E premte, 10.04.2020, 07:06 AM (GMT+1)

Intervista

Kadri Mani: Intervistë Ekskluzive me veteranin e luftës zotin Hajriz Demaku

E shtune, 26.04.2008, 08:29 PM


Zotni Hajriz Demaku ne bisede me gazetarin Kadri Mani
Intervistë me veteranin e luftës zotin Hajriz Demaku

Negociatat me Serbinë, për Kosovën, si me prashit në ujë

Pyeteje: Zotni Hajriz Demaku , çfarë kuptimi kishin negociatat me Serbisë?

Përgjigje: Sa herë kemi bërë marrëveshje bashkëpunimi me Serbinë, gjithherë jemi mashtruar nga djallëzitë e Serbisë. Le të na kujtohet, aleanca e Serbisë me Isa Boletinin me shokë për kryengritje e armatosur kundër osmanëve 1910-1911-1912. Shqiptarët me pak armë të huazuara nga Serbia, e çliruan Kosovën dhe kur shkuan në Shkup për të manifestuar fitoren, Serbia, i ndoqi prijësit e kryengritjes antiosmane deri në shfarosje, si Isa Boletinin në Podgoricë, të cilin miqtë e Serbisë e qitën në pusi  dhe e vranë vetë të tetit; e mandej Bajram Begun, Haxhi Zekën e shumë të tjerë.

Pyetje: E më vonë?

Përgjigje: Të në na kujtohet, tani, 1941-1945 kur komunistët sllavë e shqiptarë parullën e hijshme për “vëllanim-Bashkim” duke na premtuar “Parajsën”nëse e luftojmë fashizmin, na thoshin edhe këtë se, për herë të parë në historinë e popujve të Ballkanit, populli shqiptar do t’i ketë të gjitha të drejtat e barabarta me popujt tjerë të Jugosllavisë, por kush i ka parë këto të drejta, askush, se nuk janë dhënë kurrë.
Mashtrimi tjetër i Serbisë ndaj Kosovës u bë në Konferencën e Bujanit me puçin e vitit 1943-1944. Kjo Konferencë matanë kufirit në vend të pëlqyer shqiptarët këndej e andej, nuk ishte gjë tjetër veç një kurth i planifikuar nga 7 serbë për t’ia bërë aminin nga 42 shqiptarë!
Këta ishin tri kategori: të parët e dinin mirë, se morën pjesë në këtë pikëllim fatkeq, të dytë karrieristë për ndonjë karrige në pushtetin e okupatorit të ardhshëm, dhe të tretët “si muça pas dainjve”.
Në këtë Konferencë u aprovua Rezoluta që Kosova, pas luftës t’i bashkohet Shqipërisë: garant për zbatimin e Rezolutës janë Armata Shqiptare dhe Armata e Jugosllave dhe katër antifashistë, por kjo hasi në vesh të shurdhër, ngase nuk ishte qëllimi i bashkimit të Kosovës me Shtetin Amë, por për t’i kap e fut në LNÇ burrat e armatosur antikomunistë këndej e andej kufirit, të cilët i besuan kësaj Rezolute dhe ranë në kurth.
Ja pra rezultati i këtij kurthi: Shaban Haxhiu (Paci) i Lumës si Komandant e Qamil Brovina Komisar, me urdhër të prerë të eprorëve komunistë, formoi brigadën e VII partizane, duke mbledhur prej Lume e deri në Podujevë, jo më pak se 13000 (trembëdhjetëmijë), burra të zgjedhur beng dhe i dërgoi në Srem, si kopenë e deshve te kasapi, e vetë u kthye në Lumë.
Edhe brigada partizane e Abit Dedisë e Dervish Koprivës, me 6000 ushtarë kaloi dhe u tret në Srem.

Pyetje: A e kemi  shteruar këtë  temë, që ta nisim një tjetër?

