E premte, 26.04.2024, 11:30 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

LDK nderon Rugovën në ditëlindjen e 67-të

E premte, 02.12.2011, 08:59 PM


Në ditëlindjen e 67-të, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka nderuar sot kryetarin e saj shumëvjeçar dhe Presidentin historik, Ibrahim Rugova, me homazhe dhe kurora lulesh te varri i tij në lagjen "Velania" të kryeqytetit.

"Ne sot dolëm si Kryesi e Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK) t'i bëjmë nderimin Presidentit Ibrahim Rugova, kryetarit të LDK-së, për ditëlindjen e tij. Ne gjithmonë kultivojmë respekt shumë të lartë për atë që ai ka bërë për Kosovën, për Lidhjen Demokratike, për zhvillimin e rendit demokratik në Kosovë dhe për atë që ai ka bërë si President i Republikës së Kosovës në vënien e bazave të para të shtetit të Kosovës, të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës", tha Kryetari i LDK së, Isa Mustafa, pas homazheve.

 

Ai tha se këto mbesin moto të përhershme për të punuar dhe forcuar shtetin e Kosovës që të respektohet nga vendet e tjera. Duke vlerësuar figurën e Presidentit Rugova, Mustafa tha se ai ka dhënë një kontribut të veçantë në afirmimin e Kosovën në arenën ndërkombëtare si dhe ka qenë i respektuar nga faktorët ndërkombëtarë.

"Mënyra e tij e komunikimit dhe prezantimi i Kosovës ka qenë i veçantë, ka qenë i respektuar nga gjithë faktorët ndërkombëtarë, të shteteve më të forta, ka qenë një njeri që ka krijuar lidhje të veçanta, i cili ka treguar një kulturë të veçantë, gjë që ka lindur nga edukata e tij familjare, nga arsimimi i tij, edhe nga niveli kulturor dhe social që ai ka përfaqësuar", theksoi kreu i LDK-së, Isa Mustafa.

Ndërsa, nënkryetari i LDK-së, Sabri Hamiti, mik i ngushtë dhe bashkëpunëtor shumëvjeçar i Presidentit Rugova, tha se "ardhja te shenja e Rugovës, këtu nuk e ka vetëm një kuptim i ka disa kuptime".

"E para, - tha ai, - është ajo që është njerëzore, sepse kemi kaluar një jetë me të, nëpër situata të qeta edhe tronditëse, që ka të bëjë me atë që quhet afërsi njerëzore.

E dyta, është me atë që ka bërë ai në themelimin e partisë së parë demokratike shqiptare pas Luftës së Dytë, e cila ka marrë kuptimin e një levizjeje nacionaldemokratike për pavarësinë e Kosovës. E treta është sepse burrështetasi i parë i madh i Kosovës dhe ma i madhi deri më tash, që ka marrë përkufizimin Kryetar historik i Kosovës", tha Hamiti.

Ai theksoi se këto të gjitha i përkasin asaj që ka bërë Rugova për të gjallë.

"Unë mendoj që ideja Rugova, vizioni Rugova tash është edhe më i gjallë dhe është më i dobishëm dhe më produktiv për Kosovën, që ka të bëjë me insistimin për të krijuar një konsus të forcave diturore dhe politike të Kosovës, për ta bërë shtet demokratik, me institucione demokratike. Dhe, e dyta është shembull qysh mund të krijohet një imixh i madh politik dhe kulturor për Kosovën".

Më tej Hamiti tha se "çfarë i mungon sot Kosovës është pikërisht ky imixh, ky rrezatim dituror politik për Kosovën".

"Idetë e tij janë kaq të gjalla dhe nganjëherë duket që edhe pas shkuarjes së tij në Kosovë nuk ka ndonjë specifikim idesh të reja, të gjithë sillen në arkipelagun e ideve të Rugovës, qoftë kur ia pranojnë autorësinë, qoftë kur s'ia pranojnë", tha Hamiti, për të nënvizuar:

"Shkurt, Kosova e ka trashëgimi kulturore dhe politike të madhe Rugovën, jo vetëm LDK-ja. Natyrisht, ai është edhe themelues dhe drejtues i LDK-së për të gjallë të vet dhe tashi mbetet simboli i saj, mbetet edhe ashtu, institucionalisht, kryetari i përhershëm i nderit i LDK-së".

Pas homazheve, Kryetari e i LDK-së, Isa Mustafa dhe drejtuesit e lartë të partisë vizituan edhe familjen Rugova.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora