Mendime
Ilir Çumani: Ku shkuan 40.000 eurot për jetimët...!?
E marte, 20.03.2012, 09:02 PM
LETËR E HAPUR, DREJTUAR AMBASADORIT TË MBRETËRISË SË ARABISË SAUDITE NË TIRANË, SHKËLQESISË SË TIJ, ABDULLAH AL-ABDULKARIM
Nga Ilir ÇUMANI
Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëvë Shqiptarë
KU SHKUAN 40.000 EUROT
PËR JETIMËT…!?
Javën e shkuar, mësuam nga media se Ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite në Republikën e Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, Abdullah AL-ABDULKARIM, dhuroi në emër të Qeverisë së tij, një Çek me vlerën 40.678,52 Euro për jetimët shqiptarë.
I nderuar Shkëlqesi Ambasador!
Si fillim, në emër të mbarë jetimëve shqiptarë dhe në emrin tim personal, më lejoni T’ju shpreh mirënjohjen dhe respektin e thellë për mbështetjen e vazhdueshme dhe ndihmesën e Qeverisë Tuaj për fëmijët jetimë në vendin tonë. Nga ana tjetër, urojmë që ndihma ndaj kësaj shtrese të jetë sa më prezente edhe në të ardhmen. Por…
A jeni i sigurtë që shuma prej 40. 678,52 Euro e dhuruar bujarisht nga Qeveria e Vendit tuaj nga paratë e taksapaguesve të popullit Mik Arab do të shkojë drejtëpërsëdrejti në ndihmë të fëmijëve jetimë të Shqipërisë….!?
A jeni i sigurtë se personi që ju i dorëzoni në mirëbesim këtë shumë jo me numër llogarie Bankare, (ashtu siç janë rregullat dhe ligjet fiskale në fuqi) por me çek në dorë, do t’i përdorë këto para për destinacionin e duhur në zbatim të projekteve konkrete dhe me transparencë të plotë ku përfituesit janë dhe duhet të jenë vetëm fëmijët jetimë….!?
A e dini Ju Shkëlqesi Ambasador se, për 21 vjet të tranzicionit në vendin tonë, kanë ardhur deri më tani 21.000.000.000 (Miliardë) Dollarë Amerikanë si ndihma bujare dhe humanitare për projekte të shumta mbështetëse nga Banka Botërore, Institucionet e Bashkimit Evropian, Banka për Zhvillim dhe Rindërtim, Fondacione të ndryshme, Ambasada dhe organizma të ndryshme të bamirësisë, etj, etj…..!?
Këto kontribute të miqve dhe partnerëve tanë, qeverive dhe taksapaguesve evropian dhe më gjerë, gjatë gjithë këtij tranzicioni të tejzgjatur në vendin tonë, kanë qenë ndihma për mbështetjen e shtresave në nevojë dhe veçanërisht për invalidët, të sëmurët, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, të moshuarit e braktisur, por… edhe për jetimët…
Mirëpo edhe pse ky kontribut ka qenë mjaft sinjifikativ, ajo që të bën përshtypje është fakti se përpjekjet e përbashkëta, rezultatet për zbutjen e varfërisë dhe realiteti për integrimin social të këtyre shtresave të shoqërisë tonë nuk ka ndryshuar aspak, madje do të thosha se statusi social i shtresave në nevojë në kushtet aktuale është tepër tragjik, madje i frikshëm….! Është një realitet deri në dhimbjen therrëse i nderuar Shkëlqesi Ambasador, që ende edhe sot pas 21 vjetësh tranzicion, ku vendi im Shqipëria, anëtare me të drejta të plota në NATO dhe vend aspirant për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, vazhdon të prezantohet përpara partnerëve tanë dhe institucioneve ndërkombëtare me situata dhe tabllo tepër të shëmtuara që lidhen me skemat e abuzimit me këto fonde, ashtu siç edhe pasqyrohet qartazi dhe pa asnjë ekuivok në disa materiale të ilustruara me dokumente dhe prova faktike të pakontestueshme që Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë tashmë i disponon.
Sipas statistikave dhe provave të dokumentuara që administron organizmi që unë drejtoj, vërtetohet qartazi si në dritën e diellit e gjithë tipologjia dhe skema e korrupsionit 21 vjeçar në shoqërinë shqiptare. Është një skemë e mirëorganizuar dhe tepër e sofistikuar me abuzime pafund, e kthyer tashmë në sistem, ku përfshihet një rrjet i gjerë matrapazësh social dhe që nuk ka kursyer edhe shtresat më të pambrojtura siç janë jetimët, mbi kurrizin e të cilëve është abuzuar në mënyrë permanente nga individë spekullantë që vegjetojnë prej vitesh e vitesh në guaskën e Shoqërisë Civile. Kjo plagë e shoqërisë tonë i ka shtrirë rrënjët e thella si metastaza në një sëmundje të keqe pa kthim, e cila paralajmëron një fund fatal edhe për jetimët e gjorë, për këto krijesa krejtësisht të pambrojtura në shoqëritë e brishta si kjo e jona, preh e njerëzve të pashpirtë e të pangopur.
Dhe së Fundi i Nderuar Shkëlqesi Ambasador, kemi vetëm një Lutje për Ju!
E dimë që nuk është detyra Juaj dhe për këtë më ndjeni, por…
Në emër të Allahut të Madhërueshëm, nëse dëshironi vërtet që ndihma prej 40. 678,52 Euro të shkojë në destinacionin e duhur, pra tek jetimët, lutemi, kthejeni atë mbrapsht në zyrat tuaja dhe merrni përgjegjësinë e misionarit në shërbim të Zotit dhe ta mbikqyrni vetë personalisht me specialistët e institucionit Tuaj të nderuar këtë fond, duke kontrolluar çdo qindarkë të kësaj ndihme, me qëllim që ajo t’ju shërbejë vërtetë fëmijëve jetimë.
Ky do të ishte një gjest simbolik dhe njerëzor nga ana Juaj. Bëjeni këtë përpjekje me qëllim që nesër të mos jetë vonë. Në të kundërtën, atëhere edhe Ju padrejtësisht mund të bëheni bashkëfajtor me të keqen nëse këto para do të kenë të njëjtin fat me ato të 21.000.000.000 (Miliardë) Dollarëve Amerikanë, ndihma që kanë mbërritur në Shqipëri në këto 21 vjetët e fundit të tranzicionit në Shqipëri, ndihma dhe para për shtresat në nevojë, të cilat janë gllabëruar sistematikisht në mënyrë të egër dhe të pamëshirëshme edhe nga sekserët e OJF – ve tona që penetrojnë lehtë nëpër ambasada, të cilët japin “garanci” tek ju për këto organizata vendase apo individë abuziv dhe pa integritet moral e njerëzor.
Prej vitesh e vitesh, këta sekserë të huaj që për dreq e flasin shqipen më mirë se shqiptarët, në bashkëpunim me individë dhe OJF – të vendase - fantazma bëjnë pazare dhe përfitojnë përqindje të majme fitimi nga këto donacione të dhuruara prej jush nga të ashtuquajtura “projekte”. Disa prej këtyre sekserëve të kollarisur që ndoshta padrejtësisht apo aksidentalisht gëzojnë edhe besimin Tuaj dhe të Ambasadorëve të tjerë të botës Arabe të akredituar në Shqipëri, veprojnë prej 20 vjetësh në vendin tonë me fondacionet e tyre fantazëm në “Ndihmë të Jetimëve”. Disa syresh prej tyre, janë specialistë dhe ekspertë jo të keq në fushën e menaxhimit të biznesit, ku falë aftësisë së tyre i gëzojnë bizneset që kanë ngritur me këto forma të pandershme duke përfituar nga pehlivanllëqet dhe bashkëpunime të tilla që kanë sjellë për pasojë viktimizimin dhe margjinalizimin e përhershëm të shtresës më të pambrojtur të shoqërisë shqiptare, veçanërisht të jetimëve.
Nëse jeni i interesuar Shkëlqesi Ambasador të dini se cilët janë përfituesit e Çekut prej 40.678,52 Euro, Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë është i gatshëm në çdo moment të vërë në dispozicionin tuaj, të publikut të gjerë dhe medias gjithashtu, materiale faktike që hedhin dritë dhe provojnë aferat abuzive me fondet e jetimëve.
Jetimët nuk mundet më të shkelen me këmbë pafundësisht.
Sinqerisht,
Ilir ÇUMANI