Përgjigje: Kurthi tjetër më tragjik, ku dy shtete komuniste, Jugosllavia e Shqipëria, përgatitën varrin më të madh shqiptar në Ballkan, me masakrën e Tivarit prej 4200 vetash. 
Pra negociatat  me Serbinë për Kosovën, si me prashit në ujë.
Të moshuarit thoshin: kush ia jep dorën shkaut me u falë (përshëndet) me të, kur të ndahesh, këqyr a i ke të gjithë gishtat, se pa të marrë diçka, nuk ta jep dorën.
Si të ju shmangemi kurtheve të reja: ka tendenca për ndarjen e flamurit kombëtar, për identitetin kosovar, për ndarjen e gjuhës nga gjuha e njësuar. Nga këto rreziqe, me sukses mund të mbrohemi, vetëm duke krijuar shtetin kombëtar, si të gjitha shtetet e lira demokratike.
Kush është kundër Shqipërisë etnike, ai jeton në iluzione, pa siguri për të ekzistuar.
Po e përfundoj me një fjalë të urtë fshatare: kush dëshiron me sundua fqinjin, ke t’ia shtie në lakmi ndarjen e familjes.

Pyetje: A jeni i informuar për skandalin e Karla Del Pontes në atë librin e saj?

Përgjigje: Sipas medieve, ajo ka shkruar se kinse UÇK-ja jua a nxjerrë organet e brendshme robërve serbë dhe i ka dërguar në Shqipëri për t’i shitur në botën e jashtme!
Lexuesit e kuptojnë fare lehtë, ndërrim tezash, atë që do ta bënin miqtë e saj serbë, na e ka shartuar neve shqiptarëve, paçka se bota na njeh dhe nuk ju beson proçkave të tilla.

Pyetje: Porosia juaj aktuale?

Përgjigje: Luftën e vogël e fituam, ta fitojmë edhe luftën e madhe: të luftojmë kundër lakmisë personale, të mos lakmojmë karriget, pasurinë pa djersë, famën e pamerituar, për vete e për të afërmit, ngushticat shpirtërore provinciale... e krejt në këtë vazhdë, sipas traditës tonë të lavdishme, mikpritjes e humanes, ashtu siç i ka hije shqiptarit të vërtetë.

Pyetje: Zakonisht kur bisedojnë me luftëtarët, i harrojnë gratë e tyre, paçka se gruaja shqiptare gjithmonë e ka shoqëruar burrin e vet në punë dhe në luftë?

Përgjigje: Unë nuk e kam harruar bashkëluftëtaren e bashkëshorten time, po nuk desha ta përmend se është plakur e po ma derdh kafen!

Pyetje: Si qenka plakur zonja Tahire përpara jush, ju dukeni njësoj!?

Përgjigje: Ngase unë jam i ’24-tës e kjo e ‘23-tës! Desha të bëj humor, pasi ty, o gazetar, të pëlqen humori!
Bashkëshortja ime quhet Tahire Berbati- Demaku, vjen nga Malësia e Shkodres: sak se kjo i ka meritat barazi me mua dhe mbase më të mëdha: që dytë e kemi parë vdekjen me sytë e ballit, jo njëherë!! Ama unë me pushkë në dorë e kjo me shtëpi e me fëmijë! Ja, sikur që po e shihni në këtë fotografi me stërmbesën e vet- Enea, kur janë dyndur nga shtëpia ndër male, e ka bartur nën sqetull, në djep, birin tonë të vockël, Dautin 5 muajsh, (Daut Demaku sot shkrimtar!), dhe kah kanë ardhur predhat e pushkëve, kjo malësore vrik e ka hedhur foshnjën me djep në anën tjetër, që t’i presë plumbat në trupin e vet për ta mbrojtur foshnjën e brishtë!!
Ama na është shpaguar shumëfish mundi: Dauti dhe të tjerët po na mbajnë si pëllumbat në kafaz: me ushqime e me ilaçe, nuk na mungon asgjësend. Ama sërish nuk mund të jemi të kënaqur, kur e dimë se shumë moshatarë tanë heqin të zitë ullirit për bukën e gojës e për laçe...
Zonjën Tahire, e devotshme e fisnike, shpesh e kam pas edhe truproje: ia jepja revolen dhe e porositja: po më sulmoi kush apo tentoi të më kidnapojë, zbraz rafalë rrufeshëm mbi ta, pa fije droje se mund të më plagosësh ose të më vrasësh edhe mua!!
Kemi pasur 6 djem e një vajzë, njëri çun na pati vdekur... kemi 15 nipa e mbesa, po kënaqemi me ta!

Intervistoi,
Kadri Mani - Zemra Shqiptare



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT