E premte, 26.04.2024, 02:07 AM (GMT+1)

Kulturë

Odise Kote: Litarët...

E merkure, 12.10.2011, 07:22 PM


Litarët ….

 

Nga Odise Kote

 

…këtë vit në Palokastër nuk erdhi pranvera. Minella, marruku i fshatit, sillet poshtë e përpjetë Kishës së Shën Kozmait dhe godet me gurë kambanoren e  celiktë. Qan sic di të qajë një i marrë. Herë-herë përmend,duke rrotulluar ngathtësisht gjuhën e trashë, emra që duhet të jenë emra të moshatarëve të tij.

Gjuan me gurë zalli të rrumbullaktë.

Gjoni, Gjika, Mihali, Aleksi dhe për cdo emër, bashkë me një grumbull zanoresh të brendshme që ngjajnë si një hungërimë auëëëiiii…., vërtit sërish gurë të rrumbullaktë zalli mbi kambanoren që tingëllon fort.

Në fshat nuk ka njeri që ta dëgjojë.

Njerëzit kanë ikur në Greqi.

Vetëm nëntë plaka, pesë nuse që presin të lindin e dy të tjera me fëmijë të sapolindur frymojnë aty këtij moti. Pesë plaka dhe katër nuse gjenden në mëhallën e sipërme, ndërsa katër plakat e tjera me gjithë tre nuset e reja janë në lagjen e vllehëve.

I vetmi burrë në fshat është Minella. Marruku.

Ai bredh poshtë e lart, gjysëm i larë e gjysëm pis, me një tog të madh rreckash mbi shpinë, herë burrë që flet një fjalë e herë fantazëm, herë i marrë e herë ngushëllues…

Minella can dru, ngre thesin e miellit dhe e dërgon tek furrxhiu i komunës që pjek bukën. Shkon me vrap tek stacioni i urbanit që vjen nga qyteti për të sjellë furnizime, por dhe hipën mbi cati për të zënë pikat e shiut.

Minella është një burrë i fortë.

Ai hap dhe gropat e varreve me lopatë. Ngre qivuret dhe i zbret me kujdes nën tokë.

Në fshat janë shtuar të vdekurit. Janë shtuar aq shumë sa nuk ka më vend në varreza. Palokastra është një gjysëm ishulli, ku dy lumenjtë, Belica dhe Drino  qarkojnë një grusht shtëpish duke iu  dhënë atyre shenjën e fitores, V.

Mu aty, ku bashkohen dy lumenjtë, gjendet një kala e stërthinjur, e kush e di sa qindra vjet para Krishtit.

Kur në fshat kishte fëmijë, ( se Palokastra quhej dikur dhe fshati i fëmijëve) kalaja e stërthinjur ishte streha më e magjishme ku ngjizeshin fantazitë e lodrat.

Jo vetëm kaq.

Edhe dashuritë e fshehura, edhe virgjëritë liheshin peng në kthinat plot mistere të kësaj Kalaje.

Kujtimet për atë kohë mbushur me njerëz ,sepse më shfaqen dendur si një djerrinë e përcëlluar plot thëngjij e afshe shkrumbi.

Poshtë kalasë është ura, një urë prej hekuri që lidh dy brigje. Ura e hekurt është e ndërtuar gjatë luftës së parë botërore.

E kanë ndërtuar austro-hungarezët.

Urë e fortë.

Eshtë e vetmja urë mbi dy lumenj.

Mbi dy lumenjtë Belicë e Drino.

Si e tillë, ajo është e mbushur me plot histori, por ta lëmë urën e të vazhdojmë me këtë rrëfenjën tonë.

Për këtë arsye, por dhe për mijëra të tjera që gjenden sa nën lëkurët e pemëve, gurët e shtëpive, aq dhe në lëkurën e njeriut të këtyre anëve, gjithmonë sepse më ka ngjarë se bashkëfshatërët e mi kanë në qëndresën e sjelljen e tyre njelmësinë, durimin, mjegullën e përhershme që ngjitet e ngjitet dhe një brishtësi lumore.

Plakat e fshatit e kanë të vizatuar qartazi këtë gjë në të gjithë rrudhat e fytyrës.

Nëntë plakat që kanë mbetur këtu, janë plakat më të trishtuara në botë. Ndryshku bren ditët e tyre dhe than vajin, vajin e kandilit të jetës.

Mëngjeseve, kur del diell, shpesh ato dalin tek sofati i portës dhe mbajnë në prehër heshtjen.

Duket sikur mëmërisin përralla.

Pastaj ngjajnë se flasin me të vdekurit.

Në fshatin e refugjatëve edhe fjalët e bisedat lindin si fëmijë të vdekur me ankthin e frikën se askush nuk do të mbetet për t’i varrosur.

Plakat më pas futen shpejt brenda mureve të shtëpisë. Gatuajnë në tenxhere të mëdha e në tavolinë shtrojnë gjithnjë lugë të tepërta.

Portat i mbyllin me lloz të trashë.

Në darkë shtrojnë shtretërit ku nuk fle askush.

Në mëngjes, sa del këndezi i parë në majë të kodrës të këndojë këngën e zgjimit duke thërritur jetën, Hallë Maro, një nga plakat më të mocme, sepse mosha e saj s’mbahet mend, nga hajati që shikon gjithë lagjen e sipërme, stërmundohet të lëshojë zërin e mekur si camunxë lofate…: - fshat’ i shkretë c’të shohin sitë/

                                    dhjetë varre në një ditë /

                                     ranë lisat me hardhitë… 

Fshati nis të marrë frymë.

E megjithatë, e megjithatë në Palokastër këtë vit nuk erdhi pranvera dhe toka s’u ca nga plugu. Lulet rrinë të tulatura nga frika mos i bëjnë kurora mortore. Këtë pranverë edhe dielli e zjarri duket se mërdhijnë. Zogjtë s’pipëtijnë, ndërsa në parvazet e dritareve janë vërsulur ferrat. Në shtëpinë e Misto Labit një hardhi ka mbështetur pëllëmbët e gjetheve në tëmthat e catisë. Në ca shtëpi të tjera përposh era qan, qan me dyzetë palë lotë.

Ky është fshat refugjatësh me dritare të ulura.

Kushedi c’ndodh brenda atyre shtëpive bosh…?

Njerëzit këtu vijnë për festat e fundvitit dhe në verë.

Vitet e para vinin shpesh edhe për të varrosur të afërmit e tyre.

Pastaj më rrallë.

Gjithë kohën tjetër të vitit, fshati është bosh. Si lëvozhgë arre, bosh.

Me klithma të ngrira.

Fshat bosh.

Edhe atë mëngjes të 12 prillit 2007, si cdo mëngjes tjetër, këndezi lëshoi këngën e tij nga bregu i Xhavarajve duke lajmëruar zgjimin e një dite të re të shekullit të XXI.

Këngë këndezi në boshësi.

Asgjë e pazakontë nuk pritej të ndodhte.

Vetëm Minella, marruku, vërtitej rreth oborrit të kishës dhe bërtiste, Papu….uuuuuu….Papu… Papu…papu…papu…

Kërkonte priftin.

Më vonë u fol gjatë se marruku atë ditë donte të falej….të falte mëkatet e tij…??

Po a mund të kishte bërë mëkate Minella ? 

Ku i dihet, njeriu është pus i thellë, i errët, ja si kjo shamia e zezë, tha kohë më pas hallë Marro. Por prifti nuk gjendej aty. Ai jeton në qytet. Vjen në fshat sa herë ka vdekje. Madje shumë e mbajnë mend të hipur vetëm në makinën e zezë të varrimit.

Ah, kjo makinë e zezë e varrimit.

Dikush tha se atë ditë edhe pranvera, madje dhe Minella kishin hipur në makinën e zezë të varrimit.

Minella thërret papushim papu…papu… dhe pastaj gjuan prapë me gurë kambanoren e celiktë e qan, qan …. auëëëiiii…., auëëëiiii…..dhe dicka kërkon. Kërkon dicka me gjuhën e vet belbëzake.

Përdëllohet.

Lutet.

Ah gjuha…fjalët, fjalët e pathëna vite e vite me rradhë, ngecja…fjalët e  pamundura…përvëlimi i fjalëve të pathëna…auëëëiiii…., auëëëiiii…..

Kërkon mbase dicka hyjnore, dicka që mendja e tij e pazhvilluar si duhet, e percepton si superiore, si sublime.

Minella mbase kërkon litarët.

Litarët e varrimit.

Minella ndoshta do të kërcejë … auëëëiiii…., auëëëiiii…..

I lidh litarët tek kumbulla e Kishës e mbi kolonën e murit dhe hidhet e hidhet përpjetë. Hopa – hopa…

Kur është i gëzuar Minella hidhet hopa-hopa me litarët e varrimit.

Aty ai ndihet zot.

Nuk e do papunë afër.

Hopa-hopa…zot mes qiellit e tokës.

Eshtë vetë zoti Minella.

Ndërsa kur mërzitet, ai luan hapa-dollapa.

I ngjan se fsheh një pjesë të dhembjes e brengave, një pjesë të së pamundurës, të së paarritshmes.

Por sot Minella marruku është tjetër.

Rebus.

Hieroglif.

Shkrim paleolit.

Stigmë.

Absurd.

Ai qesh me cdo qelizë auëëëiiii…., auëëëiiii….. dhe qan auëëëiiii…., auëëëiiii…..

Dicka i ka ndodhur Minellës, sepse ninëzat e syve të tij bëhen më të buta dhe ai të vështron gjatë, gjithë ngrohtësi. Pastaj befas të ngjan se brenda atyre ninëzave, sic formohen tsunamet e tmerrshme në thellësi, ashtu formohet edhe grushti i fortë i zemërimit të tij.

Ku është mali që t’i bjerë…?

Minella këmbëngul.

Sillet lart e poshtë rrugicës së kishës.

Ikën me vrap deri në mes të fshatit të boshatisur, pastaj vjen prapë.

Qesh e qan auëëëiiii…., auëëëiiii…..

Minella kërkon litarët e varrimit.

Litarët e varrimit i duhen patjetër sot…

Litarët e varrimit janë të mëndafshtë. Ato i sollën në fshat emigrantët nga Greqia. Nuk mbahet mend se kush. Hallë Maro thotë për Petron, xhexhe Cevia flet për Arqilenë, Lenica përmend me mburrje Mihalin.

Autorësia e litarëve të varrimit është ende temë bisede, grindjesh e mërie për nëntë plakat e fshatit. Ngjarja që solli litarët e varrimit prej mëndafshi sic thuhet këtyre anëve, mbahet mend.e tregohet. Atë vit, plakat e marsit e ngrinë pranverën tinëzisht.

Plakat e marsit sjellin fatkeqësi.

Janë ditët e para të passhkurtit.

Frynte erë brisk sa vithisi gjithë lisat e fshatit.

Dhjetë varre u hapën në fshat atë mars plakash.

Aty tek lëndina e arrave mbi lumë.

Se arrat e mëdha rrethojnë varrezat e fshatit.

Disa prej arrave qindravjecare, me degët e tyre gjigande, rrinë mbi kryet e varreve.

Frynte erë e bënte ftohtë.

I ftohti sikur dilte nga toka.

Nuk mbahej mend gjëmë e tillë.

As lufta e as kolera nuk solli dhjetë varre në një ditë.

Erdhën të dhjetë nga Greqia.

Kishte rënë tërmet andej.

Kufomat i sollën këndej.

I sollën vejushat e tyre.

Në tokë arkëmortet i ulte Minella.

Pas ceremonisë së gjashtë ndodhi hataja. Ndodhi ajo që nuk ishte parë e dëgjuar. Si në një mallkim të pakuptimtë, por të egër, u këputën litarët e vjetër. Litarët e vjetër ishin bërë me rrecka dhe me to zbriteshin arkëmortet në varr. Madje arkëmorti i të ndjerit Aristidh, iu ra burrave nga duart. Nuk u morr vesh se si. U tha se burrave iu ngrinë gjymtyrët.

A ndoshta qe ndonjë magji.

Nuk u dha asnjë spjegim.

U hap kapaku dhe pastaj u mbyll shpejt.

Mbi arkëmort u derdh po aq shpejt edhe një shishe verë.

U bënë edhe ca shenja të vecanta për të larguar ndjellakeqin. Mallkim…mallkim…psherëtinte hallë Maro të cilën e mbanin për supesh, kurse ndërkaq xhexhe Cevia corri me thonj faqet e bëri shenja të pakuptimta me gishta.

Mërzia e dhimbja shpërtheu me dënesa të papara. 

Fshati u mbyt në lotë.

Në varrimin pasardhës, dy muaj më vonë dikush, si për të larguar përgjithmonë kujtimin e hidhur të rrëzimit të arkëmortit, solli në fshat nga Greqia, litarët prej mëndafshi.

Litarë të fortë.

Litarë të bardhë, qarkuar me një vijë të zezë e të hollë midis.

Herë –herë këta litarë ngjanin me gjarpërinj toke.

Gjarpërinj të fundprillit kur toka nis e ngroh damarët e fryn sythet e frutave nën lëkurën e pemëve.

Këta litarë nuk këputen, tha atë kohë hallë Maro.

Këta litarë do rrojnë gjatë.

Si të ishin marrë vesh përbukuri me njëri-tjetrin, pa ndonjë urdhër të vecantë apo vendim komune, litarët mbetën në shtëpinë e të vdekurit të rradhës. Ky rit nisi nga funksionimi që herën e parë të përdorimit. Kujt i trokiste fati i keq i vakisë, shkonte atje merrte litarët, mbaronte punë, i lante, i pastronte, i thante dhe i vendoste në hajatin e poshtëm të shtëpisë. Litarët rrinin aty në pritje, në gadishmëri për vdekjen e rradhës. Ata që vinin nga Greqia me arkivolin e të afërmit, para se të hynin në shtëpi pyesnin:-kush i ka litarët ?  Kjo ishte pyetja më e rëndësishme për momentin. Merrnin përgjigje dhe kur u sillnin litarët, qetësoheshin. Kishin mbaruar një punë të domosdoshme.

Ndonjëherë litarët e mëndafshtë ia jepnin fshehtas edhe Minellës. Jo për punë, sepse litarët ishin vetëm për vdekje, por si shpërblim për ndonjë shërbim të kryer.

Minella donte të luante me litarët.

Me këta litarë që sot i kërkonte patjetër.

Minella i ka qejf litarët.

Litarët janë lodra e tij, gëzimi e gjithë bota e tij.

A e kuptoni se c’është bota e një marruku …?!

Minella i do litarët. Ai hidhet hop e hop me to. Litarët e bëjnë të lumtur. Minellën nuk e bën kaq të lumtur as casti kur ndjek gjelin e komshiut që hyn i patrazuar në qymez dhe, pasi e ndjek rrugicave e kopshtijeve të fshatit, e kap, e ngre lart dhe ia këput kokën hë,hë,hë,hë…..

Ja, ja,ja,ja…...i mburret vetes Minella.

Ai nuk është kaq i lumtur as kur e con gjelin e ndëshkuar paq tek Frosina, xhaxhesha që e mban në shtëpi, sepse i gjori është jetim dhe askush nuk e kujton qartë se cilët ishin prindërit e tij të vërtetë.

Minellën nuk e bën të lumtur as gjahu që bie rastësisht në leqet e ngritura. Në leqet që ngrihen ferrnajave, anash lumit Belicë.

As kur për fat leqet kapin ndonjë nuselalë.

Se në Palokastër ka shumë nuselala.

Ato rrinë të fshehura nëpër rrënjët e vidhave të vjetër, anash lumit. Futen vrimave përbrenda rrënjëve, në trupin e gërryer të pemës, ngjiten lart e presin të pashqetësuara castin e sulmit .

Janë kafshë inteligjente.

Nuk bien kollaj në kurthe e leqe.

Por Minellës nuk i duhet zgjuarsia e nuselalave, kafshëve të vogla me lëkurë të hollë e të shndritshme.

Minella kërkon litarët.

Litarët që ngjajnë me gjarpërinjtë e zinj të tokës.

Me gjarpërinjtë e fundprillit.

Ka gjithë paraditen Minella që kërkon litarët.

Qan e qesh… auëëëiiii…., auëëëiiii….. 

E gjuan edhe njëherë fort kambanoren e celiktë të Kishës dhe ia nis vrapit revan.

Kuturu.

Andej, këndej.

Sa i hanë këmbët.

Poshtë e lart.

Marruku i fshatit ka këmbë të forta.

Nuk dihet se sa kohë vrapoi revan, por kur lodhja e kish këputur, pa se ishte përfund arrave të fshatit, tek ura e hekurt mbi dy lumenj.

Dihaste papushim. Nuk ngopej me frymë. 

Pastaj mjegullisht vështroi …vështroi dhe …me një ulërimë ujku ra përmbys.

Përmbys në tokë.

E godiste tokën fort me shputat e duarve.

Si një egërsirë.

E gërvishte.

I rrëmbente gurët.

E godiste prapë.

Ulërinte si ujk i plagosur.

Gjeti një gur të stërmadh dhe e vërviti në lumë. Me vrik iu afrua urës. Urës. Atje…

Atje ku nëntë plakat e fshatit ishin ulur me gjunjët në tokë, e vajtonin.

Vajtonin me ligje.

Vajtimin e rrëmbenin menjëherë ujrat e dy lumenjve që rridhnin teposhtë.

Rridhnin grykës së Tepelenës, në udhën e zotit, drejt detit.

Fjalë nuk kishte në ato vajtime.

Kullonte vetëm dhimbja.

Vetëm mërmërima.

Minella u afrua edhe më. … …auëëëiiii…., auëëëiiii…..Nuk ishte as klithmë,  as hungërimë.

Qe dicka më e egër.

Si një shpërthim… si një rrokullisje gurësh përposh malit.

…ja,ja,ja….ja litarët…Rrotullohej. Rrotullohej Minella pa ditur se c’të bënte.

U afrua poshtë urës.

I c’nemitur.

I lodhur.

Gjunjëprerë.

Me gjuhën përjashta pa mundur të lëshojë klithmën. Frymëshpejtuar si kafshëz  kokëprerë. … auëëëiiii…., auëëëiiii…..  

Në litarët e mëndafshë lëkundej trupi i varur i Kostandinës.

Kostandina ishte nusja e re e fshatit.

E martuar dy vjet më parë.

Të gjithë e mbajnë mend dasmën e saj. Dasëm për kokë të dasmës. Një javë rresht s’pushuan violinat e klarinetat. Dollitë piheshin me fund për shëndetin e nuses së re e rakia u derdh lumë.

Nuse kaq të bukur nuk kishte parë fshati.

Peri.

Si amazonë deti, se Kostandina vinte nga fshatrat e bregut.   

E gjora.

I kishte dhënë fund.

Ishte ndarë nga hallet e brengat e kësaj bote.

Kostandina jetonte bashkë me vjehrrën, Fotinën, nënën e burrit. Burri punonte në Greqi. Emigrant. Pa fëmijë. Nuk e ndihmoi zoti. Dy vjet e barku i saj i tharë.

Pa fëmijë.

Pa lëvizjen e foshnjës që godet në ije…

Ndoshta ndaj…

Nëntë plakat vajtonin fatin. Sërish me mërmërima të zgjatura.

Shenjat tregonin se ajo qe varur në mëngjes.

E veshur me rrobat e nusërisë.

Trupi lëkundej lehtë prej erës që nisi të fryjë nga gryka e maleve.

Lëkundej e lëkundej, aty në urën mbi dy lumenjtë që formonin shenjën V të fitores.

Kur askush prej plakave nuk e kish mendjen, Minella hypën mbi urë. I afrohet trupit të pajetë dhe e ngre lart. Me kujdes, me kujdes tërheq litarët e mëndafshtë.

Vec ta kishit parë marrukun ato caste !

Ishte i gjithi dhembshuri.

I gjithi djalëri.

I gjithi zemër.

I gjithi atësi.

E  mbante në duar atë trup të pajetë, si të kishte një foshnjë të sapolindur. Ecte mbi urë si të shkelte mbi gjëlpëra. Me trupin e Kostandinës në krahët e fortë.

Minella …

E solli pastaj tek plakat.

Në anë të urës.

E uli lehtë.

Plakat ngritën sytë e lagur.

E panë.

U mekën.

Heshtën.

Pushuan vajet.

Vetëm gryka e luginës oshëtinte ende.

Iiiiiiiiiiiiii………………..iiiiiiiiiiiiiiiiiii….zërat e vajtojcave.

Plakat e rrethuan meiten, ndërsa Minella iku.

Iku dhe nuk u duk më. Sikur e përpiu dheu. Apo ndoshta lumi…

Pastaj plakat me futatë e zeza e shamitë e kokave bënë një vig. E ngritën dhe e morën me vete Kostandinën në fshat.

Dhe era u lëpinte leshrat e bardha.

Plakat e varrosën vetë Kostandinën një ditë më pas.

Askush nuk e mësoi të vërtetën e saj. Të vërtetën se ku e harxhoi rininë e saj Kostandina. Si në një besëlidhje të motmotcme, nëntë plakat u betuan se nuk do të rrëfenin as ikjen e mistershme e pakthim të Minellës, marrukut të fshatit…               

Minella …aui…..aui…iiiii….



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora