E premte, 26.04.2024, 12:27 PM (GMT+1)

Kulturë

Gjekë Marinaj: Humanizmi si epiqendër e poezisë

E premte, 11.04.2008, 08:54 PM


Humanizmi si epiqendër e poezisë

Nga Gjekë Marinaj, Dallas

- Shënime mbi librin më të ri poetik të Shefqet Dibranit "Ëndërr e njëjtë, tokë tjetër" -

Gjekë Marinaj
Poeti që është njeri është njeri edhe poet. Shefqet Dibrani me përmbledhjen e tij më të fundit poetike "Ëndërr e njëjtë, tokë tjetër" të bind se poeti dhe njeriu i vërtet janë njësuar më parë në artin njerëzor e pastaj në atë poetik. Ndjenjat deri në fund fisnike dhe dashuria e lartë për njeriun janë zëri i pastër i tij, zëri që shoqëron instrumentin më human, motivin më njerëzor, sakrificën më të bekuar-poezinë-që ai krijon për vete dhe për ne. Kjo është hera e tretë që shkruaj për librat poetik të Dibranit. Ajo që kam vënë re tek vetja është e çuditshme për mua; sa herë shkruaj për veprat e tij ndjej një përgjegjësi më të lartë profesionale për t'ia trajtuar poezinë me një delikatesë më njerëzore, me një pastërti mendimi më të vetëdijshme, me një interpretim kritik më të filtruar pavarësisht nga shkolla e mendimit me të cilën mund ta gjykoj atë. Vetëm realizimi me sukses i një objektivi të tillë nga ana ime, në rolin e kritikut letrar, mund të binte në ekuilibër me përpjekjet që vetë poeti ka bërë gjatë kompozimit të poezisë për të realizuar të njëjtën gjë, poezi e cila duket qartë se është krijuar thellësisht me lexuesin në mendje.

Si plastika ashtu edhe lënda e trajtuar në këtë libër janë reflektime të një pasurie të dukshme letrare, epiqendra e së cilës është humanizmi. Poezia e Dibranit është një poezi elegante, e përmbajtur dhe e shkruar me modesti. Në të vërtetën e saj mund të kapësh pjesë nga natyra, koha dhe njerëzimi. Në të mund të dëgjosh qarjet e të gjallëve dhe rënkimet e të vdekurve, që së bashku të duket sikur të thërrasin, sikur të ftojnë të bëhesh pjesë e realitetit, të ftojnë të ndjesh si fuqinë e Dibranit si poet ashtu edhe fuqinë tonë si lexues.

E tillë është edhe poezia nga ku shkëputëm vargjet që pasojnë. Drama e përshkruar e përfshinë lexuesin në një arenë të tillë artistike saqë shtresat e mendimit transformohen në hiperbola. Aty figurat letrare ekzagjerohen me kujdes që nëpërmes krahasimit konceptues fjalët kyçe si zjarri, paqe, revolucionet, varre etj. marrin jetë. Ato janë i-ja e alfabetit të halleve të një populli, ku pika mbi të mbetet mërgimi:

Zjarret e luftës dogjën njeriun...
Në kohë paqeje të djegurit i gjejmë në piedestale.
Revolucionet rrëzojnë malet, kurse fushat i bëjnë varre (fq. 17)

 Kjo teknikë shprehje, në një pamje pak-a-shumë abstrakte, është një reflektim i tmerreve të natës në përjetimin e ditëve të popullit kosovar, i cili e luftoi errësirën gjer në pikën e fundit të kapacitetit. Realiteti që pasqyrojnë vargjet këtu është një fenomenin që ta bën zemrën të qajë por sytë t'i mban të tharë, sepse e para përfaqëson kurajën dhe tjetra vizionin. Fjala vizion në këtë libër ka edhe domethënie të tjera-vizion do thotë edhe pikëpamje. Kjo e shpjegon se pse Dibrani nuk ka cikël të veçantë për luftën e Kosovës. Vendimi i tij si poet në këtë pikë qëndron në faktin e thjeshtë se çdo poezi e librit (duke filluar nga ajo për djalin e tij me rastin e ditëlindjes, për të vazhduar me poezitë për dashurinë, e për të përfunduar më poezitë për Ibrahim Rugovën), në një formë apo një tjetër, e ka Kosovën dhe luftën e saj të shkrirë në vargje. Lexuesi nuk do e ketë të vështirë ta kapë këtë vlerë të poezisë së Dibranit. "Ëndërr e njëjtë, tokë tjetër" të fton të bëhesh pjesë e një botë sa trishtuese aq edhe dramatike, të fton të bëhesh pjesë e mrekullisë të poezisë kur ajo i "ngrenë" nga varret të gjitha frymëmarrjet e të ndjerëve që ranë për Kosovën. Në kontrast me shumë poezi që lexojmë me këtë subjekt, të cilat të lënë shijen e hidhur sikur poeti sillet i përgjumur rreth trungjeve të injorancës, poezia e Dibranit të duket sikur vallëzon në tehun e dritës së shpresës që, njëherësh, edhe premton dritë edhe shuan errësirë.

Si e tillë poezia e Dibranit të frymëzon të zgjatesh për ëndrra të pamundura, pa shkrirë asgjë nga esenca e vështirësisë, pa zbutur asgjë nga kryeneçësia me të cilën e ruan dhe e zhvillon atë. Mesazhi inkurajues i saj sikur të mbështjellë në një tis të butë qetësie që të jep një "dorë" për kalimin mbi telashet e jetës, shpesh duke të shkëputë nga vetja, për të lëshuar diku në besimin e njeriut të mirë:

Ma zgjate mirësinë kur varka ime fundosej
atëherë kur më përplasën ligësitë
kur njeriu m'i përmbyti dashuritë
dhe ëndrrat e besimit për njeriun e mirë (fq. 25)

Shefqet Dibrani
Dhe kjo nuk ndodh vetëm në një apo dy poezi të librit. Në përgjithësi "Ëndërr e njëjtë, tokë tjetër" celebron jetën e njeriut të mirë, duke observuar me sy të hapur dhe mendje aktive brigjet politike dhe shoqërore të humanizmit. Ai është i gatshëm t'i tregoi botës letrare se Shefqet Dibrani nuk është i vetmi poet në këtë botë, se poezia nuk i del vetëm nga shtrydhja e mendjes por edhe nga gjerësia e shpirtit. Ai u kushton poezi miqve dhe shokëve, duke ua dedikuar atyre me emër ato, me mirënjohje të çiltër për rolin e tyre jo vetëm në shoqëri, por edhe në jetën e tij personale. Me këtë ai vetëm e lartëson veten si njeri dhe si poet. Bile unë do të shkoja aq larg sa të them se me zemërbardhësinë dhe dashamirësinë që tregon në varg në të mirë të kolegëve të tij, Dibrani ngjitet mbi të gjithë ne poetët e brezit të tij. Kjo ndodh sepse ai vet në shpirt është zbulues i atyre që sipas tij shkëlqejnë, dhe jo ndryshk mbi ta, sepse vetëm:

Ndryshku e mbulon metalin
Nga që e urren shkëlqimin (fq. 75).

Vlen për tu përmendur se poezi të tilla si "Ndryshku", pjesë e së cilës janë dy vargjet që sapo cituam, i shërbejnë si strukturës shpirtërore ashtu edhe asaj artistike të librit. Tek "Ëndërr e njëjtë, tokë tjetër" gjuha e poezive është elegante, e mençur. Ajo shfaq në vetvete një strukture që e shtynë substancën e pasur dhe të pasionuar të vargut drejt një kompleksiteti më domethënës artistik. Kompleksiteti i gjuhës poetike të Dibranit nuk tenton të anojë nga artificialiteti, më këtë ai demonstron se qëllimi i lartë i poezisë së tij është ngritja në një platformë më të dukshme të atyre aspekteve dhe ndodhive jetësore që janë të vështira në arritje, thellësisht dhimbse dhe shqetësuese në kuptimin themelor të poetikës. Dibrani e kupton rolin e tij si poet bashkëkohor, pa e vuajtur fare atë dadaizmin e rëndomtë që, siç jemi në dijeni, tenton ta shkatërrojnë artin e vërtet me shprese që të venë autorin në dukje, qoftë edhe në podiumin e turpit. Me fjalë të tjera, ai nuk ka nevojë të hiqet poet. Ai është poet në poezinë e tij. Ja pesë vargje (të cilat sikur më shtyjnë t'i kërkoj ndjesë lexuesit për modestinë pakëz të tepruar të Dibranit):

Zëri im
nuk del i bukur as melankolik
ai kapërthuret ndër dhëmbë
bukuria e poezisë gjithmonë mbetet në zemër
pa mundur të kapërcej pragun e kockët (fq. 66).
 
Kompozime të tilla dëshmojnë se mendimet e Dibranit nuk janë sipërfaqësore, ato janë gjithmonë komponentë në ndihmë të së vërtetës. Këtu e vërteta qëndron jo vetëm në kualitetin e poezisë së tij aktuale, por edhe në kërkesat që ai ka ndaj vetes si poet. Poezia e tij mbanë në vetvete një gravitet të mençur që na hap një horizont të ri mundësish për ta shijuar poezinë me të gjitha pikëpamjet që ofron.

Me këtë në mendje mund të themi se principi me të cilin shkruan Dibrani, ka diçka të zbatueshme nga filozofia e piktorit të madh Degas, i cili thoshte (citim i lirshëm i imi) se nuk pikturonte të shfaqte para nesh gjërat që shihte, por gjërat që do na bënin ne të shohim ato që ai kishte parë aq thellësisht. Kjo qëndron sidomos për ato poezi të këtij libri që flasin me "zë të ulët". Ato janë produkt i një imagjinate aktive që së bashku me shtresat filozofike e përgatisin lexuesin për një komunikim me efektive me vargjet:

Në kodër të rrëpintë
Drunjtë me degë lëvarura
Me gunga të stërkalura
Hije të rënda e gjethe të bruzta
Gjithçka e ngrysur në piptha këmbësh
Se kush më parë do ta përqafojë hënën (fq. 33)

Apo, bile edhe më të këtilla, katër vargjet e para të poezisë filozofike titulluar "Në ndihmë të Jesusit":

Në një dru të thatë pashë
Të gozhduar Jezuin
Dhe një tjetër me gunë të zezë
Që drurit donte t'i kallte zjarrin (fq. 65)

Këtu prezantohemi tek disa prej poezive të librit "Ëndërr e njëjtë, tokë tjetër" që jepen kaq solide në mendim, e janë të ndërtuara me kaq mjeshtri sa që idetë dhe shqetësimet sintetizohen aq këndshëm me imazhet e përditshme, me sekretet dhe befasitë e tyre jetësore. Natyrisht në qendër të tyre duket qartë poeti që është i gatshëm t'i hapë dyert e shpitit dhe të mendjes, që ne të ndjehemi në komfort të plotë me pasuritë ideore që marrin jetë në vargjet që ai shkruan për ne. Si të këtilla, vargjet e tij sikur zgjatën të prekin mirësitë njerëzore dhe përkthehen në vlera specifike humane.

Në këtë vazhdë, krahasuar me librat e mëparshëm tij, "Ëndërr e njëjtë, tokë tjetër" është dëshmi e një modernizimi më të avancuar në poezinë e Dibranit. Po kaq i rëndësishëm është edhe fakti që ai e ka hedhur këtë hap përpara pa hequr dorë nga mozaiku lirik dhe sensacional i niveleve ideore brenda vargut, një fenomen ky, që tashmë është bërë firmë e rritjes së tij si poet. Kjo bën që metafizika dhe lirizmi t'i shërbejnë njëra tjetrës pa e rënduar vargun:

Ndërsa në anën tjetër të pasqyrës
Dhe të njeriut shikon fytyra të deformuara
Jo tonat dhe tonat (fq. 75)

Ngaqë ra fjala për fytyra, për të reaguar ndaj të "pabesëve" siç i quan ai, poeti i manipulon temat mitike dhe segmentet shtesë të saj, që në punën e tij janë të pavarura sidomos në kuptimin organik të fjalës. Pra mundësia e rritjes së vibracionit të brendshëm të shqetësimit nuk ndërhynë, e lë të lirë atë strukturë amorfes që gjendet aty. Për ta ilustruar këtë menim pason e plotë poezia "Hienat":

Më ndoqën gjithnjë në agun mëngjesor
Dhe në muzgun e vonë
Sepse nuk urreja askënd
Më ndoqën edhe nëpër dritë të diellit
Edhe nëpër syrin tënd
Sepse askujt nuk ia bëra gjëmën (fq. 81)

Dy strofa këto, që janë pjesë e shqetësimit të poetit ndaj etikës së njerëzve, ndaj asaj pjese të shoqërisë që Balzaku i quante souris. Këtë temë Dibrani e trajton në një nivel poetik të sofistikuar. Ai sjell në varg përvojën me ata njerëz që ose e kanë zhgënjyer atë ose të tjerët. Kjo është një nga pikat ku heshtja zien në vetvete në shpirtin e poetit. Është një reagim human në mbrojtje të aspekteve fizike dhe shpirtërore të dashurisë njerëzore. Dibrani e shfaqë atë në varg, pa e ndjerë të nevojshme shtytjen e mendimeve drejt spiraleve tradicionale të hermetizmit. Kjo, natyrisht, nuk duhet të ketë qenë e lehtë për të. Por e gjithë poezia e librit tregon se ai ka mundur të gjejë një këndvështrim nga ku, njëherësh me ndjenjën e dashamirësisë ndaj të tjerëve, të hapë gjerësinë e madhe shpirtërore-dhe të vë në jetë disa nga cilësitë më të veçanta që gëzon-rritjen si poet, vetëdijen aktive dhe identifikimin e vetvetes në kërkim të paqes njerëzore. Pikërisht me paqen në mendje ai na sugjeron:

Mos harroni një gur të errët
Ku të shkruhet testamenti i bardhë (fq. 30)

Përkthyer në gjuhën e popullit, këto dy vargje janë një mësim që na kujton të mos harrojmë se të gjithë do të vdesim një ditë. Trajtimi që Dibrani i bën vdekjes në "Ëndërr e njëjtë, tokë tjetër" është delikat dhe me zë të "ulët". Këtë ai e vë në jetë jo vetëm duke vënë shpirtin mbi gjykimin dhe gjykimin mbi aspektet kapriçoze të jetës, por edhe duke përdorur një metodë apo strategji gjuhësore efektive. Esenca e argumentit këtu nuk ka të bëjë vetëm me përdorimin racional dhe ekonomik të tonit gjuhësor në poezinë e tij, por dhe me kondensimin e ritmit të brendshëm të vargut, me atë shfaqjen efikase të përdorimit të njësive të zgjedhura gjuhësore dhe aplikimin në vendin dhe kohen e duhur të tyre. Ky manovrim autorial shërben si lehtësim në ritëm dhe si zbulim në mendimet e tij për subjektin që trajton.

Së fundi, nga e gjithë poetika e jo-rëndomtë e Shefqet Dibranit, për mendimin tim, "Ëndërr e njëjtë, tokë tjetër" është libri poetik më i arrirë. Toni human i punës së tij në këtë libër rrezaton mbi hapësira të reja shprehje, mbi thellësi më të mella mendimi, mbi burime më të pastra ndjenjash, mbi formulime më artistike të strukturës dhe mbi pastërti më të dukshme të vargjeve në tërësi. Këtë nuk mund ta thonë të gjithë poetët. Ai ka pritur shtatë vjet nga libri i tij i mëparshëm me poezi, një pritje që ka rezultuar në të mirë të letërsisë shqipe, në të mirë të lexueseve të tij, në të mirë kohës në të cilën jetojmë, dhe në të mirë të tij si poet.

Citimi i punës:

Dibrani, Shefqet. "Ëndërr e njëjtë, tokë tjetër".
Podujevë: Qendra e Kulturës Podujevë, 2007.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora