E premte, 26.04.2024, 01:50 AM (GMT+1)

Kulturë

Ramiz Bojaj: Cikël poetik nga libri "Lot mbi muranë’’

E marte, 13.09.2011, 07:57 PM


Ramiz Bojaj, u lind me 20 nëntor të vitit 1974 në Kërrnicë të Klinës. Shkollën fillore dhe të mesme i mbaroi në vendlindje dhe në Klinë, fakultetin e filologjisë e mbaroi në UP, dega “Letërsi dhe gjuhë shqipe”. Me shkrime letrare merret që nga mosha e re. Ramiz Bojaj, për gjashtë vjet ishte redaktor dhe kolumnist në të përditshme “Bota sot”. Aktualisht është analist politik në të përditshme “Kosova sot”, dhe bashkëpunëtor me të përditshmet shqiptare, “Koha jonë”, “Gazeta-55”, “Koha”, Shkup dhe me redaksinë elektronike “ZemraShqiptare”. Aktualisht është drejtor për marrëdhënie me publikun në Institutin për Studime dhe Analiza të Politikave Ekonomike në Prishtinë. Autori është anëtar i Federatës Botërore të Gazetarisë IFJ dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Për punën dhe angazhimet në lëmin profesional ka marrë një mori çmimesh për letërsi dhe gazetari, si poet i vitit, gazetar i dalluar etj. Shkrimet e autorit janë botuar edhe në mediat e huaja, si në BBC, VOA, EVL etj. Autori jeton dhe vepron në Prishtinë dhe në Phoenix-Arizona të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ka të botuara përmbledhjet me poezi “Lot mbi muranë” dhe “Heshtja e muzave” si dhe bashkautor në shumë vepra studimore dhe hulumtuese.

 

 

Ramiz BOJAJ, Poezi

 

 

KRONIKË E SHEKULLIT TIM

 

Kur njeriu vrau qenësinë e tij

Fëmija pas një zogu rivritej përsëri

Nga mallkimet e etnisë

 

 

PARANTEZË

 

Kur ndjeja lotët e parë

Më priste fundi botëlindur

Thikat e ortodoksisë

 

Buzëhollë etjeje

Njelmoseshin pikimet murim

Se kuptoja pse me prenë belbëzimet

Fjala mbetej ne fyt plot qumështim

 

Lotët në faqe pikonin ëndërrmerzitur

Unë përkëdhelesha akullisht

Në kohtë të nxirë futë

Ku liria e plumbi lindnin bashkë

 

 

KOSOVË

 

Një pikë shi pikon mbi ty

Nga qielli i hapur

 

Pikëkuqe që rrjedhin si lumë

Oqean lotësh

 

Belbëzimi i parë hijeshon biografinë tënde

Me emrin ILIR

 

Dardani a Shqipëri

Lulekuqe e qelur në horizont…

 

 

GONXHES

 

Rritur në mimiuka nina-nënash arbërore

Etjen shove në ujin e bokave të lashta

Uratë Dardanie jetësi në Kalkutë

Nënëmadhe e bëmirësisë së përbotshme

Njomë buzët shkumb në oqeane lotësh

Yll drite në zemrat e thyera të botës së egër

 

Ëndërr universi mbuluar me dashuri

 

 

ARBDHE

 

Të ndjeva në zemër

Mishërim gjaku

Arbdhe

Planeti im

Deti im

Lindja dhe varri im

 

Dashuri e pafund më je

Më e zjarta më e flakta më e bardha

Mes jetës dhe amshimit

 

 

JETO ME MUA

 

Merr ujë nga vorba ime prej balte

Bukën merre nga qerepi im

Mbi shkrepa të ashpra trimërore

Në kodra të vrerëshme

Endu si kalorës I vjetër ilir

 

Jeto nga gjaku I fisit tim të lashtë

Në qenësi universi-fitimtar

Unë e ti jemi një

Përse nuk ma thua këtë…

 

 

ME DASHURINË TËNDE

 

Ma jep një yll

Nga qielli i botës sime

Të ngroh zemrën, vetëm një qast

 

Ma jep hënën

Të ledhatoj mbrëmjet e vona

Heshtje vrarë

 

Ma jep një rrezediell

Të ngroh tërë trupin tim plagëhapur

 

Një lule qe dua ma jep

Kurorë universi të bëhëm

 

Ma jep një puthje

Të vdes mbi dashurinë tënde të përhershme

 

 

PORTRET NË ZEMËR

 

(Major Feriz Bojajt, luftëtarit të Shaban Polluzhës)

 

Kujtim fisi në faqe historie

Në teatrin e shkujve tragjik

Ku digjej e përvëlohej zemra e fisit

Shqipe flakëpërgjakur

Mes grilave sllavërie

Ngurtësuar në mish e gjak arbëtari

 

Mëngjeseve kur qel rrezeagu

Stinëve mushtin ua merr

 

Jeta jote lapidar lirie

Homazh të bëjnë kohërat

Betejat lulëkuqet

Rrugëtimi yt flijim

Zemër që frymon

Liri për brezat

 

 

SUPERKOHË

 

Supernjeriu modern

Me intuitë supervdekjeje

 

Lindje e thjeshtë vdekje primitive

Në kohëra mizore

 

Për hirin tënd

Flijim çdo fundshekulli

Botë e grisur

 

 

PORTO ROMANO

 

Vjetërsi motesh shkelur

Porto romano

Rrethim xhemboresh

Guaca ngul thellë në baltën e zezë

Ëmbëlsi valëdeti

Dallgëplasë tmerr dhe bunker

 

 

FATI IM

 

Nga jeta në jetë

Me vendin tim

Me lotin tim

Me gurin tim

Me ashtin tim

 

Qëndisur me gjak

Libri im

Ashti im

 

Arkeologji e thyer

Në shekuj jetim

 

 

LOT MBI MURANË

 

Në gjirin tënd muranë

Qumësht erdha të pi

Qumësht që shëron përgjithmonë

Pamjen e syve të mi të verbuar

Stinëve të djegura nga malli

 

Kur të dua ty përlcet djalli

 

Muranë në zerën dhesisë

 

Muranë e gjakut

Muranë e jetës

Muranë e vdekjes

 

 

EKSPOZITË E HAPUR

 

Muze vrimash me skeletal kafkash

Me dhimbje harresash e lot

Krimbat ia shponin ashtin odiseut

Në zgavrat e qelura vallëzonin orgjitë

Në rrugët e djegura shkrumb e hi

 

Renkonte qielli mortor

Kafkat kullonin gjak pa ndalë

 

Ftesë për liri shekuj e shekuj

Ekspozitë e hapur qiellit

Mbi Kosovë

 

 

LIRIA E RREMË

 

Vrarë më ka qenësimi im

Kur imitonim lirinë e rreme

Kur me shpjegonin në hartë

Copat e ndara të atdheut

 

Një det urrejtje tinëz më mblidhej në shpirt

Të pëlcas thosha

Ndonëse gati isha i vrarë

 

Vdekja ishte vrarë qindra herë

Por edhe dashuria ime e vjetër

 

I huaj bëhesha në tokën time

Në pragun tim me baltë

E hile kurrë nuk kasha për be

Me bukë e lotkripe të nënëlokës së plakur

Bëhesha ANTE…

 

 

ÇAMËRI

 

Shpirtë i gjallë betejave flijim

Heshtja se ndinte peshën e fajësisë

Kur nëntoka e verbër ia thithte gjakun bijve të çmerisë

Mbi tempujt e përgjakur të arbërores së lënduar

 

E lotova historinë e lashtë

Gjurmë gjaku të tharë

I etur nga plagomat e trupit tim

 

Për një emër lirie

Historinë e lava sërish ma gjakun tim të njomë

 

 

Legjendë

 

(Kur harrohet të vdiset)

 

Xhamadani lëshuar krahëhapur

Shekujt rëndonin zvarrë në qafë

Baladat shkruheshin në ballin e burrë dheut

Frengjitë dritonin shtegtim guri

Netët nevrastënie plasnin ç’do natë

Gurët bëheshin prush kulla zjarr

Fytas kapëshin mitet e rremë

Shigjetat ngulur në kullë gurë

Rrufetë zjarr shuheshin në valë gjak

Shqipja nxirrte kthetrat në folenë e vet

Neperkat vargoheshin zvarrë në lëvozhgat e trungut të vjetër

Zogjtë e posaçelur merrnin forcë e krye

Fjalët dritëronin në kullë

Shkronjat alfabetonin thëmele shekulli

Lehtarët binin në tokë për vdekje

Kohërat e palara jargonin puthjet dhëmbë thyer

Motet nuk dinin të falnin kurrë…

Shpirtë pafajësie lëshonte shtat në rritëdjep

Në krahëror shkruheshin një fjalë biografi

Shqipja flakëronte lirshëm mbi kulm në flamur

Asht e kafkë kullonin gjak motërzimesh

Trup mbështjellë aromë toke të vjetër

 

(Kjo poezi u kushtohet hernjove në Prekaz të cilët u bënë pranverë të lirisë shqiptare)

 

(Marrë nga permbledhja potike: “Lot mbi muranë”, botuar nga SHB, ‘Kadare’, Prishtinë-2003)



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora