E shtune, 27.04.2024, 06:50 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Shtohen dyshimet mbi Mustafën dhe Bukoshin për 3 përqindëshin

E hene, 19.03.2012, 07:59 PM


“Dyshimet janë të shumta, banka ‘Dardania’ në Tiranë është fondi i Republikës së Kosovës, i cili është shndërruar në fond të UFORK-ut, në fonde humanitare e në fonde private, blerje të pronave private në Gjermani nga zoti Mustafa, në Kosovë me tregti dhe biznese në të cilat janë shndërruar mjetet. Do të thotë është bërë një lojë dhe Bukoshi e Isa e kanë kuptuar se me tapi u është dhënë atyre që ta kenë pronë të tyre personale dhe asnjëherë të mos jenë përgjegjës”, thotë Daka

 

“Kosova Sot”: Z. Daka, prej vitesh ju keni dhënë kontribut për LDK-në, por edhe për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në Amerikë. Megjithatë, ju u eliminuat nga lidershipi aktual i LDK-së nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së. Pse mendoni se kjo u bë ndaj jush duke e ditur faktin se ju ishit një veprimtar i palodhur për këtë parti?

 

Daka:Unë po e theksoj që në fillim se jam një nga themeluesit e LDK-së në Amerikë, konkretisht në vitin 1990 më 1 korrik kur është formuar dega e parë në shtetin e Keneksies, që e kam pasur fatin të jem edhe kryetar dege. Po në atë kohë me 2 korrik kur është bërë edhe shpallja e Deklaratës kushtetuese, të njëjtën ditë edhe në gazetën e atëhershme ‘Rilindja’ është publikuar lajmi se është themeluar dega e parë në kontinentin e Amerikës. Që nga 1 korriku i atij viti kam pasur bashkëpunim të ngushtë me prof. Ali Aliun, Fehmi Aganin, Anton Kolën, me Editën dhe me të gjithë të tjerët, dhe kam pasur fatin të jem ‘argat’ i presidentit Rugova në ato vite. Megjithatë, unë edhe tash jam dhe do të vazhdoj të jem anëtar i LDK-së, edhe pse më kanë eliminuar. Do të vazhdoj të mbetem po në atë frymën rugoviane të LDK-së, po të asaj lëvizje që e kemi themeluar dhe e kemi ndërtuar deri në këtë kohë.

 

“Kosova Sot”: Pse u larguat saktësisht na thoni, cilat ishin arsyet?

 

Daka: Për arsyet pse ne jemi larguar, jemi një grup nëse mund të them ashtu, nuk po i them krejt emrat hollësisht. Nga ky grup që jemi larguar nga ky lidership, por e di që unë, Ramosaj e Kamberi me disa të tjerë, por e di që edhe një nga themeluesit tjetër të LDK-së, kolegu im Gjovalin Gega, i cili i takon degës së LDK-së në shtetin e Miçiganit, konkretisht në Detroit, që nga viti ‘80 ka qenë themelues i asaj dege atje dhe edhe ai është eliminuar. Po ashtu edhe Ismet Krasniqi nga dega e Zvicrës dhe ne e kemi shtuar edhe pyetjen se çfarë të keqe i ka bërë LDK-së dega e Zvicrës, apo ajo nga Miçigani, apo nga Nju Jorku me rrethinë, qoftë LDK-së së këtij lidershipi të tanishëm, apo edhe çështjes së Kosovës. E di që nga korriku i vitit ‘90 deri tani ne kemi punuar vazhdimisht, kemi derdhur edhe mjete, madje kemi pasur edhe vullnetarë në luftën çlirimtare që përfundoi para sa vjetësh. Nuk e di ndonjë arsye konkrete veç kësaj që mund të them rreth asaj që ndodhi një vit më parë në kuvendin e fundit zgjedhor.

 

“Kërkova llogari”

 

“Kosova Sot”: Për çka është fjala aty?

 

Daka: Pas këtij kuvendi dhe menjëherë pas konsolidimit të këshillit unë kam kërkuar nga kryetari Mustafa, nga Ismet Beqiri, si shef i grupit parlamentar, që në mënyrë institucionale të kërkohet llogari nga ish-kryeministri Bukoshi, edhe nga ministri i Financave Isa Mustafa një llogari të mirëfilltë që asnjëherë nuk është bërë. Nuk kam hyrë në ndonjë akuzë asnjëherë, por vetëm kam kërkuar një llogari. Ajo kërkesë nuk është mirëpritur mirë, edhe pse në Këshillin e Përgjithshëm është mirëpritur, madje nuk ka pasur kundërshtime, por është aprovuar në një formë që është parë admirimi në fytyrën e shumicës së të pranishmëve. Megjithatë, pasuan deklarata, sulmet nga vetë kreu i tanishëm i LDK-së, konkretisht nga Isa Mustafa dhe unë normalisht që kam reaguar me disa fakte që i posedoj. Kështu ka shkuar kjo punë dhe që nga ajo ditë, që nga 5 mbledhjet që i ka pasur Këshilli i Përgjithshëm, në dy kam marr pjesë, ndërsa në tri fare nuk jam ftuar. Arsyetimi ka qenë se largësia nga Amerika që për mua nuk ka qenë ndonjë arsye, megjithatë unë kam insistuar prapë me kokëfortësi që të jepet llogari për të gjitha ato, jo si degë e LDK-së në Amerikë, por si diasporë, që jo vetëm për fondin e 3%, të ashtuquajtur fond për shtetin e Kosovës, por të jepet llogari edhe nga përfaqësuesit e fondit ‘Vendlindja Thërret’. Në të dyja rastet mërgata dhe migracioni ynë ka kontribuar në të dyja fondet, me qëllimin e vetëm që ta ndihmojnë dhe përkrahin luftën, përveç fondeve të tjerash për lobizim që i kemi mbledhur dhe ndihmuar.

 

“Kosova Sot”: Çka tha konkretisht Mustafa kur ju e hapët këtë çështje?

 

Daka: Në atë moment Mustafa nuk tha asgjë, mirëpo e miratoi vetëm me uljen e kokës dhe pastaj është munduar ta dezinformojë opinionin e Kosovës, duke thënë se z. Daka drejtësi mund të kërkojë në Nju Jork. Unë sikur të dyshoja për kolegët e mi në Nju Jork se kanë keqpërdorur mjetet nga fondet e Nju Jorkut, unë këtë munda ta bëjë duke i ndjekur penalisht në shtetin e Nju Jorkut. Unë nuk kam kërkuar për shtetin e Nju Jorkut, por kam kërkuar llogari që për fondin e Republikës së Kosovës të jepet llogari në Parlamentin e Kosovës, si organi më i lartë shtetit dhe mjetet të cilat janë grumbulluar aty prej viti 1990 deri në vitin 2012, tani që po flasim kam kërkuar të jepet llogari. Këtë llogari e kam kërkuar jo që të më jepet mua, jo LDK-së, por deputetëve nga radhët tona, sepse si lëvizje konsideroj që kemi kontribuar shumë dhe e kanë atë të drejtë morale që të kërkojnë llogari nga ish-kryeministri, i cili tani fatkeqësisht është pjesë e kësaj qeverie që po keqmenaxhon dhe është zëvendëskryeministër.

 

U grumbulluan qindra milionë euro

 

“Kosova Sot”: Cilat janë faktet konkrete për të cilat mund të flisni apo keni dyshime?

 

Daka: Unë po e them këtë se disa qindra miliona janë grumbulluar në Evropë, Amerikë, Kanada, Australi, Zelandë të Re dhe shtetet e tjera të Beneluksit, Skandinavi etj. Një llogari e saktë e mirëfilltë kurrë nuk është bërë dhe nuk është thënë. Vetë fakti që nuk jepet një llogari e mirëfilltë lë vend për të dyshuar. Ne e dimë. Dhe të gjithë ata që kanë punuar në atë kohë e dinë se si është formuar UÇK-ja, si është financuar dhe në një kohë të caktuar Bukoshi, në bashkëpunim me Isën dhe të tjerët, atë ushtri që e formuan me mund Zahir Pajaziti, Hamza, i madhi Adem Jashari, Sali Çeku etj. ia ka dorëzuar paratë Xhavit Halitit dhe LPK-së, që njihet edhe si marrëveshje e Oslos kur ia dorëzon një pjesë të mjeteve. Figurojnë nënshkrimet e Bukoshit, atëherë ishte përfaqësues politik edhe i madhi Demaçi, edhe ai ka qenë pjesë e marrëveshjes që është nënshkruar, dhe vetë fakti që Bukoshi ka qenë kryeministër në ekzil kushtetuta e Kosovës e ka ngarkuar që të jetë prijës i luftës dhe jo t’i dorëzohet klanit të lëvizjes, apo si ta them kështu atyre mbeturinave të PPSH-së dhe të tjerëve t’ua dorëzojë Shtabin e UÇK-së dhe mjetet të cilat ne i kemi grumbulluar me mund. Dyshimet janë të shumta, banka ‘Dardania’ në Tiranë është fondi i Republikës së Kosovës, i cili është shndërruar në fond të UFORK-ut, në fonde humanitare e në fonde private, blerje të pronave private në Gjermani nga zoti Mustafa, në Kosovë me tregti dhe biznese në të cilat janë shndërruar mjetet. Do të thotë është bërë një lojë dhe Bukoshi e Isa e kanë kuptuar se me tapi u është dhënë atyre që ta kenë pronë të tyre personale dhe asnjëherë të mos jenë përgjegjës. Aq më keq kur edhe ministri i Mbrojtjes, i madhi Ahmet Krasniqi vritet në Tiranë. Nuk vritet në Beograd, por në Tiranë dhe asnjëherë Bukoshi nuk ka kërkuar as nuk kërkon zbardhjen e vrasjes së tij. Këtë nuk e bën tash as Isa Mustafa, i cili ishte ministër i Financave në të njëjtën qeveri me Ahmet Krasniqin, dhe deri më sot nuk kam dëgjuar që ka kërkuar zbardhjen e vrasjes së tij. Tani edhe si lider i një partie e cila në analet e politikës së Kosovës hyn si parti e parë politike demokratike pas Partisë Komuniste Jugosllave, si kryetar parie manipulon me kuvendin pa i dhënë emrat tanë në kuvend, por bënë edhe disa ndryshime në këshill, duke thënë se nuk janë më aktivë dhe nuk janë përfaqësues të degës, në mënyrë arbitrare eliminon gati gjithë themeluesit e LDK-së. Janë degët që me gjak e me djersë e me mund e kanë mbrojtur dhe e kanë ndihmuar pavarësinë e Kosovës.

 

“Kosova Sot”: A janë këto dy figura të vetme nga të cilat duhet të kërkohet llogari, Bukoshi e Mustafa apo...?

 

Daka: Jo figura, por flas për kryeministrin dhe ministrin e Financave. Unë edhe nuk di se prej kujt tjetër mund të kërkohet llogari.

 

“Kosova Sot”: Pse sipas jush duhet të kundërshtohet kjo nga shefi i grupit parlamentar që kjo çështje pa kushte të zbardhet në Parlament para gjithë spektrit politik?

 

Daka: Kjo nuk është temë tabu për mua. Unë edhe në vitin 2002 kam pasur intervistë në të përditshme ‘Bota sot’, kur në 5-6 numra në vazhdim kam kërkuar të jepet llogaria e detajuar. Pra, plot dhjetë vjet më parë megjithatë disa në LDK në mënyrë shumë të sinqertë më kanë thënë se prioriteti ynë është që ta bëjmë Kosovën shtet të lirë, që të njihet fillimisht sovraniteti i Kosovës, duke qenë në një formë çështje sekondare kjo temë, prandaj nuk ka qenë kjo në rend ditë, edhe pse ka pasur përkrahje aso kohe.

 

Rugova e mbështeti transparencën e fondit

 

“Kosova Sot”: Ka qenë i informuar ish-presidenti Ibrahim Rugova...?

 

Daka: Po, këtë çështje e kam ngritur edhe me ish-presidentin historik Ibrahim Rugova. I kam kërkuar dhe më ka thënë po. Në momentin që ne do t’i kemi organet tona, gjyqësorin tonë, ne do ta bëjmë këtë llogari, sepse madje edhe atij ia kanë ndërprerë mjetet për të mos mundur që të funksionojë si president. Atij aso kohe i është ndërprerë elektriku dhe telefoni, dhe këto janë gjëra që njihen për opinionin dhe nga po këta njerëz është quajtur shtëpi mafioze rezidenca e presidentit Rugova, nga të njëjtit ish- kryeministri Bukoshi dhe Isa që u kanë shërbyer të tjerëve. Kjo pra nuk është një temë që e ka zbuluar Ibrahim Kelmendi apo dikush tjetër, kjo është një temë që e kam ngritur unë për vite të tëra me kolegët e mi në SHBA, në Evropë dhe në Kosovë, me kreun partiak dhe para një vit e ca në këshill, dhe nuk e di se në çfarë forme tjetër ka mundur të ngrihet kjo çështje se në këtë këshill legjitim.

 

Prapaskenat politike dhe Lista Rugova

 

“Kosova Sot”: Atëherë e përkrahu Rugova, por për të pritur institucionet e Kosovës të merren me të dhe tash kundërshtohet nga të gjithë kur janë institucionet... frikësohen?

 

Daka: Dashur e padashur duhet ta lidhë me partinë që e shohim si opozitë politike apo me PDK-në, me një pjesë të lidershipit të saj sepse nuk mund të them për të gjithë. Ka qenë synim i kryeministrit Thaçi që LDK-ja të bie nën nivel se që është, sepse e vetmja shpresë e tyre ka qenë kjo që ata të vijnë në pushtet. Për këtë arsye ka ndodhur kjo dhe sot dhe këtë çështje e dinë mirë edhe kryeministri Thaçi. Sepse po të ishte gjallë Rugova unë dyshoj që dikush tjetër do të mund të vinte në pushtet. Pas vdekjes së presidenti Rugova u panë investimet qofshin materiale, qofshin politike dhe lufta përbrenda që e ndan në dysh LDK-në, me formimin e LDD-së etj. Menjëherë pas kësaj, edhe pse ishte përpjekje e pasardhësit të presidentit Rugova, Fatmir Sejdiut, që të inkorporojë njerëzit, për hir të afrimit që të mundohet ta menaxhojë apo të paktën ta shpëtojë të paktën atë që e kishin humbur Qeveria Bukoshi e Isa për shumë kohë, pa dhënë asnjë përgjegjësi. E besoj që opinioni është i vetëdijshëm për këtë, megjithatë Bukoshi gjeti një version me Isën dhe formuan Listën Rugova për ta ndarë edhe njëherë LDK-në. Madje këtë e bën edhe duke organizuar njerëz me pagesë që të dalin në demonstrata para selisë së LDK-së, që në një formë të gjunjëzohet LDK-ja para PDK-së dhe me të vërtetë shumë njerëz dyshonin në atë kohë kur unë e kam thënë këtë. Mirëpo nuk mori shumë kohë dhe u pa. Bukoshi shkoi zëvendëskryeministër i z. Thaçi, kurse Isa erdhi në krye të LDK-së, Astrit Haraçia si një i ashtuquajtur gjenerator i LDK-së u bë zëvendësministër i Qeverisë Thaçi.

 

Manipulimi i opinionit publik

 

Janë fakte të shumta që flasin për këtë se kjo është një luftë për ta shkatërruar nga brenda LDK-në, sepse kjo është e vetmja mundësi që të manipulohet opinioni, që të mos jetë as gjyqësori i drejtë në Kosovë, të manipulohet edhe me MPB-në, të manipulohet me kushtetutën, të manipulohet madje edhe pas katër vjet të pavarësisë, kur na kanë njohur 85 shtete dhe t’i kthehemi fusnotës dhe lojërave të ndyra, vetëm për koncesione të reja dhe për ta kënaqur dikë nga jashtë.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora