisa tek ne u krijua iluzioni se prishja e marrëdhënieve midis Shqipërise dhe Bashkimit Sovjetik, me dashje apo pa dashje, do ta shpinte vendin tonë drejt Evropës Perëndimore. (Për fat të keq nuk ndodhi kështu. Enver Hoxha e nxorri Shqipërinë nga blloku sovjetik, jo për ta liberalizuar, por për ta shndërruar në shtetin më të egër stalinist. Kjo qe tragjedia jonë).
     Më pas u krijua përshtypja e gabuar se në këtë roman dënohet Rusia. Në të vërtetë, në të jepet një tabllo globale e perandorisë komuniste, e cila të shkaktonte tmerr dhe qendra e së cilës ishte Rusia sovjetike. Zymtësia e këtij pasqyrimi e shpjegon atë sukses që ai pati në Perëndim, kur u botua atje dymbëdhjetë vjet para rrëzimit të komunizmit. Duke  dënuar makinerinë gjigande të Perandorisë komuniste, praktikisht kisha dënuar edhe komunizmin shqiptar, që ishte më i egër nga të gjithë. Prandaj, mbase edhe ju e dini, romani u prit shumë keq në Shqipëri.    
    
Kur pas rënies së komunizmit ky roman u përkthye në gjuhën ruse, unë u gëzova shumë, sepse rusët e kishin kuptuar se ai nuk ishte shkruar kundër Rusisë, por kundër tërë asaj, që edhe vetë rusët e urrenin.

Në vitin 2005 ju morët në Britaninë e Madhe çmimin Buker, njërin nga çmimet letrarë më prestigjiozët në botë. Ndërkohë romanet tuaja botohen në 40 vende të botës dhe tashmë prej shumë vitesh me rradhë jeni propozuar si kandidat për çmimin Nobel. Për ç'arsye, sipas mendimit tuaj, deri më sot veprat tuaja nuk janë bërë shumë të njohura në Rusi, sepse tanimë nuk ka më pengesa politike?

Ndoshta, për shkak të një inercie të veçantë, që ka mbetur nga koha e marrëdhënieve të ftohta në të kaluarën. Unë jam shkrimtar dhe jo politikan, prandaj dëshiroj të flas pa censurë e pa vështuar nga diplomacia. Zakonisht politikanët thonë: "Po, rastis që qeveritë të shndërrohen në armiq, por popujt, megjithatë, e duan njëri-tjetrin dhe kjo ka të bëjë me kulturën". 
       Natyrisht, që këto ndodhin, prandaj zakonisht realiteti është larg asaj tabloje idilike të dëshiruar. Në disa raste armiqësia e gjatë, pothuajse dyzetvjeçare, si ajo midis Shqipërisë së vogël dhe Rusisë së madhe, lë gjurmët e veta. E hidhur është ta shprehësh këtë, por mua më duket se midis Rusisë dhe Shqipërisë, madje edhe sot, ekziston një ftohje e dukshme në marrëdhëniet midis dy vendeve. A do të kalojë ajo? Unë shpresoj se po. Tensionimi midis vendeve, qofshin ata shtete të mëdhenj apo të vegjël, nuk është veprim normal. Mbase, pas vendosjes së paqes në Ballkan si dhe të dobësimit të armiqësisë shekullore midis serbëve dhe shqiptarëve, do të ndryshojë edhe koncepti ndaj Rusisë, nga ana e popujve josllavë të gadishullit Ballkanik. Ju tashmë e dini se pas një tensionimi dyzetvjeçar në marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike, u shfaq tensionimi i ri pas rënies së komunizmit, i shkaktuar nga ngjarjet në Kosovë. Rusia, së bashku me disa aleatë të saj, mbajti anën e serbëve, kurse Perëndimi - atë të shqiptarëve. Pikërisht për shkak të shqiptarëve që jetojnë në Kosovë, NATO e bombardoi Jugosllavinë. Është e kuptueshme se ky qendrim e forcoi akoma më tepër lidhjen e shqiptarëve me Perëndimin dhe veçanërisht me SHBA-në. Shqipëria e sotme, si autoritetet zyrtare ashtu edhe populli, mbajnë lidhje shumë të ngushta me Perëndimin dhe SHBA-në. Por kjo nuk do të thotë aspak që miqësia me një pjesë të botës, shkakton armiqësinë me pjesën tjetër të saj, siç ndodhi me Shqipërinë, në kohën e Luftës së Ftohtë. Unë mendoj të kundërtën se miqësia dhe marrëdhëniet normale me cilindo qoftë, ndihmojnë në vendosjen e miqësisë dhe të marrëdhënieve të mira me të gjitha vendet. Shpresoj që marrëdhëniet e vendit tim me Rusinë e sotme do të ecin pikërisht në këtë rrugë të drejtë.

A jeni të mendimit se edhe letërsia mund të luajë deri diku rol në këtë proces?

Këtu nuk kam pikë dyshimi. Mua më pëlqen të besoj në fuqinë çudibërëse të letërsisë. Në epokën e komunizmit, ku të tërë ne ishim pjesë e asaj që quhej blloku Lindor, unë e ndjeja thellë se letërsia juaj klasike, ishte më e fuqishmja në krahasim me tërë vendet e tjera aleate. Prandaj pyesja veten: "Mirë ne, që kemi rënë kaq poshtë, por si është e mundur që letërsia ruse të lejojë që Rusia të rrokulliset e të arrijë në një gjendje të tillë? Unë e kuptoja se kjo ishte një pyetje naive, mirëpo besimi im në fuqinë magjike të letërsisë kishte mposhtur çdo arsyetim tjetër.

A mund të na rrëfenit sadopak për librin tuaj të parë, të botuar rnë Moskë? Ai qe i pari libër i botuar jashtë shtetit dhe, me sa kam lexuar, ju keni pasur një histori lidhur me parathënien e tij.

Po, kjo është e vërtetë. Librin e përgatiti për botim David Samojllovi, poet dhe përkthyes i shquar, qysh në vititn 1959. Mirëpo publikimi i tij vazhdimisht po shtyhej. Një herë Samojllovi shumë i shqetësuar më thërret dhe më thotë se duhej të hiqja dorë nga botimi i librit, meqenëse shtëpia botuese "Letërsia e huaj", kishte vënë kushtin që libri të shoqërohej me parathënine e Samojllovit, ku përmbledhja të kritikohej, gjoja për "gjurmë të dekandetizmit perëndimor". (Në atë kohë Hrushovi kishte marrë vendimin, që kosiderohej liberal, sipas të cilit lejohej publikimi i modernistëve perëndimorë, me kusht që shtëpia botuese ta shoqëronte librin me një parathënie, ku të shprehej thellë qendrimi mohues ndaj këtyre librave).
     Samojllovi më shpjegoi se librit i është dhënë dënimi: "ka gjurmë dekadente", madje ai më përmendi edhe faktin. Poezia "Vjeshtë e lagur" fillonte me vargjet:
         
 Qielli pa formë, si truri i të marrit,
            Shiu i trishtuar  rrugët  përmbyti.
    
Pa formë është qielli, si tru idioti.
            Mërzitshëm trotuaret shiu i qull.

    
Po ta vështroni në origjinal, atje është shkruar "në trurin e idotit", që është akoma më keq. Ai këmbënguli që unë të refuzoja botimin e librit, përndryshe një kritikë e tillë mund të ishte katastrofë për mua si poet fillestar.
     Unë thirra i inatosur: "Jo". Ai le të shkruante ç'të donte, mjaftonte që libri im të botohej. Gjithashtu edhe ai filloi të bërtasë, duke deklaruar se isha i sëmurë nga trutë. Mirëpo vendosmërinë time nuk mundi ta mposhtë. Një parathënie e tillë, jo vetëm që nuk m'u duk aspak e tmerrshme, por në të ka një vlerësim të veçantë. Mua më vunë në të njëjtën rradhë me ata shkrimtarë, veprat e të cilëve duheshin plotësuar me parathënie sqaruese, duke më konsideruar shkrimtar të huaj, të vërtetë. Ndërkohë isha i bindur se gjysma e studentëve të Institutit të letërsisë "Gorki", vetëm sa mund ta ëndërronin diçka të tillë. Dikush prej tyre ishte nën ndikimin e frymës liberale, që ishte shpërndarë gjithandej, dikush tjetër ishte i etur për lavdi, ndërsa ndonjë i tretë edhe i ndikuar nga snobizmi. Nuk dua ta fsheh se të tëra këto kishin të bënin me mua.     
       Dhe ja, në kundërshtim ne dëshirën e vet, David Samojllovi shkroi parathënien, në të cilën më qortonte për "gjurmë të modernizmit perëndimor". Më pas, mbase, ai mund ta ketë përjetuar thellë botimin e kësaj parathënie, që nuk përputhej aspak me bindjet e tij. Por ai nuk ishte aspak fajtor. Nëse dikush ishte fajtor, ai isha vetëm unë. Unë i fola kaq rëndë, saqë disa ditë pas prishjes sonë, i thashë: "Ti do që të më dorëzosh në duart e ndonjë Ermillovi, që ta shkruante parathënien dhjetë herë më keq?" Ky qe argumenti vendimtar. Davidi u përpoq aq sa mundi që ta zbuste parathënien, bëri çmos që fjalën "dekadent" ta zëvëndësojë me atë "modernizëm" dhe, me një pamje të tillë, libri doli në qarkullim. Mua më vjen shumë keq, sepse ndërkohë që akoma ishte gjallë, unë nuk pata mundësi t'i thoja të paktën dy fjalë: "David, mos u pezmato për shkak të asaj parathënie! Ti mbajte një qendrim të ndershëm!"

Tashmë, kur rruga për botimin e veprave tuaja në Rusi është e hapur, ku duhet të drejtohen botuesit"? A keni ju agjent letrar? Gjithashtu, si pyetje e fundit: çfarë do të dëshironit që t'i thonit lexuesit rus?           

Agjenti im letrar, siç më kanë thënë, është më i njohuri në botë. Ajo është agjensia "The Ëylie Agency", me zyrat e saj në Nju-Jork dhe Londër, e cila gjindet pa vështirësi.
      Lidhur me lexuesin rus, unë atë e konsideroj njërin nga më të mirët në botë. Tërë popujt, duke filluar nga populli im dhe duke vazhduar me popujt e të gjitha vendeve, ku unë kam jetuar, për mua si shkrimtar kanë natyrë të dyfishtë: ata janë njerëz e në të njëjtën kohë edhe lexues. Në radhët e lexuesve tanë, ne, shkrimtarët, ndjehemi sikur ndodhemi në perandorinë tonë. Sa më të mirë të jenë ata si lexues, aq më të afërt janë për ne.
      Unë jam i bindur se librat e mi do të mirëpriten nga ana e lexuesit rus. Në përfundim do të dëshiroja që ju ta shoqëronit këtë intervistë me një tregim të shkurtër, të shkruar në vitin 1985. Ai titullohet "Vdekja e gruas ruse". Në të ka shumë gjëra për të cilat sapo ju rrëfeva.

Ismail Kadare

(1) I. Kadare. Lirika; Përkthyer nga shqipja, nën red. dhe parath. e D. Samojllovit. - Moskë: "Letërsia e huaj", v. 1961, f. 119. Portret. (Letërsi e huaj bashkëkohore).
(2). Në përkthimin rusisht është botuar me titullin: "Dimër i ashpër". Moskë, "Letërsia e huaj", v. 1992.
(3). Ky tregim është shkruar në vitin 1985, kur Shqipëria ndodhej akoma nën diktaturën komuniste. Së bashku me dorëshkrime të tjera të autorit tregimi u dërgua ilegalisht në Fancë. Ai u botua në Shqipëri dhe në vende të tjera, në përmbledhjen "Vjedhja e gjumit mbretëror", pak kohë pas rënies së komunizmit. Tregimi u kushtohet grave të pafata ruse, që u martuan me studentë shqiptarë, fat i të cilave mori përmasa dramatike, pas prishjes së marrdhënieve midis dy vendeve. Disa mundën të ktheheshin në atdhe, por një pjesë e tyre që mbetën në Shqipëri, u degdisën burgjeve si "agjente" të Rusisë, apo vdiqën, pa i parë të afërmit e vet, siç edhe përshkruhet në këtë tregim. Para disa kohësh, në njërën nga intervistat publike, Kadare i propozoi qeverisë shqiptare, që t'i kërkonte zyrtarisht falje  Rusisë për ato që pësuan këto gra të pafata ruse si edhe të tjerat nga ish vendet socialiste, të cilat patën një fund të tillë.

VDEKJA E GRUAS RUSE

(Tregim nga Ismail Kadare)

Nina F. Moskovite. Martuar më 1959 me një oficer shqiptar. Pas fjalëve të dua, erdhën shëtitjet në parkun Gorki, telefonimet nga kabinat e mbuluara me borë, dënesat s'do të më harrosh, etj., etj., gjer te: qytetare Nina F. e pranon për burrë A.D. dhe pastaj nënshkrimet, këmbimi i unazave, ardhja dhe muaji i mjaltit në Shqipëri.
Tani ajo është e shtrirë në arkivol në mes të dhomës së apartamentit, mijëra kilometra larg vendit të saj. Ka vite që s'ka marrë letër nga të vetët, (letrat ishin të rralla pas prishjes së marrëdhënieve dhe vitet e fundit pothuajse janë prerë). Ajo nuk ka ditur saktësisht kush ka vdekur e kush është gjallë në familjen e saj, ashtu sikurse ata nuk do ta marrin vesh kurrë saktësisht nëse ajo ka vdekur vërtet, e aq më pak, vitin e vdekjes.
Rrotull arkivolit një grumbull grash qajnë në gjuhë të huaj. Janë motrat e oficerit, plaka tashmë. Për shkak të shamisë me lule me të cilën ia kanë lidhur kokën, ajo ngjan edhe më shumë ruse dhe akoma më të trishtueshme e bën kjo të qarën në gjuhë të huaj për të.
Rrallë është vajtuar një grua nga kunatat e saj me kaq ngashërim. Ky është një mendim që edhe në qoftë se nuk thuhet me zë, ndihet menjëherë. Ashtu siç ndihet shpjegimi për të: qajnë në radhë të parë vetminë e saj. E me siguri, të tyren.
Në të djathtë të arkivolit, pas shpinës së grave ngrihet një raft librash. Midis titujve, spikasin librat që flasin për prishjen me Bashkimin Sovjetik, kryesisht librat politikë të udhëheqësit të vendit. Midis tyre dhe gruas ruse të shtrirë në arkivol është dënesa e grave.
Ora e varrimit po afron. Lëvizja në apartament bëhet më e dendur, sjellin mbulesën e arkivolit, gjëmojnë gozhdët që e mbërthejnë. Pas pak autobusët me njerëzit e përzishëm ecin drejt varrezës perëndimore të qytetit.
Është një ditë e lagët, me shi. Megjithatë askush nuk largohet para kohe nga gropa. Një grua, anëtare e kryesisë së Frontit të Bllokut, mban një fjalë fare të shkurtër, ku thotë se Nina F. ishte një nënë e bashkëshorte e mirë dhe një punonjëse e ndërgjegjshme, që në punën dhe jetën e saj kishte patur përherë parasysh mësimet e Partisë dhe të udhëheqësit të saj.
Asnjë fjalë për kombësinë e saj, atë kombësi që i kishte dhënë asaj vetminë më të madhe që mund të përfytyrohet.
Lamtumirë, Nina!
Këto janë të vetmet fjalë të natyrshme që thotë anëtarja e kryesisë së Frontit.
Po më e natyrshme se ato është zhurma e baltës dhe guriçkave që bien mbi arkivol, me një gjuhë universale, shumë me të kuptueshme se ajo e njerëzve, ndonëse varrin për gruan e vdekur nuk po e jep toka e gjerë ruse, por trualli i ngushtë shqiptar, i cili mezi mjafton për varret e të vetëve.

Dhjetor, 1985
Ismail Kadare, Tregime "Vjedhja e gjumit mbretëror"
Përktheu nga rusishtja : Nikolla Sudar

Publikuar në gazetat "Periodiku i Sankt-Petërburgut"(Sankt-Petërburg) dhe "Kronika letrare" (Moskë).



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora