E premte, 26.04.2024, 06:06 AM (GMT+1)

Kulturë

Sarë Gjergji: Bibla Shqiptare për mjedisin dhe natyrën

E marte, 10.01.2012, 08:58 PM


BIBLA SHQIPTARE PËR MJEDISIN DHE NATYRËN

 

Dr. Astrit Memia, Njeriu dhe natyra në globalizëm, (Rasti Shqipëria), Universiteti Ndërkombëtar i Strugës, Akademia Diplomatike Shqiptare, Forumi Imazh & Media, Tiranë, 2010

 

Nga Mr. Sarë GJERGJI

 

Njëra ndër çështjet me shumë rëndësi sot, e diskutuar në sfera të ndryshme të mendimit njerëzor, pa përjashtuar këtu  edhe atë të diplomacisë botërore, padyshim, është edhe ajo e mjedisit, natyrës, ambientit, e rolit dhe ndikimit të faktorit njeri në këtë mes.

 

“Po, është koha e njeriut, një kohë për të cilën punojnë të gjithë!”,  ishte shprehur autori i librit: “Njeriu dhe natyra në globalizëm”, që më 1993, në Radio Tirana. Është mjaft tunduese dhe jo pa domethënie ky mendim i autorit, sikundër që është tejet sfiduese edhe materia që më tej Dr. Memia sjell, trajton, shqyrton e shtjellon në këtë libër. Së këndejmi, ky libër sot, në një kohë kur Agjencia Mjedisore e Kombeve të Bashkuara e sheh Shqipërinë si një vend me probleme jo pak të mëdha mjedisore, mund të ndikojë në formimin e mendimit më  të drejtë mbi nevojën e ruajtjes së natyrës, të ambientit, të mjedisit, mbi rolin e njeriut dhe ndikimin e tij në këtë mes, në marrëdhëniet mes tyre.

Nuk ka dyshim, historia njerëzore flet për ndryshimin e vazhdueshëm të mjedisit në epoka të ndryshme historike. Janë katastrofat natyrore, por edhe veprimet, ndërmarrjet e shoqërisë njerëzore, që ndikojnë në këto ndryshime. Prandaj, autori thërret për më shumë ndërgjegjësim të faktorit njeri, për më shumë përgjegjësi në vendimet që ai merr në raport me natyrën, në mënyrë që të ketë një qëndrim  më të drejtë ndaj saj. Kjo do thotë, që të kuptuarit e drejtë të mjedisit ku jetojmë, të mjedisit në përgjithësi, ka një rëndësi të madhe jo vetëm për ruajtjen, por para së gjithash për kultivimin e tij. Në këtë kontekst, libri i Dr. Memisë, është një mësim mbi nevojën e mbrojtjes dhe kultivimit të ambientit, së këndejmi edhe të jetës së qenieve të gjalla përgjithësisht, dhe mbi njeriun  si pjesë e pandashme e natyrës (siç e koncepton edhe autori), në mënyrë të veçantë. Ambienti, natyra është “pronë”, do thoshim, madje intime, e çdokujt, prandaj kërkohet veprim dhe sjellje korrekte ndaj saj, sepse marrja e pamjaftueshme në  konsideratë e ligjshmërive të natyrës, mjedisit, ambientit dhe dëshira për rritje të përfitimit, siç del nga studimi i Dr. Memisë, ka sjellë dëme jo të vogla dhe të paarsyeshme për shoqërinë njerëzore. Studiuesi Memia, prandaj, do sjellë për lexuesin përballje mendimesh e teorish, konceptin Liberal e të Gjelbër për universin e natyrën njerëzore, për ekonominë e pronën (private mbi natyrën), për zhvillimin e sostenueshëm e zhvillimin, natyrën e teknologjisë, për  marrëdhëniet tregtare, por edhe implikimet politike lidhur me këto e çështje të tjera mjedisore dhe raportin, qëndrimin e njeriut ndaj mjedisit përgjithësisht. Por jo vetëm kaq. Dr. Astrit Memia, problemin që shtron, e sheh dhe e analizon në aspektin multidimensional, së këndejmi dhe në rrafshin interdisiplinar,  dhe në aspektin historik, që nga antikiteti deri në ditët e sotme.

Një fakt ky dhe një vlerë që e karakterizon studimin tejet sintetizues të studiuesit Memia.

Por, një hulumtim i shtrirë në epoka të ndryshme të historisë së mendimit njerëzor, një analizë e mirë e lëndës së trajtuar, kërkojnë impenjim dhe përkushtim prej sizifi. Të Gjelbrit, argumentojnë, se koncepti Liberal për natyrën njerëzore, si i ndarë nga natyra, çon në degradimin e madh ambiental, për shkak se teoria Liberale qëllimisht e nënvlerëson faktin, se ekonomia njerëzore është vetëm një pjesë e biosferës dhe përfundimisht e varur nga ajo. Biosfera është ajo që të Gjelbrit e quajnë “ekonomia e madhe” dhe është ajo që mban gjallë gjithë jetën, njerëzore ose jonjerëzore, dhe për këtë arsye ekonomia duhet të përshtatet në ciklet dhe modelet e saj, konkludon autori i këtij libri. Për të arritur qëllimin e tij, pra për të ardhur në përfundime të drejta shkencore, studiuesi i zellshëm Dr. Astrit Memia, do përballet e njihet me qëndrimet e një numri të madh mendimtarësh (të fushave dhe epokave të ndryshme), siç dëshmojnë: Dekarti, Platoni, Aristoteli, Ajnshtajni, Njutoni, A. Smith, A. Dobson, Xh. Rodman, V. Obriant, T. Boll, R. Dager, L. Maertel, M. Rajli, A. Hejvud, P. Thil, G. Talshir, Xh. Kateb, Humfri, Paehlke, Fideler, Hejvard, Makferson, Oksanen, Kasiola, Ris, Gudin, Sterling, Prigogin, Kapra, Matjus, Kahn, Obrajan, Tomson, Davidson, Hellemer, Klap, Kurt, Leis, Salleh, Bejker, Enk, Dikson, Szell, Kimbrell, Nobëll, Heligen, Neklin, Uenk, Ulgar, Braun, Postman, Frinberg, Papin, Drengson, Riçardson, Okonor, Eban, B.Milan e shumë studiues të tjerë.

S’ka dyshim se ky numër i madh i studiuesve, të cilëve autori iu referohet në  librin e tij, libër ky, që nuk ka për qëllim të paraqesë gjenezën e studimeve mbi problemet e mjedisit, ani pse ai këtu na njeh edhe me konceptin klasik e mesjetar për universin dhe natyrën njerëzore, flasin për seriozitetin dhe përkushtimin në punë të Dr. A. Memisë. Në të vërtetë, libri:  Njeriu dhe natyra në Globalizëm – rasti Shqipëria, nuk është thjesht një libër. Themi se çdo kapitull i këtij libri mund të jetë edhe një libër më vete. Në këtë kontekst, libri, me një Hyrje në fillim dhe me një Kalendar ekologjik në fund, i ndarë në katër kapituj, plus katër të tjerë në rastin Shqipëria,  del të jetë një shumësi librash. Një shumësi librash edhe për  faktin se aty ndeshim shkoqitje e trajtim lënde nga fusha të ndryshme të dijes, por që mjeshtërisht vihen në funksion të problematikës që trajton autori. Kjo dhe është arsyeja që librin e Dr. Memisë më bën ta shoh dhe pranoj si një  Bibël shqiptare për mjedisin dhe natyrën. Si një Bibël shqiptare për mjedisin dhe natyrën,  në përgjithësi, dhe si një Bibël për mjedisin dhe natyrën shqiptare, te pjesa Mjedisi dhe ekologjia, rasti “Shqipëri” dhe media e shkruar, në veçanti.

Sidomos pjesa Mjedisi dhe ekologjia, rasti “Shqipëri” dhe media e shkruar, është me shumë interes për lexuesin shqiptar.

Ndonëse vet autori vjen nga qarqet e nomenklaturës politike në Shqipëri, ai nuk heziton të pajtojë me mendimin se në Shqipëri, korrupsioni mjedisor ka fytyrën e qeveritarëve të korruptuar, të cilët fitojnë miliona në sajë të lejimit të ndotjes së mjedisit nga ana e industrialistëve. Dhe si shembull emblematik për të vërtetuar konkludimin e mësipërm,  sjell Elbasanin, i cili “është i kërcënuar nga terrorizmi ekologjik, si një nga format më të egra të të gjitha llojeve të terrorizmit, që njeh njerëzimi i të gjitha epokave.” Si pasojë e ndotjes së ambientit, e këtij terrorizmi (nga kompanitë: “Kurum”, “Darfo” dhe “ECF”), në këtë qytet, vdesin çdo vit, së paku 250- 300 persona nga sëmundjet kancerogjene. Këto shifra alarmante, ndërtimet e egra, betonimi i hapësirave të gjelbra etj., që janë shqetësuese për Shqipërinë, tregojnë, sipas autorit, për zhvillimin e korrupsionit mjedisor në vendin tonë, larg çdo standardi të BE-së për mjedisin.  Studiuesi  Memia, sforcon mendimin se mjedisi ku jetojmë është pronë e të gjithë njerëzve dhe se me të jemi në një komunikim permanent. Ajri është pronë e të gjithëve, qielli është pronë e të gjithëve, oksigjeni është pronë e të gjithëve.

Pikërisht për këtë shkak, i cili afron me një “predikim” apo “moral biblik”, mjedisi, është një nga problemet më komunikuese dhe një nga shqetësimet më të konsiderueshme. Duke qenë se, pikërisht, është  mjedisi, ku ne jetojmë në hapësirën më të domosdoshme me të cilën komunikojmë organikisht, me sy dhe me hundë, me dritë dhe me qiell, është e domosdoshme për këtë shkak të kemi sensibilitet, detyrim dhe angazhim qytetar, thekson autori.

Një kërkesë e tillë e autorit, kohëve të fundit gjithnjë e më shumë po gjënë vend në mjetet e informimit dhe shoqëria civile, për çka autori shpreh vlerësimin e tij. Ai madje pasqyron shqetësimet e shumta që sjellin mediat e shkruara në Shqipëri, demonstrimet e debatet e shoqërisë civile karshi edhe vendimeve qeveritare në lidhje me ambientin. Me të dhënat dhe faktet që sjell autori, dëshmon për një vetëdijesim dhe angazhim të shtuar të qytetarit shqiptar për çështje të mjedisit, por pa hequr dorë nga insistimi i reagimit të mëtejmë në mbrojte të ambientit, mjedisit ku jetojmë. Shqipëria meriton vëmendjen qytetare, për me tepër kur mungon vullneti politik i pushtetarëve.

Kjo shumësi librash e Dr. A. Memisë, nën titullin e vetëm: Njeriu dhe natyra në Globalizëm – rasti Shqipëria, flet për një punë pothuaj shteruese të autorit; për dëshirën, angazhimin dhe vendosmërinë e tij, që Shqipërinë dhe shqiptarët t’i shohë në harmoni të plotë me natyrën, së këndejmi dhe më të shëndetshëm, më jetëgjatë e më human. Libri është një alarm për gjendjen ekzistuese dhe një cytje, ftesë për të ndryshuar sjelljen tonë e për të qenë më korrekt në raport me natyrën, me ambientin ku jetojmë.

Një arsye më shumë për ta lexuar librin e për ta pasur atë literaturë të zgjedhur në bibliotekën tonë, si një bibël për ambientin, si një rrëfyes të mirë të asaj që ka ndodhur, që po ndodh e që mund të ndodh me ambientin, varësisht prej qëndrimit tonë.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora