E shtune, 27.04.2024, 12:52 AM (GMT+1)

Përjetësi » Mani

Kadri Mani: Dr. Ibrahim Rugova strateg i paqes dhe i luftes

E hene, 24.12.2007, 04:17 PM


DR. IBRAHIM RUGOVA STRATEG I PAQES DHE I LUFTËS

/Përkujtojmë Kryetarin tonë të ndjerë në prag të pavarësisë/

 

 Shkruan: Kadri Mani

 

EDHE LUFTA ËSHTË E MUNDSHME”- Dr. Ibrahim Rugova te revista ALTERNATIVA nr. 1-2, Lubjanë 1992, f.55-58 (Marrë nga “Delo” e Lubjanës e dt. 10.10.1992, e përktheu Gani Buçinca)

 

Përkrah Skënderbeut, edhe Dr. Ibrahim Rugova radhitet ndër figurat më markante kombëtare-ndërkombëtare në vend dhe në botë.

 

Atë që bëri Skënderbeu me shpatë, Dr. Ibrahim Rugova e bëri me penë

 

Dr. Ibrahim Rugova, diplomat vizionar nga një familje rugovase e njohur për atdhetarizëm, baba e gjysh dëshmorë, shkrimtar e kritik letrar, filozof e strateg i paqes dhe i luftës,- e mundi solldateskën serbe dhe e përcolli diktatorin Sllobodan Millosheviqin në Gjykatën e Hagës!!

Këtu po radhitim veprat e tij letrare dhe të tjerat që janë shkruar për të:

1.I. Rigova & Sabri Hamiti: KRITIKA LETRARE, Prishtinë-1979....f.487 ..................................................................................................................f.485

2.Ibrahim Rugova: KAH TEORIA, Prishtinë-2005................................f.158

3.Ibrahim Rugova: PAVARËSIA DHE DEMOKRACIA, Prishtinë-2005...........................................................................................................f.453

4.Ibrahim Rugova: REFUZIMI ESTETIK, Prishtinë-2005...................f.367

5.Ibrahim Rugova: STRATEGJIA E KUPTIMIT, Prishtinë-2005.......f. 340

6.Ibrahim Rugova: VEPRA E BOGDANIT, Prishtinë-2005..................f.351

7.Ibrahim Rugova. KAHE DHE PREMISA TË KRITIKËS LETRARE SHQPTARE, Prishtinë12005............................................................................................f.528

8.Ibrahim Rugova: PREKJE LIRIKE, Prishtinë-2005............................f.242

9.Ibrahim Rugova: ÇËSHTJA E KOSOVËS, Prishtinë-2005.................f.238

10. Kadri Mani: Dr. Ibrahim Rugova Triumfoi në Kosovë dhe në Hagë!!

Prizren-2002...............................................................................................f.147

11.NJERIU I PAVARËSISË-DR. IBRAHIM RUGOVA /LAJME, TELEGRAME, OPINIONE, KOMENTE DHE NGUSHËLLIME PËR IBRAHIM RUGOVËN/, Prishtinë-2007..............................................................................................f.459

Gjithsej faqe.................................................................................................4255

Dr. Ibrahim Rugova kishte krijuar me kohë elementet shtetërore: Stemën, Vulën, Flamurin, Himnin, të cilat kundërshtarët e tij të egër e primitivë, jo që nuk i kishin atëherë, por nuk i kanë as sot e kësaj dite!!

E tash, po jua lëmë radhën antiinstitucionalistëve që t’i numërojnë “veprat” e liderthave të vet!?!

Ibrahim RUGOVA

Poezi e Presidentit Ibrahim Rugova - botuar në fund të viteve të 60-ta

1.

Me varg në shpirt m’çeli pranvera.

Desha t’jetoj gjithmonë i neshtë.

Më bëhet se do të vajtoj përhera,

Kur po hyj me të madhe në vjeshtë.

 

2.

Ah, stinë e verdhemët, stinë e venitur

Vallë, Ty të mallkoi mëma – natyrë?

Që bashkë t’shkrihemi kështu t’nemitur,

Mos jemi të mjerë në krijatyrë?

 

Më mbaj fjalën, Ti e verdha stinë.

Edhe unë qeshë si ti i gjallë dikur.

E tani diç farë fort, fort më nxin –

E me dritë n’shpirt po bëhem nur.

 

3.

Po ëndërrove me këngë të rritesh,

Dhe ajo jetës përpara t`i flasë.

E di. Me dëng plot do t’goditesh,

E ngado të endesh veç do të vrasë.

 

4.

Athua Zoti i marrë diti të gjykojë,

Që njomakët të kalben shi në vrug.

Apo secili barrën e vdekjes të peshojë

N’zjarr të heshtjes i ndryrë si murg?

 

5.

I ngrohur me të vërtetën në gji,

Vëllai im dole n’mesin me erë.

Mbi fytyrën e re të ra një vel i zi –

T’nxuer e t’futi n’kuvli përherë.

 

6.

O kujt t`i falem n’këtë orë t’ vështirë,

Kujt t’ia kërkoj hijen e njomësisë?

Pa frikë. Prore do t’jetë ndjellamirë –

Pikëllimi im, kasnec i gjallë i fuqisë.

 

7.

Dua të iki fushës e malit -

Jetën e shoh si grusht t’rëndë.

Jo, s’dua t’iki. Dua si shpirt djalli

Të ngjitem së bashku në vend.

 

8.

Bën që për vargjet e mia t’përvëlimit,

Të më quajnë edhe njeri fare t’prishtë.

Pa herët i vranë sytë e shtrembërimit,

Se e flas të vërtetën e kam çiltërsisht.

 

Por një të dihet se zemra e poetit,

Në dimër a në verë s’di të ngurrë

Dhe kur e ndjen valën rreth vetit –

Qanë e qeshë, nuk qetësohet kurrë.

 

(Botoi revista “Shqipëria etnike” nr. 1/2006)

 

 

INTERVISTË E VOGËL

 

LIRIKA, ZENITET

 

Në numrat e sivjetmë të “Fjalës” u duk edhe një rubrikë e re standarde – “Zenite letrare”, me një emër të ri në letrat tona, Ibrahim Rugovën. Këtë emër e kemi ndeshur edhe më parë në faqet e gazetave dhe të revistave tona, me poezi origjinale ose të përkthyera. Kohëve të fundit, në revistën e përmendur, është paraqitur vazhdimisht me shënime poetike për shkrimtarët më në zë botërorë. Janë këto shënime që flasin për madhështinë e fjalës së shkruar dhe, duke u bazuar në gjithanshmërinë e tyre, atykëtu, mbruhet me realitetin tonë. Gjithashtu përmes këtyre shënimeve, kemi mundur të njihemi më shumë me poetët botërorë të cilët – në gjuhën tonë, janë të përkthyer pak ose fare. Meqenëse kjo rubrikë ka në kuadrin e vet përkthimin dhe trajtimin e veprave të ndryshme, ndaj edhe pyetja jonë qe e kësaj lëme:

 

-Përkthimet ndër ne janë të pakta. Tek e tuk gjejmë ndonjë përkthim të shkurtër, sidomos nga letërsia e përbotshme. Madje edhe ato ca përkthime që bëhen vetëm nga disa, nuk mjaftojnë. Shtëpia botuese nuk ndërmerr ndonjë nismë t’i angazhojë njerëzit që i njohin gjuhët e huaja, dendur, këta nuk përfillen. Por, këtë mungesë, deri diku, po e plotësojnë përkthyesit e Shqipërisë. Me rubrikën “zenite letrare” ke “Fjala”, mundohem që njerëzve tanë t’u ofroj, përmes ca shënimeve poetike, poetët më të njohur të njerëzimit. Ata na përkasin edhe ne: Tagora, Jesenini, Lorka, Migjeni...    

 

Poezia, ti dhe moshatarët?

 

-Ajo më fle në shpirt-lirika. Shkruaj sa herë që e ndjej jetën dhe njeriun. Më habit turri i tyre (i moshatarëve), thuajse Poezi do të thotë: të rendisësh përmbledhje. Na mungon kultura letrare. Kujdesemi shumë pak për të. Ajo i qëron talentet.  Mos të harrohet...

 

Jeni anëtar i “Plejadës”, çfarë do të jetë perspektive e saj?

 

-Mirë ja ka filluar. Besoj se entuziazmi do të ngadhënjejë po patëm përkrahje. Këtë po e them nga mbresat e startimit të parë të “Plejadës”. Kam frikë se mos ky fillim do të mbetet vetëm fillim, edhepse besoj ke rinia- ke hovi ynë.

I.K. (Ibrahim Kadriu)

 

(Marrë nga “Rilindja”, e hëne, 15.IX.1969)

 


Presidenti Ibrahim Rugova në Atverpen të Belgjikës u shpall Senator Nderi i Evropës

Fon Habsburg: Rugova punoi që liria e popullit të Kosovës të realizohet nëpërmjet Evropës së bashkuar

Atverpen/Bruksel, 2 shkurt 2004 - Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, në një ceremoni solemne të zhvilluar dje pasdite në qytetin e Belgjikës Atverpen (Anvers), është shpallur Senator Nderi i Evropës nga Senati i Evropës.

Ky është grupacion i figurave më eminente të skenës politike evropiane nga i cili nderohen personalitete më në zë të botës së politikës, gazetarisë, të shkencave ekzakte apo humane të cilët ka dhënë kontributin e tyre për demokracinë paqen, zhvillimin apo stabilitetin në Evropë.

 Në traditën 43-vjeçare me këtë titull janë nderuar personalitete si ish-kryeministra apo ish-presidentë, ish-ministra.

Ndërkaq, kësaj radhe me këtë titull u nderuan ish-kryeministri belg Zhan-Lyk Dean, gazetari francez David Geta, ish-presidenti i Komisionit Evropian Gaston Tom dhe Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova. Duke prezentuar Presidentin e Kosovës, deputeti shumëvjeçar evropian Oto fon Habsburg, tha se e di se sa e vështirë ka qenë për Ibrahim Rugovën që të kryejë misionin e tij, sepse shumë nga personalitetet politike perëndimore nuk e kuptonin atë dhe nuk e kuptonin as mesazhin e tij. Madje ata e kanë trajtuar shpesh si lypës të padurueshëm kur ai kërkonte në emër të popullit të Kosovës lirinë, tha Habsburg. Pastaj ai dha shembuj nga tmerret e regjimit të Beogradit që ka ushtruar mbi popullin e Kosovës, duke theksuar se këto tmerre njihen shumë pak dhe se në atë kohë Presidenti Rugova kërkonte t'u jipej fund këtyre tmerreve. "Dhe ai kishte të drejtë. Ai vazhdoi që të përfaqësonte me dinjitet patriotët e Kosovës deri në atë pikë sa personat që e njihnin dhe që ishin marrë me Kosovën e quanin 'Gandi i Evropës", Tha Oto fon Habsburg.

Duke folur më tutje për figurën e Ibrahim Rugovës, zoti Habsburg tha se ai vazhdon të punojë dhe të mbështesë lëvizjen evropiane, pas mendonte se liria e popullit të tij, do të ishte e mundur vetëm nëpërmjet krijimit të një Evrope të bashkuar. "Ka shumë që nuk e kanë kuptuar, apo e kanë keqinterpretuar, duke u ndalur thjesht te fakti që Rugova është mysliman. Por ai që në fillim përfaqësoi një nga idetë më të vështira për t'u realizuar në një pjesë të globit, që është doktrina e Evropës së bashkuar", tha z. Habsburg dhe vazhdoi: "Edhe me kundërshtimet e këtyre viteve që i kanë bërë në skenën politike Ibrahim Rugovës, Presidenti i Kosovës ka pasur kurajën që të vazhdojë të përpiqet për idealin e tij në një nga zonat më të vështira të Ballkanit".

"Është shumë e vështirë që të luftosh për vetëvendosjen dhe vullnetin e lirë të një populli të vogël, kur kjo nuk korrespondon me dëshirën e popujve të mëdhenj. Rugova vazhdoi që të luftojë vetëm, ndonjëherë pa hasur në mirëkuptim për një ideal që do të mund t'i japë Evropës atë paqe për të cilën ne kemi nevojë. Është pikërisht kjo gjë që do ta nderojë sot me titullin Senator Evropian që të mos dekurajohet", tha ai.

Në fund të fjalimit të tij, Oto fon Habsburg tha: "Mesazhi është që në një zonë nga më kritikët në Evropë, ne kemi një njeri tek i cili kemi besim. Sakrifica e gjithë jetës së tij nuk ka shkuar huq. Zoti e ka krijuar njeriun me imazhin e tij dhe duke ndjekur parimin e feve tona monoteiste, ne do të arrijmë që të ndërtojmë një Evropë të bashkuar, vëllazërore dhe tolerante, duke jetuar në paqe".

Në fund të fjalimit të zotit Habsburg për figurën dhe personalitetin e Ibrahim Rugovës, në sallën e mbushur me personalitete evropiane shpërthyen duartrokitje të gjata, ku kishte edhe shumë shqiptarë, të cilët ngritën flamurin shqiptar, duke e shoqëruar Senatorin shqiptar të nderuar të Evropës edhe në dalje të Pallatit të kongreseve të Atverpenit.

Ibrahim Rugova: Kosovës i është hapur perspektiva e një kombi të lirë për integrime perëndimore

Presidenti Rugova, i shoqëruar me duartrokitje të gjata nga të pranishmit, duke u falenderuar për titullin që iu dha nga Senati Evropian, tha se ky është një nderim i madh për të, për Kosovën dhe për popullin e saj. Në vazhdim ai foli për rrugën që kaloi Kosova në historinë më të re të saj, sidomos për vitet '90, kur u themelua lëvizja për liri, pavarësi e demokraci. Bartëse kryesore ishte Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK, 1989) si parti e parë demokratike në botën shqiptare dhe në këtë pjesë të Evropës e të botës, kur filloi rënia e komunizmit dhe në kohën e shembjes së Murit të Berlinit, tha Presidenti Rugova, duke theksuar se "kjo lëvizje u krijua në kohën kur Kosova ishte në sulm të egër të Beogradit për ta dominuar dhe për ta shkatërruar kombin shumicë të saj shqiptarët". Në vazhdim të fjalës së tij, Presidenti Rugova tha:

"Ne ndërtuam këtë lëvizje paqësore për liri, pavarësi e demokraci për të mbrojtur ekzistencën tonë nacionale, vlerat tona dhe vlerat njerëzore të një populli. Në ndërkohë ne ndërtuam edhe strukturën shtetërore të Kosovës, përmes akteve madhore, siç ishin Deklarata e Pavarësisë (korrik '90), Kushtetuta e Republikës së Kosovës (shtator '90) si dhe Referendumi për Pavarësinë e Kosovës (shtator '91). Në vitin 1992 ne i organizuam zgjedhjet e para të lira presidenciale e parlamentare me qëllim të funksionimit demokratik të institucioneve tona. Kështu shteti ynë filloi të funksionojë në të gjitha fushat e jetës. Në botë ky shtet filloi të njihet si 'shtet i shqiptarëve të Kosovës', 'shtet paralel' i Kosovës. Ky është kontributi ynë në lëvizjet e popujve për liri e pavarësi", nënvizoi Dr. Rugova.    

-Në vitin 1998, kur lëvizja jonë u forcua dhe shteti ynë afirmohej gjithnjë e më shumë në arenën ndërkombëtare, - tha Presidenti Rugova - Beogradi vendosi ta shkatërrojë me sulm të armatosur, duke shkaktuar masakra e shkatërrime masive. Mirëpo, tha ai, bashkësia ndërkombëtare, doli në mbrojtje të popullit të Kosovës, në radhë të parë SHBA dhe BE. Dhe me ndërhyrjen e NATO-s u ndërpre dhuna, masakrat, gjenocidi dhe eksodi ndaj popullit të Kosovës dhe Kosova u bë e lirë më 12 qershor 1999.

-Duke folur për Kosovën e pasluftës, Presidenti Rugova tha se "për katër vjet e gjysmë në liri Kosova ka bërë një progres të madh në të gjitha fushat e jetës". "Ishin këto vite të forcimit të lirisë, të sigurisë, të ekonomisë dhe të demokracisë. Institucionet e Kosovës të themeluara në bazë të zgjedhjeve nacionale të vitit 2001 funksionojnë me sukses".

-Ndërkaq, duke folur për objektivat e institucioneve të Kosovës, Dr. Rugova veçoi zhvillimin ekonomik, privatizimin, sigurinë për investime dhe krijimin e vendeve të punës për të rinjtë si dhe integrimin dhe mbrojtjen e grupeve etnike, apo minoriteteve në shoqërinë dhe në shtetin e Kosovës. Ai veçoi progresin e arritur në fushën e ekonomisë, ku siç tha, sektori privat është mjaft i gjallë dhe dinamik. "Kosovarët kanë një shpirt ndërmarrës dhe ndërtues për jetën dhe vendin e vet", nënvizoi Presidenti Rugova.

-Në vazhdim të fjalës së tij Presidenti i Kosovës, tha se ai punon dhe insiston për njohjen formale e më të shpejtë të pavarësisë së Kosovës. "Pavarësia do t'i përshpejtonte proceset e brendshme demokratike e ekonomike dhe do të qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës si dhe popullin e Kosovës", tha Dr. Rugova, duke nënvizuar se "një Kosovë e pavarur, demokratike e paqësore e integruar në BE, në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA, është vullneti politik i popullit dhe i qytetarëve të vendit tim". Po ashtu tha se do të punohet që Kosova të ketë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët.

-Në këtë proces të progresit të Kosovës, ai tha se institucionet vendore po punojnë me UNMIK-un për bartjen e kompetencave tek institucionet shtetërore të Kosovës, që ato të jenë më efektive. Në vazhdim Presidenti Rugova tha: "Në këtë ceremoni solemne dëshiroj të theksoj se ne gjithnjë duhet të bëjmë përpjekje që problemet t'i zgjidhim me mjete paqësore e politike, por kur kjo nuk është e mundur, atëherë lufta apo intervenimi në emër të paqes e të vlerave njerëzore e demokratike është çështje e drejtë. Shembulli i vendit tim e tregon këtë më së miri. Kështu sot, pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosovës i është hapur perspektiva e brendshme dhe perspektiva e një kombi të lirë për integrime europiane e perëndimore. Po ashtu dëshiroj të them se perspektiva e Evropës është respektimi i të gjithëve dhe integrimi i të gjithëve në një bashkësi të kombeve të lira duke përfshirë edhe vendin tim Kosovën", theksoi Dr. Rugova dhe përkujtoi me këtë rast bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë gjatë një dekade, Profesor Fehmi Aganin, si dhe shumë aktivistë të tjerë që u vranë, të cilët i cilësoi "burra të çmuar të lëvizjes sonë për liri, pavarësi, paqe e demokraci të Kosovës".

-Duke i falenderuar edhe njëherë senatorët e pranishëm evropianë për titullin e akorduar, Presidenti Rugova tha se kjo "është mirënjohje për mua dhe për vendin tim".

-"Le të jetë shenjë pozitive se vendi im së shpejti si vend i pavarur do të gjendet edhe formalisht në familjen e madhe evropiane, aty ku e kishte vendin gjithmonë, sepse Kosova e sotme është Dardania centrale antike iliro-shqiptare, pra, Dardania e Justinianit, vend i një civilizimi që qëndron në themelet e civilizimit modern evropian e perëndimor".

-Ndërkaq, në fund të fjalës së tij, Presidenti Rugova tha:

-"Duke pranuar titullin Senator Nderi i Evropës, Ju premtoj se do të punoj me të gjitha fuqitë e mia në të mirën e vendit tim, në të mirën e popujve evropianë dhe në të mirë të miqësisë me SHBA dhe me popujt e tjerë të botës dhe për forcimin e paqes dhe të lirisë në botë".

---------------------------------------------------------------------------------------------

 Mesazh i Presidentit Rugova drejtuar qytetarëve të Kosovës me rastin e Krishtlindjeve

 

Prishtinë, 23 dhjetor - Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova ua uroi të gjithë qytetarëve të Kosovës Krishtlindjet, me urimet më të përzemërta për këtë festë.

"Festa e Krishtlindjeve është Ditë e lindjes së Krishtit, ditë e lindjes dhe e forcimit të besimit në Zotin, si dhe në të mirën e në sakrificën njerëzore. Është ditë e lindjes së besimit, e paqes dhe e mirëkuptimit midis nesh.

Urime të përzemërta u shprehim komandantëve dhe ushtarëve të KFOR-it, NATO-s, UNMIK-ut, OSBE-së dhe përfaqësive diplomatike në Prishtinë.

 Dhashtë Zoti që Krishtlindjet e ardhshme t’i festojmë me njohjen e pavarësisë së vendit tonë, Kosovës", thuhet në mesazhin e Presidenti Rugova me rastin e Krishtlindjeve.

15 vjet të arta të LDK-së - jubileu i artë i LDK-së

Fjalimi i Presidentit Rugova në 15-vjetorin e themelimit të LDK-së

Zonja dhe Zotërinj,

Ju dëshiroj mirëseardhje në këtë Tubim solemn me rastin e 15-vjetorit të themelimit dhe të veprimtarisë së madhe të LDK-së. Sot në krye të pesëmbëdhjetë vjetëve të veprimit mund të themi se këto janë 15 vjet të arta të LDK-së dhe se sot po shënojmë dhe po festojmë një jubile të madh për LDK-në dhe për Kosovën, si dhe për botën shqiptare. Po ashtu sot do thënë se 23 dhjetor i vitit 1989 ka hyrë në historinë e Kosovës si njëra nga datat më
të rëndësishme dhe kruciale për vendin tonë, për fatin e mirë të vendit tonë. Themelimi i LDK-së u bë në prag të Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri, që ka simbolikën e vet që do të thotë se po lindte një qenësi e re për vendin tonë, pra LDK-ja, që për 15 vjet do t'i dalë Zot popullit të vet.

Pra, LDK-ja lindi në kohën kur po binte një sistem tragjik për Kosovën dhe për popullin shqiptar. Po binte Muri i Berlinit dhe LDK-ja filloi t'i rrënojë muret ndërshqiptare në këtë pjesë të Europës e të botës, duke krijuar pavarësinë e Kosovës. LDK-ja ishte shpresë dhe besë për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët. Këtë e mbrojti dhe e realizoi dhe e zhvilloi për 15 vjet me radhë dhe për plot 15 vjet.

Zonja dhe Zotërinj,

Ky 15-vjetor, ky jubile do thënë menjëherë se për ne është gëzim i madh dhe bëhet më i lumtur, sepse po e kremtojmë në Kosovën e lirë, de fakto të pavarur e të rindërtuar së bashku me miqtë tanë, që po punon për njohjen formale të pavarësisë.

Miq të dashur,

Sot mund të themi se LDK-ja menjëherë pas themelimit u bë forca politike kombëtare kryesore e Kosovës dhe së bashku me popullin dhe me forcat e tjera politike krijoi dhe i vuri themelet e shtetit modern të Kosovës dhe përmes akteve madhore. Këto akte madhore janë: Deklarata e Pavarësisë e 2 korrikut të vitit '90, Kushtetuta e Republikës së Kosovës 7 shtator 90, Referendumi për pavarësi shtator 1991 dhe zgjedhjet presidenciale e parlamentare më 1992 dhe 1998. Këto akte madhore LDK-ja i vuri në jetë dhe krijoi një shtet funksional në të mirë të popullit të Kosovës. LDK-ja krijoi vizionin dhe realitetin e funksionimit të shtetit. Kështu funksionoi Presidenti, Qeveria dhe Kuvendi i Republikës duke e bërë të njohur shtetin e Kosovës në botë, mbi bazat e filozofisë së pavarësisë të LDK-së dhe të popullit të vendit tonë.

Zonja dhe Zotërinj,

Në kohën kur shteti i Kosovës po forcohej dhe po pranohej gjithnjë e më shumë në planin ndërkombëtar, armiku vendosi ta shkatërrojë me luftë të armatosur. LDK-ja së bashku me popullin e Kosovës në vitin '98 dhe '99 doli në mbrojtje të vendit me Ministrinë e mbrojtjes dhe me forcat e tjera që vepruan së bashku me emrin e UÇK-së dhe me përkrahjen e miqve tanë e kurorëzuan lirinë e vendit tonë. Falë filozofisë miqësore dhe paqësore të LDK-së Kosova u bë e lirë me mbrojtjen e NATO-s, të SHBA dhe të BE më 12 qershor 1999, që populli i Kosovës e konsideron Ditë të lirisë.

Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,

Pas luftës në Kosovën e lirë, LDK-ja u konsolidua më shumë, u profilizua si parti politike në rrethanat e një vendi të lirë.

Edhe në këtë kohë LDK-ja u angazhua me të gjitha fuqitë për ndërtimin e vendit dhe duke zbatuar filozofinë e vet në praktikë, në bashkëpunim të ngushtë e produktiv me UNMIK-un, KFOR-in, NATO-n dhe me OSBE-në për ndërtimin e një shoqërie demokratike e prosperuese të shtetit të Kosovës.

LDK-ja mori pjesë në institucionet e përbashkëta me UNMIK-un dhe me forcat e tjera politike. Pas zgjedhjeve të para lokale 2000 dhe po ashtu pas zgjedhjeve të para nacionale më 2001, LDK-ja u verifikua si forca kryesore qendrore nacionale për të udhëhequr vendin. Njëherësh këtë vërtetim LDK-ja e mori edhe në zgjedhjet e dyta lokale më 2002 dhe në zgjedhjet nacionale të këtij viti. LDK-ja edhe në Kosovën e lirë punoi dhe u angazhua për forcimin e kulturës shtetërore e politike. Pas zgjedhjeve të para nacionale formoi institucionet në bazë të marrëveshjes së gjerë me forcat e tjera politike, me çfarë u vunë themelet qeverisëse qendrore të vendit. Ndërsa këto ditë pas zgjedhjeve të dyta nacionale LDK-ja formoi koalicion me AAK-në, PSHDK-në dhe me forcat e tjera partnere për të ndërtuar institucione të reja nacionale më efikase, me pozitë dhe opozitë, çfarë do të jetë më frytdhënëse për popullin dhe qytetarët e vendit. LDK-ja gjithmonë punoi dhe punon në të mirë të Kosovës në rrugë demokratike.

Zonja dhe Zotërinj,

LDK-ja sot është në rrugë të konsolidimit dhe të zhvillimit si parti moderne duke e aktivizuar gjithnjë e më shumë brezin e ri brenda vetes dhe në nivel të Kosovës.

Miq të dashur,

LDK-ja angazhohet për një njohje të drejtpërdrejt të pavarësisë nga SHBA dhe BE, çfarë do të qetësonte këtë pjesë të Europës e të botës. Pra, sa më shpejt një Kosovë e pavarur, demokratike, tolerante e prosperuese për popullin dhe qytetarët e saj e integruar në BE, në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA. Ky është vullneti politik i popullit të Kosovës.

Sa i përket rrugës së tashme ndërkombëtare të ndërtimit të shtetit dhe të shoqërisë LDK-ja do t'i përmbushë normat euroatlantike për mbrojtjen dhe sigurinë e grupeve etnike, apo minoriteteve si dhe do të zhvillojë një sistem efikas administrativ e të reformuar për të gjithë qytetarët. Por, përsëri e theksojmë se njohja e drejtpërdrejtë e Pavarësisë do të bënte më të lehtë realizimin e normave apo standardeve për integrime euroatlantike.

Miq të dashur, Këto ishin të arriturat historike të LDK-së dhe disa nga angazhimet dhe të arriturat e synimet aktuale të LDK-së, që gjithsesi do të jenë historike për vendin tonë.

Zonja dhe Zotërinj,

Sot në këtë përvjetor të artë të LDK-së, i përkujtojmë me pietet të lartë disa nga themeluesit dhe aktivistët e njohur të LDK-së që ranë për lirinë, pavarësinë e Kosovës siç janë Prof. Fehmi Agani, Prof. Latif Berisha, Agim Hajrizi, Sali Çeku e Enver Maloku, pastaj Shaban Manaj, Xhemail Mustafa, Ismet Rraci, Ismajl Hajdaraj e Ukë Bytyçi që ishin figura qendrore të LDK-së e të Kosovës. Dhe kur i kujtojmë në raste solemne si sot në këtë përvjetor të artë, ata bëhen më të mëdhenj, më të ndritshëm dhe ne ndihemi më të plotë e më krenarë.

Zonja dhe Zotërinj,

Me këtë rast përshëndesim UNMIK-un, KFOR-in dhe OSBE-në, Zotin Petersen, Gjeneralin Kermabon dhe Ambasadorin Fieschi.

Njëherësh i përshëndesim përfaqësuesit diplomatikë në Prishtinë.

Miq të dashur,

Nga ky solemnitet jubilar i LDK-së, më lejoni të përshëndes Presidentin Bush, Kryeministrin Blair, Presidentin Chirac, Kancelarin Schröder dhe Kryeministrin Berlusconi për përkrahjen që po i japin Kosovës. Si gjithmonë e përshëndesim Atin e Shenjtë Papa Gjon Pali II, që gjithmonë kujdeset për Kosovën.

Zonja dhe Zotërinj,

Dëshiroj t'Ju njoftoj se shënimi i 15-vjetorit të LDK-së do të vazhdojë gjatë vitit 2005 simbas kalendarit të themelimit të degëve në Kosovë, në Europë dhe në SHBA.

Miq të dashur,

Në përmbyllje të kësaj fjale në 15-vjetorin e artë të LDK-së, e theksojmë se LDK-ja do të punojë për të mirën e vendit tonë dhe për njohjen sa më të shpejtë të pavarësisë, çfarë do të qetësonte popullin e Kosovës dhe këtë pjesë të Europës e të botës.
Me fat 15-vjetori i LDK-së!
Me fat Krishtlindjet dhe Gëzuar Viti i Ri 2005!
Zoti Ju bekoftë!
Zoti i bekoftë miqtë e Kosovës!
Zoti e bekoftë LDK-në!
Zoti e bekoftë Kosovën!

Dr. Ibrahim Rugova
President i LDK-së dhe President i Kosovës

Në Prishtinë sot u festua 15-vjetori i themelimit të LDK-së

Dr. Ibrahim Rugova: LDK-ja ishte shpresë dhe besë për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët

Prishtinë, 23 dhjetor - Lidhja Demokratike e Kosovës me një solemnitet të organizuar sot në mjediset e hotelit "Grand" në Prishtinë, festoi 15-vjetorin e themelimit. Merrnin pjesë Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, Kryeparlamentari Nexhat Daci, ministra, deputetë, kryetarë të komunave, kryetarë të degëve të LDK-së dhe shumë aktivistë të saj nga Kosova dhe diaspora. Ky përvjetor ishte i denjë për t'u festuar, ngase LDK-ja, si partia më e madhe në Kosovë dhe hapësirat shqiptare, ka udhëhequr me organizimin politik dhe shtetformues në Kosovë dhe ka qenë sinonim i aspiratave shekullore të shqiptarëve për liri, pavarësi e demokraci, duke përmbushur synimet për një Kosovë të lirë dhe së shpejti edhe të pavarur.
Presidenti i Kosovës dhe njëherit edhe kryetar i LDK-së, Ibrahim Rugova, që këtë përvjetor të rëndësishëm e quajti të artë, mbajti një fjalim solemn, ku foli për historikun e saj prej themelimit e deri më tash.

Presidenti Rugova tha se "sot në krye të pesëmbëdhjetë vjetëve të veprimit mund të themi se këto janë 15 vjet të arta të LDK-së dhe se sot po shënojmë dhe po festojmë një jubile të madh për LDK-në dhe për Kosovën, si dhe për botën shqiptare".

"Po ashtu sot do thënë se 23 dhjetori i vitit 1989 ka hyrë në historinë e Kosovës si njëra nga datat më të rëndësishme dhe kruciale për vendin tonë, për fatin e mirë të vendit tonë", duke theksuar se "themelimi i LDK-së u bë në prag të Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri, që ka simbolikën e vet që do të thotë se po lindte një qenësi e re për vendin tonë, pra LDK-ja, që për 15 vjet do t'i dalë Zot popullit të vet".

"Pra, LDK-ja lindi në kohën kur po binte një sistem tragjik për Kosovën dhe për popullin shqiptar. Po binte Muri i Berlinit dhe LDK-ja filloi t'i rrënojë muret ndërshqiptare në këtë pjesë të Europës e të botës, duke krijuar pavarësinë e Kosovës. LDK-ja ishte shpresë dhe besë për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët. Këtë e mbrojti dhe e realizoi dhe e zhvilloi për 15 vjet me radhë dhe për plot 15 vjet", nënvizoi Presidenti Rugova.

Dr. Ibrahim Rugova me veprimtarin e mirënjohur të LDK-së në Gjermani, zotin Mejdi Laçaj

Dr. Rugova vlerësoi se LDK-ja menjëherë pas themelimit u bë forca politike kombëtare kryesore e Kosovës dhe së bashku me popullin dhe me forcat e tjera politike krijoi dhe i vuri themelet e shtetit modern të Kosovës dhe përmes akteve madhore, siç janë: Deklarata e Pavarësisë e 2 Korrikut të vitit 1990, Kushtetuta e Republikës së Kosovës 7 shtator '90, Referendumi për Pavarësi, në shtator 1991 dhe zgjedhjet presidenciale e parlamentare më 1992 dhe 1998.

"Këto akte madhore LDK-ja i vuri në jetë dhe krijoi një shtet funksional në të mirë të popullit të Kosovës. LDK-ja krijoi vizionin dhe realitetin e funksionimit të shtetit. Kështu funksionoi Presidenti, Qeveria dhe Kuvendi i Republikës duke e bërë të njohur shtetin e Kosovës në botë, mbi bazat e filozofisë së pavarësisë të LDK-së dhe të popullit të vendit tonë".

Ndërkaq, duke folur për periudhën e pasluftës, Presidenti Rugova tha se LDK-ja në Kosovën e lirë u konsolidua më shumë, u profilizua si parti politike në rrethanat e një vendi të lirë.

Në këtë kohë LDK-ja u angazhua me të gjitha fuqitë për ndërtimin e vendit dhe duke zbatuar filozofinë e vet në praktikë, në bashkëpunim të ngushtë e produktiv me UNMIK-un, KFOR-in, NATO-n dhe me OSBE-në për ndërtimin e një shoqërie demokratike e prosperuese të shtetit të Kosovës.

"Pas zgjedhjeve të para lokale 2000 dhe po ashtu pas zgjedhjeve të para nacionale më 2001, LDK-ja u verifikua si forca kryesore qendrore nacionale për të udhëhequr vendin. Njëherësh këtë vërtetim LDK-ja e mori edhe në zgjedhjet e dyta lokale më 2002 dhe në zgjedhjet nacionale të këtij viti. LDK-ja edhe në Kosovën e lirë punoi dhe u angazhua për forcimin e kulturës shtetërore e politike. Pas zgjedhjeve të para nacionale formoi institucionet në bazë të marrëveshjes së gjerë me forcat e tjera politike, me çfarë u vunë themelet qeverisëse qendrore të vendit. Ndërsa këto ditë pas zgjedhjeve të dyta nacionale LDK-ja formoi koalicion me AAK-në, PSHDK-në dhe me forcat e tjera partnere për të ndërtuar institucione të reja nacionale më efikase, me pozitë dhe opozitë, çfarë do të jetë më frytdhënëse për popullin dhe qytetarët e vendit. LDK-ja gjithmonë punoi dhe punon në të mirë të Kosovës në rrugë demokratike".

Në vazhdim Presidenti Rugova tha se "LDK-ja sot është në rrugë të konsolidimit dhe të zhvillimit si parti moderne duke e aktivizuar gjithnjë e më shumë brezin e ri brenda vetes dhe në nivel të Kosovës".

"LDK-ja angazhohet për një njohje të drejtpërdrejtë të pavarësisë nga SHBA dhe BE, çfarë do të qetësonte këtë pjesë të Europës e të botës. Pra, sa më shpejt një Kosovë e pavarur, demokratike, tolerante e prosperuese për popullin dhe qytetarët e saj e integruar në BE, në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA. Ky është vullneti politik i popullit të Kosovës", nënvizoi Presidenti Rugova dhe premtoi se LDK-ja në rrugën e tashme ndërkombëtare të ndërtimit të shtetit dhe të shoqërisë do t'i përmbushë normat euroatlantike për mbrojtjen dhe sigurinë e grupeve etnike, apo minoriteteve si dhe do të zhvillojë një sistem efikas administrativ e të reformuar për të gjithë qytetarët".

Në fund të fjalimit të tij, President Rugova tha se "në këtë përvjetor të artë të LDK-së, i përkujtojmë me pijetet të lartë disa nga themeluesit dhe aktivistët e njohur të LDK-së që ranë për lirinë, pavarësinë e Kosovës siç janë Prof. Fehmi Agani, Prof. Latif Berisha, Agim Hajrizi, Sali Çeku e Enver Maloku, pastaj Shaban Manaj, Xhemail Mustafa, Ismet Rraci, Ismajl Hajdaraj e Ukë Bytyçi që ishin figura qendrore të LDK-së e të Kosovës.

Intervistë me zotin Mentor Barani, Kryetar i Forumit të Rinisë të LDK-së, Dega III - Dega e Presidentit Rugova, Prishtinë

 

Dr. Ibrahim Rugova me veprimtarin e mirënjohur të LDK-së në Gjermani, zotin Mejdi Laçaj
TEMA: Me 7 korrik u mbajt kuvendi qendror i shtati me radhë i FRLDK-së, Z. Barani si rrodhën punimet e këtij kuvendi, na thoni diçka më shumë?  

Z. Barani: Zgjedhjet në FRLDK u shpallën të hapura më 20 Maj 2007 pas një konsultimi të kryesisë qendrore të partisë me kryesinë qendrore të forumit dhe degët. Zgjedhjet nëpër nëndegë filluan me datën 20 Maj, për të përfunduar me 9 Qershor, ndërsa me 25 Qershor përfundoi me mbajtjen e kuvendeve nëpër degë. Kuvendi qendror ka qenë i paraparë të mbahet me datën 30 Qershor, por pas një ftese nga organizatat ndërkombëtare simotra dhe pjesëmarrjes në to (në Gjermani) kuvendi u shty për datën 7.07.2007, kuvend ky në të cilin morën pjesë 338 delegatë të dalë nga kuvendet e degëve të FRLDK-së, si brenda dhe jashtë Kosovës. Punimet e këtij kuvendi rrodhën mirë me një frymë tejet demokratike, dhe me një imazh të shkëlqyer, me një porosi të qartë edhe për forumet rinore të subjekteve tjera politike. Ky kuvend për kryetare zgjodhi zonjushën Sytrime Dërvisholli dhe ne i ofruam bashkëpunim të frytshëm në frytshëm në çdo aspekt.

TEMA: Z. Barani na thoni sa ishte pjesëmarrja e rinisë në punimet e kuvendeve nëpër nëndegë dhe degë?

Z. Barani: Pjesëmarrja e të rinjve nëpër nëndegët e degëve në përgjithësi dhe të  Degës III në veçanti ishte tejet e lartë. Gëzon fakti se të gjithë ata kishin përgatitje të lartë shkollore, intelektuale dhe kombëtare. Mesatarja e numrit të pjesëmarrësve nëpër nëndegë ishte nga 50 delegatë. Të gjithë pjesëmarrësit aty dhe të zgjedhurit si në kryesi të nëndegëve po ashtu edhe delegatë për kuvendet e degëve zotoheshin se do ta ndjekin rrugën e trasuar nga presidenti historik, themeluesi i LDK-së dhe shtetit modern të Kosovës kryetar i të cilave ishte për 17 vite me radhë, dhe shembullit më tipik për të rinjtë Dr. Ibrahim Rugova si dhe pasardhësit të tij Prof. Dr. Fatmir Sejdiut.

TEMA: Z. Kryetar jeni takuar shumë herë me presidentin tonë të ndjerë Ibrahim Rugova, si ndjeheshit kur mbahej kuvendi pa prezencën fizike të tij?

Z. Barani: Jo rastësisht Dega III e LDK-së tani quhet DEGA E PRESIDENTIT RUGOVA, ngase presidenti Rugova ishte nga kjo degë, çdo herë propozohej nga kjo degë dhe ai kishte një respekt të veçantë për aktivistët e kësaj dege. Kjo ishte një prej arsyeve që unë jam takuar shpesh herë me të. Por ka edhe një arsye tjetër se Ai i çmonte shumë të rinjtë. Është një e vërtetë e dhimbshme që këto kuvende u mbajtën pa prezencën fizike të tij, por të gjithë pa dallim ndiheshim krenarë që jetuam dhe vepruam në epokën e presidentit Rugova.

 

TEMA: Dega e juaj, pra Dega III ka qenë dhe është njëra ndër degët më aktive, aktivitet e juaja për nga numri janë të shumta, por edhe dallojnë nga aktivitetet e degëve të tjera?

Z. Barani: Ndoshta nuk jam modest por kjo është e vërtetë. Me takimet tona në mbledhjet e rregullta, me përfaqësues të degëve sa herë kemi raportuar se jemi në realizim e sipër të ndonjë projekti, ato projekte shiheshin si me dyshim e të parealizuara, por ne me këmbëngulësi i realizonim dhe për këtë përgëzoheshim dhe kjo na nxitë që edhe më tutje të punojmë dhe të mos ndalemi.

TEMA: Na thoni Z. kryetar disa nga këto aktivitete, cilat janë ato?

Z. Barani: Nga shumë aktivitete që ka bërë dega jonë vlen të përmenden: Aftësimi i shumë të rinjve në zanate të ndryshme dhe punësimi i tyre, ku nga ky projekt kanë përfituar gjithsej 34 vetë. Pastaj kemi realizuar aktivitete të shumta edukativo-arsimore, sportive, kulturore etj. Vlen të përmendim këtu përurimin e dy librave për presidentin Rugova të redaktorit  Kadri Mani, njëri me titull: “Dr. Ibrahim Rugova Triumfoi Në Kosovë dhe në Hagë”, dhe libri i dytë: “Njeriu i pavarësisë”.

Mund të them edhe këtë se nga 17 anëtarë të kryesisë së degës sonë, 10 prej tyre janë punësuar dhe 3 të tjerë së shpejti do ta fillojnë punën.

TEMA: Z. kryetar cilat aktivitete për momentin i keni në realizim e sipër?

Z. Barani: Siç e dimë aktivitetet e Degës III janë nga më të ndryshmet. Aktivitetet që pritet të realizohen në tre mujorin e parë përveç turneut memorial në shah dhe homazheve që janë mbajtur me 17 Qershor për nder të një aktivisti të LDK-së dhe ushtarit të dalluar të UÇK-së, dëshmorit të kombit Florim Ymerit, kemi edhe 3 aktivitete që janë në realizim e sipër: aftësimin e 20 vajzave me shkollim të mesëm për shërbime medikale në një trajnim dy javor, përmes shkollës së zjarrfikësve në akademinë e policisë në Vushtrri; nxjerrjen e një reviste enigmatike si dhe botimin dhe përurimin e një libri prej 5 vëllimeve me gjithsej 2500 faqe që i kushtohet aktivitetit politik të presidentit Rugova prej fillimit e deri në vdekjen e hershme të tij.

Por projektet tona nuk përfundojnë këtu, ngase komisionet e punës të degës kanë bërë projektet me anë të së cilës do të punojë dhe funksionojë dega jonë.

TEMA: Sapo e mora lajmin se Bamir Topi u zgjodh president i Shqipërisë me vota unanime, zoti kryetar cili është komenti juaj për këtë?

Z. Barani: Është lajm i mirë ky, ngase vendi iku nga zgjedhjet e parakohshme dëshirë kjo e evgjitëve komunistë. Bamir Topi është njeriu i duhur në vendin dhe kohën e duhur. Unë me kënaqësi mbaj një kapelë me emrin e tij, që e kam marr nga vet ai në zgjedhjet e fundit parlamentare. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi Te, Familjen e Tij, PDSH-në dhe mbare popullin shqiptar kudo që janë ata.

  TEMA: Edhe gazeta jonë i bashkëngjitet këtij urimi me dëshirat më të sinqerta për kryetarin e ri të Shqipërisë zotin Bamir Topi. Z. kryetarë ju falënderojmë për intervistën dhe për kohën që e ndatë për ne.

Z. Barani: Ju faleminderit juve dhe jeni gjithmonë të mirëpritur për bashkëpunim, gjithashtu ju dëshiroj sukses në punën tuaj.         

Intervistoi: Rabit Osmani



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora