E premte, 26.04.2024, 01:57 AM (GMT+1)

Kulturë

Loreta Mokini: Sorkadhet e trembura të Ismail Kadaresë

E merkure, 26.01.2011, 07:18 PM


Nga Fatmira Nikolli 

 

Ishte viti 1961, kur ato qenie të brishta, femra të bukura, profesioniste dhe nëna morën goditjen e madhe nga përplasja e dy shteteve komuniste, Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. Enver Hoxha prishi marrëdhëniet politike më Bashkimin Sovjetik dhe Shqipëria e vogël u lëkund në paranojën e spiunazhit, paranojë që preku tragjikisht familjet e përziera. Mbi historinë e tyre, shkrimtari i mirënjohur Ismail Kadare ka bërë një skenar filmi me titull "Sorkadhet e trembura". Loreta Mokini, producente e këtij thotë se ky skenar është rekuiem për këto gra. Në intervistën e mëposhtme ajo sqaron disa nga detajet e filmit që është ende në hapat e parë të përgatitjeve për t'u realizuar.

Pse quhet rekuiem për këto gra ky film që do xhirohet?

Kadare e ka përdorur në mënyrë simbolike termin rekuiem. Skenari i tij është një rekuiem për vdekjen civile të njeriut gjatë viteve të diktaturës. Vdekje civile quhet mohimi i të drejtës së qytetarit, fiziologjikisht në jetë por që konsiderohet nga shteti si i vdekur, dhe kësisoj mund të dënohet me punë të detyruar, me burgim te përjetshëm apo me vdekje, të veçohet nga shoqëria pa u lejuar të mbrohet nga një organ i të drejtës ligjore.

Si u përzgjodh kjo kronikë letrare dhe filmike midis dhjetëra skenarëve që lexon një producent ?

Kur fiton pak eksperiencë, do të thoja se kur lexon shumë, diçka brenda teje ndryshon thellësisht. Kthehesh në lexues dhe si i tillë kërkon më të mirën, dhe më të drejtën. Gjithë këto vite të shkuara duke lexuar, më çuan në përzgjedhjen e fakteve historike në fillim. Ky ishte versioni i parë që plotësonte dekorin historik të skenarit që do shkruhej nga një shkrimtar-dëshmitar i atyre ngjarjeve. Kadare ka mbaruar studimet ne Moskë dhe e njeh mirë atë epokë. Ky është një skenar për diktaturën dhe gratë. Gratë që u braktisën poshtërsisht nga të dy vendet, Bashkimi Sovjetik dhe Shqipëria.

Si nisi puna?

Projekti kërkon gjithnjë një mbështetje morale e cila në këtë rast nuk i mungoi. Mbështetja financiare vjen më pas. Shumë takime dhe letërkëmbime! Këto në rang ministrash kulture dhe ministrash të Jashtëm, me gra ruse në Moskë dhe në Tiranë; me ish-oficerë të sigurimit të shtetit dhe të KGB, me Drejtorinë e Arkivit të ministrisë së Rendit, ish-ministria e Brendshme, me këshilltarë, historianë dhe gazetarë investigues.

Cili është skenari mbi të cilin do të ngrihet filmi?

Skenari i Kadaresë zë fill në vitet '50 kur pas vdekjes së Stalinit. Shumë çifte shqiptaro-ruse përfunduan në martesë dhe nisën jetën në Shqipëri. Kadare sjell në skenar mënyra sjelljeje dhe argëtimi shumë të bukura të këtyre vajzave studente në Moskë: libri, poezia, muzika, piktura, vallëzimet dhe dashuritë e tyre të lira. Kjo ishte jeta e tyre. Por, menjëherë e kupton se sa larg ishin ato femra nga situata që do të gjenin në Shqipërinë që i kish larë dhe po lante hesapet me inteligjencën e formuar në perëndim. Ato ishin në avangardë për kushtet e Shqipërisë së kohës. Erdhën me diploma të shkëlqyera në profesione të ndryshme dhe sollën me vete modë, sharmë femëror, klasikët e mëdhenj të letërsisë, muzikës dhe pikturës ruse. Këto janë detaje të vogla në film por kanë rëndësinë e tyre krahasuese sepse na japin një tablo ndryshe nga ajo që do të gjenin në atdheun e dytë.

A ishte i vështirë integrimi i tyre në këtë vend?

Të ishe ruse dhe të bëheshe shqiptare do të thoshte të ktheheshe në realitete historiko- psikologjike të ndryshme nga vendi amë. Pra, ishte e vështirë jeta për këto gra në kushte normale e më jo anormale siç rezultoi me vonë gjatë viteve të rënda që kaloi Shqipëria pas viteve '60 kur Enver Hoxha, diktatori i një vendi të vogël komunist po përjetonte ankthin e rrëzimit të kultit të individit. Kampi socialist po rishikonte veten në pasqyrë. Krimet e Stalinit nuk përbënin më sekret për asnjë.

Si u ngrit historia?

Ishte e vështirë ta analizoje këtë histori vetëm duke e parë nga një kënd dhe thjesht sepse ishte shumë e veçantë. Kadare kishte nostalgji për gratë ruse që kish njohur në rini dhe shumë dhembshuri për fatet e tyre. Kjo dukej qartë por nuk mjaftonte. Atij iu deshën shumë çelësa për të depërtuar në tërësinë e kuptimeve që na përçon ky fakt historik i viteve '60. Bëhet fjalë për një vepër të fortë, ngritur në shtyllat e ngjarjeve historike, histori që bluajtën qenie njerëzore, histori që rrëmbyen jetët e vockla për t'i përplasur më tej, diku, ku asnjë s'e dinte nëse fati do ishte fatal ose jo. Histori tradhtie të poshtra, burracake të dy shteteve, anëtare të kampit socialist. Ç'ishin këto shtete që urrenin gratë? Që poshtëronin burrat? Pse kaq egërsi? Sepse gjeografia politike e një shteti dhe vetizolimi, mund të përcaktojnë në mënyrë të pakthyeshme psikologjinë e njerëzve deri në atë masë sa të ngulitin tek ata sjellje monstruoze duke u lejuar thjesht, aty për aty, vetëm mbijetesën. Kjo histori e endur me ankthet e së kaluarës është historia e familjeve ruso-shqiptare dhe si gjithnjë tek shkrimtarët e mëdhenj, historitë më të hidhura, kthehen në historitë më të bukura të letërsisë apo kinematografisë. Kadare na kujton se e bukura rrallë lind nga e keqja dhe se e keqja mund të trokasë shumë herë në portën tonë dhe se shpëtimi mbase është i mundshëm por nuk ofron asnjë garanci morale.

A jeni takuar me gra të ish-Bashkimit sovjetik?

Takimi me këto gra sovjetike nxori në sipërfaqe një të shkuar deri atëherë të mbyllur në kasafortë hermetike. Kjo kasafortë e rëndë me sekrete, hapet në skenar dhe dalin raportet e policisë ideologjike shqiptare dhe sovjetike, e cila e bënte çdo rus apo shqiptar spiunin e fqinjit, të familjarëve, të dashurisë së tij…Arsyeja shtetërore, në fakt ishte arsyeja e sëmurë e udhëheqësit. Ky skenar zgjidhi gjuhën e lidhur të shumë njerëzve të frikësuar që kallëzuan mekanizmin e sistemit totalitar ku një ushtri robotësh cinikë nuk kishin punë tjetër veçse të përgjonin e të përçudnonin jetën e tjetrit.

Ç'mund të na thoni për ata njerëz robotë?

Është e lehtë sot të gjykosh moralisht ata që jetuan në atë epokë. Në kërkim të realizmit historik, kemi takuar ish-punonjës të sigurimit të shtetit si dhe viktimat e këtij Sigurimi. Gjatë punës kërkimore në arkiva, kemi hasur një situatë opake të asaj epoke, ku identiteti i njerëzve nuk varej vetëm nga vullneti i tyre. Nuk flas këtu për ata që spiunuan me vullnetin pervers dhe dëshirën sadiste. Dëshmitë e tyre të rreme kullojnë ligësi deri në marramendje. E kam fjalën për dëshmitë kundër pedagoges Inga Tarasova dhe përkthyeses Natalia Pengili.

Filmi do të ketë një regjisor rus...

Po. Dimitri Meskheyev ky regjisor është quajtur princi i regjisurës dhe ka marrë çmimin e madh të festivalit të Romes, por edhe çmime të tjera ndërkombëtare. Gjithashtu është dhe regjisor teatri në Malenkij dhe në Balshoi teatër, kështu që njeh mirë aktorin dhe dramën. Skenari, aktorët, piktorët dhe kompozitori do të jenë shqiptarë. Federata e Rusisë do të angazhojë vetëm disa aktorë rusë për ta bërë më të besueshme atmosferën e viteve '60, si dhe postproduksionin dhe teknikën. Filmi do xhirohet në Shqipëri dhe shumë pak në Moskë.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora