Shtesë » Lajme
Sali Berisha, me “mafinë” serbe, kundër Kosovës
E hene, 16.04.2012, 06:55 PM
Nga Enis
Veliu, Zëri
Kryeministri
i Shqipërisë, Sali Berisha, ka më shumë se një vit që ka bllokuar projektin për
ndërtimin e linjës 400 kilovoltëshe të interkonjeksionit, e cila lidh Kosovën
me Shqipërinë.
Bllokimi
i këtij projekti nga ana e kryeministrit Berisha, i ka siguruar shtetit të Serbisë
monopol në importin e energjisë në Kosovë, pasi që për momentin Kosova të vetmen
rrugë për import të energjisë ka fqinjin verior.
Burime të
gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se në mars të vitit 2011, është hapur tenderi për
linjën e transmetimit të energjisë, Shqipëri-Kosovë, me kapacitet 400 kilovoltësh,
projekt ky i cili financohet nga banka gjermane KFW, ku ndërtimi i kësaj linje
midis Shqipërisë dhe Kosovës, do t’i sillte vendit pavarësinë nga linjat serbe.
Sipas këtyre
burimeve, biznesmeni serb, Vuk Hamoviq, njëri nga njerëzit më të pasur në Ballkan,
i cili operon në këtë biznes, në bashkëpunim me Damir Fazliq, janë takuar në Vjenë
të Austrisë me djalin e kryeministrit, Shkelzen Berisha.
“Biznesmenët
serbë kanë paguar shuma të mëdha në instanca të larta shtetërore në Shqipëri, për
bllokimin e ndërtimit të linjës”, tha burimi i gazetës.
Burime të
gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se pas procedurave të rregulla të tenderit, morën
pjesë disa kompani të njohura të kësaj fushe, si: “Dalekovod” nga Kroacia dhe “Energo
Invest” nga Bosnjë e Hercegovina.
“Kompania
e parë ‘Dalekovod’, është një kompani shumë e suksesshme në këtë fushë në mbarë
botën, e cila ka përfunduar me sukses dhe linjën e transmetimit të energjisë Elbasan-Podgoricë,
me një kapacitet po ashtu 400 kilovoltësh. Pas vlerësimit nga komisioni i
tenderit, ku merrnin pjesë OST, KOST, si dhe konsulenti gjerman ‘Intech Gopa’,
fitues i tenderit u shpall kompania kroate ‘Dalekovod’”, tha burimi i besueshëm
i gazetës.
Por, pas
emërimit të drejtorit të ri të Operatorit të Sistemit të Transmisionit (OST),
Arben Ibroja, ish-truprojë e Sali Berishës, dhe ish-drejtori i Doganës së Durrësit,
ky projekt mbeti nën mëshirën e kohës.
Ibroja,
udhëzuar nga Sali Berisha, bllokoi këtë projekt për një kohë të pacaktuar.
Bllokimi
i këtij projekti të rëndësishëm në masë të madhe ka indinjuar edhe drejtuesit e
bankës gjermane KFW.
Në letrën
drejtuar Ministrisë së Financave drejtori i KFW-së, Roland Siller, ka shprehur
shqetësimin për vonesa të realizimit të këtij projekti.
“Ne po i
shikojmë me shqetësim të shtuar vonesat në procesin e dhënies së kontratës për
ofertuesit më të mirë për këto dy projekte të mëdha energjetike. Ndonëse për të
dyja projektet raportet finale u janë dërguar javë më parë, por deri më tash
aprovimi përfundimtar nga OST nuk është dhënë, ku si rrjedhojë edhe vonuar
fillimi i negociatave për kontratën dhe nënshkrimin e saj”, thuhet në letrën e
Siller dërguar Ministrisë së Financave, më 5 dhjetor të vitit 2011.
Më tej
drejtori i KFW kërkon nga Qeveria e Shqipërisë që ta rishikojë edhe një herë këtë
çështje dhe të sigurojë se ky proces nuk do të vonohet më tej.
Po, kjo
letër e KFW ka hasur në veshë të shurdhër, pasi që askush nga njerëzit e
inkuadruar në këtë projekt nuk i është përgjigjur KFW-së.
Po ashtu
më 7 shkurt të këtij viti, KFW i është drejtuar edhe me një letër Ministrisë së
Financave, ku sërish nga ta ka kërkuar përshpejtimin e këtij procesi.
“Kështu që
ne dy herë kemi ardhur në Tiranë këtë vit për të diskutuar lidhur me tenderin për
ndërtimin e transmisionit 400 KW. Këto vonesa po shkaktojnë kosto ekstra masive”,thuhet
në fund të letrës së dytë dërguar në adresë të ministrit të Financave dhe kryeministrit
Sali Berisha.
Sipas
korrespondencës që e ka siguruar gazeta shihet se banka gjermane disa herë i është
drejtuar kryeministrit, por ky i fundit nuk e ka parë të arsyeshme t’i përgjigjet.
“Bllokimi
prej një viti i projektit përbën një procedurë kriminale nga ana e bllokuesve,
i cili sjell dhe shumë humbje financiare për Shqipërinë. Gjatë kësaj kohe linja
do të ishte në prag të përfundimit”, tha më tej burimi i besueshëm i gazetës.
Po ashtu,
të zhgënjyer më këtë çka po ndodh janë shprehur edhe zyrtarë të kompanisë “Dalekovod”,
e cila është fituese e tenderit për ndërtimin e transmisionit.
Në një letër
drejtuar OST-së, zyrtarë nga kjo kompani thonë se prej më shumë se 3 muaj e
gjysmë nuk ka asgjë lidhur më projektin për të cilin kjo kompani është shpallur
fituese.
Po, edhe
ky shqetësim i kompanisë fituese ka hasur në vesh të shurdhër tek autoritetet
shqiptare.
Kontakti
i pamundur
Gazeta “Zëri”
për këtë çështje ka provuar të kontaktojë zyrtarë më të lartë të Ministrisë së Financave
në Shqipëri, por edhe OST-në, por kontakti me ta ka qenë i pamundur.
Gazeta po
ashtu u ka dërguar pyetje zyrtare OST-së dhe Ministrisë së Financave, por
asnjeri nga ta nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës.