E premte, 26.04.2024, 04:06 PM (GMT+1)

Kulturë

Flet kritiku Enver Bytyçi: Ja disa refleksione rreth librit “Historia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”

E enjte, 15.09.2011, 07:27 PM


Konceptet e praktikat anarkiste, t’i zevendësojmë me konceptet evolucioniste

 

Nga Albert ZHOLI

 

Para disa ditësh në ambientet e MTRKS u përurua libri i mrekullueshëm “Historia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Në këtë libër  çdo kush mëson një histori përpjekjesh të panumërta për të ndërtuar një shtet të konsoliduar e demokratik, një shoqëri të lirë e moderne dhe një botë të vlerave e virtyteve. Libri, të cilin na e ka sjellë në shqip përkthyesi i talentuar Ukë Zenel Buçpapaj, është libër i historisë së një kombi të ri e të vjetër. Për këtë libër morëm këto mendime nga kritiku Enver Bytyci.

 Çfarë përbën për preceptimin tonë SHBA si shtet i fuqishëm?

Amerika e vlerave dhe e shpresave të lirisë ngjizë në përceptimin tonë (vendi i parë në botë për nga fuqia ekonomike por kryesorja në respektimin e të drejtave të njeriut), një fizionomi të re të ndërtimit të shtetit,  ndërtuar sipas filozofisë së humanizmit. Liria njerëzore, të drejtat themelore të njeriut, vetëqeverisja, vetëvendosja, respektimi i vullneteve njerëzore janë vënë në themel të këtij shteti e të kësaj shoqërie që më 1776, atëherë kur ishte shpallur pavarësia e SHBA-ve.

 

Çfarë përfundimesh na dalin nëse lexojmë këtë libër?

Nëse lexojmë këtë libër atëherë ne do të dilnim në disa përfundime shumë të rëndësishme:

Së pari, përmes këtij libri si dhe përvojës historike të zhvillimit dhe progresit amerikan studiuesit venë re faktin se Amerika e sotme është ngjitur në majat e zhvillimit politik, ekonomik, financiar, kulturor e moral për shkak të një mekanizmi shumë të rëndësishëm, evolucionit. Histotia e Shteteve të Bashkuata të Amerikës na shfaqet në libër dhe na jepet si shembull si histori e zhvillimit evolucionist. Duke pranuar këtë të vërtetë historike, vendeve që kanë pasur për gati një shekull një histori revolucionesh ose luftërash civile si vendi ynë kanë se c’ të mësojnë nga nga ky vend i madh i vlerave të papërsëritshme civilizuese, në të cilin kurrë ndonjëherë në 235 vjet pavarësi nuk ishte rrëzuar pushteti me dhunë. Historia e këtij vendi të madh duket se na jep mesazhin e patjetërsueshëm se janë parimet kushtetuese në pajtueshmëri me interesat material e morale të shoqërisë ato që e bëjnë një vend të qëndrueshëm e stabil, një vend në paqe me vetveten e me të tjerët. Nga ky libër si dhe nga përvoja historike e kombit amerikan ne shqiptarët kemi arësye të shumta të hershme dhe të sotme që të mësojmë për ta zevendësuar ideologjinë dhe filozofinë e revolucioneve me parimet dhe vlerat perendimore amerikane, që konceptet e praktikat anarkiste t’i zevendësojmë me konceptet e zhvillimit evolucionist modern të shoqërisë bazuar në shtetin e së drejtës dhe në parimin e pavarësisë së pushteteve në një sistem demokratik, që ne po ndërtojmë.

Së dyti, Historia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës na jepet përmes këtij libri si një histori e bashkëjetesës së të gjithë amerikanëve pavarësisht nga rracat, ngjyrat, prurjet nacionale e kështu me radhë. Në këtë cilësi të re të civilizimit njerëzor të shfaqur në SHBA ne shqiptarët kemi marrë jo pak eksperiencë nga Amerika e madhe. Historia unikale dhe sjellja e shqiptarëve me hebrejtë, bashkëjetesa e mrekullueshme fetare, trajtimi me respekt i pakicave në Shqipëri janë vetëm disa nga elementët pozitivë që ne rrezatojmë në botën e sotme, madje më mirë se cdo vend tjetër europian, e në një rajon me histori të dhimbshme sa i përket këtyre marrëdhënieve. Por ndërsa nga libri i historisë amerikane mësojmë se këto cilësi dhe virtyte në Amerikë janë edukuar e vitalizuar si rezultat i respektimit të vlerave demokratike të një shteti mbi dy shekullor ligjor, nga libri i historisë sonë kombëtare mësojmë se vlera të tilla te ne janë atribut i kodeve morale të popullit  dhe kombit shqiptar. Nëse ne do të mësonim në shembullin amerikan që respektin për  njëri-tjetrin ta përconim përmes një procesi transformues të vendit në një demokraci të zhvilluar e të mirëfilltë, atëherë sjellja jonë politike, morale e filozofike do të shndërrohej në një forcë lëvizëse zhvillimi e përparimi të paimagjinueshëm. Botimi I këtij libri na jep dhe njëherë shansin që të mësojmë nga përvoja amerikane e promovimit dhe vitalizimit të vlerave të lirisë në shoqëri. Pa një shoqëri të edukuar me shtetin e së drejtës dhe ligjet e tij demokratike, pa respektin reciprok ndaj të drejtës shtetërore dhe të drejtave të qytetarëve ka rrezik që ato vlera civilizuese e humane që ne i kemi trashëguar nga kodet morale të shoqërisë sonë të dobësohen e shkatërrohen.

Së treti, duke lexuar librin “Historia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës” ne shohim se në Amerikë një rol të jashtëzakonshëm kanë luajtur individët me vision dhe kapacitete të mëdha për fatin e kombit amerikan. Që nga Xhorxh Uashingtoni e Jefersoni, te Abraham Linkolni e presidenti Uillson, e deri te presidentët e kohëve të sotme, Regan-Bush Senior-Klinton-Bush Junior dhe Obama, shohim në vijimësi zhvillimin hapa pas hapi të kombit dhe shtetit amerikan. Në Amerikë historia na jepet si një vijimësi ngjarjesh, epokash, ndodhish dhe kthesash të mëdha shoqërore. Në Amerikë historia nuk na shfaqet si ujë në një shishe, por si një det dhe oqean i pafund. Ndërkaq, në vendet ku ka sunduar teoria dhe filozofia e revolucioneve, pra edhe te ne në Shqipëri, historia është shkruar si histori e mohimit të një kohe dhe e glorifikimit të një kohe tjetër. Vendi ynë po e vuan fatkeqësisht këtë sindromë edhe në ditët e sotme, duke shfaqur në disa raste filozofinë e mohimit dhe të nihilizmit.

Dhe së fundi, do të doja të përmend faktin se ne shqiptarët jemi e do të jemi krenarë që në fund të shekullit të XX e fillimin e këtij shekulli jemi bërë pjesë e historisë së kombit më të madh, më të zhvilluar e më të civilizuar të botës moderne, pjesë e historisë së kombit amerikan. Nuk  mund të shkruhet për historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës pa përmendur rolin e saj udhëheqës në fushatën ajrore të NATO-s kundër ish-Jugosllavisë me qëllim clirimin e Kosovës dhe lirinë e saj. Por pjesë e studimeve historike do të jenë marrëdhëniet intensive midis SHBA-ve nga njëra anë dhe Shqipërisë, Kosovës e vendeve të tjera të rajonit në periudha të ndryshme, sidomos pas shembjes së perandorisë komuniste, nga ana tjetër. I gjithë procesi i zhvillimeve demokratike normale në Shqipëri nuk do të mund të shpjegohet pa lidhjen e tyre me procesin emarrëdhënive të ngushta midis kombit e shtetit amerikan si dhe kombit e shtetit shqiptar.

 

Çfarë mesazhi përcillet në këtë vepër ?

Atë që, Historia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës , (siç del dhe nga ky libër i përkthyer me aq mjeshtëri nga shqipëruesi Ukë Zenel Bucpapaj), është histori e mësimeve dhe reflektimeve të mëdha për shoqërinë shqiptare dhe udhëheqësit e saj të kohës së sotme moderne. Historia e Amerikës na shfaqet si histori e një filozofie të respektit, të paqes, të zhvillimit evolucionist, të harmonisë në kundërshti, si histori e zgjerimit të të drejtave të popujve, të kombeve, të qytetarëve deri te individi dhe grupet e interesit. Ajo na vjen përmes këtij libri si histori e bashkëjetesës së të kundërtave dhe alternativave për zhvillim. Ndërkohë që në këtë libër janë shkruar edhe dështimet, gabimet dhe defektet, përmes të cilave lexuesi do të qëmtojë mënyrën evolutive e reflektive të korrigjimit dhe vetëkorrigjimit, çka e ka bërë vendin më të madh të demokracisë në botë një vend të bekuar, të dëshiruar dhe të respektuar në të gjithë globin.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora