Shtesë » Lajme
Në 13 vjetorin e rënies u përkujtuan 5 dëshmor të UÇK-së të ZOLL
E diele, 29.04.2012, 08:12 PM
Në 13-vjetorin e rënies u përkujtuan pesë dëshmorë të UÇK-së të Zonës Operative të Llapit, Shahin Gashi, Jahë Hasani-Lushi, Elfir Behrami-Rusha dhe Eset e Bedri Maloku. Në këtë përvjetor u bënë homazhe dhe u vendosën kurora lulesh në vendet e rënies së dëshmorëve dhe tek varrezat e tyre. Për dëshmorin Jahë Hasani u bënë homazhe në vendin e rënies në Kalinë të Bardhashit (ish Bradashit) dhe te varri i tij në fshatin e lindjes në Turanë (ish Bërvenik) të Gollakut, ndërsa për Shahin Gashin tek vendi i rënies pranë lapidarit në kodrën që lidhë Llapin me Shalën dhe në fshatin e lindjes në Buzëllap (ish Dobërdol). Ndërkaq në fshatin Bardhash tek lapidari në vendin e rënies dhe varrezat e dëshmorëve Eset dhe Bedri Maloku. Po ashtu tek lapidari afër Gurit të Bardhë u përkujtua dëshmori, Elfir Behrami si dhe te varri i tij, në fshatin Metehi. Ndërkaq në organizim të rinisë së fshatit dhe nxënëseve në Metehi në oborrin e shkollës së këtij fshati që me krenari mban emrin e dëshmorit Elfir Behrami u mbajt një program përkujtimor për këtë dëshmor. Për dëshmorët evokuan kujtime bashkëluftëtarët,familjarët dhe të tjerët që folën për jetën dhe veprën lavdishme të tyre.