E premte, 26.04.2024, 05:02 AM (GMT+1)

Kulturë

Femi Halimi: Një Ngjarje Kulturore e madhe!

E merkure, 12.10.2011, 08:00 PM


Një Ngjarje Kulturore e madhe!

 

Nga Femi Halimi

Skenarist

 

Trupa e Teatrit të Qytetit në Gjilan doli para publikut vendës me dramën komedi, Farsë, UNINSPEKTORI, të autorit anglez David Farr, të përshtatur me tekstin e dramës  REVIZORI të Gogolit, e të vënë në Skenë nga regjisori Fatos Berisha nga Prishtina. Tekstin e përktheu dhe përshtati me plotësime drejtori Artistik i Teatrit të Qytetit, Shkëlzen Berisha. Është kjo një përshtatje artistike e Revizorit, me personazhe të njëjtë por me rrëfim tjetër, në vazhdim. Një përshtatje artistike, vepër në vepër, në suaza të së lejueshmes, për qëllime të larta arti.

 

    Rolet kryesorë luajtën aktorë profesionistë. Fatmir Spahiu në rolin e kryetarit të një republike ruse. Ardi Islami në rolin e tregëtarit anglez e të ngatërruar nga vendorët për inspektor të KB, ose UN. Ministri i Financave Stepani u aktrua nga aktori Ramadan Kurti. Drejtori i Teatrit Ali Demi luajti rolin e Shefit të Shërbimit Rus të Zbulimit... –Por edhe të gjithë të tjerët ishin në nivel të lartë profesional të aktrimit.

   Kjo komedi u dha disaherë pas Premierës me shumë sukses. Një punë e mirë për kohë të gjatë ndërton një publik të qëndrueshëm dhe të përhershëm. Megjithë krizën e përgjithshme të kësaj  kohe, me punë serioze publiku rindërtohet e ribëhet siç edhe po shihet kohët e fundit.

 

   TQGJ me këtë shfaqje arriti sukses të madh dhe promovoi veten në dritën më të mirë para dashamirëve të teatrit. Aktorët Fatmir Spahiu, Ard Islami, Ramadan Kurti, Ali Demi, Safete Mustafa, Naser Zymberi, Kenan Gërguri, etj luajnë me kreacion e angazhim të madh. Hetohet përpjekja e fuqishme për të realizuar rolin. Hetohet matja perfekte e kohës, të ndarë sakt me tempo dhe për të harmonizuar lojën në unitet. Impresive është ndërlidhja e pamjeve në mënyrë bashkëkohore e të lirë dhe thyerja e barierave nëmes aktorëve dhe publikut. Impresive është edhe Skena me dyertë pezull në tri kate, që sipas bindjes sime simbolizojnë shpresat në ajër të të varurve, në kohën e Udhëkryqit të madh historik të popujve, skenë të cilën e ideoi holandezi musafir Nico de Rooij.

 

   Ngjarja në këtë dramë komedi rrëfen për Tranzicionin postmonist në vendet ish komuniste, konkretisht në një republikë ruse. Farsa e kësaj loje skenike protekton mbi Fondin Monetar Ndërkombëtar, që pati ndeshje jo të mirë para do kohësh edhe këtu te ne dhe la gjurmë me përzierjen tejmase në punët e brendshme vendore. Shih për këtë, kjo komedi u lidh fort mirë me disponimin qytetar e medial te ne dhe doli fort e qëlluar dhe e tillë, e pranuar. Kështu edhe komunikohet nga distanca me mjete arti në artikulim të pikëpamjeve dhe kërkesave për zgjidhje humane, para aleancave të kohës së re botë. Kështu e për këtë, lidhje pas lidhjeje, e kjo lojë skenike doli fort e suksesshme!

 

   Dilema se çka të vëhet në Skenë tash te ne then vullnetin edhe të regjisorëve më trima! Është kriza e të gjitha pikëpamjeve morale e fizike njerëzore. Tash sepse, nuk ka Patos ku mbillet e rritet rrëfimi. Nuk ka Epos, Demos, as Helios, as Teos, -siç kishte teatri grek kur u lind dhe bëri shtat. Tash teatri ndodh në rrethet tjera kosmopolite dhe Skena është multimediale, në tv dhe internet. Tash është Teos  aleanca e shteteve në shtet, supershtet, me një udhëheqje të shpërndarë përmes personave të zgjedhur të përshtatshëm të thirrur për përfaqësim të vendeve të veta, në aleancën e re, me konceptin e një shteti klasik të polisit. Deklarimi i Përfaqësimit të barabartë dhe të drejtë, mbetet i papërcaktuar nëmes interesave të të fuqishmëve. Tanët shohin çdoditë diskrepancën nëmes thirrjes dhe zgjedhjes në rendin e ri. Disproporcionet e përgjegjësive janë maksimale, në varësi me përkatësinë ndaj aleancave dhe e Drejta nuk është drejtësi për të gjithë. Është edhe mëtutje një e drejtë pozitive siç edhe ishte deritash, në kompromis me interesin e ndarjes së fitimeve e pronësive dhe të të drejtave të qarkullimit të dyanshëm. Vendi ynë edhe mëtutje rradhitet në nivelet europiane, si mëparë,  -monedhë e rastit për kusuritje, veresive, huave të njëanshme e pa barasvlerë dhe ligjeve që zbatohen me preferenca në raport me forcën. Rendi i ri përplaset nëmes Perëndimit e Lindjes, që janë kusherinjë nëmes vete. Ne jemi të vetëm, në mes tyre, prapa dhe në fund!...

   Kjo Gjendje krijon nxitje frymëzimi artistik tjetërfarë te ne, nga nxitja e tillë në Perëndim a Lindje. Në skenë, dikund gjatë shfaqjes, thuhet se ne jemi një vend i vogël! Kjo është një përshtatje me vend dhe që e bën tekstin tonin dhe me interes. Përshtatje të këtilla ka edhe tutje tekstit dhe deri edhe te shprehjet e ulëta por të arsyeshme në gjuhën tonë, përballë atyreve ruse, e mëtej atyreve angleze.

 

  Drama ofron pamjen ruse të zgjedhjeve, në rrethana të reja. Flet për forcën e madhe për zgjidhje dhe për mundësinë e ikjes nga thyerja fatale, sepse ata janë megjithkëtë një shtet superfuqi. Më tutje ata janë të pavarur plotësisht dhe fundja munden edhe pa aleancat e botës. Ne nuk e kemi këtë mundësi dhe administrohemi si një bebe nga ndërkombëtarët. Kur na përkufizojnë lëvizjen, pagat e punësimin, gjykimet, vetëvendosjen! Kur nuk kemi gjë në dorë përnjëmend dhe kur nuk dijmë se as ku po na çojnë!... –Për këtë, neve na kooincidon kjo dramë triherë më shumë se të tjerëve. Arti me format e tij dhe me fuqinë e artikulimit shtron rrugë të reja të zgjidhjeve dhe ndërton komunikimin. Përmes artit në mënyrë kulturizuese shprehet thirrja a klithma e arsyes për zgjidhje. Në këtë pikë ka nevojë për Skenën. Mençuria e autorit, tutje regjisë, sahprehë profesionalizmin e tyre  për zgjedhjen artistike dhe sjell suksesin. Atë që artikuloi Gogoli me plot suksese me Revizorin, e vazhdoi tutje autori anglez Farr me Uninspektorin *Inspektorin e kombeve të Bashkuara. Tutje e realizoi me sukses, me përshtatje për rrethanat e nevojat tona, Përkthyesi Shkëlzen Berisha dhe tutje, regjisori Fatos berisha. Kemi të bëjmë me këtë rast, me një punë tejet komplekse për të mirë. Ky është teatri, -siç duhet të jetë njëmend!

 

  Satira, që nga kohët e hershme të lindjes së saj në nëngjini të komedisë, përmes Skandalit, zbulon mëkatin, -duke qenë edhe vetë mëkat! Vetë zbulimi, si mëkat, që nga njeriu i parë, fsheh ironinë për njohjen dhe trajtimin moral kompleks. Skandali kultivohet me kujdes dhe bëhet normë publike për përfitim e pozita dhe kalon në dhurata privilegji sipas meritave. Zbulimi si skandal që përfundon me shpërblim shkon kundër arsyes në rrëfimin klasik . Kështu skandali përdoret për të thyer moralin e dyfisht, prapa të cilit fshihen të dhunshmit e të padrejtët.

   Mjeti artistik *Skandali, që realizon idenë e tregimit  në këtë dramë, është personazhi martin gamon, të cilin rol e luajti me përkushtim tejet profesional aktori Ard Islami. Martin Gamon, tregëtar i dështuar, i humbur, i mbetur në stepat e rrethanave sociale ruse, ...-përnjëherë, trajtohet për inspektor të Kombeve të Bashkuara. Tragjikja kalon përmes ironisë, skandal pas skandali, dhe tregëtari i humbur trajtohet për hyjni të rreme në rrethin e kryetarit të një republike ruse dhe ministrave të tij. Por që përfundon tragjikisht, nga Stuhia e Përmbytjes së Forcave Ruse të Kufirit, -një përfundim klasik i gjithmundshëm. –Te ne, një përfundim kësisoji nuk mund të ndodhë, sepse ne nuk jemi sikur rusët!...

    Skandali është mjeti që përmbledh gjithë energjitë njerëzore në një pikë shpërthyese. Rendet shoqërore janë ndërtuar gjithmonë në një ligjësi të kaosit dhe shkaqeve jo të drejta morale. Pushtetet, pozitat, janë bërë gjithmonë përmes interesave jomoral dhe ngritja individuale ka ndodhur gjithmonë me mjete kundër arsyes njerëzore. Të drejtët e të diturit nuk mund të ngriten dhe se mençuria e të suksesshmëve qëndron në sakrificën morale e fizike individuale për grupin e udhëheqësin. Skandali si operim artistik shkon deri në fund të idesë madhore të një autori dhe bëhet bartës i idesë së komunikimit fisnik Fryma Krijuese e një autori është finikëri për të mirën e drejtësinë, qoftë përmes edhe të klithmës së heshtjes!...

 

  Kur përfundon radha e skandaleve, kur nuk ka çka të zbulohet më, vjen Lajmi se ka ardhur Inspektori i KB përnjëmend! Një ngjarje virtuale që shterron të gjitha mundësitë për vullnete të reja dhe nisma të reja të të dërguarit special. Për rrethanat ruse kjo puna e inspektorit është diçka e veçantë! Revizori, në kohën e komunizmit rus, ishte mbrojtës i shtetit me autoritet pa kufi. Revizori ishte frika e gjallë e të gjithëve. Andej kah shkonte Revizori, andej ndodhnin arrestimet, burgosjet, vrasjet. Vdekja shkonte pas tij dhe ai kah shkonte, shkaktonte fatkeqësi natyrore. Po tash, në krahasim me Revizorin, ky Inspektori, emisari special i KB është qesharak vetëvetiu për rusët. Anise ndjell frikë, panik e rrëmujë, kjo ndodh për shkak të interesave ruse për përfitime të Fondit Monetar Ndërkombëtar nëpërmes manipulimeve ala ruski, si gjithmonë!

 

   Me këtë punë të bërë me komedinë Uninspektori, Teatri i Qyteti ka treguar se ka kuadër dhe vullnet për realizime të susksesshme dhe të dobishme dhe se duhet të përkrahet me të vërtetë nga shteti, si e sa i takon, në vazhdim.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora