E premte, 26.04.2024, 04:45 PM (GMT+1)

Kulturë

Thanas L. Gjika: I vetëm në luftën kundër krijimit të çnjeriut

E marte, 17.01.2012, 09:00 PM


I VETEM NE LUFTEN KUNDER KRIJIMIT TE ÇNJERIUT

(Shënime për veprën Kohë e Pamjaftueshme të Helena Kadaresë)

 

Nga Dr. Thanas L. GJIKA

 

Viti 2011, viti i 75-vjetorit të Ismail Kadaresë, shkrimtarit më të talentuar të procesit historiko letrar shqiptar, kaloi me botime veprash e artikujsh, me sesione shkencore vlerësuese, me film dokumentar për të, etj. Natyrisht ky vit nuk u shpall zyrtarisht Viti i Kadaresë, sepse qeveritarët tanë duan që në qendër të vëmendjes të jenë vetëm ata e askush tjetër, prandaj që në janar ia filluan me grindje makabre që na turpëruan në sy të diplomacisë europiane...

Vlerësimet që iu bënë Shkrimtarit prej studjuesve dhe sidomos vepra Letërsia në Totalitarizëm dhe ‘Dossier K’ e Shaban Sinanit, ish sekretarit të R. Alisë, ia shpejtuan vdekjen këtij të fundit, diktatorit nr. 2, i cili për mashtrim, hiqej si më i butë se diktatori, por në fakt ishte po aq kriminel e vrastar sa ai. Duke mos u kërkuar falje të përndjekurve të ndërgjegjes as para vdekjes dhe duke vijuar sulmet e tij kundër Shkrimtarit Kadare, kundër simbolit më të shquar të artit e të letërsisë sonë, ai tregoi se sa shumë i urrejti diktatura kundërshtarët e saj. Prapa kësaj mos pendese ne kuptojmë se sa pa moral janë ata që mbeten skllevër të mendësisë komuniste.

Pikën kulminante ky vit jubilar e arriti me botimin e kryeveprës së Helena Kadaresë Kohë e Pamjatueshme Kujtime. Me këtë vepër, që lexohet me shumë interes nga fillim në fund pa e lëshuar nga dora,kjo krijuese, që deri sot kishte lulëzuar nën hijen e lisit të madh pa u vënë re e pa u vlerësuar sa duhej, u shpalos me gjithë forcën e talentit të vet. Ajo dëshmoi se ka pasur e ka më shumë vlera, se meriton më tepër vëmendje e vlerësim.

Aty rrëfehet natyrshëm jeta bashkëshortore me hollësira të ndriçuara drejt, zbulohet jeta e Shkrimtarit, jeta dhe puna e atij që hartoi me përkushtim veprën kolosale prej 20 mijë faqesh, jetë dhe punë që e kërkonte të ishte tip i vështirë, flegmatik, i tërhequr nga jeta e zakonshme, disi indiferent, njeri që nuk shpenzonte energji e kohë kafeneve me thashetheme, aq të zakonshme për ne të tjerët. Kadareja pati kuptuar më mirë se kushdo tjetër thelbin e diktaturës komuniste: deformimin e karakterit njerëzor, prandaj si krijues e qytetar i ndershëm iu përkushtua luftës kundër këtij deformimi. Në këtë luftë ai pati shumë shqetësime, kërcënime e sulme, të cilat nuk kanë pushuar ende. Ai u quajt prej ish kryeministrit agjent i imperializmit, kurse Sigurimi detyroi një ish ministër gjatë seancave hetusore të firmoste deklaratën ssikur Fiqrete Shehu i kishte thënë se Kadareja bënte pjesë në grupin e kompllotistëve antipushtet si shkrimtar (f. 384), etj.

Vepra Kohë e Pamjaftueshme na e bën të prekshme faktin se në të tilla rrethana jo normale ky autor krijoi vepën e tij normale aq të talentuar, atë vepër të cilën e vlerësoi dhe e vlerëson bota kundërshtare e komunizmit. Ai arriti të delte fitimtar në misionin e tij i ndihmuar prej forcës së talentit të vet, prej guximit qytetar dhe prej disa admiruesve të veprës së tij nga radhët e pushtetarëve, si biri i M. Shehut, biri i M. Myftiut, sigurimsat N. Tozaj e funksionari V.M., përkthyesi I. Vrioni, botuesit francezë, etj. Kuptohet gjithashtu se ndihma e bashkëshortes dhe e familjarëve ka qenë ndër më të rëndësishmet. Helena, kjo femër e edukuar për së mbari në një familjeje intelektuale, e bukur, e shëndetshme, e talentuar, zemërgjerë, e durueshme, plot ndjenja fetare, e kuptoi drejt dhe e mbështeti në punëluftën e tij ashtu si duhej dhe pa e bezdisur. Ajo, ishte fati i madh i tij, të cilin ai e zgjodhi vetë që në rini.

Duke treguar në mënyrë tërheqëse e me sinqeritet jetën familjare, gëzimet, hidhërimet, sukseset dhe pengesat, sulmet e vazhdueshme që i janë bërë Shkrimtarit, autorja na kthjellon për të vërtetën e madhe: Ismail Kadareja me veprën e tij luftoi vazhdimisht kundër diktaturës, kundër përpjekjeve të saj për krijimin e çnjeriut.

Studjuesit e fenomenit Kadare, sot e në të ardhmen do t’i referohen kësaj vepre, kësaj miniere shumë të pasur në fakte, me mirënjohje për hollësitë e shumta, për mendimet e meditimet, për sqarimet e shumë e shumë ngjarjeve që kanë lidhje direkte me procesin krijues e atë psikologjik të Kadaresë.

Për nga vlerat kjo vepër qëndron përkrah veprave të mëdha të kulturës sonë, si Rrno vetëm për me tregue e At Zef Pëllumbit, Porosia e Madhe e Rexhep Qoses kushtuar Naim Frashërit dhe Jeta e Fan Nolit e Nasho Jorgaqit.

Me këtë vepër Helena duke na njohur nga afër me jetën e përditshme, me mundimet e vuajtjet shpirtërore të Kadaresë, na ndihmon të gjithëve: ne lexuesit e aq më shumë kolegët e tij shkrimtarë, kritikët e studjuesit e letërsisë, të kuptojmë se kemi qenë meskinë e frikamanë, se ne e kishim lënë vetëm luftëtarin që kishte dalë në mejdan për të na mbrojtuir nga kuçedra, nga diktatura komuniste, e cila çdo ditë na detyronte të  pajtoheshim me deformimin e karakterit tonë, duke u bërë çdo ditë e më çnjerërorë, çdo ditë e më çnjeri. Pra, në këtë 75-vjetor të lindjes së shkrimtarit tonë të madh, të gjithë ne duhej t’i kërkonim të falur atij për braktisjen që i bëmë në fushëbetejë.

Regjisori P. Milkani duke e mbyllur filmin me skenën e takimit të Dritëro Agollit me Ismailin dhe fjalët vlerësuese që ky ish-kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve i thotë Kadaresë, hodhi një gjysëm hapi drejt katarsës që duhet të bëjnë ish pushtetarët, ish kritikët etj, për qëndrimet e padrejta që ata mbajtën ndaj këtij krijuesi. Veçse katarsa duhet artikuluar më qartë: Na fal Ismail, se të lamë vetëm dhe shpesh herë të luftuam.

Vetëm një artikulim i tillë, i plotë dhe i qartë i fajësisë, do të ndihmojë seriozisht procesin e pastrimit shpirtëror të ne shqiptarëve nga balta që hodhi diktatura komuniste jo thjesht mbi supet tona, por në thellësitë e  mendësisë sonë, baltë të cilën ne nuk po përpiqemi seriozisht ta shpëlajmë ende.

Si pasojë e mos njohjes dhe e mos ndëshkimit të fajit tonë që kryem duke i lënë vetëm e duke mos u dalë në mbrojtje Shkrimtarit Kadare dhe të përndjekurve të ndërgjegjes, ka ende ndonjë rrob të klanit komunist, ose ndonjë të sëmurë nga deliri i zgjuarësisë, që sulmon, shan, ose nënvlerëson këto forca, këta heronj  të shoqërisë sonë të asaj kohe të mbrapshtë.

Vlerat e Ismail Kadaresë dhe të dënuarve të ndërgjegjes, nuk janë dhe nuk duhen kërkuar në qenien e tyre njerëzore, por në madhështinë e misionit që ata morën mbi vete: dalja kundër, kundërshtimi i synimeve djallezore per krijimin e çnjeriut shqiptar.

Të shkruash sot kundër fenomenit Kadare, mbas fakteve të reja bindëse dhënë në veprën Kohë e Pamjaftueshme për armiqësinë e vërtetë midis Shkrimtarit e pushtetit diktatorial, ka vetëm një emër: antishqiptarizëm. Ka po atë emër që ka dhe mos vlerësimi si duhet i të dënuarve të ndërgjegjes, të cilëve nuk u është bërë ende një monument, ku kemi nevojë të shkojmë e të gjunjëzohemi të gjithë, qytetarë e qeveritarë.



(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora