E shtune, 11.07.2020, 06:11 PM (GMT+1)

Plus » Shoqëria

Nga bulevardet e lypjes në pasarelat e bukurisë

E merkure, 28.12.2005, 10:40 PM


Ajo, vetëm kohë më parë ishte një vajzë e vockël, me një trastë hedhur supeve me dorën të shtrirë, që bridhte në tërë rrugët e qytetit. E imët, vetëm 9 vjeç, me sytë që shponin si turjelë, të lyera si me blun e detit, ishte vajza që njihej nga të gjithë si “lypësja e vogël me sy bojqielli”. “Lypësja”, ishte emri i saj edhe pse ajo quhet Diana dhe ka një emër kaq tingëllues. Po njerëzit kishin të drejtë teksa e thërrisnin në emër të profesionit që bënte, atë të lypëses. Ajo nuk ishte një lypëse e rëndomtë, e ulur diku në qoshen e rrugës duke pritur me dorën zgjatur të dyqindë lekëshit, që njerëz të veçantë mund t’i hidhnin. Jo, ajo ishte një vajzë që i binte qytetit, kryq e tërthor sepse nuk kishte si qëllim të mblidhte aq sa i falnin.Në shtëpi kishte “tutor” vetë babain, që i caktonte normën ditore të fitimit, se ndryshe do gdhihej jashtë portës edhe pse mund të ishte acar e të binte shi si litar. Babi “tutor” nuk falte. Lekët e vajzës së vockël, të nesërmen i kthente në gota rakie në klubet e qytetit, duke u bërë thumb. Asnjë lekë vajzës që i mblidhte me dorën e shtrirë në bulevardet e qytetit. As shkollë as shtëpi. As shkrim as lexim. Ajo ishte ideale për botën e krimit dhe gjahu më i mirë për ustallarët, që dinë ku i dërgojnë vajza të sërës së Dianës, pa përkrahje dhe pa asnjë njeri që të kujdesej për të. Po historia e saj si një vajzë e bulevardeve, imcake, gati duke u këputur nga rrugët dhe kilometrat që detyrohej të bënte, ajo një ditë do ta shihte veten në një parajsë. Për Hirushen e vockël, do hapej një portë që as e ëndërronte. Dhe ajo, personazhi tipik i lypësit të qytetit, që kur nuk arrinte të mblidhte kuotën e detyruar fillonte të shiste ato që i kishin falur, misra, domate apo shegë, do të kishte një jetë tjetër. Diana Lleshi, pas një odiseje të gjatë do të shkonte në shtëpinë e fëmijës në Sarandë. Ajo është një nga dhjetë vajzat që sfiluan ditë më parë në një konkurs bukurie, organizuar në Shtëpinë e Fëmijës, në qytetin e Sarandës. Mbi hiret e saj vajzërore u vu fasha e “Miss Eleganca” dhe ky ishte një emocion më shumë për të gjithë. Për arsyen e thjeshtë se rruga e saj drejt pasarelës së bukurisë, është shumë e ndryshme dhe e veçantë nga e gjithë të tjerave. Në se të tëra kanë të përbashkët një dramë a fatkeqësi në jetë, fati i Dianës ka qenë edhe më i zi se gjithë të tjerat. Ajo është jetime me prindërit gjallë. Ajo vjen nga një familje me prindër të divorcuar, të braktisur nga nëna, e cila qëkurse e lindi as nuk e di ku e ka. Diana mbeti e vetme me babanë. Mendoni, një baba që pas kësaj traume familjare ndaj detyrimit për të mbajtur dy fëmijë, mes të cilëve njërin të sëmurë me leuçemi, depresiv i dhënë i tëri pas pijes, që e ka shndërruar në shpirtkazëm edhe ndaj krijesave të veta. Këtë mënyrë të sjelluri ka rezervuar ai në vite, për Dianën e rritur më shumë rrugëve. Ajo nuk njohu krevat, as shtroje e mbulesa si gjithë të tjerët. Me një fustan triko-leshi deri në fund të këmbëve, sillej rrotull cep më cep të qytetit si një hije që rrëshket qosheve të mureve, ca nga frika e të jatit e më shumë për të mos rënë në sy të atyre, që ajo i kishte frikë pasi e shanin që bridhte ashtu tërë ditën edhe pse nuk ia dinin hallin dhe dhimbjen që e brente. Vajza trupimët, e ushqyer dhe e veshur keq, me dorën e nderur për lëmoshë, ishte “personazhi” që rrugëve më të rrahura të qytetit e shikoje të niste “punë” sa zbardhte dita deri në orët e natës së vonë. Me një trastë hedhur supit, sepse ajo ishte “tryeza” e ushqyerjes së saj dhe me lutjen në gojë për t’i hedhur ndonjë lekë. Kur e nisi këtë “mënyrë jetese” vite më parë, ishte vetëm 9 vjeçe. Ndjenja e turpit, për atë që ishte duke bërë nuk e linte të hynte nëpër mjedise “burrash”në lokalet. Po halli e detyronte të shkelte mbi veten, se darka afronte dhe i ati i saj priste para pragut të derës me shufrën e thatë në dorë. Disa herë në ditë kalonte nëpër rrugët me njerëz, në shëtitore. E duke qenë natyrë e çelur, e çiltër dhe e vuajtur njëherësh, hynte edhe në bisedë me njerëzit, që kishin nisur ta mëshironin dhe ta donin njëherësh. Me ata që shihej përditë e u mësonte edhe emrin, në naivitet e sipër, ua thoshte atë që ishte dhimbja e saj: Babai ishte “punëdhënësi”, që nuk falte. Ultimatumi i tij i hekurt ishte: Të mos i vinte vajza në shtëpi pa 15 mijë lekë në xhep. Dhe ajo rropatej ta bënte këtë “normë”. Mblidhte me qindarka lekët, që kalimtarët i jepnin në shenjë dhembshurie për fatin e vajzës. Por çfarë hynte në xhep ishte “për llogari” të babait, prandaj ajo shihte të hidhte në torbë diçka: një biskotë, një mollë, një domate, pak djath a copa buke thatë, që të mund të ushqehej. Qindra njerëz e shihnin Dianën në këtë ritual. Madje jo rrallë e gjenin ta kishte mundur gjumi nën shkallët e pallateve, apo në stolat e lulishteve nga që derën e shtëpisë e kishte të mbyllur, pse nuk kish mundur të plotësonte kuotën e kërkuar të lekëve. Dhjetëra “dhurues” në ditë, mendonin se i bëheshin krah në hallin e saj duke i ofruar ndonjë lekë më shumë. Po të tjerë, nuk menduan kështu. Një organizatë e gruas e mori vajzën nën kujdestari. Përgjegjësia e kësaj organizate në bashkërendim me bamirësin e huaj, Riharrd, pasi kishin kohë që dinin për jetën e saj, thonë se i kishin mundësitë t’i jepnim më shumë lekë apo ushqime se kushdo tjetër, që e haste vajzën në rrugë. Por, menduan e vepruan krejt ndryshe. Trokitën në Shtëpinë e Fëmijëve në Sarandë, bisduan dhe mundësuan që ajo shtëpi të bëhej edhe shtëpia e saj. - E morëm nga rruga, e drejt në institucion,-tregon Elida Vogli, drejtore e Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë,- duke e nxjerrë nga kthetrat e babait-punëdhënës dhe bredhjet e rrugëve për pesë lekë. Me bujari, kjo shtëpi i hapi dyert dhe e bëri pjesë të vetën. Drejtuesit e Shtëpisë së Fëmijës, tregojnë se pas kësaj, babai shtirej prind i dhembsur dhe u mbetej në derë. Kërcënonte dhe vajzën dhe ajo largohej e fshihej në qoshet e ndërtesës. Dhe i ati ikte, për t’u kthyer përsëri. Po jeta e vajzës 12-vjeçare kishte marrë tjetër rrugë. Ajo ishte në familjen e saj të re, të madhe dhe me shumë shoqe e shokë. Atje filloi të ndihej mirë. Të vishej ndryshe. Të shkonte në shkollë dhe siç thonë mësuesit, për të duhet gjetur mundësia e kapërcimit të viteve, se vajza ka dije sa mosha e vet dhe jo në klasën që është ulur. Po kjo do të ishte njëra anë. E veçanta e Dianës është se ajo është edhe një vogëlushe e bukur, e cila më parë ishte fshehur poshtë zheleve dhe trastës që i varej deri tek këmbët. Një bukuri të tillë, e dalluan vet shoqet e saj që ditë më parë e ftuan në pasarelën e bukurisë, në një konkurs që vetë shtëpia organizoi. Dhe këtu ajo ndriti si një yll i shkëputur nga lartësitë. Bukuria dhe zgjuarsia e vajzës, që la bulevardet e lypjes u shpërblye në pasarelën e bukurisë si më elegantia dhe e bukura mes shoqeve të saj. Para Hirushes Diana, fillon tani një jetë tjetër.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Entela Binjaku: Denonconi dhunen kunder gruas


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora