E shtune, 27.04.2024, 02:46 AM (GMT+1)

Mendime

Kalosh Çeliku: Partizani i vogël zbuloi shokët

E diele, 08.01.2012, 08:59 PM


PARTIZANI I VOGËL

   ZBULOI SHOKËT

 

Nga: KALOSH ÇELIKU

 

       Pakgjë ka ndryshuar sot nga koha e “artë” komuniste. Partizanët me pushkën krahut edhe sot si dje dalin maleve e fushave për liri. Edhe, i shkrepin armët për fitore. Fytas rroken me armikun e pabesë shekullor, luftojnë lis pas lisi.

       Vite me radhë kisha dëgjuar e lexuar në librat e këndimit plot rrëfime heroike partizane. Armiqtë se si, i mundonin robërit e luftës kur u bienin në dorë për zbulimin e shokëve. Metodat barbare jonjerëzore që përdornin për futjen e debatikasve në lëkurë dashi. Shumica e atyre partizanëve edhe u vdisnin në duar okupatorëve pa i zbuluar shokët e idealit, luftës heroike për liri.  “Vëllazërim – bashkim”. “Atdhe të përbashkët”.  

       Koha erdhi, edhe kësaj radhe pas lufte (2001) të kthehen në shtëpi burrat e pushkës. Fatkeqësisht, shqiptarëve u përsëritet historia. E fituan luftën. Lirinë. Paqen. Radhën e ka lufta me politikë dhe penë. Tashti, edhe dalin trimat pas lufte me armët në brez për mejdani në fushën e betejës. Cili ka luftuar më shumë se shoku për liri kombëtare. Cili ka qenë komandant e cili ushtar. Realiteti: të gjithë komandantë e vetëm një ushtar. Edhe ai, komandant “Askeri”. Cila familje ka dhënë më shumë dëshmorë. Cili këngëtar do të këndojë më shumë këngë patriotike nëpër dasma. Cili poet më shumë të vdekur e të gjallë do t’i fus në libra si trima që e dhanë jetën për liri dhe të gjithë një ditë do të hyjnë në histori. Interesant, e gjithë kjo ndodh në kohën e sotshme “demokratike” para syve të partive politike shqiptare. Komisionit të  Lustrimit. Patjetër, duhet të dihen spiunët dhe të përndjekurit e të burgosurit politik. Ata të përvuajturit: “patriotët”, që kanë luftuar me “armë” në dorë për poste nëpër parti politike, Qeveri, kabinete, redakasi komuniste, ministri, e institucione të shtetit “demokratik”.

      Gabimi i radhës: trimat pas lufte edhe u rreken studimeve pasuniversitare, turren pas titujve shkencor. Gati të gjithë politikanët e djeshëm e të sotshëm, janë profesorë universitar. Analistë politik. Nguten të shkruajnë kollumna si të përndjekur e të përvuajtur në sistemin e atëhershëm monist të shokut Tito. Partia komunsite këmba-këmbës i ka përndjekur me poste në redaksi, ministri e institucione të shtetit policor socialist. Përmëtepër, edhe i ka dënuar me burg partiak: poste politike në Qeveri, u ka dhënë banesa të rehatshrne, honorare marramendëse, bursa për studime nëpër botë, tituj shkencor e vende pune nëpër Universitete.

       E shi sot, në demokraci të “përndjekurit dhe armiqtë e shtetit”, pa vetëdije i nxjerrin probleme edhe Komisionit për Lustrim: shkruajnë kollumna biografike si të “përndjekur dhe të dënuar politik”. Përçudi, më i zëshmi është Partizani i vogël me pushkën në krah. Fatkeqësisht, siç duket këtë partizan të vogël armiku e ka zënë në gjumë rob lufte. Edhe, Partizani i vogël me pushkën në krah, këndon para popullit me çifteli këngë patriotike. I zbulon njëri pas tjetrit të gjithë shokët e “përndjekur” të luftës “ilegale” shqiptare me emra e mbiemra në mjetet e informacionit: gazetarë, shkrimtarë, akademikë, ministra, ambasadorë, deputetë, politikanë…

       Fantastike, ë?! Pavetëdije, Komisionit Lustrues ia ka lehtësuar punën në zbulimin e kodoshëve. Përçudi, edhe sot si për inat nuk ka ndryshuar asgjë nga ajo kohë  e “artë” komuniste. Partizani i vogël me pushkën në krah sot i zënë rob “demokracie”, pa asnjëfarë ushtrimi të dhunës i zbuloi shokët e idealit, luftës guerile.

       Ndalem mes rreshtave të këtij shkrimi artistik. Vërtetë, këta burra mejdani paskan qenë aq shumë të përndjekur e të dënuar me burg institucional të kabineteve, punësimeve nëpër Sekretariate të Qeverisë, redaksive e minsitrive, që nga koha komuniste e deri te e sotshmja “demokratike”. Individët e njëjtë, dje komunistë të shëtitur nëpër poste e kabinete, sot “demokratë”  e patriotë të vonuar nëpër parti politike.

       Dorën në zemër, pajtohem “vëllezër” se brutalisht i keni përndjekur dje me poste, vende pune, tituj shkencor e banesa shoqërore. I ndiqni edhe sot po me të njëtat metoda policore: dy-tri vende pune e honorare marramendëse nëpër komisione shtetërore. Dhe, falë miqve të tyre mezi i shpëtuan asaj torture të egër komuniste.  Zoti madh, falemnderit them me vete që nuk kam “miq”, po kam “armiq”. Ndoshta, këta të fundit edhe më mbajnë gjallë në jetë. Shkaku se, po të ishte puna e “miqëve”, moti do të kisha përfunduar në burgun e Idrizovës ose varr, rrëzë Çukës.

       E them plot gojën në këtë shkrim: janë trima pas lufte. E meritojnë lirinë, pas gjithë kësaj lufte të përgjakshme nëpër institucionet e Shtetit. “Flijimet e tyre artistike” na e sollën lirinë. Shtetin e përbashkët multietnik. Arsye e fortë kjo, që  Partizani i vogël me pushkën në krah i zënë rob lufte për këtë arritje strategjike patriotike përgëzon merita institucionale: ua prezentoi Komisionit Lustrues edhe listën e “dëshmorëve” të kombit. Kokë më kokë edhe sot si dje nëpër “manifestime kulturore”, përurimin e librave “besceler” në Teatrin e fëmijve  në Bit – Pazar dhe Universitetin e Tetovës.

       O Imzot, nuk i shihni edhe sot sa shumë vuajnë e ndiqen për Atdheun me poste e çmime rebublikane nëpër institucionet e Shtetit të pëbashkët “demokratik”?! Unë i shoh, me rëndësi është t’i shihni edhe ju se si dënohen e vazhdojnë të burgosen me “dënime të rënda” në Shtëpinë publike. E them këtë, shkaku se: nuk dua të shkoni si cjapi te kasapi.

       Ballukja e Ballit, pasi e kishte lexuar tekstin e analistit të “përndjekur”, i pikëlluar ia kishte mbyllë telefonin. “I përndjekuri” nuk priton t’ju rrëfejë në “analizën informative” edhe se ka qenë në “ballë të oxhakut” të një partie politike. E në një “takim të paharrueshëm poetik” të kryeqendrës kulturore, ku vjershat e mrekullueshme” i kanë lexuar edhe dy “poete të rralla”.

       Vërtetë, paska qenë i “përndjekur hap pas hapi”. Fajet e shëtitjeve nëpër institucione të Shtetit i ka Ballukja e Ballit, ish kryetar i një partie politike “demokratike”, miku i të “përndjekurit” i “mbërthyer në kryq” si ambasador në Bullgari.

       Vazhdon lista e miqve edhe me mikun e madh, që “i ka dhënë mundësi të krijojë institucione” politike sakate. Edhe me “shkrimtarin e veçantë dhe zërin e së vërtetës që ndodh këtu”. Edhe me akademikun, profesorin universitar, ministrin, deputetin, me aktorë e piktorë. Fatkeqësisht, edhe me shumë miq të “shkëlqyeshëm, që nuk jetojnë më”. I “përndjekuri” më në fund ka edhe “miq maqedonas”… Edhe bullgarë... Edhe turq… Edhe miq të rinj, që ua adhuron talentin e “flijimeve artistike” në jetën kulturore e politike.  Miq ka edhe në të gjitha partitë politike shqiptare: BDI, PDSH, në partinë e Rufi Osmanit.  Edhe me themeluesit e PPD-së ka miqësi. Edhe… Edhe… Edhe plot “vajtime” të tjera e lotë rrëke si i “përndjekur dhe i dënuar politik” i shekullit.

       Edhe, të “përndjekurit e sotshëm politik”, pasi u kanë rrëshqitur këmbët në fushën politike, tashti merren me shkrimin e librave, “vizioneve politike kombëtare”. Përfundimisht, pas gjithë dështimeve politike “t’i kthehen profesionit primar – shkrimit”. Kulminacioni: paralejmërojnë se “vitin tjetër, do të sjellin një tjetër rrëfim.

       Dhashtë Zoti, shqiptarët më në fund shpëtuan nga “politika e tyre madhore”! Politikanët e tyre besnik tashti e tutje më nuk do të merren me “politikë kombëtare”, po me shkrimin e memuareve, librave “besceler”… Ashtu qoftë!... Amen…



(Vota: 35 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora