E premte, 18.10.2019, 12:20 AM (GMT+1)

Plus » Shoqëria

Enada At’ Nikolla: Si do të bëhem gjeniu i modës

E hene, 13.03.2006, 12:06 AM


Të gjithëve na pëlqen të vishemi e të ndihemi të bukur. Shumë e rëndësishme është gjithashtu të jemi të veçantë. Koncepti i “unikes” te stilistja e re, edhe pse e vjetër në profesion, shihet totalisht i realizuar. Enada na rrëfen pasionin e vet për modën, ndërthurjen që ajo ka ditur të bëjë midis modeles dhe stilistes. Pasioni për të bukurën ka qenë kultivuar te ajo qysh në moshë të mitur dhe ka vazhduar të forcohet te ajo gjatë gjithë jetës. “Do të jem modele përjetësisht…” Janë këto fjalët e Enadës me anë të së cilave di të përcjellë më së miri te ne lidhjen e saj të ngushtë me botën e vështirë dhe të bukur njëkohësisht, të modës.Ndërsa në lidhje me vajzën e vet tre muajshe, shprehet : “ Le të bëjë çfarë të dojë në të ardhmen, mjafton vetëm që atë që do bëjë, ta bëjë mirë”, duke na përcjellë mendimin se gjithçka që do dëshirojë të bëjë në të ardhmen duhet të realizohet me vullnet e pasion. Vetëm kështu, suksesi është i garantuar.

Cilat kanë qenë lidhjet tuaja të para me modën?
Qysh kur kam qenë nëntëmbëdhjetë vjeç kam filluar të sfiloj si modele. Kjo ka qenë hyrja ime zyrtare në botën e modës, sepse pasioni edhe dëshira i përkasin një moshe akoma më të vogël. Sfilata e parë në të cilën kam marrë pjesë, ka qenë ajo e Marikaj, nga fundi i vitit 1995. Qysh atëherë nuk kam reshtur së qenuri një modele. Akoma sot vazhdoj të jem e tillë, modele për veten time, e do vazhdoj përjetësisht, pavarësisht nga mosha. Modelet nuk janë gjithmonë vajza të vogla dhe veshjet nuk stilohen vetëm për te rinj…

Mund të më flisni pak për fillimet tuaja si stiliste? Si ka nisur pasioni juaj për stilim, hapat që keni hedhur për t’u afirmuar në rrethin e stilistëve më të mirë të vendit?
Pasionin për t’u veshur dhe për të qenë gjithmonë ndryshe, e kam pasur përherë. Edhe kur kam qenë më e vogël, kam pasur një stil timin të të kombinuarit të rrobave. Nuk ka pasur shumë veshje që të më tërhiqnin, madje e urreja modën e kohës. Karrierën time si stiliste e kam nisur duke veshur veten time. Nuk e ndieja veten mirë, e madje as nuk më shkonin ato lloj veshjesh, të cilat ishin të bukura e të përshtatshme për një kategori le të themi, normale njerëzish. Sigurisht nga pikëpamja e gustos, unë nuk futesha në atë kategori.Kur them se vishesha ndryshe, nuk dua që të kuptoni se përdorja minifunde apo dekoltera, ato ishin më tepër veshje të një sensi “tip” ose të një përcaktimi të “kinges”. Kuptohet, gjëra që i pranonte adoleshenca. Pastaj filloi gustoja të përmirësohej. Njërzit ndërkohë, filluan gjithashtu të pëlqenin veshjet që bëja, e më kërkonin t’u stiloja edhe atyre ndonjë veshje. Edhe kështu fillova të merresha më seriozisht me dizenjimin.e nisa të nxirrja veshjet e mija me etiketë nëpër dyqane. Më pas kam studiuar edhe në Vienë pikërisht për stilim. Para tre vjetësh, kam bërë aty edhe një master në këtë fushë. Këto kanë qenë hapat e mija të para, e qysh atëherë kanë kaluar dhjetë vjet që merrem me stilim, por, sigurisht, pa lënë mënjanë punën si modele.

E mbani mend cilët kanë qenë klientët tuaj të parë?
Klientja ime e parë, kam qenë vetë unë. Sikundër thashë, kam filluar të dizenjoj në fillim për vete. Stilimet e para, nuk i kam bërë për ndonjë person, apo nëse mund të them klient, por për sfilata mode. Pas vitit 1995, kam sfiluar në të gjitha sfilatat e stilistëve të kohës, e paralelisht me këtë dizenjoja modelet e mija. Në këtë periudhë sapo filloi të ndihej një rrymë e re në mënyrën e të veshurit, që përshtatej më shumë me natyrën e veshjeve që unë dizenjoja, ndaj normalisht, filloi dhe suksesi të më buzëqeshte.

Shumë figura të njohura në art, politikë, e kudo vijnë te ju si klientë duke treguar kështu një besim të madh, përderisa, në një farë mënyre, ju lënë në dorë imazhin e tyre fizik, që normalisht ka rëndësinë e vet për personat publik. Ka rastisur që ndonjëri prej tyre të dalë i pakënaqur nga atelieja juaj?
Puna më ecën shumë mirë, ndaj jam goxha kënaqur nga aktiviteti që kam. Kjo tregon se janë të shumtë ata që e pëlqejnë mënyrën time të të stiluarit. Ka gjithmonë njerëz që nuk kënaqen aq shumë. Gjithsesi nuk mund të quash klientë edhe ata që vijnë e qepin vetëm njëherë një veshje. Çdo atelie, dashur pa dashur,krijon klientelën e vet me persona që vijnë shpesh për të bërë veshjet e tyre dhe këta, përgjithësisht janë të kënaqur për faktin e thjeshtë se, duke ardhur përherë, stilisti ka mundësi të njihet më shumë me guston e tyre, gjërat që u shkojnë më tepër, duke ua përshtatur pothuajse plotësisht veshjet, me fizikun e personalitetin që kanë. Me këtë dua të them se kjo mënyrë njohje me klientët, bën të mundur që ata të ngelen të kënaqur. Rastis gjithsesi, që të kenë ndonjë pakënaqësi, por këto janë të vogla e jo të një rëndësie të madhe. Nuk bëj pjesë në grupin e stilistëve që nxjerrin njerëz të pakënaqur.

Cili ka qenë aktiviteti i fundit me të cilin jeni marrë? Mund të më jepni ndonjë informacion në lidhje me planet tuaja për të ardhmen, në aspektin professional?
Në përgjithësi nuk më pëlqen të flas para kohe. Unë kam gjithmonë plane por më mirë të mos flas për to .Për momentin më punon mendja në njëqind drejtime ndaj më mirë të ndaj mendjen vetë njëherë, për ato që duhet dhe dua të bëj. Përsa i përket aktivitetit tim të fundit, të tillë quaj kalendarin. Kemi vetëm dy muaj që kemi dalë nga viti që shkoi, dhe tani fillojnë e bëhen projektet për diçka që do bëj në verë, e pastaj sigurisht në dimër. Unë i kam dy projekte por, ai i fundit që ka qenë ishte ajo e dimrit që shkoi që është pikërisht kalendari. Kam bërë dy të tillë gjithsej, dhe ky i 2006-ës është i dyti.

Tani le të flasim pak për jetën tuaj private. Dimë që jeni e martuar. Mund të na thoni prej sa kohësh dhe si jeni njohur me bashkëshortin tuaj?
Tani u bënë dy vjet që jam martuar. Jemi njohur në sfilatën time të parë. Unë kam qenë modele, ndërsa a i ftuar në spektakël. Ka qenë ai pari që më pa, ose si thonë, më vuri syrin, duke hedhur hapin i pari në njohje. Sigurisht nuk mund ta mohoj që edhe mua më pëlqeu, më tërhoqi, qysh në fillim. Ishte interesant. Kishte një luk ndryshe nga të tjerët, dallonte nga ata… Përveç kësaj, mes nesh funksionoi sepse i mësuam kufijtë e njëri tjetrit. Linim hapësira të mjaftueshme e të domosdoshme duke bërë që lidhja të ishte dhe të jetë e fortë. Sikundër e shihni, jam e paqëndrueshme vetëm në veshje, por jo në jetë…

Mos ndoshta ecni me moton:nuk ka rëndësi nëse diçka është e bukur apo e shëmtuar, rëndësi ka të jetë unike ?
Jam sigurisht dakord që të jetë unike, por jo e shëmtuar ama… Jam më tepër partizane e “të mesmes së përpjesshme”. Më pëlqen që të ketë një individualitet të vetin, disi ndryshe.

Duke pasur para sysh punën dhe natyrën që keni, lidhja që keni, ka qenë ndonjëherë stres për ju, apo është gjithmonë faktor qetësues?
Në qoftë se do kishte qenë qoftë edhe pak stresante si lidhje, nuk do kishte funksionuar. Profesionalisht po eci mirë, duke hedhur çdo ditë një hap më shumë. Edhe ai bën të njëjtën gjë. Në këtë mënyrë ne i lëmë gjithmonë hapësira njëri tjetrit për t’u zhvilluar

Gjatë karrierës suaj si modeled dhe stiliste, familja, ju është bërë ndonjëherë pengesë, duke mos ju lejuar gjëra të caktuara?
Jo, në asnjë mënyrë.Familja ime, sikundër edhe ajo e bashkëshortit tim, janë njerëz që e duan punën që bëj. Për më tepër, kam mësuar t’u kushtoj kohën e duhur të gjithëve. Nuk jam egoiste dhe mendoj vetëm për veten time. Mendoj për të gjithë vërtet shumë. Qysh kur kam qenë modele dhe familja e bashkëshortit tim nuk dinin gjë për lidhjen tonë, atyre u pëlqeja shumë, madje më kanë votuar në “Miss Albania”. Kjo ndodh, normalisht sepse e pëlqejnë punën që bëj.

Ju keni edhe një vajzë, tre muajshe. Keni bërë qysh tani plane për të ardhmen e saj?
Nuk jam nga ata njerëz që bëj plane.Do dëshiroja me tërë mend që ajo të jetë “kinge” në tip. Dua që të jetë edhe e bukur normalisht, por sidomos, të jetë tip. Të jetë e shoqërueshme, e komunikueshme me të tjerët, më pëlqen të jetë “gjë e gjallë”. Le të bëjë çfarë të dojë në të ardhmen, mjafton vetëm që atë që do bëjë, ta bëjë mirë. Dëshiroj që të bëhet një njeri i lumtur mbi të gjitha.mënyra që do zjedhë ajo për të qenë e lumtur, në çfarëdolloj mënyre që ta arrijë këtë, le ta bëjë si do të dëshirojë vetë.

Çfarë bëni në kohën tuaj të lirë?
Në përgjithësi merrem me vajzën tani, pasi ajo tani ka shumë nevojë për mua. Megjithatë e gjej gjithmonë kohën edhe për shoqërinë time. Jo rrallë, dal me ta për ndonjë kafe apo drekë. Me këtë rast krijohet mundësia për të folur për problemet në art, shumë më pak flasim për problemet në politikë. Gjithashtu nuk harroj asnjëherë pa shkuar nëpër qendrat estetike. Dua të merrem me të gjitha gjërat pa lënë pas dore asgjë. Normalisht, ndonjëherë shtyj oraret e caktuara për këto lloj aktivitetesh, por nuk i lë asnjëherë pa i frekuentuar. Tani më janë bërë të domosdoshme. Gjëja që pëlqej më tepër, është të rrij në atelienë time. Për shkak të vajzës, tani e kam zvogëluar disi kohën e kaluar atje, ndaj më merr shumë malli. Më parë kaloja atje pjesën më të madhe të kohës, sidomos në fluksin e punës, që përkon me kohën kur janë maturat. Këto momente janë me të vërtet fantastike, pasi hyjnë e dalin shumë vajza të vogla, të cilat duan të bëhen njëra më e bukur se tjetra. Më pëlqen shumë të merrem me to. Secila kërkon gjëra të veçanta që nuk i ka parë në vend tjetër. Në jetën time kam kuptuar që nuk mund të bësh asnjë gjë nëqoftë se nuk e ke me qejf. Puna ime është pasioni im, e nuk do të lodhem kurrë së stiluari.

Sot



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT