Kulturë
Istref Haxhillari: Zyhdi Morava
E hene, 04.07.2011, 07:58 PM
Zyhdi Morava
( In Memoriam )
Një vit më parë u nda nga jeta Zyhdi Morava, nga të rrallët poetë e shkrimtarë të vërtetë, pinjollë të kohës së trazuar me kthesa e të papritura pafund. Nuk do të ndryshonte asgjë nëse do të thoshim “ më 10 korrik 2010 u nda nga vdekja Zydi Morava”.
Sepse vdekje ishte kaherë zia e mllefet që i mbivendosën sa ishte gjallë.
Tani pas një viti ai u bë nga ata njerëz që e kanë njëlloj të ndritshme edhe praninë, edhe mungesën, dhe të cilët, për fat të keq, të detyrojnë t’ua kujtosh lavdinë vetëm pasi ikin së këtejmi.
Kur e takuam vite më parë me mikun e përbashkët, poetin pogradecar Eduart Sulollari, portreti i tij i lartë, pamja prej mendimtari dhe lëvizjet energjike më lanë mbresa që nuk u shlyen asnjëherë. Edhe këshillat prej mjeshtëri, të cilat ia kërkova me druajtje dhe m’i dha me dashuri e inkurajim prej miku të mençur. Më ndihmuan tejmase të mposht heshtjen zyrtare, pamundësitë për të botuar dhe këshillat e të paftuarve. Në këtë kuptim prozat e mia të librit “Bari i ujkut” mbajnë vulën e mendimit të Zyhdi Moravës.
Nuk arrita ta takoja më.
Ështe bërë gati ves që, tek përshkruan kohën e dikujt me emër, autori të nënvizojë tërthorazi panele që pandeh se nuk çmohen sa duhet. Mirëpo rasti Zyhdi Morava i dëbon vetiu të gjitha hamendjet, me talentin e veçantë, krijimet poezi e prozë, përpjekjet e pashoqe për të ringritur strukturat letrare të Shqipërisë, për të ndihmuar e promovuar më të rinjtë, ku u ngujua e vigjëloi për disa vite me radhë, si te kryet e një shoqërie që as rron, as vdes, po humb gjithësesi mëshirën e mirëkuptimin ndaj shpirtrave të zgjedhur.
Vështirë t’i ketë njohur tjetërkush më mirë ato thellësi shpirti ku historia nuk është veçse lojë teatri, që rëndom, për shkak të mendjengushtësisë e ateizmit, mbyllet me gjak e gjëma, teksa duhet të kulmojë vetëm me atë humor ku secili prej nesh, pavarësisht nga bindjet, kahjet, synimet, gjen tek tjetri, tek vëllai a sivëllai copëza nga fatkeqësia a pafuqitë e veta fatnore.
Më duket pleonazmë t’i mbyll këto pak rreshta me shprehjet e zakonshme për vdekatarët e larguar nga kjo botë sepse njeriu Zyhdi Morava, me paqen që shpërndante, talentin e lindur, me librat dhe mençurinë, me njerzillëkun dhe shpirtin qehlibar, ua bëri më të pranueshëm ajrin të gjallëve, më të këndshme letrën e bardhë gërmave, dhe më të lehtë dheun atyre që kanë ndërruar tashmë jetë ose vdekje.
Pa përmendur ata që kanë ndërruar vend prej kohësh dhe të cilët ikja si e Zyhdi Moravës i afron më dhimbshurisht me të ritë e viteve të shqipes.
E enjte 30 qershor 2011
Istref Haxhillari