E merkure, 07.12.2022, 11:51 PM (GMT)

Mendime

Elida Buçpapaj: Pyetje përgjigje me ministrin e jashtëm serb Vuk Jeremiçin

E premte, 09.03.2012, 07:28 PM


PYETJE PËRGJIGJE ME MINISTRIN E JASHTËM SERB VUK JEREMIÇIN

 

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

 

Ndërsa më 1 mars në Bruksel kryetarët e shteteve të BE-së vendosnin nëse Serbia do të pranohej si vend-kandidat, dhe kur një natë më parë Rumania në mënyrë unilaterale kishte deklaruar se do të votonte kundër dhënies statusit kandidat për shkak të pakënaqësisë ndaj trajtimi të pakicave vllehe dhe rumune në Serbi, ndofta për t’i bërë presion Hollandës që të përfitonte nga Marrëveshja Schengen zonën e lirë pa përdorimin e pasaportave, në Bernë zhvillohej takimi në nivelin e ministrave të jashtëm të konfederatës helvetike me atë të shtetit serb, përkatësisht Didier Burkhalter dhe Vuk Jeremiçi.

 

Ky qëndrim i Rumanisë ishte i papritur pasi për Serbinë provim për t’u kaluar mbetej dhe mbetet gjithnjë Kosova. Pikërisht për këtë pengesë serioze foli hapur edhe Tadiçi në mbrëmjen para 1 marsit nga Brukseli duke shprehur dyshimin e tij për marrjen e statusit kur deklaroi se «problemi i Kosovës përbën një barrë në politikën e Serbisë». Pikërisht, në këtë kontekst, meqë edhe marrëveshja e 24 shkurit ishte një aktualitet shumë i nxehtë, duke qenë të ftuar të Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, morëm pjesë në konferencën e përbashkët për shtyp të dy homologëve të politikës të jashtme, atë të Zvicrës dhe të Serbisë.

 

Takimi u zhvillua në një rezidencë të bukur qeveritare në pjesën e qytetit antik të Bernës, në Wattenwyl-Hause, aty ku në nëntorin që shkoi Presidentja e Zvicrës dhe njëkohësisht ish-shefja e Departamentit Federal të Punëve të Jashtme Madame Micheline Calmy-Rey priti homologun e saj nga Kosova, Enver Hoxhaj, në një vizitë po pune, ku nënshkruan edhe një marrëveshje.

 

Pikërisht ky paralelizëm më shërbeu për t’i bërë pyetjen e parë zotit Jeremiç, ku i parashtrova realitetin duke e vënë Zvicrën si emërues të përbashkët, të një shteti sovran që pret në takime pune, paçka se në kontekste të ndryshme, dy ministra të jashtëm të dy shteteve sovrane, atë të Kosovës, dhe të Serbisë. Ky është realiteti, thashë, a keni ndonjë koment z. Jeremiç. Përgjigja e Jeremiçit u fokusua në marrëdhëniet midis Zvicrës dhe Serbisë, si dy vende që në vitin 2014 dhe 2015 do të marrin drejtimin e rradhës të OSBE-së.

 

Pyetja e dytë dhe e tretë lidhej me deklaratën e Tadiçit nga Brukseli se «problemi i Kosovës përbën një barrë në politikën e Serbisë» dhe atë të liderit të Partisë Demokratike Liberale të Serbisë Cedomir Jovanoviç, i cili vinte në dukje se, nëse qeveria e Serbisë i ofron vetëm fraza të reja shoqërisë, në vend të një politike të re, marrëveshja e 24 shkurtit dështon. E pyeta Jeremiçin nëse deklarata e Tadiçit shprehte në vetvete një lloj keqardhje dhe a ishte e gatëshme Serbia të ndryshonte politikën në vend të dështimit si vinte re lideri i Partisë Demokratike Liberale të Serbisë Cedomir Jovanoviç? Këtyre dy pyetjeve Jeremiç u përgjigj në mënyrë shumë lakonike, me njërrokësh, ku u dallua qartë « jo-ja » sa i përket mos ndryshimit të politikës nga ana e qeverisë të Serbisë.

 

Pyetjet e mia si gazetare ishin jashtë kontekstit të temës së takimit midis dy homologëve, dhe protokolli nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme ndërhyri, por kërkesa ime për pyetjen e katërt u pranua nga Jeremiçi. Në fakt, unë si gazetare isha e «armatosur» me plot pyetje të tjera, nisur edhe nga mungesa e gazetarëve të tjerë shqiptarë, mungesë që mbetet e pajustifikuar.

 

Mjerisht jemi shumë larg nocionit të funksionimit të shtetit, të një kombi vital, që popullon të paktën gjashtë shtete në Europën Juglindore, kur do të duhej që të ndihej kultura demokratike dhe një strategji e përbashkët për të provomuar identitetin kulturoro-kombëtar që lidhet me integrimin shqiptar, duke filluar tek gjuha shqipe, tek historia, tek kultura shqiptare dhe vlerat e saj. Politika e jashtme merr rol madhor në vend të anonimatit dhe nivelit të rastësisë, kur do të duhej të funksiononim si sahati Omega, pasi kemi burime njerëzore, jetojmë në një kontekst të ri gjeostrategjik, kemi mbështetjen e SHBA dhe BE-së, ndërsa jemi kundër vetevetes. Ky është një problem shumë i madh, që e kemi trashëguar nga diktatura dhe pushtimi, që i ka depersonalizuar shqiptarët, por tani duhet të ndryshojmë e të fitojmë nga koha e humbur për t’u rimëkëmbur e rilindur. Nuk përgatitemi për beteja, sepse kapitulli i luftërave në Ballkan ka marrë fund me shekullin që lamë pas, por përgatitemi për të qenë shtete dhe qytetarë të denjë të Europës.

 

Pyetja e katërt lidhej direkt me Jeremiçin. Pasi vura në dukje se Jeremiçi i takonte gjeneratës së politikanëve të rinj, jo të periudhës kur Milosheviçi filloi spastrimin etnik në Kosovë, me edukim të plotë në Kembrixh dhe Harvard, duke e njohur shumë mirë kuptimin e „lirisë" dhe „demokracisë" a nuk ishte një kohë e humbur që gjatë mandatit të tij të vazhdonte duke u përjekur që të bindte shtetet nëpër botë të mos njohin pavarësinë e Kosovës, në vend që të ndërtonte ura për të promovuar lidhjet e fqinjësisë të mirë, me Kosovën dhe vendet e tjera rreth e rrotull. Jeremiçi dha një përgjigje në përmbajtje klishe me refrenin tashmë të njohur të Tadiçit se nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës, pasi sipas Jeremiçit „kufijtë nuk mund të ndryshohen në mënyrë unilaterale" dhe se është detyra e tij "që këtë fakt t’ia bëj të njohur të gjithë botës".

 

Dhe po të shohësh axhendën e Jeremiçit, mund të konstatosh se pjesën më të madhe të kohës e kalon në fluturim nga njëri-cep i botës tek tjetri, ndërsa pala tjetër, domethënë ne shqiptarët vetëm zihemi mes vedi, kur do të duhej që të kishim një strategji kombëtare të përbashkët për të arritur objektivat integruese në NATO dhe BE.

 

Diçka më bëri përshtypje duke krahasuar paraqitjen e Enver Hoxhajt me atë të Jeremiçit. Që të dy e flasin rrjedhshëm si anglishten, ashtu edhe gjermanishten, por ndërsa Hoxhaj përdorte gjuhët gjermane dhe angleze si gjatë paraqitjes ashtu edhe gjatë komunikimit me gazetarët, Jeremiçi përdori gjuhën serbe për t’u paraqitur dhe atë angleze në komunikimin me gazetarët. Pra Hoxhaj, krahas gjuhëve Perëndimore, do të bëjë shumë mirë që ta përdorë gjuhën shqipe, si një nga gjuhët më të lashta indo-europiane.

 

Sa për Kosovën, nëse është vendi i vetëm jashtë liberalizimit të vizave, kjo për faj të diplomacisë shqiptare, për faj të mungesës së lobimit, për fajin tonë, sepse nuk kemi arritur që ta bindim BE-në për një të drejtë që na takon. Kosova sot, katër vjet pas shpalljes të pavarësisë është e njohur vetëm nga 88 shtete, kjo për fajin tonë, sepse nëse na duhet të unifikojmë qendrimet dhe strategjinë, ne vazhdojmë të jemi të përçarë dhe në luftë politike mjerane, ku veprojmë jo me përgjegjshmërinë e shtetit, as me mendësinë e përbashkët kur është fjala ndaj interesave madhore, por objektivat kombëtare i paraqesim si beteja të individit apo të grupeve të individëve, të cilat si të tilla janë të destinuara që të dështojnë. Dhe kjo gjë nuk na falet.

 

Ndërkohë më 1 mars Serbia e mori kandidaturën për në BE. Për Tadiçin kjo është paradhoma e fitores në zgjedhjet e ardhshme, për të cilën kanë qenë të interesuar edhe SHBA dhe BE, por Kosova do të mbetet gjithnjë një problem, paçka se ai e vazhdon retorikën e njohur me mosnjohje të Kosovës.

 

Serbia duhet të ndryshojë politikën ndaj Kosovës. Anëtarësimi i Serbisë në BE dhe NATO nuk janë problem për Kosovën, përkundrazi ky anëtarësim do ta bënte Serbinë të ndryshonte definitivisht mendësinë e saj, çka presupozohet edhe kur liderët e 27 vendeve të BE-së i akorduan Serbisë statusin e kandidatit. Premieri britanik David Cameron dhe Presidenti i Francës Nicolas Sarkozy, të cilët ishin në mesin atyre liderëve më 1 mars në Bruksel që e shpëtuan Tadiçin nga anullimi i statusit të kandidatit për BE-së vunë re se „Serbia e ka kthyer faqen", sipas deklarimit të Cameronit dhe se „Serbia ka dalë nga „vështirësia më e madhe e shekullit", sipas Presidentit Sarkozy. Që është Kosova.

 

Kosova është një realitet të cilin Serbia duhet ta shohë me këmbë në tokë, larg trilleve të mitologjisë që e bëjnë Jeremiçin të mbesë me avion në ajër për të bindur botën se Kosova nuk meriton atë që ajo e ka merituar ashtu si të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë, të cilat shpallën po në mënyrë unilaterale shkëputjen e tyre nga Serbia.

 

Por kjo histori tashmë i takon të shkuarës dhe e shkuara le të mbetet në arkiva, muzeume, librat e historisë dhe kujtesë. E ardhmja i takon Europës pa kufij, në të cilën janë të përfshira edhe shtetet e Europës Juglindore, që dikur digjeshin e kalleshin në tymin e flakën e luftës, ndërsa sot duhet të punojnë bashkë për të ardhmen e paqtë si vende të qytetërimit europiano-atlantik, për të mirën e qytetarëve, të cilët qofshin shqiptarë apo serbë, janë qytetarë të Europës, dhe si të tillë ata duhet të gëzojnë ato privilegje si francezët, britanikët, gjermanët etj. S’ka rrugë tjetër. Veç të mos humbim më kohë.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora