E marte, 19.11.2019, 06:24 AM (GMT)

Komente

Eshtë maskilizmi shqiptar që vret

E hene, 17.12.2007, 09:55 PM


(Krimi në familje si kriminalizim i shoqërisë)

Nga Ndue Dedaj

Ndodh një krim i "padëgjuar" në familje dhe zakonisht mbetemi pa gojë... Me njëqind pikëpyetje pas. Kur, si, pse ndodhi? Përnjëherësh mbulohen me mister: ngjarja, rrethanat, personat pjesëmarrës në krim. Si ngjau që tjetri qëlloi me armë mbi të shoqen m‘u në mes të gjykatës së Rexhio Emilies? Çfarë kishte ndodhur me atë person që ishte mbushur me aq shumë urrejtje, sa të shtinte në mes të një gjykate të huaj, jo vetëm mbi gruan, por dhe mbi të kunatin, dhe të mos e ndalte pushkën deri sa njëri nga agjentët e policisë italiane ta qëllonte vrasësin shqiptar. Por duket se ishte nënvlerësuar pikërisht ajo e papërfillshmja në dukje, një lloj mesazhi që e bija i kishte lënë së ëmës: në qoftë se më vret burri, m‘u kujdeso për vajzat!... Ç‘duhej të thoshte më shumë një grua e frustruar dhe e divorcuar, që të kuptohej? Por ata që mund ta kenë dëgjuar atë ankesën e saj, kanë thënë "Bëje Zot mirë!"... Në të gjitha rastet ka pasur më parë dijeni dikush, për diçka, por ka heshtur. Edhe në rastin e vajzës së vrarë në Lurë, historia e dy të rinjve njihej dhe përflitej. Në këtë kuptim, krimi në familje, në njëfarë mënyre, është gjithnjë i "paralajmëruar". Mjerisht, edhe në kohën e sotme, femra është plotësisht e dominuar dhe e kërcënuar nga mentaliteti dhe mjedisi burrëror agresiv dhe i pamëshirshëm, që nuk udhëhiqet nga asnjë lloj kodi human e moral. Mjafton të ndalesh në tipologjinë e krimit në familje për ta kuptuar këtë, pa përmendur shifrat e frikshme sasiore të tij, ku dhuna verbale dhe psikologjike është më e lehta në raport me përdhunimin, thikën, sëpatën, pushkën. Asgjë nuk ndodh rastësisht në këtë moçalishte të trazuar sociale - "rastësisht" e spontanisht reagon vetëm shoqëria pas çdo krimi, pasi, sado e hidhur që të tingëllojë, krimi është bërë pjesë e ndërgjegjes së sëmurë të tranzicionit. Nuk mund të ndodhë ndryshe në një shoqëri që është thellësisht e shprishur prej mungesës së kodeve të saj civilizuese. Vetëm pak ditë më parë, afër ish-fushës së aviacionit në Tiranë, u vra një tjetër grua nga ai që bashkëjetonte me të. Në vendngjarje shkuan të gjithë për të bërë ritin e rastit. Prokuroria. Policia. Mjekësia Ligjore. Ekspertiza. Media. OJF-të e të drejtave të njeriut. Kureshtarët. Veç e veç, secili për hesapin e tij. Por nuk ndodhi as këtë herë të mblidhej një grup miks, lë të themi ekspertësh, ku të kishte sociologë, psikologë, mjekë ligjorë, psikiatër, kriminalistë, prokurorë, që ta shqyrtonin rastin së bashku, se cilat mund të kishin qenë rrethanat e kësaj vrasjeje në çift? Se dhe ky krim nuk ishte një rastësi. Personi vrasës kishte qenë dhe më parë me precedentë penalë...

Nuk e vret gruan Kanuni

Kronika e zezë e krimit të përditshëm në familjen shqiptare është fytyra "e zezë" e një shoqërie që nuk po di të dalë nga tranzicioni pa viktima në gra e fëmijë. Krimi, i konsideruar prej mendjeve të ndritura si "fataliteti më i vjetër i njeriut", është i etur gjithnjë për fli, dhe se flija më e kërkuar e tij është vëllai për vëllavrasje, babai për atëvrasje, nëna për mëmëvrasje, vajza për bijëvrasje... Është bash ai/ajo që ti duhej ta doje më fort. Duket se zakonet e vjetra të kohëve antike, mesjetare nuk kanë ndërruar asnjë grimë për sa i përket dhunës dhe vrasjes brenda katër mureve. Shpesh nxitohet që vrasjeve në familje t‘iu gjendet si shkak mentaliteti kinse kanunor. Por në Kanunin e Lekë Dukagjinit thuhet shprehimisht: "Njimend se mbas kanunit "Gjaku shkon për gisht", porse kjo kanu s‘e përfshin gruen, për arsye qi "Grueja s‘bjen në gjak" edhe me qillue se vret kend". Këtu nuk është fjala për të marrë në mbrojtje nderin e Kanunit, kur po i merret jeta gruas çdo ditë, në mënyra nga më ç‘njerëzoret. Problemi është të kuptohet dukuria e krimit të sotëm në familje, një dukuri e pazakontë, që nëse nuk kuptohet, nuk mund as të parandalohet. Nuk ka ndodhur në asnjë rast në të kaluarën e mbarsur me kanun, që tre vëllezër të ngrihen dhe të "grijnë katundisht" me armë të motrën dhe personin që ishte i lidhur me të. Zbatuesit e Kanunit kanë zgjidhur çështje shumë më delikate se kjo. Por tjetër është kanuni dhe tjetër është të vepruarit në përngjasim të Kanunit, domethënë se kështu do të kenë pas bërë gjyshërit. Është vetëm një sfond i turbullt kanunor, pasi njeriu i sotëm i pakultivuar sa duhet është bërë pre e interferimit dhe përzierjes së disa "kulturave" të mbrapshta kriminale, që në thelb dëshmojnë se ende jemi duke lundruar pa busull në kaosin social dhe se standardet evropiane mbetën një retorikë iluzive iluministe. Krimi ka rrënjë sociale, që lidhen me pështjellimin e sotëm institucional, ku politika luan ashpër dhe pa dinjitet, zotërit e ligjit luajnë korrupsionin, shoqëria bën indiferentin, institucionet e edukimit bëjnë "shkencë" por jo edukim, mediat, krahas sensibilizimit dhe denoncimit të rasteve, herë-herë e teprojnë më stërhollimet e krimit etj. Nuk ka një bosht institucional, rreth të cilit të mblidhen të gjithë aktorët ndërveprues. Ana tjetër e problemit, në mos më themelorja në këtë qasje, është se gruaja nuk ka një pozitë solide, zotëruese, vendimmarrëse në jetën e vendit. Nuk kemi ndërtuar ende një shoqëri që e ka seriozisht gruan, por e do atë vetëm si dekor. Nuk ka një grua kryetare partie në 17 vjet pluralizëm. Ka vetëm shtatë gra deputete, kur normale do të ishte të ishin nja 70 të tilla, që prapë nuk do të ishte më shumë se gjysma e Parlamentit. Nuk ka një grua ambasadore. Nuk ka një grua rektore. Ndaj është për t‘u përshëndetur që krahas Kryetares së Parlamentit, kemi së fundi dhe një grua Prokurore të Përgjithshme. Por nuk është as kjo e gjitha. Gazetarja e njohur Rudina Xhunga grish për përgjegjësi publike, qytetare, njerëzore në rastin e krimit në familje. Duke iu referuar vajzës së vrarë në Lurë, ajo shkruan se nuk ka rëndësi asnjë hipotezë, se kush e vrau etj.: "E vrava dhe unë. Nuk gjej asnjë fjali patetike, ngushëlluese, nuk kam fjalë të shkruaj për të, për sa kohë jam gisht i asaj dore, që në mos vret, nuk arrin të parandalojë vdekjen e shoqërisë".

Vret maskiliteti "burrëror" shqiptar

Asnjë mëdyshje nuk ka se vrasësi i padukshëm është brenda nesh. Vret mendësia vjeterane shqiptare, ballkanike, e burrit, e të fortit, në shoqëri të paemancipuara. Femra sot është në një fazë reale dhe jo më sureale të triumfit të saj. Kjo nuk mund të pranohet nga opinioni ynë maskilist. Nuk mund ta durojmë femrën të barabartë, aq më pak përpara nesh, aq më pak në krye. Shembull i kësaj mund të jenë disa femra që kishin bërë emër në biznes, shoqatat jofitimprurëse, apo studente që janë ekzekutuar mizorisht apo që kanë humbur. Ato mund të ishin dalëngadalë njëlloj avangarde në këtë shoqëri të shthurur. Jemi bartës të një psikologjie të "fortësh" në këtë vend të Evropës Juglindore, pasi e gjithë arena ballkanike është një ndeshje historike të tillësh. Të fortësh në luftë, në beteja të lavdishme e të palavdishme, në politikë, në mafie, në krime. "Të fortësh" dhe aty ku është hallka më e dobët, familja. Kemi një trimëri arkaike që të merr gjak në vetull, por nuk kemi trimërinë civile të integrimit në shoqërinë bashkëkohore. Ne nuk mund të durojmë burri-burrin, jo të durojmë femrën, e cila nuk na bindet më si dikur. Nuk na njeh për zot. Ajo kërkon të bëhet vetë zot i vetes, meqë për të shoqëria, ligji nuk bëhet dot mbrojtës. Nuk është esencialisht Kanuni, është maskilizmi ballkanik, represiv, dhunues, i shëmtuar që vret. Barazia gjinore është një terminologji që artikulohet vetëm nëpër seminare, por nuk zbret gjer aty ku maskilizmi ynë ka shtrirë pushtetin e tij të palëkundur.

Dashuria dhe familja ende quhen "pronë" e burrit. Një vajzë, në një fshat të malësisë, nuk mund të dashurojë si ato vajzat e kryeqytetit, që ajo i sheh të shpenguara në ekrane etj. I sheh dhe kërkon të jetë si ato. Por sapo të guxojë, do të ndeshet me forcën e burrave përreth, që mund të jenë: i ati, i vëllai, i kushëriri, opinioni "burrë". Femra është e destinuar t‘i nënshtrohet burrit në të gjithë ndjesitë e saj, t‘i përpunojë shijet sipas atij, madje dhe të votojë sipas partisë së tij! Qoftë dhe një zonjushë apo zonjë e shkolluar, e moderuar. Thuajse nuk ndodh që një vajzë t‘i propozojë djalit për martesë. Ajo nuk ka të drejtë ta bëjë këtë, pasi po e bëri, do të paragjykohet në cilindo mjedis. Dashuria, familja, gjithçka e tillë asaj do t‘i bëhet "dhuratë" nga mashkulli, pasi ai e njeh veten për zot. Edhe kur gruaja kërkon ta zgjidhë martesën me një burrë që i nxin jetën, ajo qëllon që vritet nga ky dhe pse ishin ndarë me gjyq. Është mendësia patriarkale e pronësisë mbi femrën. Vetëm për njëlloj etike, femra mund të shqiptojë se duke qenë e martuar, ajo bën jetën e saj si qenie sociale dhe komunitare. Për vonesën më të vogël, për të shihet ora çdo minutë, jo vetëm nga i shoqi, por dhe nga mjedisi tjetër familjar, kurse burri ka tagrin të mos japë llogari për vonesat e tij, jo për minuta, por dhe për ditë hallakatje, në "ekskursione" erotike me shoqërinë etj. Këtu është shkaku, konflikti, këtu është dhe drama.

Terrenin e krimit e moleps varfëria, stresi, mungesa e vizionit, mundësitë e pakta për mirëqenie, ligji në letër, por që nuk zbatohet - ndryshe nga kanuni që ishte një ligj pa letër (i pashkruar), por që zbatohej nga fëmija te plaku, pasi ishte kthyer në ndërgjegje e njerëzve për t‘u mbrojtur. Dihet se ligji mbi dhunën në familje ka 6 muaj që ka hyrë në fuqi, por askush nuk di gjë për të. Ndikimi i tij është zero. Si mund të jenë të qetë ligjvënësit kur ligji i bërë prej tyre nuk vlen. Propozohet për ta forcuar ligjin në këtë anë, dhe është padyshim e nevojshme, por a ka siguri që dhe ai ligji i fortë do t‘ua sjellë mendjen në vend burrave shqiptarë?

Shoqëria moderne, si retorikë

Nëse ka një dukuri për të cilën sot duhet të gjëmojë politika, institucionet e saj, shoqëria mbarë, ky është krimi, që ditë për ditë po ngre murana të reja gjaku. Nga krimi në familje (që në dukje është i mbyllur brenda katër mureve), te krimi i organizuar. Është një maratonë e jashtëzakonshme e krimit në këtë vend, shpesh në kufijtë e të pabesueshmes, por akoma më tronditëse është gjendja e pas-krimit. Një shoqëri, që për fatalitetin e saj, po mësohet me krimin e përditshëm dhe shpesh të përorshëm. Një vend ku politika "krihet" për gjithçka, por nuk programon dhe realizon nisma kundra krimit, sidomos atij të vrasjes. Deri tani beteja publike antikrim i ka mbetur medias, kurse betejën e padukshme ndaj krimit si rregull e bën ligji, me institucionet e veta, por për këtë nuk është e lehtë të flasësh. Mund të ngrihen dhjetëra prokurorë, policë, hetues, gjykatës e të thonë: po ne ditë për ditë po ndeshemi me krimin, çfarë mund të bëjmë më shumë kur as jeta jonë nuk është e sigurt? Askush nuk e vë në dyshim se ka punonjës të Policisë së Shtetit dhe të organeve të drejtësisë që bëjnë detyrën brenda këtyre rrethanave kritike, siç të paktën gjyqet e Krimeve të Rënda janë një dëshmi e qartë. Por nga ana tjetër nuk mund të mos thuhet se disa syresh janë përzierë në afera korruptive për ta lehtësuar krimin dhe kriminelin. Ky është sot për sot problemi në pallatin e drejtësisë. Përtej këtij pohimi, ky vend ka President, Kryeministër, Prokuror të Përgjithshëm, ministër të Brendshëm, ka dhe një Parlament me 140 kuvendarë, që jo vetëm kanë tagrin, por dhe përgjegjësinë shtetërore për ta ndaluar katastrofën kriminale. Mosveprimi i tyre, i shoqërisë civile, i opinionit publik, duke mos e fshikulluar dhe goditur kriminalitetin si dukuri, shpie në kriminalizimin e shoqërisë. Dhe një shoqëri e tillë është gjithnjë e rrezikuar nga vetvetja, nga baruti i thatë që ka brenda vetes.

Atlasi i krimit në Shqipëri është më i "larmishmi" që mund të haset, ku krimi në familje është padyshim më i pranishmi, më i frikshmi, më i paparashikuari. Duket se asgjë nuk e ndal atë. Një burrë vret me thikë të shoqen kur ajo po vente në punë. Një baba vret djalin e tij për një gardh. Një tjetër vret të bijën e tij të martuar se i shoqi e kishte dyshuar. Zakonisht nuk thuhet më "vrasësi iku në drejtim të paditur", pasi për meritë të policisë ai kapet, por tashmë ka dalë një justifikim i ri për vrasësin, "ishte në kushte depresioni", që nënkupton se ishte me të meta mendore etj. Pra, përsëri kërkohet një lehtësim, një "qetësim" i opinionit për fatalitetin e pashmangshëm. Ndryshe si mund të shpjegohet që personi që vret vajzën e tij, se kishte shkuar me vonesë në shtëpi, dënohet vetëm me 16 muaj burg? Kur shkaku është vërtet gjendja mendore e çrregulluar e vrasësit, a do të pranojmë të vritemi sërish nga ai tipi i Peshkopisë, që vrau fëmijën dhjetëvjeçar, apo monstra e Shkodrës, që vrau disa veta para pak vitesh, apo do të ketë një studim, evidentim, diagnostikim e kurim të personave me probleme të shëndetit mendor, kur gjithkund në botë ka qendra të posaçme e gjer spitale psikiatrike për këtë kategori. Kohët e fundit në Tiranë është mbajtur një seminar, ku është thënë se rreth 20 për qind e fëmijëve kanë probleme të shëndetit mendor dhe se për këtë do të kryhet gjatë këtij viti shkollor një studim etj. Edhe pse shifra është alarmante, të paktën ka një sinjal për t‘u marrë me shëndetin mendor të fëmijëve dhe të rinjve, që nesër të mos kemi sërish një shoqëri të inkriminuar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT