E premte, 26.04.2024, 04:19 AM (GMT+1)

Kulturë

Rikard Larja: “Metrazhi kinematografik i jetës sime nuk ka mbaruar”

E shtune, 12.04.2008, 06:14 PM


Një buqetë me lule, një urim për 65-vjetorin dhe për atë çfarë ka dhënë për kinematografinë shqiptare. Një ceremoni festive për njeriun ikonë të filmit shqiptar Rikard Larja. I gjendur në një ambient i rrethuar mes miqve, kolegëve dhe artdashësve dhe një atmosfere që radhë shikohet në ceremoni të tilla aktori dhe regjisori i njohur i kinematografisë shqiptare dje pati një nga ditët e tij më të bukura që siç u shpreh edhe vetë ndjehej shumë i lumtur që kjo ceremoni përveçse një përvjetori i solli edhe shumë kujtime të bukura të paharrueshme të filmave ku ka interpretuar.I lindur në Shkodër më 1 prill të vitit 1943, brenda një harku të shkurtër kohor, ai do të bëhej një ndër aktorët më aktiv dhe më me emër të skenës shqiptare. Pasi mbaron gjimnazin në vitin 1960 vazhdon shkollën e lartë për aktor pranë Teatrit Kombëtar, të cilën e mbaron në vitin 1965. Nga ky vit e deri në vitin 1973 punon si aktor në Teatrin “Migjeni” të qytetit të Shkodrës, ndërsa më 1996-2002 është Drejtor Artistik në Televizionin Shqiptar, pas kësaj periudhe ai shijon pensionin e pleqërisë. Karriera e tij kinematografike ka nisur në vitin 1965 kur ai iu përkushtua tërësisht kinematografisë si aktor, duke interpretuar me shumë sukses në shumë filma. Ndonëse emri i tij nuk është përmendur shumë në ekranin e pas viteve nëntëdhjetë, para viteve nëntëdhjetë figura aktoriale e Rikard Ljarjes ka qenë gjithmonë në qendër të ekranit dhe të skenës shqiptare. Portreti i tij ka qenë vazhdimisht i pranishëm, si në kinema, ashtu dhe në televizionin shqiptar. Aktori i famshëm me origjinë nga Shkodra, me interpretimin dhe portretin e tij të veçantë kishte pushtuar ekranin e kinemasë po ashtu dhe atë të televizionit. Ai ka interpretuar rreth njëqind role në skenë dhe në kinematografi. “Artisti i Merituar”, aktori i madh, Rikard Ljarja, emri i të cilit tashmë është gdhendur përjetë në historinë e kinemasë shqiptare. Menjëherë pasi diplomimit si aktor, ka ardhur edhe roli i parë i tij në kinematografi, ku a interpreton me talent rolin duke hapur rrugë për shumë role të tjera. Në debutimin e parë ka interpretuar rolin e mësuesit, i cili ishte Dritan Shkaba, tek filmi artistik “Komisari i Dritës”. Prej vitit 1973 deri 1996 interpretoi si aktor në filmat “Komisari i Dritës”, “Dueli i heshtur”, “Plagë të vjetra”, “Ilegalët”, “Radiostacioni”, “Pranverë e hidhur”, “Rrethi i kujtesës”, “Fletë të bardha”. Si regjisor ka realizuar filmat “Pesha e kohës”, “Kur hapen dyert e jetës”, “Skëterrë 43”, “Radiostacioni” etj. Si regjisor, filmi më i arrirë i tij është “Kur hapen dyert e jetës”, i cili u realizua në vitin 1986, ku ishte edhe autor i skenarit. Ky film u nderua me çmimin “Aleksandër Moisiu”. Me rastin e 65-vjetorit të lindjes së regjisorit dhe aktorit të njohur Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit organizoi dje një festë mes miqve dhe kolegëve të aktorit. Për këtë festë Arkivi kishte përgatitur një kolazh me krijimtarinë dhe episodet e roleve të Ljarjes regjisor dhe aktor. Për meritat e tij aktoriale dhe regjisoriale është nderuar me titullin “Artist i Merituar”.

-Sot kanë ardhur shumë njerëz për t’ju uruar dhe të gjithë ndoqën me vëmendje sekuenca nga filmat tuaj. Për sa i përket jetës suaj aktoriale kujtoni ndonjë moment të veçantë?

Janë kaq shumë kohë në aktivitetin tima artistik sa nuk mund të kujtoj ndonjë gjë të veçantë. Është një jetë e tërë artistike, në terren, në rrugë, në fushë, në mal, në shi, në borë, por jo vetëm unë. Të gjithë ne në Kinostudio kemi punuar, nuk është se kam punuar vetëm unë.

-Sot ju ndodheni mes miqve, kolegëve dhe artdashësve. Si ndjeheni në moshën 65 vjeçare?

(Qesh). Ndihem tamam si një njeri në moshën 65vjeçare aq sa jam. Unë dua ti falënderoj të gjithë ato që kanë ardhur sot këtu.

-Keni një karrierë të gjatë artistike, por nëse do ju jepej sërish mundësia cilin nga personazhet do të riinterpretonit?

Për mua të gjitha rolet janë njëlloj. Nuk do të riinterpretoja asnjë rol, pasi nuk kam se çfarë t’iu bëj më tepër, ato role janë. Në fakt shumë figura që ne i kemi interpretuar që të gjithë kanë qenë figura pak skematike dhe mendoj se kjo është e vërtetë. Të gjithë aktorët, regjisorët dhe unë bashkë me ta jemi përpjekur që ti japim mish dhe gjak, që ti heqim sadopak skemën, p.sh në filmin “Rrugë të bardha” nuk ka asnjë lidhje, pasi ai është një njeri që ka një mision të jashtëzakonshëm, simbolik. Në film është Vath Koreshi, Viktor Gjika skenarist dhe regjisor. Ai lidh njerëzit, ajo që po ndodh sot që njerëzit lidhen edhe nëpërmjet internetit atëherë ne ishim lidhur me tela. Ti lidhin njerëzit me njëri-tjetri, të bashkohen të bisedojnë dhe kjo është shumë njerëzore. Kështu që për ato figura skematike të shkruara, të gjithë aktorët janë përpjekur që të japin mish dhe gjak nga vetja, duke filluar nga regjisorët me të gjithë stafin.

-Në fushën e letërsisë ç’mund të na thoni për prozën. Kur do të dali në botim?

Në fakt unë shkruaj prozë dhe po ta shikonit në sekuencat që u shfaqën unë kam shkruar shumë skenarë resht, dhe kam vite e vite që i shkruaj. Për të botuar kam botuar një libër, por se si më duket kur unë botoj më duket sikur i hyj në hak disa të tjerëve, por unë shkruaj. Në ditët e sotme është i lirë që të shkruaj kushdo, letër ka sa të duash, lapsa ka, botues ka, shtypshkronja ka, por vetëm sponsor nuk ka sepse shtypshkronja dhe botuesi duan para. Megjithatë unë së shpejti shpresoj që të botoj një libër.

-Në karrierën tuaj artistike ju keni spikatur si aktor, por edhe si regjisor. Ku e ndjeni veten më mirë në aktrim apo regjisurë?
 
Në jetën artistike mua më duket se e kam ndier veten gjithkund normal. Jam në ato ujërat e mia kudo, por mbase nuk do të isha futbollist sepse nuk ka lidhje. Por në aktrim dhe regjisurë jam ndier mirë.

-Në këtë ceremoni festive u shfaqën edhe figura të njohura të kinematografisë shqiptare që nuk janë më. Diçka për këta emra të shquar të filmit shqiptar.

Duke parë këtë punë sot me respekt më të madh kujtoj të gjithë kolegët, bashkëpunëtorët e mi që nuk janë më. Nuk ka nevojë për emra se ato janë aq shumë.

-Në këtë ceremoni që bëhet për nderin tuja sot ju u shprehët se duhet të ketë më shumë hapësira dhe mundësi për brezin e ri?
 
Është e vërtetë, pasi sot nuk ka shumë mundësi, pasi nuk ka prodhim. Në kohën tonë ne kemi pasur më shumë prodhim.

-Në karrierën tuja artistike ju ka ngelur peng ndonjë rol që nuk keni arritur ta interpretoni?

Kam shumë interpretime në filma dhe shumë personazhe. Nuk më ka ngelur asnjë rol peng.

-Jeni një figurë e njohur e kinematografisë shqiptare. Ka mundësi që t’ju shohim sërish me ndonjë rol?

Nuk e di sepse nuk e kam unë në dorë.

-Në se do t’ju propozonin ndonjë rol a do të pranonit të interpretoni sërish në film?

Nëse do të më propozonin një rol dhe nëse do të më shkonte mua, me gjithë qejf që do të pranoja.

-Në rrugën tuja të artit sa ju është gjendur pranë familja duke ditur që edhe bashkëshortja juaj Marjeta është aktore?

Marjeta sigurisht që më ka mbështetur shumë. Do të thosha që duke filluar që nga gatimi, më fëmijët sepse ata janë rritur nëpër sheshe xhirimi dhe jo me mua, por me Marjetën sepse ajo ka luajtur shumë filma. E vutë re besoj atë fëmijën që ishte në film i sëmurë, ai është im bir sot. Në atë kohë unë mora djalin tim në film sepse edhe kushtet ishin shumë të vështira, prandaj mendova më mirë të ishte im bir aty se sa të tjerët. Kështu që e gjithë familja ka qenë më shumë në kurriz të Marjetës.

-Në fund çfarë mendoni për këtë ceremoni që sot organizohet për ju?

Dua ti falënderoj të gjithë pjesëmarrësit dhe organizatorët sepse kur mblidhesh dhe feston përvjetor është diçka e bukur. Po shikoja disa sekuenca të filmave më parë dhe them se paskemi punuar shumë. Dua të falënderoj të gjithë stafin e Kinostudios, për punën që kanë bërë. Mendoj se brezi im dalëngadalë duhet të largohet dhe t’ia lërë vendin brezit më të ri. Falënderoj dhe dy regjisorët e parë të mi, Viktor Gjikën dhe Dhimitër Anagnostin sepse prej tyre kam mësuar shumë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora