E diele, 18.08.2019, 04:51 PM (GMT+1)

Komente

Ylber Memia: Dhuntia e te dhenit

E enjte, 20.12.2007, 06:59 PM


Dhuntia e te dhenit

Nga Ylber Memia

Te japesh per te tjeret ne nevoje, eshte nje tradite e lashte qe nga kolonialistet e pare ne SHBA. Filantrope te tille si Endrju Karnegi, Xhorxh Soros, Bill Gejts e shume e shume te tjere, kane perjetesuar tashme emrat e tyre ne bemat e ndihmes ndaj atyre ne nevoje dhe ne te mire te komuniteteve te ndryshme. Sot bujaria ka arritur nivele te larta ne Amerike. Sipas aneksit te Uashington Post, Parade, ne vitin 2006, dhurimet e bamiresise i kaluan atje 295 miliard USD, qe eshte me shume se prodhimi bruto i Norvegjise dhe 12 miliard USD me shume se nje vit me pare. Rreth 68 per qind e familjeve amerikane dhane diçka per bamiresi ne 2006. Ne nivelin e larte, 21 vete gjate ketij viti dhane per bamiresi çeqe me se paku 100 milion USD. Nder ta jane Uorren Bufet qe premtoi 85 per qind (me teper se 40 miliard USD) te pasurise se tij dhe Ofra Vinfri qe dha 58 milion USD per arsimin ne Afrike. Sipas te dhenave, 65 per qind e kontributeve qe ndihmojne te financohen kuzhinat e bamiresise apo kujdesin e perditshem pa pagese, vijne nga familjet qe fitojne me pak se 100 mije USD ne vit. Amerikanet qe dhurojne jane me te shumte se ata qe votojne. Amerikani mesatar dhuron 2.6 per qind te te ardhurave te veta. Njerezit qe fitojne me pak se 50 mije USD japin mesatarisht 971 USD ne vit per bamiresi, ata me te ardhura 50 deri 100 mije, japin 1.918 USD dhe ata mbi 100 mije japin 3.975 USD. Natyrisht Amerika ka edhe dukuri te tilla kur miliardere e milionere u lene trashegimi qenve e maceve, por kjo nuk eshte e zakonshmja. E zakonshmja eshte ajo çka thame me siper.
Pse japin valle ata? Veç motiveve te veçanta personale, jane disa percaktues te perbashket qe i bejne njerezit te japin: berja e botes nje vend me i mire per te jetuar, dhembshuria per ata ne nevoje, apo nje ndjenje per te shperblyer shoqerine per fatin e tyre te mire. Me librin e tij te fundit, “Duke dhene: si secili nga ne mund te ndryshoje boten”, ish presidenti Klinton eshte bere nje ambasador i filantropise. Pavaresisht nga te ardhurat qe ke, thote ai, pavaresisht nga mosha e aftesite, ka prape diçka qe mund te besh. Ne vend te mendosh se kane pllakosur problemet, bej nje gje. Po te mund te ndryshosh jeten e nje njeriu, ke bere nje gje te madhe, thote ai. Kjo eshte ne perputhje me ate çka thene e madhja Nene Tereze: “Ne qofte se nuk mund te ushqesh 100 vete, atehere ushqe vetem nje.” Bamiresia nuk e ndryshon boten, por te pakten zbut dhimbjet e shume njerezve mbi dhe.
Dhuntia e te dhenit nuk eshte karakteristike per shoqerine e sotme shqiptare. Gjate ketyre 17 vjeteve, pas thyerjes se barazitizmit te peshtire e artificial komunist, pasuria e shqiptareve u polarizua ne menyre te skajshme. Tranzicioni, demokracia e tregu i lire, nuk mund te favorizonin nje lloj nje njeri te thjeshte ne Gramsh, Bulqize apo Puke (duke lene menjane te gjithe ata ç’qene ne fshat) nga dikush qe punonte ta zeme, ne tregtine e jashtme apo ne institucione te rendesishme, ne Tirane. Pasuria u perfitua me mjete nga me te ndryshmet, me mbeshtetje politike, me dhune, me spekulime e shkelje ligji, por edhe me pune te ndershme e me respekt te ligjit. Dukuri te tilla nuk qene qe ndodhen vetem ne Shqiperi. Kudo, ne bote jane vene re te tilla zhvillime, ne etapa te caktuara.
Fuqia ekonomike e te kamurve bie ne sy ne ze qytetet e medha te Shqiperise veçanerisht ne zonen e metropolit Tirane-Durres. Vila luksoze me pishina e kopshte ne tarraca, makina te prodhimit te fundit e pushime atje ku nuk hyhet dot me kuleta rrogetaresh te zakonshem. Milioneret e rinj shpesh prishin pa hesap per kenaqesi vulgare e vanitoze, ata ndodh te mbyllin lokalet jashte vendit, siç tregojne, per ta bere qejfin me vete, lene miliona e miliona ne kazinote e vendit e botes, i mesojne femijet e tyre te jetojne jeten e snobit duke harxhuar pa hesap klubeve e orgjive. Nderkaq, mijera e mijera te tjere s’kane buke te hane, luftojne me skamjen e veshtiresite e perditshme ku shteti, ne vend t’i ndihmoje, nuk u siguron as minimumin qe duhet te beje nje shtet per shtetasit e vet. Ata jetojne mes fukarallekut e stresit qe prodhon mungesa e rrugedaljes, papunesia, privacionet e shumta, kriminaliteti dhe ligji i korruptuar. Kjo po sjell paprere jo vetem drama tragjike ne jeten e shoqerise shqiptare: vrasje, vetevrasje, hakmarrje e krime te perçudeshme te padegjuara me pare, por po deformon realisht edhe psikiken shqiptare.
A nuk mendojne valle te kamurit shqiptare se jeta e tyre do te ishte me e mire ne qofte se edhe vendi ku ata jetojne do te ishte sado pak, nje vend me i mire per te jetuar? Te perqendruar ne egoizmin e tyre, ata shpesh here harrojne se nuk mund te ndertosh nje klime perfekt lumturie ne qofte se pak metra larg teje ulerin mjerimi e skamja. Sado te ruhen e te mbrohen, shpesh here ai perçudnim shoqeror qe ndodh me shumicen e shoqerise, i arrin dhe i godet edhe ata duke i vene ne qender te dramave po aq tronditese me femijet e tyre, grate e ata vete.
Shqiptaret tradicionalisht jane mbajtur per mikprites e bujare. Kjo eshte pjese e legjendave patriotike. Ç’eshte e verteta, shqiptari eshte bujar kur eshte i varfer. Zakonisht ai eshte bujar kur e sheh se ti je me ne hall se ai. Nje i varfer te pret duarhapur dhe e ndan varferine me ty po te jesh ne hall. Po te kamurit? Vini re se ç’ndodh me ate qe nuk ben vaki ne bote: vijne festat dhe çmimet ne tregjet shqiptare rriten. Kaq te paskrupull jane keta tregtaret shqiptare qe medoemos duan ta shfrytezojne per te fituar me shume edhe nje rast te tille? Veç kesaj, me pasaniket shqiptare ndodh si me ate evgjitin e perralles qe ku u be pasanik lyente dhe te pasmen me kos. E pra, ata prishin pa hesap per gjera te kota dhe kurre nuk japin gje qofte per komunitetin ku rrojne qofte per bashkekombesit e tyre qe fati u ka dhuruar skamjen e pamundesine.
E pra, kujt t’i bjere rasti te vizitoje Ameriken, do te shohe shkolla e spitale, parqe e muzeume, biblioteka e teatro te ndertuara nga individe te shquar e pasanike te vendit qe nuk jane prona te familjeve te tyre por te mbare komuniteteve e shoqerise. Do te ndodhe kjo valle dikur me Shqiperine? A nuk jane edhe varfanjaket e sotem ne Shqiperi ata qe kane kontribuar per pasurine e milionereve te rinj ne njeren apo tjetren menyre? E pra, ku eshte sensi i mirenjohjes e perdellimit? Le te mos harrojne ata se jeta eshte teper e shkurter kur e jeton brenda egoizmit tend te paskrupull dhe mund te zgjatet e te behet me e denje per t’u rrojtur vetem me altruizem, bujari e me dhuntine e te dhenit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT