E premte, 26.04.2024, 03:21 AM (GMT+1)

Mendime

Selim Hasanaj: Kur lindë prej maces, gjuen minjë

E hene, 18.04.2011, 08:58 PM


KUSH LINDË PREJ MACES, GJUEN MINJË

 

(Komisjoneri Nexhmedin Haxhi Haziraj, nisë nga qëllime të ulta, refuzon  regjistrimin e vendbanimit të bashkëfshatarit të tij në fshatin Lubozhdë të Istogut )

 

Nga Selim M. Hasanaj

 

Si popull, për 2000 vjet histori, na kanë shoqënue dobësi të shumta, të cilat mund të kenë qenë armët ma shkatërruese të përdoruna nga vet na kundër vetvetes, por edhe nga anmiqtë tanë. Ndonjë përpjekje serioze për t’i luftue këto të meta, me sa di unë, nuk asht ba. Me folë realisht, derisa nuk kishim shtet dhe shoqni të organizume, edhe mundësit tona për një ndërmarrje të dobishme në këtë drejtim nuk kanë qenë aq të favorshme. Mirëpo, që diçka ka pasë mundësi të bahet, as kjo nuk duhet vu në dyshim.

 

Por jo, në vend të ndonjë ndërmarrje serioze, që të ndryshonte këto mendësi tona me themel, na  kemi zgjedhë ankimin dhe vetëm ankimin. Tash prej se kemi në përdorim shkrim-leximin, këto shprehi kemi zanë t'i mbartim edhe nëpër libra të historisë, tue  u mundue që të gjitha të këqijat që na kanë ndodhë, t’i spostojmë si të ardhura nga: turku, serbi, bullgari, greku, austriaku, nazizmi, fashizimi, komunizmi, Stalini,Tito, Enveri etj., e kurrësesi t`ia lamë ato formimit tonë të mangët, ashtu siç shfaqet në jetën tonë të përditëshme, në familje, në fqinjësi, në lagje, në katund e ma gjanë …

 

Kjo mënyrë e konceptimit  tonë nuk ka bazë logjike  të shëndoshë, po asht thjeshtë një dobësi e jona që tashma asht kthye në një hambar ku ushqehen për ditë e për vit marrëzitë tona.

 

Unë kësaj radhe kam vendosë të merrem konkretisht me një ngjarje që po rrezikon të shëndrrohet në konflikt familjar, që mjerisht ka lidhje edhe me mue, autorin e këtij shkrimi.

 

Kishte pasë ndodhë në vitet ’30 të shekullit XX një zullum i kësaj natyre mbi gjyshin tim, Hajdin Mustafa: Kishin ardhë nga Mali i Zi dy vëllazën malazezë dhe ndalë në katundin tonë, tue kërkue me ble tokë, se donin të vendoseshin aty. Takojnë Jonuz Halil Hazirajn e ky u shet një livadh të tij. Por meqenëse malazezët ishin katër vëllazën, që të ndjeheshin sa ma mirë, ata kërkuen edhe ndonjë parcelë tjetër. Jonuzi, tue dijtë se gjyshi im ishte i humbun, merr guximin dhe ua shet edhe një livadh të gjyshit tim (madhësia 12 argat shati) dhe me atë rast merr „kaparin“. Meqë malazezët donin ende tokë, e lanë të takoheshin përsëri të nesërmen me Jonuzin.

 

Atë natë malazezët bujtën te një serb i katundit tonë. Nësa ishin në konak, mbasi ra fjala, malazezët u banë merak të shihnin sa larg ishte kroi ku merrnin ujë djemtë e atij nikoqirit. Kureshtarë dhe kambëngulës me pa kroin, shkojnë atje dhe u duket shumë larg nga livadhi i gjyshit tim. Malazezi Mitri, atë natë, mbasi nuk kishte fjetë fare, vendos ta kthente tokën. Si njeri që njihte principet e tregut, nadje herët, sa takoi Jonuzin, i tha vendimin, tue e lutë në emën të vorfnisë, kundër rregullit, t`ia kthente paret e „kaparit“.

 

Por, Januzi, si mjeshtër i dinakrisë që ishte, i thotë: Nëse asht vetëm halli i kroit, unë kam një parcelë prej 12 arish vetëm 300 metra prej kroit. Malazezi, i kënaqun për këtë zgjidhje, i veshët Jonuzit mbas për ta pa atë trollin tek kroi.

 

Sa arrijnë atje, në trollin e gjyshit tim, Jonuzi ia nisë me përshkrimin e bukurive që e rrethonin vendin. Malazezi, i kënaqun shumë  për sa po shihte, e pyet ma në fund Jonuzin: Po ajo shtëpi atje, e kujt asht (ku ndërkohë po dilte edhe tym nga oxhaku)? Aty banon një rrogëtar i imi, thotë me pafytërësi Jonuzi, dhe i premton ta largonte prej atje.

 

Kaluen pak dit dhe një natë ia behen malazezët me tesh e kotesh në oborrin e Hajdin Mustafës. Del gjyshja ime me gjithë zemërimin dhe vuajtjen e saj, por nuk ndreq gja: Tashma ishte gjithçka vonë. Malazezi Mitro, tue pa dredhinë e Januzit, i thotë gjyshes: Ti rri aty ku je. Ardhacakët, mbas një viti, ndërtuen shtëpi në tokën mbetë pa zot, mbasi mashkulli i vetëm (baba im) atëherë ishte vetëm rreth 10 vjeç.   

 

Mbas formimit të shtetit Jugosllav të Titos, Mitro i “dhuroi”, nga toka e gjyshit, 3 ari e 57 metra katrore, me kalim edhe në kadastër, babës tim, Mustafë Hasanaj, pronë të cilën sot e posedoj unë.

 

Në vitin 1970 im atë, Mustafa, blen për 1200 dinar ish vneshten e rrushit nga serbi Mikaile Ristiq në vendin e quejtun Pollaqer, tue pasë shumë dëshmitarë kur e banë pagesen per at vnesht.

 

Këtu edhe vendoset me shtëpi, mbasi trolli i vjetër ishte damtue nga ardhja e kanalit për ujitje (trolli i vjetër ishte kthye në moçal). Por baba, tue dashtë me kompensue damin e ardhun nga kanali, mori edhe aq tokë aty përbri parcelës së blemë nga Mikaile Ristiqi (tokë pa pronësi - djerrinë - utrinë), mbasi komuna nuk ishte pergjegjë ndonjëherë  për damin e shkaktuem.

 

Për këtë veprim të babës protestoi Imer Haziraj, djali i Jonuzit, ishte kshill katundi Imeri, e pati edhe disa vendime gjyqësore për shembjen e shtëpisë, por që nuk u ekzekutuen ndonjëherë.

 

Deri në vitin 2004 në atë truell, ku ka qenë e ngritun një barakë, mbasi shtëpia ishte rrënue në luftën e fundit , ka banue vëllaj im, Qazimi, ku edhe vdiq.

 

Nga viti 2000 e deri më sot, nipat e Jonuzit (Haxhija dhe Alija) nuk po lanë gur pa përdorë për të marrë një leje komunale për ndërtimin e një xhamije në atë truell. Por gabohen, se nipi i Mikaelit, që sot jeton në Beograd, e që ende vazhdon të jetë pronar zyrtar, mbasi toka nuk asht kthye ende, mund të dëshmojë të kundërtën e kërkesave të fqinjëve të mi.

 

Për t’u ndejë besnik gjithë poshtersive e sjelljeve kriminale të të parëve të vet, tash, kur po bahet regjistrimi i popullsisë dhe pronave, një komesioner regjistrimi nga kjo familje, Nexhmedin Haxhi Haziraj, ka refuzue të regjistrojë këte pronë si vendbanim timin, me gjithë kambënguljen e kushërinit tim, Xhavit Hasanaj, ani pse ai e di shumë mirë se aty kanë banue fqinjët e tij; se aty janë edhe gërmadhat e shtëpisë së vjetër dhe se gjithë fshati e di këtë fakt.

 

Veprimi i tij nuk mund të jetë tjetër veçse papërgjegjshmeni dhe udhëtim në rrugën e injorancës dhe matrapazlleqeve të të parëve të tij.

 

Njeriu nuk di çfarë të thotë tjetër, pos se „Kush lindë nga macaja, gjuen minjë “.

 

I shtrënguem të flas ndryshe, unë due t’i paralajmroj këta fqinjë: Të ndërpresin zullumet, se në rast të kundërt do të jemi të detyruem të ndjekim rrugët ligjore. Po nuk bani punë ajo, edhe atë të kanunit, mbasi tashma asht kalue çdo kufi durimi: 80 vjet zullum duhet ndëshkue.

 

U baj thirrje institucioneve, nëse sot ka shtet në Dardani e nuk asht një plaçkë pa vlerë në duer të kriminelëve, të ndërhyjnë me kohë dhe me gjithë forcën që u jep ligji: Prona asht e shejtë! Mjaft kemi qenë viktima të pushtuesëve të huej. Tash nuk mund të pranojmë të jemi viktima të pushtuesëve tanë.

 

Nëse ndokush çuditet me durimin tonë, dijeni se ai tashma po soset.

 



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora