E premte, 26.04.2024, 01:32 PM (GMT+1)

Kulturë

Begzad Baliu: Vareni kryengritësin e shenjtëruar (III)

E merkure, 11.05.2011, 08:41 PM


Begzad Baliu

 

VARENI KRYENGRITËSIN E SHENJTËRUAR I

 

(Qosja, Nobeli, Kadare...)

 

Prishtinë, 2010,

 

III

 

SHTOJCË

 

Shtojca 1

 

MBI TEZËN E REXHEP QOSJES “ASDRENI: JETA DHE KRIJIMTARIA LETRARE”

 

Paraqitur si disertacion për gradën shkencore “Doktor i shkencave filologjike”

 

Monografia e Rexhep Qosjes i kushtohet jetës dhe veprimtarisë patriotike e letrare të njërit prej përfaqësuesve më të shquar të letërsisë së re shqiptare, i cili ka hyrë në panteonin e kësaj letërsie me emrin Asdren. Jo vetëm për nga serioziteti i synimeve të saj, por edhe nga diapazoni i gjerë i çështjeve të trajtuara, që mishërohet në këtë vëllim prej 467 faqesh, monografia që kemi përpara përbënë një punim themelor e dinjitoz, siç e meritonte plotësisht, figura e ndritur e poetit të shquar dhe e demokratit - Aleks Stavri Drenova.

Nga, dy pjesët që përbëjnë monografinë e para me dhjetë kapituj trajton jetën, ndërsa tjetra, i kushtohet krijimtarisë poetike në aspektet e saj të ndryshme. Hyrja dhe përfundimi, shënimet e shumta, listat e bibliografisë dhe e burimeve e më në fund një tregues, i emrave e plotësojnë veprën, duke e ndihmuar lexuesin dhe duke lehtësuar përdorimin e saj. Mund të thuhet që në fillim se me shtjellimin e qartë dhe me stilin e saj të rrjedhshëm monografia lexohet mirë e me interes dhe jo vetëm nga, specialistët e një rrethi të ngushtë.

Disertacioni i Rexhep Qosjes është studimi i fundit dhe më i plotë nga një radhë mjaft e gjatë punimesh kushtuar Asdrenit. Kuptohet vetiu se me veprën e tij të gjerë lirike, me tematikën, me aspektet e me notat e reja që solli në letërsinë shqipe, Asdreni ka tërhequr vazhdimisht, qysh në kohën para çlirimit, vëmendjen e opinionit publik letrar shqiptar, siç treguan një varg kritikash, recensionesh, shënimesh letrare të botuara më të shumtën në shtypin e kohës. Por mund të thuhet me plot gojën se për herë të parë Asdreni vëmendjen e merituar në studimet kushtuar vazhdës së historisë letrare e të mendimit shoqëror e gjeti vetëm pas çlirimit, në Shqipërinë Popullore, në një varg studimesh të veçanta dhe monografike që iu kushtuan krijimtarisë së tij dhe që u sintetizuan sidomos në kapitullin përkatës të vëllimit II të “Historisë së letërsisë shqipe" (Tiranë, 1960). Figura e Asdrenit gjeti këtu për herë të parë të përcaktuar qartë vendin e nderit që i përket atij në radhët e atyre shkrimtarëve të Rilindjes, të cilët përfaqësojnë jo thjesht një vazhdim, por një etapë të re e më të lartë të saj. Duke zhvilluar më tej elementet demokratike në gjirin e mendimit të Rilindjes, Asdreni dhe shokët e tij i ngritën këto në një plan më të lartë; ata e plotësuan lëvizjen e Rilindjes në plan social dhe e çanë kuadrin e saj përtej një lëvizjeje me karakter çlirimi kombëtar. Duke e studiuar për herë të parë figurën e Asdrenit të lidhur me detyrat e mëdha kombëtare e shoqërore që shtronte koha, në punimet e lartpërmendura u përcaktua pozita e Asdrenit edhe kundrejt pararendësve e bashkëkohësve të tij; kjo ndihmoi për një periodizim të saktë e shkencor të veprimtarisë së tij brenda lëvizjes së Rilindjes dhe brenda për brenda procesit të krijimtarisë së Asdrenit vetë. Pikërisht vënia në dukje e këtyre lidhjeve me rrymat e mëdha historike-shoqërore e bëri të mundshme që të vlerësoheshin elementet e përbashkëta. Po edhe elementet dalluese dhe veçoritë e krijimtarisë së Asdrenit në krahasim me Naim Frashërin, De Radën, Çajupin, F. Shirokën etj.

Duke u përpjekur për një kuptim tërësor të figurës së Asdrenit dhe të krijimtarisë së tij, "Historia e letërsisë shqipe" nuk lë pas dore edhe analizën e aspekteve të veçanta të personalitetit e të krijimtarisë së Asdrenit si poet e patriot demokrat, që kuptoi thellë funksionin shoqëror të letërsisë, si poet i natyrës dhe i dashurisë, analizën e artit e të gjuhës, anën kompozicionale të veprës së tij, lidhjet me poezinë popullore etj. Kjo sintezë e parë krijoi bazën për studime të reja dhe hapi rrugën për një trajtim më të plotë, thellues e të hollësishëm të veprimtarisë letrare e shoqërore të Asdrenit e të aspekteve të reja e të veçanta të saj. Nuk ka dyshim se këto studime të reja do të lejojnë një sintezë të re e më të lartë në të ardhmen. Monografia e Rexhep Qosjes që kemi përpara rreshtohet pikërisht në këto punime e studime të reja kushtuar Asdrenit.

Autorit të monografisë i është dashur të bëjë një punë të madhe e të vështirë për të siguruar bazën burimore për disertacionin e tij. Këtu nuk është fjala vetëm për vëllimin e këtij materiali, por edhe për faktin që ai ndodhet i shpërndarë në biblioteka e vende të ndryshme. Autori ka arritur të shoshitë në mënyrë kritike gjithçka është shkruar mbi Asdrenin qysh nga vitet 20, si edhe pas çlirimit, të shfrytëzojë në mënyrë shteruese materiale arkivale e në mënyrë të veçantë arkivin e shkrimtarit që ruhet sot për pjesën më të madhe në Arkivin e Shtetit të RPSH, po edhe tek të afërmit e tij. Ai ka mbledhur dëshmitë e bashkëkohësve e të të afërmve të poetit, në lidhje me një varg faktesh të jetës e të veprimtarisë së tij dhe ka arritur t'i shkrijë këto të gjitha në një të tërë, në një vepër shkencore që përbën padyshim një kontribut të çmuar në studimin e personalitetit të Asdrenit e të historisë së letërsisë shqipe të gjysmës së parë të shek. XX.

Në monografinë e Rexhep Qosjes me 405 faqe tekst, pjesa e parë me më se 150 faqe i kushtohet jetës së Asdrenit. Duke i dhënë asaj një vend kaq të rëndësishëm, autori ka mundur të hedhë dritë mbi rrugën jetësore të poetit, rrugë që nis në fshatin e vogël të Drenovës në gjirin e familjes së një fshatari të varfër, arrin kulmin kur Asdreni bëhet poet i shquar e aktivist i lëvizjes patriotike e demokratike shqiptare dhe mbaron në vetminë e thellë në të cilën poeti i ngrysi vitet e fundit të jetës së tij, në mërgim, në Bukuresht. Në saje të hulumtimeve këmbëngulëse autori ka meritën e padiskutueshme se ka dhënë një kuadër të plotë të jetës së poetit që në një varg pikash pat mbetur e panjohur deri në ditët tona. Me interes të veçantë është përshkrimi i rinisë së vuajtur të poetit, i cili rropatet në mërgim për të siguruar kafshatën e gojës dhe mundësinë për të fituar arsim e kulturë dhe i hapave të tij të para në rrugën e krijimit letrar, kur poeti i ri përpiqet të kryejë detyrën ndaj popullit e mëmëdheut të vet, thirrjen e të cilëve e ndjen së thelli pikërisht në ato vite të rinisë.

Rëndësi kanë në përgjithësi për historinë e Rilindjes edhe ato faqe ku flitet për veprimtarinë që zhvillon Asdreni në Bukuresht, duke u çliruar prej ndikimit të figurave të njohura, siç ishte ndër të tjerë Nikolla Naço; për përpjekjet e tij për të gjetur rrugë të reja më të përparuara, për të krijuar shoqëri të reja politike-kulturale etj. Një kontribut të ri paraqesin gjithashtu kaptinat ku flitet për jetën e Asdrenit në vitet e monarkisë çifligare-borgjeze zogiste dhe për vuajtjet shpirtërore të poetit, kur ishte bërë tashmë e qartë se amaneti i militantëve të shquar të Rilindjes, ëndrrat dhe idealet e tyre patriotike e demokratike u harruan dhe sakrificat e tyre u përvetësuan nga elementë antipopullorë, nga bejlerët e veglat e tyre, të cilat e patën luftuar me sa mundën çështjen e lirisë, të bashkimit kombëtar e të zhvillimit demokratik të vendit. Për këtë periudhë autori sjell të dhëna pak të njohura, që zbulojnë edhe dramën vetiake të Asdrenit, të cilin qeveritarët antipopullorë për shumë kohë e lanë pa punë e mjete jetese me qëllim që ta thyenin e ta poshtëronin dhe ta bënin më në fund edhe vegël të vetën.

Pjesa e dytë e kryesore e vëllimit, e përbërë prej 225 faqesh, i është kushtuar krijimtarisë poetike të Asdrenit. Metoda e punës e ndjekur nga autori për të ndarë jetën nga veprimtaria krijuese i ka dhënë atij mundësinë për një analizë më të hollësishme e më të thellë të jetës e të veprimtarisë patriotike të Asdrenit; ndonëse kjo metodë, nga ana tjetër, përmban në vetvete rrezikun e shkëputjes së veprës letrare nga jeta e poetit dhe nga kushtet e caktuara të kohës; duhet thënë se autori është përpjekur ta kapërcejë këtë e ka mundur te japë me dyja pjesët, të marra së bashku, një kuadër të plotë të të dy aspekteve kryesore që përbëjnë objektin e monografisë. Është për t'u theksuar që në fillim se autori e shikon drejt veprimtarinë e poetit drenovar në truallin e jetës shoqërore në fillim të shekullit tonë e në lidhje me tendencat e proceset që karakterizonin në përgjithësi letërsinë shqipe në këto çaste të rëndësishme historike. Është treguar mirë lidhja e frymëzimit të Asdrenit me traditën e përparshme letrare vendase, sidomos me traditën poetike të Naim Frashërit dhe me folklorin. Një vend me rëndësi autori i kushton problemit të ndikimit që ka ushtruar mbi Asdrenin poezia evropiane e kohës e sidomos rrymat moderne. Në kaptinën përkatëse gjejmë vëzhgime e konkluzione interesante dhe të goditura, të cilat ndihmojnë për të njohur burimet letrare të krijimtarisë së Asdrenit.

Njohja e mirë e atmosferës historiko-shoqërore ku jetoi dhe krijoi Asdreni, si edhe njohja e autorëve shqiptarë e të huaj, tek të cilët në fillim ai mësoi, i ka dhënë mundësi Rexhep Qosjes të tregojë rrugën e formimit të Asdrenit si poet dhe të nxjerrë në pah të renë që formon kontributin e tij në poezinë shqipe. Me të drejtë autori thekson se në jetën letrare të fillimit të shekullit XX një rëndësi të veçantë kishte problemi i traditës dhe i novatorizimit, se poezia shqipe në këtë periudhë përpiqej me sukses për ta zgjeruar horizontin, duke asimiluar e bërë të veta arritjet artistike të poetëve të huaj bashkëkohorë. Ndër autorët, të cilët kontribuuan për të zgjeruar mundësitë poetike të letërsisë shqipe Rexhep Qosja me të drejtë përmend në radhë të parë Asdrenin, i cili qysh në krijimet e tij të para e sidomos në përmbledhjen e dytë “Ëndrra e lotë” e pasuroi poezinë shqipe me motive, ide, tema, mjete dhe forma të reja të shprehjes artistike.

Kaptinat më të rëndësishme të monografisë, sipas mendimit tonë, janë ato që mbajnë titujt: “Angazhimet patriotike, socialiste dhe politike", "Vizionet e natyrës dhe domethënia e peisazhit", "Vizionet e femrës dhe ndjenja e dashurisë" dhe "Poezia e paradokseve shpirtërore", në të cilat analizohet në shumë aspekte e në mënyrë mjaft të mprehtë prodhimi poetik i Asdrenit. Autori i monografisë, duke shqyrtuar lirikën patriotike, e ka zbërthyer mirë problematikën e saj; ai ka nxjerrë në pah drejt qëllimet ideore që ndiqte Asdreni në ato vite të ngritjes së lëvizjes patriotike e të luftës së armatosur për çlirimin e atdheut nga zgjedha e huaj shekullore. Rexhep Qosja zbulon lidhjet e frymëzimit të poetit me aspiratat e lëvizjes për çlirimin kombëtar, si edhe shkaqet që përcaktuan karakterin publicistik e agjitativ të krijimeve të Asdrenit me motiv patriotik. Duke u nisur nga pozitat e një mbrojtësi të vegjëlisë, autori tregon burimin ideor dhe rëndësinë artistiko-letrare të poezive me tematikë politike e sociale. Në bazë të shqyrtimit të imtë të jetës e të veprimtarisë shoqërore të Asdrenit, Rexhep Qosja e mbështet mirë konkluzionin se poeti nuk mund të qëndronte indiferent ndaj konflikteve sociale që fshiheshin në gjirin e jetës shqiptare. Si biri i një fshatari të thjeshtë që kishte kaluar një rini plot brenga e mundime dhe që e mbylli jetën në varfëri të madhe, Asdreni nuk mund të mos ndjente thellë vuajtjet e popullit që lëngonte nën thundrën e bejlerëve. Mjafton të përmendim për këtë analizën e vjershave ”Lulekuqeja”, "Shpërblimi", "Hymin i festës", "Republika shqiptare" dhe "Trashëgimi", përmes së cilave del portreti i vërtetë i Asdrenit si luftëtar për çlirimin politik të shqiptarëve dhe për çlirimin shoqëror të vegjëlisë.

Analiza e lirikës së dashurisë e të peisazhit dhe ajo e lirikës filozofike është një kontribut tjetër me rëndësi që sjell Rexhep Qosja për njohjen e Asdrenit poet, duke treguar me këtë rast aftësi të veçanta për të depërtuar në botën poetike të shkrimtarit. Duke shqyrtuar në mënyrë të hollësishme e të gjithanshme krijimet me këtë tematikë, autori formulon tezën se poezitë e kësaj natyre e në mënyrë të veçantë lirika filozofike ose "poezia e paradokseve shpirtërore", siç e quan ai, përbën pjesën më me vlerë të trashëgimit poetik të Asdrenit. Sipas tij, është kjo pjesa e veprës poetike të Asdrenit, mbi të cilën duhet të mbështetemi për të formuar gjykimin tonë mbi rëndësinë dhe vendin që ka ky poet në historinë e letërsisë shqipe - një ide që ne mendojmë se nuk duhet absolutizuar.

Një vëmendje të madhe e plotësisht të përligjur Rexhep Qosja i ka kushtuar artit të Asdrenit. Në tri kaptinat e fundit të monografisë me titull "Vuajtjet krijuese dhe përsosja e shprehjes", "Karakteristikat e stilit" dhe "Versifikacioni dhe kompozicioni" studiuesi na çon në laboratorin krijues të poetit, na njeh me fazat dhe format e punës këmbëngulëse të tij, për t'u dhënë krijimeve një shprehje sa më të përsosur artistike, na flet për figurat stilistike dhe kriteret, sipas të cilave ai i ka shfrytëzuar ato në veprimtarinë e vet si poet dhe së fundi për sistemin metrik. Në këto tri kaptina ka shumë vëzhgime e mendime interesante, ka analiza me vlerë që ndriçojnë një aspekt pak të trajtuar në studimet e derisotme mbi Asdrenin.

Në kaptinën përmbyllëse bëhet me sukses përpjekja për të dhënë në formë të përmbledhur konkluzionet themelore të monografisë e për të përcaktuar rolin e Asdrenit në zhvillimin e letërsisë së re shqipe. Është i drejtë mendimi i Rexhep Qosjes se krijimtaria e Asdrenit, ndonëse nuk pati atë autoritet si krijimtaria e Naim Frashërit dhe e De Radës, e ka ngritur lirikën shqipe në një nivel artistik, në të cilin nuk ka qenë përpara dhe i ka shtuar dukshëm mundësitë shprehëse të vargut shqip". Me këtë përfundim ne, pa dyshim, nuk mund të mos pajtohemi. Por ne do të dëshironim të shtonim se, pavarësisht nga kjo, Asdreni ka ushtruar një ndikim pozitiv mjaft të gjallë mbi letrarët e rinj shqiptarë midis dy luftërave, si poet që arriti të bëhej gjerësisht popullor me lirika që zunë një vend nderi midis lirikave më të bukura të poetëve të shquar shqiptarë si Naimi, Çajupi, Mjeda etj. Përtej kësaj, ne do të donim të venim në dukje se Asdreni ka meritën që ka mbushur një zbrazëtirë që kishin lënë hapur pikërisht figurat e rilindësve të mëdhenj si Naimi e De Rada, emrat e të cilëve u përmendën më lart. Asdreni solli në poezinë shqipe motive e tinguj të karakterit social, që letërsia e mëparshme e Rilindjes nuk i kishte njohur ose i pati lënë mënjanë dhe këtë ai e bëri me një nivel të lartë artistik.

E gjithë monografia e Rexhep Qosjes me të dhënat e faktet e shumta që sjell dhe me logjikën objektive të analizës të çon në afirmimin e konceptit mbi Asdrenin si një poet demokrat i shquar, si poet i vegjëlisë në veçanti.

Duke i dhënë një vlerësim të lartë monografisë së Rexhep Qosjes, shohim të arsyeshme të shtojmë këtu disa vërejtje, të cilat nuk kanë kurrsesi për qëllim të ulin vlerën e saj, por përfaqësojnë më tepër disa sugjerime e deklarata që autori mund t'i ketë parasysh në vazhdimin e punës së tij.

Ne mendojmë se lidhjet e krijimtarisë së Asdrenit me lëvizjet historike shoqërore të kohës në plan shqiptar e jashtëshqiptar meritojnë të studiohen më thellë, pa pasur frikën që shpreh autori se mos bjerë në pozita "ideologjizimit". Kështu, p. sh., na duket se në trajtimin që i ka bërë Rexhep Qosja mjedisit historik të fillimit të shekullit XX ka humbur një moment të rëndësishëm, siç është ashpërsimi i luftës klasore në plan shqiptar e ndërkombëtar. Rrjedhimisht, ne mendojmë se në pikëpamjet që shprehen në artikullin e njohur të Asdrenit mbi “oxhakësinë shqiptare" nuk duhet parë vetëm një përvojë vetiake e Asdrenit, e lindur nga një vizitë e tij në Korçë ose qoftë edhe nga kujtimet e rinisë së tij fshatare. Këtu kemi të bëjmë me një problem të madh që impononte realiteti shqiptar shprehës të të cilit u bënë jo vetëm Asdreni, por një plejadë e tërë intelektualësh aktivistë të dalë nga radhët e borgjezisë së vogël qytetare ose fshatare, si Dervish Hima, Mihal Grameno, Spiro Ilo, Ibrahim Temo etj., të cilët jo rastësisht u rritën dhe vepruan në të njëjtën kohë dhe për disa kohë në të njëjtin mjedis në Bukuresht. Veçanërisht nuk mund të lihet pa u përmendur këtu Mihal Gramenoja. Me parullën e "Opingës" si forca shoqërore kryesore në Shqipëri dhe me kërkesën antifeudale që Shqipëria e re të mos bëhej një copë e Turqisë së vjetër, Gramenoja shprehte në publicistikë ato mendime që frymëzonin Asdrenin në vjershat e tij.

Po ashtu, ka humbur lidhja midis Asdrenit dhe lëvizjes socialiste ndërkombëtare që, sipas mendimit tonë, hetohet jo vetëm në veprën e Asdrenit, por edhe tek Josif Bageri etj. Rrjedhimisht interpretimi i “Lulekuqes" vetëm si simbol i luftës për çlirimin kombëtar të shqiptarëve nuk merr parasysh një varg elementesh që Asdreni ia atribuon luftës së të gjithë të shtypurve kundër shtypësve të tyre në plan të përgjithshëm shoqëror e jo vetëm kombëtar. Një interpretim i tillë, sipas mendimit tonë, e varfëron dhe e ngushton domethënien e kësaj poezie së cilës i duhej kushtuar më tepër vëmendje si një shtyllë qendrore në krijimtarinë e Asdrenit. Duke bërë objekt thellimi të veçantë lidhjet dialektike midis poetit e shoqërisë shqiptare të kohës, do të dilnin më qartë arsyet për ndikimin që ushtruan edhe në mjedisin në dukje të prapambetur shqiptar idetë e mëdha përparimtare, ndikim që nuk qe vetëm një fenomen ngushtësisht letrar.

Pikërisht duke pasur parasysh e duke theksuar më tepër karakterin historik të krijimtarisë së poetit, sipas mendimit tonë, do të ishin mënjanuar disa formulime që na duken jo të drejta. I tillë është p.sh. theksi i përsëritur që vë autori i disertacionit mbi karakterin "publicistik" të letërsisë së Rilindjes. Nuk ka dyshim se në këtë letërsi vihen re një varg dobësish artistike, por mendojmë se arsyet për këto nuk duhen kërkuar vetëm në karakterin publicistik. Po të zbatohej më mirë kriteri i historizmit do të kuptohej më drejt hapi i madh që bëri, me gjithë këto dobësi, letërsia shqipe me poezinë e Naimit, të Çajupit etj. dhe do të shmangej një farë prirje për ta gjykuar zhvillimin e letërsisë shqiptare, duke u nisur nga niveli i arritur në këtë kohë nga letërsitë më të zhvilluara evropiane.

Në monografi është shfaqur disa herë ideja e drejtë se Asdreni pas vitit 1925 kaloi një tragjedi të thellë, e cila e kishte burimin në zhgënjimin që pësuan ëndrrat e tij si patriot e demokrat. Ky mendim nuk është mbajtur parasysh në gjithë analizën e veprës poetike të Asdrenit. Sidomos kur flitet për krijimet që kanë hyrë në përmbledhjen "Psallme murgu" dhe në mënyrë të veçantë për lirikat e tij filozofike. Analiza e tyre shket në plan abstrakt njerëzor, lidhet me dukuritë fiziologjike të pleqërisë, pa u kushtëzuar në thelb nga ngjarjet historike të gjysmës së viteve ‘20 dhe të viteve ‘30. Rënia shpirtërore e Asdrenit, motivet e vetmisë, të pesimizmit dhe të misticizmit nuk mund të kuptohen jashtë tragjedisë së madhe që përfshin gjithë masat popullore shqiptare. Ne mendojmë se ideja e dramës shpirtërore të Asdrenit si pasqyrim i konfliktit të madh social do ta ndihmonte monografinë për të kuptuar më mirë krijimtarinë e poetit.

Me gjithë këto vërejtje, monografia që është paraqitur për vlerësim ka meritën e padiskutueshme që e ka vazhduar dhe e ka çuar më tej studimin e kësaj figure të rëndësishme të letërsisë shqipe, sidomos në lidhje me plotësimin e të dhënave rreth jetës, me analizën e thelluar e më të gjerë të aspekteve të veçanta të veprimtarisë së tij, të ndikimeve letrare dhe të ndriçimit të veprimtarisë krijuese të Asdrenit në lidhjet e saj me letërsinë evropiane. Autori tregon në këtë vepër se është njohës i mirë jo vetmi Asdrenit, por i gjithë procesit letrar që zhvillohet në Shqipëri para dhe pas shpalljes së pavarësisë. Monografia dëshmon se autori i saj ka aftësi të analizojë dhe përballojë probleme komplekse e të thella të historisë së letërsisë shqipe. Monografia përshkohet nga dashuria e autorit për temën që trajton; aty nuk është mbajtur një qëndrim soditës e i ftohtë por rreh dashuria për fatet e letërsisë shqipe e për një nga përfaqësuesit e shquar të saj. Kjo dashuri i ka dhënë autorit mundësi të vlerësojë drejt personalitetin e Asdrenit, të ngrihet mbi disa momente të veçanta tragjike të jetës së tij dhe t’i japë një vlerësim me ton madhor kësaj figure të shquar të letërsisë së re shqiptare.

Duke u mbështetur në të gjitha këto, ne shprehim bindjen e thellë se monografia "Asdreni: Jeta dhe krijimtaria letrare" paraqet kontribut të rëndësishëm shkencor në fushën e historisë së letërsisë shqipe.

 

Prof. Idriz AJETI

Prof. Androkli KOSTALLARI

Prof. Aleks BUDA

Prof. Jashar REXHEPAGIQI

 

 

Shtojca 2

 

 

 

Ali Aliu: Siç është Kadareja prozatori, që me prozën e tij zgjon më së shumti interesimin e lexuesve dhe të kritikëve letrarë, po ashtu Rexhep Qosja është kritiku, që me veprën e tij zgjon më së shumti interesimin e shkrimtarëve dhe të lexuesve.                                   (1973)

Rexhep Qosja: LETËRSIA KOMBËTARE DHE LETËRSIA BOTËRORE OSE AFRIMI PËRMES NDRYSHIMEVE

 

Ekziston një bindje naive se popujt e ndryshëm më së miri mund të njihen, të afrohen dhe të respektohen në saje të miqësisë politike apo të shkëmbimit të të mirave ekonomike. Afrimi ndërmjet popujve, që mbështetet në politikën dhe në tregtinë, zakonisht, është i afatit të shkurtër për shkak se miqtë politikë mund të ndërrohen, po ashtu, shpejt sikundër mund të ndërrohen edhe bashkëpunëtorët ekonomikë. Afrimi më i sigurt ndërmjet popujve është afrimi që krijohet përmes krijimtarisë artistike në përgjithësi, kurse përmes letërsisë në veçanti, për shkak se një afrim i këtillë i lidh popujt shpirtërisht dhe e ka perspektivën me të gjatë. Një popull që nëpërmjet arteve, e në radhë të parë nëpërmjet të letërsisë e njeh një popull tjetër doemos krijon afinitete shpirtërore që të kuptojë, respektojë dhe dashurojë veçoritë dhe mentalitetin e tij kombëtar. Po ky afrim i popujve nëpërmjet të letërsisë dhe, në përgjithësi, të kulturës shpirtërore e nënkupton jo njohjen dhe respektin e njëanshëm, por njohjen dhe respektin reciprok, kurse njohja dhe respekti reciprok nënkuptojnë gërshetimin dhe ndikimin e përbashkët të letërsive dhe të kulturave të tyre.

Çështja e ndikimit të kulturave të popujve të ndryshëm, e sidomos çështja e ndikimit të letërsive, është një çështje që ju intereson jo vetëm shkrimtarëve dhe studiuesve të tyre, por edhe prijësve popullorë. Në kohën e sotme, kur ndasitë fetare janë zëvendësuar ose, plotësuar edhe prej ndasive ideologjike, ky është një problem i ndërlikuar, që lidhet qoftë me shëndetin ideologjik, qoftë me dinjitetin kombëtar të popujve dhe shteteve. Nuk është çudi, prandaj, pse edhe në jetën tonë kulturore e letrare kjo çështje është aktuale dhe në lidhje me të shfaqen mendime pak a shumë të ndryshme. Kështu, për shembull, një numër shkrimtarësh dhe studiuesish të tyre pandehin se ne duhet t'i shmangemi sa është e mundur më shumë ndikimit të huaj dhe të mbështetemi në trashëgiminë tonë pozitive, përparimtare e në radhë të parë në letërsinë popullore, që duhet të jetë frymëzuesi dhe mësuesi ynë kryesor. Duke u nisur prej mendimit se ne duhet të jemi të emancipuar e të pavarur në të gjitha pikëpamjet, prandaj edhe në pikëpamje të krijimtarisë letrare, ata kujdesen të gjejnë mjaft argumente, me të cilat do ta mbështetnin një mendim të tillë. Një prej këtyre argumenteve, që merret si më kryesori, është ky: janë dashur shumë përpjekje të pareshtura që letërsia shqipe dhe kultura shqiptare të shkoqen prej ndikimit të kulturës së Lindjes, kurse populli të çlirohet prej përtacisë së njohur dhe plogështisë anadollake, me të cilat ishte pajisur gjatë shekujve të robërisë, prandaj, në qoftë se, më në fund, kemi mbërritur të çlirohemi prej këtyre veseve anadollake (e është pikëpyetje sa kemi arritur të çlirohemi prej tyre) si edhe prej ndikimit gjuhësor oriental, atëherë nuk kemi arsye t'i nënshtrohemi ndikimit të fortë të ndonjë kulture dhe letërsie tjetër, përpos ndikimit të krijimtarisë shpirtërore të popullit tonë, në të cilën është shprehur gjenialiteti krijues i shqiptarëve dhe veçoria etnopsikologjike e tyre. Partizanët e këtij qëndrimi, kur flasin për ndikimin e kulturave të huaja, atëherë, rëndom, kanë parasysh ndikimin eventual negativ që, përmes letërsisë dhe arteve, mund të shprehet në jetën ideologjike. E thënë shkurt, ata mendojnë me të drejtë se, si në kulturën përgjithësisht ashtu edhe në letërsinë veçanërisht, ne duhet të tregojmë se nuk jemi satelitë të askujt.

Në anën tjetër janë shkrimtarët dhe studiuesit e tyre që pohojnë se ne, si një popull i vogël, me një kulturë akoma modeste, me një traditë jo aq të gjatë dhe të pasur duhet të mësojmë sa më shumë prej të tjerëve, e në radhë të parë prej letërsive të popujve të mëdhenj në numër, të cilët kanë një traditë shumë më të gjatë dhe më të pasur si dhe një letërsi shumë të njohur. Duke mos i marrë parasysh kushtet tona historike dhe shoqërore aq sa as ritmin specifik të zhvillimit të kulturës shqiptare dhe të letërsisë shqipe, ata mendojnë se ne duhet të mbajmë hapin me të tjerët: të qëndrojmë në nivelin e ideve, të formave dhe të kërkesave të tjera bashkëkohore të shprehjes artistike. Pikëpamjen e vet ata e dëshmojnë shpesh edhe në praktikën krijuese: entuziazmin për Jeseninin e zëvendësojnë shpejt me entuziazmin për Lorkën, entuziazmin për Apolinerin me entuziazmin për Eliotin, entuziazmin për Kafkën me entuziazmin për Heminguein, entuziazmin për Xhojsin me entuziazmin për Kamynë, kurse entuziazmin për Sartrin me entuziazmin për Xhorxh Orvelin e të tjerë. Nuk është rastisje, prandaj, pse në letërsinë tonë mund të hasen vepra, të cilat të lënë përshtypjen se nuk janë shkruar prej shkrimtarit shqiptar dhe të cilat, po të kishin vlerën e duhur artistike, fare lehtë do të mund t'i nënshkruante ndonjë francez, anglez, rus apo amerikan. Duke dashur t'i shmangen të ashtuquajturit izolacionizëm letrar dhe kulturor, ata gjenden kështu në një pozitë tjetër, të skajshme, që, në disa raste të posaçme, do të mund të quhej epigonizëm.

Pajtimi si me palën e parë ashtu edhe me të dytën është i pamundur për shkak se, si njëra ashtu edhe tjetra, qëndrojnë mënjanë të vërtetës, e cila, e thënë me terminologjinë marksiste, nuk gjendet në mesin e këtyre mendimeve të kundërta, por në gërshetimin e tyre dialektik.

Koha kur letërsitë dhe, në përgjithësi, kulturat e popujve të ndryshëm evropianë apo edhe të kontinenteve të tjera janë krijuar shkoqur njëra tjetrës ka perënduar njëherë e përgjithmonë dhe, sipas të gjitha gjasave, ka perënduar shumë shekuj përpara. Para kësaj kohe ishte e mundur të lulëzonin qytetërime të pavarura, plotësisht origjinale dhe autoktone, por njerëzimi ka pësuar shumë dëme për shkak të këtij izolimi të vendeve dhe popujve të ndryshëm posaçërisht në pikëpamje të zhvillimit shkencor dhe teknik. Këtë dukuri e kanë konstatuar Marksi dhe Engelsi të cilët, në veprën e tyre të njohur, të botuar pas vdekjes, Ideologjia gjermane, kanë shkruar sa vijon: "Në fillim të zhvillimit historik çdo zbulim është dashur rishtazi të përsëritet për çdo ditë dhe në çdo vend veç e veç. Se sa pak ishin të sigurta mos të dështonin forcat e formuara prodhuese qoftë edhe kur tregtia ishte relativisht mjaft e gjerë, tregojnë fenikasit, zbulimet e të cilëve për një kohë të gjatë ishin të harruara me përjashtimin e këtij kombi nga tregtia si pasojë e pushtimeve të Aleksandrit dhe, për këtë shkak, të dekadencës së shfaqur. Po kështu ka ngjarë edhe me pikturimin në xham gjatë Mesjetës". Këtë borxh të shtrenjtë që njerëzimi ia paguante shkallës së ulët të zhvillimit dhe izolimit kulturor dhe ekonomik të popujve do ta ndërpresë borgjezia njëherë e përgjithmonë me ndryshimet e mëdha që do të sjellë në mënyrën e prodhimtarisë, në qarkullimin ndërkombëtar të mallrave si dhe në jetën politike dhe shoqërore. Duke e nxitur qarkullimin "e pasurisë materiale, ajo do të sjellë ndryshime të mëdha edhe në fatin e pasurisë shpirtërore të popujve të ndryshëm. Në saje të zhvillimit të komunikacionit dhe të rrjetës tregtare, borgjezia në të njëjtën kohë e ka bërë të mundshëm shkëmbimin e ideve, të mendimeve, të përvojave artistike dhe, në përgjithësi, të të mirave shpirtërore të vendeve dhe popujve të ndryshëm, duke i vënë në marrëdhënie ndikimesh dhe gërshetimesh kulturat e tyre njëherë e përgjithmonë. Marksi dhe Engelsi edhe këtë dukuri e kanë shpjeguar në Manifestin e Partisë komuniste, në të cilin thonë: "Me eksploatimin e tregut botëror borgjezia i ka dhënë karakter kozmopolit, prodhimtarisë dhe konsumit të të gjitha vendeve. Në vend të nevojave të vjetra, të kënaqura me prodhimet shtëpiake, vijnë të rejat që për plotësimin e vet kërkojnë prodhimet e vendeve dhe klimave më të largëta (...). Në vend të autarkisë dhe izolimit të vjetër lokal dhe nacional vjen komunikacioni i gjithanshëm, varësia e gjithanshme reciproke e kombeve. Siç është në prodhimtarinë materiale, ashtu është edhe në prodhimtarinë shpirtërore. Prodhimet shpirtërore të kombeve të veçanta bëhen e mirë e përgjithshme. Njëanshmëria dhe izolimi nacional bëhen gjithnjë e më të pamundur, kurse prej letërsive kombëtare dhe lokale krijohet letërsia botërore". Ideja për letërsinë botërore bëhet posaçërisht e popullarizuar që prej decenieve të para të shekullit nëntëmbëdhjetë, kurse romantikët janë shkrimtarët e parë që interesimin e njohur të shkrimtarëve të shekujve të përparshëm për letërsinë klasike greke dhe romake e zëvendësojnë me interesimin për letërsinë e gjithë popujve të tjerë. Kureshtja e romantikëve që të mësojnë sa më shumë për kulturat dhe letërsitë e popujve të ndryshëm qoftë edhe më të largët, është e shoqëruar edhe prej gatishmërisë që të pësojnë ndikimin e tyre. Pikëpamjet e tyre kozmopolite në lidhje me gërshetimin e kulturave të ndryshme janë artikuluar posaçërisht qartë në kritikën e poetit të madh gjerman, Gëte, i cili në parathënien e biografisë së Shilerit, të shkruar prej kritikut anglez Tomas Karlajlit, përpos tjerash, shkruan "Që prej disa kohësh po flitet për një letërsi të përgjithshme botërore dhe po flitet me të drejtë: sepse, të gjithë popujt, të trazuar dhe të përzier gjatë luftërave të tmerrshme e pastaj secili i izoluar - mbasi i kanë njohur gjërat e huaja, i kanë përvetësuar ato dhe kanë zënë të ndjejnë kërkesa deri atëherë të panjohura shpirtërore. Për këtë shkak është shfaqur ndjenja e marrëdhënieve fqinjësore dhe, në vend të izolimit të deriatëhershëm, shpirti jonë është mbushur dëshirë që të pranojmë një qarkullim pak a shumë të lirë kulturor". Varësia e gjithanshme materiale dhe shpirtërore e popujve - për të cilën flasin klasikët e marksizmit, dhe etja e tyre shpirtërore për njohjen reciproke - për të cilën flet Gëte, vijnë duke u zgjeruar dhe thelluar gjithnjë e më shumë sa më afër shekullit tonë. Përparimi teknik i arritur në këtë shekull që, sikundër thuhet, është më i madh se përparimi teknik gjatë gjithë shekujve të shkuar të qytetërimit botëror, i ka tejkaluar kufijtë, që dikur qëndronin ndërmjet popujve dhe kontinenteve të ndryshme. Qarkullimi i informatave përmes mediumeve të informimit, para të cilave nuk qëndrojnë as barrierat më të forta shtetërore dhe politike, ka ndikuar shumë në afrimin e popujve në pikëpamje të njohurive që kanë njëri për tjetrin. Kureshtja njerëzore për të njohur popujt dhe kontinentet e tjera, për të ditur sa më shumë për ta, kurrë nuk ishte e kënaqur si në këtë kohë. Njeriu i sotëm është i bombarduar rregullisht me lajme mbi njerëzit, ngjarjet, të shkuarën, të tanishmen dhe kulturën e vendeve dhe popujve të ndryshëm. Për popujt e ndryshëm dhe kulturat e tyre, njerëzit nuk mësojnë më vetëm përmes lajmeve të gazetave dhe të radios, por edhe përmes fotografisë së televizionit.

Aq sa ndikojnë mjetet e informimit në njohjen e popujve, po aq ndikojnë prodhimet industriale në stilin e jetës, në unifikimin e mënyrës së jetës së tyre. Banorët e vendeve të ndryshme, me zakone dhe veçori etnike të ndryshme, vishen, argëtohen, pushojnë, punojnë, jetojnë në mënyra përafërsisht të ngjashme apo edhe të njëjta. Industria me prodhimet e saj stereotipe, pa dyshim, ka sjellë shuarjen e ca karakteristikave të jashtme folklorike dhe kombëtare. Në këtë proces janë përfshirë edhe shqiptarët. Përpos në fshatrat, mjerisht, akoma të prapambetura, njeriu ynë as nuk jeton as nuk vishet më si përpara tri deceniesh e lëre më si në shekullin e kaluar. Në vend të plisit ai vë në kokë shpesh kapelën apo kasketën; në vend të tirqve ai vesh pantallonat prej stofi; në vend të kavallit dhe të lahutës ai shpesh dëgjon burinë apo violinën; në vend të kalanicës ai përdor pjatën, kurse në vend të lugës së drurit përdor pirunin. Krahas ndryshimeve në jetën e njerëzve, industria dhe teknika kanë sjellë ndryshime edhe në fushën e arteve figurative: në pikturë, në skulpturë dhe në arkitekturë. Studiuesi i ndikimeve të teknikës në artet figurative, Pjer Frankastel, ka konstatuar në veprën e tij të njohur Arti dhe teknika se teknika ka sjellë universalizimin e formave figurative, ashtu si edhe të stilit jetësor:

"Pavarësisht prej dashurisë që disa qarqe kanë ndaj formave folklorike apo formave të artit popullor një rrymë e fuqishme e tërheq shoqërinë bashkëkohore që të përdorë tipe të njëjta objektesh qofshin ato nga natyra figurative apo utilitare. Sot ndërtojnë dhe vishen njësoj në Paris, Varshavë, Rio de Zhaneiro dhe në Pakistan. Ekspozitat e pikturës janë jashtëzakonisht të ngjashme prej Sidnejit deri në Osllo. Madje edhe atje ku shfaqet njëfarë stagnimi, si në Bashkimin Sovjetik, aplikohen forma të gjuhës figurative që u rezistojnë disa përvojave bashkëkohëse, por që e vazhdojnë artin e djeshëm të perëndimit, duke mos krijuar kurrfarë formash apo materialesh". Nuk do mend se teknika, e cila mund të drejtojë pak a shumë stilin dhe formën e arteve figurative për shkak se ato janë të varura prej teknikës, nuk mund të ushtrojë një ndikim të tillë edhe në krijimtarinë letrare. A do të thotë kjo se procesi i universalizmit të formave dhe të shijeve, që në njëfarë mënyre është i nxitur prej mediumeve të komunikimit dhe teknikës, nuk është shprehur edhe në artin e fjalës? Sigurisht po, por, sigurisht, jo në atë masë. Shkrimtarët e një vendi sot mund të informohen shpejt dhe lehtë se si shkruajnë shkrimtarët e vendeve të tjera; romanet më të mira franceze, apo amerikane, apo sovjetike mund të gjenden shpejt në përkthim apo në origjinal në bibliotekat e çdo shteti dhe shkrimtarët e tjerë mund të shohin se si janë shkruar ato. Secili romansier ka mundësi të shohë se çfarë prosedeu dhe teknike krijuese përdor një shkrimtar tjetër, kurse këtë mundësi nuk e kanë pasur shkrimtarët e shekujve të largët. Edhe në letërsinë bëhen zbulime në pikëpamje të teknikës së shprehjes. Kështu, për shembull, teknika e monologut të brendshëm, të cilën e ka afirmuar, megjithëse nuk e ka përdorur vetë i pari, romansieri i madh, Xhems Xhojsi, është një prej të mirave, të cilën, me modifikime të ndryshme, e zbatojnë pjesa më e madhe e romansierëve bashkëkohorë.

Është e qartë, pra, se proceset e sotme kulturore flasin për afrimin e shijes, të interesimit dhe të mënyrave të shprehjes të krijuesve bashkëkohorë. Izolimi kulturor, ashtu sikundër edhe izolimi shkencor, është disi i pamundshëm dhe, në qoftë se do të ishte i mundshëm, atëherë do të ishte i rrezikshëm. Kombet e Bashkuara sot janë duke u përpjekur të formojnë një byro informative, që do t'ju dërgonte informatat shkencore të gjitha vendeve, në mënyrë që të mos derdhen shpenzime të panevojshme rreth hulumtimeve dhe zbulimeve të bëra në ndonjë vend tjetër. Mund të besojmë se një byro e tillë artistike do të ishte e panevojshme por, në qoftë se izolimi shkencor do të ishte katastrofal për ardhmërinë e një populli, është e sigurt se edhe izolimi letrar dhe kulturor do të ishte një rrezik i madh për ardhmërinë e kulturës së atij populli. Izolimi kulturor dhe letrar, për më tepër, sot është një vetëvrasje e vetëdijshme, të cilën mjerisht, mund ta bëjnë vetëm individët, por, fatlumnisht, kurrë të gjithë krijuesit. Çdo letërsi kombëtare ka nevojë të ndjejë zërin e letërsive të kombeve të tjera, kurse përkthimet, përpos funksioneve të tjera, kryejnë edhe funksionin fisnik të gërshetimit të ndjeshmërive, të shkëmbimit të ideve, të afrimit dhe mirëkuptimit ndërmjet popujve. Shkrimtarët apo studiuesit e tyre që sot mendojnë se një letërsi kombëtare duhet të frymëzohet prej letërsisë popullore dhe prej traditës së vet në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme i bëjnë, pra, një shërbim të keq kulturës shpirtërore të popullit të tyre.

A do të thotë kjo, ndërkaq, se ndikimet e pranuara prej letërsive të popujve të tjerë duhet t'i drejtojnë kahet, frymëzimet dhe format e shprehjes në një letërsi kombëtare?

Hapja e një letërsie para ndikimit të letërsive të popujve të tjerë në asnjë rast nuk duhet të nënkuptojë, dhe nuk guxon të nënkuptojë, cenimin e karakterit të saj origjinal, autokton kombëtar. Letërsia e privuar prej karakterit të saj autokton kombëtar mund të jetë vetëm një letërsi epigoniste dhe në një rast të tillë ajo nuk mund të jetë kaptinë interesante as e letërsisë botërore. Çdo komb, çdo popull ka fatin e vet specifik në historinë e përbotshme, që, natyrisht, varet edhe prej fatit të popujve të tjerë; çdo popull është i pajisur me disa cilësi të papërsëritshme - ndonëse historikisht të kushtëzuara - etnike, që doemos ndikojnë edhe në karakterin e krijimtarisë së tij shpirtërore. Letërsia, në të cilën nuk vijnë në shprehje të plotë këto specifika shoqërore, historike dhe etnike nuk mund të jetë letërsi e vërtetë. Në studimin e tij të njohur mbi Tolstojn dhe ndikimin që realisti i madh rus ka ushtruar në letërsitë e perëndimit, Gjergj Llukaç me të drejtë pohon: "Çdo letërsi vërtet e madhe, pavarësisht se sa mund të pësojë ndikime, ecën rrugës së zhvillimit të vet organik, që e caktojnë kushtet shoqërore dhe historike të atdheut". Shkrimtari, që nuk frymëzohet prej fatit historik dhe ekzistencial të popullit të vet, që nuk shpreh etikën, etnopsikologjinë dhe botën karakteristike të këtij populli nuk mund të jetë shkrimtar i madh, kurse veprat e tij nuk mund t'i shërbejnë afrimit të popujve dhe ndikimit frytdhënës të kulturave dhe letërsive të tyre. Letërsia merret me trajtimin e së veçantës dhe sa më thellësisht, sa më plotësisht, sa më gjithanshëm të trajtohet kjo e veçantë, aq më tepër vjen në shprehje karakteri i përgjithshëm, universal i veprës letrare. Të gjithë njerëzit, dhe të gjithë njerëzit e të gjitha kombeve lindin, rriten, dashuroj në dhe vdesin, por të gjithë njerëzit e të gjitha kombeve lindin, rriten, dashurojnë dhe vdesin brenda disa kushteve të caktuara, brenda një përvoje historike dhe shoqërore, që e karakterizojnë atë komb, atë mjedis. Çdo njeri i dashuruar do t'i thotë të dashurës së tij: të dua, xhan, të dua dhe do t'i thotë se e dashuron në gjuhën e tij kombëtare, por do ta realizojë dashurinë me të brenda kushtesh të posaçme, specifike për mjedisin dhe popullin e tij. Disa shkrimtarë mendojnë se veprat e tyre do të jenë kuptimisht universale vetëm në qoftë se merren me trajtimin e disa dukurive universale dhe në qoftë se këto dukuri universale i përfaqësojnë përmes personazhesh të paidentifikuara, me emra simbolikë, dhe përmes ngjarjesh të pacaktuara në pikëpamje kohore. Nuk është rastisje pse veprat e këtilla bëhen shpejt të mërzitshme pikërisht pse e veçanta e trajtuar në to duket abstrakte, metafizike. Me pandehjen se në atë mënyrë mund ta meritojnë më lehtë atributin e shkrimtarëve modernë, ata harrojnë se edhe prozatorët modernë, sikundër janë Xhems Xhojsi, Marsel Prusti, Virgjinia Vulfi, Viljem Fokneri, kurse sot Natali Saroti, Mishel Bytori dhe Alen Rob-Grije, u venë emra të caktuar personazheve të veta dhe i bëjnë bartës të ngjarjeve të një mjedisi të caktuar: irlandez, francez, apo amerikan. Ashtu sikundër mund të shndërrohet insistimi realist, natyralist, në provincializëm, po ashtu, mund të shndërrohet transhistorizmi në universalizëm të rrejshëm. Një pohim i këtillë nuk do të thotë se nuk mund të shkruhen edhe vepra, në të cilat mungojnë personazhet nacionalisht të emërtuara dhe ngjarjet ambientalisht të lokalizuara, apo se veprat e tilla nuk mund të kenë vlerë, shpesh, të lartë artistike, por kjo do të thotë se veprat e tilla në asnjë rast nuk është e thënë se janë universale për vetë faktin pse nuk janë nacionale përkah përmbajtja. Letërsia, nëpër dejtë e së cilës nuk rrjedh gjaku i atdheut, nuk mund të jetë vetvetiu letërsi nëpër dejtë e së cilës do të rrjedhë gjaku i botës. Shkrimtari i cili nuk e ndjen pulsin e popullit të vet, aq më pak mund të jetë shkrimtar që do të ndjejë pulsin e gjithë njerëzimit. Eskili është shkrimtar i gjithë botës për shkak se është në radhë të parë shkrimtar i grekëve të lashtë; Dante është shkrimtar i botës për shkak se është shkrimtar i italianëve mesjetarë; Shekspiri është shkrimtar botëror për shkak se është në radhë të parë shkrimtar anglez; Rabindranat Tagora është shkrimtar botëror për shkak se në radhë të parë është shkrimtar i indianëve; Tolstoj, Dostojevski, Tomas Mani, Balzaku, Marsel Prusti, Njegoshi, Naimi janë shkrimtarë të mëdhenj për shkak se janë në radhë të parë rus, gjerman, francez, malazez, shqiptar. Thellësia e trajtimit të së veçantës kombëtare e kushtëzon, pra mundësinë e ngritjes kuptimore të saj në të përgjithshme njerëzore. Sepse, shkrimtarët që shtrojnë çështje të rëndësishme kombëtare njëkohësisht shtrojnë çështje të rëndësishme të gjinisë njerëzore; shkrimtarët që janë në gjendje të shohin dhe shprehin synimet kombëtare njëkohësisht i shprehin edhe synimet historike botërore. Shkrimtarët e mëdhenj janë bërë të mëdhenj duke trajtuar atë që më së miri e kanë njohur dhe, meqenëse e kanë njohur më së miri fatin dhe ekzistencën e popullit të vet, është e kuptueshme pse gjithë shkrimtarët e mëdhenj janë në radhë të parë shkrimtarë kombëtarë.

Të gjithë ata që për hir të karakterit universal e harrojnë ose e injorojnë karakterin kombëtar të letërsisë, në të vërtetë i shërbejnë vetëdijshëm ose jo, një, le ta quajmë ashtu, politike imperialiste letrare dhe kulturore. Të këtillët qën­drojnë në të njëjtin front të barrikadave me ata që kur flasin për letërsinë botërore në të vërtetë flasin për letërsitë e popujve të mëdhenj, që, shpresojnë, duhet t'ua diktojnë kahet, idetë, format letërsive të popujve të vegjël. Kreatorët e diplomacisë së dominimit politik gjithmonë i kanë pasur ithtarët e vet edhe në radhët e krijuesve që diplomacinë e tyre e kanë plotësuar me politikën e dominimit kulturor. Një popull mund ta çmojë sinqerisht një popull tjetër vetëm në qoftë se i respekton veçoritë me të cilat ai ndryshon prej tij, ashtu siç mund ta respektojë një krijues i talentuar krijuesin tjetër në qoftë se ndryshon prej tij. Afrimi i popujve përmes ngjashmërive, unifikimit, është i rrejshëm; afrimi i vërtetë mund të mbështetet vetëm në respektin e plotë të ndryshimeve historike, shoqërore, etike, etnopsikologjike, kurse letërsia është mediumi më i përshtatshëm i shprehjes artistike, që mund t'i shquajë ato në plotësinë e tyre kombëtare.

Shkrimtarët shqiptarë do t'i kontribuojnë afrimit të popullit tonë me popujt e tjerë të botës, në qoftë se në veprat e tyre, që do të përktheheshin në gjuhët e huaja, i shprehin sa më thellë, sa më gjithanshëm, veçoritë historike, shoqërore, etike dhe etnopsikologjike të shqiptarëve. Ata akoma mund të frymëzohen prej letërsisë popullore dhe prej mençurisë së popullit tonë duke u ruajtur mos të bie në folklorizëm dhe prej letërsive të popujve të tjerë, duke u ruajtur mos të bëhen imitues të tyre. Duke i asimiluar shpikjet e shkrimtarëve të shquar të popujve të tjerë, në njërën, kurse duke e shprehur sa më plotësisht qenien tonë kombëtare në anën tjetër, ata do të mund ta vënë letërsinë tonë krah për krah letërsive të popujve të tjerë, të bindur se ashtu e pasurojnë me një kaptinë akoma të hapët letërsinë botërore.

Një komb mund të jetë më i përparuar se një komb tjetër në pikëpamje ekonomike dhe teknike, por asnjë komb nuk mund të jetë më i dalluar se një komb tjetër në pikëpamje të prirjeve dhe aftësive krijuese. Gjenialitetin krijues nuk e kushtëzon zhvillimi ekonomik; gjenitë e fjalës artistike lindin në mjediset e zhvilluara dhe të prapambetura. Veprat e tyre përfaqësojnë zërin origjinal të popullit të tyre në parlamentin e madh të letërsisë botërore. Duke folur për romanin latino-amerikan, kritiku kubanez, Miguel Pedro Gonzales, me të drejtë ka thënë: "Është koha që Amerika të kuptojë se nuk mund të vallëzojë gjithmonë sipas muzikës së të huajve. Mendoj se kjo vlen për politikën aq sa edhe për letërsinë". Dhe, mund të shtohet se kombet e sotme do të afrohen me të vërtetë në qoftë se mësohen të kuptojnë, çmojnë dhe duan muzikat, domethënë zërat e ndryshëm të njeri tjetrit.

Ne duhet të përpiqemi ta shquajmë sa më mirë zërin tonë duke u kujdesur në të njëjtën kohë të dëgjojmë zërat e popujve të tjerë.

 

 

Ismail Kadare: RRETH NDIKIMEVE TË HUAJA DHE KARAKTERIT KOMBËTAR TË LETËRSISË

 

Si në çdo sferë të jetës, edhe në sferën e letërsisë dhe të arteve rritja e përpjesëtimeve të krijimtarisë shoqërohet me rritjen e përpjesëtimeve të problemeve që i dalin herë pas here kësaj krijimtarie dhe që kërkojnë zgjidhje. Kjo është edhe rruga e natyrshme e zhvillimit dialektik të letërsisë dhe të arteve tona.

Në tridhjetë vjetët e jetës së saj letërsia jonë e re socialiste, ashtu si gjithë jeta e vendit, krahas sukseseve dhe gëzimeve të mëdha, ka njohur gjithashtu situata të mprehta, të cilat ajo ka mundur t’i kapërcejë me sukses. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe me një letërsi që ngrihet me revolucionin dhe ecën hap pas hapi me revolucionin. Nuk ishte pak për letërsinë tonë që në këta tridhjetë vjet të jetës së saj të ngrihej si një protestë kundër botës së vjetër, të ndante llogaritë një herë e për gjithmonë me letërsinë reaksionare, zyrtare, dekadente dhe klerikale të së kaluarës, të ndeshej me aventurierët e djathtë pas çlirimit, t'u shmangej vulgarizatorëve të majtë, të bënte një luftë këmbëngulëse kundër konservatorizmit, nga njëra anë, dhe kundër modernizmit, nga ana tjetër, të vetëmbrohej në një farë mënyre nga ato shfaqje të veçanta skematizmi të letërsisë sovjetike dhe më në fund, - dhe kjo është meritë e saj kryesore, - të përballonte bashkë me popullin, nën udhëheqjen e partisë, provën më të madhe: t’i qëndronte ballë për ballë revizionizmit modern, të ruante në kushtet e bllokadës ekzistencën e saj; dhe jo vetëm ta ruante, por duke bërë pluhur e hi profetizimet e magjistricave revizioniste për gjoja zhdukjen ose degjenerimin e saj, të zhvillohej edhe më tepër gjatë kësaj periudhe, të njihte suksese të reja dhe të sfidonte kështu në mënyrën më të skajshme armiqtë e saj, që ishin njëkohësisht armiqtë e partisë dhe të popullit tonë.

Fakti që letërsia jonë i qëndroi kësaj prove, është një fakt i madh dhe kuptimplotë. Kjo tregon se letërsia jonë është lidhur me çështjen e madhe të popullit dhe të revolucionit, jo me penj të hollë, por me mishin dhe gjakun e saj.

Jeta tregoi se disa shkrimtarë në vendet revizioniste, duke u komformuar me kursin e ri revizionist, braktisën me lehtësi pozitat e realizmit socialist. Kjo dëshmon qartë se shkrimtarët e palidhur thellësisht me popullin dhe revolucionin mund të kthehen si një fletë llamarine nga era më e lehtë, pa folur pastaj se ç'mund të ndodhë me këta shkrimtarë në çaste furtunash.

Realiteti ynë letrar nuk ka njohur shfaqje të tilla. Por duke çmuar qëndresën tonë të suksesshme në këto dekada, ne jemi të ndërgjegjshëm se kjo nuk përbën asnjë garanci për vitet e ardhshme, në qoftë se zbehet, sado pak, karakteri luftarak i artit tonë. Pavarësisht se rruga e zhvillimit të këtij arti ka qenë një rrugë lufte, kjo nuk do të thotë aspak se kalitja nëpër këtë luftë e ka imunizuar atë dhe e ka nxjerrë jashtë zonës së goditjes së valëve të ndikimeve të huaja kundërrevolucionare. Marksizëm-leninizmi na mëson se klasat shtypëse qoftë edhe kur janë të përmbysura, ndikojnë akoma mbi fitimtarët që shkelin mbi varret e tyre. Por kur të vdekurit kanë fuqi ndikuese mbi ne, ç'mund të themi pastaj për klasat shtypëse që janë akoma në pushtet dhe që bëjnë çmos për të përjetësuar rrethimin e tyre të egër borgjezo-revizionist kundër nesh.

Për një kohë të gjatë borgjezia ndërkombëtare është përpjekur të diskreditojë në sytë e opinionit botëror artin e realizmit socialist. Diapazoni i kësaj lufte ka qenë tepër i gjerë, duke filluar nga shpifjet vulgare e talljet cinike gjer tek vërejtjet e holla, bile me një ton disa herë sugjerues. Pra, janë përdorur armë nga më të ndryshmet, sipas kohëve e situatave. Për një kohë të gjatë shkrimtarët dhe artistët e lidhur me çështjen e komunizmit kanë qenë përballë këtij presioni. Do të ishte naive të besohej se ky presion zbutet dhe, si rrjedhim, bëhet më i parrezikshëm. Përkundrazi, në variantin e tij të stërholluar, pa vulgaritetin dhe cinizmin, ai bëhet më i rrezikshëm. Do të ishte gjithashtu naive të besohej se shkrimtarët dhe artistët tanë nuk mund të prekeshin prej tij. Është e vërtetë se tek ne nuk ka bazë sociale për lindjen e veprave dekadente dhe në pozita krejtësisht të mbrapshta me aspiratat e klasës punëtore, por askush nuk mund të thotë se tek ne nuk ekziston rreziku i lindjes së veprave të veçanta, me gjithfarë mbishtresash e nënshtresash të huaja, me karakterin klasor të dobësuar në minimum; me një fjalë, një letërsi me «gjak të ëmbël», që në pamje të parë duket sikur as prish as ndreq, por që në të vërtetë gërryen themelet e gjithçkaje që është tërë gjatë këtyre viteve mundi dhe përpjekjesh.

Shfaqja vitet e fundit e ndikimeve të poezisë hermetike tek ne, botimi i vjershave, bile edhe i cikleve me vjersha hermetike, dobësimi i karakterit epik të letërsisë, shmangia nga temat e mëdha dhe rendja e disa shkrimtarëve pas «qëndismave letrare», nuk tregojnë tjetër veçse një prirje modifikimi që shfaqet aty-këtu dashur pa dashur, sidomos në gjininë e poezisë. Ky është një modifikim që kërkohet t'i bëhet artit tonë në favor të shijes borgjeze dhe revizioniste. Natyrisht që kjo është rezultat i atij presioni të vazhdueshëm, të përditshëm dhe monoton që i bëhet në përgjithësi kulturës sonë nga jashtë. Ky ndikim ngjit sidomos tek ata poetë, shkrimtarë ose artistë që kanë mungesa në bagazhin ideoartistik të tyre. Është vështirë t'i ndash disa herë mungesat në përmbajtje nga mungesat e formës në një vepër letrare artistike. Rrjedhimisht, është po aq vështirë të përcaktosh se në cilën nga këto sfera shfaqet në fillim ndikimi. Zakonisht, njëra sferë infekton edhe tjetrën. Përveç mungesave në botëkuptimin ose në forcën artistike, një shkrimtar ose artist e bëjnë disa herë të parezistueshëm ndaj ndikimeve faktorë subjektivë, moralë dhe etikë, manitë dhe vanitetet letrare, siç janë etja për të qenë me çdo kusht modern, rendja pas novatorizmit të sipërfaqshëm dhe, disa herë, dëshira për autoreklamë.

Kështu, si rezultat i pjesshëm ose i përbashkët i këtyre faktorëve, kohët e fundit tek ne ka ndodhur mbyllja e disa poetëve në një guaskë të ngushtë ndjenjash mikroborgjeze. Është interesante të vërehet se kjo mbyllje në vetvete është shoqëruar me një mbyllje edhe në formë. Për shkak të errësimeve poetike, është pakësuar komunikimi me lexuesin, duke shkuar në ndonjë rast deri në prerjen e plotë të kontaktit me të. Kështu, kemi pasur kohët e fundit vjersha, dhe disa herë cikle vjershash, të pakuptueshme pjesërisht ose krejtësisht nga masat. Dhe dihet se kur një krijues fillon e ngre urat që e lidhin me lexuesit, ai ndodhet në rrezikun e shkëputjes nga populli, që është fillimi i të gjitha fatkeqësive të tjera letrare.

Veç kësaj, nuk është e rastit, p.sh., që prirja për adaptim ndaj shijeve të huaja u rishfaq tek ne sidomos vitet e fundit, pikërisht në kohën që disa vepra të letërsisë, muzikës, kinematografisë dhe pikturës sonë, me forma të ndryshme, krijuan një kontakt me spektatorët dhe lexuesit përtej kufijve të vendit tonë. Ky fenomen tregon, përveç një mungese bindjeje të thellë për rolin dhe destinacionin e artit tonë, një naivitet tepër të madh të këtyre krijuesve, të cilët nuk arrijnë të kuptojnë se arti ynë (edhe kur flasim për lexuesin ose spektatorin përtej kufijve) do të gëzojë respekt tek ata vetëm kur të jetë thellësisht kombëtar, i paadaptueshëm dhe i pamodifikueshëm ndaj shijeve kozmopolite. Vetëm një art i tillë socialist dhe kombëtar njëkohësisht do të jetë art autokton i revolucionit socialist, në të kundërt ai nuk do të jetë gjë tjetër veçse një përzierje e dyshimtë jetëshkurtër, pjellë e kompromisit, i destinuar herët ose vonë të cedojë në favor të artit borgjez, etj.

Karakteri kombëtar i letërsisë vjen e ndeshet kështu në mënyrë të pashmangshme me valën e ndikimeve të huaja moderniste ose konservatore. Karakteri kombëtar i artit, nga njëra anë, dhe ndikimet e huaja borgjezo-revizioniste, nga ana tjetër, po të përdorim shprehjen e Migjenit, janë dy skaje të një litari që tërhiqen në drejtime të kundërta. Njeri përjashton tjetrin. Të dy bashkë nuk mund të bashkëjetojnë brenda një arti. Rrjedhimisht, forcimi i karakterit kombëtar të një letërsie është njëkohësisht një ngushtim i frymëmarrjes së ndikimeve; dhe e kundërta, vërshimi i ndikimeve i merr frymën karakterit kombëtar. Nuk është e rastit që disa herë rresht shoku Enver Hoxha na ka tërhequr vëmendjen për ta shikuar dhe rishikuar çështjen e forcimit të tabanit kombëtar në sferën e poezisë, prozës, pikturës, skulpturës dhe muzikës sonë.

Karakteri kombëtar i letërsisë dhe i arteve nuk është një shpikje as një konstruksion forcues, ose një ilaç që ne, punonjësit e artit, e kemi gjetur me sukses dhe ja injektojmë artit tonë nga jashtë, për ta bërë atë më të dobishëm dhe më të qëndrueshëm. Kjo do të ishte njëlloj sikur të mendonim që një fëmije mund t'i injektonim, bashkë me vitaminat ose vaksinat e ndryshme, edhe konstruksionin e eshtrave. Sepse karakteri kombëtar nuk është një cilësi e thjeshtë e artit, ai është një nga komponentët bazë të ekzistencës së tij, ai lind bashkë me të dhe jo vetëm afirmon vitalitetin e një arti, por, në fund të fundit, vërteton në se ky është art ose joart. Natyrisht, ky karakter kombëtar nuk vendos akoma gjithçka në përcaktimin e natyrës së një arti dhe absolutizimi i tij (ashtu si çdo tezë që, duke u çuar në ekstrem, kthehet në të kundërtën e vet) është ndoshta po aq i dëmshëm sa mohimi i tij. Vetëm karakteri kombëtar nuk ka qenë kurrë garanci për natyrën përparimtare ose reaksionare të një arti. Ai mund t'u shërbejë si një armë e verbër të dyjave. Në letërsinë realiste - socialiste është partishmëria proletare ajo që e kthen karakterin kombëtar nga një cilësi inerte në një faktor të mrekullueshëm për përsosmërinë e artit të madh të revolucionit.

Sot tek ne, krahas procesit të socialistizimit të jetës, ndodh edhe procesi i socialistizimit të letërsisë dhe është e natyrshme që karakteri i saj kombëtar gjithmonë e më tepër merr aromë socialiste dhe, ashtu sikurse në jetë, kombëtarja dhe socialistja në art synojnë drejt njëra-tjetrës dhe shkrihen me njëra-tjetrën.

Karakteri kombëtar i një letërsie si cilësi e lindur, e vetvetishme e saj, nuk realizohet si rrjedhim i aplikimit të disa formulimeve, ai buron në vetë gurrën e artit dhe janë këto formulime që ne i nxjerrim nga praktika shekullore letrare dhe nuk është praktika letrare që ka dalë prej tyre. Karakteri kombëtar i letërsisë sonë shfaqet në format më të larmishme, në variacione të pafund, disa herë në të papritura të habitshme, që e kanë burimin në atë rezervë të pashtershme artistike që përmban shpirti i popullit. Le të marrim, p.sh., pesë poetë të shquar të letërsisë sonë De Radën, Naimin, Nolin, Poradecin, Migjenin. Arti i tyre e ka të realizuar karakterin kombëtar në mënyra të ndryshme, që është shumë vështirë t'i kodifikosh në ndonjë skemë, siç bëhet disa herë në mendimin letrar-artistik. Duke u marrë me vocërrima formaliste, ky mendim letrar artistik në disa raste nuk ka mundur të zbulojë dot ku qëndron karakteri kombëtar i shumë veprave të letërsisë sonë. Por kjo është e keqja më e vogël. Disa herë, i magjepsur pas skemave formaliste, ai e ka gjetur karakterin kombëtar në sipërfaqe të artit, në periferitë e tij të jashtme, duke e varfëruar atë tek s'bëhet dhe duke sjellë kështu një çoroditje midis letrarëve dhe lexuesve. Në këtë trajtim formalist të problemit ka ndihmuar ndonjëherë edhe interpretimi metafizik i asaj kërkese të realizmit socialist që flet për përmbajtje socialiste dhe formë kombëtare.

Karakteri kombëtar i një letërsie i ka rrënjët në përmbajtje dhe pastaj shpërthen në formë. Ky taban kombëtar nuk afirmohet siç ka ngulur këmbë, për fat të keq, ndonjëherë kritika jonë, vetëm nga kadencat, teknikat ritmike, pasuria frazeologjike, gjestikulaturat, përshkrimet zakonore, etnografia dhe të tjera elemente të kësaj natyre. Natyrisht, të gjitha këto luajnë një rol dhe janë të domosdoshme, ashtu siç është i domosdoshëm faktori i parë që një vepër të quhet kombëtare - gjuha. Mirëpo në qoftë se janë të domosdoshme, ato nuk janë të mjaftueshme. Po të përdorim si kriter këto elemente të formës, për shkrimtarin do të ishte e vështirë, p.sh., të gjente diçka të përbashkët në veshjen, gjestikulaturën ose frazeologjinë midis një plake gjirokastrite, myzeqare dhe malësore të Veriut. Ka diçka më të thellë dhe më themelore që përcakton tabanin kombëtar të komunitetit shpirtëror të popullit. Fryma kombëtare përcaktohet, në radhë të parë, nga konceptet që ka populli për jetën dhe për vdekjen, për lirinë, sakrificat, ligjet, nga shkalla e realizmit ose jorealizmit në të shpjeguarit e fenomeneve, nga ndjenja e humorit, fatalizmit ose groteskut, nga raporti midis epikës dhe lirikës, optimistes dhe pesimistes, indiferencës dhe angazhimit, etj. etj. Të gjitha këto nuk kanë lindur rastësisht. Ato janë ngjizur gjatë shekujve si rezultat i qindra situatave historike të përsëritura, që kanë vendosur fatin e tij midis komunitetit të popujve të tjerë. Shtresa-shtresa, ashtu si veprimi i rrebesheve mbi relievin e tokës, mbi psikikën kolektive të popullit kanë vepruar jeta dhe vdekja, liria dhe robëria, shtypja klasore dhe terrori i huaj, realja dhe e magjishmja, e qeshura dhe vaji, bashkësia dhe vetmia. Është ky taban i përbashkët që ka krijuar pastaj mënyrën e të folurit, intonacionet, ritmikën, gjestet, frazeologjinë, bile gjer në një farë shkalle edhe portretin fizik të njeriut. Detyra e shkrimtarëve dhe e gjithë punonjësve të artit nuk është që të vërtiten në sipërfaqen e formës për të realizuar karakterin kombëtar të veprës së tyre, por, përkundrazi, të zbresin thellë në puset e përmbajtjes. Dhe këto puse janë plot dhe të pashfrytëzuara gjer në fund.

Në kushtet e ekspansionit kultural të «superfuqive» forcimi i karakterit kombëtar të letërsisë dhe arteve është një problem i përbashkët për kulturat e shumë popujve, por për ne, në konditat e rrethimit imperialisto-revizionist, ai merr një mprehtësi jo të zakonshme. Përvoja e gjertanishme na tregon se mbetet akoma shumë për të bërë në gjetjen e përpiktë të fjalës, tingullit, ngjyrës dhe formave që do të transmetojmë në faqe librash, pëlhurë, pentagram ose bronz e mermer botën e madhe shpirtërore të popullit. Veçanërisht të rrezikshme bëhen tani ato teorizime dhe ata teorizues që përpiqen të përligjin zhdukjen e karakterit kombëtar të letërsisë. Ka ndonjë predikues përtej kufijve që përpiqet të na mbushë mendjen se letërsia jonë duhet të jetë në fillim universale dhe pastaj kombëtare. Këta lloj predikuesish s'janë tjetër veçse tellallë të zellshëm të kozmopolitizmit. Dihet se të gjitha vlerat letraro-artistike gjatë shekujve janë pjellë e popujve të ndryshëm dhe karakteri universal i tyre s'është tjetër veç rezultati i shkëlqimit të plotë të karakterit kombëtar.

Më se disa herë partia na ka tërhequr vëmendjen se me theksimin e frymës kombëtare të letërsisë, në asnjë mënyrë nuk presupozohet ndonjë lloj fobie ndaj letërsisë botërore. Përkundrazi, ashtu siç ka gjithmonë diçka të përbashkët në aspiratat e popujve, ashtu edhe në artet e tyre ka gjithmonë diçka të përbashkët. Dihet se gjithçka e madhe dhe përparimtare në letërsinë e çdo populli, vetvetiu, bëhet pronë e përbashkët e kulturës botërore. Këtu duhet theksuar se ai art që ne e quajmë të dëmshëm, të huaj dhe të papranueshëm për ne, është zakonisht po aq i dëmshëm, i huaj dhe i papranueshëm për vetë interesat e popujve në gjirin e të cilëve lind.

Gjatë viteve të fundit kritika jonë, dhe në përgjithësi mendimi kritik i krijuesve, nuk ka bërë një luftë sistematike dhe konsekuente kundër ndikimeve të huaja. Nga ana tjetër, ajo nuk është marrë seriozisht me problemet e frymës kombëtare në letërsinë dhe artet tona. Duke u marrë shpesh me çështje anësore ose të paqena, si p.sh. e drejta e qytetarisë së vargut të lirë ose tradicional, e poemës me subjekt ose e poemës pa subjekt, e «romanit të gjatë» ose e «romanit të shkurtër», e kritikës entuziaste ose e asaj të balancuar, etj. etj., është e natyrshme që ajo të linte jashtë vëmendjes problemet më të rëndësishme. Veç kësaj, ajo është hedhur shpesh nga njeri ekstrem në tjetrin, nga një rreptësi e pafalshme ndaj të rinjve, me një tolerancë po aq të pafalshme. Kështu, p.sh., nga një qëndrim konservator në lidhje me figuracionin poetik tek të rinjtë, ajo është hedhur në një liberalizëm të tillë sa që ka lejuar, bile ka marrë në mbrojtje, gjithfarë lloj imitimesh të tyre, dhe jo vetëm imitimesh, por edhe plagjiaturash. Nuk kanë munguar tek ne edhe teorizues të tillë që, gjoja në emër të mbrojtjes së të rinjve, kanë kërkuar legalizimin e plagjiaturës, që është njëlloj sikur të kërkosh heqjen e ligjit që dënon vjedhjen. Por dihet se kur në një letërsi lejohen imitimet dhe plagjiaturat, dhe aq më keq kur ato merren në mbrojtje, ky është hapi i parë, serioz, për ta shkëputur këtë letërsi nga jeta, sepse, siç ka thënë Gramshi, artin e lind jeta dhe poezia nuk mund të pjellë kurrë poezi. Veç kësaj, është e kuptueshme që të rinjtë, të cilët e bëjnë imitimin stil pune, të bien pastaj në gjithfarë ndikimesh, dhe bile plagjiaturash të huaja.

Në luftën kundër ndikimeve të huaja, sidomos në letërsi, kritikës i bie një barrë e rëndë. Disa herë i është tërhequr vëmendja kritikës për mosangazhimin e saj të plotë në këtë luftë, disa herë ka pasur diskutime për vendin që duhet të ketë kritika në botën tonë letrare. Natyrisht që kritika, si pjesë përbërëse e artit, nuk është një shërbyese e tij e përvojtur, siç e kuptojnë disa, por, nga ana tjetër, ajo nuk është as arbitër që e gjykon atë «eks katedra». Kritika është ai kompleks urash që ndihmojnë për të krijuar një kontakt sa më të ngushtë midis krijuesve dhe popullit, të vetmit gjykatës të madh dhe të paapelueshëm të artit. Konceptet intelektualiste kanë nxitur disa herë çoroditjen në kritikën letrare, subjektivizmin dhe karrierizmin, siç tha shoku Enver në konferencën e 17-të të partisë të Tiranës. Dihet se pasionet e vogla mikroborgjeze çojnë në shpërdorimin e vigjilencës dhe praktikisht në dobësimin e saj. Nuk është e rastit që në shumicën e rasteve nuk ka qenë kritika letrare ajo që ka tërhequr vëmendjen e para për shfaqjet negative në krijimtarinë tonë dhe kjo apati e kritikës është një dobësi e ndjeshme e saj.

Në luftën kundër valëve të njëpasnjëshme të ndikimeve të huaja kundërrevolucionare, të ardhura nga çfarëdo lloj drejtimesh, do të luajë, pa dyshim, një rol të rëndësishëm edhe theksimi i toneve madhore dhe i karakterit epik të letërsisë sonë. Bota e brendshme e njeriut, evoluimet shpirtërore, perfeksionimi gradual i ndërgjegjes së njeriut kanë qenë dhe mbeten, pa asnjë dyshim, motive tepër të rëndësishme, të artit tonë letrar. Megjithatë, duhet thënë se pikërisht në përshkrimin e këtyre sferave është më i mundshëm depërtimi i ndikimeve të dëmshme të huaja. Në botën e sotme borgjeze e revizioniste po bëhet çmos për ta spostuar vëmendjen e arteve nga realiteti objektiv në thellësitë e ndërgjegjes njerëzore, pra në atë «mikrounivers» të errët, siç quhet prej tyre, ku padyshim është më e lehtë të bëhen spekulime, ashtu siç është më lehtë që mashtrimet të bëhen në një bodrum pa dritë. Çdo letërsi, qoftë edhe ajo realiste - socialiste, që heq dorë nga dimensionet epike, nga tonet madhore, është e destinuar, herët ose vonë, të pësojë krizë. Tema e perfeksionimit moral të njeriut, sado e trajtuar. me mjeshtri dhe partishmëri proletare, nuk mund të kompensojë kurrë mungesën e konstruksioneve të mëdha në letërsi. Epika në artet tona e ka burimin në natyrën epike të vetë jetës së popullit tonë nëpër shekuj. Nga ana tjetër, epika është në natyrën e revolucionit. Epoka e komunizmit, koha e luftërave klasore me përpjesëtime të papara ndonjëherë, epoka e rrebesheve dhe e përmbysjeve dramatike, ka nevojë për letërsinë epike. Kjo letërsi, në një mënyrë ose në një tjetër, duhet të jetë enciklopedi e komunizmit, dhe që të jetë e tillë ajo s'duhet të heqë kurrë dorë nga konstruksionet madhore. Në qoftë se Engelsi ka thënë se prej Balzakut ka mësuar për strukturën e shoqërisë franceze më shumë se prej gjithë filozofëve dhe ekonomistëve, a nuk është e ligjshme të kërkojmë që letërsia realiste-socialiste në tërësi të jetë një dëshmi e madhe e epokës sonë? Prej kësaj letërsie, në një mënyrë ose në një tjetër, duhet të mësohet veç të tjerash, si janë bërë përmbysjet e mëdha revolucionare, si mbi gërmadhat e shtetit të përmbysur është ngritur shteti i ri i punëtorëve, si kanë funksionuar mekanizmat e tij, qeveria, ligjet, diktatura e proletariatit, si janë zhvilluar strukturat shoqërore e ekonomike, ç'halle, ç'probleme, ç'drama ka kapërcyer partia, udhëheqja, gjithë vendi në këtë marshim epokal e të lavdishëm. Natyrisht, të gjitha këto nuk mund të kërkohen as nga një vepër e vetme, as nga një autor i vetëm. Por në qoftë se nuk mund t'ia kërkojmë çdo vepre dhe çdo autori, kjo nuk do të thotë se nuk mund t'ia kërkojmë letërsisë në tërësi. Dhe letërsia jonë i ka të gjitha kushtet për ta bërë këtë. Letërsia dhe artet tona ndodhen në një marshim të madh. Të vëna në shërbim të Atdheut e të revolucionit, të armatosura me partishmërinë proletare, të papajtueshme me modernizmin dhe konservatorizmin borgjez e revizionist, nga njëra anë, dhe me rutinën konservatore e skematike, nga ana tjetër, pa iu shmangur kontradiktave dhe dramacitetit të kohës, me frymë kombëtare, ide komuniste dhe art të madh, ato do të njohin patjetër suksese të reja dhe gëzime të reja.

Shtojca 3

 

 

 

PROJEKT STATUTI I

INSTITUTIT ALBANOLOGJIK

 

Në bazë të propozimit, të dhanun prej Mbledhjes së gjuhëtarëvet dhe letrarëvet, mbajtun në Prishtinë me 14-15 nanduer 1952, për krijimin e nji trupi të përhershëm kompetentash të gjuhës, letërsis dhe historis, Pleqsija për arsim e kulturë në Prishtinë vendosi themelimin në Prishtinë të njij instituti albanologjik.

Me qëllim përcaktimi të veprimtaris s’Institutit albanologjik, Pleqsija për arsim e kulturë ftoi në Beligrad pjesëmarrësat e poshtëshenuem në mbledhjen gjuhësore të Prishtinës: Elhami Nimani, Prof. Vojisllav Dançetoviq, Prof. Selman Riza, Esad Mekuli, Prof. Zekerija Rexha, Hasan Kaleshi, Idriz Ajeti, Anton Çetta, Ali Rexha dhe Sulejman Drini.

Kjo mbledhje e ngushtë, mbasi rrahi problematikën e shtrueme dhe arrijti në përfundimet e duhun, ngarkoi nji komisjon të ngushtë të përbam prej Prof. V. Dançetoviq, Prof. Z. Rexhës dhe Hasan Kaleshi për hartimin e projekt statutit t’Institutit albanologjik.

Neni 1.

Me qëllim gjurmimi shkencuer dhe zhvillimi të matejmë të kulturës kombtare të Shqiptarëve në R.F.P.J. themelohet në Prishtinë INSTITUTI ALBANOLOGJIK.

Neni 2.

Ky institut asht autonom.

Neni 3.

Veprimtarin e vet Instituti albanologjik do ta zhvillojë nji herë në gjuhësi, letërsi dhe histori e mandej n’ etnologji dhe n’art.

Neni 4.

Instituti përbahet prej antarësh të përhershëm, antarësh kandidatë (mbrenda Shtetit) si dhe prej anëtarësh korrespondentë.

Çdo antar ban pjesë në njanin prej tre seksjoneve: I. të gjuhësis, II. të letërsis dhe III. të historis.

Neni 5.

Organi ma i naltë i Institutit albanologjik asht Mbledhja e përvitshëme e atarëvet të përhershëm.

Neni 6.

Organi ekzekutiv i Institutit albanologjik asht Këshilli drejtues, që përbahet prej kryetarit t’Institutit dhe prej kryetarëvet të seksjonevet që zgjidhen vit për vit prej Mbledhjes së përgjithëshme.

Neni 7.

Në Mbledhjen e përvjetshëme t’antarëve të përhershëm Këshilli drejtues referon mbi buxhetin, mbi veprimtarin e zhvillueme dhe mbi parashikimet e vitit vijues.

Neni 8.

Mbi proponimin e seksjonit përkatës zgjedhja e antarëvet kryhet prej Mbledhjes së përgjithshëme dhe pëlqehet prej Pleqsis për arsim e kulturë.

Antarëvet të përhershëm si dhe antarëvet kandidatë u caktohet nji honorar antarsije i përmuejshëm.

Neni 9.

Veprimet tekniko administrative do të kryhen prej njij personeli që do t'emnohet prej Këshillit drejtues dhe do të pëlqehet prej Pleqsis për arsim dhe kulturë.

 

 

PROCES VERBAL

 

i mbledhjes së mbajtun me dt. 8/VII/953 në Seminarin e albanologjis pranë Fakultetit të filozofis në Beograd mbi organizimin e punës së Institutit albanologjik në Prishtinë.

Në mbledhje muerën pjesë shokët: Elhami Nimani, kryetar i Pleqsis për arsim e kulturë në Krah. Aut. të Kos. e Met. në Prishtinë; Prof. Vojisllav Dançetoviqi, udhëheqës i Katedrës s'albanologjis në Beograd; Prof. Selman Riza, lektor pranë fakultetit të filozofis në Sarajevë; Esat Mekuli, drejtori përgjegjës i revistës letrare "Jeta e re"; Zekerija Rexha, Idriz Ajeti e Ali Rexha, profesora pranë gjimnazit shqiptar në Prishtinë; Hasan Kaleshi, asistent pranë Grupit t'orientalistikës në Beograd; Anton Çetta asistent pranë Grupit t'albanologjis në Beograd; Sulejman Drini nëpunës i ndërmarrjes "Mustafa Bakija” dhe Martin Camaj, apsolvent në Fak. e Filoz. në Beograd.

Mbledhjen e hapi shoku Elhami Nimani i cili njoftoi pjesëmarrësat se, mbas mbledhjes së gjuhëtarëve shqiptarë në Prishtinë me 14-15 nanduer 1952 ku pat qenë parashtrue nevoja për nji Institut që do të mirresh me studimet albanologjike dhe që do të ndihmonte shum në ngritjen e përgjithshme kulturore të Shqiptarëve të Kos. e Metohis, Këshilli ekzekutiv krahinuer për Kos e Met. ka aprovue hapjen e Institutit albanologjik në Prishtinë.

Si probleme kryesore u paraqitën:

1) Seksjonet e Institutit

2) Kuadrat permanente dhe bashkëpunëtore

3) Puna konkrete nder seksionet e ndryshme.

 

1) Për sa i përket seksioneve që do të ketë Instituti, mbas nji diskutimi të gjithanshëm pjesëmarrësit panë t’arsyeshëme që tash për tash të hapen:

a) Seksjoni i gjuhësis i cili do të mirret me studimin e gjuhës bashkohanike, me dijalektologji dhe me folklorin gjuhësuer.

b) Seksjoni i letërsis, do të mirret me historin e letërsis së deritashëme (çmimin dhe gjykimin me një sy kritik të trashigimit letrar) dhe letërsin bashkëkohanike (nxitje, udhëzime shkrimtarëve të rij dhe botim i veprave të tyne).

c) Seksjoni i historis do të mirret me historin e popullit shqiptar në bashkëjetesë me popujt sllavë të jugut; me hartimin e historis së Shqiptarëve përgjithësisht dhe me studimin e disa ngjarjeve historike të kohëve të vona.

2) Përsa i përket kuadrave që do të punojnë mbrendë dhe jashtë institutit u pa e arsyeshëme që përposë kuadrve permanentë, të ftohen për bashkëpunim dhe njerëz të shquem për studimet e tyne në lamën e albanologjis kudo qofshin të cilët do të quhen bashkëpunëtorë të rregull me korrespondencë.

Me qëllim që të formohen kuadra të reja shkencore në lamën e albanologjis, do të ftohen për bashkëpunim punëtorët e rij intelektualë si bashkëpunëtorë kandidatë, qofshin permanentë ose me korrespondencë.

Në këtë periudhë të parë u caktuen këta bashkëpunëtorë:

a) Në seksjonin e gjuhësis si bashkëpunëtorë permanentë: Idriz Ajeti deri me 1 tetuer 1953. Mbas kësaj date Prof. Selman Riza dhe Sulejman Drini. Si bashkëpunëtorë me korrespondencë: Prof. V. Dançetoviq, Hilmi Thaçi (kandidat) dhe Idriz Ajeti (mbas datës l tetuer), albanologët e shquem që ndodhen mbrenda dhe jashtë vendit t’anë si dhe nji numër arsimtarësh të gjuhës shqipe të cilët do të ftohen ma vonë për bashkëpunim.

b) Në seksjonin e letërsis bashkëpunëtori permanent do të caktohet ma vonë ndërsa si bashkëpunëtorë me korrespondencë do të jenë: Esad Mekuli, Dr. Petro Janura, V. Gj. Relja, Hasan Kaleshi, Anton Çetta, Martin Camaj dhe arsimtarët e intelektualët tjerë që do të ftohen ma vonë për bashkëpunim.

c) Në seksjonin e historis si bashkëpunëtuer permanet caktohet Ali Rexha, ndërsa bashkëpunëtor me korrespondencë do të jenë Dr. Kruno Kërstiqi, Hasan Kaleshi dhe shum profesorë të tjerë t’Universiteve të R.F.P.J. që do të ftohen për bashkëpunim.

Për organizimin e sa ma të përsosun të degëve t’Institutit, punës dhe detyrimeve dhe të drejtave t’anëtarëve të tij, qofshin këta permanentë me korespondencë ose kandidatë, u formue nji komisjon nga shokët: Prof. V. Dançetoviq, Prof. Zekerija Rexha dhe Hasan Kaleshi, të cilët do ët shkojnë n’Akademin e shkencave të R.P.S. dhe mbas nji konsultimi me Prof. Beliq dhe me persona tjera administrative, tue pasë gjithëmonë para sysh specificitetin e kushteve dhe nevojave t’ona, do të hartojë projekt statutin e Institutit ku do të përfshihet dhe statuti i bashkëpunëtorëve.

3) Përsa i përket punës konkrete ndër seksjonet e ndryshëme, në këtë periudhë të parë do të kryhen këto punime:

 

a) Në gjuhësi:

- Rishbotimi i fjalorit të Kristoforidhit ku pjesa shqipe do të transliterohet me germat t'ona ndërsa ajo greqishte me germat latine tradicionale në shkencë, me plotësimet eventuale ku shfaqet nevoja.

- Rishbotimi kritik i teksteve të shkrimtarëve të vjetër shqiptarë në tanësi (Buzu, Budi, Matranga, Bardhi, Bogdani, Kazazi) këto botime do të bahen suksesivisht.

- Rishbotimi reproduktiv i Kanunit të Lekë Dugagjinit.

- Përpilimi i fjalorthave terminologjikë sërbisht-shqip, të cilët do të botohen në blej të veçantë dhe do të shërbejnë si ndihmë për hartimin e nji fjalori të përgjithshëm shqip. U caktuen fjalorthat e ndryshëm dhe hartuesit e tyne:

1) Fjalorthi linguistik. Hartuesa: Pr. Selman Riza, Prof. V. Dançetoviq, I Ajeti.

2) Fjalorthi letrar: Hartuesat: Hasan Kaleshi, Anton Çetta, Martin Camaj.

3) Fjalorthi për shkencat politike shoqnore dhe për administratë. Hartuesa: Prof. Zekerija Rexha, Sokol Dobroshi, Ali Rexha Vehab Shita, Mustafa Shala dhe Hazër Tufa.

4) Fjalorthi për shkencat natyrore. (Zoologji, botanikë, gjeografi, medicinë, bujqësi, veterinari). Hartuesat: Esat Mekuli, Xheladin Deda, Sulejman Drini, Zeqir Bajrami, Shefqet Veliu dhe Qamil Ibrahimi.

5) Fjalorthi për matematikë, fizikë, kimi, industri, tenikë e komunikacjon. Hartuesat: Hasan Hakiu, Ismet Dehiri, Mehmet Gjevori, Sali Kolgeci dhe Haki Hoxha.

Mbas hartimit të këtyne fjalorëve do të fillohet puna në hartimin e nji fjalori shqip.

Të blehet nji magnetofon dhe të vazhdohet puna e deritashme në mbledhjen e folklorit: kangë popullore, prralla, fjalë t’urta, frazeologji dhe fjalë të rralla.

- Dijalektolagjija të jetë nji problem që do të studjohet krahas me punën e përgjithshëme në seksjonin e gjuhësis.

- Përpilimi i gramatikës të lihet për ma vonë, mbasi të mblidhet materjali i nevojitun në teren. Për hartimin e sajë u pa e arsyeshëme të shfrytëzohet ajo e Dr. Gjegj Pekmezit.

 

b) Në letërsi:

- Të mblidhet materjali për të përgatitë dalë nga dalë e me kohë nji histori të letërsis shqipe.

- Të bahen punime të veçanta (monografina) rreth shkrimtarëve.

- Të bahen gjurmime të veçanta mbi krijimin letrar në gjuhë shqipe, gjatë kohëve të kalueme, në Jugosllavi.

- Të nxiten shkrimtarët e rij për krijime origjinale dhe të bahet i mundshëm botimi i veprave të tyne.

- T’i kushtohet nji kujdes i posaçëm përkëthimeve në gjuhën shqipe që të kenë dhe këto nji vleftë letrare.

- Të hartohet plani i veprave që botohen në ndërmarrjen "Mustafa Bakija” në Prishtinë.

 

e) Në histori.

Të merren nga Pleqsija për kulturë dhe shkencë tezat e historis së Shqiptarëvet, të dërgueme për shqyrtim dhe të punohet në zgjatimin e tyne.

- Të kërkohen bashkëpunëtorë që do të ndihmojnë në hartimin e historis së Shqiptarëve në bashkëjetesë me Sllavët e jugut.

- Të kërkohen dëshmitarë të gjallë ende, që do të mujnë me thanë dishka mbi ngjarjet historike të së kaluemes së afërt.

- Të dërgohen njerëz ndër arkivet e ndryshëme për të gjetë dhe shfrytëzue dokumentet e vjetër historike në lidhje me landën që i intereson seksjonit të historis.

Përposë këtyne vendimeve u pa e arsyeshme dhe:

- Nxjerrja e librave të nevojëshme nga bibliografit që kemi, për të mujtë me i porositë mandej jashtë, mbrenda mundësive financjare;

- Të ndërmjetësohet pranë Dekanatit të Fakultetit të filozofis për të mujtë me marrë disa libra në duplikatë nga Seminari i albanologjis në Beograd. Mbi kushtet e nevojshëme Instituti do të mirret vesh ma vonë me Seminarin.

 

 

 

 

NJË BISEDË ME SHOKUN ELHAMI NIMANI RRETH PUNËS S’INSTITUTIT ALBANOLOGJIK

 

Në fletoren tonë Nr. 60 u-botue artikulli "U themelue Instituti albanologjik" - shkrue prej prof. Idriz Ajetit. Qëllimi i këtij artikulli nuk ishte me i njoftë gjanë e gjatë lexuesat tanë mbi këtë themelim, por mâ tepër si hymje në nji problem, të cilin Instituti, tash për tash, e rrah e, që âsht: gjetja e termave të përshtatshëme për shum gjana e kuptime nga të gjitha lamit e jetës sonë shoqnore, të cilat terma mungojnë në gjuhën shqipe. Kjo âsht vetëm njana anë e përmbajtjes së punnës së këtij Instituti. Që të njifen lexuesat tanë mâ gjanësisht me përmbajtjen e punës së këtij enti kulturuer, bashkëpuntori i ynë i bâni disa pyetje shokut Elhami Nimani, drejtorit t'Institutit në fjalë. (Redaksia e “Rilindjes”).

 

PYETJA: Përveç studimit gjuhës, me ç'punë tjera kryesore do të merret Instituti albanologjik që u themelue?

PERGJEGJEJA: Puna kryesore me të cilen do të merret Instituti, mvarësisht prej kushteve dhe nevojave, âsht gjuhësija, lavrimi i mâutjeshém i gjuhes, sepse zhvillimi i gjithanshëm ekonomik dhe shoqnuer në Jugosllavinë socjaliste ka shkue dhe po shkon përpara me nji rritëm të hovshëm ndërsa gjuha shqipe nuk âsht lavrue krahas me këtê zhvillim. Për këte shkak në jetën e perditshëme, qoftë në të folun apo në të shkruem, na po hasim në vështirsina të mdhaja për të çfaqë dhe pasqyrue larmënin e jetës sonë.

Instituti jo ma pak do të merret edhe letërsin, historin, shqiptare si edhe ma vonë, mbassi të krijohen kushtet e nevojshme do të merret edhe me studime t’etnologjis dhe t’artit.

 

PYETJA: A do të jenë përpjekjet e Institutit që formohet gjuha në të folun dhe në të shkruem, pothuejse, veçanisht për Shqiptarët e Jugosllavi? Nëse po, ku qëndron arsyeja dhe, për ate qëllim, çfarë masash do të merren në ditët e para dhe çfarë rruge do të ndiqet?

PERGJEGJEJA: Instituti do të punojë në formimin e gjuhës së shkrimit për Shqiptarët e Jugosllavis. Rruga për mbërrijtjen e këtij qëllimit do të jetë ajo që e cakton Mbledhja e gjuhëtarëvet shqiptarë më 14 nanduer 1952 në Prishtinë: formimi i njij gegënishtjeje letrare në të cilën vijnë dhe bashkëpunojnë nëngegënishtet e ndryshëme simbas njij kriterit të caktuem, kriterit të menjanimit t'evolutave partikulariste të nëndijalekteve të ndryshëme. Kësodore gjuha e shkrimit e Shqiptarëvet në RFPJ do të marri gjithëshka ka të përshtatshëme në shkodranishte dhe elbasanishte, si edhe të gjitha mundësit dhe begatit e kosovarishtës dhe dibranishtës, e madje tue i dhanë këtyne nji shkas të fuqishëm në zhvilllimin e matejshëm.

Për t'ia mbërrijtë këtyne qëllimeve - Instituti tash, në ditet e para, do punojë:

1. - Në përpillmin e njij fjalorthi terminologjik sërbisht-shqip, ku do të caktohen terminat në degët e ndryshëme të veprimtaris shoqnore te na. Mbas hartimit të këtij fjalorthi, Instituti do t'ia hyjë punës për përpilimin e njij fjalori shqip.

2. - Në mbledhjen e folklorit, kangëve, përrallave, gojëdhanave, kash’e lashëve e tjera, të cilat do të shërbejnë si burim për fjalë e shprehje për përpilimin e ketyne fjalorëve, studimin e dijalektologjis dhe për lavrimin e gjuhës në përgjithësi.

3. - Në hartimin e njij gramatike të gjuhës shqipe, me qenë se deri tash nuk kemi asnji gramatikë shkencore shqip.

4. - Në ribotimin e veprave te shkrimtarëve të vjetër, vepra të cilat nuk janë rishbotue asnjiherë deri me sod e vlefta e tyne gjuhësore âsht tepër e madhe. Së shpejti nga ana e Institutit do të rishbotohet fjalori i njoftun i transliteruem në shkronja shqipe.

 

PYETJA: Çjarë masash janë ndërmarrë apo do ndërmerren nga ana e Institutit sa i përket letersis shqipe?

PERGJEGJEJA: Puna kryesore në këtê fushë do të jetë studimi kritik dhe shkencuer i trashigimit letrar që kanë Shqiptarët, në mënyrë që, dalëngedalë e me kohë, të përgatitet hartimi i njij historije të letersis shqipe, e cila tash mungon e për të cilën ndihet nevojë shum e madhe. Përveç kësaj do të bahen studime të veçanta (monografina) rreth shkrimtarëvet; do të bahen gjurmime, studime mbi kriijimin letrar të Shqiptarëvet në kohët e kalueme në Jugosllavi. Do të nxiten shkrimtarët e rij për krijime letrare origjinale; veçanërisht Instituti do t'u kushtojë nji kujdes të posaçëm përkëthimeve në gjuhën shqipe që ato të kenë vleftën e tyne letrare e gjuhësore.

 

PYETJE: Në lidhje me studimim e historis së Shqiptarëvet a ka pasë ndonji përpjekje edhe pa u themelue Instituti? Çfarë pune asht ba deri tash dhe çfarë problemesh (fazash) konkrete të historisë do të përpiqet Instituti me i sqarue?

PERGJEGJEJE: Jo ma pak se sa problemi i gjuhës parashtrohet si problem me randësi edhe historija e Shqiptarëvet. Na ende nuk kemi nji histori shkencore të dokumentueme, përveç disa veprave të cilat rrahin ndonji nga periudhat e historis së Shqiptarevet. Për këtë shkak, dy-tri vjetë para se me u themelue Instituti, pranë Pleqsis për arsim e kulturë të Këshillit populluer të Krahinës ka punue nji komisjon për histori, i cili deri tash ka mbledhë materjal për studimin e historis dhe ka përpilue thezat e historis së popullit shqiptar në përgjithësi. Instituti tash e tutje do të vazhdojë punën në perpunimin e matejshem të këtyne thezave, veçanisht për plotësimin e nevojavet për mësimin e historis së Shqiptarëve në shkollat fillore dhe të mesme.

Në këte lami Instituti do të merret edhe me studimin shkencuer të historis së Shqiptarëvet. Në këte punë do të ndriçohet veçanërisht historija e Shqiptarëve në bashkëjetesë me Sllavët e Jugut. Përveç kësaj Instituti do të gjurmojë e do të mbledhi materjal për ngjarjet historike të së kaluemes t'afërme të popullit shqiptar në Jugosllavi.

Kjo do të jetë puna e Institutit albanologjik e nga kjo shifet se sa randësi të madhe ka ky për zhvillimin kulturuer të masave shqiptare në Jugosllavi e që do me thanë edhe nji provë e gjallë e politikës së drejtë nacjonale që ndiqet në Jugosllavi ndaj gjithë popujve dhe pakicave kombëtare.

 

 

 

Varianti i padërguar i një letre për Kristë Malokun

 

I ndershëmi Z. Maloku,

Me 4 dhetuer të vitit të kaluem Ju kemi shkrue për të Ju njoftue dërgimin e njëkohësishëm të njëj numri botimesh, kërkuem prej Jush. Tash po Ju japim sqarimet që me letrën t’Uej datë 28 nanduer 1953 na kishit kërkue në vijim të letër-grishjes s’onë që të na jipni kontributin t’Uej të çmueshëm në veprimtarinë shkencore t’Institutit t’ânë[1].

Ndërsa Shqiptarëvet, në Jugosllavinë e vjetër të Serbomdhejvet, nuk u jepeshin as të drejtat kombtare mâ elementare, e madje as që njihesh formalisht egzistenca e tyne ethnike; përkundrazi, në Jugosllavinë e re socialistike dhe demokratike, të njajtët Shqiptarë përbâjnë njânën prej pakicave kombtare mâ me randësi në Republikën t’on federative popullore. Për mâ tepër, mbassi në Kosovë dhe Metohí elementi shqiptar përbân shumicën e popullsisë, për këtë arsye Kosova dhe Metohija janë konshtituue me një Krahinë Autonome ku krahas me serbokroatishten përdoret edhe shqipja si gjuhë zyrëtare. Ndërkaq, edhe në krahinat si dhe republikat tjera të Jugosllavisë, Shqiptarët gëzojnë plotësisht të drejtën me u shkollue në gjuhën âmtare dhe me lavrue kulturën kombtare, ta merr mendja, tue shporrë soje gjithçkah mund të jetë në kundërshti apo në mospajtim me ideologjinë socialistike apo me patriotizmin jugosllav.

Me krijimin, në Prishtinë, të njëj Instituti albanologjik u siguruenë për Shqiptarët e Jugosllavisë kushtet e duhun për gjurmimin shkencuer dhe zhvillimin e mâtejm të kulturës së tyre kombtare. E me sigurimin e ketyne kushteve Pushteti populluer i Jugosllavisë së ré dha edhe një provë mâ tepër të vendosunisë së vet që barazinë e gjithanshme të Shqiptarëvet të mbrapambetun me tjerat pakica kombtare të Jugosllavisë e me vetë komsinat jugosllave - ta zbatojë konkretisht edhe në fushën e përgjegjësishëme të kulturës së naltë.

Në masën në të cilën emigracioni shqiptar përbâhet prej ish-kolaboracionistash nazo-fashistë gjegjësisht prej bartësvet të parullës së “Shqipnisë së Madhe”, âsht e natyrshme që opinioni i këtij emigracioni përgjithësisht mbi regjimin e ri jugosllav e posaçënisht mbi pozitën e Shqiptarëvet të Jugosllavisë - të jetë i disfavorshëm. Kundër paragjykimeve të këtyre njerëzve na jemi të pafuqishëm, e bashkëpunimi me ta - qoftë edhe vetëm në laminë akademike – na âsht i pamundshëm e madje i padëshirueshëm.

Na dëshirojmë me bashkëpunue vetëm me ata Shqiptarë që janë dashamirë, një herë për një herë makar vetëm potencialë, të Jugosllavisë së ré. E për të qenë të këtillë mjafton me përmbushë një kusht të vetëm: të deritashëmin informacion antijugosllav me e marrë, me një akvanimitet mâ të kthjelltë, rishtas në shqyrtim në dritë pikërisht t’informatavet që do të Ju vijnë edhe prej anës s’onë.

E, i ndershëmi Z. Maloku, na ju konsiderojmë edhe Jú si një Shqiptar të këtillë dmth., si një Shqiptar që âsht i gatshëm me mirëpritë një informacion sa ma të specifikuem mbi gjendjen e gjanavet ndër ne. E një informacion këso fare âsht i domosdoshëm kur të jetë fjala për një regjim shoqnuer me të vërtetë specifik, siç âsht rasa me regjimin e ri jugosllav.

E, pa dashtë me polemizue me Ju, por vetëm sa për të Ju tregue se edhe Ju keni nevojë për një lloj studjimi diferencial mbi realitetin politik jugosllav, po citojmë këtu një passus të letrës s’Uej:

”Regjimi i sotshëm i Jugosllaviës, të cilin m’a e paraqitni Ju me ngjyra mjaft sympathike, këtu në botën e jashtme jo-autoritare... – Dmth. Jugosllavija bâka pjesë në botën autoritare?!” Ndërkaq e vërteta, tashmâ seriozisht e pamohueshme, âsht vetëm e vetëm këjo se regjimi i rí jugosllav nuk mund të futet kurrsesi as në thesin e autoritarizmit sovjetik të Lindjes as në torbën e liberalizmit borgjez të Perëndimit, e se përkundrazi ky regjim përbân një synthezë, në daçi thueni dynamike, në daçi realistike, por gjithmonë një synthezë të socializmit e të demokracisë.

Gjithashtu pa dëshirue formalisht me polemizue me Ju në lidhje me një tjetër passus të së njajtës letër: “Jam mandej fund e maje shkencëtar në kuptimin gjerman...”, po lejohemi me Ju përmend faktin vështirësisht të kontestueshëm se në laminat p.sh., të ideologjisë politike, të sociologjisë, të historisë[2] etj., shkencëtarija gjermane, çanë tjeravet shkencëtarina nacionale, nuk mund të mburret për ndonjë “kriterësí sa mâ fort objektive”. U muerr vesh se për kah methoda e administrimit të provavet, thuej, për kah aparatura ndoshta pakëz pedante por paqërtueshmënisht demonstrative – të pikëpamjeve të veta, Gjermanët nuk kanë shokë në botë. Mirëpo, jo rrallë e tek, por shpesh e dendur këto pikëpamje të Gjermanëvet janë mjerisht vetëm do peticione principesh, thuej, vetëm do postulate subjektivë.

Le të kalojmë në konkretizimin e kushteve të bashkëpunimit t’Uej shkencuer me né. Në lidhje me shkoqitjen: “Bashkëpunimi i im – kudo e kahdo – mund të realizohet vetëm me shpërblime të përshtatshme dhe të ndershme”, mund të Ju thomi vetëm kaq se për punimet t’Uej do të Ju sigurojmë maksimumin e honorarit që ndër né parshikojnë ligjët dhe rregulloret në fuqi.

Kuptohet vetiu se, as përkah mbrendija as përkah forma, punimet t’Uej nuk mund të pësojnë prej anës s’onë as atê mâ të voglin tjetërsim. Ndonëse, në parim, jemi kundërshtarë që të vêhen rishtas në diskutim disa pika të drejtëshkrimit të gegënishtes që tashmâ mund të mbahen si të pakontestueshëme prej shumicës së madhe të shkrimtarëvet dhe të gjuhëtarëvet t’anë, prapëseprapë, po insistuetë Ju, na jemi gati me pranue edhe grafinat etymologjizuese: “e reë, ideë, Jugosllaviës” etj., sado që, edhe në vetëveti, na duken të papërligjshëme, midis tjerash, sepse, po u përgjithësuenë këto grafina, nuk âasht çudi që të shkohet deri në /?/ drejtëshkrimet: “deleë, luleë” etj. – Jemi gati me rishprodhue besnikisht deri shqiptimet e shkrimet: “Si mund t’a e kuptoni “si do t’a dini”, “të cilin m’a e paraqitni” etj., sado që, simbas bindjes s’onë të thellë, përbâjnë lajthime jo të lehtë.

Në lidhje me thematikën që eventualisht mund të përpunoni për né, si dhe në lidhje me numërin e përafërsishëm të faqevet për çdo themë kemi nderin me Ju kumtue sa vijon.

Neve nuk po na duket gjithaq e përshtatshëme që, si botime t’Institutit, të paraqesim “do shkrime programatike që mund të mbushin njaty afër 8 faqe të revistës “Jeta e Ré”, per çdo themë.” Na mendojmë se Ju punimet këso fare e këso mase mund t’i botoni drejtë për së drejti në vetë këtë revistë, redaksija e së cilës zor që të mos i mirëpresë.

Anasjelltas, si botime t’Institutit, për né vijnë në konsideratë sidomos monografina prej 15-20 deri në 40-50 faqe të daktylografueme, e që të mos përbâjnë rishbotime të qindpërqindshëm.

Në dritë të sa mâ sipër, dhe në pritje të ndonjëj proponimi mâ konkret prej anës s’Uej, na po lejohemi me sugjerue themat që pasojnë:

1. Histori: Në perspektivën e njëj introdukte sa mâ të thuktë mbi karakteristikat shum a pak permanente të sundimtarisë otomane në kurriz të popujve ballkanas, me parashtrue një studjim diferencial mbi aspektet specifikë të sundimtarisë otomane në kurriz të popullit shqiptar si dhe mbi reagimet gjithashtu specifikë të këtij populli kundrejt kësaj sundimtarije.

2. Kritikë letrare: Përtrimje e azhurnueme dhe plotësim i duhun i kritikës s’Uej të famshëme mbi Naim Frashërin.

3. Kritikë gjuhësore: Historiat i azhurnuem i problemit gjuhësuer të Shqiptarëvet (sidomos verijorë).

I ndershëmi Z. Maloku,

Po e muerrtë para sysh faktin se Instituti ende nuk ka kapërxye plotësisht fazën e organizimit të mbrendshëm, shpresojmë se do të na ndjeni për vonesën e madhe me të cilën Ju u përgjegjmë këso here.

Ju përshëndesim miqsisht.

Prishtinë me 27/II/1954                    Drejtori i Institutit

/Elhami Nimani/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Letër e Kristë Malokut dërguar Elhami Nimanit

 

Graz me 28 Nandor 1953

Zotni

Elhami Nimanit

Drejtor i Inst. Albanologjik

Prishtinë

Jugosllavië

 

I ndershmi Z. Drejtor,

Vonesa e përgjegjëjes s'ime i detyrobet ma së pari faktit që jam tuji pritë tash e tre muejë librat e premtuemë si nga zotnija e Juejë si nga Z. Camaj. Si mund t’a e kuptoni Ju vet, situata e ime kundrej Instituti t’Uej dhe një bashkpunimi eventual mbrenda tij paraqitet në shumë pikëpamje mjaft delikate.

Të merremi një herë vesht: Une - si do t’a e dini -nuk jam marrë kurr me politikë dhe as që due të merrem me te; lene mandej që jam nënshtetas dhe nëpunës definitiv i shtetit austrijak dhe kësodore (jam) i ndaluem rreptësisht - simbas ligjit dhe besës së dhanunë – me u perzie në ndonjë lëvizje politike jasht kufijve austrijakë. Jam mandej fund e maje shkencëtar në kuptimin gjerman, d.m.th. mbahem vetëm mbas pikëpamjesh dhe kriteresh sa ma fort objektive dhe kërkoj të rrij larg çdo koncesjoni të prujtun këndej o andej. Së fundit gjendja e ime financjare asht aq e ngushtë dhe prekere sa çdo kohë e lirë jashta detyrave të mija zyrtare - arësimore asht e xanunë me punë dhe detyra të ndryshme private që synojn sigurimin e standardit t'im jetësor-shoqnor dhe sidomos sigurimin e materjalit të nevojshëm letrar e shkencëtar; kësodore edhe çdo bashkpunim i im - kudo e kahdo – mund të realizohet vetëm me shperblime të pershtatshme dhe të ndershme.

Pyetjet dhe pergjigjëjet perkatëse rreth këtyne pikave të paraqituna i pritshe pra nga librat e premtuemë, sepse aty mund të shifshe drejt për së drejti a terthorazi vijat programatike dhe rrethin e paracaktuem, mbrenda të cilit mund të shvillohet veprimi i im literar a shkencëtar. Mjerisht, me gjithë që jam mundue mjaft këndej e andej me marrë pak vesht mbi gjendjën e vertetë socjale, kulturale dhe politike t'elemenit shqiptar në Jugosllavië, derimë sot s'kam mujtë me perftue ndojë ideë të saktë dhe të perplotë. Regjimi i sotshëm i Jugosllaviës, të cilin m'a e paraqitni Ju me ngjyra mjaft sympathike, këtu në boten e jashtme jo-autoritare dhe sidomos ner qarqe të ndryshme t'emigracjonit shqiptar edhe s’ka mujtë me i davaritë do hieje a mjegulla dyshimi. Me gjithë atë - ndo neper hirin e natyrës s'ime kryekëput idealiste -optimiste ndo neper besimin t'im në një shvillim të ri revolucjonar të popujve të Ballkani kah një strukturë e reë kulturore-socjologjike dhe kah një integracjon të domosdoshëm politik - pra i shtyem nga kësollojë ndjenjash e konvinkcjonesh e kam pranue aty per aty grishjen t’Uejë dhe jam çfaqë me një herë - shif letrat e mija Z. Camajt – “en princip” gati per bashkpunim. Nuk e mohoj mandej që si letër-grishja e Juejë si letrat e Z. Camajt dhe do libra të marrunë prej zotniës së tijë më janë deri dikund garanta per një bashkpunim shpresëdhanës dhe të frytshëm. Pos kësajë thirrja e Juejë më ka ba pershtypjen e një kushtrimi të popullit t'im, per të cilin kam qenë, jam dhe do të jem perherë gati per çdo sakrificë baras me fuqitë dhe mundsitë e mija modeste. Dhe në qoft se flas vet këtu per do kondita, nen të ci1at mund të shvillohet njaj bashkpumim i im, atëherë vetëm e per-vetëm që të merremi vesht në çdo mëndyrë e që abolla mos të na dalin kot ma vonë moskuptime a shkuptime.

Konditat e mija të paperkalueshme jan sidomos këto dy:

1) shkrimet e mija ndo 1iterare ndo shkencëtare mos të ndryshohen, mos të perziehen me të tjera e sidomos mos të lakohen n'as një mëndyrë - bilem as n'ortografië! - pa lejen t'ime të veçantë.

2) per bashkpunimin t'im të më caktohet një rrogë e rregullshme muejore o një shperblim financjar i pershtatshëm si mbas punës a veprës (kuptohet nga vetiu që ky shperblim nuk mund të jetë as lëmoshë e as ndihëm e aq ma pak ndonjë pagesë me ndonjë nënkuptim politik!).

Sa per kondita tjera parashof vet respektimin e kodeve të vetkuptuemë të moralit botnor, të së drejtës natyrore dhe të zakoneve nderkombëtare.

Sa per rrethin a drejtimin e një bashkpunimi eventual nuk due të caktoj ndojë gja sot per sot. Lama literare dhe shkencëtare, ku mund t'u vinte në veprim fjala a penda e ime, asht mjaft e gjanë dhe sprovat e dhanuna tash e 30 vjetë ner botime të ndryshme shqiptare a të hueja mund të jenë dishmitare të shumëngjyrsiës dhe të dinamizmës së njasajë lame. E dijtunë që në fillim do të jem i ngushtuem me u çfaqë me do ribotime a me perpilimin e do shkrimeve ma fort të rastit. Këtu më shkojn ner mend do botime të shkurta - si bj.fj. ato në rivisten “Hylli i Dritës” vj. 1936/37 -, do shkrime programatike që mund të mbushin njaty afer 8 faqe të rivistës “Jeta e Re” per çdo themë. Porse këto të gjitha, dhe sidomos modalitetet e ndryshme të një bashkpunimi, mund të rregullohen vazhdimisht si mbas rastit dhe nevojës aktuale; kondita ma paraprake per një bashkpunim të frytshëm asht dhe ka me qenë: një marrveshje ndermjet Jush dhe meje në një atmosferë kordjaliteti dhe sinçeriteti.

E me kaq, i ndershmi Z. Drejtor, kujtoj se i jam pergjegjë plotsisht dhe sa ma shkoqimisht grishjës së Juejë per bashkpunim. Sa per lutjen apor kerkesën t’Uejë per dergesë librash nga ana e ime dhe per pasunumin e bibliothekës s'Institutit Albanologjik mjerisht sot per sot nuk kam shka t'U premtoj; zotnoj, po, një bibliothekë private mjaft të gjanë, baras me 4-5 grupe shkencash që m’okupojn, porse çdo liber a vepër mbrenda njasajë bibliotheke asht e vetme dhe e pazavendsueshme, sepse permban shënime dbe margjinalje etj. Por të jeni sigur se mbas tashi do të mendohem e do të mundohem drejt njasajë kerkese s'Uejë. Pyetjës s'Uejë të fundit se a më vjen ndonjë nga publikimet shqipe që botohen në Jugosllavië mund t’i pergjigjem pothue fare negativisht. Nepër mirësiën e Z. Camajt e marr tash së fundit rregullisht vetëm rivistën “Zani i Rinis”; nga Z. Camaj vet më ka ardhë “Kunora e Maleve” dhe “Fillimet e Gjuhësis Shqiptare” po ashtu edhe një numur (kopje) i vetëm i rivistës “Jeta e Re”. Mue, Z. Drejtor, m'intereson çdo botim në gjuhen shqipe apor rreth popullit t'onë, dhe do U ishe fort mirënjoftës po intervenuet atje pranë botuesave a publicistave të ndryshem në favorin t’im; sa të më jetë e mundshme do t’i pergjigjem detyrave të mija financjare.

Tuj pritë një gjegjëje sa ma të shpejtë mbi sa kam paraqitë në kët letër, mbetem me nderime e të fala miqësore.


 

 

 

 

Shtojca 4

PROTOKOLL

për zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit kërkimor-shkencor midis Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe Akademisë së Shkencave të RPS të Shqipërisë për vitin 1979 dhe 1980

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, për të vënë në jetë marrëveshjen e bashkëpunimit shkencor të nënshkruar midis tyre në Prishtinë, më 16. VI. 1979, miratuan këtë Protokoll;

 

I. Shkëmbim përvoje dhe konsultime

1. Të dy palët do të organizojnë dy konsultime (një në Prishtinë dhe një në Tiranë), lidhur me mbledhjen në territorin e KSA të Kosovës të materialeve që do t’i shërbejnë Atlasit dialektologjik të gjuhës shqipe, i cili po hartohet nga Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë. Secila pa1ë do të dërgojë deri në tre gjuhëtarë për dy javë në konsultën e organizuar nga pala tjetër.


        2. Të dy palët do të organizojnë dy konsultime (një në Prishtinë dhe një në Tiranë) për probleme që lidhen me mbledhjen në territorin e KSA të Kosovës të materialeve që do t’i shërbejnë Korpusit të veshjeve popullore, i cili po përgatitet nga Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, duke dërguar deri në tre etnografë për dy javë, në konsultën e organizuar nga pala tjetër.


        3. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë do të dërgojnë për shkëmbim përvoje nga tre punonjës shkencorë në fushën e mbrojtjes dhe restaurimit të monumenteve të kulturës.


        4. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë do të dërgojnë nga një grup studiuesish (prej katër vetash) në fushën e arkeologjisë, etnografisë dhe të antropologjisë për të studiuar dhe për të shkëmbyer mendime për materialet e grumbulluara në zonat e përmbytura nga Liqeni i Fierzës në RPS të Shqipërisë dhe në KSA të Kosovës.


          II. Kërkime arkivale bibliografike

1. Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë do të dërgojë dy punonjës shkencore për kërkime arkivale - bibliografike në fushën e historisë, për gjashtë javë.


        2. Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë do të dërgojë dy punonjës shkencorë për kërkime arkivale - bibliografike në fushën e historisë së letërsisë shqiptare dhe të gjuhës shqipe, për një muaj.


        3. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës do të, dërgojë katër punonjës shkencorë për kërkime arkivale - bibliografike në fushën e historisë, për tri javë.


        4. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës do të dërgojë katër punonjës shkencorë për kërkime arkivale - bibliografike në fushën e historisë së letërsisë shqiptare, të gjuhës shqipe dhe të folklorit për dy javë.


               III. Ekspedita shkencore

1. Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë do të dërgojë për hulumtime në terren në fushën e gjuhës dhe të antropologjisë katër punonjës shkencorë për gjashtë javë në KSA të Kosovës.


        2. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës do të dërgojë për kërkime në terren në fushën e së drejtës zakonore dhe të gjuhës gjashtë punonjës shkencore për katër javë në RPS të Shqipërisë.


              IV. Ligjërata

1. Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë do të dërgojë shtatë punonjës shkencorë për të mbajtur referime shkencore për arritjet e fundit në fushën e shkencave historike, te gjuhësisë, të letërsisë, të arkeologjisë, të studimeve ekonomike, të gjeografisë dhe të hidrometeorologjisë, si dhe për t’u njohur nga afër me arritjet e reja të shkencës dhe për të këmbyer mendime me punonjësit shkencorë në KSA të Kosovës.


        2. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës do të dërgojë shtatë punonjës shkencor për të mbajtur referime shkencore për arritjet e fundit në fushën e shkencave historike, të gjuhësisë, të 1etrsisë, të shkencave juridike dhe biomedicionale, si dhe për t’u njohur nga afër me arritjet e reja të shkencës dhe për të këmbyer mendime me punonjësit shkencorë në RPS të Shqipërisë.


            V. Shkëmbim i literaturës shkencore

1. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë marrin përsipër t’i dërgojnë njëra-tjetrës rregullisht revistat dhe botimet e tyre të tjera shkencore në pesë kopje.

 

2. Të dy palët do të shkëmbejnë, sipas kërkesave dhe mundësive, kopje të mikrofilmuara ose të fotokopjuara të botimeve të rralla dhe të dorëshkrimeve me interes shkencor.


        3. Të dy palët marrin përsipër të informojnë njëra tjetrën për botimet shkencore që kanë da1ë dhe dalin në RSF të Jugosllavisë dhe në RPS të Shqipërisë, në fusha të ndryshme të shkencave albanologjike dhe ballkanologjike.

 

Kushtet financiare për zbatimin e këtij protokolli do të plotësohen në përputhje me Marrëveshjen e bashkëpunimit kërkimor-shkencor midis dy Akademive të nënshkruar në Prishtinë më 16. VI. 1979.

Me marrëveshje të të dy palëve, këtij protokolli mund t’i bëhen ndryshime dhe plotësime.

Ky protokoll u hartua në dy kopje me përmbajtje dhe vlerë të njëjtë në gjuhën shqipe dhe në gjuhën serbokroate dhe u nënshkrua në Prishtinë më 16. VI. 1979.


PËR AKADEMINË E SHKENCAVE TË RPS TË SHQIPËRISË

Sekretari shkencor: Luan Omari

 

PER AKADEMINË E SHKENCAVE DHE TË ARTEVE TË KOSOVËS

Sekretari i përgjithshëm: Syrja Pupovci

 

PLATFORMA E BISEDIMEVE

të delegacionit të Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të KSK të Kosovës me Ministren e Arsimit e të Kulturës të RPS të Shqipërisë[3]

 

Bashkëpunimi kulturor, arsimor dhe shkencor midis institucioneve të KSAK me ato të RPS të Shqipërisë po zhvillohet me kontinuitet që nga vitit 1968. Ky bashkëpunim është pjesë integrale e marrëdhënieve të vendit tonë me RPS të Shqipërisë. Bashkëpunimit me vendet fqinje i kemi kushtuar gjithnjë vëmendje të posaçme, prandaj vendi ynë në këtë drejtim është angazhuar vazhdimisht. Krahina Socialiste Autonome e Kosovës bashkëpunimit në fushën e arsimit  e të kulturës me RPS të Shqipërisë i ka dhënë dhe i jep rëndësi të posaçme për shumë arsye. Në suazat e marrëdhënieve të përgjithshme të KSAK me RPSSH, bashkëpunimi në fushën e kulturës, të shkencës, të arsimit dhe të kulturës fizike zë një vend të veçantë. Këto marrëdhënie kanë shënuar një tendencë të vazhdueshme zgjerimi, thellimi dhe diversifikimi. Gjatë dy viteve të fundit bashkëpunimi ka shënuar një intensifikim të dukshëm. Me iniciativat e të dyja palëve janë kërkuar vazhdimisht forma të reja bashkëpunimi, janë bërë përpjekje për përsosjen e trajtave të bashkëpunimit të vazhdueshëm në disa fusha veprimtarie dhe në nxitjen e iniciativave të reja në të mirë të të dyja palëve.

Të gjitha këto forma bashkëpunimi kanë gjetur përkrahjen e plotë në dokumentet tona partiake e shtetërore dhe janë frymëzuar nga qëndrimet e marra në Kryesinë e RSFJ, Kryesia e KSAK si edhe në organizatat politiko-shoqërore. Për këtë bashkëpunim ka folur edhe shoku Tito disa herë, duke përfshirë këtu edhe vizitën e fundit të tij në Kosovë, në tetor të vitit 1979.

Format e ndryshme të bashkëpunimit janë zhvilluar nëpërmjet të kontakteve të institucioneve tona kulturore, arsimore, shkencore dhe të edukatës fizike e sportit në institucionet gjegjëse të RPS të Shqipërisë. Si rrjedhim i intensifikimit të marrëdhënieve midis një pjese të institucioneve respektive është ndjerë nevoja e lidhjes së marrëveshjeve dhe protokolleve të bashkëpunimit reciprok. Deri tani janë nëshkruar pesë marrëveshje të këtilla midis:

1.          Universitretit të Prishtinës dhe Universitetit Shtetëror të Tiranës,

2.          Redaksisë së Botimeve të Rilindjes me Ndërmarrjen e Librit e të Filmit të RPSSH,

3.          Radio-televizionit Prishtina me Radiotelevizionin e Shqipërisë,

4.         Akademisë së Shkencës e të Arteve të Kosovës me Akademinë e Shkencave të RPSSH,

5.          Marrëveshja e bashkëpunimit midis Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë dhe Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Bashkëpunimi i zhvilluar sipas protokolleve, ndërkaq, është vetëm një pjesë e lidhjeve kulturore, arsimore, shkencore dhe të kulturës fizike midis KSAK dhe RPSH. Ky bashkëpunim zhvillohet shumë më gjerë nëpërmjet të këmbimeve dhe kontakteve të drejtpërdrejta, që kanë vënë institucionet e ndryshme të të dyja palëve. Bashkëpunimi është zhvilluar në të gjitha nivelet, prej organizatave punonjëse deri te institucionet tona më të larta arsimore, shkencore e kulturore. Shoqëritë kulturore-artistike e sportive, organizatat e punës së bashkuar të arsimit, të shkencës e të kulturës kanë vënë kontakte të drejtpërdrejta, të cilat kanë ndihmuar që të njihemi më mirë dhe të zhvillojmë e përparojmë bashkëpunimin midis vendit tonë dhe RPS të Shqipërisë.

Bashkëpunimi i zhvilluar deri tani ka dhënë frytet e veta në përparimin e arsimit, shkencës, kulturës dhe të kulturës fizike.

Në fushën e arsimit e të kulturës, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar midis Universitetit të Tiranës dhe atij të Prishtinës, në bazë të protokolleve të nënshkruara për çdo vit shkollor, janë këmbyer një numër i caktuar profesorësh, asistentësh dhe bashkëpunëtorësh nga të dyja palët për mbajtjen e leksioneve, për kërkime shkencore dhe për mbajtjen e ligjëratave nga lëmenj të ndryshëm të specializimeve përkatëse. Punonjësit e të dyja universiteteve kanë bërë edhe një varg ekspeditash në terren për studimin e gjuhës e të folklorit. Një kontribut të konsiderueshëm për zhvillimin e Universitetit tonë e kanë dhënë punonjësit e Universitetit të Tiranës për ato fakultete tona, të cilat nuk i kanë pas kuadrot e duhura, sidomos në fushën e shkencave ekzakte, siç janë fakultetet e teknikës e të medicinës, si edhe për studimet pasuniversitare në Fakultetin Filozofik në degët e albanologjisë e të historisë. Është zhvilluar një aktivitet edhe në botimin e punimeve shkencore në revistat përkatëse të të dyja palëve. Shkencëtarët e të dyja palëve kanë marrë pjesë në tubime të ndryshme shkencore. Në lëmin e kulturës është zhvilluar një aktivitet që posaçërisht në vitet e fundit ka zënë të zgjerohet. Grupe shkrimtarësh kanë marrë pjesë në manifestime të ndryshme në RPS të Shqipërisë dhe në Kosovë. Janë botuar veprat e një numri të konsiderueshëm shkrimtarësh kosovarë në Shqipëri, ashtu si janë botuar te një numër i madh veprash të shkrimtarëve shqiptarë, duke përfshirë këtu edhe veprat komplete të një vargu autorësh. Janë këmbye mjaft grupe që kanë shfaqur programe kulturore-artistike, prej ansamblesh amatore deri te ato profesionale. Janë organizuar ekspozita të ndryshme të arteve figurative dhe aplikative. Grupe artistësh e shkrimtarësh kanë bërë qëndrime studiuese dhe kanë marrë pjesë në manifestime të ndryshme. Janë shfaqur pjesë teatrale të teatrove profesionale. Për realizimin e disa pjesëve teatrale në Teatrin Krahinor në Prishtinë kanë marrë pjesë regjisorët, skenografët dhe koreografët nga RPS e Shqipërisë. Një bashkëpunim i frytshëm është zhvilluar dhe midis Radiotelevizionit të Prishtinës dhe atij të Tiranës. Është bërë këmbimi i një vargu të tërë emisionesh, serish e filmash. Disa nga këto emisione, veçanërisht filat artistikë, RTV i Prishtinës i ka shfaqur për tërë rrjetin jugosllav. Një bashkëpunim i frytshëm është zhvilluar edhe midis Arkivit të Kosovës dhe Arkivit Shtetëror të RPS të Shqipërisë, si edhe midis Bibliotekës Popullore dhe Universitare të Kosovës dhe Bibliotekës Kombëtare të Tiranës.

Ndërmarrja Gazetare Botuese “Rilindja” ka bashkëpunuar me Ndërmarrjen e Librit e të Filmit të Tiranës dhe çdo vit është bërë importimi i një sasie të tirazheve të shumë librave të botuara në Tiranë.

Në fushën e kulturës fizike është vendosur bashkëpunimi midis Lidhjes së Organizatave të Kulturës Fizike të Kosovës me Komitetin e Kulturës Fizike e të Sporteve të RPS të Shqipërisë. Një numër i caktuar ekipesh kanë organizuar turne dhe kanë zhvilluar ndeshje në një varg disiplinash sportive.

Duke u mbështetur në vendimin e Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të KSA të Kosovës që të pranohet thirrja e ministreshës së arsimit e të kulturës së RPS të Shqipërisë, Tefta Camit, e cila i është dërguar sekretarit të Sekretariatit Krahinor të Arsimit, të Shkencës e Kulturës, Ymer Jakës, që me 2-3 bashkëpunëtorë t’i bëjë vizitë zyrtare, propozohet që si platformë e bisedimeve të shërbejnë këto qëndrime:

1. Vlerësohet pozitivisht bashkëpunimi i zhvilluar deri tani në fushën e kulturës, arsimit, shkencës dhe të kulturës fizike. Ky bashkëpunim paraqet një kontribut që forcon marrëdhëniet midis dy vendeve tona dhe thellon besimin midis popujve tanë.

2.Konsiderojmë se ekzistojnë mundësitë për zgjerimin, thellimin dhe pasurimin e këtij bashkëpunimi. Për këtë qëllim duhet të angazhohemi të ngriten iniciativa të reja, duhet të përfshihen edhe ato fusha të kulturës, arsimit, shkencës dhe të kulturës fizike për të cilat konsiderohet se ekziston interesimi nga të dy palët.

3.T’i kushtohet kujdes i duhur programimit të bashkëpunimit. Kjo gjë mund të arrihet me zgjerimin e numrit të marrëveshjeve midis institucioneve dhe asociacioneve përkatëse. Ndërkaq, mbasi të gjitha fushat e bashkëpunimit nuk mund të përfshihen në marrëveshje programet e vizitave të grupeve kulturo-artistike, të ekipeve sportive dhe të grupeve të tjera të parashihen me kohë, të bëhen përgatitjet e duhura për realizimin e tyre dhe të merren të gjitha masat për arritjen e qëllimit të plotë të këtyre formave të bashkëpunimit.

4.      Duke u mbështetur në praktikën e deritanishme, me qëllim të evitimit të papreciziteteve në obligimet që marrin përsipër subjektet që marrin pjesë në bashkëpunim, mendojmë se do të ishte mirë që ta zhvillojmë dhe përparojmë informimin reciprok. Realizimin e këtij  synimi mund ta ndihmojë edhe konfirmimi me shkrim i obligimeve të marra nga subjektet përkatëse.

5.Na kemi interes për vazhdimin e bashkëpunimit, të thellimit dhe të pasurimit të tij.

6.Në fushën e arsimit e të shkencës, përpos ngritjes kualitative të nivelit të bashkëpunimit konsiderojmë se ai mund të zgjerohet në disa drejtime:

a)     në realizimin konsekuent dhe zgjerimin e bashkëpunimit midis dy universiteteve. Ky zgjerim mund të zhvillohet me intensifikimin e pjesëmarrjes në komisionet për përgatitjen dhe mbrojtjen e punimeve të magjistraturës dhe të disertacioneve të doktoratës.

b)     në një pjesëmarrje më të gjerë në tubimet shkencore, kongrese, simpoziume e të tjera. Pjesëmarrja nuk duhet të kufizohet vetëm në tubimet reprezentative, ose në ato me karakter ndërkombëtar, por duhet të shtrihet edhe në ato me karakter pune, siç janë sesionet shkencore të Institutit Albanologjik dhe tubime të tjera të ngjashme.

c)      në një bashkëpunim më intensiv të punonjësve shkencorë të njërës palë me publikimet shkencore të palës tjetër.

d)     në lidhjen e marrëveshjeve të reja të bashkëpunimit midis institucioneve dhe shoqatave të ndryshme siç janë, fjala vjen shoqatat e kompozitorëve, të artistëve figurativë e të tjera.

e)      në përparimin e bashkëpunimit në lëmin e letërsisë, duke i kushtuar përfaqësimit të mbarë letërsisë shqiptare në historinë e letërsisë, antologjitë e ndryshme dhe në botime të tjera.

7.Punonjësve shkencorë të Kosovës, projektet e punës së të cilëve i financon Bashkësia Krahinore e Punës Shkencore t’u bëhet e mundshme që t’i shfrytëzojnë bursat e kësaj Bashkësie për kërkime në institucionet përkatëse të RPS të Shqipërisë.

8.Përpos ekspozitave kolektive të arteve figurative ose aplikative, të organizohen edhe ekspozita individuale. Nga ana tjetër, përpos koncerteve dhe programeve artistike të ansambleve ose grupeve, të organizohen edhe koncerte solistike.

9.Bashkëpunimi midis Radio-televizionit të Prishtinës dhe atij të Tiranës nuk duhet të reduktohet vetëm në këmbimin e emisioneve e të filmave. Ai mund të zgjerohet në bashkëpunimin e realizimit të projekteve të ndryshme, në këmbimin e regjisorëve dhe të bashkëpunëtorëve të tjerë.

10.  Mendojmë se ka mundësi për vendosjen e bashkëpunimit midis “Kosova-filmit” dhe Kino-studios “Shqipëria e Re” në realizimin e projekteve të filmave dokumentarë dhe artistikë me tematikë me interes të përbashkët.

11.   Konstatojmë se gjatë vitit 1979 kemi pritur një frekuencë më të madhe në bashkëpunimin në fushën e kulturës fizike e të sporteve. Për zhvillimin e bashkëpunimit në këto fusha pandehin se mund të ndihmojë nënshkrimi i marrëveshjes midis Lidhjes së Organizatave të Kulturës Fizike të  Kosovës dhe Komitetit të Kulturës Fizike dhe të Sporteve të RPS të Shqipërisë.

12.   Është i pranishëm interesimi për këmbimin e vizitave të arsimtarëve. Propozojmë që këto vizita të bëhen në formë të organizuar, duke i planifikuar me kohë dhe duke i informuar organet kompetente të arsimit.

13.   Mendojmë se bashkëpunimi mund të zgjerohet edhe në disa fusha siç janë:

a)     nevoja për këmbimin e përvojave në konceptimin e planeve e të programeve të gjuhës e të letërsisë shqiptare,

b)     këmbimin e përvojave për konceptimin e teksteve shkollore,

c)      këmbimin e 1 ose 2 gazetarëve për studimin e çështjeve të zhvillimit të arsimit, shkencës e kulturës.

 

14.  Propozojmë që të shqyrtohet mundësia e këmbimit të studentëve për studime në të dyja Universitetet. Kjo formë e bashkëpunimit do të përcaktohej me programet e bashkëpunimit midis Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Tiranës.

15.   Do të propozojmë që një grup arsimtarësh, pionierësh të arsimit nga RPSSH që kanë punuar në Kosovë, t’i ftojmë ta vizitojnë Krahinën tonë.

16.   Do t’i propozojmë palës shqiptare që bashkërisht t’ua ngrisim përmendoren dëshmorëve të rënë në kampin e përqendrimit fashist të Prishtinës. Njëherit propozojmë që të xhirojmë një film ose në një mënyrë tjetër të shënojmë qëndrimin e pjesëmarrësve të Luftës Nacionalçlirimtare nga Jugosllavia në burgun e Tiranës.

17.   Në qoftë se pala shqiptare është e interesuar, jemi të gatshëm të aktualizojmë çështjen e nënshkrimit të Konventës së bashkëpunimit kulturor midis RSF të Jugosllavisë dhe RPS të Shqipërisë[4].

18.   Bashkëpunimin e deritanishëm e kanë ngarkuar edhe disa probleme dhe dobësi nga të dyja palët. Duhet të përpiqemi që t’i eliminojmë këto dobësi, në interes të përparimit të këtij bashkëpunimi.

Propozojmë që vizita të realizohet brenda muajit dhjetor të vitit 1979. Data e saktë e vizitës do të caktohet me pëlqimin e palës që e ka dërguar ftesën.

Duke u mbështetur në vendimin e Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të KSA të Kosovës me rastin e pranimit të ftesës nga ana e palës shqiptare, në emër të KE të KSAK do të ftohet ministrja e arsimit dhe kulturës e RPS të Shqipërisë që ta vizitojë Kosovën.

Sipas mendimit tonë, vizita duhet të zgjasë 3-5 ditë.

Për anëtarë të delegacionit propozohen:

1.       Ymer Jaka, sekretar i Sekretariatit Krahinor për Arsim, Shkencë e Kulturë të KSA të Kosovës

2.      Vojisllav Okileviq, nënsekretar i Sekretariatit Krahinor të Arsimit, Shkencës e Kulturës, dhe

3.      Sabit Jakupi, sekretar i BVI Krahinore të Kulturës[5].

 

 

 

Tepër rezervat

 

PLATFORMA E BISEDIMEVE

me Ministren e Arsimit e të Kulturës të RPS të Shqipërisë, Tefta Camin gjatë vizitës në KSA të Kosovës[6]

 

Me ftesë të ministres së Arsimit e të Kulturës të RPS të Shqipërisë, Tefta Camit, një delegacion i Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të KSA të Kosovës, i kryesuar nga sekretari Krahinor i Arsimit, Shkencës e Kulturës, Ymer Jaka, prej 25 deri më 30 dhjetor të vitit 1979 vizitoi RPS të Shqipërisë. Gjatë kësaj vizite, në përputhje me qëndrimet nga platforma e aprovuar e Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të KSA të Kosovës, Tefta Cami u ftua që të vizitojë KSA të Kosovës. Ftesa e bërë u pranua dhe ministrja e Arsimit dhe Kulturës së RPSSH me disa bashkëpunëtorë të vet do të bëjë vizitën e kthimit prej 6 deri më 10 tetor 1980.

Me rastin e kësaj vizite Këshillit Ekzekutiv i Kuvendit të KSA të Kosovës i propozohet të aprovojë platformën e bisedimeve me Tefta Camin dhe bashkëpunëtorët e saj.

1.       Mund të konstatojmë me kënaqësi se marrëdhëniet midis RSFJ dhe RPSSH po zhvillohen gjithnjë e më mirë, e në këtë kuadër po zhvillohen dhe intensifikohen vazhdimisht edhe marrëdhëniet midis KSA të Kosovës dhe RPS të Shqipërisë si në fushën ekonomike, ashtu edhe në fushat e arsimit, shkencës, kulturës dhe kulturës fizike.

Siç është theksuar edhe më parë, politika e bashkëpunimit të vendit tonë me RPSSH është pjesë integrale e politikës ndërkombëtare të RSFJ, e cila ka si pikënisje parimet e mosinkuadrimit, sigurimin e paqes dhe forcimin e miqësisë e të besimit midis popujve. Në politikën e jashtme të vendit tonë, një vend të posaçëm zë bashkëpunimi me vendet fqinje, midis të cilave është edhe RPSSH. Duke u mbështetur në parimet e mospërzierjes në punët e brendshme, në respektimin e sovranitetit dhe të integritetit territorial, vendi ynë gjithnjë ka bërë përpjekje për një bashkëpunim sa më të gjerë e konstruktiv me RPSHSH, përpjekje këto që, duke hasur në mirëkuptim edhe nga pala shqiptare viteve të fundit, kanë shënuar një përparim të dukshëm posaçërisht në bashkëpunimin ekonomik, arsimor e kulturor.  Si njëra ndër shenjat e përparimit të këtij bashkëpunimi mund të merren edhe vizitat e personaliteteve zyrtare midis vendit tonë dhe RPSSH, siç janë vizitat e ministrave të tregtisë së jashtme, vizita e sekretarit krahinor të Arsimit, Shkencës e Kulturës me bashkëpunëtorë në RPSSH dhe vizita e Tefta Camit në KSA të Kosovës, të cilën po e presim.

2. Ngritja e nivelit në kontaktet e larta zyrtare midis personaliteteve të të dyja vendeve, sipas vlerësimit tonë, është e dobishme dhe me interes reciprok. Ato mund të ndihmojnë për mënjanimin e pengesave që eventualisht paraqiten në format e ndryshme të bashkëpunimit, përparojnë këmbimin e mendimeve, hapin mundësitë e analizimit dhe të këmbimit të përvojave reciproke në zhvillimin e lëmive përkatëse, si edhe në përparimin, thellimin dhe pasurimin e bashkëpunimit.

3. Vizita e Sekretarit Krahinor të Arsimit, Shkencës e Kulturës në RPSSH në fund të vitit të kaluar dhe bisedat e bëra me Tefta Camin mund të thuhet se kanë ndihmuar në zhvillimin dhe përparimin e bashkëpunimit midis KSAK dhe RPSSH në fushën e arsimit, shkencës, kulturës dhe kulturës fizike. Kjo gjë pasqyrohet në disa fusha dhe aksione, midis të cilave do të cekim se janë bërë hapa të dukshëm në programimin apo planifikimin e bashkëpunimit. Ky synim i yni, i cili figuron në platformën e bisedimeve me rastin e vizitës në RPSSH në dhjetorin e vitit të kaluar, është realizuar me një varg aksionesh, siç janë:

-    nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit midis Lidhjes së Kulturës Fizike të KSAK dhe Komitetit të Kulturës Fizike dhe Sporteve të RPSSH,

-    nënshkrimi i marrëveshjeve të bashkëpunimit midis Shoqatës së Artistëve Figurativë dhe Shoqatës së Artistëve Aplikativë të Kosovës dhe Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë,

-    organizimi i manifestimeve kulturore e arsimore në përputhje me programin e punës së bashkësisë Krahinore Vetëqeverisëse të Kulturës.

Me rastin e bisedave me Tefta Camin në Prishtinë  duhet t’i vëmë në pah këto rezultate dhe të shprehim interesimin tonë për një planifikim vjetor ose dyvjetor të këmbimeve të atyre grupeve ose ansambleve artistike të cilat nuk janë të përfshira në programet e nënshkruara midis institucioneve ose asociacioneve tona. Me këtë rast duhet të theksojmë interesimin tonë për hartimin e një dinamike të tillë pune, e cila e bën të mundshëm realizimin sa më të suksesshëm të bashkëpunimit. Duhet të angazhohemi gjithashtu që dinamika e paraparë me programet e nënshkruara të bashkëpunimit të realizohet me sa më pak shmangie.

4.      Mund të konstatojmë me kënaqësi se është zhvilluar me sukses bashkëpunimi në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara midis Universitetit të Prishtinës dhe atij të Tiranës, Akademisë së Shkencave dhe arteve të Kosovës dhe Akademisë së Shkencave të RPSSH, RTV të Prishtinës dhe RTV të Tiranës, Redaksisë së botimeve “Rilindja” me Ndërmarrjen e Librit e të filmit të RPSSH, Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe Lidhjes së Shkrimtarëve e Arteve të Shqipërisë. Do të shprehim gatishmërinë tonë për nënshkrimin e marrëveshjeve dhe midis institucioneve e asociacioneve të tjera.

5. Përparimin dhe pasurimin e bashkëpunimit na e shohim edhe në evitimin e disa formave stereotipe që kanë qenë të pranishme. Mund të shprehim kënaqësinë që marrëdhëniet midis institucioneve dhe asociacioneve  tona nuk po kufizohen më vetëm në karakterin reprezentativ, por po marrin gjithnjë e më shumë karakter bashkëpunimi të njëmendët. Si ilustrim të këtyre dukurive kemi parametrat e përbashkëta të RTV të Prishtinës dhe RTV të Tiranës, si ato të përgatitura për programet e radios e të televizionit, ashtu edhe koncertet publike.

6. Sikur kemi theksuar edhe në bisedat e bëra në Tiranë, jemi të bindur se është në interesin reciprok që bashkëpunimi të mos kufizohet vetëm në manifestime reprezentative, por të marrë sa më shumë karakter pune. Një praktikë e këtillë gjatë këtij viti është zbatuar në pjesëmarrjen e shkencëtarëve nga KSAK në simpoziumet mbi Aleksandër Xhuvanin dhe Bajram Currin, ndërsa shkencëtarët nga RPSSH sivjet kanë marrë pjesë në sesionin shkencor të Seminarit për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare.

7. Sa i përket çështjes së dërgimit të librave nga RPSSH, për të cilën aq shumë është angazhuar Tefta Cami gjatë bisedave në Tiranë, në qoftë se kjo çështje ngritet përsëri nga pala shqiptare, do ta bëjmë me dije se mendojmë se kjo punë duhet të bëhet në mënyrë më të organizuar. Dihet se tani institucionet tona që kanë marrëveshje të nënshkruara me institucionet gjegjëse të RPSSH marrin botimet që u dërgohen, sikundër edhe disa institucione të tjera.

8. Në interes të mbarëvajtjes së bashkëpunimit do të shprehim mendimin tonë që t’u shmangemi improvizimeve që janë shfaqur herë pas here. Mendojmë se çdo manifestim kulturor, shkencor, arsimor dhe sportiv i programuar duhet të konceptohet detalisht dhe bashkarisht duhet të angazhohemi për realizimin e konceptit të programuar.

9. Shprehim kënaqësinë tonë që sivjet janë bërë hapat e parë në bashkëpunimin midis institucioneve të shërbimeve pedagogjike dhe të atyreve të botimeve shkollore, të bindur se këto kontakte do të jenë të dobishme në punën e konceptimit të programeve të gjuhës e të letërsisë shqiptare, në atë të konceptimit të teksteve shkollore dhe në fusha të tjera nga këta lëmenjë.

10. Do t’ia përkujtojmë palës shqiptare se nga ana jonë edhe më tutje ekziston interesimi për disa çështje të cilat kanë qenë objekt bisede në Tiranë, siç janë:

a)     këmbimi i studentëve

b)     vënia e një bashkëpunimi më të ngushtë në prodhimin e filmave

c)      ngritja e përmendoreve të dëshmorëve të rënë në LNÇ, veçanërisht të përmendores së dëshmorëve të kampit të Prishtinës e të tjera.

11. Do të propozojmë që vizitat reciproke, të filluara me vizitën e vitit të kaluar në Tiranë, dhe me atë të Tefta Camit në Prishtinë, të vazhdojmë edhe në të ardhmen, duke i vlerësuar ato si të dobishme dhe me interes reciprok për zhvillimin dhe përparimin e bashkëpunimit në fushat e arsimit, shkencës, kulturës e kulturës fizike midis KSAK e RPSSH, në kuadrin e bashkëpunimit të gjithmbarshëm midis të RSFJ e RPSSH.

Në bisedat me Tefta Camin në Prishtinë, propozohet që nga ana jonë të marrin pjesë:

-    Ymer Jaka, sekretar krahinor i Arsimit, Shkencës e Kulturës

-    Vojisllav Okileviq, nënsekretar i Sekretariatit Krahinor të Arsimit, Shkencës e Kulturës të KSAK

-    Millan Petkoviq, Esat Kamberi e Nehar Shishko, ndihmës të sekretariatit krahinor të Arsimit, Shkencës e Kulturës

-    Xheladin Topçiu, sekretar i BVI krahinore të Arsimit e Edukimit,

-    Momçillo Vuksanoviq, sekretar i BVI Krahinore të Punës Shkencore,

-    Sabit Jakupi, sekretar i BVI krahinore të Kulturës,

-    Iljaz Sina, sekretar i BVI krahinore të Kulturës Fizike,

-    Qamil Muhaxheri, ndihmës sekretari Krahinor për marrëdhënie me Botën e Jashtme,

-    Spasoje Tuniq, këshilltar i Ambasadës së RSFJ në Tiranë, dhe

-    Hasim Berbatoviq, këshilltar i Sekretariatit Krahinor të Arsimit, Shkencës e Kulturës, si sekretar teknik.

 

 

TEPËR SEKRET

 

R  A  P  O  R  T

Mbi vizitën e anëtarit të Këshillit Ekzekutiv të KSAK dhe sekretarit krahinor të arsimit, shkencës e kulturës të Kosovës dr. Ymer Jakës, në RPS të Shqipërisë [7]

 

Me ftesën e ministres së arsimit e të kulturës të RPS të Shqipërisë – Tefta Camit, anëtar i KE të Kuvendit të KSA të Kosovës, dhe sekretar krahinor i arsimit, shkencës dhe kulturës i Kosovës, dr. Ymer Jaka, me bashkëpunëtorë qëndroi në RPS të Shqipërisë prej 25 deri më 30 dhjetor 1979. Kjo vizitë pasoi si vazhdim i kontakteve dhe i bashkëpunimit midis organizatave të punës së bashkuar dhe institucioneve të kulturës, arsimit, shkencës dhe kulturës fizike të KSA të Kosovës me ato të RPS të Shqipërisë.

Qëllimi i vizitës ka qenë trajtimi i bashkëpunimit në sferën e kulturës, të arsimit, të shkencës dhe të kulturës fizike midis KSA të Kosovës dhe RPS të Shqipërisë dhe përparimi, thellimi e pasurimi i këtij bashkëpunimi, në suaza të zhvillimit dhe të përparimit të marrëdhënieve të gjithmbarshme midis RSF të Jugosllavisë me RPS të Shqipërisë.

Bashkëpunimi mjaft i suksesshëm jugosllavo-shqiptar viteve të fundit në planin ekonomik, kulturor, arsimor dhe në fusha të tjera që po realizohet me përpjekjet reciproke të të dyja palëve është në interes të sigurimit të paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe në përputhje me politikën e vendit tonë për bashkëpunim me vendet fqinje.

Bazat parimore të marrëdhënieve midis RSFJ dhe RPSSH mbështeten në zbatimin konsekuent të parimeve të barazisë, të respektimit reciprok të sovranitetit, të integritetit territorial dhe të mospërzierjes në punët e brendshme.

Kultivimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe miqësore është interes i thellë dhe vital i RSFJ, prandaj vendi ynë i kushton kujdes të posaçëm këtyre marrëdhënieve dhe angazhohet për përparimin e bashkëpunimit të përgjithshëm në të gjitha fushat.

Me rastin e përgatitjeve të vizitës në RPS të Shqipërisë u hartua platforma e bisedimeve, e cila me disa ndryshime e plotësime, u aprovua nga Komisioni për planifikimin dhe koordinimin e vizave ndërkombëtare të Këshillit Ekzekutiv dhe nga Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit të KSA të Kosovës. Lidhur me disa çështje të platformës u bënë konsultime në Sekretariatin Federativ të punëve të Jashtme dhe me Lidhjen e Luftëtarëve të Kosovës.

Me propozimin e Dr. Ymer Jakës, KE i Kuvendit të KSAK vendosi që atë ta shoqërojnë në këtë vizitë Vojisllav Okileviq, nënsekretar i Sekretariatit Krahinor të Arsimit, Shkencës e Kulturës, Sabit Jakupi, sekretar i Bashkësisë Vetëqeverisëse të Interesit të Kulturës të KSAK dhe Abdurrahim Pajaziti, bashkëpunëtor profesional i Sekretariatit Krahinor për Marrëdhënie me Botën e Jashtme.

Të nesërmen, më 26. 12. 1979, u pritëm në Ministrinë e Arsimit e të Kulturës të RPSSh nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, Tefta Cami.

Në këtë takim i cili zgjati tri orë e gjysmë Tefta Cami foli për zhvillimin e arsimit, të kulturës dhe të shkencës në vendin e vet, pastaj i bëri një vështrim bashkëpunimit në këto fusha midis RPSSH dhe KSAK dhe e vlerësoi këtë bashkëpunim si të dobishëm e në interes të të dyja palëve. Ajo vuri ne pah se marrëdhëniet kulturore, arsimore, shkencore dhe ato në fushën e kulturës fizike po zhvillohen në bazë të protokolleve të nënshkruara midis institucioneve përkatëse të të dyja palëve dhe lidhjeve të vëna midis organizatave të ndryshme kulturore, arsimore e shkencore nga RPSSH me ato të KSAK.

Duke shprehur kënaqësinë për vizitën e delegacionit nga Kosova, ministrja e arsimit dhe e kulturës e RPSSH shprehu dëshirën që bashkëpunimi i deritanishëm të vlerësohet objektivisht dhe në mënyrë kritike, në interes të përparimit të tij. Ajo shprehu dëshirën që t’i themi haptas vërejtjet tona mbi aktivitetet që RPSSH i zhvillon në kuadrin e bashkëpunimit të vet me KSAK. Kërkoi posaçërisht që të thuhet nëse kemi vërejtje për punën e bashkëpunëtorëve të Universitetit të Tiranës në Universitetin e Prishtinës, të cilën ata e zhvillojnë në bazë të Marrëveshjes së nënshkruar të bashkëpunimit midis të dyja universiteteve. Tefta Cami nënvizoi interesimin për bashkëpunimin në fushën e kulturës, të arsimit e të shkencës të RPS të Shqipërisë me RSF të Jugosllavisë, posaçërisht me KSAK dhe viset e tjera të vendit tonë, të banuara nga kombësia shqiptare. Duke e shfrytëzuar praninë e ambasadorit Komatina në këto biseda, ajo shprehu dëshirën për një bashkëpunim më intensiv me vendet e banuara nga shqiptarët në republikat tona socialiste të Maqedonisë dhe të Malit të Zi.

Dr. Ymer Jaka e falënderoi Tefta Camin për ftesën dhe për pritjen e përzemërt që na u bë. Ai shprehu mendimin se kontaktet e këtilla, janë vetëm një nismë në kuadrin e bashkëpunimit, i cili po zhvillohet gjithnjë e më mirë.

Dr. Ymer Jaka i bëri një vështrim zhvillimit të arsimit, shkencës dhe të kulturës fizike në KSAK, në kuadrin e zhvillimit të përgjithshëm të kësaj Krahine. Ai vuri në pah, sidomos duke pasur parasysh nivelin e zhvillimit të KSA të Kosovës në të kaluarën, se janë arritur rezultate të mëdha në arsimin, kulturën dhe shkencën kosovare. Theksoi faktin se sot gati çdo i treti banor i KSAK është nxënës ose student dhe se Universiteti i Prishtinës edhe pse është krijuar vetëm para dhjetë vitesh, sot hyn në radhën e universiteteve më të mëdha të vendit tonë. Dr. Ymer Jaka foli në vija të trasha për reformën e arsimit që po zbatohet në vendin tonë, për institucionet kulturore e shkencore në KSAK dhe për aktivitetin e tyre.

Lidhur me bashkëpunimin në fushat e arsimit, të shkencës, të kulturës dhe të kulturës fizike midis KSAK dhe RPSSH Ymer Jaka theksoi se ky është pjesa e bashkëpunimit të përgjithshëm midis RSFJ dhe RPSSH. Ai vuri në pah se ky bashkëpunim është kontribut i cili i forcon marrëdhëniet midis dy vendeve tona dhe thellon besimin midis popujve tanë.

Pastaj vlerësoi pozitivisht bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehu bindjen se ekzistojnë të gjitha kushtet për zgjerim, thellimin dhe përparimin e tij. Për ta arritur këtë theksoi se duhet ngritur iniciativa të reja për intensifikimin e bashkëpunimit në shumë fusha, të përfshira në bashkëpunimin e deritanishëm, ose edhe në fusha të reja, për të cilat shprehet interesimi nga të dyja palët.

Mbasi në program ishte paraparë që ky të ishte takimi i vetëm zyrtar me Tefta Camin, Dr. Ymer Jaka iu ças konkretisht zbërthimit të një vargu problemesh nga fusha të ndryshme të bashkëpunimit, në përputhje me platformën e paraparë për bisedime.

Në interes të zhvillimit sa më të suksesshëm dhe përparimit të bashkëpunimit ai shprehur mendimin se duhet t’i kushtohet kujdes programit të tij. Kjo mund të arrihet me zgjerimin e numrit të marrëveshjeve midis institucioneve dhe asociacioneve përkatëse. Mirëpo, mbasi të gjitha fushat e bashkëpunimit nuk mund të përfshihen në marrëveshje, programet e vizitave të grupeve kulturo-artistike, të ekipeve sportive dhe të grupeve të tjera duhet të parashikohen me kohë dhe të bëhen përgatitjet e duhura për realizimin e tyre. Për këtë qëllim do të ndihmonte mjaft edhe informimi më i mirë reciprok, në mënyrë që të evitohen paprecizitetet në obligimet që marrin përsipër subjektet pjesëmarrëse në bashkëpunim.

Në fushën e arsimit e të shkencës, përpos ngritjes kualitative të nivelit të bashkëpunimit Dr. Ymer Jaka theksoi se ai mund të thellohet dhe të pasurohet midis Universitetit të Prishtinës dhe atij të Tiranës me intensifikimin e pjesëmarrjes në komisionet për përgatitjen dhe mbrojtjen e punimeve të magjistraturës dhe të tezave të doktoratës. Pastaj shprehu bindjen se ekzistojnë kushtet dhe mundësitë për një pjesëmarrje më të gjerë në tubimet, simpoziumet dhe kongreset shkencore duke mos e kufizuar këtë pjesëmarrje vetëm në tubimet reprezentative ose në ato me karakter ndërkombëtar, por me pjesëmarrjen e shkencëtarëve të të dyja palëve edhe në tubimet shkencore me karakter pune. Shtoi me këtë rast se bashkëpunimi mund të zgjerohet në këtë fushë edhe me publikimin  e punimeve të ndryshme shkencore të punonjësve shkencorë në organet e palës tjetër.

Ngritëm edhe propozimin që për kërkime shkencore të mos kufizohen mundësitë vetëm në çarqet e këmbimeve sipas protokoleve të nënshkruara midis institucioneve të të dyja palëve dhe propozuam që punonjësve shkencorë të Kosovës, projektet kërkimore të të cilave i financon Bashkësia Krahinore Vetëqeverisëse e Punës Shkencore t’u bëhet e mundshme të bëjnë kërkime në RPSSH.

Propozuam që të shqsyrtohet mundësia e këmbimit të studentëve nëpër t’i vijuar studimet në universitetet e Prishtinës dhe në atë të Tiranës. Kjo formë e bashkëpunimit do të përcaktohej në programet e bashkëpunimit midis dy universiteteve.

Gjatë bisedës përmendëm edhe interesimin për këmbimin e vizitave të arsimtarëve. Duke e përkrahur këtë formë bashkëpunimi insistuam që ato vizita të bëhen në formë të organizuar, duke i planifikuar me kohë dhe duke i informuar organet përkatëse të arsimit. Me këtë rast propozuam që një grup arsimtarësh, pionierësh të arsimit nga RPSSH që kanë punuar në Kosovë, ta vizitojnë Krahinën tonë. Lidhur me zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit, propozuam që të këmbejmë grupe ekspertësh të cilat do të këmbenin përvoja në konceptimin e planeve e të programeve të gjuhës shqipe, si edhe në konceptimin e teksteve shkollore.

Në kuadër të bashkëpunimit në fushën e kulturës shprehim mendimin tonë se përpos bashkëpunimit midis Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe Lidhjes së Shkrimtarëve e të Artistëve të Shqipërisë duhet t’i kushtohet kujdes përfaqësimit të mbarë letërsisë shqiptare në histori të letërsisë, antologji e botime të tjera.

Pastaj shfaqëm mendimin se në fushën e arteve figurative e të muzikës përpos ekspozitave kolektive e reprezentative të organizohen edhe ekspedita individuale dhe përpos koncerteve dhe programeve të ansambleve e të grupeve, të organizohen edhe koncerte solistike.

Sa i përket bashkëpunimit në lëmin e Radio-televizionit e të filmit propozuam që ky bashkëpunim të mos kufizohet vetëm në këmbimin e emisioneve e të filmave, por të bëhet edhe këmbimi i regjisorëve e bashkëpunëtorëve të tjerë dhe të shkohet edhe në realizimin e projekteve të ndryshme, me interes të përbashkët.

Në fushën e kulturës fizike konstatuam se gjatë vitit 1979 kemi pritur një frekuencë më të madhe në bashkëpu­nimin i cili po zhvillohet me sukses që para shumë vitesh.

Duke iu referuar interesimit të shfaqur nga pala shqiptare për ngritjen e një përmendoreje dëshmorëve të rënë në kohën e LNÇ, shprehëm gatishmërinë tonë për të ngritur bashkarisht këtë përmendore, në vend të saj mjaft modeste që e kemi ngritur në këtë vend para disa vitesh. Njëherit shprehëm interesimin tonë për gjirimin e një filmi ose të shënimit në mënyrë tjetër të qëndrimit të pjesëmarrësve të LNÇ nga Jugosllavia në burgun e Tiranës.

Në, fund, duke vënë në pah se bashkëpunimi i KSAK me RPSSH është pjesë përbërëse e bashkëpunimit midis RSFJ dhe RPSSH theksuam se për këtë bashkëpunim ekzi­ston  interesim në të gjitha republikat dhe krahinat socialiste të vendit tonë. Si ilustrim i këtij interesimi përmendëm suksesin që ka shënuar ekspozita e arteve figurative e RPSSH në Prishtinë, Beograd, e Shkup 1979 dhe përkthimin e romaneve të I. Kadaresë në gjuhën serbokroate, maqedone e sllovene. Në interes të përparimit, zgjerimit dhe të thellimit të bashkëpunimit, i cili, theksuam, duhet të zhvillohet në të dyja drejtimet, aktualizuam çështjen e nënshkrimit të programit të bashkëpunimit kulturor, arsimor e shkencor  midis RSFJ e RPSSH dhe shfaqëm interesimin e vendit tonë, duke u mbësh­te­tur edhe në konsultimet e bëra në Sekretariatin Federativ të Punëve të Jashtme, për nënshkrimin e këtij dokumenti.

Tefta Cami dhe bashkëpunëtorët e saj pjesën dërmuese të propozimeve tona i pranuan pa kurrfarë rezervash dhe shprehën gatishmërinë për realizimin e tyre. Ndërkaq, për disa propozime tonat shfaqën disa rezerva, disa i morën në dijeni, ndërsa disa propozime i refuzuan. Kështu, çështjen e ngritjes së përmendores së dëshmorëve të kampit të Prishtinës e morën në dijeni dhe nuk e ngritën fare në kontaktet e mëtejme, me rastin e darkave që i shtroi Tefta Cami. Për frekuencën jo të mjaftueshme të bashkëpunimit në fushën e kulturës fizike e të sporteve theksuan se sivjet kanë pasur një varg manifestimesh për shënimin e 35 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë. Për programimin dhe informimin lidhur me bashkëpunimin konsiderojmë se ai është në nivelin e duhur. Ndërkaq, propozimet për qëndrimin e bursistëve të Bashkësisë Krahinore Vetëqeverisëse të Punës Shkencore për qëndrime kërkimore në RPSSH dhe ati për nënshkrimin e programit të bashkëpunimit kulturor, arsimor e shkencor midis RSFJ e RPSSH refuzuan në mënyrë kategorike.

Për dokumentin e fundit vunë në pah se bashkëpunimi po zhvillohet mirë, se ato çështje që kanë qenë të parapara në programin e paradisa viteve, që ka ngelë pa u nënshkruar, janë realizuar ndërkohë. Në insistimin tonë që ai program mund të shërbejë vetëm si bazë për hartimin e një dokumenti me përmbajtje të re e të aktualizuar, Tefta Cami u përgjigj se pala shqiptare nuk është fajtore që programi i para disa vitesh nuk është nënshkruar, se ai dokument tani është ke na, prandaj ai nuk është më çështje e tyre.

Në pritje te Tefta Cami nga pala shqiptare merrnin pjesë: zëvendësministrat e arsimit e të kulturës Anastas Kondo, Lili Zhamo e Fejzi Koçi, Thoma Qirjazi, Kristo Jardi, drejtor i Drejtorisë të Arteve të Ministrisë së Arsimit e Kulturës, Muharrem Sena, funksionar i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Niko Mitrushi, përgjegjës për lidhje me botën e jashtme i Minstrisë së Arsimit e të Kulturës.

Po këtë ditë u organizua pritje në Akademinë e Shkencave të RPSSH, në të cilën përpos kryetarit të Akademisë, ishin të pranishëm Kolë Popa, nënkryetar, Luan Omari, sekretar shkencor, Anastas Dodi, sekretar i seksionit për gjuhë dhe Nuri Qaushi, sekretar administrativ.

Aleks Buda foli për zhvillimin e këtij institucioni të lartë për aktivitetet e ndryshme të Akademisë dhe për bashkë­pu­nimin e saj me Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës, i cili zhvillohet me sukses dhe me interes të përbashkët.

Dr. Ymer Jaka, pasi u falënderua për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, foli për rëndësinë e bashkëpunimit të dy akademive në bazë të protokolit të nënshkruar. Gjatë bisedës shtroi nevojën për intensifikimin e bashkëpunimit në publikimet shkencore të dy akademive. Mandej, ngriti çështjen e bashkëpunimit të ASh të Shqipërisë edhe me Akademitë e Shkencave dhe të Arteve të RS tjera dhe të KSA të Vojvodinës. Pala shqiptare, propozimet  e ngritura për bashkëpunim dhe zgjerimin e mëtejshëm të tij i pranoi dhe shprehu gatishmërinë për realizimin e tyre.

Të nesërmen, më 27 dhjetor 1979, na u organizua pritje në Universitetin e Tiranës, në të cilin ishin të pranishëm: Petrit Radovicka, rektor i Universitetit, Shpresa Zeneli, prorektore, Besim Daja, prorektor, Fehmi Sheu, dekan i Fakultetit Teknik dhe Zija Xholi, dekan i Fakultetit të Shkencave Politike dhe Juridike.

Petrit Radovicka, shkurtimisht foli mbi historikun e Universitetit dhe për bashkëpunimin e Universitetit të Tiranës me Universitetin e Prishtinës, i cili vite me radhë po zhvillohet me sukses në bazë të Marrëveshjes për bashkëpunim midis të dyja Universiteteve.

Dr. Ymer Jaka, u falënderua për përshëndetjet e ngrohta dhe miqësore të drejtuara, mandej ngriti ca çështje të zgjerimit të bashkëpunimit, si në fushën e përgatitjes së magjistraturave dhe të doktoratave, ashtu edhe në këmbimin e studentëve për studime në të dyja universitetet, si edhe në universitetet tjera të republikave tona socialiste dhe të KSA të Vojvodinës.

Propozimet e dhëna u pranuan dhe mbetet që realizimi i tyre të konkretizohet në bisedat e përfaqësuesve të dy universiteteve. Pas vizitës Universitetit të Tiranës, më 27 dhe 28 XII. 1979, vizituam qytetin e Durrësit, të Shkodrës e të Lezhës. Gjatë këtyre dy ditëve vizituam një varg institucionesh arsimore dhe kulturo-historike.

Në Durrës vizituam shkollën e mesme “Naim Frashëri”, muzeun arkeologjik dhe amfiteatrin antik. Në Shkodër vizituam Institutin e Lartë Pedagogjik, muzeun e qytetit, muzeun ateist dhe lagjen “Bahçellëk”, ku vizituam edhe një institucion parashkollor dhe një shkollë tetëvjeçare. Në Lezhë vizituam Muzeun e rrethit dhe Muzeun e tërmetit.

Në të trija këto qytete u pritëm dhe u shoqëruam nga kryetarët e këshillave ekzekutive të rretheve, të cilat na shtruan dreka ose darkë.

Gjatë rrugës prej Tiranës për në Durrës i bëmë edhe një vizitë të shkurtër Krujës, ku pamë Kështjellën e Skënderbeut dhe çarshinë e restauruar. Në të kthyer për në vendin tonë i bëmë gjithashtu një vizitë të shkurtër Korçës, ku vizituam muzeun e qytetit, ndërsa kryetari i Këshillit Ekzekutiv të Rrethit na shtroi drekë.

Në Tiranë kemi vizituar Galerinë e Arteve dhe ekspozitën e arteve figurative kushtuar 35 –vjetorit të çlirimit të RPSSH, muzeun e revolucionit, politeknikumin “7 Nëntori” dhe kemi marrë pjesë në dy koncerte të festivalit të muzikës në radiotelevizion.

Më 29. XII. 1979 na priti zëvendëskryetari i Këshillit të Ministrave, Manush Myftiu. Nga pala shqiptare në pritje ishin të pranishëm Tefta Cami, Ksenofon Nushi, zëvendësministër i punëve të jashtme, Anastas Dodi dhe Jovan Antoni, kryetar i degës së protokolit të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Në këtë pritje Manush Myftiu shprehu kënaqësinë për zhvillimin e suksesshëm të bashkëpunimit kulturor, arsimor e shkencor midis RPSSH dhe KSAK, si dhe për bashkëpuni­min në fushat e tjera midis RPSSH dhe RSFJ të shprehu bindjen se vizita jonë RPSSH do të nxitje për përparimin dhe thellimin e këtij bashkëpunimi, për të cilin Shqipëria ka bërë përpjekje që ai të zhvillohet sa më mirë dhe këto përpjekje do t’i vazhdojë edhe në të ardhmen. Dr. Ymer Jaka, duke falënderuar Manush Myftiun për pritjen dhe fjalën e ngrohtë të tij, shprehu mirënjohjen për pritjen e përzemërt në të cilën si në Tiranë ashtu edhe në qytetet e tjera gjatë gjithë qëndrimit tonë në RPSSH. Ai shprehu kënaqësinë për bisedat konstruktive të zhvilluara me Tefta Camin për sukseset që ka arritur RPSSH në të gjitha fushat e ndërtimit dhe të përpari­mit të vendit, posaçërisht në lëmin e arsimit, të kulturës e të shkencës dhe në fund shprehu bindjen se kontaktet që kemi pasur dhe bisedat që kemi zhvilluar me rastin e kësaj vizite do ta shpijnë përpara bashkëpunimin tonë, si edhe marrëdhëniet e përgjithshme midis RSFJ e RPSSH, pjesë integrale e të cilave është bashkëpunimi kulturor, arsimor e shkencor i KSAK me RPSSH. Ai shprehu dëshirën që kjo formë e kontakteve të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Gjatë qëndrimit tonë Tefta Cami shtroi dy darka. Në darkën e parë, më 26. XII. 1979, merrnin pjesë funksionarë të Ministrisë së Arsimit e të Kulturës dhe të institucioneve kulturore e shkencore të RPSSH, ndërsa në darkën lamtumirëse, më 29. XII. 1979, merrnin pjesë përpos funksionarëve të Ministrisë së Arsimit e të Kulturës dhe të Punëve të Jashtme dhe shumë punonjës të shquar të kulturës e të arteve. Më 27. XII. 1979 në lokalet e ambasadës shtroi darkë ambasadori unë në RPSSH, Branko Komatina. Në këtë darkë nga pala shqiptare morën pjesë zëvendësministrat e arsimit e të kulturës Anastas Kondo e Lili Zhamo, kryetari i Akademisë së Shkencave Aleks Buda, kryeshefi i Ministrisë së Punëve të Jashtme Justin Papajargji, e të tjerë. Në darkë ishte e ftuar edhe Tefta Cami.

Të gjitha bisedat dhe kontaktet u zhvilluan në një atmosferë të përzemërt e miqësore. Na ka ra në sy kujdesi i palës shqiptare që të evitojnë çdo gjë që mund të prishte atmosferën apo të na provokonte. Si gjatë bisedimeve, ashtu edhe gjatë pritjeve e dollive, theksi është vënë në vlerësimin pozitiv të bashkëpunimit të gjertanishëm dhe gatishmëria për zhvillimin dhe përparimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi. Vetëm herë pas here, gjatë bisedimeve dhe darkave, Tefta Cami ka shprehur moskënaqësi për disa ngecje në bashkëpunim, siç është rasti i mosrealizimit të turnesë së Teatrit të Shkodrës si kthim, vizitës së Teatrit të Gjakovës në RPSSH, ose mosrealizimi i turnesë së Shoqërisë Kulturore-Artistike të Kukësit, si kthim turnesë së Shoqërisë Kulturore – Artistike të Dushanovës afër Prizrenit. Për shtyrjen e këtyre dy turneve dhamë shpjegimet e duhura dhe i siguruam se do të bëjmë përpjekje që këto dy turne të bëhen sa më parë.

Gjatë qëndrimit tonë u ngrit çështja e kthimit të librave që institucionet e ndryshme ua kishin dërguar pa porosi individëve dhe institucioneve të KSAK. Këtë çështje së pari e ngritit Aleks Buda gjatë vizitës sonë Akademisë së Shkencave. Pastaj në formë më të ashpër e ngriti Anastas Kondo gjatë udhëtimit jashtë Tiranës, ndërsa në formë më të ashpër e ngriti Tefta Cami, në darkën lamtumirëse, në bisedë me Dr. Ymer Jakën. Po në këtë darkë këtë çështja ia ka hapur Abdurrahim Pajazitit kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë Dritëro Agolli.

Lidhur me këtë çështje Dr. Ymer Jaka u përgjegj se për ne është e pakuptueshme praktika që t’u dërgohen libra të paporositura institucioneve dhe individëve. Mbasi pala shqiptare insistonte në qëndrimin se kjo praktikë është normale, Dr. Ymer Jaka shtoi se shkaku i kthimit të librave mund të gjendet lehtë edhe në strukturën e tyre, mbasi për ne është e papranueshme të na dërgohen vepra me karakter propagandistik, madje edhe të tilla që e fyejnë rëndë sistemin tonë të vetëqeverisjes socialiste që e shtrembërojnë realizitetin tonë dhe që përmbajnë fyerje brutale kundër kryetarit tonë të Republikës dhe të LKJ, shokut Tito. Tefta Cami ishte kategorike në pohimin se libra të tilla nuk janë dërguar, ndërsa  Dr. Ymer Jaka u përgjigj se kemi prova të pamohueshme se midis librave të dërguara ka edhe të tilla për të cilat u bë fjalë më lartë.

Me rastin e e bisedimeve në Ministrinë e Arsimit Dr. Ymer Jaka i bëri ftesë Tefta Camit që të vijnë në vizitë me bash­kë­punëtorët e vet në KSAK. Ajo u falënderua për këtë fte­së. Koha e realizimit të kësaj vizite do të caktohet më vonë.

Gjatë qëndrimit tonë në RPSSH jemi pritur shumë mirë nga ambasadori ynë, shoku Branko Komatina dhe bashkëpunëtorët e tij, ndër të cilët duhet shquar këshilltarin e ambasadës, shokun Spasoje Tuniq. Shokët Komatina dhe Tuniq kanë marrë pjesë në bisedat tona në Ministrinë e Arsimit e të Kulturës, në Akademinë e Shkencave dhe në pritjen e Manush Myftiut, si dhe në të dy darkat e shtruara nga Tefta Cami. Ambasadori Komatina ka marrë pjesë aktive në bisedat e zhvilluara dhe ka kontribuar në krijimin e një atmosfere konstruktive në trajtimin e çështjeve të ndryshme për të cilat është biseduar.

Në fund të këtij raporti mund të themi se jemi të bindur se vizita jonë, e para e këtij lloji, e ka arritur qëllimin e vet të plotë me atmosferën konstruktive, të përzemërt e miqësore në të cilën janë zhvilluar bisedat dhe kontaktet tona. Kemi vërejtur se te pala shqiptare ekziston gatishmëria për përparimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit jo vetëm me KSAK të Kosovës, por edhe me republikat tona të tjera socialiste dhe KSA të Vojvodinës. Ndërkaq, pala shqiptare shpreh interesim të posaçëm për bashkëpunim me ato bashkësi tona politiko-shoqërore ku jeton kombësia shqiptare. Për këtë arsye përshtypja jonë është se nga pala shqiptare nuk duhet pritur shumë iniciativa për zgjerimin e bashkëpunimit me ato bashkësi tona politiko-shoqërore ku nuk jeton kombësia shqiptare. Mirëpo, kujtojmë se po që se na ngrisim iniciativa në këtë drejtim, ato nuk do të ngelin pa përgjegje nga pala shqiptare. Kjo është përshtypja e fituar në të gjitha bisedat dhe kontaktet që kemi pasë sidomos në Universitet, në Akademi të Shkencave, në Institutin Pedagogjik dhe në institucionet e tjera kulturore e arsimore.

Vlen të përmendim këtu se na ka ra në sy një qëndrim shumë më i hapur ndaj vendit tonë. Këtë konkluzë e nxjerrim në bazë të faktit se jo vetëm që kanë qenë të kujdesshëm ndaj nesh gjatë gjithë qëndrimit tonë, por nuk kanë ngurruar madje edhe t’i pohojnë të arriturat tona. Kështu, gjatë bisedës në Ministrinë e Arsimit e të kulturës, Tefta Cami ka vënë në pah se është e informuar për zhvillimin e arsimit, të kulturës e të shkencës së Kosovës dhe shprehu kënaqësinë për këto të arritura. Edhe Manush Myftiu, në pritjen që na bëri në Kryesinë e Qeverisë, pohoi se ka informata për zhvillimin e Kosovës dhe tha se e gëzojnë sukseset që kemi arritur. Jemi të bindur se vizita jonë në RPSSH që do të ketë si rrjedhim zgjerimin – pasurimin e thellimin e bashkëpunimit kulturor, arsimor e shkencor jo vetëm midis KSAK dhe RPSSH, por edhe në plan më të gjerë, në kuadrin e marrëdhënieve të gjithmbarshme të vendit tonë me Shqipërinë fqinje.

Për realizimin e këtij qëllimi para nesh shtrohen një varg detyrash, për të cilat duhet të angazhohen të gjitha subjektet përgjegjëse për zhvillimin e bashkëpunimit me RPSSH, do të thotë organizatat politiko-shoqërore, si në nivelin e Krahinës, po ashtu edhe në nivelin e komunave, bashkësitë vetëqeverisëse të interesit, organizatat, e punës së bashkuar dhe asociacionet në mënyrë që t’i evitojmë të gjitha dobësitë e shfaqura në punën e gjertanishme, të planifikojnë dhe programojnë këtë bashkëpunim, në mënyrë që t’i prezantojmë në mënyrë sa më të denjë të arriturat tona dhe t’i nxjerrin dobitë maksimale në të mirë të zhvillimit të bashkësisë sonë vetëqeverisëse socialiste.

1.       Dr. Ymer Jaka                  3.  Sabit Jakupi

2.      Vojisllav Okileviq             4.  Abdurrahim Pajaziti

 

 

 

 

TEPËR SEKRET

 

REZYME E DISKUTIMEVE

nga mbledhja konsultative mbi marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me RPS të Shqipërisë në sferën e arsimit, shkencës, kulturës dhe sportit[8]

Qëllimi kryesor i mbledhjes të mbajtur më 9 qershor 1980, në Prishtinë, ishte nga këndi i marrëdhënieve të drejtpërdrejta fqinjësore të vlerësohen marrëdhëniet tona me RPS të Shqipërisë në sferën e arsimit, shkencës, kulturës dhe sportit, si dhe të sigurohet një shkallë më e lartë e marrëveshjes dhe koordinimit të organeve republikane, përkatësisht krahinore, dhe organizatave të punës së bashkuar në këtë fushë në qasjen ndaj RPS të Shqipërisë.

Iniciativa fillestare ishte që në bazë të përvojës nga praktika e deritashme e bashkëpunimit tonë me RPS të Shqipërisë, të vlerësohen mundësitë dhe kushtet për intensifikimin e bashkëpunimit në sferën e arsimit, shkencës, kulturës dhe sportit në bazë të qëndrimeve të përcaktuara të dokumenteve jugosllave mbi marrëdhëniet me RPS të Shqipërisë.

Në diskutimin e gjithanshëm i cili u zhvillua në mbledhje, u vlerësua nga prizmi i interesave tona të gjera është shumë me rëndësi të kemi marrëdhënie aktive në zhvillimin e gjerë të bashkëpunimit me RPS të Shqipërisë me qëllim të forcimit të përhershëm të marrëdhënieve të mira fqinjësore. Duke u nisur nga kjo u vlerësua se bashkëpunimi në fushën e arsimit, shkencës, kulturës dhe sportit është e një rëndësie të veçantë për njohje më të mirë të ndërsjellë, për afrim dhe forcim të besimit midis kombeve dhe kombësive të vendit tonë dhe RPS të Shqipërisë.

Zhvillimi i arsimit, shkencës, kulturës dhe sportit, si një faktor i bashkëpunimit tonë me RPS të Shqipërisë, mund të ndikojë shumë në përparimin e marrëdhënieve të përgjithshme të dy vendeve tona. Zhvillimi i mëtejshëm i këtij bashkëpunimi me RPS të Shqipërisë, sipas parimeve të përcaktuara të politikës sonë të jashtme, paraqet interesin tonë të përhershëm.

Jugosllavia e pavarur dhe e painkuadruar është shumë e interesuar për zhvillimin e pavarur dhe të mëvetësishëm të Shqipërisë. Shqipëria e pavarur gjithashtu është një faktor i rëndësishëm i pavarësisë dhe sigurisë së vendit tonë. Marrëdhëniet tona të përgjithshme, përfshirë edhe marrëdhëniet në sferën e arsimit, shkencës, kulturës dhe sportit, janë në një masë të mirë të përcaktuar për këtë ndërvarësi, dhe duhet t’u kontribuojnë këtyre interesave thelbësore të dy vendeve.

Në diskutim u konstatua së për dallim nga marrëdhëniet ekonomike, bashkëpunimi me RPS të Shqipërisë në sferën e arsimit, shkencës, kulturës dhe sportit zhvillohet i organizuar, edhe pse me përmasa dhe karakteristika të ndryshme, kryesisht me RS të Malit të Zi, me RS të Maqedonisë dhe me KSA të Kosovës, ku me shumicë jeton kombësia shqiptare në vendin tonë, a shumë më pak dhe sporadike me pjesët e tjera të RS të Serbisë dhe të KSA të Vojvodinës, kështu që vetëm pjesërisht realizohen përpjekjet tona që në këtë bashkëpunim gjithnjë e më shumë të inkuadrohen organizatat e përshtatshme të punës së bashkuar nga republikat e tjera socialiste dhe nga KSA e Vojvodinës. Mirëpo, është fakt se nga republikat e tjera dhe nga KSA e Vojvodinës as që ka pasur iniciativa për bashkëpunim në këto sfera të bashkëpunimit. Është, pra e natyrshme, që bashkëpunimi në sferën e arsimit, shkencës, kulturës dhe sportit, me RS të Malit të Zi, të Maqedonisë dhe me KSA  të Kosovës janë më të zhvilluara. Sepse kombësia shqiptare në RSF të Jugosllavisë është subjekt aktiv i bashkësisë shumënacionale jugosllave, në të cilën i realizon dhe afirmon interesat e veta, kulturën autoktone dhe vlerat artistike. Si e tillë kombësia shqiptare në përbashkësi me kombet dhe kombësitë e tjera të bashkësive të caktuara shoqërore politike të vendit tonë, është partner i barabartë dhe urë bashkëpunimi ndërmjet RSF të Jugosllavisë dhe RPS të Shqipërisë. Ajo bashkë me kombet dhe kombësitë e tjera të bashkësisë sonë socialiste, përmbajtësisht ruan kulturën dhe krijimtarinë shpirtërore të kombeve dhe kombësive në republikë, përkatësisht në krahinë. Mirëpo, duhet të iniciohet dhe të bëhen përpjekjet që ky bashkëpunim të zgjerohet edhe në RS të Serbisë, RS të Bosnjë e Hercegovinës, RS të Sllovenisë, RS të Kroacisë dhe KSA të Vojvodinës. Kjo sa më parë, nëse nga pala shqiptare mund të pritet një gatishmëri më e madhe për realizimin e kontakteve edhe me republikat e tjera.

Pjesëmarrësit e mbledhjes kanë theksuar rëndësinë e komunikimit të ndërsjellë të të gjitha subjekteve të cilat marrin pjesë në arsim, shkencë, kulturë dhe sport me RPS të Shqipërisë. Posaçërisht u potencua nevoja e këmbimit permanent të të gjitha informatave për rrjedhat e bashkëpunimit në këto fusha, si dhe elementet, gjendjen dhe proceset aktuale dhe zhvillimin perspektiv të RPS të Shqipërisë, me rëndësi për ndërtimin e qëndrimeve tona.

Në bashkëpunimin e deritashëm me RPS të Shqipërisë në fushën e arsimit, shkencës, kulturës dhe sportit ka pasur vështirësi dhe dobësi, madje ndonjëherë mirëkuptim të pamjaftueshëm dhe sjellje kompromisi. Krahas pasojave të cilat rrjedhin nga qëndrimet e njohura të RPS të Shqipërisë, që bashkëpunimin në këto sfera ta vendosë në rajone të caktuara të vendit tonë, deri te kjo ka ardhur edhe për shkak të mosnjohjes së situatës në RPS të Shqipërisë dhe herë-herë për shkak të mundësive të kufizuara për bashkëpunim të gjerë, si dhe për shkak të koordinimit dhe sinkronizimit të pamjaftueshëm të aktiviteteve të subjekteve të caktuara të vendit tonë. M’u për këtë, veçanërisht është theksuar nevoja e përhershme e komunikimit dhe e informimit të ndërsjellë të organeve dhe të OPB-ve te republikave dhe krahinave, përfshirë edhe komunikimin e tyre me organet federative. Disa përvoja në këtë drejtim, kanë dhënë rezultate pozitive. Mirëpo, mekanizmin e informimit dhe të komunikimit duhet ta përsosim, dhe t’ia përshtatim, nganjëherë nevojave dhe aktiviteteve të momentit.

Bashkëpunimi me RPS të Shqipërisë në sferën e arsimit, shkencës, kulturës dhe sportit kërkon përcjellje të përhershme, hulumtim të mundësive dhe kushteve për avancimin e tij, çka nga ne kërkon më shumë iniciativa dhe marrëdhënie aktive.

Pozicioni ynë fillestar në zhvillimin e bashkëpunimit në sferën e arsimit, shkencës, kulturës dhe sportit baza ideologjike-politike e këtij bashkëpunimi është në themelet krijuese marksiste të socializmit vetëqeverisës jugosllav. Aktivitet tona të përgjithshme në këto fusha të bashkëpunimit duhet të inkurajohen, të orientohen dhe të organizohen në bazë të parimit tonë të përcaktuar. Ky përcaktim është detyrim i përhershëm i të gjitha subjekteve – pjesëmarrësve në zhvillimin e bashkëpunimit në arsim, shkencë, kulturë dhe sport me RPS të Shqipërisë. Për të gjithë ne çdo formë e bashkëpunimit po qe se ka elemente të nacionalizmit, paternalizmit, irredentizmit etj., nga ana shqiptare është e huaj dhe e papranueshme për bashkëpunimin e mëtutjeshëm dhe rrezikon seriozisht çdo formë bashkëpunimi ndërmjet RSF të Jugosllavisë dhe RPS të Shqipërisë. Këto dhe dukuritë e ngjashme duhet në mënyrë sistematike dhe me kujdes të përcillen dhe studiohen, me qëllim të shqyrtimit të plotë të tyre dhe përcaktimit të sjelljeve tona dhe të orientimit strategjik për bashkëpunimin me RPS të Shqipërisë. Mirëpo këto dukuri nuk duhet të jenë faktorë kufizues për bashkëpunim ndërmjet SFR të Jugosllavisë dhe RPS të Shqipërisë.

Duke i pasur parasysh specifikat relevante të RPS të Shqipërisë dhe qëndrimin kontravers dhe të paravendosur herë-herë ndaj vendit tonë, pjesëmarrësit e mbledhjes e theksuan nevojën e zgjerimit dhe të thellimit të bashkëpunimit në fushën e arsimit, shkencës, kulturës dhe sportit me RPS të Shqipërisë, në tashmë parimet e vendosura të bashkëpunimit të mirë fqinjësor.

Nga kjo pikëpamje, RPS e Shqipërisë në këto fusha, për disa bashkësi shoqërore-politike të vendit tonë, duhet të paraqes prioritet të veçantë për politikën tonë në bashkëpunim me fqinjët. Në zgjerimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit në këto fusha mangësia e Programit ndërshtetëror për bashkëpunim me RPS të Shqipërisë në arsim, shkencë, kulturë dhe sport, duhet të tejkalohet me forma të ndryshme të vendosjes së formave të drejtpërdrejta të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve tona dhe atyre shqiptare. Njëkohësisht duhet të vazhdohet edhe me iniciativat tona për arritjen dhe miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Në mbledhje iu dha përkrahje propozimit që palës shqiptare t’i propozohet nivelimi i Konventës për bashkëpunimin kulturor ndërmjet RSF të Jugosllavisë dhe RPS të Shqipërisë, e cila është nënshkruar në vitin 1947.

Pjesëmarrësit e mbledhjes u dakorduan se është e domosdoshme, që në nivelin e republikave dhe të krahinave, të konceptohet programi i bashkëpunimit me RPS të Shqipërisë në arsim, shkencë, kulturë dhe sport, të cilin do ta verifikonte Këshilli ndërrepublikan-krahinor për arsim, kulturë, shkencë dhe teknikë për bashkëpunim me jashtë dhe i cili, pavarësisht se a do të ishte arritur apo jo, do të ishte për ne bazë dhe kornizë e përgjithshme për planifikimin dhe realizimin e programit të bashkëpunimit. Të gjitha subjekte të cilat në këtë moment marrin pjesë drejtpërdrejt në bashkëpunim me Shqipërinë fqinje, në këto rajone, që këtë program, sa të jetë e mundshme ta realizojnë. Në gjithë këtë, roli i organeve republikane, krahinore dhe federative, veçanërisht koordinimi dhe sinkronizimi i aktiviteteve të tyre, me kushtet e hapjes sa më të madhe të RPS të Shqipërisë ndaj botës, është një faktor i rëndësishëm i përmirësimit të bashkëpunimit bilateral ndërmjet RSF të Jugosllavisë dhe RPS të Shqipërisë.

Në mbledhje u paraqit nevoja e përcaktimit dhe zbatimit të vazhdueshëm të kritereve të përbashkëta për marrjen e librave, revistave dhe publikimeve të tjera nga RPS e Shqipërisë dhe të vendeve të tjera në vendin tonë. Pjesëmarrësit e mbledhjes u dakorduan që OPGBG “Rilindja” nga Prishtina, mund të ngarkohet me detyrën e importimit të librave, gazetave dhe publikimeve të tjera nga RPS e Shqipërisë. Kjo do të rregullohej me një marrëveshje vetëqeverisëse ndërmjet “Rilindjes” dhe “Jugosllavenska knjiga” nga Beogradi, përkatësisht nga OPB të tjera për importimin e librit.

Në mbledhje u paraqit edhe sjellja e palejueshme e personelit të Ambasadës shqiptare në Beograd, e cila anashkalon organet federative, republikane dhe krahinore dhe kontakton drejtpërdrejt institucionet të cilat janë bartëse të formave të veçanta të bashkëpunimit.

Mbledhja në Prishtinë dëshmon për interesin e mbajtjes së konsultimeve të përbashkëta dhe në këtë kuptim ndërlidhet me mbledhjen e kryetarit të Kryesisë së RS të Serbisë, RS të Maqedonisë, të RS të Malit të Zi dhe KSA të Kosovës dhe përfaqësuesve të Sekretariatit federativ për punë të jashtme, të mbajtur më 13 mars 1979 në Shkup.

Ky tekst do t’u dorëzohet pjesëmarrësve të mbledhjes dhe këshillave ekzekutivë të republikave dhe krahinave.

Lista e pjesëmarrësve të mbledhjes:

1. Elhami Nimani, kryetar i Komisionit për marrëdhënie shoqërore – ekonomike të Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të RSF të Jugosllavisë,

2. Trajko Trajkovski, këshilltar në Sekretariatin federativ për punë të jashtme dhe kryeshef i administratës,

3. Branko Komatina, ambasador i RSFJ në Tiranë,

4. Kersto Bullajiq, drejtor i Entit Federativ për bashkëpunim ndërkombëtar në arsim, kulturë dhe teknikë,

5. Asaf Berisha, ndihmësdrejtor i Entit Federativ për bashkëpunim ndërkombëtar në arsim, kulturë dhe teknikë,

6. Danica Qurçiq, shefe e sektorit në Departamentin për bashkëpunim arsimor dhe kulturor më RPS të Shqipërisë  në Entin Federativ për bashkëpunim ndërkombëtar në arsim, kulturë dhe teknikë

Nga RS e Serbisë

1. Milan Dragoviq, nënkryetar i këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të RS të Serbisë,

2. Rade Bogdanoviq, zëvendëssekretar republikan për marrëdhënie me jashtë,

3. Milutin Simiq, ndihmësdrejtor në Entin republikan për marrëdhënie ndërkombëtare për arsim dhe kulturë.

Nga RS e Maqedonisë

1. Hysen Ramazani, nënkryetar i këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të RS të Maqedonisë,

2. Anatolij Damjanovski, sekretar republikan për shkencë dhe arsim,

3. Tomisllav Simosvski, sekretar republikan për marrëdhënie ndërkombëtare,

4. Predrag Kushevski, kryetar i Komitetit republikan për kulturë fizike,

5. Mateja Matevski, kryetar i komisionit republikan për lidhje kulturore me jashtë,

6. Salim Qerimi, bashkëpunëtor në Sekretariatin republikan për marrëdhënie me jashtë.

Nga RS e Malit të Zi

1. Bozhina Ivanoviq, sekretar republikan për arsim, shkencë dhe kulturë,

2. Branko Lukovac, kryetar i Komitetit republikan për marrëdhënie me jashtë,

3. Dimitrije Krivokapiq, drejtor i Entit republikan për bashkëpunim ndërkombëtar në arsim, kulturë dhe teknikë.

Nga RS e Bosnjë e Hercegovinës

1. Vefik Haxhismajloviq, ndihmësdrejtor i Entit republikan për bashkëpunim ndërkombëtar shkencoro-teknik dhe kulturo-arsimor.

Nga Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit të KSA të Kosovës

1. Pajazit Nushi, nënkryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të KSA të Kosovës,

2. Zejnullah Gruda, sekretar krahinor për marrëdhënie me jashtë,

3. Dr. Ymer Jaka, sekretar krahinor për arsim, shkencë dhe kulturë,

4. Nehat Islami, sekretar krahinor për informim,

5. Vojisllav Okileviq, nënsekretar i Sekretariatit Krahinor për arsim, shkencë dhe kulturë,

6. Qamil Muhaxheri, ndihmëssekretar krahinor për marrëdhënie me jashtë,

7. Behajdin Ismajli, Këshilltar në Këshillin Ekzekutiv të Kuvendit të KSA të Kosovës.

 



 

 

NË VEND TË PASTHËNIES

 

Epilog

 

QYTETARI I PARË: ÇFARË MONUMENTI PA, PA, PA! XHEZAIRI, XHEZAIRI I GJIKËS, VËRTET, E MERITON NJË ASI MONUMENTI.

QYTETARI I DYTË: IA KA SHTUAR NAMIN SHESHIT. SHIKOJE NJËHERË BALLIN E TIJ! SA KRENAR!

QYTETARI I TRETË: SA MË PËLQEJNË VEPRAT E TIJ. KUR I LEXOJ MË DUKET SE I NJOH NJERËZIT MË MIRË.

QYTETARI I KATËRT: LE TË PËRMENDET GJITHMONË DHE LE TA SHTOJË NAMIN E VAJAZANIT.

QYTETARI I PESTË: DO TË PËRMENDET AI, DO TË PËRMENDET. BIRI IM THOTË SE XHEZAIRI S’DO TË HARROHET KURRË[9].

 

 

 

 

INDEKSI

 

 

 

 



[1] Versioni që po e botojmë është shkruar më 27 shkurt 1954 dhe ka katër faqe makine. Autor i tekstit, të cilin duhej ta nënshkruante drejtori i Institutit Elhami Nimani, është Ali Rexha, i cili ka edhe nënshkrimin e tij në emër të drejtorit. Versioni i shkurtuar, në një faqe e gjysmë, Krist Malokit i është dërguar, sipas protokolit të Institutit, më 20 prill 1954. Letra botohet nga origjinali.

[2] Të gjitha nënvizimet janë të letërshkruesit.

[3] Varianti i parë i tekstit të diskutuar. Botohet për herë të parë.

[4] Një propozim, si version tjetër për pikën 17 është i shkruar me dorë me këtë përmbajtje: Delegacioni ynë duhet të analizojë çështjen e nënshkrimit të konventës duke pasur parasysh edhe interesin e RPSSH.

[5] Në krye të faqes së parë Ymer Jaka, me dorë ka bërë edhe këto shënime: “Biseda me M. ?. – bashkëpunim i subjekteve të barabarta. Reciprociteti. - Politika e vetëdijshme e qeverisë sonë. -Na si faktor i bashkëpunimit midis dy shteteve. - Bashkëpunimi ka kaluar nëpër disa labirinte. Nuk kemi qenë të organizuar. - Niveli i vetëdijës politike të bartësve të bashkëpunimit.

-E ardhmja. - Jemi të gatshëm për gjatësinë e bashkëpunimit; në funksion  të begatimit të marrëdhënieve jug.shqip. - Bashkëpunimi me Kosovën është bashkëpunim me Jugosllavinë.

 Në faqen e fundit janë bërë edhe këto shënime: “Deklarata e Teftës: - diskriminimi i shqiptarëve në pikëpamje gjuhësore, kulturore e arsimore. - Roli i ambasadorit: - Bashkëpunimi - rezultat i gatishmërisë së dyanshme. – Nacionalizmi si proces i lirimit të vetë kombit, nacional e klasor. - Platformat e ndryshme antikomuniste e antishqiptare.”  

[6] Botohet për herë të parë.

[7] Botohet për herë të parë.

[8]Botohet për herë të parë. Përktheu nga serbokroatishtja Merxhan Avdyli.

[9] Nga romani Vdekja më vjen prej syve të tillë, Prishtinë,  1974, f. 270.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora