E diele, 10.11.2024, 06:01 PM (GMT)

Kulturë

Fatmir Minguli: Adem Zaplluzha = poet i revoltës

E marte, 17.07.2012, 04:25 PM


ADEM ZAPLLUZHA = POET I REVOLTËS

 

Nga:  Fatmir Minguli


Poeti kosovar Adem Zaplluzha është një nga krijuesit më në zë i poezisë kosovare dhe njëkohësisht nga më origjinalët jo vetëm në Kosovë.
Libri i parë me poezi botohet në Prishtinë në vitin 1974 e titullohet "Puthje", kur dihen vështirësitë e çdo lloji të asaj kohe. Por ato mijra vargje që dergjeshin sirtarëve të bibliotekës vetjake të poetit, e patën dritën e botimit në vitin 1995 e kështu me radhë deri në ditët tona ku numri i përgjithshëm i librave poetik shkon në 55.
Nuk janë shumë për të treguar hallet e Kosovës së dashur e të popullit të saj martir. Por poeti Adem Zaplluzha është një kronometër i ngjarjeve në Kosovë, duke shkruar hapur para vitit 1999 librin e tij krejt modern "Muret". Aty kritika letrare duhet të shohë origjinalitetin e këtij poeti e ndoshta nuk duhet të merret me vargjet patetikë  e retorikë që ngjajnë  si fjalime të politikanëve. Poezia te libri "Muret" është sa ekzistencialiste aq dhe moderne ku simboli i murit është Kosova e robëruar .
Adem Zaplluzha i ka përdorur pothuaj gjithë llojet e poezisë si subjekt e si gjini. Kështu duke qenë konseguent në revoltën e përhershme si poet dhe si qytetar ai ka botuar disa libra me satira poetike ku spikatin "Bajraktarët e vatanit" dhe "Don Kishoti dhe Rosinanti". Në vargje plot kuptim, ku një muzikalitet i poezisë popullore vjen dhe shkrihet me ironinë e kohëve që kalojmë, Adem Zaplluzha paraqitet një njohës i hollë i jetës së kosovarëve.
Librat me poezi për fëmijë janë një grupim tjetër i poezive të këtij poeti kërkues. Libra të tillë si "Merre kodin", "Kashalasha në vargje" si dhe libri tepër prekës "Letra nga mërgimi" sjellin shpirtin e ndjeshëm të poetit, shpirt që poezitë për fëmijë i kthen në kopshte plot me lule e pemë të bukura.
Poetika e Adem Zaplluzhës bazohet në mënyrë automative në konceptet e poezisë moderne. Jo rrallë këto poezi të sjellin mendime të mëdha për jetën në Kosovë për të shkuarën e saj, për Eposin e Kreshnikëve dhe origjinalietet e Dardanisë, sjellin kohën e Motit të Madh, Skënderbeun tek libri epik "Mirmëngjes imzot” e deri te "Hyji i Prekazit" që hymnizon veprën e madhe të Adem Jasharit e të familjes së tij.
    Kjo poetikë prek pothuaj fenomenet  më delikate të jetës siç është shfaqur me forcë në librin "Stoli në parkun e vjetër"  ku meditimi për hallet e moshës së tretë  vendosen në një shtëpi azili diku në Prishtinë e krejt poezitë duken si dialogje të një teatri absurd. Libra që trasmetojnë me forcë filozofike këto fenomene janë dhe "Kalorësit e mjegullave","Kafshimi i mikut", "Letër atdheut", ”Për çdo dekadë nga një baladë"etj.
Për poetin Adem Zaplluzha tek tuk dëgjohen zëra se ai "shkruan shumë"!!! Por për poetin Adem Zaplluzha kanë shkruar shumë studjues nga Kosova, Shqipëria, Rumania, Amerika etj. Libri i tij "Pema e bekuar" është përkthyer në Rumani me sukses të plotë, ndërkohë që ai është përfshirë në disa leksikone e antologji të shkrimtarëve shqiptarë duke filluar kronologjikisht me "Leksikonin e shkrimtarëve shqiptarë” të Hasan Hasanit. Kohët e fundit është pjesëmarrës në një antologji të shkrimtarëve të Kosovës në Rumani, në gjuhën rumune.
Librat e fundit të poetit Adem Zaplluzha veç revoltës së përhershme dallohen për një konçizitet e tejpashmëri çka e afron më shumë lexuesin shqiptar në Kosovë, Shqipëri e aq më shumë në diasporë, kryesisht në Amerikë, Kanada, Gjermani, Zvicër e gjetkë ku jetojnë e punojnë shqiptarë.
  Prandaj, si i thonë një fjale të urtë se "noti mësohet duke notuar", ashtu dhe poeti shijohet duke e lexuar.
Autori ka gati për botim edhe një libër me poezi në prozë e cila sipas vështrimeve të para të recencave do të jetë risi në letërsinë kosovare dhe më tej.
Poeti Adem Zaplluzha nuk i ndahet revoltës, e njëkohësisht nuk i jepet konformizmit në diskurset letrare. Diku larg festivaleve të bujshme të poezisë ai qëndron i vendosur në origjinalitetin e tij, nuk del jashtë vetvetes e përherë është në pozicion "luftimi" për t'i treguar të gjithëve nëpërmjet artit të poetit Shpirtin e tij, Kosovën e dashur ashtu siç është dhe ashtu siç duhet të jetë.
Mjafton edhe një libër të lexosh nga Adem Zaplluzha do kuptosh që ai është një poet i vërtetë.
Fatmir Minguli,
Durrës korrik 2012



(Vota: 8 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora