E premte, 26.04.2024, 04:34 PM (GMT+1)

Kulturë

Begzad Baliu: Vareni kryengritësin e shenjtëruar (I)

E marte, 26.04.2011, 07:58 PM


Begzad Baliu

 

VARENI KRYENGRITËSIN E SHENJTËRUAR I

 

(Qosja, Nobeli,  Kadare...)

 

Recensues

Zymer Neziri

 

Copyright@autori, 2010

E-mail: bbaliu@yahoo.com

tel: +377 44 173-596

Kopertina

Lulzim Lajçi

Botoi

Instituti Albshkenca i Prishtinës

 

 

Varreni, se me botën, me ne s’shëmbëllen,

Se na ndreq shtrëmbëritë, dhe kurrë s’na rren...

Vrajeni kryengritësin e Shënjtëruar

Si katil të mallkuar, atë ka kërkuar...

Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha.

Fan S. Noli

 

PARATHËNIE

 

Janë shtatëmbëdhjetë ditë (31 gusht - 16 shtator 2007) dhe tri momente brenda po këtyre ditëve, që e përbëjnë këtë libër: puna me studentët në kursin e Shkrimit akademik në semestrin veror, diskutimi në internet i propozimit tim për të kandiduar Rexhep Qosjen për Çmimin Nobel dhe gjendja e atyre ditëve në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Në të vërtetë, janë shtatëmbëdhjetë ditë dhe shtatëmbëdhjetë net, për të mos thënë më shumë net se ditë.

Me studentët e Fakultetit të Edukimit të Departamentit të Historisë, të Departamentit të Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe dhe të Departamentit Fillor, në kursin e Shkrimit akademik, që tashmë kishte përfunduar, kishim diskutuar tipin e esesë bindëse. Shembujt (me propozimin tim, e më shumë të studentëve), ishin zakonisht personalitete, vende e ngjarje të ndryshme historike: Rrethimi i Krujës, Beteja e humbur e Beratit, Shpërngulja e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit, Moti i madh, Pushtimi i Ulqinit, Dëbimi e çamëve, Kampi i Bllacës, Gryka e Likoshanit, Fusha e Mollës (vendstrehim i popullatës gjatë luftë së UÇK-së), Thyerja e kufirit në Betejën e Koshares etj. Objekt eseje ishin edhe qytetet, fshatrat, krahinat, pikat turistike, plazhet, majat e maleve, kryesisht të hapësirës shqiptare: Kruja, Prizreni, Shkodra, Rugova, Durrësi, Labëria, Prishtina, Presheva, Gjirokastra, Gallapi, Tirana, Plazhi i Vogël i Ulqinit, Malësia e Tetovës, Maja e Sharrit, Gërmia, Ulqini, Borshi, Shkupi, Tetova, Valbona, Struga etj. Por, më shumë se ngjarjet historike e bashkëkohore, se objektet historike, të kultit, të religjionit, të antikitetit apo ato moderne, hapësira tokësore apo kozmike, studentët propozonin portrete dhe sidomos biografi personalitetesh: Teuta, Skënderbeu, Ali pashë Tepelena, Nëna Terezë, Adem Jashari, Pjetër Bogdani, Naim Frashëri, Bill Klinton, Fan Noli, Ismail Kadare, Viliem Voker, Dritëro Agolli, Fatos Kongoli, Elvis Prisli, Tinka Kurti, Tina Tarner, Anxhelina Zholi, Leonardo di Kaprio, Mata Hari, dhe madje ndonjë krijues, këngëtar, artist etj., që nuk e njeh mirë as mëhalla e tyre. Si zakonisht, bota e studentëve është shumë e pasur dhe më shumë se me arritjet në shkrimin e esesë, të mbajnë peng me diskutimin e temave, të objekteve, të personazheve, të hapësirave, të motiveve, të ngjarjeve dhe të përbërësve të tyre.

Një nga personalitetet e propozuara dhe të trajtuara ishte edhe Akademik Rexhep Qosja. Në esenë bindëse prej pesë paragrafësh, njëri prej studentëve kishte sjellë pesë arsye pse Rexhep Qosja duhej ta merrte çmimin më të lartë nacional, një çmim, i cili në esencë nuk ekziston, por që, sipas studentit tim, gjoja se ekzistonte dhe mund të ishte diçka si Çmimi Nobel.

Në paragrafin e parë, ai sillte një dukje fizike të Qosjes, në të dytin një përmbledhje biografike të tij, në të tretin një përmbledhje të mendimeve të tij politike, duke i ndarë paragrafët për çështjen shqiptare, për përgjigjet e tij në shtypin serb dhe për konceptet e tij për demokracinë; në të katërtin një arsyetim përmbledhës (duke vënë në pah fjalët çelës) dhe në të pestin, propozimin për Çmimin Nacional.

Në mesin e dhjetëra e dhjetëra eseve me temë objektet, personalitetet dhe ngjarjet historike apo bashkëkohore, unë zgjodha për diskutim temat: Varfëria në Kosovë, Nëna Terezë dhe Shkolla shqipe (për studentët e Departamentit Fillor); Vdekja e mbretëreshës Teutë, Beteja e ‘humbur’ e Beratit dhe Rënia e Adem Jasharit (për studentët e Departamentit të Historisë), si dhe Fusha e Mollës, Anxhelina Zholi dhe Rexhep Qosja, për studentët e Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.

Nga të gjitha temat, personaliteti i Rexhep Qosjes me dilte më kompleks se ç’e kisha menduar dhe madje më sintetik se ç’e mendoja një personalitet si ai.

Pak muaj më vonë, në Institutin Albanologjik të Prishtinës, një udhëhe­qje e instaluar nga jashtë, kishte hapur çështjen e largimit të disa prej personaliteteve, të cilët jo vetëm e kishin ngritur Institutin në atë nivel që ishte, por ishin bërë vetë historia e tij. Me një vendim, që drejtori i emëruar nga Ministria e Arsimit e Shkencës dhe e Tekn­o­­lo­gjisë ua dërgonte përmes njërit prej mirëmbajtësve, nga kabinetet e tyre duhej të largoheshin: akademik Rexhep Qosja, dr. Zekria Cana, dr. Ymer Jaka etj.

Ato ditë sikur kisha një ndjenjë jo të mirë dhe nuk doja të shkoj në Institut. Instituti, në vend se të punonte në shënimin e një viti simbolik: 55-vjetorin e themelimit (data nuk dihej), merrej me largimin nënçmues të disa prej studiuesve, rithemelues të tij. Kjo më bënte që sa të qëndroj larg tij aq edhe të merrem me të. Muaj më parë, në Arkivin Shtetëror të Kosovës (ndërtesa moderne e të cilit gjendet në periferi të qytetit) kisha lënë disa dhjetëra kuti gjysmë të hapura në kërkim të dokumenteve të viteve 1952-1955, e që kishin të bënin me themelimin dhe mbylljen e Institutit Albanologjik. Ia kisha vënë vetes detyrë që të zbuloj përfundimisht datën e themelimit të tij. Si ishte e mundur që të mos dihej data e themelimit të një institucioni kaq të rëndësishëm në jetën e një popullit!

Dërgova në Forumin e Alb-Shkencës tekstin tim, që anëtarësia e gjerë të diskutonte idenë për të propozuar Rexhep Qosjen kandidat për Çmimin Nobel dhe rinisa përpjekjet e mia në kërkim të datës së themelimit të Institutit. Pas ndonjë aktiviteti të zbehtë që bëhej në Fakultet (kryesisht në mëngjes), sa më parë ikja në lindje të Prishtinës (ku gjendej objekti i Arkivit të Kosovës) dhe me durim shpalosja dokumentet e vendo­sura në më se 70 kutia, me dokumente kryesisht të pasistemuara, por që dihej vetëm prejardhja e tyre: zyrat e dikurshme të shkencës dhe të kulturës së Kosovës.

Sikur të mos më mjaftonte puna pa pushim mbi kutitë me dokumente, prej të cilave nuk doja të ndahem asnjë minutë, koha filloi të më dalë nga kontrolli. Shtypi njoftonte për ngritjen e tensioneve brenda Institutit Albanologjik dhe, pavarësisht lodhjes që ndjeja, nuk mund të mos kthehesha për të parë gjendjen, e për t’u thënë miqve ndonjë fjalë përkrahjeje.

Në mbrëmje, kur unë duhej të merresha me detyrat e fëmijëve në shtëpi dhe të filloja me pushimin e pasdarkes, më priste një reagim mjaft i ashpër i lexuesve të internetit, madje jo vetëm në Forumin e Alb-Shkencës, lidhur me propozimin tim që Rexhep Qosja të kandidohet për Çmimin Nobel. Fillimisht reagimet vinin vetëm në Forumin e Alb-Shkencës, ndërsa pas disa ditësh edhe në disa forume të tjera elektronike. Pjesë të këtyre diskutimeve u botuan edhe në shtypin e Tiranës.

Reagimet, përkrahjet dhe kur e kur më shumë kundërshtimet vinin gjithnjë e më shumë, prandaj edhe përgjigjet e mia nuk mund të mungonin. Si njeri i prirë që punën e sotme të mos e lë për nesër, pjesës më të madhe të reagimeve përkrahëse a kundërshtuese u jam përgjigjur në të njëjtën ditë, më saktë në të njëjtën natë, prandaj edhe përgjigjet e mia janë kthyer në orët e para të mëngjesit. E di se shumë nga përgjigjet e mia janë ndikuar edhe prej disponimit aspak të mirë ditor që mbretëronte në Institut dhe madje që kishte të bënte me Profesor Qosjen në mënyrë të veçantë. E di ndërkaq se përgjigjet e mia nuk do të ishin të tjera, sikur të bëheshin prej ndjenjave të mira që kisha prej zbulimeve të dokumenteve të reja për Institutin në përgjithësi dhe për disa nga themeluesit e tij në veçanti: dorëshkrimi i Statutit të Institutit Albanologjik, pa datë (por sigurisht i fundvitit 1952 apo fillimvitit 1953, i bërë në Prishtinë) dhe Statutit të miratuar të këtij Instituti, përgatitur nga sekretari i Fakultetit të Filozofisë në Beograd; Projekti i parë shkencor i aktiviteteve afatgjate të Institutit Albanologjik, si dhe letra e dokumente të tjera të çmuara, që lidheshin me disa nga personalitetet më të rëndësishme shkencore të kohës:  Selman Rizën, Idriz Ajetin, Hivzi Sulejmanin, Hasan Kaleshin, Kristi Malokun, Zekeria Rexhën, Ali Rexhën, Kruno Kërstiqin dhe gjithsesi me drejtorin e parë të Institutit, Elhami Nimanin, prandaj kjo është arsyeja pse në këtë vëllim po i botojmë disa nga këto dokumente të zgjedhura, sado ndërlidhen më shumë me Institutin dhe më pak me Profesor Qosjen.

Po në këtë kohë, nga dosjet e Arkivit të Kosovës arrita të nxjerr disa dokumente të rëndësishme që kanë të bëjnë me marrëdhëniet arsimore, shkencore dhe kulturore, si dhe  vizitat e ministres së Arsimit të Shqipërisë në Prishtinë, e të ministrit të Arsimit të Kosovës, dr. Ymer Jakës, në Tiranë, e të cilat në një apo dy raste i kam përdorur në komentet e mia. Kjo është arsyeja pse në këtë vëllim disa nga dokumentet botohen të e plota, duke përfshirë këtu edhe versionet e tyre.

Po të mos ndodhnin ngjarjet ne Institut, nuk e di nëse diskursi i komunikimit tim do të ishte më i pasur apo më i varfër, por e di se do të ishte më përmbledhës, më i sistemuar dhe më i disponuar dhe mbase as titulli nuk do të ishte ky që është: Vareni kryengritësin e shenjtëruar.

Entuziazmi që më përshkonte gjatë kërkimeve në Arkivin e Kosovës, e që më venitej gjatë takimeve me kolegët e Institutit në mbrëmje, më sillte në një situatë mjaft të përzishme në kohën që unë duhej t’iu përgjigjesha kolegëve të mi nga e gjithë bota përmes forumeve elektronike. Insistimi im që përgjigjet t’i kthej brenda ditës, respektivisht brenda natës, bëri që shumë tema, shembuj, fragmente tekstesh e mendime të Profesor Qosjes, t’i përflas kalimthi, pa pasur kohë që t’i citoj ato drejtpërdrejt nga veprat e tij dhe kjo është arsyeja pse ato tani po plotësohen, por në të vërtetë po përplotësohen në fusnotë. Tekstet e tjera (të mesazheve të të tjerëve apo përgjigjet e mia) botohen me ndërhyrje vetëm të natyrës korrektuese.

Në këtë vëllim dua të përfshijë edhe një tekst të veçantë, të cilin e kam lexuar shumë vjet më parë. Në gazetën studentore “Bota e re” më ka rënë rasa të lexoj Parashtresën e Komisionit për mbrojtjen e doktoratës së Rexhep Qosjes. Bashkëkohësit e tij kujtojnë se mbrojtja e doktoratës së Profesor Qosjes para një komisioni personalitetesh të rëndësishme të kohës ishte një ngjarje shkencore dhe kulturore. Gjatë kërkimeve të mia në shtypin ditor më ka rënë të gjej edhe tekste të tjera interesante të Profesor Qosjes, apo tekste për veprën e tij letrare e shkencore, por ky është një nga tekstet e veçanta për të, prandaj jo rastësisht vendosa ta përfshij të plotë brenda këtij vëllimi.

Le të shpresojmë se shtojcat e këtij vëllimi e kanë përplotësuar diskutimin, jo vetëm për propozimin e Rexhep Qosjes për Çmimin Nobel.

Prishtinë, më 18 prill 2009                            Autori

 

I. SARTRI I KOHËS SONË

 

Për këto bindje të mia e kam dëshmitare historinë tonë

Rexhep Qosja

 

REXHEP QOSJA DHE NOBELI

 

Rexhep Qosja (1936, Vuthaj) është njëri prej mendjeve të veçanta të kulturës shqiptare. Historian i letërsisë, estet, kritik letrar, publicist, prozator e dramaturg, Rexhep Qosja për më se 40 vjet shquhet për angazhimin e tij krijues në botën intelektuale që ka trashëguar shkolla europiane.

Në fushë të mendimit shkencor dhe profesional Rexhep Qosja është i njohur për sintezat e mëdha shkencore “Historia e letërsisë shqipe” I-III (1984-1986), “Çështja shqiptare – historia dhe politika” (1994), “Porosia e madhe” (1986) etj.

Në fushë të letërsisë Rexhep Qosja shquhet për veprat letrare “Vdekja më vjen prej syve të tillë” (1974), “Një dashuri dhe shtatë faje” (2004), dramat “Mite të zhveshura” etj., për të cilat nga kritika e huaj është shquar si Kafka i Ballkanit, ndërsa për romanin “Një dashuri dhe shtatë faje” si sinteza e madhe e Kafkës dhe Xhojsit.

Veprat e tij shquhen për gjuhën e jashtëzakonshme dhe prurjet e saj jo vetëm të natyrës fonetike e morfologjike, por edhe sintaksore e stilistike, një arritje kjo e cila nuk është shënuar ndonjëherë në letrat shqipe.

Rexhep Qosja është shquar në mënyrë të veçantë me përpjekjet e tij integraliste në fushë të mendimit shkencor dhe për etikën e fjalës e të mendimit në kulturën shqiptare, në kohën kur ajo ndahej për shkaqe politike, ideologjike dhe ‘parimore’.

- Në vitet ’70 ai është shquar për përpjekjen e tij që kulturën shqiptare ta paraqes si pjesë integrale dhe të natyrshme të kulturës evropianë, sado kjo përpjekje e ka vënë në konflikt me regjimin e ideologjizuar të institucioneve politike dhe shkencore të Tiranës;

- në vitet ’80, Rexhep Qosja e ka mbrojtur me këmbëngulje përbërësin evropian të qytetërimit shqiptar, sado kjo e ka vënë në konflikt me institucionet politike dhe shkencore të Beogradit; ndërsa;

-  në vitin 1981, ai u bë pjesë e lëvizjes së madhe kombëtare në mbrojtjen politike, fizike dhe qytetare të popullatës shqiptare në Kosovë nga gjenocidi i politikës së Beogradit, duke u bërë edhe bardi moral e intelektual i saj.

Në dekadën e fundit, kur zëra të caktuar filluan të shquajnë karakterin krahinor (të kulturës shqiptare), dialektor (të gjuhës shqipe) dhe përdallues (të religjionit të shqiptarëve), duke e shquar njërin më shumë së tjetrin dhe madje njërin kundër tjetrit, Rexhep Qosja mbrojti me guximin e tij intelektual pasurinë universale të qytetërimit shqiptar, pa dalluar prejardhjen Perëndimore apo Lindore të tij.

Për të gjitha këto veçori: intelektuale, letrare, krijuese, etike, gjuhësore dhe qytetëruese, të cilat njëkohësisht janë përbërës edhe të veprës së tij letrare, propozoj që të nisi iniciativa për propozimin e tij, kandidat për marrjen e Çmimit Nobel. Në botën intelektuale të mendimit kritik shqiptar, Rexhep Qosja është Nobel në vetvete.

 

Prof. asc. dr. Begzad Baliu

Universiteti i Prishtinës

Fakulteti i Edukimit

e-mail: bbaliu@yahoo.com

Pro et contra

 

“...të shtyhet ky propozim për më vonë”

 

Akil Koci. akil.koci@googlemail.com: Është fakt së Rexhep Çosja është një krijues i shquar shqiptar, por shtrohet pyetja sa e njeh krijimtarinë e tij bota letrare?

Shkrimtari i madh Kadare qe paraqet ikonën e krijimtarisë të gjithëmbarshme jo vetëm shqiptare por edhe me gjerë, tash e sa vite nuk po mund ta fitojë ketë shpërblim dhe e dyta a ka nevojë kur tash është me afër realizimit të Nobelit ta ketë konkurrent, pos të tjerëve edhe një krijues shqiptar? Arsyetimi i z. Baliut është shumë, shumë i zbehtë. Jam që të shtyhet ky propozim për me vonë,

Me nderime, Akil Koci

Anatomia e një tingulli

bbaliu@yahoo.com

I nderuar,

Të propozosh a të kundërshtosh një mendim është çështje personale, por ta bësh këtë duke ruajtur mendimin e tjetrit dhe duke respektuar njëkohësisht atë edhe me diskursin e thënies, ky është parim universal.

Më vjen keq që ju me moshën që keni dhe me profilin e zejes së kulturës, nuk keni qenë në gjendje t’i respektoni disa nga parimet themelore të këtij kundërshtimi.

E para, ju e shënoni, e sigurisht edhe e shqiptoni mbiemrin e tij Çosja në vend të Qosja, nëse kështu nuk e keni shënuar dhe nuk e keni shqiptuar edhe me parë, kur shënimi dhe shqiptimi i tillë prej sllavofili, do të ju bënte të afirmuar në Beograd.

E dyta, ju e pranoni faktin së ai është shkrimtar i shquar, pra përveç faktit të pranuar tashme së ai është kritik, studiues, polemist, filozof etj., ai është edhe shkrimtar i shquar, por nuk qenka i njohur në botën letrare. Hapeni vetëm njërin prej librave të tij të fundit dhe shikoni se Rexhep Qosja është njëri prej shkrimtareve të përkthyer dhe të vlerësuar, sado jo aq sa është përkthyer Kadare. Si duket zotëria juaj nuk ka një informacion elementar për fituesit e Çmimit Nobel. Të fitosh Nobelin nuk do të thotë të jesh shkrimtar i popullarizuar, po shkrimtar që ke shënuar veçori të rëndësishme letrare, gjuhësore dhe pse jo edhe të kesh personalitet të veçantë prej qytetari të botës. Nobelin e kanë marrë edhe krijues, veprat e të cilëve nuk i kanë gjetur as në qytetin e lindjes së tyre dhe askush nuk ka menduar të thotë së Komiteti Suedez është këshill injorantësh.

Që Ismail Kadare është shkrimtar i madh dhe sidomos i popullarizuar këtë nuk e ven në dyshim askush, por të thuash qe propozimi i Qosjes paraqet konkurrencë nga një shqiptar (!) dhe aq me pak të thuash se Kadare “tash është me afër realizimit të Nobelit”, sikur gara për Çmimin Nobel është garë e vrapimit, është një mosnjohje e palejueshme e këtij procesi. Përkundrazi, propozimet e tjera me autorë shqiptarë (e unë do të propozoja bie fjala edhe Fatos Kongolin), sipas kësaj logjike të përkundërt do të duhej ta shtynin Komitetin Suedez që t’i jepet çmimi pikërisht Kadaresë. Kush nuk do t’i gëzohej shpërblimit Nobel në letrat shqipe, pavarësisht cili do ta merrte.

Me vjen keq, z. Koci që ju pasi sillni një arsyetim, aspak të dinjitetshëm për nivelin e krijuesit, e keni përfunduar propozimin me një diskurs komunikimi qe të kujton përfundimin e tubimeve të sindikatave socialiste: I pari, “Arsyetimi i z. Baliut është shumë, shumë i zbehtë”, dhe i dyti, gjithsesi i lidhur me të parin: “Jam që të shtyhet ky propozim për me vonë”. (Sic!)

Duke qenë ligjërues i shkrimit akademik që mbi të njëjtat parime ka ndërtuar edhe propozime të kësaj natyre për shkrimtar të tjerë shqiptare dhe të huaj, si dhe duke qenë studiues që në dorë ka projekte shkencore, si për Kadarenë ashtu edhe për Qosjen dhe që të dy projektet i punon me të njëjtin pasion, më vjen keq të them së ose nuk e keni kuptuar propozimin tim ose nuk e keni të qartë se propozimet nuk bëhen duke i mbushur faqet me lëvdata cilësorësh “i madh”, “i popullarizuar”, “i shquar”, “i rëndësishëm”, por duke theksuar referencat jetësore, gjuhësore, letrare, kulturore, të horizontit të pritjes etj., në jo më shumë së një paragraf.

Merreni dhe ndërtojeni propozimin tuaj për Kadarenë dhe shikojeni a mund të shkruani me shumë së shtatë paragrafë për Kadarenë, qoftë edhe duke u mbështetur në ata që i kam paraqitur unë për Qosjen.

Pastaj do ta shihni së nuk keni të drejtë ta shtyni propozimin për me vonë!

Koha vlen për të gjithë!

Me respekt, Begzadi

 

Pa koment

 

ShkreliM@aol.com: Më me rëndësi të gjitha që ju thatë, Rexhep Qosja ka kurajon ta pranojë se ai ishte një nga të privilegjuarit. Kjo tregon se ai është njeri i vërtetë me të mirat dhe të metat.

 

“...më i merituari për një çmim fisnik...”

 

izet_baraliu@hotmail.com: Ju përshëndes përzemër­sisht për nismën tuaj të qëlluar e me qëllim të mirë e të mbarë.

Duke njohur akademik Rexhep Qosjen që nga viti 1967, meqë edhe kam qenë student i tij dhe duke e përcjellë punën e tij vetëmohuese për çështjen tonë kombëtare e të mbështetur në themele njerëzore, kujtoj që nëse dikush e meriton Çmimin Nobel /fisnik/ në fushën e artit të letërsisë në Evropën Juglindore, ai është akademik Rexhep Qosja.

Me nderim Izet Baraliu, Nju Jork

 

“Përkrahje me gjithë qenien...”

 

flamurdoli5@gmail.com: Propozimin e z. Baliu, që intelektuali i shquar i kombit shqiptar të propozohet për Çmimin Nobel, e përkrahi me gjithë qenien time.

Me respekt, Flamur Doli

 

Paradigma koherente e Qosjes, Kadaresë dhe Agollit

 

"Faruk Myrtaj" fmyrtaj@sympatico.ca

I nderuar Begzad, mesazhi i kolegut Shkreli ishte shumë i shkurtër, por kjo nuk e pengonte të ishte njëherësh edhe shumë i qartë.

Por, dihet, ne e shohim Tjetrin sipas mënyrës vetjake, dhe Bota është ashtu siç e shohim ne, jo siç realisht është!

Profesor Qosja duhet respektuar për tërësinë e veprës e fjalës së tij shqipe: ai është njëri nga personalitetet që e solli periudha përkatëse.

Kur themi "periudha përkatëse" kam parasysh jo vetëm favoret përkatëse, por edhe kufizimet përkatëse. Për të gjithë ju që keni jetuar dhe vepruar në kushtet e një komunizmi më liberal se i Tiranës, por edhe të një nacionalizmi mbytës, sidomos vitet '80-'90. Sipas burimeve sa me objektive të Kosovës, Qosja ka qenë dhe mbetet një vlerë e pamohueshme, por edhe e pandërprerë (po të përdorim një frazë të dashur për të). Në kuptimin rrethanor ideologjik, nuk besoj se ka diferencë me Ismail Kadarenë.

Diferenca nis kur njëri nuk e lëndon të shkuarën e vet dhe tjetri përpiqet ta ndryshojë atë. Qosja (si Dritëro Agolli në Tiranë) pohojnë që "kemi qenë ashtu siç kemi qenë", Kadareja prodhon realitete koherente. Ajo që ka ndodhur i ka dëshmitarët gjallë. Është e patjetërsueshme. Askush prej atyre individëve, pra as edhe emrat në fjalë, të cilët kanë qenë me të aftët "e atyre që nuk u ndërprenë", nuk kanë të drejtën morale të na bëjnë ne të tjerëve t'i marrim siç tani ata do të donin të kishin qenë dikur!

(Edhe në të tjerët do të donim të kishim qenë ca me ndryshe, në të vërtetë!)

Përplasjet, polemikat dhe gërnjat midis emrave të së shkuarës sonë socrealiste, me shumë janë teke sedërlinjsh, se për gjëra që realisht i ndajnë!

Megjithatë, si figura të lindura e të promovuara nga ajo kohë, nuk mund të ndjehen diferencat midis tyre.

Nëse bëjmë gabim që nuk e përmendim faktin se edhe emrin e Fishtës e kanë propozuar dikur për Nobelin, nuk më duket se po kjo logjikë qëndron për të propozuar tashmë edhe Profesor Qosjen. Nuk shoh gjasa e as arsye qe ai të jetë kandidat potencial për atë çmim. Pa pasur nevojë të përmendim se si e se qysh Kadare është ajo figurë që është, është verbëri e dëshiruar nëse nuk shohim se Kadare është. Nëse ka një figurë shqiptare të promovuar dhe të njohur në sheshin e lavdisë botërore, ai është padyshim Ismail Kadare.

Ne duhet të gëzohemi që emri i tij është në rrethin e parë të valles së pambarimtë të pretendentëve për Nobelin. Dhe duhet të ndjehemi pa asnjë mëdyshje të shpërblyer siç meritojmë nëse ai do të shpërblehet për mënyrën se si e ka tentuar ketë vlerësim.

Nëse mbetemi gjithnjë në rrethin e njerëzve që (së paku) nuk u ndërprenë atë kohë anti-art, na duhet që edhe në shqyrtimet tona të revizionohen kohë pas kohë. Kadare vërtet e lodh debatin kur e rrëfen veten e asaj kohe ndryshe, por a nuk është e vërtetë se ai realisht nuk është më në ato qëndrime që ka qenë (qoftë edhe i detyruar) dikur? Qosja e Agolli duken si më karaktere burrërore tek sa pohojnë privilegjet e kohëve respektive, por a nuk ndjehemi të gjithë keq kur fare pak distancë shfaqin edhe 20 vjet më pas rënies fizike të epokës ideologjike që u dha dorën?! Ne do të dëshironim që fragmenti i disidencës letrare (pasojë e talentit të shkrimtarit, jo e qytetarit Kadare) të ishte mjaft për Ismail Kadarenë, por a nuk do të ndjeheshim shumë më keq sikur Ismail Kadareja të mbetej në kuadrin e pohimeve për të shkuarën si të dy të përmendurve të tjerë?! Duke qenë njohës dhe respektues i veprës dhe vlerës reale të Profesor Qosjes, më duket se ka shumë subjektivitet në nismën për ta propozuar për atë çmim.

Respekt, Faruk Myrtaj, Toronto

 

Arsyet subjektive të një propozimi

 

bbaliu@yahoo.com

I nderuar z. Myrtaj,

Po e filloj përgjigjen time mesazhit tuaj nga fundi.

Ju thoni se “më duket se ka shumë subjektivitet në nismën për ta propozuar për atë çmim”.

Ndërsa unë ju pyes: E pse të mos ketë subjektivitet? A nuk do të ishte subjektiv propozimi ynë për Ismail Kadarenë, për Dritëro Agollin, Fatos Kongolin e ndonjë tjetër? Për cilin kandidat nuk do të kishte subjektivitet, nëse ky propozim është e arsyeshme të arsyetohet, qoftë edhe me vetëm tre paragrafë.

Çka ka të keqe nga subjektiviteti i një propozimi, i një propozimi që tejkalon identifikimin me njëshin në letërsinë shqiptare, në qoftë se rezultati i këtij propozimi nuk varet as nga unë si propozues, as nga institucioni, të cilit ia propozoj dhe me në fund, për fat të mirë, as nga politika fare kulturore që bëhet në hapësirën shqiptare.

Ju thoni se Rexhep Qosja “është njëri nga personalitetet që e solli periudha përkatëse”, ndërsa unë ju them se Rexhep Qosjen e solli jo vetëm periudha përkatëse, por edhe angazhimi i tij në krijimin e kësaj periudhe.

Në Kosovë ka shumë krijues që e jetuan këtë periudhë, por ose nuk deshën të lëvizin përpara, duke u bërë rob i së kaluarës bashkë me strukturat politike të kohës ose qëndruan indiferentë, sepse duke mbajtur qëndrim të tillë ata bënin jetën e strucit, pa qarë kokën për kohën dhe të tjerët.

Përkundrazi, është Rexhep Qosja, i cili jo pse dëshiron të thuhet, por pse dëshiron ta shquan një të vërtetë, pandërprerë mbajti qëndrim kritik ndaj gjendjes kulturore, shkencore dhe politike në shoqërinë tonë.

Por, Ju zoti Myrtaj bëni një gabim, të cilin duke lexuar shumë shkrime tuaja, prej të cilave kam mësuar doemos mjaft, nuk kam pritur se do ta bëni.

Ju keni shkruar se “Në kuptimin rrethanor ideologjik, nuk besoj se ka diferencë me Ismail Kadarenë” dhe madje keni vazhduar që të njëjtin gabim ta zgjeroni, përkatësisht ta thelloni. Keni shkruar se “Qosja (si Dritëro Agolli në Tiranë) pohojnë që "kemi qenë ashtu siç kemi qenë".

E para, nuk qëndron për shumë arsye, ndërsa unë po e theksoj vetëm njërën prej tyre. Për shumë vjet Kadare ishte pjesë e strukturave politike, shtetërore (deputet) dhe ideologjike (në krye të Fronit Popullor), ndërsa Rexhep Qosja jo vetëm nuk ishte pjesë e asnjë strukture politike, shtetërore e ideologjike, por maksimumi i pozitave që pati deri në vitin 1981, kur u zhvesh nga të gjitha ‘pozitat’, ishte drejtor i Institutit Albanologjik.

Ju e keni krahasuar Qosjen gjithnjë në kontekst negativ, për të mos thënë qortues, me Agollin.

Po kaq poste politike e ideologjike, sa kishte Kadare, sikur dihet kishte edhe Agolli, në mos më shumë. Por, në vend se të krahasoni Agollin me Kadarenë, e krahasoni të pamundurën, Agollin me Qosjen.

Unë u jap të drejtë për këtë, me kusht që këtë të mos e konsideroni dobësi. Agolli ishte komunist në kuptimin e parë të fjalës, por që me veprën e tij (unë flas gjithmonë për veprën dhe asnjëherë për jetën, kur janë në pyetje Kadare dhe Agolli), ka rrezatuar më shumë humanizëm se në veprën e Kadaresë. Merrni Ju lutem veprat e të parit dhe të dytit. Bëni një matje sado të vogël të diskursit ideologjik dhe korpusit politik, prej “Gjeneralit” deri te “Pashallarët” dhe cilëndo prej veprave me prurje ideologjike të Agollit dhe nuk do të keni vështirë të shihni se referencat politike, ideologjike dhe militare, në veprat e Kadaresë janë shumë më të shquara edhe në kontekstin intelektual, se në veprën e Agollit, prandaj, jo pa dëshpërim mund të them se: ky diskurs i Kadaresë, sot dhe në të ardhmen, do të bëhet gangrenë e veprës së tij.

Pasi jua ofrova vetëm disa nga krahasimet e pamundshme dua të theksoj edhe dy a tri gjëra.

Është çështje personale e Kadaresë, Agollit dhe Qosjes që të mbajnë qëndrim të kundërt apo të njëtrajtshëm a të përhershëm, por jemi ne lexuesit e tyre që i vlerësojmë ata.

Nëse një krijues dëshiron të qëndroj pranë asaj që ka menduar dhe asaj që ka bërë sikur vepron Agolli, kjo është e drejtë e tij, por ne lexuesit e krijimtarisë letrare të tij nuk mund të mos themi se, bie fjala, dy veprat e botuara në prag të rënies së komunizmit në Shqipëri dhe pas rënies së tij “Udhëtoj i menduar” dhe “Kambana e kohës” tregojnë për një katarsë të plotë të Agollit, të cilën as dy dekada me vonë nuk po e shohim te Kadare. Si mund të flitet për krijimin e “realiteteve të reja” nga Kadare, kur diskursi i tij diturak dhe dialogu i tij me bashkëkohësit vazhdon të mbetet ai që kemi lexuar qe tridhjetë vjet. Ose, merreni ju lutem vetëm periudhën e botimeve nga “Ftesë në studio” (1990) deri te propozimi i tij stalinist në Prishtinë, që Qosja të dërgohet në spital!

Pra Qosja pse duhet të mos jetë ashtu sikur ka qenë? Pse Qosja duhet të mos vazhdojë të ruajë ‘përhershmërinë’, nëse përhershmëria e tij nënkupton qëndrimin kritik ndaj shoqërisë dhe artit e kulturës, nëse ‘përhershmëria’ e tij nënkupton etikën e fjalës dhe moralin e kritikut, nëse ‘përhershmëria’ e tij nënkupton sikur shkruante ai në vitin 1979 për modernitetin: “mospajtimin me veten sot për hir të vetes nesër”.

Pse, prandaj duhet të krijojë “realitete të reja” krijuesi që ka shkruar romanin simbol “Vdekja me vjen prej syve të tillë”, monodramën “Vdekja e mbretëreshës”, veprat kritike “Manifestin e modernitetit” (botuar më vonë me titullin “Tri mënyra të shkrimit shqip”), “Kontinuitetet”, “Panteonin e rralluar”, “Nocionet e reja albanologjike”, “Anatomia e kulturës” etj., (me qëllim shënova veprat të cilat janë shumë pak të njohura për opinionin në Tiranë, sepse janë shkruar në fund të viteve ’60 dhe në fillim të viteve ‘70), brenda të cilave ka ndërtuar profilin krijues, etik, historik dhe kulturor, pavarësisht prej pasojave politike, ideologjike dhe fizike të kohës, kur Kadare (në përmasa planetare) dhe Agolli, (në përmasa popullore) projektonin misionin e komunizmit.

Unë mendoj se më parë se për realitetet e reja të Kadaresë do të duhej të diskutohej, ndoshta për një brejtje ndërgjegjeje.

Përsëri një digresion, të cilin nuk dua ta bëjë këtu!

&

E quaj plotësisht të arsyeshme faktin së ne sikur i hyjmë borxh Fishtës, kur në prag të shpalljes së Çmimit Nobel, nuk e zëmë në gojë emrin e tij dhe nuk theksojmë se letërsia shqipe kishte dy propozime serioze për Çmimin Nobel: Fishtën, i cili nuk e mori dhe Kadarenë, i cili shpresojmë ta marrë.

Por çka ka kjo të bëjë me Qosjen?

Asgjë.

Nëse përjashtojmë faktin se propozimet vinë prej së njëjtës gjuhë dhe letërsisë së saj.

Interesi ynë nuk lidhet me atë se a do ta marrë Nobelin Kadare apo Qosja, interesi ynë është që ai t’i takojë letërsisë shqipe. Jashtë këtij interesi, kam shkruar më parë, unë kam theksuar faktin se, ashtu sikur ishte me shumë interes marrja e Çmimit Saharov nga Demaçi (e kjo në kontekstin individual nuk do të me gëzonte më pak, sikur këtë vlerësim ta merrte Atë Zef Pllumbi apo Pjetër Arbnori), sepse kjo ishte më shumë e rëndësishme për Kosovën sesa për Shqipërinë. Edhe propozimi im i Qosjes për Çmimin Nobel do të ishte i rëndësishëm më shumë për Kosovën e sotme sesa për letërsinë shqipe. Në të kundërtën, përsëris, Çmimi Nobel do të me gëzonte sikur atë ta merrte edhe njëri prej krijuesve shqiptar, të cilin unë ende nuk e kam lexuar, sado jam një lexues i pasionuar dhe nuk besoj se kemi një shkrimtar me arritje mbi mesataren e shkrimit shqip, të cilin nuk e kam lexuar.

Por Ju Z. Myrtaj, shkoni edhe me tej. Ju thoni se “Nuk shoh gjasa e as arsye qe ai të jetë kandidat potencial për atë çmim. Pa pasur nevojë të përmendim se si e se qysh Kadare është ajo figurë që është, është verbëri e dëshiruar nëse nuk shohim së Kadare është. Nëse ka një figurë shqiptare të promovuar dhe të njohur në sheshin e lavdisë botërore, ai është padyshim Ismail Kadare”.

Jo pse unë nuk mund të ju jap të drejtë, por pse historia e dhënies së Çmimit Nobel nuk iu jep të drejtë, me duhet të theksoj se këtij paragrafi i mungon një saktësi elementare.

E para, duke propozuar Qosjen për Çmimin Nobel, as nuk pretendojmë ta përjashtojmë Kadarenë nga marrja e këtij çmimi as nuk sigurojmë se këtë edhe do ta marrë Qosja. Jemi plotësisht dakord që “Nëse ka një figurë shqiptare të promovuar dhe të njohur në sheshin e lavdisë botërore, ai është padyshim Ismail Kadare”, por nuk jemi aspak dakord me mendimin tuaj se nuk shihni gjasa e as arsye që Qosja të jetë kandidat potencial për atë çmim. Ata që sadopak kanë përcjellë historinë e dhënies së Nobelit dhe ata që sadopak kanë mësuar prej politikës së shpalljes së Çmimit Nobel, nuk do të mund të mendonin se për Qosjen nuk ka “as gjasa dhe as arsye”. Ata, që kanë lexuar me kujdes Kadarenë dhe Qosjen, nuk do të kenë vështirë të dilnin deri te një përfundim tjetër. Nëse Kadare nuk mori shpërblimin për romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, deri në mbarim të Luftës së Ftohtë dhe eventualisht për romanin “Pallati ëndrrave”, pas rënies së komunizmit në Shqipëri, në emër të cilës vepër do ta marrë tani. Në emër të “Pasardhësit”? Nëse kemi parasysh se në Komitetin e ndarjes së Çmimit Nobel, sikur është vënë re deri më tash, vlerësimi për qëndrimin intelektual të krijuesit është shumë i rëndësishëm, sado nuk theksohet në mënyrë të veçantë, atëherë çka mund të pritet prej këtij Komiteti, për sikur shpreheni Ju “prodhimin e realiteteve koherente”.

Me vjen keq që në ketë mesazh nuk mund të merrem më gjatë me prodhimin e “realiteteve koherente” të Kadaresë. “Realitetet koherente” të Kadaresë, për fat të keq kanë rrënuar diskursin etik të mendimit të tij dhe ky mund të jetë një prej pengesave që, besoj Kadare vazhdon t’ia bëjë vetes në rrugëtimin e tij për të marrë Çmimin Nobel.

E kundërta ndërkaq ndodhë me ‘përhershmërinë’ e Qosjes, i cili mund të merret model i intelektualit të angazhuar dhe më parë së Kadare mund të bëhet kandidat i sigurt dhe i arsyeshëm, për të hyrë në rrethin e ngushtë të atyre që pretendojnë këtë çmim, në mos në panteonin e fituesve të këtij çmimi.

Z. Myrtaj, kur e kam bërë propozimin e Qosjes për kandidim për Çmimin Nobel kisha parasysh edhe shumë argumente të tjera, ndërsa shënova vetëm disa nga ato.

Nuk ishte kjo një rastësi, as një interes i dalë prej meskinitetit.

Me respekt, Begzad Baliu

 

“OK...”

 

"Faruk Myrtaj" fmyrtaj@sympatico.ca:

OK, më duhet të bashkohem me logjikën tuaj, i nderuar profesor.

Nuk kam qenë, sidomos në vitet e fundit, aspak i ndjerë mirë me punët jashtëletrare të Kadaresë, madje as me botimet e tij të mbrame, e thuajse natyrshëm jam ndjerë më pranë "turbulluesve" të tij. Natyrisht, nuk bashkohem me ata që nuk e çmojnë si shkrimtar, edhe pse e di se për të është investuar një shtet e një parti e një sekretar i parë, për ta bërë të famshëm. Realisht, ai ka qenë më i talentuari i atyre që nuk u penguan apo u favorizuan prej atyre viteve, vite që për të tjerët kanë qenë të vrazhda e vrastare, shpesh.

Megjithatë, ashtu siç kanë ardhur punët, jo vetëm të Kadaresë, por edhe të Shqipërisë, nuk mund të mos gëzohem nëse një emër si ai do të nderohej me Çmimin Nobel.

Tek ai njeri ka diçka tragjike në mënyrën se si po e përdor emrin e vet kohët e fundit. Them se rrallëkush do të merrej me të keq me të, pas viteve '90, nëse ai vërtet do të ishte marrë me librat e tij. Do t'ia harronin të gjitha ato që e kishin shfaqur të privilegjuar, e do të mbetej ajo thelbësorja: një shkrimtar më i mençur se i talentuar, nuk mund ta kishte dashur atë farë komunizmi që u implementua në Shqipëri. Ne do të mbeteshim me dëshirë dhe arsye pengje të nëntekstit të veprave të tij, gjë që në fund të fundit përbënë detyrimin e lexuesve dhe qytetarëve të vet përballë një përmase të tillë shkrimtari.

Por, dihet tashmë, Kadare pranoi të bëhej viktimë e sedrës delikate të një njeriu të mësuar me suksesin me çdo çmim, iu dorëzua atyre rrethanave e njerëzve që kishin qenë e janë përqark tij në të gjithë kohët dhe që, unë mendoj, nuk arrijnë ose s'duan ta duan për atë që ai meriton. Unë besoj se së fundi ai është në dimrin e vetmisë së tij dhe pikërisht për këtë unë nuk bie dot dakord që edhe ne të sillemi me vlerën e tij reale, ashtu siç është sjellë ai me një varg emrash e kolegësh me fat të ndryshëm nën atë diktaturë.

Qe të jem më i sinqertë, unë mendoj se ai mund të mos meritonte Nderin e Kombit (shqiptar) sesa të bëhet prej nesh i diskutueshëm për Nobelin!

Qosja ka qenë për një kohë të gjatë një lloj miku im, jam takuar, kam biseduar e shkruar me të, prej vitit 1992, pohoj se atij i kanë dalë të vërteta (para)gjykimet për disa nga krerët e opozitës demokratike shqiptare, por ajo që më shqetëson me shumë tek ai është sedra e lënduar prej ballkanasi, përballë së cilës ai nuk kursen asgjë më. Kam prirjen të besoj se ai është edhe më inatqor se Kadareja!

Vetëm Qosja nuk do të shkonte në përurimin e monumentit të Skënderbeut në Prishtinë vetëm e vetëm se nuk i është lënë atij e drejta për të mbajtur fjalën e përurimit! (Më duket ka shkruar edhe një broshurë për këtë gjë- këtë e kam prej miqve të mi atje, të cilët dinë ta duan e ta çmojnë guximin, karakterin apo punën e tij, por ndjehen të çarmatosur përballë kokëfortësisë së tij të pandreqshme).

Por, ky Perëndim, që ju e dini më mirë se unë, (edhe ai) hera-herës i përdor intelektualët e Lindjes, jo gjithnjë sinqerisht. Në këtë kahe, Kadare është shfaqur më i epshëm, duke llogaritur veten gjithnjë (edhe) si individ politik, dhe meqë i është imponuar një sjellje e tillë për një periudhë të gjatë, e vazhdon këtë rropatje edhe tashme, kur prej rretheve të prurjeve sezonale të perëndimit kërkohet një Shqipëri e sforcuar ndaj së shkuarës së largët origjinare, kur Shqipëria reale nuk ka asgjë që e ndan prej Evropës si kulturë dhe prej atlantikut si bashkësi interesash afatgjatë.

Pra, në këtë botë jo aq të ndershme e parimore, (a na bind dot kush se nobelistët e tjerë, apo ata që vijnë, janë nderuar si të tillë thjesht për shkak të artit?!), unë shoh pak gjasa që Qosja apo tjetërkush të konsiderohet prej botës më shumë se prej shqiptarëve.

Jam pothuaj i sigurt se midis kandidaturave më të plota, jo vetëm për shkak të artit të tyre, por edhe prej plotësisë si figura të kthjellëta dhe karaktere qytetare e atdhetare, do të ishte bie fjala Mitrush Kuteli e ndonjë tjetër, e për këtë ne si shoqëri, si organizime sociale, kulturore e shkencore, nuk po ndjehemi gati të marrim përgjegjësinë tonë.

Respekt, Faruk Myrtaj, Toronto

 

“Qosja dhe Kadareja duhet të shkojnë në burg...”

 

kadrimani@hotmail.com: Të nderuar, para se ta marrin Çmimin Nobel, Qosja dhe Kadareja duhet të shkojnë në burg ose që të dy bashkë në çmendinë!

Derisa ata dy i kanë dhënë kontributet e veta në letërsi e në shkencë, në politikë kanë dështuar me turp për të gjitha kohërat.

Kadri Osmani-Mani

 

“Le te marrin së pari Nobelin...”

 

Përgjigje: bbaliu@yahoo.com

Përshëndetje

Nëse Qosja e Kadare janë shkrimtarë 'të shquar' sikur thoni, atëherë le ta marrin Çmimin Nobel, sepse më shumë se ata, për Nobelin ka nevojë Shqipëria dhe sidomos, në situatën e sotme, Kosova.

Pastaj nëse ata dy kanë vendin në burg, le të shkojnë në burg, për ketë nuk i pengon aspak Çmimin Nobel.

Begzadi

 

“Qosja, një triumf në përgjithësi i kulturës shqiptare...”

 

Uran Krasniqi <urankrasniqi@hotmail.com>: Mundësia që edhe Rexhep Qosja të jetë njëri prej pretendentëve për Nobelin letrar do të ishte një triumf në përgjithësi i kulturës shqiptare, konsideroj që s’ka kurrgjë të keqe për Ismail Kadarenë në rast se aty matin forcat mes vete edhe njëherë: ndoshta mos aty e shohim më së miri se kush pati të drejtë në polemikën e gjatë të tyre që ndodhi tash së fundi.

 

“Qosja dhe Kadare dy gjeni të letrave shqipe...”

 

Përgjigje: bbaliu@yahoo.com

I nderuar z. Uran

Propozimi që Qosja të kandidohet për Çmimin Nobel nuk ka të bëjë asgjë me polemiken Qosja - Kadare. Qosja dhe Kadare janë dy gjeni të letrave shqipe dhe kjo bënë që ata të kandidohen për Çmimin Nobel për veprat e tyre dhe jo për polemikat.

Çështjet për të cilat kanë diskutuar ata janë më të rëndësishme se Çmimi Nobel. Kjo ka të bëjë sidomos me problemet që ka trajtuar Qosja te libri Ideologjia e shpërbërjes, sikur shkruan ai: për predikuesit e identitetit kombëtar kosovar, si identitet kombëtar i ri në Ballkan; për predikuesit e gjuhës së dytë standarde për folësit me identitet kombëtar kosovar; dhe për thirrësit për kthimin e shqiptarëve myslimanë në “fenë e të parëve”, si gjoja kusht për pranimin më të shpejtuar të Shqipërisë shtetërore dhe të Kosovës në Bashkimin Evropian!

Shqiptarët në Kosovë nuk është hera e parë që kërcënohen me cilësime të individëve dhe grupeve të caktuara vendore dhe ndërkombëtare. Në këso situatash jemi gjetur për fat të keq edhe më parë, prej të cilave jo të gjithë kemi mësuar. Deri në vitin 1966 është bërë shumë përpjekje që shqiptarët në Kosovë, respektivisht në ish-Jugosllavi të quhemi shiptari, shiftari dhe ishim në prag të identifikimit edhe si kosovar, ndërsa gjuha shqipe, si gjuhë kosovare, kosovaro-tetovarishte etj., por ky rrezik u tejkalua paraprakisht kur shqiptarët e Kosovës u përcaktuan për standardin gjuhësor në Konsultën Gjuhësore të Prishtinë (1968), i cili do të vendoset në Kongresin e Drejtshkrimit në Tiranë (1972) dhe kjo pastaj mjaftoi që ne krahinarisht të përcaktohemi për kosovar, por si identitet të mos heqim dorë nga identiteti shqiptar, pavarësisht se ne nuk do të quhemi komb por kombësi.(!) Çështja fetare, për fat të mirë nuk qe shtruar. Përkatësia myslimanë e shumicës së shqiptarëve në ish-Jugosllavi, (me përjashtim të shqiptarëve ortodoks të Maqedonisë Qendrore, të cilët për fat të keq përfunduan në maqedonas, edhe me gjuhën dhe marrëdhëniet familjare), në anën tjetër ndihmoi në ruajtjen e distancës me sllavët e jugut.

Qosja, pra ishte njëri nga ata intelektualë që ka mësuar shumë nga historia dhe njëri nga ata që katër dekadat e fundit ka marrë pjesë në bërjen e kësaj historie. Ky shqetësim është një prej arsyeve pse Qosja doli me librin Ideologjia e shpërbërjes, në të cilin nuk është lakuar asnjë emër, prandaj nuk e kuptoj as sot, cila ishte arsyeja që Kadare duhej ta kundërshtonte këtë, pikërisht në sprovën Identiteti evropian i shqiptarëve.

Çka do të thotë kjo?

A do të thotë kjo se shqiptarët janë për Evropën, por kosovarët të prirë nga një akademik (Qosja) nuk duan të heqin dorë nga tradita osmane e shekullit XIX.

A nuk ishte më e arsyeshme për Kadarenë, që në vend të ankimeve në Evropë, për myslimanizmin e Qosjes, të ankohej për hyrjen e vetëm gjysmës së shqiptareve, pavarësisht se, veç të tjerash populli shqiptar bënë pjesë në familjen moderne evropiane, ndërsa gjuha shqipe është pjesë e gjuhëve indoevropiane që nga antikiteti. Si mund të dilte Qosja në sprovën e Kadaresë Identiteti evropian i shqiptarëve, më i rëndësishëm se shqiptarët e Kosovës dhe madje të shquhej pikërisht, duke u mbështetur në një nga manifestet e tij të shekullit XXI?

Pastaj rrjedhojat dihen, por për mua deri këtu shqyrtohet çështja, jo me tej. Të gjitha të tjerat janë çështje më shumë personale. Kjo është një prej arsyeve pse nuk kam dashur të përfshihem në debat. Për mua debati kap veprën Ideologjia e shpërbërjes, në të cilën nuk zihet në gojë Kadare dhe një gjysmë fjalie e Kadaresë te sprova Identiteti evropian i shqiptarëve.

Me respekt, Begzadi

 

‘Nobeli vlerëson vlera universale’

 

Ismail Gashi igashi2003@yahoo.com: Unë nuk konsideroj se kandidimi për Nobel i Akademik Rexhep Qosjes, del për arsye të matjes së forcave të dy kolosëve tanë, siç pohon Urani.

Por, kandidimi për Çmimin Nobel i Akademik Rexhep Qosjes, është arsye e nevojshme për kandidim vlerash krijuese shpirtërore shqiptare. Aty, ka vend edhe për dyja propozimet, Qosja e Kadare. Unë besoj se Nobeli vlerëson mirë e drejt, kush ka vlera më universale krijuese, apo kush e pse është ngulfatur në hapësirën e kohën e komunizmit në Shqipëri, që në mbështetje të kësaj të keqe të krijon vlera universale për të keqen e ardhur nga komunizmi. Sa do dalë kjo qasje e arsyeshme që komunizmin shqiptar ta shndërrojmë në djallëzi universale njerëzore, deri tash sikur na kanë paralajmëruar se fati i tillë është i vogël dhe nuk mund të përgjithësohet.

 

“Projektimi i komunizmit shqiptar në djallëzi njerëzore”

 

Përgjigje: bbaliu@yahoo.com

I nderuar Gashi

Duke mirëpritur diskutimin tuaj për propozimin e Qosjes për Çmimin Nobel, dëshiroj të ju kujtoj së vërtetë nuk mund të bëhen dy propozime për Nobelin nga i njëjti institucion, por meqenëse Instituti ka dy qendra në Tiranë dhe në Prishtinë (e së shpejti do ta ketë edhe në Shkup) është e mundur që Qendra e Tiranës të paraqet njërën kandidaturë, ndërsa qendra e Prishtinës të paraqet kandidaturën tjetër.

Me intrigoi sidomos diskutimi juaj për arsyen e projektimit të “komunizmit shqiptar në djallëzi universale njerëzore”, madje për një ese të mundshme në të ardhmen. Unë kam lexuar me kënaqësi veprat e Kadaresë që kur ato u botuan në Prishtinë në vitet ’70, por gjithmonë kam pasur një ndjenjë të paraqitjes së shqiptareve në shkallë sa historike po aq edhe joreale. Shikoni Shqipërinë e rrethuar të kohës së komunizmit dhe të vetërrethuar të postkomunizmit, projektuar në kohën e Perandorisë Osmanë (“Kështjella”), qytetin e gurtë (“Kronika…”) dhe Enver Hoxhën e rrethuar nga perandoria bolshevike, në veprat e Kadaresë në njërën anë, si dhe veprat e Enver Hoxhës “Rrezikun anglo-amerikan për Shqipërinë, “Me Stalinin”, “Hrushovianët”, “Shënime nga Kina” etj.

Unë mendoj së Kadare më i suksesshëm do të dukej dhe madje më i pranueshëm do të ishte sikur në veprat e tij postkomuniste të dominonte fryma e donkishotizmit në kulturën politike shqiptare dhe jo përpjekja, sikur shpreheni ju, e projektimit të “komunizimit shqiptar në djallëzi universale njerëzore”.

Besoj të shkruaj një ditë më shumë dhe më shtruar.

Unë kam nxjerrë toponiminë dhe antroponiminë e romaneve të Kadaresë dhe për të identifikuar fakturën historike, apo ubifikuar toponimet letrare të disa prej tyre jam detyruar të lexoj edhe disa nga veprat e E. Hoxhës. Jo pa ndjenjën e dëshpërimit më duhet të them se dita kur në veprat e Kadaresë nuk do të shihen projekte më pak militante se në veprat e Enver Hoxhës nuk është larg, e kjo do të thotë donkishotizëm të një populli që ruan reliktet e fundit të një miti aziatik (kujto përmendoren e Stalinit në qendër të Tiranës) dhe të një krijuesi që e projekton atë në përmasa universale letrare.

Me respekt, Begzadi

 

“Idhujt e rinj”

 

Paul Tedeschini" paul.tedeschini@yahoo.it: Qosë apo Kadarè? Populli thotë: “Tek nusja hanë e pijnë e tek dhandrri gjà nuk dijnë!”. “Shtëpinë tonë” jena tue u hangër boll me njeni - tjetrin se kujt i takonka Çmimi Nobel, Qosës apo Kadares, e atje në Suedì ndoshta nuk din gja kerkush për ketë punë! Si asht në fakt puna?

Regjimi komunist zhduki intelektualt me kulturë të vertetë europiane, nga jugu e nga veriu, muhamedanë dhe kristjanë dhe krijoi në ketë shkretëtì intelektuale të ashtuquejtunin “Njeriun e ri”. Ky njeri i ri sot nuk din asgja për periudhën “prehistorike”, për intelektualt shqiptarë me kulturë europiane të zhdukun si dhe për veprat dhe kryeveprat intelektuale të tyne, por njeh sot mjerisht vetëm “idhujt” e realizmit socialist, ndër të cilët sot janë Ismail Kadarè në Shqipnì dhe Rexhep Qosja në Kosovë. Dhe jo vetëm kaq, por këtij “Njeriut të ri” i asht mbushë mendja se këta dy meritojnë për ma tepër Çmimin Nobel, sikur ky çmim të ishte ndonji dekoratë e Komitetit Qendror të Partisë Punës së Shqipnisë apo e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë.

Pa dashtë me analizue se studimet e bame prej ktyne dyve i kan ba shumë kohe ma parë intelektualt demokratë të eleminuem nga komunizmi, due të shtoj se në të dyja anët e kufinit, sa e sa intelektualë shqiptarë, atdhetarë, si dhe luftëtarë për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, i kan vue komunizmit qysh në fillim të gjitha energjitë e tyne intelektuale kundra Diktaturës, në shërbim të luftës për Lirinë dhe Demokracinë e popullit të vet, se sa prej tyne kanë sakrifikue edhe jetën, si rastet e shumë intelektualve të burgosun, të torturuem në menyre çnjërzore, të përsekutuem, të dënuem nëpër gjyqe, të pushkatuem dhe deri të varun në mes të qytetit prej regjimit kriminal komunist të barabart me atë fashisto-nazist apo me atë shovinist! Për çka?- Për nji ideal!

Dhe këto dy “kandidat” që kanë qenë të privilegjuemit, të cilët kanë qenë veglat servile të ketyne rregjimeve, po na e meritokan sot Çmimin Nobel!!!

Çmimi Nobel nuk meritohet tue dijtë me ba shkrime të bukra nga forma, por kishte me u meritue kur përveç Formës ka edhe vlera në Përmbajtje. Si mund të kenë vlera në Përmbajtje shkrimet e ketyne dy demek “kandidatve” Nobeli, të cilët nuk kan ba asgja për Lirinë dhe Demokracinë e popullit të vet? Sa i ka shërbye Atëdheut ky lloj arti kur këta dy i kanë shërbye rregjimit, që eleminoi intelektual të paisun me kulturë me të vërtetë evropianë edhe ma të zot se këta? A po pse sot ato nuk mund të flasin!!!! Kjo do të quhej “Art për Art”, art që nuk vlen, art që nuk shërben.

Mirë e ka sintetizue Kadaren, Mandela shqiptar, i famshmi dom Simon Jubani, që ka kalue nëpër birucat e Sigurimit dhe ka ba njizet e shtatë vjet të gjata burgu si kundërshtar aktiv i komunizmit:

“Kadareja artin e tij si shkrimtar nuk e ka vue në sherbim të së mirës, por e ka vue në shërbim të së keqes!”

Kjo gja vlen njisoj edhe për vëllaun e tij siamez shokun Qosë.

Atëherë lindë pyetja: Si nuk i vunë këta dy “kandidatë-nobelista!?!” të paktën sot, energjitë e tyre intelektuale dhe bagazhin e tyre intelektual në shërbim të Demokracisë tue ba ndonji shkrim apo ndonji studim, në të cilin të denoncojshin publikisht dhe me fakte nga dosjet përkatëse krimet e shëmtueme të regjimit komunist, aq ma tepër që këta ”nobelista” ketë regjim e kanë njoftë nga afër?!

Natyrisht ato nuk mund ta bajnë nji gja të tillë, sepse ato vetë kanë qenë të ndyem deri në fyt si bashkëpunëtorë të këtij regjimi. Sikur të gjithë intelektualët shqiptarë kundërshtarë të diktaturës të kishin ndjeke rrugën konformiste të këtyne dy shërbëtorve karjeristë të diktaturës kriminale komuniste, si dhe të atyne që sot po i përkrahin me aç pasion, atëherë nuk do të kishim pasë nëpër burgjet dhe kampet komuniste asnji intelektual të burgosun politik. Prandaj Qosja dhe Kadarè nuk janë gja tjetër veçse “idhujt e rreme” të regjimit të falimentuem komunist, për të cilët Atdheu nuk ka nevojë. Përkundrazi.

Në qoftë se ndonji intelektual shqiptar sot do ta meritonte me të drejtë Çmimin Nobel, intelektual qe ka kundërshtue jo me llafe, por aktivisht komunizmin, qyshe në vitet e para të tij 1944-1945, qi i ka dalë me guxim ballë për ballë diktaturës komuniste, qi për ketë gja ka psue tortura çnjerzore hetusie dhe ka hangër shumë vite të gjata burgu e kampesh të randa pune dhe qe i ka vue të gjitha energjitë dhe potencialin e tij kultural, intelektual ekskluzivisht vetëm në shërbim dhe për të mirën e popullit dhe të Atdheut asht shkrimtari i njohtun At Zef Pllumbi i dekoruem sot nga Presidenti i Republikës me çmimin “Nderi i kombit” dhe nga Konkursi i Shkrimtarve me çmimin “Penda e Artë”. At Zef Pllumbi në veprën e Tij monumentale në tre volume të shkrueme me mjeshtri “Rrnò për me tregue!” ka denoncue krimet e shëmtueme komuniste, publikisht, pa kurrfare rezerve dhe me fakte konkrete të jetueme personalisht! Asht pikrisht ky lloj arti qe i shërben Popullit, që i shërben Demokracisë, që i shërben Atëdheut. Ky kishte me e meritue me të drejtë Çmimin Nobel!

Paul Tedeschini, 05. 09. 2007

 

Qosja dhe Mendimi i Ri

 

Përshendetje,

“Naser Aliu”, naliu@t-online.de Çdo komb ka një Rexhep Qosje të vetin, por pak kombe kanë një Kadare. Rexhep Qosja viteve të fundit ka dalë nga binaret që dikur i kishte skicuar vetë.

Qosjen e kishim respektuar edhe ne, me zell. Dikur ishte si udhërrëfyes shpirtëror i kombit, sot gjendet edhe aty kur më parë nuk ishte me Megaloidenë e tij.

E konsiderojnë Mendim i Ri! Me polemikat e fundit u mundua ta ekskomunikojë Kadarenë në të gjitha fushat, politike, morale, fetare dhe nacionale! Ky ndoshta paska qenë qëllimi! Nobeli! (E pikërisht ky Kadare kishte ndikuar që ai të përkthehet jashtë.) Qosja është përkthyer më shumë në gjuhë ballkanike (7 ose 8) dhe me ndihmën e Kadaresë edhe në perëndim. Kadare në mbi dyzetë gjuhë. Nuk mund të krahasohen këto dy personalitete. Qosja është shumëçka nga pak: Kadare është romansier në rend të parë dhe këtu qëndron në maje.

Ky ishte mendimi im.

Naser Aliu

 

“Qosja dhe baraspesha e përhershmërisë”

 

bbaliu@yahoo.com: I nderuar z. Naser

Nuk më vjen keq që ju nuk përkrahni idenë e propozimit të Qosjes për Çmimin Nobel, po sepse Ju vazhdoni të shkruani me mendje të vonuar, si të jetonit ende me njëshat e kohës së komunizmit. Për kulturën tonë, për letërsinë shqiptare dhe me në fund për të gjithë krijuesit shqiptarë është tepër fyese të ndërtosh piramidën për njëshin, një metaforë tepër arkaike.

Në letërsinë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX kemi shumë shkrimtarë të rëndësishëm dhe madje intelektualë me veçori intelektuale që i bëjnë nder qytetërimit shqiptar. Tjetër është ndërkaq se ndër këta më i popullarizuari është Ismail Kadare. Tashmë të gjithë e dimë se ai u popullarizua në botë fillimisht prej të njëjtës linjë që popullarizonte botimin e veprave të Enver Hoxhës, pastaj përmes qëndrimit që ai mori ndaj sistemit të rrënuar komunist dhe më në fund përmes identifikimit me krishterimin (gjithsesi katolik) dhe me vjen keq që ky qëndrim tepër i paqëndrueshëm në jetën e Kadaresë, frikësohem se po e mban peng edhe marrjen e Çmimit Nobel.

Në këtë rrjedhë po ju kujtoj se vërtet Kadare e ka ndihmuar dhe madje e ka shkruar Parathënien e përkthimit të veprës së Qosjes në frëngjisht dhe kjo është një e vërtetë që po përsëritet sa kohë, por nuk e kuptoj se pse po përsëritet e vërteta e vetëm njërës anë: po harroni zotëri, se para se të botohej vepra e Qosjes në frëngjisht, veprat e Kadaresë u botuan në Kosovë dhe për të u shkruan shumë artikuj e studime me përkrahjen, me iniciativën dhe me ndihmën e Qosjes. Shikoni bibliografinë e Kadaresë dhe do të shihni se edhe më tej studimet kombëtare dhe ndërkombëtare qëndrojnë nën nivelin e studimeve për Kadarenë të bëra në vitet ’70 e ’80 nën udhëheqjen e Qosjes. Po në këtë kohë, Qosja pati një rol shumë të rëndësishëm në kritikën shqipe edhe për një fakt, njëanshëm shpëtoi Kadarenë nga realizimi socialist, duke ia bërë kritikën e ashpër romanit “Dasma”, pavarësisht se kishte kritikë që e çonin në qiell. Prej Kadaresë, atëherë (1973) pati marrë një përgjigje me të cilën Kadare mbronte jo vetëm veten po edhe letërsinë e realizmit socialist, prej revizionistëve euro-komunist, në mesin e të cilëve ishte edhe Qosja. E të tjera, e të tjera.

Nuk e di kush i ka vlerësuar qëndrimet e sotme të Qosjes si Mendim të Ri, por kjo është krejt e pasaktë. Nëse dikush ka mbajtur baraspeshën e përherëshmërisë  me mendimin e tij, ai është Rexhep Qosja.

Ju shtroni pyetjen nëse Qosja polemizoi me Kadarenë për të marrë Nobelin. Nuk e di. E di ndërkaq se Qosja (për shkak se ndaj tij këto ditë është bërë një atentat kulturor), jam i sigurt, se ende nuk e di se ka dalë një iniciativë për propozimin e tij për Çmimin Nobel.

Unë ndërkaq, si autor i tekstit të propozimit (në të vërtetë vetëm i disa paragrafëve të këtij teksti), e kam konsideruar jo polemikën me Kadarenë, po me mendjet e vonuara të shoqërisë shqiptare, si një prej vlerave të rëndësishme të qytetërimit shqiptar, të cilët kohëve të fundit sulmojnë gjuhën, identitetin kombëtar dhe besimin (dhe të cilët në një formë a një tjetër po i përkrah edhe Kadare) me guximin qytetar dhe vetëdijen historike prej intelektuali, i ka mbrojtur dhe po i mbron Qosja.

Me respekt, Begzad Baliu

 

“...Çmimi Nobelit dhe Katedralja e Kombit...”

 

Baki Ymeri <bukureshti@yahoo.com>: Më kot qortoheni e humbni kohën e shtrenjtë për t'u marrë me shkencë e jo me replika banale lidhur me një subjekt qesharak.

Po qe se i pari e ka admiruar dikur Enverin kjo nuk prish punë ngase pastaj e ka demontuar sistemin e tij në përmasa botërore, duke e mbrojtur dhe afirmuar edhe Kosovën në botë, në gjuhë të qarkullimit të gjerë.

Ç'ka bërë i dyti? Ka bërë vepra të mrekullueshme albanologjike dhe grindje të kota ballkanike, si pasojë e xhelozisë ndaj Rugovës, Kadaresë dhe demokracisë. Në murin e një godine bukureshtare shkruante para dhjetë vitesh: Komunist do të të kisha pështyrë, jo ty por vetveten! Të gjithë e kemi nga një njollë të zezë në biografi.

Kush e kritikonte Berishën për ta prurë socializmin e Nanos në pushtët, para dhjetë vitesh? Kush rekomandonte në Rilindjen e së shtunës, në vitet 70-të, "t’i zbatojmë rekomandimet e Kongresit (...) të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë?" Kush i kundërvihej ideve të Kadaresë për ndërlidhjen tonë me vlerat e qytetërimit perëndimor?

Ja përgjigja me adekuate për t'i dhënë fund këtij pehlivanllëku të kotë ballkanik, nga i cili përfiton shqiptari më i njohur dhe më i përkthyer në botë: Ismail Kadareja. Pas Shqipërisë vjen Kosova. Fati i botës varet nga Kosova, ndërsa Çmimin e Nobelit nga kjo zonë do ta përfitojë profesori po qe se do të angazhohet për inaugurimin e Katedrales së Kombit në zemër të Dardanisë, me gjithë taborin e tij që vuan nga komplekse fetare, ish-drejtorin e Institutit Albanologjik dhe zotin Muhamet Pirraku, që e kanë zëvendësuar atdhetarizmin me fetarizëm.

I lumtë atij që ka thënë: "Nëse ka një figurë shqiptare të promovuar dhe të njohur në sheshin e lavdisë botërore, ai është padyshim Ismail Kadare. Në duhet të gëzohemi që emri i tij është në rrethin e parë të valles së pambarimtë të pretendentëve për Nobelin".

Gëzuar dhe paçi një ditë të mbarë e të frymëzuar!

Baki Ymeri, Bukuresht

 

“Zoti ju bekoftë...!”

 

bbaliu@yahoo.com: Z. Baki, do të doja të përgjigjem në disa pyetje që keni shtruar Ju, sado nuk e meritoni. Nuk mendoj se duhet t’i jepet përgjigje mesazhit, i cili nuk e di për kë i shtron pyetjet dhe i cili flet për Ballkanin me diskursin ballkanik.

Nëse ju qenkeni aq antikomunist, si mund të thuhet se duhet falur atë që ka marrë pjesë në konstruktimin e komunizmit më radikal të botës, e të kundërshtohet ai i cili i është kundërvënë atij me shprehjen më lapidare në mendimin teorik të letërsisë shqipe: “realizmi socialist nuk është realizëm sepse është romantizëm”.

Nuk është çështja juaj as e imja ta falim apo ta gjykojmë Kadarenë, kjo është çështje e një opinioni, në të cilin unë dhe t’i nuk marrim pjesë.

Po ju bëni një gabim të cilin nuk do të duhej ta bënte një njeri si Ju. Ju i lejoni vetes ta udhëzoni Qosjen, se çka duhet të bëjë që ta marrë Çmimin Nobel.

E palejueshme apo jo, edhe për një arsyeje fundamentale!

Pasi një ateist si Qosjen e akuzoni për fundamentalizëm islamik, i lejoni vetes që të kërkoni nga ai të bëhet një fundamentalist i krishterë, për të marrë Çmimin Nobel! Kush e ndanë Çmimin Nobel sipas Jush, Suedia apo Vatikani?

Z. Baki, unë që në jetën time jam lutur shumë here në kishë, por asnjëherë në xhami, dhe madje kam qenë njëri prej themeluesve të Shoqatës “Pjetër Bogdani”, në Famullin e Prishtinës, nuk mund ta lejoj këtë. Nëse kërkohet nga unë, unë jam gati ta dal dhe të ndihmojë në ndërtimin e Katedrales, ashtu si edhe të gjithë qytetarët e Kosovës dhe ashtu sikur do të dilja ta ndërtojë një objekt tjetër fetar.

Zoti ju bekoftë Baki!

Unë të fali Ty dhe Kadarenë, por vazhdoj ta mbroje të vërtetën: Qosja, sot, me vlerat letrare që ka shënuar dhe madje i parë edhe në kontekst të mendimit intelektual botëror, është kandidati më i mirë i shqiptarëve për Çmimin Nobel. Kur e them këtë ndërkaq nuk mendoj asnjëherë se për shkak të Qosjes duhet përjashtuar Kadare. Mua më intereson Nobeli në letërsinë shqipe jo individi.

Shëndet, Begzadi

 

“Rexhep Qosja mbetet intelektuali më i guximshm dhe më stabil...”

 

"Shaip Muja" shaip.muja@telemedks.org: Të nderuar kolegë të Alb shkencës

Desha të prononcohem lidhur me çështjen e Akademik Rexhep Qosjes.

Do të ishte në nderin tonë intelektual, institucional dhe kombëtar që nga institucionet zyrtare dhe ato të pavarura intelektuale Rexhep Qosja të propozohet për çmim Nobel. Pa dashur që të shtoj për aktivitetin e tij letrar, kritik, kombëtar dhe antiserb Rexhep Qosja mbetet intelektuali më i guximshëm, dhe më stabili, karshi problemeve edhe shoqërore. Komiteti Suedez jam dakord ka dekoruar edhe shkrimtar me më pak zë se R. Qosja dhe vlerësimi i tyre është bazuar se ku ai e ka krijuar veprën në vendin e tij, çfarë rrethana kanë qenë në vendin e tij, si dhe jehonën që ka pasur vepra e tij, prandaj pa hyrë në spostim edhe të emrit të Kadaresë, R. Qosja gjithmonë ka qëndruar në opozitë me pushtetet e deritanishme dhe besoj se gjithnjë e ka pasur të drejtuar mirë kritikën ani çka neve shpeshherë nuk na pëlqen realiteti dhe e marrim si të hidhur. Po ashtu ju ftoj të gjithëve që të prononcohemi kundër udhëheqjes së Institutit Albanologjik të Prishtinës që i ndalon Rexhep Qosjes dhe bashkëmendimtarëve të tij hyrjen në Institut për të përfunduar projektet në vazhdimësi. Ky reagim i juaji do të ishte edhe ngrohje për ju si intelektual që jeni të shpërndarë nëpër botë dhe të kuptojmë se pushtetet tona "demokratike", jo që nuk i përfillin dhe stimulojnë ikonat intelektuale, por ata i spostojnë, i denigrojnë, i varfërojnë për të vetmin qëllim se tarafet e tyre ideologjike dhe politike të vazhdimësisë proserbe janë fatkeqësisht ende në mendësinë e disa shqiptarëve. Drejtori aktual i Institutit, një rrugaç me emrin docent të falsifikuar në gotat e rakisë me metropolet e Evropës, si emigrantë pa emër dhe pa vepër, vjen dhe bëhet altoparlant i një ministri sharlatan që deri dje ka jetuar në çajtoret e Podujevës dhe prej meritave partiake fatkeqësisht vjen dhe drejton arsimin në Kosovë. Ky ministër që për 20 vjet studion në Fakultetin e Drejtësisë, tarafet e veta politike e kaluan më në fund sepse është dhe mbeti i dëgjueshëm për ta dhe hajde ti drejtoje edukimin dhe mbaje drejtësinë në Kosovë. Prandaj, Alb-shkenca duhet të jetë parimore dhe të jetë edhe në mbrojtje të të gjithëve sepse vetëm kështu mund të imponohet dhe të identifikohet si faktor.

Me respekt, Shaip Muja

 

‘Rexhep Qosja dhe formula poetike naimiane’

 

"Akil Koci" akil.koci@googlemail.com: Të nderuar, polemikat po hyjnë në fazën e rrezikshme, jemi apo nuk jemi që të propozohet Qosja për Nobel?

Unë nuk jam për arsye që i kam cek më parë. Sa i përket polemikës Kadare - Qosja (Begzad e kam përmirësuar Ç në Q), qëndrimet e tyre janë të qarta. Po ju përkujtoj së Qosja dikur ka pas shkruar për ta quanim formulën poetike naimiane ku thotë “Ti Shqipëri me ep nder, me ep emrin shqiptar”, pos tjerash pat shkruar: Kjo formulë naimiane, e ngritur mbi mynxyrat historike e mbi golgotat e rënda që po i provonin viset shqiptare nëpër shekuj, po ringjallte dëshirën e popullit tonë për t’u kthyer në rrjedhën përparimtare të qytetërimit evropian (R. Qosja) e të identitetit kulturor evropian. Si u kthye më vonë që ta përqafoj si thua ti traditën osmane, vetëm ai e din. Unë kurrë nuk e përqafoj e Ju bashkë me të rruga e mbarë ju qoftë në traditën e territ kulturor që kanë sunduar pesë shekuj në trojet tona. Këtu nuk ka lidhje feja, por ka tradita, kultura, civilizimi.

Akil Koci, Londër

 

“E përkrahi fuqishëm nismën...”

"flamur doli" flamurdoli5@gmail.com:

E nderuara anëtarësi e Alb-shkencës,

E përkrahi fuqishëm nismën që, intelektuali i shquar i kombit shqiptar, të propozohet për Çmimin Nobel.

Me nderime, Flamur Doli, Prishtinë

 

“...replikë, polemikë apo ballkanikë!”

"Baki Ymeri" bukureshti@yahoo.com: Nuk e dimë në i thonë kësaj replikë, polemikë apo ballkanikë! Urani jep një fjali të zgjeruar, ndërsa Baliu një komedi të shpërbërë. Nuk shkohet në Evropë dhe Amerikë me komplekse fetare, por me vlera kombëtare dhe ndërkombëtare.

Sa u përket vlerave kombëtare, kolegu i Baliut, zoti Rexhep e meriton çmimin e Ibrahim Rugovës për Albanologji. Sa i përket Çmimit të Nobelit për letërsi, gjermanët e kanë një fjalë të urtë: langsam aber sieher!

Le të urdhërojë Baliu t'ia përkthejë profesorit të nderuar veprat në gjuhët e qarkullimit ndërkombëtar, që ato t’i vlerësojë bota, siç i vlerëson dhe admiron veprat e shqiptarit më të njohur në botë, Ismail Kadaresë.

Me respekt, Baki Ymeri (Bukuresht)

 

“...ai mbrojti vlerat e qytetërimit evropian”

 

bbaliu@yahoo.com: Z. Baki

Është e drejtë e secilit të vlerësojë debatin për mundësinë e kandidimit të Qosjes për Çmimin Nobel, por meqenëse vendi ku debatohet është i një niveli akademik atëherë të mos përdorim diskursin që më shumë se dijen tregon mosdijen tonë.

Për aq sa e kam njohur Profesor Qosjen, si ish-student i tij dhe më vonë edhe si koleg në Institut, (tani unë jam në Universitet), nuk e kam njohur Qosjen, jo vetëm si njeri i prirjeve fetare, përkundrazi.

As diskutimi ynë nuk shkon në atë drejtim. Përkundrazi!

As propozimi ynë nuk mbështetet në vlerat fetare. Përkundrazi.

Paragrafi i propozimit tonë e thotë të kundërtën, ai mbrojti vlerat qytetare ndryshe nga ata që identitetin kulturor, gjuhësor dhe fetar, të cilin të tjerët e identifikuan si evropian dhe joevropian. Ai e mbrojti universin e qytetërimit tonë si një vlerë universale dhe çka ka të keqe këtu, përkundrazi kundër këtij reagimi mund të ngrihen vetëm fundamentalistët!

Z. Baki, po e vërej përsëri një prirje tuajën për të na dhënë detyra. Nëse vazhdoni kështu, nuk e shoh të arsyeshme të përgjigjem. Unë jam studiues i Majerit, Joklit e Lambercit dhe madje botues i vogël, por jo edhe përkthyes i Profesor Qosjes.

Sa për Çmimin e albanologjisë me emrin e Rugovës, nuk e di ku e keni zbuluar, nëse nuk e jepni Ju, ndërsa edhe po të ishte do ta kishte për nder. Rugova ka qenë një student i mirë i Qosjes dhe po të mos merrej me politikë, besoj do të bëhej edhe një studiues i mirë.

Me respekt, Begzadi

 

“...në Shqipëri Prof. Qosja ka qenë (...) një nga sistemet kryesore të referimit për të vërtetën...”

 

"Lluka Qafoku" lluka_qafoku@yahoo.com: Të nderuar kolegë dhe miq,

Pajtohem me mendimet e shprehura nga z. Begzad për propozimin për Nobel për Prof. Rexhep Qosjen. Për shumë nga ne në Shqipëri Prof. Qosja ka qenë, me shumë, dhe me një patriotizëm më koherent dhe konsekuent se Kadare, një nga sistemet kryesore të referimit për të vërtetën dhe vlerën e letërsisë tonë të traditës dhe të kohës, aq të përçudnuar nga propaganda komuniste në Shqipëri,

Lluka Qafoku

 

A e njeh Qosja çështjen çame?

 

salibollati@aim.com:

Të nderuar bashkatdhetarë,

Propozimi i menduar për Prof R. Qosja do ishte me shumë vend. Por unë kam një vërejtje shumë të rëndë për të. Në Televizionin e Tiranës (më falni nuk më kujtohet saktë më 1993 ose 1994), kur ai u pyet për Problemin e Çamërisë, ai u përgjigj se nuk e njeh ketë problem??!!

Jo se jam nga Çamëria shqiptare, por një mohim kaq i hapur i një problemi kaq të mprehtë kombëtar (mohim që fatkeqësisht vazhdon nga klikat sunduese të Tiranës - në shërbim të orekseve bizantine greke), pavarësisht nga shkrimet e tij, kam bindjen se nuk meriton Nobelin. Ky çmim i madh i takon të Madhit Kadare!

Sali Bollati, New York

 

Qosja, autor i Parathënies së librit të Konferencës shkencore për çështjen çame

 

bbaliu@yahoo.com

Zoti Sali,

Ai që sadopak ka njohur deklaratat e Qosjes për Çamërinë e di se kjo është një e pavërtetë tepër e thjeshtuar, sa mos t'i besohet edhe sikur të ishte një e vërtetë e madhe.

Unë besoj se Qosja edhe mund të mos dijë çdo gjë për Çamërinë, të cilat nuk i dinë edhe vetë çamët, por të thuhet se Qosja ka deklaruar se "nuk e njeh ketë problem", tamam sikur të ishte një administrator grek, kjo është e pamundur.

Paskeni harruar zotëria jote se me tekstin e Rexhep Qosjes hapet libri i Konferencës më të madhe të organizuar ndonjëherë për Çamërinë. E po çka mund të bënte Qosja më shumë.

Përshëndetje, Begzadi

 

Qosja – anëtar nderi i shoqatës Çamëria

 

"albert zholi" a_zholi@yahoo.com: I nderuar z Sali,

Për sa i përket problemit çam, Rexhep Qosja është shprehur në mënyre të prerë dhe qartë. Në një intervistë të marrë prej tij në nëntor 2003 Qosja (të botuar në gazetën “Ballkan”) jo vetëm që i bëri një rezyme të shkëlqyer kalvarit të vuajtjeve të popullit martir çam, por po kaq i prerë ka qenë për të ardhmen e kësaj krahine kaq të bukur shqiptare. Dhe me të vërtetë kush e ka vizituar Çamërinë është befasuar. Ajo i ngjanë një pikture të një mjeshtri të madh. Qosja në shkrimet e tij, me një stil elegant që vlen për të dalë në pah, si dhe në një bisedë me shoqatën atdhetare “Labëria”, ku ai është kryetar nderi, është shprehur në mënyrën me të sinqertë për të ardhmen e Kosovës dhe Shqipërinë natyrale. Kushdo që është i interesuar, unë mund të kërkojë në arkivin personal për të nxjerrë këtë intervistë apo të transkriptojë bisedën me shoqatën “Labëria”.

Ne kemi dhe duhet të nxjerrim sa më shumë figura që të konkurrojnë për Nobelin.

Kjo është në interes të shqiptarizmës!

Me respekt,

Albert Zholi, Tiranë

 

Nobeli dhe revolucioni i vonuar demokratik

 

erionb@aol.com: Tema në fillim ishte të iniciojmë kandidimin e Z. Rexhep Qosa (pasi termin akademik me të vërtetë nuk e kuptoj) për Çmimin Nobel për kontributin e tij në letërsi.

Personalisht nuk jam shumë i njohur me metodologjinë e dhënies së këtij çmimi, apo kontributet që një shkrimtar duhet të japë janë në shkallë rajonale apo globale, por fakti që kandidohet një shqiptar – pavarësisht faktit që nuk mund t’i falet kurrë thënia e famshme e vitit '97 që "ky është revolucioni i vonuar demokratik" - edhe mund të lërë hapësirë për diskutim.

Por kam frikë se debati ka devijuar, duke u kthyer në një debat Qosja apo Kadare. Ky debat është i mbyllur. Duam apo nuk duam, ja njohim vlerat apo nuk ja njohim vlerat, na pëlqen apo nuk na pëlqen pozicioni i Kadaresë, ai është kandiduar për Çmimin Nobel. Pra është e kotë që të hapim debate të tilla.

Debati duhet të jetë së a e meriton Rexhep Qosja një kandidim?

 

“...duhet përkrahur ideja që këtë vit edhe Rexhep Qosja (...) të propozohet për Çmimin Nobel”

 

Bajram Berisha berisha@wzw.tum.de

Të nderuar kolegë, kam përshtypjen së autorët e disa shkrimeve këtu në forumin tonë shkruajnë sikur të ishin anëtarë në komisionin për ndarjen e Çmimit Nobel?! Nuk jemi ne ata që vendosin se kush do të marrë çmimin zotërinj, prandaj mos u bezdisni që me çdo kusht të gjeni argumente "kundra", herë për njërin e herë për kandidatin tjetër!

Unë mendoj se është fat i madh që ne kemi me shumë personalitete që mund të propozohen për ketë çmim dhe kjo duhet të na gëzojë të gjithëve. Unë jam i sigurt se sikur edhe viteve të mëparshme, edhe këtë vit shkrimtari ynë më i madh Ismail Kadare do të propozohet për Çmimin Nobel dhe ky propozim do të përkrahet edhe këtë herë nga shumë institucione shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Mirëpo, mendoj gjithashtu se duhet përkrahur ideja që këtë vit edhe Rexhep Qosja, si njëri ndër personalitet më të shquara të shkencës dhe kulturës shqiptare, të propozohet për Çmimin Nobel.

Ne kemi vetëm të drejtën e propozimit dhe këtë duhet ta shfrytëzojmë. Le t’i ofrojmë Komitetit Suedez edhe 2 propozime shqiptare për Nobelin e letërsisë, përballë qindra propozimeve nga e tërë bota (të cilat natyrisht nuk mund t’i pengojmë).

Mirë mbetshi,

Bajram Berisha, PD Dr. Dr. Habil.

 

“...një nga debatet më interesante në këtë forum...”

 

"Ali Caka" ali.caka@gmail.com: Për të gjithë,

A thua "Çmimi Nobel" për letërsi u jepet atyre që e meritojnë nga ata që e udhëheqin dhe vendosin për ndarjen e tij?

A duhet të mbajmë gjallë zënkën virtuale në këtë kohë frymëzënie, në këtë kohë kur kanali i komunikimit duhet të jetë për krejt diçka tjetër?

Unë them jo, e ju mund të thoni ndryshe, pse të pajtoheni me mua, kur as unë nuk pajtohem me ju.

Zënka jonë virtuale as nuk i shton e as nuk i heq vlerë veprës së Kadaresë, as nuk i shton e as nuk i heq vlerë as veprës së Qoses.

Nuk mund të anashkalohet se debati i hapur, është një nga debatet më interesante në këtë forum, pasi flitet për dy figura të larta të trojeve shqiptare. Por nuk mund të anashkalohet as fakti, se si shumë herë të tjera, i kemi ikur thelbit dhe po bëjmë arsyetime emocionale.

 

“Çdo Akademiku Rexhep Qosja në letërsi?”

 

Arben Kallamata

bkallamata@hotmail.com: Fillimisht nuk desha të futem në këtë diskutim pasi m'u duk i pafrytshëm dhe, të më falni, qesharak. Mendova se, ashtu siç nisi, krejt nga hiçi, edhe do të shuhej - shpejt e shpejt, si shumë diskutime pa bukë. Por për çudi po vë re që ai po vazhdon prej disa ditësh dhe po merret edhe seriozisht.

Kushdo që ka qoftë edhe idenë më të vogël se si funksionon procesi i përzgjedhjes së fituesve të Çmimit Nobel e di, të paktën, që Akademia Suedeze nuk është duke pritur për propozime nga grupime njerëzish me interesa të caktuara. Jo 1100 anëtarë që ka kjo listë, por edhe 1 miliard e 100 mijë banorë që ka India të mblidheshin e t'i propozonin Stokholmit, s'besoj se do të ndikonin qoftë edhe 1 miligram në vendimin e tyre. Pra që këtu, diskutimi del i pafrytshëm. Që këtu përcaktohet edhe shkalla e vetëdijes shkencore të pjesëmarrësve, të paktën në kuptimin që pakkush merr mundimin të bëjë një kërkim të thjeshtë për të mësuar se si funksionon dhënia e çmimeve Nobel. Një kërkim fare i thjeshtë në internet, vetëm pesë minuta, do të mjaftonte për të mësuar se: "Çdo vit, Komitetet përkatëse të Nobelit iu dërgojnë ftesa individualisht mijëra anëtarëve të akademive, profesorëve universitetesh, shkencëtarëve nga vende të ndryshme, fituesve të mëparshëm të Nobelit, anëtarëve të asambleve parlamentare dhe të tjerëve, ku iu kërkojnë të dërgojnë kandidaturat për çmimet Nobel për vitin e ardhshëm. Propozuesit zgjidhen në mënyrë të tillë që të realizohet përfaqësimi i sa më shumë vendeve dhe universiteteve që të jetë e mundur." (Marrë dhe përkthyer nga faqja zyrtare në internet e çmimeve Nobel- http: //nobelprize. org / nomination/) A i ka dërguar Akademia Suedeze ftesë Alb-shkencës për të nominuar ndonjë kandidat shqiptar për çmim Nobel në Letërsi? Nëse po, atëherë le të vazhdojmë të vrasim mendjen. Nëse jo, atëherë më mirë të fillojmë të diskutojmë cilin shqiptar do të zgjedhim president të Amerikës - mbase këtu kemi me tepër rezultat.

E vetmja anë e vlefshme e diskutimit të deritanishëm (dhe njëkohësisht edhe zbavitës) është të shikosh se si ne kemi për borxh të zihemi e theremi pa u marrë vesh me njëri-tjetrin dhe, mbi të gjitha, pa u marrë vesh me vetveten.

Për çfarë po diskutohet?

- Për dhënien e Çmimit Nobel një shqiptari.

- Në cilën fushë? (Çmimi Nobel jepet në fizikë, kimi, paqe, mjekësi, ekonomi dhe letërsi)

- Me sa duket, në letërsi.

Atëherë, çdo Akademiku Rexhep Qosja në letërsi?

Si mund të shkojmë ne, shqiptarët, t'i propozojmë Akademisë Suedeze (e cila, meqë ra fjala, jep çmimet Nobel për Letërsi) që t'ia japë çmimin për letërsi një Akademiku? Akademiku bën (ose duhet të bëjë) punë akademike. Aq më tepër një Akademik si Rexhep Qosja, i cili e ka titullin Akademik përpara emrit të tij thuajse në çdo rast, njihet si Akademik, dhe jo si shkrimtar. Ah, po, Akademiku ka të drejtë të bëjë edhe letërsi. Pra, ne do t'i shpjegojmë Akademisë Suedeze se kemi zgjedhur për të propozuar si kandidat për çmim Nobel në Letërsi Akademikun Rexhep Qosja, i cili është Akademik, por që në kohën e lirë (pra kur s'merret me punë akademike) merret edhe me letërsi. Kjo do ta impresionojë pa masë Akademinë Suedeze, e cila do të behet gati ta japë Çmimin Nobel. Por, para se ta bëjë këtë, do të pyesë: Po çfarë letërsie ka bërë ky Rexhep Qosja? Dhe ne do t'i përgjigjemi: Romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë”. Dhe ata do pyesin: Po tjetër? Dhe ne do të mbetemi gojëhapur, pasi as vetë s'dimë gjë tjetër - ose dimë pak - ndonjë roman tjetër të pasuksesshëm (si “Një dashuri dhe shtatë faje”) dhe disa libra studimore - të cilët mund të jenë vërtetë shumë të mirë, por nuk quhen për Çmimin Nobel në letërsi. Prandaj, ne do të kalojmë në fortesën tonë të zakonshme: vërtet nuk ka shkruar shumë letërsi, por ama është mendje e ndritur, ka shkruar shumë kritikë letrare, shumë studime, është akademik, është mendje e ndritur, patriot, ka bërë polemikë me Kadarenë, është patriot, di të shkruajë, është patriot, dhe ka gjithë ata tifozë. Këtu mbaron muhabeti. Akademia Suedeze i mbyll të gjitha librat, jep dorëheqjen dhe ikën në shtëpi.

Sepse të qenit patriot, siç e diskutuan edhe disa pjesëmarrës në këtë listë, duhet të jetë patjetër kriter i Akademisë Suedeze për të përcaktuar fituesin e Çmimit Nobel për Letërsinë. Tani, ne mund të diskutojmë se kush është më patriot, Rexhep Qosja apo Ismail Kadareja dhe të dalim me përfundimin që ka qenë Dom Simon Jubani dhe pastaj të propozojmë për Çmimin Nobel Atë Zef Pëllumbin. Ne mund të bëjmë gjithçka, të përhapim çdo lloj mjegulle, të dërgojmë me mijëra letra në drejtim të Suedisë, vetëm për t'i hequr mundësinë për ta marrë atë çmim për letërsinë të vetmit shqiptar të mundshëm për ta marrë ata, të vetmit shqiptar që është propozuar (nominuar) nga instanca të rregullta dhe vazhdon ta pretendojë seriozisht - Ismail Kadaresë. Por deri në ç'masë do ta bëjmë veten qesharakë?

Dhjetë vjet me parë, një institucion akademik në Rumani i ishte vënë punës për të përpiluar listën e njerëzve më të shquar në Evropën Lindore. Ata i ishin drejtuar për ndihmë një shqiptari për të propozuar disa emra dhe, me sa duket, kishin pasur besim të plotë te ai. Nuk e di ç'mendje perverse, apo ç'humor i zi e kishte shtyrë këtë shqiptar që të ndikonte që në atë listë të përmendshin, me këtë renditje, si njerëzit më të shquar të gjithë historisë së Shqipërisë – Skënderbeu, Nënë Tereza, Alqi Boshnjaku. Pa dashur aspak të fyejë kujtimin e të ndjerit Alqi Boshnjaku, kjo është tallje me kombin, me vetveten.

Arben Kallamata

 

“Vërejtjet jo vetëm qesharake...”

 

bbaliu@yahoo.com: Nuk desha as unë të përgjigjem në vërejtjet qesharake të Arben Kallamatës, por po e shoh se disa pasardhës të vonuar të tij i kanë marrë shumë seriozisht këto vërejtje "shumë serioze"!

1. Zotëria jote, neve që bëjmë propozimet përmes internetit nuk kemi nevojë të na e mësoni se ku duhet të klikojmë në internet.

2. Prej vërejtjeve tuaja ndërkaq ne mësojmë se ju as që e keni lexuar propozimin, i cili nuk i është drejtuar Komitetit të Nobelit, por hapësirës shqiptare, Akademive, Pen Clubit dhe individëve të mundshëm që kanë fat të marrin pjesë në propozimin për Nobel.

3. Në paragrafët e propozuar (vetëm disa nga ata ku mund të mbështetet propozimi ynë askund nuk shënohet fjala akademik, përkundrazi thuhet, që "shkrimtarit Rexhep Qosja...". Tjetër gjë është nëse ju i vlerësoni apo nuk i vlerësoni romanet e tij.

4. Paskeni harruar zotëria juaj se Nobeli u është dhënë edhe atyre që kanë jo katër vepra letrare, po edhe një të vetme.

A nuk mjafton kjo t'i marrim si shumë të vonuara mësimet tuaja, e që janë jo vetëm qesharake!

Shëndet, Begzadi

 

‘Shkrime bezdisëse dhe joprofesionale’

 

"ramadan jashari" jasharir@yahoo.com:

I nderuari Arben, të nderuar kolegë të Alb-shkencës,

Me vjen shumë mirë që, më në fund lexoj një vërejtje shumë të qëlluar në këtë temë. Ka ditë që bezdisem nga shkrimet e ca njerëzve të ndryshëm, nga të cilët shumë jokompetentë dhe joprofesionalë, të cilët i japin vetes të drejtë të propozojnë njerëz për Çmimin Nobel, pa njohur fare se ç'është ky çmim dhe çfarë meritash duhet të ketë dikush të propozohet për të. Njëherit pa ditur fare se cila është procedura e propozimit të një personi për ketë çmim. Kam përshtypjen se bëhemi qesharakë në këtë mënyrë dhe, vërtet kthehemi tek thënia se tek ne shqiptarët, të gjithë i dimë të gjitha më mirë sa profesionistët, e vetëm profesionistët (dhe ekspertët) i kemi totalisht të padijshëm dhe nuk mund të japin ndonjë mendim në lëmin, në të cilin janë të specializuar.

Arben, pajtohem plotësisht me vërejtjet tua dhe mendoj se kësaj çështje qesharake duhet t’i jepet fund dhe të diskutohen çështje, për të cilat ne jemi kompententë dhe mund t'ia dalim në krye.

Përshëndetje të përzemërta, Ramadan Jashari, Bruksel, Belgjikë

 

Vërejtjet joprofesionale të doktorit të mjekësisë për letërsinë

 

bbaliu@yahoo.com:

Z. Jashari, më vjen shumë keq që sigurisht duke qenë mjek i mirë, por jo edhe ekspert i letërsisë, i lejuat vetes të bezdiseni me gjëra të fushës tjetër, që nuk ia vlen t'i lexoni, nëse nuk keni durim t'i lexoni.

Mua më ka ndodhur shumë herë të mos jem i gatshëm dhe i përgatitur t'i lexoj një radhë diskutimesh në fushë të shkencave humanitare apo mjekësore, por kjo nuk më ka bërë të bezdisem prej diskutimeve të të tjerëve. Aspak. Kam pasur mbrojtësin tim personal ‘Delete’ dhe e kam siguruar hapësirën time pa pasur arsye që diskutimet e të tjerëve, natyrisht edhe duke mos i kuptuar, t'i quaj bezdisëse.

Në diskutimet e temës Qosja dhe Nobeli ka pasur mjaft lëshime për faktin se pjesa më e madhe e diskutuesve janë nisur prej preferencës së tyre dhe jo prej njërit prej paragrafëve, të cilët i kemi bërë për të filluar arsyen e diskutimit.

Më vjen keq që i lejoni vetes dhe dëshironi që edhe Forumin ta katandisni në indiferencë. Unë di se vetëm nga hapësira shqiptare vitin e kaluar ka pasur katër kërkesa nga Komiteti i Nobelit për të propozuar kandidatët e tyre për Çmimin Nobel dhe, a nuk do të mjaftonte që me presionin tonë dy prej tyre të propozojnë Qosjen për Çmimin Nobel, ndërsa hapësira shqiptare të kishte dy kandidatë. Historia e marrjes së Çmimit Nobel e shkrimtarit serb nga Bosnja Ivo Andriq na kujton se në të njëjtin vit ishte propozuar për të njëjtin çmim edhe shkrimtari, eseisti dhe akademiku i shquar kroat Miroslav Kërlezha, por ja e mori Andriqi i prozës poetike dhe i Projektit politik për ndarjen e Shqipërisë ndërmjet Jugosllavisë dhe Italisë. Unë do t'i gëzohesha prandaj po kaq faktit sikur dërgimi edhe i një emri tjetër të letërsisë shqipe do t’i ndihmonte atë që sa e mbaj mend unë është kandidat i vetëm për Çmimin Nobel: Kadaresë.

Nëse vërtet ju jeni gati të diskutoni ndonjë nga temat që i quani me interes atëherë ju ftojmë që ju të jeni hartues i paragrafëve fillestarë të këtyre temave.

Begzadi



(Vota: 12 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora