E premte, 26.04.2024, 10:38 AM (GMT+1)

Shtesë » Shoqëria

Nje mami - New generation

E diele, 26.03.2006, 12:10 AM


Larg tradicionales, një nënë e re që ndërton një raport miqësor me një foshnje dymuajshe, që vazhdon të shkojë çdo ditë në punë dhe që ka look-un perfekt të një modeleje. Enada At'Nikolla tregon se si mund t'ia dalësh mbanë për të qenë një mama-trendy

Vetëm një natë përpara se të pranonte të pozonte për të parën herë përpara objektivit të një aparati fotografik me vajzën e saj të sapolindur, Kendra, Enada At'Nikolla kishte lënë dëshminë e radhës në ditarin, që ka filluar të mbushë që nga 1 dhjetori, kur vajza e saj erdhi në jetë: "Mami të ka lënë takim nesër me një fotograf për të të nxjerrë në revistë, por ka frikë se mos ty nuk do të të pëlqejë kur të rritesh…". Mund të mos i pëlqejnë ndoshta paliçetat ngjyrë rozë, që mami Enada ia ka zgjedhur për të pozuar, Kushedi, derisa të rritet ajo, paliçetat mund t'i duken fare demode… Ose mund të mos i pëlqejë ndoshta edhe fakti që është në një kopertinë reviste… Dhe kjo nuk është e vetmja gjë që Enada e mendon si e zënë në faj, kur shpie nëpër mend se po i duhet të zgjedhë shumë gjëra në vend të së bijës, që ndonëse nuk i ka mbushur ende dy muajt e parë të jetës, asaj i pëlqen që ta trajtojë si një individ të rritur. Si një qenie më vete, që ka personalitetin e saj dhe që duhet të vendosë vetë për gjërat e veta. "Vetëm se tani për tani më duhet që këto gjëra t'i bëj unë. Por gjithsesi do të përpiqem që të bëj ato zgjedhje që mendoj se karakterit të saj do t'i shkojnë për shtat", thotë Enada, e bindur që fëmija i saj i parë vërtetë që do të rritet brenda normave të prindërve, por në thelb ka për t'u zhvilluar si një njeri i pavarur. Sepse ndryshe nga ato nënat tradicionale, që u pëlqen të jenë njëqind për qind brenda jetës së fëmijëve të tyre, Enadës i pëlqen që të krijojë një tjetër lidhje me vajzën e saj. T'i drejtohet si një njeriu të rritur, e bindur kështu se e vogla e saj i kupton të gjitha, ndërsa e ndjek me sy. T'i rrëfejë se ç'punë e presin për të nesërmen, apo t'i tregojë se i ka blerë një palë xhinse "Diesel" dhe mezi po pret që t'ia shohë në trup, e bindur se edhe Kendra e vogël, nëse do të mund të zgjidhte, do të zgjidh-te sigurisht të njëjtat xhinse. "Eshtë një kënaqësi më vete edhe kjo, të blej rroba apo lodra për të", thotë Enada, që veç gjithë arsyeve të tjera të çdo nëne, ka edhe këtë arsyen tjetër për t'iu gëzuar mëmësisë. Të bëjë gjëra të bukura me beben e saj.

Ndryshe nga ato mamatë tradicionale, që nuk lënë njeri t'u afrohet e të puthë bebet e tyre, që i mbajnë si të ishin të qelqta duke pasur frikë se mos thyhen, Enada ka një mënyrë të sjelluri tërësisht të vetën. Ka merak, sigurisht, nuk mund të ishte ndryshe. Vetëm se është e bindur se ajo bebja e saj nuk ka si të jetë aq delikate, sa të mbahet larg përkëdhelive apo larg ndonjë të ulure sportive në prehërin e mamit. Dhe ndërsa e sheh fëmijë aq të qetë, tek rri e ulur si një vajzë e madhe në prehërin e së ëmës, ndërsa bën çmos që të shohë sytë e mamit të saj, nuk mund të bësh gjë tjetër, veçse të bindesh që Enada ka plotësisht të drejtë. "Kam dëgjuar shumë nëna të thonë që kanë pasur frikë t'i mbajnë fëmijët në dorë. Por, me mua ka ndodhur krejt e kundërta. Përveç ditës së parë, që për ta larë Kendrën erdhën për të më ndihmuar mami im dhe mami i Gimit, gjithë ditët e tjera e kam bërë vetë. Ishte gjëja më e natyrshme në botë ta merrje dhe ta laje. Ajo nuk shqetësohet nga zhurma, që mund të bëhej po të ishin më shumë njerëz dhe e shoh se kënaqet shumë kur lahet. Dhe kjo është padyshim një nga kënaqësitë e mia më të mëdha, një nga gjërat më të bukura që bëjmë unë dhe Kendra bashkë", rrëfen Enada. Kur vjen puna për të treguar gjërat e bukura që bën bashkë me të bijën, Enada ka shumë të tilla për të rrëfyer. Edhe pse kanë vetëm dy muaj që "njihen", kanë mundur të shijojnë shumë gjëra bashkë. "Kaluam ditëlindjen time më 20 dhjetor bashkë. Ishim në Vjenë, ku lindi dhe Kendra, dhe për të parën herë ishim vetëm të tre bashkë: unë Gimi dhe vajza jonë. Mund të them se përvjetori im i njëzetenëntë ishte padyshim ditëlindja më e bukur që kam kaluar deri më tani". Po kaq e bukur kishte qenë dhe mbrëmja e Vitit të Ri, kur Enada At'Nikolla zbuloi për të parën herë se sa e bukur mund të jetë një festë edhe larg shoqërisë dhe miqve të zhurmshëm, por e veshur thjesht, brenda shtëpisë së saj. Me familjen e saj e të Gimit dhe me Kendrën.

E megjithëse vite më parë Enada At'Nikolla nuk e kishte menduar se mëmësia mund të sillte ndryshime kaq të mëdha në karakterin e saj, apo më mirë të themi nuk i kishte llogaritur këto kënaqësitë e vockla të përditshmërisë, ajo gjithsesi nuk e kishte çuar anjëherë nëpër mend që të mos bëhej nënë. Përkundrazi, i kishte planet të mirëpërcaktuara. "Gjithmonë e kam menduar se kur të bëhesha tridhjetë vjeç do të isha me fëmijë. Dhe Kendra erdhi pikërisht në kohën e duhur". Erdhi pikërisht atëherë, kur Enada kishte arritur çdo gjë që kishte dëshiruar: një karrierë modeleje, një emër si stiliste, kur kishte rënë në dashuri me Gimin, me të cilin pastaj u martua, kishin rregulluar një shtëpi sipas shijes së të dyve… Me një fjalë, kur kishte vënë gjithçka në vijë, siç kishte dashur gjithmonë. Atëherë erdhi natyrshëm vendimi për t'u bërë me fëmijë dhe më 1 dhjetorin e vitit të shkuar Kendra ishte në krahët e mami Enadës. Që nga ajo ditë kanë bërë shumë gjëra së bashku. Kanë luajtur nëpër shtëpi (në fakt, vetëm mami Enada luan, sepse Kendra i ngul sytë, e habitur me atë mami "harrakate", që i ka rënë në pjesë), kanë biseduar (mami Enada i ka treguar se ka filluar sërish punën në atelie dhe shumë shpejt atë do ta çojë në kopsht, që të jetë e shoqërueshme me bebat e tjerë), kanë shkruar ditarin (mami Enada ka vendosur të shënojë aty çdo ngjarje të vajzës së saj dhe çdo prapësi që ajo do të bëjë, derisa të rritet e të fillojë t'i shkruajë vetë). Siç kishin bërë kur ajo ishte ende brenda barkut të mamit, që bëhej gati për të botuar një kalendar me veshjet e ateliesë, që mban emrin e saj. "Ka qenë një periudhë mjaft e ngjeshur në punë, por mjaft e mbarë. Një periudhë kur unë rrija me orë të tëra në atelie, nga mëngjesi në mbrëmje për të realizuar veshjet, dhe Kendra ishte brenda meje dhe merrte pjesë në gjithçka. Pastaj filluan edhe xhirimet e spoteve e videoklipeve, zhurmë, muzikë, ritëm… Besoj se të gjitha këto kanë ndikuar tek ajo, ku i dihet, ndoshta edhe kur të rritet do t'i pëlqejë një jetë e tillë, brenda botës së modës, brenda ndonjë atelieje", tregon Enada, që e ka gati ndërkohë një plan për vajzën e vet të mitur. Do t'i pëlqente për shembull, që vajza e saj të bëhej dizenjuese bizhuterish. Kështu do të ishte edhe stiliste si mami, por do të merrej edhe me materiale të çmuara. "Kjo do më pëlqente mua për të, por ndoshta asaj nuk do t'i pëlqejë fare. Megjithëse, po të më ngjajë mua, do t'i pëlqejë patjetër", thotë Enada, e kënaqur që vajza e saj mund të ndajë me të të njëjtat shije. Ndërkaq, ajo e ka "imponuar" shijen e asaj edhe mbi një tjetër gjë të vajzës: mbi emrin. Të dy, Enada dhe Gimi kanë menduar gjatë për një emër të veçantë. Donin një emër që të mos e kishin edhe fëmijë të tjerë. Zgjodhën një emër të vjetër anglosankson, Kendra, që ka kuptimin e fuqisë së një mbretëreshe. Ndryshe mund ta thërrasin edhe Kendi, apo sheqerkë, siç edhe i pëlqen ta thërrasi babi i vet. Ndonëse kishin pasur gjithë kohën e nevojshme, emrin e duhur kishin mundur ta gjenin vetëm tre ditë përpara. Gjithsesi në kohë, përpara se mami Enada të shikonte për herë të parë se sa e ëmbël do të ishte në të vërtetë bebi, që e kishte mbajtur për nëntë muaj në bark. "Ishte më e bukur se ç'e kisha menduar. Nuk e di se pse, por isha përgatitur për më të keqen, sikur do ishte shumë e kuqe, ose jo e bukur… Por në fakt është goxha e lezetshme, apo më duket mua?", thotë ajo ndërsa fillon e ia hulumton edhe njëherë tiparet vajzës së saj të vockël, duke kërkuar ndonjë ngjashmëri fizike me të. Tani për tani e ka të kotë, mund t'i gjejë ca forma ose njëfarë ngjashmërie të vogël, sepse tiparet vajza i ka identike me të babi Gimit. Kurse mami Enadës nuk i mbetet gjë tjetër, veçse të ngushëllohet me faktin se sa i takon karakterit, vajza do t'i ngjajë vetëm asaj. "Nuk ka për t'i dalë keq", thotë Enada, që sado që mëmësia mund ta ketë ndryshuar, vijon të mbetet ajo që ka qenë: me batutën gjithmonë në majë të gjuhës, me të qeshurat e zhurmshme, gati për të marrë çdo gjë me shaka. Siç merr edhe Kendrën e vogël dhe e ul në prehër me një pamje garipeje, për të shkrepur ca fotografi për kopertinën e revistës. Ndonëse një natë më parë, në ditarin që ka filluar të shkruhet që nga 1 dhjetori i shkuar, kur vajza erdhi në jetë, ka shprehur edhe ndrojtjen se mos kur të rritet, Kendrës nuk do t'i pëlqejë fare që mami i saj po e nxjerr në një kopertinë reviste.

Jeta



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora