Faleminderit
Murat Gecaj: I jepet lamtumira e fundit, atdhetarit dhe shkrimtarit të shquar, Sulejman Krasniqi
E diele, 17.07.2011, 08:05 PM
I JEPET LAMTUMIRA E FUNDIT, ATDHETARIT E SHKRIMTARIT TË SHQUAR, SULEJMAN KRASNIQI
Nga: Prof. Murat Gecaj
Publicist e studiues-Tiranë
1.
Në mëngjesin e ditës së djeshme, u shua përgjithnjë, në kryeqytetin Tiranë, shkrimtari i shquar nga Kosova, Sulejman Krasniqi. Jam njohur me të shumë vite më parë, kur në Shqipëri sundonte regjimi monist dhe ai ishte student e unë punoja në shtypin e fëmijëve. Por edhe më tej, në shoqërinë e disa të njohurve tanë kosovarë, ne kemi mbajtur lidhje e kemi patur respekt të ndërsjelltë. Bile, ruaj dhe botime të tij, me shënime dashamirëse. Prandaj edhe unë, e kam kujtuar dhe do ta kujtoj atë përherë, me nderim e dashuri të veçantë.
Kohët e fundit, kisha dëshirë ta takoja përsëri Sulejmanin dhe iu drejtova me një mesazh të bijës, Albanës, në Gjenevë, nëse kishte ndonjë adresë të tij Interneti. Me korrektësi, ajo m’u përgjigj se ai nuk kishte dhe se ndodhej në gjendje të rënduar shëndetësore. Sigurisht, u pezmatova për këtë gjë, pasi mora vesh se, miku im i mirë dhe shkrimtari i ndjenjave të pastra atdhetare, po vuante. Sigurisht, atëherë nuk e dija që, pas disa ditëve, pra pikësrisht sot, do t’i ngushlloja për të jatin, Albaën e Sokolin dhe bashkëshorten e tij.
2.
Në bisedat me Sulejmanin, por dhe nga leximet, kam mësuar se ai ka lindur më 7 dhjetor 1937, në Hoçë të Vogël, të Komunës së Rahovecit të Kosovës. Mësimet e para dhe ato të mesme i kreu në vendlindje. Për ndjenjat e tij atdhetare, rregjimi serb e burgosi, duke e akuzuar se dëshironte që Kosova të shkëputej nga Serbia dhe të bashkohëj me Shqipërinë. Për këtë arsye, më pas ai erdhi këtu dhe e dërguan për të jetuar në Lushnjë! Më tej, ndoqi e kreu studimet, në degën gjuhë-letërsi shqipe, të Universitetit të Tiranës (1963-1967). Me pasionin e njeriut të punës e profesionit, shërbeu pa u lodhur, mësues në rrethet Mat e Tiranë, deri sa doli shkrimtar në profesion të lirë.
Emri i Sulejman Krasniqit u bë shpejt i njohur, në Shqipëri e jashtë saj, si me artikujt e shumtë në shtypin e kohës, por dhe me librat që publikoi. Në të gjitha ato, binte në sy theksi i veçantë atdhetar dhe dashuria e malli për vendlindjen. Botimet e tij u vlerësuan, duke iu dhënë Urdhëra Pune e “Çmimi I Republikës” (1981), për librin kushtuar “Heroit të Popullit”, Bajram Curri. Më pas, ai e vazhdoi veprimtarinë e tij botuese, edhe kur ishte i rënduar nga gjendja shendetësore.
Një nga librat e shumtë, nga S.Krasniqi
Kur shohim skedarin e Bibliotekës Kombëtare në kryeqytetin Tiranë ose shfletojmë libra të Sulejman Krasniqit, mësojmë se titujt e tyre janë të shumtë e të larmishëm, shumica me temë atdhetare. Ja, për shembull, po përmendim vetëm disa prej tyre. Ndër veprat e këtij shkrimtari të njohur renditen edhe: "Tri motra, tri histori", "Në shpellën e banditëve", "Qielli i përflakur", "Prijësja e komitëve", "Beteja të nëndheshme", "Mic Sokoli", "Besëlidhja shqiptare", "Pushka top, o Bajram Curri", "Dardanët", "Heronjtë e borës", "Oso Kuka", "Shqiptarofobia e serbomëdhenjve", "Njeriu, dy herë i pushkatuar" e "Belbacakja". Po kështu, në vitet e fundit, publikoi librat: “Europë, deri kur do ta keqpërdorësh durimin e Kosovës” (Tiranë, 1996), “Rapsodia e kosovares”, roman në vargje (Prizren, 1999), “”Makthi i hijeve” (Tiranë, 2000), “Rebeli i bajraqeve” , roman (Tiranë, 2000), “Jetëshkrim…”(Tiranë, 2011).
3.
Lajmi për vdekjen e shkrimtarit të njohur Sulejman Krasniqi, pas një sëmundjeje të gjatë, u bë i njohur qyshë dje, përmes stacioneve radiotelevizive të Shqipërisë dhe sot përmes gazetave të përditshme. Me këtë rast, një mesazh ngushëllimi i dërgoi familjes, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi. Gjithashtu, ai shkaktoi pikëllim edhe në Republikën e Kosovës. Nga atje, Kryeparlamentari Jakup Krasniqi dërgoi një mesazh, ku thuhej, ndër të tjera: “Sulejman Krasniqin e ka bërë të pavdekshëm veprimtaria e tij jetësore dhe trashëgimia e pasur letrare, që u ka lënë brezave të Atdheut të tij të dashur”.
Për ta nderuar jetën dhe veprën atdhetare e letrare të Sulejman Krasniqit, nga ora 12.00-14.00, e ditës së sotme, trupi i tij i pajetë u vendos në hollin e Muzeut Historik Kombëtar, në Tiranë. Me këtë rast, erdhën për t’i bërë atij nderime dhe për ta ngushlluar familjen: miq, kolegë e të njohur të shumtë; shkrimtarë, arsimtarë e artistë; personalitete të jetës politike e shoqërore; nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj. Gjithashtu, erdhën Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulëzim Basha, përfaqësues të partive politike e tjerë.
Mbi arkivolin e të ndjerit u vendosën kurora të shumta dhe buqeta me lule të freskëta. Ndër to, ishte dhe kurora e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Pastaj u zhvillua ceremonia e rastit, në Varrezat e kryeqytetit.
Kryeministri Sali Berisha, duke ngushëlluar familjarët e Sulejman Krasniqit