E premte, 20.09.2019, 11:08 AM (GMT+1)

Kulturë » Muzikë

Ana Oxa: Shqiptarja kokëfortë e Sanremos

E diele, 02.03.2008, 07:34 PM


Ana Oxa
Nga Olti Curri
  
Ana Hoxha, bija dhe nëna e Qazimit, nuk ka reshtur kurrë së kërkuari emocionalisht të mbështetet në rrënjët e saj.

Ana Hoxha, bija dhe nëna e Qazimit, nuk ka reshtur kurrë së kërkuari emocionalisht të mbështetet në rrënjët e saj. Me siguri artistja e famshme me origjinë shqiptare atje ka gjetur forcën për të krijuar imazhin e saj të sofistikuar në botën e bukur dhe të egër të këngës së lehtë italiane. Qysh fëmijë Ana ka gjetur te muzika një instrument të fuqishëm për të nxjerrë jashtë emocionet e saj. Pa droje, artistja e famshme beson se do t’i duhet shumë lodhje që të prekë lumturinë. Dhe ajo është fare pranë, vetëm kur gabimet e së shkuarës nuk përsëriten.Këtë muaj do të zhvillohet festivali i madh i këngës së lehtë italiane, Sanremo. Natyrshëm e ndjemë të ripreknim etapat më të rëndësishme të karrierës së pa ndalur të kësaj artisteje, që është një nga femrat më potente e më të ndjekura nga admiruesit e muzikës elitare në Itali, dhe jo vetëm. E pandarë me skenën, Ana nuk ka hequr dorë nga kënga, edhe kur i është dashur të kalojë dhimbje të mëdha fizike dhe shpirtërore, si në rastin e koncerteve në Romë, ku nuk ndali së kënduari, edhe pse vinte nga një operacion delikat i kordave të zërit. Jo vetëm me look-un, me të cilin Ana Oksa ka paraprirë tendencat më të reja, por edhe në zgjedhjet e saj sentimentale ajo ka qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes. Vetëm pak kohë më parë mediet e krahasuan Oksën me Demmi Moor pasi, njëlloj si aktorja amerikane, këngëtarja me origjinë shqiptare vendosi të martohet me një djalosh 22 vjet më të ri se vetja. Komentet mbi talentin e madh të këngës nuk reshtën edhe ditët e fundit, kur dikush hodhi në qarkullim lajmin e rremë mbi një pjesëmarrje të mundshme të saj në festivalin e fundit të Sanremos, përkrah një djali që mbante mbiemrin e saj.Më shumë se një përgjigje mbi këtë lajm të rremë, deklarata zyrtare e Ana Oksës, që saktësonte se ajo nuk kishte lidhje më këtë histori, na bëri me dije se, fatkeqësisht, nuk do të mundemi që këtë vit të ri shohim artisten në skenën e madhe të Sanremos, vend ku ajo është ngjitur plot trembëdhjetë herë.
 
Biografi

Ana lindi në qytetin bregdetar italian të Barit, në familjen Hoxha, më 28 prill 1961.Babai i saj ishte shqiptar dhe nëna italiane. Vajza nisi që në moshë të vogël të këndojë në lokalet me muzikë live, në zonën ku jetonte.   Kur ishte vetëm 15 vjeçe nxori diskun e saj të parë që mbante titullin “Lule të vogla fushe”. Pas një viti, saktësisht më 1978-n, debuton me këngën “Një emocion i thjeshtë” në festivalin e Sanremos, ku shkon e mbështetur nga kantautori i njohur Ivano Fossati.Ana ngjitet në skenë me veshje “punk” dhe një stil të krijuar nga këngëtari ekstravagant Ivan Cattaneo. Klasifikohet e dyta në renditjen përfundimtare dhe fiton vendin e parë në kategorinë e të rinjve. Kënga doli në treg nën etiketën muzikore RCA dhe disku mbeti në vendin e parë të klasifikimit për tri javë pa ndërprerje. Po në verën e atij viti, Oxa ishte pjesëmarrëse në Festivalbar me “Bëjeni me mua”, një këngë që, bashkë me “Një emocion i vogël”, u bënë pjesë e albumit të parë të saj me titull “Oxanna”. Ishte periudha kur Ana bashkëpunoi me emra me vlerë të muzikës së lehtë italiane, si Lucio Dalla dhe Rino Gaetano, duke kënduar krijime që ende sot janë të panjohura nga publiku i gjerë.Viti 1980 solli për këngëtaren e talentuar albumin e fundit me shtëpinë diskografike RCA, “Q-Disc” ose “Kontrolli total”. Bashkëpunimi me një tjetër shtëpi diskografike mori udhë më 1981, vit kur Ana nënshkruan një kontratë të rëndësishme me shoqërinë muzikore CBS.“Unë jo” e ringjiti Ana Oksën për herë të dytë në Sanremon e vitit 1982. Krejtësisht e transformuar, me flokë të verdhë dhe fustane elegante, Ana bëri një hap të sigurt me stilin sexy-shic, me të cilin do të prezantohej në të gjitha evenimentet e gati njëzet viteve që pasojnë.Më 1983, me gjithë përjashtimin nga juria përzgjedhëse e Sanremos, talenti me origjinë shqiptare shijoi plotësisht suksesin veror të këngës “Pa mua”. Ky hit e bindi shtëpinë diskografike të këngëtares që të punojë për nxjerrjen në treg të albumit të parë të një serie, me titullin “Për të ëndërruar, kënduar dhe kërcyer”. Në këtë përmbledhje gjendeshin këngë, si “Hi-Fi” dhe “Duke lundruar”; kjo e fundit ishte kompozimi i përjashtuar nga juria përzgjedhëse e festivalit të Sanremos. E palodhur nga loja dhe strategjitë e një gare të rëndësishme, Ana i kthehet Sanremos për herë të tretë më 1984-n, me këngën që mban titullin domethënës “Nuk zbres”. I njëjti vit i solli këngëtares trofeun e vendit të parë në manifestimin “Azzurro”, ku ajo garoi me këngën “Eklipsi total”. Pjesëmarrja në Sanremon e atij viti do të kujtohet për Anën falë edhe dy personazheve që e shoqëruan atë në skenë, duke u paraqitur bashkë me dy klone identikë të saj. Nga ai moment, karriera e Oksës do të shoqërohej nga kurioziteti dhe kërkimi i të veçantës në elemente të performancës, si në pamje ashtu edhe në tingujt me të cilët realizoi këngët.Vitin që pasoi, Ana zgjodhi që pjesëmarrjen e katërt në Sanremo ta bëjë me një kompozim të kantautorit të njohur Roberto Veçhioni, i cili i besoi asaj këngën “Për të”. Nga bashkëpunimi me Veçhionin lindin disa tituj të suksesshëm, mes të cilëve “Më flit”, që u përfshinë në albumin me titull “Oxa”. Në këtë kohë Ana regjistroi “Flokë të argjendta”, një nga dy këngët që gjatë karrierës ia ka kushtuar babait të saj. Hap pas hapi karriera e Ana Oksës ecën duke u mbështetur në punën e pa ndalur të saj, por edhe në faktin se gjithnjë e më shumë publiku dhe kritika kanë vetëm fjalë të mira për të. Fama e Oksës u shtri në të gjithë Europën, ndaj shtypi gjerman, i mrekulluar nga performanca dhe sidomos vokali i saj e shpalli si zërin më të mirë femëror në kontinent.Më 1986 ishte radha e pestë për t’u ngjitur në skenën e “frikshme”, por shumë të lakmuar të Sanremos. Kënga e atij viti titullohej “Është vetëm një çast” dhe Ana, sipas rregullores së re, e këndoi live, duke e shoqëruar me një look që u përfol gjatë.Megjithatë, pak muaj pas shkurtit të ftohtë të Sanremos, Ana shijoi stinën e verës dhe suksesin e këngës “Qyteti i fundit”, me të cilën u paraqit në Festivalbar. E bindur për nivelin e këtyre këngëve dhe disa të tjerave që kishte gati, Ana vendos të dalë në tregun muzikor me albumin që e merr titullin nga kënga e Sanremos, “Është vetëm një çast”. Aty përfshihet kënga e dytë që ia kushtoi babit të saj, “Duke pritur Qazimin”, dhe “Lamtumirë Ana”. Kjo e fundit e konsideruar si një nga interpretimet më me nivel gjatë gjithë karrierës. Një vit i ri erdhi me një surprizë të këndshme profesionale, ku Ana korri sukses si prezantuese e spektaklit “Fantastico”, përkrah aktorit të humorit Enrico Montesano, por edhe një tjetër pjesëmarrje në Sanremo. Mbi skenën Ariston, të vitit 1988, ajo këndoi “Kur lind një dashuri”, pjesë e albumit “Më mendo për vete”, përmbledhja e parë e Anës që shtypet në formatin e ri të teknologjisë së asaj kohe, Copmact Disc. Këngëtarja dhe shtëpia e saj diskografike zgjodhën muajt e fundit të viti 1988, për të nxjerrë në treg përmbledhjen e parë të sukseseve të saj, të titulluar “Fantastikja Oxa”. Atje nuk mungonte edhe interpretimi emocionues i këngës “Caruso”, që vite më parë Luçio Dalla ia kishte dedikuar tenorit të madh italian. E shtata herë në Sanremo ishte fatlume për Ana Oksën që, përkrah Fausto Lealit, më 1989, triumfoi me këngën “Do të lejoj”, e cila fitoi vendin e parë dhe njëkohësisht i jep të drejtën këtij çifti ta përfaqësojnë Italinë me “Do të kisha dëshirë”, në Festivalin Europian të këngës së atij viti. Pak javë para stinës së nxehtë të vitit 1989 u hodh në treg për herë të dytë përmbledhja “Fantastikja Oxa” dhe doli për herë të parë albumi “Të gjitha drithërimat e botës”, i cili për nivelin e lartë të shitjeve u vlerësua me diskun e platinit. Ky album u promovua nga këngëtarja së bashku me grupin New Trolls, ku baterist ishte bashkëshorti i saj Gianni Belleno, në një seri koncertesh ku biletat u shitën disa kohë përpara. Vjeshta e atij viti e pa sërish Anën si prezantuese të spektaklit televiziv “Fantastico”, përkrah emrave të mëdhej, si Massimo Ranieri, Giancarlo Magalli, Alessandra Martines dhe Nino Frassica. Pa u druajtur nga përgjegjësia e trofeut të një viti më parë, Oksa vendosi me kurajë të rikthehet në Sanremo, ku zgjodhi të këndojë një këngë të refuzuar nga diva e muzikës Paty Pravo, “Grua me ty”.Pjesa rrëmbeu duartrokitje dhe simpatinë e publikut, duke u shndërruar në një kolonë të rëndësishme të repertorit të Anës. Po më 1990-n doli albumi “Oxa - Live me New Trolls".Pas dy vitesh heshtje dhe kur sapo kishte sjellë në jetë vajzën e saj të parë Francesca, këngëtarja publikoi një përmbledhje me titull “Nga kjo jetë”, të cilën Ana preferoi ta konsiderojë si albumin e pjekurisë së saj. Ky album ishte i pari në serinë e punëve që Ana publikon me shtëpinë e re diskografike Columbia Records. Më 1994 Ana Oksa ishte përsëri në Sanremo, por edhe pse ndodhej atje si drejtuese e festivalit, në krah të Pippo Baudos, ajo nuk mbeti pa kënduar në skenën e këtij evenimenti. Pjekuria artistike dhe fama e Anës ishin në kulmin e tyre, dhe jo më kot shtëpia diskografike që e mbështeste zgjodhi atë periudhë për t’i shtuar listës së albumeve të publikuara edhe dy të tjera. I pari ishte “Kantautorë”, ku Ana këndoi hite të emrave të njohur të muzikës së lehtë italiane, dhe tjetri “Do gjoksi”, i cili përmbante këngë të viteve të arta të karrierës së saj, por të ripërpunuara me tinguj të kohës. Më 1996 del “Anna nuk lihet”. Ky album përmban këngën “Spot”, pjesëmarrëse në Festivalbarin e atij viti. Më këngën “Histori”, Ana një vit më pas zgjodhi të sjellë artistikisht në skenë eksperiencën e ndarjes nga bashkëshorti Gianni Belleno. Ajo u rendit e dyta në Sanremo, ku mori pjesë pas shtatë vitesh mungesë. Puna e artistes nuk ndalet. Pas këngës “Si të themi lamtumirë”, Oksa në vitin 1999 konkurroi dhe fitoi për herë të dytë në Festivalin e Sanremos me këngën “Pa mëshirë”.Ai vit ishte edhe koha e bashkëpunimit me këngëtarin spanjoll Chayanne, me të cilin realizoi në duet këngën “Duke ecur”. Periudha në fjalë ishte shumë e ngarkuar për këngëtaren dhe shtëpinë diskografike Sony BMG, me të cilën Ana edhe sot është në kontratë.Me gjithë ngarkesën dhe përkushtimin për të zgjedhur krijime të reja, ata ia dolën që t’i shtonin tregut muzikor disa përmbledhje, si  “Oxanna”, “Anna Oxa”, “Kontrolli total”, si dhe “Anna Oxa – vitet 70”.Ndonëse e përqendruar në kërkim të tendencave dhe rrugëve të reja muzikore, për të shprehur emocionet Ana Oksa ka preferuar t’i kthejë gjithmonë sytë nga e shkuara profesionale dhe të mos i braktisë punët e disa viteve më parë, por t’i ripropozojë para publikut në versione të përpunuara.Këtë zgjedhje ajo në viti 2003, gjatë promovimit të albumit “Kam një ëndërr”, preferon ta deklarojë publikisht, duke rrëfyer se “kam rizbuluar emocionet e këngëve të para, duke u bindur se tingëllojnë ende aktuale”. Jo vetëm përzgjedhje tingujsh dhe orkestrime të reja, por edhe një pamje e re vjen për Ana Oksën në fillim të mijëvjeçarit të ri. Transformimin ajo zgjodh ta bëjë gjatë promovimit të këngës “Lëvizje e përjetshme”. Me interpretimin e kësaj pjese në skenën Ariston ajo shënoi pjesëmarrjen e njëmbëdhjetë në Sanremo. Në shtatorin e atij viti këngëtarja pranon ftesën e komikut të famshëm Giorgio Panariello dhe bashkë me të prezantoi spektaklin e suksesshëm “Kthehem të shtunën”. Ana zgjodhi këtë emision mjaft të ndjekur televiziv për të promovuar përmbledhjen “Koleksioni”, ku përfshihej edhe kënga “Stoli dhe New York Times”.Pa u ndalur gjatë, Ana në vitin 2003 prezantoi një tjetër album mjaft intim nga vetë temat që trajtoi atje, me titull “Do të ndryshoj”. Ishte ai album që e vuri Anën në një tjetër pozicion të krijimtarisë së saj, pasi aty ishte edhe kompozitore. Albumi pati sukses, si dhe vlerësimin autorja më e mirë e vitit në konkursin “Lunezia”. Prezantimi i Oksës me këtë këngë në festivalin e Sanremos e çoi në dymbëdhjetë numrin e pjesëmarrjes në atë garë prestigjioze muzikore.Duke dashur t’u afrohet brezave dhe moshave të ndryshme , Ana nuk hezitoi që, në të njëjtin vit të marrë pjesë me këngën “Muri” edhe në garën e ndjekur shumë nga të rinjtë, Festivalbar.Impenjimi i ardhshëm artistik i këngëtares ishte më 2004-n, kur ajo zgjodhi teatrot italianë për të kënduar përkrah kantautorit Fabio Concato. Veçantia e atyre spektakleve ishte fakti se të dy kolegët interpretuan këngët e njëri-tjetrit, secili në mënyrën e tij. Suksesin e atyre spektakleve e shfrytëzoi shtëpia diskografike e këngëtares, që publikoi këngët në përmbledhjen me titull “Të mijat”.Një tjetër tur koncertesh, me këngët që gjithmonë e më shumë i përkasin karakterit etnik, e pa Ana Oksën afër publikut në vitin 2005. Festivalit të Sanremos, këngëtarja transformiste iu rikthye për të trembëdhjetën herë, një vit më pas, me këngën “Proces ndaj vetes time”. Pjesa ishte mjaft e veçantë dhe në një stil që asnjë këngëtar nuk do të kishte rrezikuar. Ky guxim i kushton Anës, natën e parë të festivalit, vendin e fundit në kategorinë “Femra” dhe natën pasardhëse eliminimin nga gara. Për Anën është e pamundur të ndalet, aq më shumë të dyshojë në zgjedhjet e saj muzikore. Këtë e konfirmon edhe suksesi që pati disku me titull “Muzika nuk është asgjë, po nuk pate jetuar”. Ai album doli në treg vetëm tri javë pas përfundimit të festivalit dhe atje përfshihej edhe kënga që u skualifikua nga gara.

Pjesëmarrjet ne Sanremo
 
1978: “Një emocion i thjeshtë” (vendi i dytë)
1982: “Unë jo” (finaliste)
1984: “Nuk zbres” (vendi i shtatë)
1985: “Për të” (vendi i shtatë)
1986: “Është vetëm një çast” (vendi i pestë)
1988: “Kur lind një dashuri” (vendi i shtatë)
1989: “Do të lejoj” (vendi i parë)
1990: “Grua me ty” (vendi i katërt)
1997: “Histori” (vendi i dytë)
1999: “Pa mëshirë” (vendi i parë)
2001: “Lëvizje e përjetshme” (vendi i dhjetë)
2003: “Do të ndryshoj” (vendi i 14-të)
2006: “Proces ndaj vetes time” (eliminuar nga finalja) 

Katër martesat e Anës

Martesa e fundit e Ana Oksës u zhvillua në mënyrë fort të rezervuar. Veshur me një fustan elegant të zi dhe taka të larta, artistja me origjinë shqiptare vuri kurorë me djaloshin Marco Sansonetti, 22 vjet më i ri se ajo. Pas martesës së parë me Franco Cianin, Oksa u martua më pas me Gianni Bellemon (anëtar i grupit muzikor New Trolls), me të cilin pati dy fëmijë (Françeskën, 16 vjeçe, dhe Qazimi, 12 vjeç).Më pas ishte radha e një tjetër martese me Bexhet Paçollin, bashkë me të cilin ajo krijoi një shtëpi diskografike dhe u vendos të jetojë në Lugano. Pas dy vitesh e gjysmë bashkëjetesë, martesa e tretë e këngëtares dhe lidhja me biznesmenin shqiptar mori fund.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT