E premte, 26.04.2024, 10:21 AM (GMT+1)

Kulturë

Luan Çipi: Provimi i parë

E marte, 07.06.2011, 07:56 PM


PROVIMI I PARË

 

Skicë nga Luan Çipi

 

Në Fakultetin e Mjekësisë të Universit Shtetëror të Tiranës, im bir Ani, u pleks me shoqëri të zgjedhur dhe mbi çdo gjë përzgjodhi Adelën, shoqen e tij të jetës, për të një grua e përsosur, që na u fut të gjithëve shpejt në zemër. Vitet ikën shpejt dhe Ani e mbaroi mirë Universitetin dhe nisi specializimin për dermatologji pranë Spitalit Universitar të Tiranës. Këtu nisën ngjarjet e viteve rebele, të turbullta, të rrezikshme të 97-tës. Nga fundi i vitit 1996 Adela, e zgjedhura e Anit dhe veprimtare bashkë me të, në lëvizjet ambjentaliste të rinisë, ishte dërguar nga Shteti në Amerikë për studime plotësuese të mjekësisë.

Edhe Ani u nis pë në Amerikë, në ato ditë të vështira për gjithë vendin, pikërisht një ditë më parë bllokimit të fluturimeve të Aerodromi të Rinasit. Iku, kinse në një kurs pas universitar dhe ngeli atje, në azil politik. Telefoni ishte i vetmi mjet komunikimi dhe çmallje për shumë vjet, se ai nuk kishte të drejtë vizite në Atdhe dhe ne nuk na jepej vizë për Amerikë. Lajmet vinin, nga larg, njeri pas tjetrit, duke pasqyruar dinamikën e përpjekjeve dhe sukseseve të tyre: Ani u fut në punë si kamerier, ai, po shpërndan pica me makinë, po bën dy punë, u fut si ndihmës mjek ai dhe Adela, u futën si asistentë mjekë të dy, Adela aplikoi dhe fitoi të drejtë studimi për mjeke, Adela mbaroi shkollën dhe filloi specializimin pasuniversitar, Ani aplikoi dhe fitoi të drejtën e studimit, Ani dha provimin e parë në universitet për të përfituar licencen e mjekut amerikan... Këtu ndalemi pak, se  më duket se po bindem se po nisin edhe për ne, çastet e lumtura.

Pas disa muajve, si student në mjekësinë universitare Amerikane, nga Ani, vjen lajmi i parë i gëzueshëm:

-O, babo, jam unë, Ani...

-Po pse më duke si i ngjirur. Mos je ftohur?

-Jo, jo. Mirë jam. Zëri, ndofta del keq nga interferenca në telefon. Dëgjomë, babo! Sa e mora përgjigjen e provimit, që dhashë para një muaji. Ishte pozitive.

-O, shpirti i babit! Sa më gëzove, sa më lumturove. Na shtove jetën. Na rrofsh…

Suksese më tej… Kaq… Lotët më bllokuan. Lot malli e gëzimi. Dhe Hanëmja, ime shoqe, po qan…Shenja të dukshme pleqërie dhe emocione të papërmbajtshme.

 

Qajmë e qeshim nga gëzimi

Erdh lajmi, në telefon

Pozitiv ishte provimi

Vet  Ani, andej, njofton.

 

Në datën 9 gusht të vitit 2003 Ani po jepte provimin e fundit për doktor në mjekësinë humane në Universitetin e Ilinoisit. E kërkoj në telefon, po më përgjigjet sekretaria e tij telefonike dhe unë i lë mesazh: “Tani që Hanëmja është në Kanada te vajza e madhe, Linda dhe unë jam fizikisht vetëm, mendjen e kam akoma më shumë aty. Në pamundësi për të të ndihmuar, po të dërgoj, si hajmali, zërin tim, që ta kesh afër, në këto momente të rëndësishme të provimit tënd të fundit për doktoratën. Përqendrohu dhe mos u nxito!... Frenoj emocionet dhe largoje frikën! Më e mira do bëhet. Të uroj sukses!”

Dhe duket urimi prej zemre i babait, në saje të vullnetit dhe këmbënguljes së Anit, ishin si hajmali e shenjtë për të, se ai jo vetëm mori qysh atë vit licencën e mjekut human amerikan, po studioi edhe 4 vjet, si specializant i angazhuar në Universitetin Shtetëror te Sant Luizit dhe përfundoi specializimin si anestezist reaminator, duke u punësuar ne  qytetin e Çikagos, ku jeton me gruan e tij mjeke dhe të dy djemtë

I ndodhur në Tiranë i vetmuar, po edhe i mërzitur tani, se viza për të takuar fëmijët e malluar në Amerikë e Kanada, mu refuzua 5 herë,  e ndjej veten time pa peshë e pa vlerë vetjake, po ngushëllohem me sukseset e fëmijëve. Pasi ndahem nga telefoni, më bëhet se jam si në një botë tjetër, sikur jam, vite më parë në Vlorën time të dashur dhe shëtis, “për lum”, i shkëputur nga të tjerët e romantik, nëpër lagjet dhe sokakët e saj, duke kërkuar me dritën e hënës, Hanëmen, gruan time të dashur, që prej disa muajsh ka shkuar, si turiste, të çmallet me vajzën, nipin dhe mbesën,

në Kanada.

 

Ikin vitet lumë.

Shorti keq më ra:

Unë “lum e për lumë”

Ti, në Kanada.

Dhe pasi ndahem nga “dashuria ime më e madhe, tani virtuale”, përsëri kthehem i përtërirë e i lumturuar te mendimi për  tim bir, se më kujtohet vjersha e Naim Frashrit:

“ Mos thuaj se vdes njeriu

Se, është fjalë çilimiu.

Tek i biri, jetëgjati,

Është mbëshehur i ati.”

Kjo më gëzon e më lehtëson…

Gëzimin mendova ta ndaj me homologët e mi, prind emigrantësh shqiptarë. të shpërndarë nëpër botë. Mos më gjykoni për egoist. Momentalisht jam një baba i moshuar dhe i vetmuar, që ndjej  çaste lumturie dhe dua t’ju përcjell besim dhe shpresë...



(Vota: 2 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora